zoom

Day ArchiveShenjat që tregojnë se keni nevojë të pini më shumë ujë

Shumë prej njerëzve nuk pinë ujë mjaftueshëm në baza ditore, duke dëmtuar trupin.

Nëse i vëreni këto shenja tek vetja juaj, rekomandohet që të pini më shumë ujë.

Ju thahet goja

Kjo duket diçka shumë e qartë, por nëse ndjeni se ju është tharë goja, ju është bërë bajate, atëherë sigurisht duhet të pini një gotë ujë. Kjo pasi pijet me sheqer nuk janë zgjidhje – sepse do t’ju bëjnë të ndjeheni edhe më të etur. Uji lagë membranat e mukozës në gojë dhe fyt, të cilat vazhdojnë ta mbajnë gojën të lagur me pështymë edhe shumë kohë pas një gllënjke ujë.

Keni lëkurë të thatë

Lëkura është organi më i madh i trupit tuaj, kështu që natyrisht ka nevojë të qëndrojë i hidratuar. Në fakt, lëkura e thatë është një shenjë e dehidratimit, që mund të çojë në shumë probleme të tjera. Mungesa e ujit nënkupton mungesë të djersës, që çon në paaftësi të trupit për të hequr yndyrën dhe pisllëkun e akumuluar gjatë ditës.

Ju thahen sytë

Deri tani ndoshta e keni të qartë se uji ndikon më shumë se veç në gojë dhe fyt. Mungesa e ujit çon në sy të thatë dhe të skuqur. Pa ujë në trup, thahet edhe loti në sy. Nëse po mendoni ‘Çfarë nëse s’mund të qajë?’, kuptojeni se kjo shkakton edhe më shumë dëme në sytë tuaj, sidomos nëse vendosni lente të syrit çdo ditë.

Keni dhimbje kockash

Kërci i eshtrave dhe kurrizit përbëhet nga 80% ujë. Uji është shumë i rëndësishëm për shëndetin e kockave. Duke e mbajtur trupin të hidratuar, nyjet janë në gjendje që të përballojnë ‘tronditjen’ e lëvizjeve të papritura, si vrapim, kërcim ose rënie.

Keni probleme me tretjen

Folëm për rëndësinë e ujit në gojë dhe fyt, dhe se si uji mundëson funksionimin e rregullt e të gjitha proceseve. Kjo përfshin edhe sistemin e tretjes. Pa hidratim të duhur, sasia dhe fortësia e mukusit në stomak pakësohet, duke lejuar acidin e stomakut që të bëjë dëme të mëdha brenda. Kjo çon në atë çfarë njihet si “dispepsi”./ Living

Shqiptari nuk pendohet për vrasjen e gruas në Athinë. Kërcënoi edhe vajzën: Do të të vras edhe ty!

Eduard Danaj, autori i vrasjes së shqiptares Enekelejda Danaj në Athinë, nuk ka shfaqur shenja pendimi pas arrestimit.

Ai u prangos në gjendje të dehur pasi masakroi me thikë gruan e tij, ndërsa para grupit hetimor ka deklaruar se nuk e duronte dot më bashkëshorten sepse e tradhtonte vazhdimisht.

“Ajo hante lekët e mia”, tha Eduard Danaj.

Mediat greke kanë zbardhur edhe detajin tronditës sesi në momentin e krimit, ai ka kërcënuar me vrasje edhe vajzën e tij.

“Do të të vras dhe ty, do bëhesh si nëna jote. Pastaj do vras veten!”, mësohet të ketë thënë shqiptari.

“Gabim shumë i madh” – Rama zbulon çfarë mesazhi i dërgoi Veliajt pasi doli nga SPAK

Kryeministri Edi Rama foli këtë të enjte për marrjen në pyetje për 8 orë me radhë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj nga SPAK për aferën e inceneratorëve më 30 prill.

Në një intervistë për “Opinion”, Rama përsëriti se qëndrimi i tij është i njëjtë me gjithë socialistët që kanë çështje me drejtësinë.

I pyetur për sulmet e Veliajt për gazetarët, duke i përmendur me emra, këtë Rama e quajti gabim të madh.

Pjesë nga intervista

Fevziu: A ishte fjalimi juaj dhe adresimi juaj një mesazh për Erion Veliajn?

Rama: Mesazhet për Veliajn i kam të thjeshta fare, një tekst, telefonat një mesazh, një takim. Që unë nuk mbroj..

Fevziu: Ju thatë që mbroni vetëm Zaon se të tjerët asnjë.

Rama: O zotëri unë këtë e kam thënë 1 mijë herë, jo po prapë se shiko. Unë jam ndryshe Fezo. Ky është thelbi dhe ju nuk doni ta pranoni, ok mos e pranoni. Jam ndryshe mor shok, jam ndryshe. Unë ato gjëra që them i mendoj.

Fevziu: Meqë kishe vetëm një mesazh të shkurtër, një tekst apo një telefonat me Veliajn, a i the gjë për qëndrimin që ai mbajti duke akuzuar një sërë gazetarësh pasi doli nga SPAK?

Rama: Po, i thash. Gabim shumë i madh.

Fevziu: Pse?

Rama: Sepse unë personalisht kam patuar shumë herë reagime ndaj medias. Por, nuk kam sulmuar kurrë një me emër, një person, sepse këto sulme nuk janë sulme të denja për kë do qoftë që ka një funksion të lartë dhe që ka një raport që lidhet me rolin e tij institucional.

Ngjarje tronditëse/ Efektivja e policisë qëllohet për vdekje nga kolegu i saj. Dyshimet…

Një efektive policie humbi jetën pasi u qëllua me armë nga kolegu i saj.

Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të enjte në zonën e Anzola dell’Emilia në Bologna të Italisë, në ambientet e institucionit të policisë.

Sipas mediave italiane, viktimë mbeti 33-vjeçarja Sofia Stefani. Ajo u qëllua për vdekje nga polici 60-vjeçar, Giampiero Gualandi.

Pas ngjarjes 60-vjeçari ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, pasi ai ka qenë duke pastruar armën.

Pavarësisht deklaratave të Gualandit, policia po heton edhe pistën e krimit të pasionit, pasi dyshohet se mes dy kolegëve mund të ketë patur edhe romancë të fshehtë, por që mund të jetë prishur kohët e fundit nga policja që mbeti e vrarë.

Stuhia më e fortë diellore në 20 vitet e fundit prek Tokën

Stuhia diellore më e fortë në më shumë se dy dekada preku Tokën (10.05.2024), duke shkaktuar aurora spektakolare në mbarë botën.

Sipas Qendrës së Parashikimit të Motit Hapësinor të Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës së SHBA (NOAA), i pari nga disa nxjerrje masive koronale (CME) ndodhi pak pas orës 1600 GMT.

Më vonë ajo u përmirësua në një stuhi gjeomagnetike “ekstreme”. Kjo ishte stuhia e parë e tillë që nga stuhitë e Halloween të tetorit 2003, e cila shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike në Suedi dhe dëmtoi infrastrukturën e energjisë në Afrikën e Jugut.

Dritat jeshile dhe blu – të cilat pritet të vazhdojnë për disa ditë – u panë nga Britania deri në Tasmania, me zyrtarët në SHBA që thanë se pamjet mund të jenë të mundshme deri në Alabama dhe Kaliforni Veriore.

Ndërkohë, njerëz nga e gjithë Gjermania postuan foto të aurorës në rrjetet sociale. Shkencëtarët thonë se pamjet më të mira të aurora borealis mund të vijnë nga kamerat e celularëve, të cilat janë më të mira në kapjen e dritës sesa syri.

Çfarë janë CME-të?

Çdo shpërthim, i njohur si CME, mund të përmbajë miliarda ton plazma dhe fushë magnetike nga atmosfera e jashtme e diellit, ose korona. Më shumë CME pritet të godasin planetin në ditët në vijim.

Ndryshe nga flakët diellore, të cilat udhëtojnë me shpejtësinë e dritës dhe marrin rreth tetë minuta për të arritur në Tokë, CME-të udhëtojnë me një ritëm më të qetë. Zyrtarët thonë se mesatarja aktuale është 800 kilometra (500 milje) në sekondë.

CME-të vijnë nga një grup masiv i njollave diellore që është 16 herë më i madh se planeti ynë. Dielli po i afrohet kulmit të një cikli 11-vjeçar që sjell me vete nivele të larta aktiviteti.

Autoritetet paralajmëruan operatorët satelitorë, linjat ajrore dhe rrjetin elektrik që të marrin masa paraprake në përgatitje për ndërprerje të mundshme për shkak të ndryshimeve në fushën magnetike të Tokës.

Sa të rrezikshme janë stuhitë gjeomagnetike?

Fushat magnetike të luhatshme të shoqëruara me stuhitë gjeomagnetike shkaktojnë rryma në tela të gjatë, duke përfshirë linjat e energjisë. Këto rryma mund të shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike. Tubacionet e gjata gjithashtu mund të elektrizohen, duke shkaktuar probleme teknike.

Anijet kozmike janë gjithashtu në rrezik nga doza të larta të rrezatimit. NASA tha se stuhia nuk përbënte kërcënim serioz për shtatë astronautët në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës. Ekuipazhi i tij mund të lëvizte në një pjesë më të mbrojtur të stacionit nëse ishte e nevojshme.

Atmosfera e pengon këtë rrezatim të arrijë në Tokë.

Aurora Borealis: Një spektakël mahnitës në qiell

Aurorat na magjepsin përsëri çdo herë. Një stuhi diellore prodhoi kohët e fundit një shfaqje të ndritshme ngjyrash në rajone ku dritat të tilla shihen rrallë.

Fener jeshil

Ngjyra e qiellit të natës mbi Washtucna në shtetin amerikan të Uashingtonit u kthye në një jeshile toksike kohët e fundit. Të dielën (12.05.2024), agjencia amerikane e motit NOAA kishte shënuar stuhinë e fortë diellore që ishte përgjegjëse për imazhin atmosferik të natës. Ka pasur edhe pamje të shumta në Evropë dhe Azi.

Një perëndim dielli gjatë natës?

Dukuritë e dritës nuk janë të pazakonta në rajonet polare, por në ishullin gjerman të Detit Baltik të Usedom janë një spektakël i paharrueshëm. Ngjyrat e shkëlqyera në qiellin e natës krijohen nga grimcat e ngarkuara elektrike të erës diellore që përplasen me shtresat e sipërme të atmosferës.

Yjet rreshtohen

Ky spektakël ngjyrash nuk mund të vërehet vetëm në veri. Përveç të ashtuquajturave Drita Veriore (aurora borealis), ka edhe Dritat Jugore (aurora australis), siç janë kapur këtu në liqenin Ellesmere në Australi.

Dritat ndizen në Berlin

Në Berlin, vetëm një shkëlqim i shkurtër i ngjyrave mundi të shihej sepse ndotja nga drita është shumë e lartë. Megjithatë, duhet të shikoni qiellin më shpesh në vitet e ardhshme: Sipas ekspertëve, cikli aktual diellor do të arrijë kulmin e tij në 2024 dhe 2025, kur shpërthimet do të rriten. Aurorat – ose të paktën shkëlqimet mund të shihen pak më shpesh në zonën e butë gjatë kësaj kohe.

Material për legjendat

Në Finlandë, dritat e veriut nuk janë të rralla. Përpara se të shpjegoheshin shkencërisht, për këto drita misterioze krijoheshin legjenda. Samët, banorët indigjenë të Skandinavisë, i konsideronin ndriçimet misterioze si sinjale për fatin e keq dhe shpirtrat e vdekur. Ata i ndalonin fëmijët të dilnin në rrugë dhe prisnin në heshtje derisa të vdekurit të ishin shtrirë për të pushuar përsëri.

Një ylber gjatë natës

Fari i Shën Marisë në gjirin e Whitley në bregun verilindor të Anglisë ndriçon shkëlqyeshëm kundrejt ngjyrave të ylberit të aurora borealis. Dritat shfaqen jeshile, të kuqe dhe nganjëherë vjollcë në blu. Perceptimi i ngjyrave mund të jetë mjaft individual dhe i ndryshëm për shkak të intensitetit të ulët të dritës./ DW

Si parashikohet moti për nesër? Temperaturat arrijnë deri në…

Ditën e premte vendi ynë do të jetë në ndikim të kushteve atmosferike të qendrueshme.

Moti parashikohet të jetë me kthjellime dhe vranësira kalimtare, siç raporton Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.

Era parashikohet të jetë nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare deri në 7m/sek, e cila hera-herës fiton shpejtësi deri në 14m/sek. Valëzimi në dete pritet të jetë i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:
në zonat malore 13 deri 28 °C
në zonat e ulëta 16 deri 31°C
në zonat bregdetare 17 deri 30°C

VIDEO/ Klithmat për ndihmë të shqiptares që u masakrua me thikë në Athinë nga burri i saj

Konfliktet mes çiftit shqiptar, Eduard dhe Enekelejda Danaj ishin të vazhdueshme dhe përfunduan në tragjedi.

40-vjeçarja shqiptare ishte ankuar në vijimësi për dhunë në familje dhe e kishte denoncuar 3 herë në polici.

Ndërkohë, vetëm një javë më parë, të hënën e kaluar, është regjistruar një moment dhune mes tyre

Protothema.gr ka publikuar një video ku dëgjohet momenti kur viktima debaton me burrin që e vrau.

Në video dëgjohen britmat dhe ulërimat e 40-vjeçares.

Kliko KËTU për të parë videon

Sipas protothema.gr, Enkelejda Danaj kishte denoncuar se partneri i saj ishte bërë i dhunshëm dhe kishte filluar të konsumonte sasi të mëdha alkooli.

Denoncimi i fundit ishte bërë më 7 maj të këtij viti, një ditë pas sherrit të dokumnetuar në videon e mësipërme.

Detaje tronditëse nga vrasja në Athinë/ Pasi masakroi gruan me thikë, shqiptari po pinte birra

Zbardhen të tjera detaje tronditëse nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Athinë, ku 50-vjeçari shqiptar, Eduard Danaj vrau me thikë bashkëshorten e tij, Enkelejeda Danaj.

Mediat greke raportojnë se pasi ka kryer krimin, Eduard Danaj ishte strehuar në një godinë të braktisur dhe po pinte birra.

Ai u pikas nga kalimtarë të rastit, që njoftuan policinë, e cila më pas prangosi 50-vjeçarin në gjendje të dehur.

Para grupit hetimor Eduard Danaj ka pranuar vrasjen e gruas, duke e akuzuar se e tradhtonte ndër vite.

“E vrava dhe nuk pendohem. Po hante paratë e mia. Ajo kishte lidhje me burra të tjerë përgjatë viteve. Nuk mund ta shihja të dashurin e saj duke bërë xhiro me makinë, kishte edhe foto në Facebook”, ka deklaruar ai.

Futbolli në Shqipërinë staliniste: 90 minutat e vetme kur njerëzit mund të ishin vetvetja

Futbolli në Shqipëri është një obsesion kombëtar. Megjithatë, midis fundit të viteve 1960 dhe vdekjes së ngadaltë e të zgjatur të stalinizmit në 1991, ai u bë më shumë se një fiksim i thjeshtë. Në një vend ku rishkrimi i kushtetutës në vitin 1967 u mohoi njerëzve lirinë e besimit, futbolli u bë feja e re, me pelegrinët nga Gjirokastra në Shkodër, Lezha në Sarandë, që mbushnin stadiumet çdo të dielë pasdite në adhurim të “perëndive” të tyre të reja.

Në ato momente të kaosit të urdhëruar, shqiptarët u shfaqën të lirë nga sprovat dhe padrejtësitë e jetëve të tyre të varura, të mbytura nga regjimi, duke transportuar nëpërmjet futbollit dhe përvojës së përbashkët njerëzore, në një fushë më të lartë, atë të gjelbërt; një pamje harmonie dhe lirie.

Për tifozin e mirënjohur të futbollit që jeton në Tiranë, përgatitjet për ditën e ndeshjes nisnin pasditen e së mërkurës.

Në orën 17:00, nga e hëna në të shtunë, sheshi Skënderbej u zhytej në një valë trafiku njerëzor, ndërsa punëtorët e Shqipërisë u larguan nga puna e qytetit si funksionarë të regjimit, duke bërë shëtitjet e tyre të shkurtra, ose xhirot me biçikleta nëpër bulevardet e brendshme me pemë në Tiranë, në apartamentet e tyre parafabrikate të ndërtuara nga sovjetikët në periferi të qytetit.

Në atë kohë nuk kishte makina, përveç turbullirës së të automjeteve shtetërore me dritare të zeza që dërgonin personalitete në zyrat e tyre të Partisë, ose ulërima e papërmbajtura të kamionëve GAZ-69 në “vrapimet” e tyre të përditshme të municioneve. Autobusët ishin të paktë, taksitë inekzistente.

E mërkura, çdo dy javë, ishte ditë pagese. Pas marrjes së shpërblimit për orët e investuara në kryerjen e roleve të tyre të vogla në realizimin e ëndrrës socialiste të Enver Hoxhës, punëtorët e Shqipërisë, siç është ritual në të gjitha shoqëritë, do të shpenzonin.

Rrugët për shprehjen e vetë-kënaqësisë ishin të kufizuara; një paketë cigare, një revistë e zgjedhur ndoshta, por për sportdashësit e zjarrtë në qytetin më të madh të Shqipërisë, dita e pagesës zakonisht paraprihej nga një vizitë në kioskën e Gimit, pak larg nga Sheshi Skënderbej, nën hijen e Ushtarit të Panjohur.

Gimi, një partizan nga ditët e revolucionit, drejtonte një kioskë metalike vertikale të zgjatur, afërsisht sa një kabinë standarde telefonike. E ngulitur me fjalët ‘Gazeta Revista’, kioska shiste gazetën kombëtare “Zëri i Popullit” dhe revista rekreative, por për sportdashësit në dijeni ajo shërbeu edhe si bileta e miratuar nga qeveria për Federatën Shqiptare të Futbollit.

Futbolli u bë një çlirim social thelbësor për meshkujt shqiptarë, veçanërisht, dhe stadiumet, pa përjashtim ishin plot, me shumicën e tifozëve që merrnin biletat nga Gimi ditë më parë. Ishte e zakonshme që një mbështetës të bllokonte blerjen, zakonisht pesë bileta në të njëjtën kohë: tre për blerësin plus miqtë, përgjithësisht me shtimin e një komisioni prej pesë lekësh. Një çmim i lirë, ndonëse ishte ndër të pakta gjëra në Shqipërinë staliniste. Thjesht duhej të siguroheshe që të mos të kapnin në stadium, ku bashkë me tifozllëkun të flisje diçka më tepër si shfryrje.

Biletat ishin përgjithësisht të disponueshme për tre seksionet e stadiumit: prapa portës dhe një tribunë karshi, ndërkohë, Tribuna, që quhej një zonë e mbuluar, ishte e rezervuar ekskluzivisht për ushtrinë, policinë dhe anëtarët e Partisë.

Tribunat me stola druri të zëna nga proletariati quheshin njëzet, 20-tshe pasi biletat kushtonin 20 lekë. Në njëzetshet, rreshtat dhe numrat e karrigeve nuk përfilleshin, përleshja para ndeshjes për ulëset më të mira, një akt javor i supozuar anarkie. Në rrethinat e regjimentuara të Shqipërisë staliniste, me të gjitha rregullat dhe kufizimet e saj, askush nuk e pranoi konceptin e radhës.

Vendi i vetëm që u vu re numrat e vendeve ishte në Tribuna. Nga njëzetshet, punëtorët mund të shikonin të pranishmit në Tribuna: ambasadorë të virtytshëm, të nderuar të Partisë, të veshur me palltot e tyre të mira dhe këpucët italiane, të mbrojtur nga elementët natyrorë nga mbulesa e sipërme.

Për ata që ishin mjaft të pakujdesshëm për të mos blerë bileta para ndeshjes, pasonte një përleshje e detyrueshme të dielën për çfarë kishte mbetur të disponueshëm nëpërmjet kapakut të vogël në kioskën e Gimit.

Skenat i ngjanin orëve të hapjes në bursën e Nju Jorkut. Në Shqipërinë staliniste, ku mosmarrëveshjet publike thuajse mungonin, zënkat ndodhnin rregullisht në shesh, pasi mbi 1000 tifozë patën privilegjin javor për të parë heronjtë e tyre të futbollit në veprim.

Ndodhnin edhe arrestimet, Sigurimi (policia sekrete shqiptare) zgjodhi të mbyllte një sy ndaj akteve të sjelljes së kqija të turmës jo-ideologjikisht të motivuar.

Ata që dështuan në kërkimin e biletave të ditës së ndeshjes do të duhej të provonin fatin tek shitësit e tjerë të Tiranës: vrima të vogla në mur, poshtë shkallëve në Stadiumi Dinamo ose Stadiumi Qemal Stafa.

Erdhi e diela, Tirana u gjallërua; një zhurmë e dukshme e emocioneve kolektive që përfshin qytetin. Tifozët mblidheshin në sheshin Skënderbej disa orë para fillimit të ndeshjes në orën 15:00 për të pirë cigare dhe për të diskutuar mbi rezultatin e ndeshjes së ditës.

Por si dukeshin lojërat gjatë këtyre kohërave të errëta e të zhdrejta? Miku im Irvin më tha: “Megjithëse fushat ishin në gjendje të mjerueshme, futbolli ishte i bukur, shumë konkurrues, plot cilësi, inteligjencë dhe aftësi. Dhe atmosfera ishte gjithmonë e mahnitshme; ne praktikisht jetuam për fundjavën. Ishin të vetmet 90 minuta të javës që njerëzit mund të ishin vetvetja; harrojnë jetën dhe gjithçka tjetër, dhe bërtasin e këndojnë.”

Gëzimi, megjithatë, ishte gjithmonë i matur, pasi një koment i gabuar dhe i kundërt me sistemin, mund të kishte pasoja të tmerrshme.

“Nëse do të bënit një vërejtje negative për qeverinë, një spiun në turmë do të thërriste një agjent të Sigurimit i cili do të ndërhynte,” tha Irvin.

Golat u festuan në mënyrë euforike.

“Kafenetë dhe baret në rrugën e Elbasanit dhuronin disa letra, ose tifozët prisnin gazetat në copëza të vogla për t’i hedhur kur skuadra e tyre shënonte. Por forma më imagjinative e festës ishin pëllumbat. Çdo familje në Shqipëri vazhdon të garojë me pëllumba edhe sot e kësaj dite, dhe shumë tifozë do t’i lidhin shirita me ngjyrat e ekipit në këmbë pëllumbave dhe do t’i lëshonin në stadium. Ata do të të prisnin në kafazin e tyre të pëllumbave kur të mbërrije në shtëpi.”

Tifozët do t’i ndjenin ngjarjet në terrenet anembanë vendit duke marrë radiot e tranzistorit të prodhuar në Shqipëri, sa një tullë shtëpie, përthithës valësh primitive me antena të gjata që u montoheshin nëpër tarraca e çati jashtë si shpata duelësh. Në arkivat e videove të epokës, ju mund të shihni dukshëm një legjion thumbash të drejta që shkëlqejnë në diellin e mesditës.

Pak shqiptarë dinin për futboll jashtë kufijve të mbyllur hermetikisht të vendit. Kanë ekzistuar disa njohuri të pëshpëritura për futbollin jugosllav dhe italian, antena të bëra vetë nga konservat e sardeleve apo kanaçet me shkëlqim këpucësh që ofronin njohuri për një botë përtej bunkerëve dhe telave me gjemba. Dita e ndeshjes në Shqipëri rrëmbeu shpirtin e fshehur të një populli që ishte mësuar të bënte atë që i thuhej. Fëmijë të një republike, të cilët, një herë në javë, lejoheshin të dilnin për të luajtur, për të qenë një version i vërtetë i vetvetes. Dhe kjo ndodhte çdo të dielë.

Burimi: The Guardian.

Një puç juridik kundër shtetit/ VKM-ja që çoi Belinda Ballukun në SPAK për inceneratorin

Nga Klodian Tomorri 

Në 2 mars të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, i cili ndryshonte fushën e përgjegjësisë shtetërore për ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në atë kohë vendimi me nr. 111 dukej si një akt i rëndomtë burokratik. Por në të vërtetë ai fshihte një hile të madhe kundër shtetit, e cila do të dilte në dritë shumë kohë më pas, atëherë kur SPAK të merrte në dorë aferën e inceneratorit të Tiranës.

Vendimi i marsit të vitit 2022 hoqi sektorin e mbetjeve nga përgjegjësia e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe bashkë me të edhe detyrimin e komponentit zbatues të politikave të qeverisë për mbetjet. Me pak fjalë vendimi i hoqi Belinda Ballukut detyrimin ligjor për të mbikqyrur zbatimin e kontratës koncesionare për inceneratorin e Tiranës dhe ate te Fierit.

Por sikur të mos mjaftonte kjo, pasi iu hoq ministrisë së Infrastrukturës nga fusha e përgjegjësisë, sektori i mbetjeve mbeti jetim dhe nuk u caktua në asnjë ministri tjetër.

VKM nr 111/2022, qe hoqi pergjegjesine e mbetjeve nga ministria e Infrastruktures dhe e la jetime

Kjo hile, e cila praktikisht e la inceneratorin e Tiranës pa mbikqyrje për zbatimin e kontratës, nuk ishte e rastësishme. Ajo erdhi pas një periudhe të gjatë të shkeljes së ligjit, e cila këtë të mërkure e çoi Belinda Ballukun në dyert e SPAK për t’ju përgjigjur pyetjeve të prokurorëve mbi inceneratorin e Tiranës.

Ping-pong inceneratorësh
Në shtator të vitit 2017, menjëherë pasi kishte fituar zgjedhjet, këtë herë duke marrë timonin e shtetit të gjithin për vete ashtu siç kërkonte, Edi Rama paraqiti kabinetin e ri qeveritar të mandatit të dytë. Qeveria e re kishte ndryshime në strukturë nga ajo e mandatit të parë, pasi disa ministri ishin shkrirë, ndërsa të tjera ishin bashkuar.

Me paraqitjen e strukturës së re, në mbledhjen e datës 13 shtator 2017, Këshilli i Ministrave miratoi edhe fushën e përgjegjësisë shtetërore për ministritë, që kishin pësuar ndryshime. Një ndër to ishte dhe superministria e lindur nga bashkimi i energjisë me Infrastrukturën, e cila iu besua Damian Gjiknurit.

Vendimi i ngarkonte ministrisë së Gjiknurit përgjegjësinë shtetërore në 13 sektorë të ndryshëm. Mes tyre, me pikën numër katër gjendej fusha e mbetjeve urbane si dhe bashkërendimi i politikave të infrastrukturës së mbetjeve urbane në komponentin zbatues të tyre dhe ndjekjen e zbatimin e këtyre politikave. Kjo fjali nuk ishte parazitare, pasi i ngarkonte ministrisë së Infrastrukturës përgjegjësinë direkte të mbikqyrte zbatimin e kontratës së inceneratorit të Tiranës, që ishte nënshkruar vetëm dy javë më parë.

VKM e vitit 2017, ku mbikqyrja dhe zbatimi i kontratave te mbetjeve i ngarkohej ministrise se Infrastruktures

Damian Gjiknuri qëndroi vetëm 1 vit në postin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Në dhjetor të vitit 2018, Edi Rama e largoi Gjiknurin dhe emëroi në vend të tij Belinda Ballukun. Zonja Balluku e mori zyrtarisht postin në janar të vitit 2019. Në atë kohë, inceneratorët ishin krenaria e qeverisë. Edi Rama i cilësonte ata si një nga punët më të mira që kishte bërë qeveria e tij. Por Belinda Balluku dukej se kishte alergji nga djegësit.

Hile dhe pikëpyetje  

Për tre vjet me radhë, nga janari i vitit 2019 deri në mars të vitit 2022, njësia e zbatimit të projektit nuk u mblodh asnjëherë, edhe pse ligji ja ngarkonte këtë përgjegjësi ministrisë së Infrastrukturës. Në mars të vitit 2022 u ndryshua vendimi i qeverisë duke ja hequr përgjegjësinë e mbetjeve Belinda Ballukut dhe duke e lënë këtë përgjegjësi jetim. Pra një puç i dyfishtë. Me pak fjalë, paratë pagueshin lumë nga buxheti, por askush nuk shkonte të shihte se inceneratori nuk kishte asnjë tullë.

Përgjatë kësaj kohe, nëndhe ka patur jo pak tensione mes minstrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë së Tiranës. Por ky tension do të dilte në sipërfaqe kur në media u publikua një shkresë e ministrisë së Infrastrukturës, sipas të cilës Balluku i kishte kërkuar 3 herë pas tetorit të vitit 2022, Bashkisë së Tiranës që të sillte anëtarët e saj në njësinë e zbatimit të kontratës. Por në fakt këtu ngrihej një pikëpyetje. Mbetjet kishin dalë nga përgjegjësia e ministrisë së Infrastrukturës që në mars të vitit 2022, ndaj shkresat ngjanin më tepër si një alibi se sa shqetësim real për të zbatuar ligjin.

Nga ana tjetër, ky vakum ligjor ka qenë dhe një nga pikat më të forta të mbrojtjes së Erjon Veliajt gjatë pyetjes së tij në SPAK. Jo pa qëllim edhe gjatë daljeve të tij publike Veliaj është kujdesur gjithmonë që të theksojë se Bashkia e Tiranës ishte thjesht një kliente e inceneratorit të Tiranës, një term ky që e zhvishte atë nga përgjegjësia për monitorimin e zbatimit të kontratës.

Por teksa ping pongu i inceneratorit me gjasa do të vazhdojë, sot në gjithë këtë tollovi ka një pikëpyetje dhe dy siguri.

Sipas dokumentave zyrtare, propozuesi i vendimit për të hequr mbetjet nga përgjegjësia e ministrisë së Infrastrukturës në mars të vitit 2022 ishte vetë kryeministri Edi Rama. Edhe vendimi i qeverisë mban po firmën e tij, çka është një gjë e rrallë pasi shumica e vendimeve janë miratuar më firmat e zëvendëskryeministrave.  Nuk dihet nëse kjo ishte me të vërtetë një nismë personale e zotit Rama apo vendimi u iniciua nga ministria e Ballukut duke i shpëtuar edhe filtrave të Engjëll Agaçit. Kjo është pikëpyetja.

Ndërsa të sigurtat janë dy. Vendimi ishte mirëfilltazi një puç juridik kundër shtetit dhe zonja Balluku sot tha një të vërtetë. Inceneratori i ka bërë pis të gjithë në oborrin e Rilindjes. Të madh e të vogël.