zoom

Day ArchiveKlima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar: Nga punonjësit tek korrupsioni

Anketa vjetore e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) doli në përfundimin se mungesa e fuqisë punëtore dhe kostot e punës janë rreziqet më të mëdha që shohin bizneset në aktivitetin e tyre në vitin në vazhdim.

Elementet e nxjerra në pah nga kjo anketë herë pas here kanë tregues pozitivë, ashtu si edhe përkeqësime në raport me vitin 2023.

Në anketimin mbi klimën e biznesit, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s në periudhën shkurt-mars 2024, situata aktuale ekonomike në Shqipëri vlerësohet në rritje nga viti i kaluar, ku vihet re se 45% e kompanive e vlerësojnë situatën ekonomike si “të kënaqshme”. Gjithashtu, 22% e të anketuarve e vlerësojnë situatën me “mirë”, dhe 33% e të anketuarve e vlerësojnë atë negativisht. (2023: 18%, 36%, 45%).

“Pritshmëritë për situatën ekonomike në vend vijojnë të mbeten afërsisht në të njëjtat nivele me vitin e kaluar, ku 22% e të anketuarve vlerësojnë pritshmëritë për situatën ekonomike me “mirë”, 51% e kompanive vlerësojnë si “të pandryshuar“, ndërsa 27% e tyre e vlerësojnë negativisht (2023: 25%, 45%, 30%).

Situata ekonomike e sektorit vlerësohet gjithashtu afërsisht e njëjtë me vitin e kaluar, ku 24% e të anketuarve e vlerësojnë me “mirë”, ndërkohë që 38% e vlerësojnë si ’’të kënaqshme’’ dhe 38% e vlerësojnë negativisht. (2023: 27%, 41%, 32%).

Pritshmëritë për situatën ekonomike sipas sektorit vlerësohen nga 30% e të anketuarve në rritje, nga 48% si ’’të pandryshuar’’ dhe nga 22% vlerësohen negativisht. (2023: 34%, 39% dhe 27%)” thuhet në njoftimin e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri.

E njëjta vlerëson se për sa i përket ecurisë së pritshme të të ardhurave të biznesit të tyre, 32% e të anketuarve presin rritje të të ardhurave, ndërkohë që 30% mendojnë se ato do të qëndrojnë të pandryshuara. Ajo që vihet re, në ndryshim me dy vitet e kaluara, është se një përqindje e lartë prej 38% besojnë se të ardhurat e biznesit të tyre do të ulen. (2023: 50%, 32%, 18%)

Situata për vetë bizneset vlerësohet nga 27% e të anketuarve me“mirë”, 51% e kompanive e vlerësojnë si“të pandryshuar”, ndërsa 22% e tyre e vlerësojnë negativisht (2023: 39%, 41% , 20%).

Ecuria e investimeve kapitale, ecuria e eksporteve dhe zhvillimi i parashikuar i numrit të punonjësve, vlerësohen nga më shumë se gjysma e të anketuarve të qëndrojnë “të pandryshuara”, pra në një rritje të konsiderueshme, përkatësisht me 49%, 57% dhe 54% (2023: 41%, 40%, 48%).

“Faktorët, të cilët ndikojnë në zgjedhjen e një destinacioni investimesh, të vlerësuar më pozitivisht në krahasim me vitin e kaluar përfshijnë infrastrukturën, disponueshmërinë dhe cilësinë e furnitorëve lokalë, negociatat për anëtarësimin në BE, arsimimin akademik si edhe fleksibilitetin në të drejtën e punës.

Ndër faktorët e vlerësuar më negativisht vijojnë të renditen transparenca e tenderave publike, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, parashikueshmëria e politikave ekonomike, disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe siguria ligjore.

Kjo përforcohet edhe nga përgjigjja ndaj pyetjes “Ku i shikoni rreziqet më të mëdha në zhvillimin ekonomik të kompanisë suaj në 12 muajt e ardhshëm?”, ku “Mungesa e forcës së punës” dhe ’’Kostot e punës’’ vlerësohen si rreziqet më të mëdha për biznesin” vlerëson anketa.

Ambasadori Gjerman, z. Karl Bergner, në nisje të aktivitetit tha se Gjermania është një partner afatgjatë dhe i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Zhvillimi ekonomik i vendit është në këtë rrugëtim po ashtu një përpjekje e madhe.

“Gjermania mbështet Shqipërinë në mënyrë intensive dhe gjithashtu në shumë nivele: përmes mbështetjes së integrimit rajonal të Shqipërisë, përmes këshillimit të Qeverisë Shqiptare në grup-kapitujt mbi tregun e brendshëm si pjesë e negociatave për anëtarësim në BE, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë në sektorët e energjisë, ujit, zhvillimit të qëndrueshëm urban, arsimit profesional, startup-eve dhe inovacionit.

Megjithatë, për të rritur atraksionin e Shqipërisë si vend për investime ekonomike edhe nga Gjermania, nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga të gjitha palët në krijimin e një klime pozitive investimi si dhe sigurimin e një fushe loje të barabartë për investitorët” tha ai.

Presidentja e DIHA-s Zj. Stephanie Sieg-Farka mbajti fjalën e saj përshëndetëse dhe theksoi se rezultatet e anketës së fundit ekonomike tregojnë se pritshmëritë e kompanive anëtare mbeten përgjithësisht të qëndrueshme, por mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore dhe rritja e kostove të punës mbeten shqetësime kryesore për biznesin.

Megjithatë, pavarësisht sfidave rajonale dhe globale, vendi duhet të vazhdojë të fokusohet tek integrimi në Bashkimin Evropian.

Historia e Gaz Muçës, gangsterit të parë të Tiranës që u vra në moshën 23-vjeçare

Shqiptarët e interesuar janë përballur me informacione tek-tuk të historisë së Gazmend Muçës, të fortit të Tiranës, i cili u bë i njohur menjëherë pas përmbysjes së sistemit komunist. Por cila është e vërteta, ku përfundon realiteti dhe nis legjenda?

Drejtues i një grupi bashkëmoshatarësh të rrugës “Bardhyl”, fama e tij do të kapërcente kryeqytetin në gusht të vitit 1991, pas lajmeve që emetoi eksodi masiv në drejtim të brigjeve italiane.

Saktësisht fama do të vinte përmes rrëfimit gojë me gojë të disa episodeve të udhëtimit të Gaz Muçës dhe grupit të tij, me anijen “Vlora”, në drejtim të portit të Barit, në Itali, dhe sidomos pas ngjarjeve të dhunshme dhe rrëmujshme në stadiumin “Victoria” të këtij qyteti, që të gjitha të pasqyruara në televizionet kryesore italiane.

Në fillim të vitit 1992, kur Gazmend Muça ishte kthyer në Shqipëri, emri i tij, si një bandit që “vret e pret në Tiranë” do të përmendej në Parlament nga deputeti Azem Hajdari – një tjetër episod ky, që shtoi edhe më tepër shpejtësinë e ngritjes përqiell të famës.

Por kush ishte me të vërtetë Gazmend Muça?

A ishte ai një bandit apo kapobandë që vriste e priste përditë, apo gjithçka që perceptohej ishte e ekzagjeruar?

Si u mundësua që, në dy vite të vetme postdiktaturë, shqiptarët të përballeshin me një mikrokriminalitet në rritje të ethshme dhe krejt jashtë kontrollit?

Cilat ishin ngjarjet që do të thyenin ligjet e hekurta të kontrollit absolut policor të kohës së diktaturës?

Ekspertët e policisë së kësaj periudhë kohore janë të mendimit se thyerja e madhe do të ndodhte për shkak të mëkateve të politikës dhe sidomos pas vrasjeve të 4 prillit 1991 në Shkodër. Sipas tyre, pikërisht pas kësaj ngjarjeje autoriteti i policisë ra përtokë, ndërkohë që vendin e lënë bosh e mbushi me shpejtësi mikrokriminaliteti.

Gazmend Muça, i vitlindjes 1969, djali i një berberi me origjinë nga Kavaja, ishte bërë i famshëm mes bashkëmoshatarëve të vet të rrugës “Bardhyl”, qysh në vitin 1985, në moshën 16-vjeçare, pikësëpari për shkak të aftësive fizike.

Kjo sepse adoleshenti Gaz Muça i kishte injektuar vetes besimin e një njeriu fizikisht të pathyeshëm.

Ai duhet të dilte fitues me çdo kusht në ndeshjet e boksit tek e tek mes bashkëmoshatarëve. Edhe po të mundej, ai do vijonte ti ftonte të tjerët në duel derisa një ditë ti ulte në tokë. Më tej, të gjithë ata që rrihte, i bënte miq.

Atraksioni i parë i Gaz Muçës rrëfehet të kenë qenë pëllumbat. Në shtëpinë përdhese të prindërve, që gjendej diku mes zonës që quhet “Xhamlliku” dhe spitalit të fëmijëve, qëllonte që ai të kishte në pronësi edhe 300 pëllumba njëherësh.

Rregullat ishin të ashpra; “Ti s’mund të kesh pëllumba më të bukur se të mitë! Pëllumbat e tu, ose bëhen të mitë, ose do të shfarosen!”

Kënaqësia tjetër e madhe e Gazmend Muçës, sigurisht e ndikuar nga filmat e shumtë artistikë me tematikë betejat e Mesjetës, që televizioni i vetëm shqiptar transmetonte, ishte kalërimi dhe mundësisht pjesëmarrja në ndonjë garë me kuaj.

Por kishte edhe gara të rrezikshme, si për shembull; të rrëzoje kalin përtokë duke e goditur me një grusht të vetëm. Si të kopjonte skenën e një filmi western, rrëfehet se Gazi e kishte bërë këtë, duke e hedhur në tokë një kalë të ndërmarrjes komunale.

Gazmend Muça do ta paguante shtrenjtë dëshirën për të kalëruar. Ngjarja kishte këtë rrjedhë: Në vitin 1988, në moshën 19-vjeçare Gazi vjedh një kalë në fermën “Gjergj Dimitrov” të Saukut, por duke zbritur në rrugën e Elbasanit, përplasen me një kamion. Gazi shpëton mrekullisht, por kali ngordh.

Gjykata e dënon Gazmend Muçën me 8 muaj burg “për dëmtim të pasurisë socialiste”. Për habi, shteti i kohës vendos ta mbyllë të fortin e rrugës “Bardhyl” në burgun e Spaçit.

Gazmend Muça kthehet në Tiranë në vitin pasardhës, 1989. Miqtë rrëfejnë se burgu, jo vetëm që e kishte pjekur, por i kishte shtuar edhe famën.

Pikërisht në këtë periudhë Gaz Muça nis të shfaqet, fillimisht në lagjen e vet, dhe më tej, në gjithë Tiranën, i shoqëruar me një grup djemsh që nuk ta përtonin grushtin turinjve, apo një majë thike.

Po kaq shpejt, grupi i Gaz Muçës i qaset edhe lekut. Dëshmohet se fillimisht të hollat i nxirnin me anë të trukimeve të lojës së bixhozit, ndërsa më pas nisnin t’i bien shkurt:

Nisin të sulmojnë pikat ku luhej bixhoz në momentin kur loja përfundonte, duke zhvatur, përmes kërcënimeve, të gjithë xhiron e të hollave.

Grupi që shfaqej me egërsinë e një tufe piranjash, përdorte thika, doreza metalike, leva hekuri. Kryesisht hanin dru vetëm ata që nuk e njihnin Gazmend Muçën.

Gjatë viteve 1990-1991 piranjat e grupit të Gazmend Muçës nisën të bëhen të famshëm edhe pas inkursioneve te tregu industrial, që njihet si “Pazari i Ri”. Si të ishin në mallin e tyre, aty ata zgjidhnin rrobat më të bukura, përlanin ndonjë manjetofon e të tjera.

Ndonjëherë ndodhte që, sapo grupi i të fortëve të shfaqej në krye të rrugës, të gjithë tregtarët të mblidhnin mallim dhe largoheshin në panik.

Largoftë që grupi i Gaz Muçës ti futej dikujt në lokal për të pirë ndonjë gotë! Nëse kjo ndodhte, fillimisht nga lokali zbohej e gjithë klientela, më pas harbimi dhe pirja e alkoolit direkt nga shishet vijonte gjithë natën.

Pikërisht kjo lloj sjelljeje, pas asnjë lloj kthimi mbrapsht, bën që grupi i Gaz Muçës të dallojë mes grupeve të tjera të Tiranës. Ata ishin absolutisht më të fortët. Në lagjen e tyre nuk guxonte të afrohej askush, ndërkohë që ata mund të futeshin në çdo cep të qytetit dhe të mbaronin punë, qoftë duke kërkuar, gjetur dhe rrahur vendçe, ndonjë që guxonte ti sfidonte.

Në këtë periudhë kohore dashuria e re e djemve të rrugës Bardhyl bëhen motoçikletat.

Vetë Gazi përdorte një motoçikletë SUZUKI të zezë, që nuk është ruajtur. Por aktualisht miqtë e tij, në kujtim të Gaz Muçës dhe kohëve të lavdishme të shkuara, e kanë gjetur një tjetër 100 për 100 identike, madje e kanë targuar dhe e mbajnë në gjendje pune.

Në hapësirën kohore të vitit 1991 fama e Gaz Muçës dhe djemve të rrugës “Bardhyl” kapërcen kufijtë e Tiranës. Pikërisht në këtë kohë, përmes miqve apo të njohurve të përbashkët, në Tiranë, me qëllim për të takuar Gazin, ndenjur pranë tij dhe mësuar prej tij, nisën të vinin dhe disa të fortë nga rrethet, emrat e të cilëve do të bëheshin të njohur, sidomos gjatë vitit 1997.

Miqtë nga rrethet, të cilët ishin të shumtë, Gazi i sistemonte për të fjetur pranë gjimnazit “Çajupi”, në një banesë bosh, që i përkiste një familjeje të larguar me eksodin e ambasadave.

Ndonjëherë, bashkë me miqtë nga rrethet, grupi, edhe 50 vetë bashkë, fiks si një pamjet e filmit “Gangsterët e Nju Jorkut”, shfaqeshin nëpër rrugët e Tiranës duke u kallur datën, së pari tregtarëve të pakicës në tregun industrial.

Në fillim të gushtit 1991, Gazmend Muça, bashkë me grupin e tij, tentojnë të emigrojnë në drejtim të Italisë.

Ata imbarkohen në anijen VLORA, të ngarkuar me sheqer, mes mijëra shqiptarëve të tjerë, që ëndërronin atë ndryshimin magjik të standardit të jetesës.

Dëshmitarët e rrëfejnë Gazmend Muçën të pranishëm në urën e komandimit të anijes, pranë kapitenit të saj, dhe sigurisht si njeriun që kishte njëfarë kontrolli mbi situatën kaotike.

Historia e ndjek pas Gaz Muçën sidomos pasi disa mijëra emigrantë shqiptarë mbyllen në brendësi të stadiumit “Victoria” të qytetit të Barit me qëllim riatdhesimin.

Situatën e ndez pikërisht lajmi për i kthimit mbrapsht në Shqipëri. Të rinjtë e mbyllur në stadium revoltohen. Reagimet, në raport me policinë, me kalimin e orëve, bëhen të dhunshme.

Ndërkohë në brendësi të stadiumit, grupi i Gaz Muçës nis të bëjë ligjin. Policia dhe asistentët e Kryqit të Kuq detyrohen të largohen. Kaosi shtrohet këmbëkryq.

Miqtë rrëfejnë se në mes të rrëmujës së krijuar, Gaz Muça arriti të vendoste të paktën një rregull, të cilin nisën ta respektonin të gjithë: Falë tij, ushqimet, që hidheshin nga ajri me helikopter, u ndaheshin së pari fëmijëve dhe grave.

Por, situata bëhet tejet e rrezikshme kur grupi i Gazit thyen dyert e një ambienti në brendësi të stadiumit duke zbuluar një depo armësh zjarri.

Ishte një arsenal i tërë, përfshirë automatikë, pistoleta deri edhe pushkë snajper.

Pak minuta më pas, krismat në ajër nisin të terrorizojnë, jo vetëm shqiptarët në brendësi të stadiumit, por edhe policinë rreth tij.

Shpejt perimetri i stadiumit rrethohet nga forca policore dhe ushtarake.

Por aventura vazhdon. Dikur Gaz Muça me grupin, të gjithë të armatosur, hipin në një autobus dhe tentojnë të çajnë kordonet e policisë me qëllim për tu arratisur, por pengesat me blloqe betoni i ndalojnë.

Pas bllokimit nisnin tratativat për bisedime. Të gjitha marrëveshjet duhet të bëheshin përmes Gazmend Muçës, i cili më pas intervistohet edhe nga të gjitha mediat italiane.

Por, vetë Gazmend Muça, do të ishte zot i stadiumit për pak kohë. Pas dy ditë-netësh, fshehurazi, ai arrin të largohet dhe të niset drejt Francës.

Ndërkohë grupi mbetet, duke e humbur shumë shpejt kontrollin e situatës.

Të paktën dy kaçurrelsë të tjerë, një nga të cilët Arjan Hoxha, një kushëri i Gazit nga Kavaja – nisën të hiqeshin sikur ishin Gazmend Muça. Dhuna dhe plagosjet sidomos me armë të ftohta, nisën të shtoheshin duke përplotësuar atë jehonën e revoltës së dhunshme të emigrantëve shqiptarë në stadiumin “Victoria” të Barit.

Gazmend Muça kalon pak muaj në Francë dhe Gjermani, mes miqsh, por nuk bindet që të nisë jetën e një emigranti. Duket, jeta mes aventurash dhe gjithçka e arritur në Shqipëri, e joshte më tepër, e tërhiqte pas.

Përfundimisht, pas 4-5 muajsh, në fund të vitit 1991, Gazmend Muça kthehet në Tiranë, ku krejt papritur përballet me famën e vet të shumëfishuar.

Fillimi i vitit 1992 e gjen shoqërinë e Gaz Muçës të zgjeruar.

Veç grupit të fortëve, ai kishte shoqëri edhe me pjesëtarë të forcave speciale të Policisë e të tjerë personazhe, që vite më vonë do tu vinte radha të bëheshin të njohur.

Ndërkohë poshtë, në qytet, partitë politike kishin nisur fushatën për zgjedhjet e Parlamentare, që do të mbaheshin më 22 mars 1992.

Pikërisht në këtë periudhë Gazmend Muça bën një lëvizje që me gjasa do i kushtonte shumë.

Në një rast, i thirrur nga disa miq gardistë, ai ndihmon Partinë Socialiste të përmbyllë një miting të shoqëruar me antimiting, ku një grup të rinjsh i kishin sulmuar me gurë e me leva.

Pas fitores së Partisë Demokratike në zgjedhje, nuk dihet se pas çfarë shtyse, apo argumenti, deputeti Azem Hajdari, gjatë një fjalimi në Parlament nis të akuzojë policinë që nuk arrestonte të fortin e Tiranës – Gazmend Muçën, i cili “vriste e priste” në lagjen e tij.

Sipas miqve, Gazmend Muça ishte acaruar së tepërmi. Ai i kishte i çuar fjalë Azemit se, kur ta mbërthente, do ja qethte flokët tullë.

Policia e merr në mbrojtje deputetin Azem Hajdari deri në realizimin e një takimi mes të dyve.

Njeriu që bën bashkë dhe ul në bisedime Gazmend Muçën me Azem Hajdarin, do të ishte një tjetër i fortë i Tiranës – Nehat Kulla.

Madje edhe takimi mes të dyve realizohet diku në periferi të Tiranës, në zonën që kontrollohej nga Kulla.

Sipas dëshmitarëve, biseda kishte nisur me tone të ngitura, më pas të dy ishin shtruar, duke u ndarë si miq.

Por për Gazmend Muçën nuk kishte mbetur shumë kohë. Në fillim të prillit 1992, një incident i rëndomtë, do ti ndërpriste udhëtimin e jetës.

Shkak për incidentin do të bëhej Landi, vëllai i Gazmend Muçës.

Ngjarja nis në afërsi të stacionit të trenit, rreth orës 11:00 të datës 7 prill 1992, kur Land Muça dhe Gent Hajdari, tentojnë t’i marrin motoçikletën, një VESPA të bardhë, një të njohuri të tyre.

Ngjarja zhvillohet në prezencë të Franc Konomit, një tjetër të forti të Tiranës, të cilin Gaz Muça dhe grupi i tij, nuk e konsideronin.

I ndier i fyer, Franc Konomi e zgjedh t’i japë një shpullë Land Muçës.

Ndërkohë Gazmend Muça, 7 prillin 1992, ditën e fundit të jetës, e kishte nisur me realizimin e disa fotografive, që do të ishin, po ashtu, të fundit.

Më tej, rreth orës 12:30, Gazi i hipën makinës së vet, një Opel-i me targa gjermane, dhe shkon të blejë bojë, pasi i ishte fiksuar që ta lyente me ngjyrë të bardhë.

Për fatin e keq të tij, ndërmarrja kartografike, ku u ble boja, gjendej përballë shtëpisë së Naim Zyberit.

Incidentin me Franc Konomin Gazit ja rrëfejnë orës 14:00. Ai nuk humb kohë për të marrë hak. Por Francin nuk e gjejnë as në lagje, as nëpër pikat e zakonshme të bixhozit.

Në minutat e fundit të jetës, rreth orës 17:00, Gaz Muça gjendej te “Xhamlliku”, ku një tregtar makinash sapo kishte sjellë një “Ford Sierra”, që Gazi e kishte pëlqyer dhe po i prishej mendja ta blinte.

Pikërisht në këto çaste pranë tij ndalon një autoveturë, nga ku zbret Naim Zyberi me kallashnikov në duar.

Ja dhe përshkrimi i ngjarjes sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që dënonte të pandehurin Naim Zyberi për vrasjen e Gazmend Muçës.

“Në datën 7 prill 1992 pasdite, rreth orës 18, i pandehuri Naim Zyberi ka qenë duke udhëtuar me një automjet të tipit OPEL, makinë të cilën e drejtonte shtetasi i quajtur Franc Konomi. Me makinë ata shkojnë në rrugën “Qemal Stafa” dhe ndalojnë tek lokali i quajtur “Xhamllëku”, përballë shatërvanit, ndërkohë në krahun tjetër të rrugës, përballë automjetit me të cilin ishte i pandehuri, ndodhej viktima Gazmend Muça.

Në këtë moment, ky i fundit, viktima, niset për të dalë në krahun tjetër të rrugës. Në këtë kohë, i pandehuri Naim Zyberi zbret nga dera e dytë e makinës (e pasme) dhe me automatik model 56 qëllon dy herë me breshëri në drejtim të viktimës Gazmend Muça, duke e dëmtuar atë në pjesë të ndryshme të trupit.

Makina me vrasësit erdhi nga unaza, kaloi në vendin ku gjendej Gazi, u kthye mbrapsht rreth 100 metër me lart dhe ndaloi përballë grupit të njerëzve që rrethonin Gazmend Muçën. Dëshmitarët tregojne se Gazmend Muça edhe pse e pa Namimin me kallashnikov në duar, nuk bëri asnjë hap pas, duke i pritur plumbat ballazi, ndërkohë që gjithë të tjerët ishin larguar në panik.

Sa është kuptuar më pas, organizatori i vrasjes ishte pikërisht Franc Konomi, që ishte frikësuar nga hakmarrja e Gazit për shpullën ndaj të vëllait, Rolandit.

I njohur për veprime tinzare, ai kishte futur në lojë Naim Zyberin, duke i mbushur mendjen se Gazmend Muça kërkonte ta vriste.

Naim Zyberi besohet të jetë bindur pasi ka verifikuar se, atë ditë, vërtet Gaz Muca kishte qenë në afërsi të banesës së tij, saktësisht te ndërmarrja kartografike, ku kishte shkuar për të blerë bojë.

Naim Zyberi, ekzekutori i drejtpërdrejtë t Gazmend Muçës, u arrestua pak muaj më pas, më 10 shtator 1992.

Gjatë zhvillimit të gjyqit, që do e dënonte me 25 vite burg për vrasje, ai u mundua të luante kartën e papërgjegjshmërisë mendore, por dështon. Të dhënat janë pasqyruar në vendimin e dënimit.

“Por nga ekspertimi i fundit i bërë gjatë hetimit të çështjes penale për vrasjen e qytetarit Gazmend Muça, del që janë marrë në analizë nga një komision i gjerë ekspertësh edhe dy aktekspertizat e mëparshme dhe në përfundim, pas observimeve për një kohë të gjatë të të pandehurit, është konkluduar qartë dhe shprehimisht se ai – i pandehuri Naim Zyberi, jo vetëm në kohën e kryerjes së krimit, por edhe disa muaj përpara, ka qenë në gjendje normale mendore.

Disa vite më pas, më 1998, Franc Konomi, i akuzuari tjetër për vrasjen e Gazmend Muçës, arrin t’ia hedhë drejtësisë.

Si të ecte mbrapsht në performancën e saj, drejtësia shqiptare e kohës, dështon të gjejë prova për implikimin e tij në vrasje, duke pranuar një version, sipas të cilit, Franc Konomi ishte marrë peng nga Naim Zyberi. Argumenti lexohet në vendimin e pushimit të akuzave ndaj Konomit:

“Pas kryerjes së vrasjes nga i dënuari Naim Zyberi, ky i fundit ka hipur përsëri në sediljen e pasme të makinës së tij, që e drejtonte i pandehuri Franc Konomi dhe kur ka dëgjuar të pandehurin që po e pyeste për motivet qe e shtynë të kryente aktin dhe nuk po lëvizte mjetin, i dënuari Zyberi i ka vënë pas koke të pandehurit Franc Konomi automatikun, që ende e mbante në dorë, duke e urdhëruar atë që të ngiste mjetin me shpejtësi, ose ndryshe do e vriste edhe atë”.

Ceremonia e varrimit të Gazmend Muçës ishte madhështore. Edhe pse binte shi i fortë, për ti dhënë lamtumirën djaloshit 23 vjeçar, shkulet gjysma e Tiranës, duke realizuar një procesion të ngjashëm vetëm me atë të Enver Hoxhës.

Gazmend Muça mbahet mend si gangsteri që të binte me grusht. Ai ishte pasonjësi më i denjë i brezit të vjetër të të fortëve të Tiranës që bënë emër gjatë diktaturës. “Frikacaku të vret, trimi të bie me grusht” – thoshte Gaz Muça, që duket se e kishte të vështirë të kuptonte se kohët kishin ndryshuar dhe se tashmë mund të të vriste edhe një kalama.

Ekzekutimi i Gaz Muçës do të mbyllte një epokë. Me vrasjen e tij mund të thuhet se përfundoi epoka e dominimit të të fortëve që e fitonin famën përmes guximit dhe forcës fizike, për ti hapur rrugën nisjes së një epoke të re, të një lloji tjetër të fortësh, të cilët, në vend të grushtave, do të përdornin armët e zjarrit, në vend të burrërisë – intrigën dhe pabesinë.

Për tu habitur është se si, akoma sot, imazhi i tij, rinia e shprehur, buzëqeshja e ndrojtur, kujtohen me nostalgji, jo vetëm nga ata që e patën të afërm, mik apo shok, por edhe nga të gjithë ata që e njihnin në distancë, qoftë të konceptuar si të fortin e rrugës “Bardhyl”.

Burimi: Crime Story-Report TV

Nga sot, zyrtarisht Kosova pranon vetëm monedhën euro, BE: Më 15 maj takimi final për dinarin

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka konfirmuar se më 15 maj Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë takimin e radhës për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Ky do të jetë takimi i shtatë me radhë në nivel të kryenegociatorëve kushtuar kësaj teme, teksa në gjashtë takimet e mëhershme kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, nuk kanë arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Gjatë konferencës për media në Bruksel, duke folur për takimin e radhës për çështjen e dinarit, Stano tha se BE-ja pret që palët të dëshmojë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme praktike, e cila sipas tij, do t’i ndihmonte qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

“Presim që palët të kenë sjellje europiane dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi. Kryenegociatorët mëtojnë të gjejnë zgjidhje përmes diskutimeve konfidenciale, e këto janë mënyra europiane për gjetjen e zgjidhjeve. BE-ja vazhdon t’iu ndihmojë atyre që të gjejnë kompromisin i cili është i nevojshëm sepse kjo ndikon në jetën e njerëzve”, tha Stano.

Më herët, Stano kishte deklaruar se takimi i 15 majit do të jetë takimi i fundit për temën e dinarit. I pyetur për pritjet që takimi i së mërkurës të jetë vërtetë i fundit, Stano tha se “BE-ja gjithmonë pret që secili takim ku kërkohet zgjidhje për problemet të jetë edhe final, por kjo varet nga gatishmëria e palëve për të gjetur zgjidhje”.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë se hezitimi për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në dialogu për shkak se fokusi tash është në këtë çështje. Ai tha se prioritet mbetet zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.

Njohja e pensioneve nga Italia, si do të funksionojë dhe sa vite punë u duhen shqiptarëve

Marrëveshja Shqipëri-Itali për njohjen e pensioneve do të prekë 500 mijë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali dhe pothuajse 4.000 italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri.

Marrëveshja që po shqyrtohet në komisionet ndërparlamentare, u prezantua nga zv.ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, e cila sqaroi se me miratimin e saj qytetarëve do t’u njihet çdo ditë punë, pavarësisht se ku ka punuar dhe fitimi do të eksportohet. Periudhat e punësimit do të mblidhen bashkë për të përfituar pension të pjesshëm ose të plotë.

Kreu i Institutit të Sigurimeve, Astrit Hado tregoi konkretisht se si do të funksionojë skema.

“Kur një individ i ka plotësuar vitet e punës, nuk ka nevojë për bashkim periudhash. Kur një i plotëson 15 vjet në Shqipëri dhe 20 në Itali, përsëri e merr. Kur ka 15 vjet në Shqipëri dhe 8 vjet në Itali, atje se merr dot. Atëherë bashkohen periudhat, por duhet të keni parasysh. Askush nuk do të marrë pension minimal, por në bazë të kontributeve. N.q.s ka 12 vite në Shqipëri dhe 12 në Itali, bëhen 24 vjet dhe merr dy pensione që bazohen mbi 12 vitet e punës këtu dhe 12 atje dhe jo sikur ka 24 vite punë në një vend”, shpjegoi Hado në komisionin e Ligjeve.

Objekt i marrëveshjes, tha zv.ministrja e MEKI, janë sigurimi i pleqërisë, invaliditetit, sëmundjeve, barrëlindjeve, papunësisë etj.

Pyetur nga deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, e cila tha se opozita do ta votojë këtë nismë, zv.ministrja Manjani njoftoi se marrëveshja me Greqinë është ende pezull në pritje të konfirmimit nga pala greke.

“Me Greqinë kemi bërë dy raunde bisedimesh në nivele teknike. Ne jemi ende në pritje të palës greke për të konfirmuar fillimin e negociatave. Kjo kërkon dhe shumë vullnet politik nga Greqia dhe sigurisht do të jetë ndër marrëveshjet më kryesore të Shqipërisë”, u shpreh Manjani. Ajo shtoi se ekspertët e ministrisë po shqyrtojnë propozimin për minimumin jetik që në rast miratimi prek edhe pensionet. Por ende nuk ka një konkluzion.

Komisioni për Politikën e Jashtme dhe ai i çështjeve Ligjore, miratuan marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Italinë.

Berisha: Mazniku dhe Fuga i kanë gratë bashkëpronare në restorantin që fitoi tenderin 800 mijë euro

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar për investigimin e BIRN, sipas të cilit rezulton se gruaja e Arbjan Maznikut dhe ajo e Endri Fugës janë pronare të restorantit në qendër të Tiranës.

Sipas investigimit, firma e lidhur me “The Home” fitoi tender publik me vlerë 800 mijë euro.

Berisha u shpreh para simpatizantëve të tij se dy zyrtarët i kanë bërë gratë e tyre bashkëpronare në restorante dhe hotele dhe furnizohen me dreka dhe darka nga bashkia dhe institucionet e tjera.

“Miq, çdo shqiptar që nuk ka zë sot, çdo shqiptar që nuk është në Shqipëri, çdo shqiptar që nuk ka guximin e duhur, pret nga ne, nga heroizmi, nga trimëria, nga guximi ynë, fitoren tonë, fitoren e Shqipërisë.

Në një restorant të zonjës Fuga dhe zonjës Mazniku, shikoni se çfarë burrash kanë të mjerat, që i fusin në afera korruptive.

Ja cila është familja për këta hajdutë, nuk kanë nder e as dinjitet.

Dhe restoranti i zonjave të tyre fiton tenderin 700 mijë euro nga burri i saj, Arbër Bifteku në kompaninë Tirana DC. Po nuk ka hajdutë më të shpërfytyruar se këta mo?! Këta meritojnë çdo gjë.

Këta meritojnë të varen në shtyllën e turpit. Këta janë fytyra e Edi Ramës. Këta meritojnë të gjithë urrejtjen e shqiptarëve. Të gjithë zemërimin e tyre”, tha Berisha.

Çmimet BAFTA TV 2024: Lista e plotë e fituesve

British Academy Film Awards u zhvillua si çdo vit në një ceremoni që vlerëson prodhimet e televizionit. Më poshtë do të gjeni të gjithë fituesit e BAFTA 2024

Serali dramë

The Gold (BBC One)

Happy Valley (BBC One)

Slow Horses (Apple TV+)

Top Boy (Netflix) – FITUES

Seriali ndërkombëtar

The Bear (Disney+)

Beef (Netflix)

Class Act (Netflix) – FITUES

The Last of Us (Sky Atlantic)

Love & Death (ITVX)

Succession (Sky Atlantic)

Seriali limited drama

Best Interests (BBC One)

Demon 79, Black Mirror (Netflix)

The Long Shadow (ITV1)

The Sixth Commandment (BBC One) – FITUES

Aktorja më e mirë

Anjana Vassan, Black Mirror (Netflix)

Anne Reid, The Sixth Commandment (BBC One)

Bella Ramsey, The Last of Us (Sky Atlantic)

Helena Bonham Carter, Nolly (ITVX)

Sarah Lancashire, Happy Valley (BBC One) – FITUESE

Sharon Horgan, Best Interests (BBC One)

Aktori më i mirë

Brian Cox, Succession (Sky Atlantic)

Dominic West, The Crown (Netflix)

Kane Robinson, Top Boy (Netflix)

Paapa Essiedu, The Lazarus Project (Sky Max)

Steve Coogan, The Reckoning (BBC One)

Timothy Spall, The Sixth Commandment (BBC One) – FITUES

Aktorja më e mirë në rol dytësor

Elizabeth Debicki, The Crown (Netflix)

Harriet Walter, Succession (Sky Atlantic)

Jasmine Jobson, Top Boy (Netflix) – FITUES

Lesley Manville, The Crown (Netflix)

Nico Parker, The Last of Us (Sky Atlantic)

Siobhan Finneran, Happy Valley (BBC One)

Aktori më i mirë në rol dytësor

Amit Shah, Happy Valley (BBC One)

Éanna Hardwick, The Sixth Commandment (BBC One)

Harris Dickinson, A Murder At The End of The World (Disney+)

Jack Lowden, Slow Horses (Apple TV+)

Matthew MacFadyen, Succession (Sky Atlantic) – FITUES

Salim Daw, The Crown (Netflix)

Aktorja më e mirë në një program komedie

Bridget Christie, The Change (Channel 4)

Gbemisola Ikumelo, Black Ops (BBC One) – FITUES

Máiréad Tyers, Extraordinary (Disney+)

Roisin Gallagher, The Lovers (Sky Atlantic)

Sofia Oxenham, Extraordinary (Disney+)

Taj Atwal, Hullraisers (Channel 4)

Aktori më i mirë në një program komedie

Adjani Salmon, Dreaming Whilst Black (BBC One)

David Tennant, Good Omens (Prime Video)

Hammed Animashaun, Black Ops (BBC One)

Jamie Demetriou, A Whole Lifetime with Jamie Demetriou (Netflix)

Joseph Gilgun, Brassic (Sky Max)

Mawaan Rizwan, Juice (BBC Three) – FITUES

Skenari i komedisë

Big Boys (Channel 4)

Dreaming Whilst Black (BBC One)

Extraordinary (Disney+)

Such Brave Girls (BBC Three) – FITUES

Performanca argëtuese

Anthony McPartlin and Declan Donnelly, I’m A Celebrity… Get Me Out of Here! (ITV1)

Big Zuu, Big Zuu’s Big Eats (Dave)

Graham Norton, The Graham Norton Show (BBC One)

Hannah Waddingham, Eurovision Song Contest 2023 (BBC One)

Joe Lycett, Late Night Lycett (Channel 4) – FITUESE

Rob Beckett and Romesh Ranganathan, Rob and Romesh Vs… (Sky Max)

Programi komik argëtues

The Graham Norton Show (BBC One)

Late Night Lycett (Channel 4)

Rob & Romesh Vs … (Sky Max) – FITUES

Would I Lie To You? (BBC One)

Programi argëtues

Hannah Waddingham: Home For Christmas (Apple TV)

Later with Jools Holland (BBC Two)

Michael McIntyre’s Big Show (BBC One)

Strictly Come Dancing (BBC One) – FITUES

Dokumentari

David Holmes: The Boy Who Lived (Sky Documentaries)

Ellie Simmonds: Finding My Secret Family (ITV1) – FITUES

Hatton (Sky Crime)

Vjeran Tomic: The Spider-man of Paris (Netflix)

Reality show

Banged Up

Married at First Sight

My Mum, Your Dad

Squid Game: The Challenge (Netflix) – WINNER

Eventi live

The Coronation Concert (BBC One)

Eurovision Song Contest (BBC One) – FITUES

Royal British Legion Festival of Remembrance (BBC One)

Filmi i shkurtër

Mobility – FITUES

The Skewer: Three Twisted Years

Stealing Ukraine’s Children: Inside Russia’s Camps

Where It Ends

Sporti

Cheltenham Festival Day One – FITUES

MOTD Live: Fifa Women’s World Cup 2023

Wimbledon 2023: Men’s Final

Mbulimi i lajmeve

Channel 4 News: Inside Gaza, Israel and Hamas at War – FITUES

Sky News: Inside Myanmar, The Hidden War (Sky News)

Sky News: Israel/Hamas War (Sky News)

Foto/ Sara Gjordeni tregon barkun e rrumbullakosur pak javë pas lajmit të shtatzënisë

Ish-konkurrentja e formatit të “BBV3”, Sara Gjordeni ka shfaqur barkun e saj të rrumbullakosur për herë të parë.

Ajo ka postuar një fotografi, teksa duket me barkun e rrumbullakosur, përbri e shoqëron me një shkrim “🧿”.

 

Sara u lidh me këngëtarin Bardhi gjatë rrugëtimit të tyre në Big Brother dhe tashmë po presin bashkë një fëmijë. Pak kohë pas daljes së tyre nga shtëpia, çifti ndau me publikun lajmin se do të bëhen prindër për herë të parë.

Që prej asaj kohe, Sara ka zhvilluar tepër pyetësore në llogarinë personale të Instagram-it teksa pyetej dhe përgjigjej rreth shtatzënisë së saj, nepsin, ushqimet që konsumon etj.

Të gjitha planetet në lëvizje, çfarë do të ndodhë këtë javë me shenjën tënde të horoskopit?

Gjatë kësaj jave mund të ndodhë gjithçka! Të hënën, do të ndodhë një bashkëveprim mes Diellit dhe Uranit në Dem. Afërdita gjithashtu do të jetë goxha mbështetëse për shenjat. Saturni do të jetë te Peshqit të martën, për të të ndihmuar të gjesh qëndrueshmërinë në lidhjet e tua.

Tani, le të flasim me detaje për çdo shenjë:

Dashi

Shërohu nga e shkuara dhe jeto në të tashmen, i dashur Dash! Të martën, kur Afërdita dhe Saturni do të bashkëpunojnë, ti do të gjesh sigurinë dhe eksperiencën e duhur për lidhjet që ke krijuar. Mërkuri do të hyjë në Dem dhe kjo do të të ndihmojë shumë në fushën e financave. Nga ana tjetër, fundjava do të jetë e mbushur me ide dhe shtigje të reja, sidomos në lidhje me financat.

Demi

Gëzuar ditëlindjen, Dem! Miqtë e tu do të shfaqen në mënyra shumë të veçanta, sidomos gjatë bashkëveprimit të Afërditës dhe Saturnit. Do të kesh më shumë mundësi për rritje në detyrë dhe aftësitë e tua të komunikimit do të bëjnë namin. Në fundjavë prit një surprizë unike dhe romantike.

Binjakët

Jeto në të tashmen! Disa sfida që burojnë nga momentet e tua më të mira do të nxjerrin krye, ndaj është e rëndësishme që të përqendrohesh në çast dhe të mos mendosh më shumë seç duhet për të shkuarën. Çfarë ka ndodhur, ka ikur, ndaj përqendrohu në momentet që po përjeton. Hijet e së shkuarës mund të të mundojnë sërish, por ti mos u bëj pre e lehtë për melankolinë.

Gaforrja

Gjithçka gjatë kësaj jave do të lidhet me komunitetin. Një Afërditë mbështetëse dhe një Saturn plot surpriza do të të lidhë më shumë me miqtë dhe njerëzit e dashur. Mërkuri hyn në Dem, duke ndriçuar aspektin e miqësisë, ndaj është një moment i bukur për t’u argëtuar dhe krijuar shoqëri të reja.

Luani

Ndjesitë e tua janë të vërteta dhe është okay t’i përjetosh. Afërdita dhe Saturni do të bëhen bashkë në sektorin e emociconeve që lidhen me shqetësime mbi karrierën tënde, por kjo nuk do të thotë se duhet të veprosh direkt dhe të panikosesh. Qetësohu dhe mendo për ambiciet dhe rrugëtimin tënd të gjatë.

Virgjëresha

Marrëdhëniet që kemi me njerëzit krijojnë historitë tona, Virgjëreshë. Ti e di shumë mirë se cilat duhet të shkruhen ose të korrigjohen, ndaj mos hezito t’u shtosh stilin dhe mendimet e tua. Mërkuri në Dem të ndihmon të eksplorosh më shumë dhe të ushqesh kuriozitetin tënd. Nëse të vjen një mundësi për pushime, mos u thuaj “jo”.

Peshorja

Intimiteti qëndron te detajet e bukura që të bëjnë të ndihesh speciale. Ti je një shenjë që e do të bukurën dhe dashurinë, ndaj për ty, erotika dhe seksi janë art. Do të mund që të krijosh lidhje më të thella dhe kuptimplota gjatë kësaj jave. Një Afërditë shumë seksi të dhuron vetëbesimin e duhur në marrëdhëniet seksuale dhe në takimet e ardhshme.

Akrepi

E mira është që të mos fshihesh më dhe të shfaqësh vlerat dhe mendimet e tua. Ndjeshmëria dhe dëshira për të thënë të vërtetat e tua janë gjithmonë prezente tek ti, ndaj mos rezisto më shumë. Bëj biseda që të kënaqin dhe dil nga guaska jote, me të gjithë fuqinë që të karakterizon.

Shigjetari

Gjërat e bukura janë më të thjeshta seç i mendon. Ti ke strategjinë tënde drejt suksesit dhe kjo të ndihmon të gjesh kohë për punën dhe për veten. Mërkuri do të hyjë në Dem, në zonën e kujdesit për veten dhe mirëqenien, duke të të frymëzuar që të ndryshosh rutinën dhe zakonet e tua, për t’u përmirësuar.

Bricjapi

Lidhjet që ti krijon lidhen direkt me komunikimin. Ky i fundit është çelësi që hap shumë dyer, ndaj shpreh veten dhe gjej gjuhën tënde të dashurisë. Mërkuri do të hyjë në Dem, duke ndriçuar zonën tënde të kreativitetit. Kjo fundjavë të nxit të hapësh zemrës dhe t’u tregosh të tjerëve se je një person vërtet special.

Ujori

Cilat janë vlerat e tua, Ujor? Jeto sipas gjërave që ta mbajnë zemrën dhe integritetin të sigurt. Mërkuri në Dem do të ndriçojë zonën tënde të inteligjencës emocionale, çka do të thotë se mund ta gjesh veten më empatik/e se zakonisht.

Peshqit

Këtë javë do të motiviohesh të ndërtosh një strukturë të qëndrueshme në marrëdhëniet e tua, në mënyrë që empatia dhe dëshira jote për bashkëbisedim të jetë në nivelet e duhura. Mërkuri në Dem do të krijojë më shumë hapësira ku ti mund të tregosh se sa mendjehapur je.

Ish-banorja e BBVA me deklaratë të fortë: Lidhja me Beatrixën u sajua nga Donaldi dhe Bora!

Ish-konkurrentja e “Big Brother Vip”, Dea Vieri ka bërë një deklaratë të fortë.

Duke folur për lidhjen e Bora Zemanit dhe Donaldo Veshajt, Vieri tha se ndarja para se aktori të futej në “BBV”, puthja e çiftit në shtëpi dhe tradhtia e Donaldit me Beatrix Ramosaj në këtë reality show ishte e gjitha e sajuar nga dyshja për famë.

“Një çift që mua nuk ma ndryshon njeri mendjen, por që mendoj që janë ndarë dhe bashkuar përsëri për famë janë Donaldi me Bora Zemanin. Ata atë ndarjen e kanë pasur thjeshtë sa për lajm, edhe atë ndarjen e bashkimin, atë puthjen dhe ndarjen prap. Unë mendoj që ndarja para Big Brother është bërë për famë. Ai bashkimi aty ka qenë i bukur dhe ndarja pastaj lidhjen e tij me Trixen e gjitha ka qenë e sajuar për famë, përderisa ata tani janë bashkë”– tha Dea.

Asgjë e re nga Athina

Nga Artan Hoxha

Turi paraelektoral i Edi Ramës, me fokus emigrantët e përhershëm, nisi me Greqinë. Turi do vijojë me Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Sipas efektit dhe interesit, ai mund të vijojë edhe me aktivitete në vende të tjera.

Fokusi i Kryerilindësit tek emigrantët është shenjë se mazhoranca rilindëse po vlerëson seriozisht mundësinë e votimit të emigrantëve atje ku jetojnë, pa qenë e domosdoshme ardhja e tyre në Shqipëri. Por, edhe nëse kjo nuk ndodh, nëse nuk iu del hesapi, propaganda direkte tek emigrantet ndikon indirekt votën e familjarëve të tyre këtu, ndërsa pompoziteti patriotik i aktiviteteve atje importohet me fuqi të shumëfishuar në mëmëdhe.

Marrëdhënia e ndera me Qeverinë dhe politikën greke, me shkak çështjen Beleri, i dha tubimit të Athinës ngjyra dhe emocione të veçanta që vështirë se do hasen në tubimet e tjera, andaj,  frikësuar nga mundësia e pjesëmarrjes së ulët, qoftë edhe si një mundësi teorike konspiracioni grek, Rilindja mori masa që Kryerilindësi të shoqërohej nga qindra e qindra patronazhistë e zyrtarë të ministrive e bashkive të vendit, pjesëmarrës në atë takim, të cilët, të entuziazmuar deri në budallallëk a për forcë zakoni, dekonspiruan me duart e tyre, me foto e mesazhe lumë në rrjetet sociale, këtë week-end masiv elektoral në vendin fqinj. Fjalimet e shumta, këngët edhe më të shumta, por asnjë emigrant shqiptar në Greqi, as sa për shenjë, nuk u ftua të përshëndeste tubimin.

Ndonëse takimi ishte “me emigrantët dhe për emigrantët” më shumë se treçereku i fjalimit ishte dialog imagjinar – monolog më saktë – me qeverinë, politikën dhe elitën greke. Si demagog e populist i mirëfilltë, Kryerilindesi lartësoi popujt dhe fajësoi elitat. Populli grek e ai shqiptar, (përjashto ca individë, e shumta një pakicë afendikojsh), paqësor, mirëkuptues, mikpritës e bashkëpunues. Problemi? Elita greke që, ndryshe nga populli i vet, ka ndjekur agjendë konfrontimi e politike “fshesash”. Këtu thirri në ndihmë edhe historinë, që nga lashtësia e të cilën e njeh pak e thotë ç’i shkruajnë, deri në ditët e sotme në të cilën është vetë protagonist. Se pse elita greke sillej a sillet kaq ndryshe nga populli i vet, jo vetëm ne diktaturë, por edhe në demokraci, për këtë nuk dha shpjegim.

Natyrisht që këtu u kujdes të veçonte për mirë Kryeministrin aktual Mitsotakis e, si për ta përforcuar këtë kompliment, nuk la pa shpotitur të majtën greke me të cilën paskësh pasur ca moskuptime për faj të tyre. Nuk la pa përmendur për keq edhe opozitën shqiptare që “i fryn (pa sukses) borive të nacionalizmit”, ndërsa vetes i dha meritën e përpjekjeve të pareshtura e këmbëngulëse për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin me Greqinë si dhe të drejtën t’i tregonte elitës greke se si duhet të jetë sjellja, orientimi dhe bashkëpunimi i saj për të ardhmen e përbashkët europiane.

Dhe, jo për herë të parë, pa pikën e modestisë, përmes citimeve të baballarëve të fillesës së kombit e shtetit shqiptar, u shfaq si babai i sotëm, udhëheqësi i shtetit që dinjitetin e kishte humbur kohë më parë e që e rigjeti veç me të në krye këto 10 vitet e fundit e po kështu bashkë me të erdhi edhe prosperiteti që do kulmojë, nën drejtimin e tij, në 2030-tën me anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Emigranteve iu bëri shumë lavde, iu qau hallin e halleve të dikurshme e iu përkëdheli sedrën me rolin e tyre të sotëm, zot shtëpie në Greqi, iu tha nja dy gjëra se ç’po bën e ç’do bëjë për ta e i ftoi të vijnë të investojnë në mrekullinë shqiptare të dekadës së ardhshme.

Lau gojën. Nuk mori asnjë angazhim konkret për mundësimin e votimit të tyre pa qenë nevoja të vijnë në Shqipëri, as nuk shpjegoi pse shteti i rilindur prej tij e me të, është ende i vetmi në Ballkan që nuk mundëson votimin nga distanca të emigrantëve.

Asnjë fjale nuk u tha për shtetin ku ka më pak se 9 gjyqtarë për 100 mijë banore nga 22 mesatarisht në Europë; 114 mijë dosje të mbartura, shumëfish i atyre para reformës; e ku dyfishimi i mëtejshëm i ngarkesës tashmë të dyfishuar të gjyqtareve çmendurisht mendohet si zgjidhja për ta terezitur sistemin deri në vitin e shndritshëm 2030. Asnjë fjalë për shtetin në nivelin afrikan lidhur me mjekët e infermierët për 100 mijë banorë dhe arsimtarët/pedagogët për nxënës/student ndërsa jemi në top-listën botërore për numrin e lartë të policëve për 100 mijë banorë.

Asnjë shpjegim as edhe për më të thjeshtën, për shtyrjen e censusit me dy vite, zvarritjen e pakuptimtë të botimit të rezultateve me gjashtë muaj vonesë (ndoshta në qershor), ndërsa dy të këtilla u kryen fët e fët dhe rezultatet u shpallën në kohë rekord, edhe nga qeveria socialiste me Ilir Metën Kryeministër në 2001, edhe nga ajo demokrate me Kryeministër Sali Berishën në 2011, ndërsa aktualisht Kosova me Kryeministër Albin Kurtin, çdo javë shpall rezultatet e pjesshme dora-dorës që kryen procesin e census-it në terren. {shënim: jo rastësisht këta të tre janë edhe fryrësit (pa rezultat) e borive të nacionalizimit sipas Kryerilindësit}

Shume fjalë tha për mrekullinë turistike, por asnjë fjalë për rrugët e vjetra (ato qe gjeti nga paraardhësi) të braktisura këto 10 vite, ato të rejat, të nisura prej tij, të pabitisura; as për inceneratorët që djegin para, edhe kur nuk ekzistojnë, jo plehra ama; as për mutërat e shurrërat, shqiptare dhe të huaja, që përfundojnë të gjitha në lumenj, liqene e dete; as për të dhënat personale që dalin në mixhelis; as për drejtorët e shumtë që janë vetë zot e vetë shkop të parave publike.

Nuk shpjegoi as që në Shqipërinë e NATO-s, ultraeuropiane në të drejtat minoritare, veç një hap procedural larg nga anëtarësimi në Bashkimin Europian pas çeljes së negociatave për meritë të tij, Fredi Beleri mori e merr leje daljeje nga burgu për varrim (fatkeqësi familjare), mund të marrë leje edhe për vallëzim (sebep familjar), edhe për provim (nëse ndjek shkollën) veç jo për betim si kryetari i zgjedhur i Himarës. Leje për betimin kërkoi Fredi Beleri, leje për betimin kërkoi edhe Mitsotakis.

Asgjë nga këto nuk iu tha Kryerilindësi pjesëmarrësve në atë sallë veshur kuq e zi mu në zemër të Athinës bardhe e blu. Emigrantëve, atyre të vërtetë dhe atyre të sajuar sa për week-end, iu foli siç i ka folur edhe kongresistëve të partisë së vet dje e pardje.

Ndaj, ata pjesëmarrës atje në atë sallë, nuk janë bashkësi përfaqësuese as e popullit emigrant shqiptar në Greqi, as e popullit këtu në Shqipëri. Në atë sallë kishte njerëz të painformuar për gjendjen e vërtetë të Shqipërisë, ose pa dëshirë për t’u informuar, ose të informuar fare mirë, por as që e vrasin se kanë të tjera interesa xhepi a pasione shpirti. Të gjithë i përbashkonte vetëm një cilësi – Dekor i Fjalimit të Kryerilindësit. Njësoj si kongresi i mëparshëm i Rilindjes, njësoj si kongresi i qershorit në ardhje.

Asgjë e re pra nga Athina.