zoom

Day ArchiveMbytet anija me emigrantë në brigjet greke, raportohet një person i vdekur dhe disa të zhdukur

Një mjet lundrimi me 30 emigrantë në bord është mbytur në brigjet e Greqisë.

Autoritetet portuale greke janë duke vijuar një operacion kërkim -shpëtimi në zonën e Karlovasit, Samos, për gjetjen e katër personave të zhdukur.

Mediat greke raportojnë se një person ka humbur jetën, katër persona janë shpallur të zhdukur ndërkohë që 25 të tjerë arritën të shpëtonin.

Sipas informacioneve të para, skafi ishte nisur nga Turqia.

VOA: Projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues” nxit debate në Shqipëri

Në Shqipëri, Ministria e Shëndetësisë ka hedhur për konsultim publik së fundi një projektligj mbi shëndetin seksual dhe riprodhues.

Projekti ka ngjallur debate mbi disa risi lidhur me procedurat e terapisë së riprodhimit mjekësor të asistuar, që aktualisht nuk janë të rregulluara plotësisht nga ana ligjore. Profesionistë të fushës së mjekësisë thonë për Zërin e Amerikës se projektligji ka mangësi dhe nuk trajton në thellësi problematikat që lidhen me fetusin dhe nënën. Një moment mjaft i diskutueshëm lidhet me përfshirjen në të, edhe të nënës zëvendësuese.

Përfaqësues të sistemit shëndetësor dhe njohës të zhvillimeve shoqërore në vend, po ngrenë shqetësime mbi projektligjin për shëndetin seksual dhe riprodhues. Mjeku obstetër gjinekolog, Astrit Bimbashi thotë për Zërin e Amerikës se së bashku me një grup të gjerë mjekësh, ishin në pritje të rregullimeve ligjore për terapinë e riprodhimit mjekësor të asistuar. Prej 20 vitesh në këtë fushë nuk ka asnjë kontroll thotë ai, ndërsa shton se edhe ky projektligj lë mjaft paqartësi.

“ Projektligji është i mangët sepse nuk përmend incentiva sociale as psikologjike as ekonomike, pra asgjë. Thjesht lejohet apo ndalohet. Përfshirja e termit seksual dhe riprodhues i ka manipuluar ata që kanë bërë këtë ligj, për ta quajtur riprodhimin si terapi të riprodhimit të asistuar. Unë mendoj që ajo fjala “seksual” në emërtimin e projektligjit duhet të hiqet dhe të mbetet ligji i shëndetit riprodhues, që ka disa pika bazë: parariprodhimin, riprodhimin dhe postriprodhimin, adoleshencën, nënën që lind bebin nga 0-6 vjeç, si dhe postriprodhimin menopauzën deri në vdekjen e gruas. Por që të bësh 7 faqe për terapinë mjekësore të riprodhuar dhe të lesh me tre rreshta një problem madhor në Shqipëri që është shëndeti feto-amtar, ne nuk na duket e drejtë”- argumenton Astrit Bimbashi, mjek obstetër gjinekolog.

Përfshirja në projektligj i të drejtës së një gruaje për t’u bërë nënë zëvendësuese ka ngjallur mjaft debate. Nënë zëvendësuese quhet një grua që mbetet shtatzënë nëpërmjet një embrioni të krijuar me fertilizim invitro, dhe mban në uterusin e saj deri në lindje një fetus për llogari të një ҫifti tjetër, i cili e ka të pamundur të lindë fëmijë në rrugë normale. Aktualisht në Shqipëri fertilizimi invitro është rregulluar me ligj prej më shumë se dy dekadash, dhe kryhet thuajse tërësisht në institucionet shëndetësore private. Por në disa të tilla, edhe pse nuk parashikohet në ligj, prej disa kohësh kryhen edhe procedura të riprodhimit mjekësor të asistuar, me nëna zëvendësuese, ose siç quhet ndryshe “surrogacia”. Mjekja obstetër-gjinekologe Afërdita Manaj, e mirëpret përfshirjen në projektligj të kësaj teknike në shëndetin riprodhues, për t’i ardhur në ndihmë mirëqenies familjare dhe një gruaje që nuk mund të lindë.

“Surrogacia është e nevojshme. Të mos mbyllim sytë dhe të sillemi sikur këtu nuk është bërë. Prandaj duhet të rregullohet me ligj, të jetë i kontrolluar nga shteti. Të vendosen taksa për këtë shërbim mjekësor dhe të kontrollohet. Të mbrohen dhe të drejtat e njeriut. Ligji shmang abuzimet”- shprehet Prof. Dr. Afërdita Manaj, mjeke obstetër gjinekologe.

Fusha e veprimit të projektligjit është edhe për shtetasit e huaj, që nënkupton se edhe ata mund të kryejnë në Shqipëri procedurat e riprodhimit mjekësor të asistuar, përshirë dhe surrogacinë. Ligjërimi i nënës zëvendësuese në Shqipëri, synohet në një kohë kur Parlamenti Evropian sapo ka miratuar rregulla të reja për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe mbrojtjen e viktimave të tij. Ligji i ri që u u miratua me 563 pro, 7 kundër dhe 17 abstenime, penalizon gjithashtu martesën e detyruar, adoptimin e paligjshëm dhe shfrytëzimin e zëvendësimit, ose sic quhet ndryshe të surrogacisë, në nivel të BE-së.

Mjeku obstetër gjinekolog Bimbashi edhe pse pranon se ka kryer procedura të tilla, në sistemin privat shëndetësor, është skeptik për to.

“Ne si klinikë kemi kryer dikur raste, por kurrë ndonjëherë me pagesë. Duke qenë një çështje shumë delikate i kërkonim gruas që ta

gjente vetë nënën zëvendësuese. Është tragjedi për një çift bashkëshortësh të mos arrijë të bëjë fëmijë. Por nga ana politike kur shoh që Parlamenti Europian voton me 563 vota kundër surrogacisë, dhe vetëm 7 vota pro do të thotë që ti nuk mund ta kthesh këtë produkt në atë që mendon ti ta bësh”- argumenton Astrit Bimbashi, mjek obstetër gjinekolog.

Kryerja e procedurave të riprodhimit mjekësor të asistuar përmes nënës zëvendësuese është një praktikë shumë e kushtueshme, thonë specialistët dhe mund të nxisë abuzime.

“Jam shumë dakort që të kryhet surrogatizmi për nënat që kanë nevojë, por duhet të ketë kritere shumë të forta. Duhet të përcaktohen disa diagnoza që ndikojnë te çiftet të mos kenë fëmijë dhe shkojnë drejt surrogatizmit. Nëse e lemë të lirë pa kontrolle të forta, pra që mund të vijnë dhe të huaj të bëjnë surrogatizëm në Shqipëri, për diagnoza që mund të sajohen, apo të krijohen në mënyrë false dhe nga mjekët, mund të na çojë në abuzime për shkaqe përfitimi”- thotë për Zërin e Amerikës Alban Haxhi, mjek obstetër gjinekolog.

Një prej aspekteve të tjera të projektligjit ku ndalen njohës të fushës së mjekësisë dhe të zhvillimeve shoqërore, lidhet dhe me rritjen e kohës për ndërprerjen e shtatzanisë, me dëshirën e gruas për arsye të ndryshme, nga 12 javë në 14. Ende janë të paqarta arsyet e këtij përkufizimi të ri ligjor, por eskpertët mendojnë se kjo shtyrje në kohë ngjall shumë diskutime pasi gjinia e fetusit bëhet e dallueshme dhe kjo mund të nxisë fenomenin e abortit selektiv.

“Shtyrja e afatit për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë nga 12 në 14 javë i jep mundësi prirjes kriminale të abortit selektiv, për shkak të dallimit të gjinisë së fetusit. Kur vjen puna për abortin selektiv ne krahasohemi me Azerbajxhanin dhe disa vende të tjera që e kanë në nivel të lartë. Unë mendoj se aborti selektiv është kriminal”- shprehet për Zërin e Amerikës Gëzim Tushi, sociolog.

Edhe mjekja gjinekologe Afërdita Manaj, menon se në këtë kuadër projektligji duhet riparë.

“Ndoshta nuk duhej lejuar ndërprerja vullnetare e shtatzënisë nga java 12-14. Deri në javën 12 ishte mirë. Nuk jam e mendimit që kjo të bëhet rutinë sepse shumë njerëz këtë mund ta shfrytëzojnë për të zgjedhur gjininë e fëmijës”- argumenton Prof. Dr. Afërdita Manaj, mjeke obstetër gjinekologe.

Ministria e Shëndetësisë në një reagim publik pas qëndrimeve kritike mbi elementët e rinj që sjell projektligji “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, u shpreh se ky dokument i është nënshtruar konsultimit publik që do të ndihmojë në përthithjen e mendimeve të grupeve të interesit dhe garanton se në fund të këtij procesi projektligji do të reflektojë dhe përfundimet e nxjerra nga këto konsultime./VOA

Ranucci i përgjigjet Melonit: 80% e shqiptarëve besojnë më shumë RAI3 se Edi Ramën

Sigfrido Ranucci i përgjigjet Kryeministres italiane, Giorgia Melonit, pasi kjo e fundit i doli në krah Edi Ramës dhe hodhi akuza ndaj RAI3.

“Presidentja Giorgia Meloni komentoi (HOT)SPOT të Giorgio Mottola nga skena Fratelli d’Italia në Pescara,” shkruan Ranucci.

Meloni gjatë një takimi partiak tha “më ndihmoni t’i dërgoj solidaritetin Edi Ramës për linçimin vetëm për përpjekjen për të ndihmuar kombin tonë. Edhe Telemeloni, ti e di, apo jo, Telemeloni? Ai krijoi një reportazh për Shqipërinë në të cilin e pikturoi si një narko-shtet”.

Ranucci në reagimin e tij shprehet se “Meloni bëri thirrje për solidaritet me Ramën, por ka sondazhe të pavarura shqiptare që tregojnë se populli shqiptar, në përqindje nga 64% në 80%, beson më shumë në atë që raporton Report sesa në versionin e Ramës”.

“Ne do t’i rikthehemi temës këtë mbrëmje me një raport që do të hetojë rezultatet e dobëta të dekretit Cutro deri më tani.

Me dokumente ekskluzive do të tregojmë se si disa eksponentë kryesorë të qeverisë kanë shfrytëzuar në favor të tyre keqdrejtimet ndaj OJQ-ve në bazë të disa hetimeve gjyqësore”, shkruan ai.

Mërkuri doli nga retrograda, çfarë do të thotë kjo për shenjën tuaj

Prapavija e Mërkurit është një ndër ngjarjet më të frikshme për çdokënd që beson në astrologji dhe vërtet mund të ta kthejë jetën përmbys.

Prapavija e këtij planeti ndodh 3-4 herë në vit dhe pasi ndodh, të lë një dëshirë të madhe për t’ia nisur nga e para. Mërkuri hyri më 1 prill në prapavijë dhe do të dalë më 25 prill.

Sipas Letao Wang, astrolog dhe këshillues shpirtëror, prapavija e Mërkurit ndodh kur planeti ecën mbrapsht në qiell. Mërkuri është planeti i komunikimit dhe kjo do të thotë se kur është në prapavijë, sjell probleme me komunikimin.

Dashi

Prapavija e Mërkurit ka sjellë një ndikim të madh në shenjën tënde, sidomos gjatë sezonit të Dashit, duke e mbushur jetën tënde me kaos dhe mungesë komunikimi. Në njëfarë mënyre, ke qenë me nerva gjithë këto kohë. Në këto javët kur të marrësh veten, duhet të përqendrohesh tek ushtrime fizike, që të pastrosh mendjen.

Demi

Shumë Demë kanë kaluar në prapavijën e Mërkurit deri diku të pandikuar. Si një shenjë shumë pragmatike, nuk e ka pasur të vështirë të vazhdojë me sipërmarrjet e veta dhe të mos panikoset. Planeti që të udhëheq, Afërdita, të ndihmon që të ruash qetësinë në çdo situatë.

Për t’ia nisur nga e para, merre veten me të mirë dhe bëj aktivitete që të pëlqejnë dhe të dhurojnë kënaqësi, duke nisur që nga masazhi e deri tek të parit një film.

Binjakët

Si një shenjë që udhëhiqet nga Mërkuri, Binjakët janë ndër shenjat më të ndikuara nga prapavija. Praktikisht, është një makth për ty, që nga fillimi e deri në fund, ndaj shpeshherë, prapavija ka një ndikim të fortë për sherret dhe problemet me të cilat je hasur. Mund të kesh humbur telefonin, të kesh humbur ndonjë udhëtim, madje edhe të jesh ndarë nga partneri/ja për një keqkuptim të vogël. Ka qenë një fazë kaotike, ndaj të duhet që të marrësh veten, duke u lidhur me natyrën.

Gaforrja

Gaforrja është një shenjë uji emocionale, e cila stresohet shpesh nga prapavija e Mërkurit. Mund të jesh përballur me probleme në lidhje me teknologjinë dhe sfida të tjera. Kjo fazë të ka çuar në limitet e tua, ndaj një ditë SPA, ku ti i kushtohesh totalisht kujdesit ndaj vetes, është mëse e këshillueshme.

Luani

Sa herë që Mërkuri është në prapavijë, Luanit i prishen ose ndryshohen planet e udhëtimeve, ka probleme me marrëdhëinet dhe keqkuptime me miqtë. Pas 3 javësh të gjata stresi, meriton të pushosh duke shprehur anën tënde artistike dhe kreative.

Përmes pikturës, vizatimeve, ose shkrimeve, mund t’ia dalësh ta tejkalosh këtë periudhë.

Virgjëresha

Virgjëresha udhëhiqet nga Mërkruri dhe normalisht, prapavija e këtij planeti të ka sjellë goxha probleme. Mund të jesh përballur me parregullsi në apartamentin tënd, ose të kesh pasur sfida në shumë drejtime të jetës, por gjithsesi, do e marrësh veten duke pastruar dhe organizuar.

Peshorja

Për Peshoren është mëse normale të kërkojë balancën. Periudha pas prapavijës, duhet të fokusohesh te meditimi, yoga dhe rikthimi i harmonisë te lidhja me veten dhe me të tjerët. Është shumë e rëndësishme që të marrësh kënaqësi për çdo aktivitet që bën.

Akrepi

Akrepët janë shumë të kujdesshëm që të mos e lodhin shumë mendjen nga prapavija e Mërkurit. Probleme të shumta me energjinë tënde të ulët, stresin dhe ankthin mund të të kenë pushtuar gjatë kësaj jave, por gjithsesi, është momenti të reflektosh dhe të gjesh paqen shpirtërore. Shkruaji ndjesitë në një ditar, bëj një banjë të gjatë dhe relaksohu.

Shigjetari

Nëse jeta jote ka qenë e mbushur me probleme, fajëso prapavijën e Mërkurit, e cila është një periudhë stresuese. Tanimë që do të ikë, një udhëtim i shkurtër dhe një aventurë fundjave do të të ndihmojë që të rimbledhësh forcat dhe të reflektosh.

Bricjapi

Ti je një shenjë e cila udhëhiqet nga Saturni, planeti i përgjegjësive, ndaj do që gjërat të shkojnë sipas planit të paracaktuar, ndaj kjo periudhë të stresuar. Ndaj, për të rifituar fuqinë tënde, fokusohu te planet dhe qëllimet e tua. Prapavija do të të motivojë që të krijosh një plan të detajuar, që të marrësh kënaqësi dhe të jesh sa më i/e zënë.

Ujori

Si një shenjë që udhëhiqet nga Urani, planeti i teknologjisë, ti e ke zët prapavijën e Mërkurit, i cili të ndikon në shumë aspekte, duke nisur që nga problemet me pajisjet teknologjike, me internetin dhe me marrëdhëniet ndërpersonale. Që të marrësh veten nga kaosi, Ujori duhet që të heqë pajisjet nga karikimi dhe të shijojë një ditë larg teknologjisë.

Peshqit

Peshqit gjithashtu janë prekur shumë nga prapavija e Mërkurit dhe si një shenjë e ndjeshme, është paksa e vështirë ta marrësh veten menjëherë. Mërkuri do të sjellë pasoja deri në datën 13 maj, ndaj mundohu që ngadalë, të realaksohesh dhe të rikthehesh në ujërat e duhur.

Dokumentari i RAI3, Meloni merr në mbrojtje Ramën: Hapu qiell! U sulmua se ndihmoi Italinë

Kryeministria italiane, Giorgia Meloni ka reaguar lidhur me emisionin “Report” të Rai3 në të cilën u kritikua marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Shqipëria dhe Rama u linçuan për përpjekjet për të na ndihmuar me emigrantët”, tha Meloni në Pescara gjatë konventës në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet europiane të 8 dhe 9 qershorit.

“Për emigrantët “bëmë marrëveshje me Edi Ramën, e majta propozoi ta përjashtonte nga socialistët europianë në vend që ta falënderonin se kishte vepruar në emër të solidaritetit europian, por zgjodhën ta linçonin. Organizuan një dokumentar për Shqipërinë në të cilin e portretizonin si një narko-shtet. Solidaritet me Ramën, Tiranën dhe gjithë popullin shqiptar”, tha më tej Meloni.

Këto janë 4 shenjat më të rrezikshme të horoskopit

Manipulimi, xhelozia dhe agresiviteti janë vetëm disa nga virtytet e tyre. Këto janë shenjat më problematike të zodiakut:

Akrepi: Një forcë e fuqishme

Akrepat shpesh shoqërohen me intensitet, pasion dhe mister. Njerëzit e lindur nën këtë shenjë kanë një ndjenjë të mprehtë të intuitës dhe janë të prirur ndaj emocioneve shumë të forta. Megjithatë, intensiteti i tyre ndonjëherë mund të devijojë në një territor më të errët duke çuar në posesivitet, xhelozi dhe një tendencë për të manipuluar.

Dashi: Luftëtar i zjarrtë

Dashi, i sunduar nga Marsi, mishëron shpirtin e një luftëtari, të guximshëm, të patrembur dhe të sigurt në vetvete. Vendosmëria dhe guximi i tyre i bëjnë ata kundërshtarë të frikshëm, por natyra e tyre impulsive gjithashtu mund të çojë në pamaturi dhe konflikt. Njerëzit e Dashit njihen për temperamentin dhe nxitimin e tyre, gjë që mund të rezultojë në situata të paqëndrueshme nëse nuk mësojnë vetëkontroll.

Luani: Mbreti dominues

Njerëzit nën shenjën e Luanit rrezatojnë besim, karizëm dhe një talent të natyrshëm për udhëheqje. Luanët lulëzojnë në qendër të vëmendjes dhe dëshirojnë admirimin dhe respektin e të tjerëve. Ndërsa ngrohtësia dhe bujaria e tyre janë cilësi të admirueshme, Luanët gjithashtu mund të shfaqin arrogancë, kokëfortësi dhe nevojë për vërtetim të vazhdueshëm. Dëshira e tyre për pushtet dhe dominim ndonjëherë mund të errësojë cilësitë e tyre dashamirëse, duke çuar në konflikt me ata që sfidojnë autoritetin e tyre.

Binjakët: Personaliteti i dyfishtë

Siç është edhe emri i tyre, Binjakët simbolizojnë natyrën e tyre të dyfishtë. Këta njerëz janë të gjithanshëm, të zgjuar dhe intelektualisht kureshtarë, të aftë për t’iu përshtatur çdo situate me lehtësi. Megjithatë, personaliteti i tyre i ndarë mund të shfaqet edhe si mospërputhje, pavendosmëri dhe mungesë angazhimi. Binjakët mund të luftojnë me konfliktet e brendshme dhe ndryshimet e humorit, duke i bërë ato të paparashikueshme dhe potencialisht të rrezikshme në rrethana të caktuara./ Zoom.al

Si të përballemi me vetminë

Humbja e një personi të afërt, ndarja nga jeta e prindërve, divorci nga partneri/ja, ndjesia e boshllëkut pas humbjes së punës, pasojat që ende ndihen te njerëzimi pas pandemisë Covid 19, të gjitha janë mjaftueshëm arsye që të ndiheni të izoluar dhe në vetmi të plotë.

Ekspertja e shëndetit mendor, Minerva Guerrero në New York dhe Ashley Kirsner, themeluese e rrjetit social virtual “Skip the small talk” janë në një mendje kur thonë se vetmia është një ndjesi normale.

“Ndonjëherë, ne jemi vetëm me mendimet tona, frikën tonë, betejat tona dhe ëndrrat tona,” thotë Guerrero. “Në momente rritjeje ose sfidash personale, ne mund të ndihemi të vetmuar teksa “lundrojmë” në territore të panjohura ose jemi duke rizbuluar pjesë të reja të vetes. Kjo mund ta bëjë të vështirë për ne që të ndihemi të lidhur me njerëzit e tjerë,” shton ajo.

Por, nëse ende nuk dini si ta kapërceni vetminë, ja disa këshilla praktike që mund t’i vini në zbatim për ta kapërcyer këtë fazë.

#1 Bëhuni pjesë e një grupi leximi ose kërcimi

#2 Ndiqni aktivitete që kanë shumë njerëz (palestër, një kauzë që bën bashkë individë të ndryshëm etj)

#3 Hapni një llogari në rrjete sociale

#4 Telefononi miqtë

#5 Dilni për një darkë ose fundjavë me familjarët

#6 Vini trupin në lëvizje (not, ecje, palestër)

#7 Filloni një kurs të dedikuar për aspektin shpirtëror (yoga)

#8 Angazhohuni në një aktivitet artistik (punime me grep, skica, pikturë në telajo etj)

#9 Flisni me të huajt, një komshi ose një person që e takoni rastësisht në rrugë

#10 Merrni pjesë në aktivitetet vullnetare të lagjes ku jetoni (pastrimi, shpërndarja e ushqimit në një qendër sociale)./Pure Wow

Abuzoi me një të mitur, 20 vite burg për këngëtarin e famshëm amerikan

Gjykata amerikane ka lënë në fuqi vendimin për dënimin 20-vjeçar të artistit R Kelly, i cili u shpall fajtor për abuzim seksual me të mitur. Këngëtari apeloi vendimin, por Gjykata Federale e Apelit doli në konkluzionin se ai kishte marrë dënimin e saktë dhe të merituar.

Në vitin 2022, mbi artistin dhe fituesin e çmimeve Grammy, emri i vërtetë i së cilit është Robert Sylvester Kelly, rëndonin 3 akuza për përdhunim dhe përdorimin e imazheve të abuzimin seksual të të miturve, gjithashtu edhe akuza për joshje të të miturve për qëllime seskuale.

Avokatët e tij e apeluan vendimin dhe argumentuan se akuzat duhet të ishin gjykuar veçmas dhe jo të lidhura me tre akuzuesit që dispononim foto e video, të cilat u bënë elementet kyçe të gjyqit ndaj tij. Prokurorët federalë disponojnë një video ku Kelly shfaqet duke abuzuar me një vajzë, e cila për hir të privatësisë, mban nofkën “Jane”. Ajo ishte 14 vjeç kur është regjistruar videoja.

Trupi gjykues hodhi poshtë pretendimet e Kelly-t se nuk duhej të ndiqej penalisht, pasi akuzat ndaj tij u bënë pas “mbarimit të afatit” sipas ligjit në Illinois, në të cilin ndjekja penale për një akuzë të tillë mund të kryhet brenda 10 viteve. Paneli i gjykatësve e cilësoi përpjekjen e Kelly-t si një skemë komplekse për të mbajtur viktimat e tij të heshtura.

Ndërsa avokatët e Kelly-t duket se nuk dorëzohen. Avokatja Jennifer Bonjean tha se ata po planifikojnë të kërkojnë rishikimin e vendimit në Gjykatën Supreme Amerikane dhe “të ndjekin të gjitha mjetet e apelit, derisa të lirojnë R Kelly-n. Ne jemi të zhgënjyer nga ky vendim, por lufta jonë nuk ka përfunduar”, u shpreh ajo.

Flota fantazmë e Putinit: Si po transporton Rusia naftë dhe armë nga Mesdheu

Një flotë fantazmë po endet në Mesdhe: janë anijet ruse që transportojnë armë dhe naftë, duke nxitur konfliktin në Ukrainë në kundërshtim me sanksionet e vendosura kundër Kremlinit.

Në dy vitet e fundit, menjëherë pas agresionit kundër Kievit, një grup anijesh filluan të lëvizin midis portit sirian të Tartus dhe portit rus të Novorossisk, në Detin e Zi,

Ekspertët e Royal Uinited Services Institute (Rusi),”think-tank” më i madh britanik për çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, monitoroi lëvizjet e tij dhe ndau rezultatet me gazetën “Corriere della Sera”.

Ajo rrugë, e riemërtuar “Sirian Express”, u përdor për të rikuperuar materialin luftarak të mbetur në Siri pas ndërhyrjes ruse së bashku me regjimin e Asadit, në luftën civile të atij vendi dhe për ta drejtuar atë me hekurudhë nga Novorossisk drejt operacioneve në frontin ukrainas: bëhet fjalë për artileri të llojeve të ndryshme dhe mjete të blinduara, të cilat shkuan për të mbështetur ofensivën e Moskës.

Por në javët e fundit diçka ka ndryshuar. Në fund të shkurtit, “Sparta IV” u largua nga Tartus, me transmetuesit e saj të fikur: me këtë emër lundron një anije ruse, e cila është zyrtarisht një anije mallrash civile, por pronësia e së cilës përfundimisht daton nga Ministria e Mbrojtjes në Moskë.

“Sparta IV” mbërriti në Bosfor, u nis drejt Detit të Zi, por më pas bëri një kthesë dhe u kthye mbrapa: një sjellje që nuk ka asnjë shpjegim, përveç frikës se do të goditej nga marina ukrainase që lëvizte në ato ujëra.

“Sparta IV” më pas u drejtua drejt Perëndimit dhe kaloi të gjithë Mesdheun, duke kaluar përmes Kanalit të Siçilisë (gjithmonë duke mbetur në ujërat ndërkombëtare): anomalia tjetër është se ajo u shoqërua për një distancë të mirë nga një fregatë ruse, “Grigorovich”.

Nëse do të transportonte një ngarkesë civile, nuk do të kishte nevojë për një shoqërim ushtarak: një shenjë se në vend të kësaj kishte materiale të ndjeshme në bord.

“Sparta IV” më pas kaloi ngushticën e Gjibraltarit dhe u drejtua në veri, duke mbërritur në portin rus të Kaliningradit në Balltik në fund të marsit: nëse shkarkonte materiale ushtarake atje për Ukrainën, do të thotë se këto armatime u bënë më pas për t’u tranzituar nga toka përmes territorit të BE-së, duke parë se Kaliningradi është një enklavë.

Pasi qëndroi e ankoruar për tre javë në Baltik me transmetuesit e fikur, anija ruse u nis sërish dhe javën e kaluar u rishfaq në ngushticën e Danimarkës: ajo po kthehet drejt Mesdheut me drejtim në Tartus, Siri.

Kjo do të thotë se anijet ruse – janë të paktën katër si “Sparta” – kanë hapur një rrugë të re, shumë më të rrezikshme që kalon ujërat italiane dhe shkon në Atlantik.

Por përveç aktiviteteve të “Sirian Express”, flota fantazmë e naftëmbajtësve të Kremlinit, e regjistruar me flamuj të tjerë, operon edhe në Mesdhe, nga Panamaja në Liberi dhe Gabon.

Bëhet fjalë për cisterna që eksportojnë në mënyrë klandestine naftë bruto ruse me një sistem shumë të rrezikshëm: ari i zi transferohet në det të hapur në anije të tjera të naftës dhe pagesa përkatëse bëhet gjithmonë në det.

Këto operacione zhvillohen në katër zona të përcaktuara të Mesdheut dhe Detit të Zi: jashtë portit rumun të Konstancës, në Gjirin e Lakonias (në Greqi), në brigjet e Maltës dhe Ceutës, pranë ngushticës së Gjibraltarit.

Ky është një sistem që është në rrezik të lartë mjedisor, i rritur nga fakti se flota fantazmë përbëhet nga anije të vjetra që operojnë pa siguri dhe jashtë rregulloreve detare.

Nafta bruto që largohet nga Rusia në këtë mënyrë çohet në Indi ose Kinë për t’u rafinuar dhe më pas kthehet në tregjet evropiane, në kundërshtim me sanksionet.

Kështu, Putini arrin të mbajë në këmbë ekonominë e vendit të tij dhe të financojë luftën në Ukrainë: pa të ardhurat nga nafta, gjithçka do të shembej.

Për më tepër, kjo i jep Kremlinit akses në të ardhurat në dollar, të cilat i përdor për të blerë arin dhe për të stabilizuar rublën.

Të gjitha këto janë operacione që kalojnë nën hundën e Perëndimit: por vetëm ditët e fundit Komisioni Evropian ka vendosur të hedhë dritë mbi këtë çështje dhe të përgatisë një raport që do t’i paraqitet Këshillit.

Ndërkohë, bllokimi i anijeve fantazmë ruse do të ekspozonte rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm me Moskën.

Skema e re e pensioneve, po diskutohet ulja e kontributeve dhe e viteve të punës

Skema e pensioneve, në vitin e dhjetë të zbatimit të saj, paraqet nevojën për ndryshme themelore si rrjedhojë e zhvillimeve demografike, ku popullsia kontribuuese po pakësohet më shumë se parashikimet dhe numri i përfituesve po rritet.

Qeveria dhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë analizuar disa opsione, të cilat do të jenë gati këtë vit. Nëpërmjet tyre synohet të korrigjohen defektet që dolën nga zbatimi i reformës së vitit 2014, duke garantuar në të njëjtën kohë edhe qëndrueshmërinë afatgjatë financiare të skemës dhe të ardhurat e pensionistëve.

Ndryshimet që po diskutohen pritet të marrin në konsideratë uljen e viteve me kontribute për pension. Burime nga entet publike, që janë përfshirë në diskutim për reformën e pensioneve, pohuan “Monitor” në kushtet e konfidencialitetit disa nga opsionet që po diskutohen, ndër to ka propozime për uljen e masës së kontributit.

Në diskutim është edhe forma e indeksimit të pensioneve, ku një alternativë mund të jetë edhe rritja në të njëjtën përqindje e pensioneve si paga mesatare.

Reforma synon të forcojë elemente të tjera të ndihmës ekonomike për pensionistët që përmbushin kushtet për pension. Në diskutim është rritja e pensionit social me shkallën e varfërisë relative.

Gjithashtu, ndryshimet do të marrin në konsideratë zhvillimin e skemave private, duke ofruar stimuj për profesionistët dhe të vetëpunësuarit.

Skema e pensioneve rurale gjithashtu është pjesë e rishikimit si në drejtim të kontributeve dhe përfitimeve, pasi pjesa më e madhe e pensionistëve të varfër janë aktualisht në zonat rurale.

Reforma, për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2032 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032 dhe për të arritur 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.

Risia tjetër ishte rritja e normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017.

Teksa vitet e punës për pension u rritën me reformën e vitit 2014, shumica e pensionistëve jo vetëm që nuk plotësojë kriteret për pension të plotë, por vit pas viti ata që dalin në pension kanë më pak vite pune me kontribute dhe marrin pagesa më të ulëta se pensioni mesatar.

Më 2014 kishte 460,736 pensione pleqërie dhe 28% e tyre morën pagesa të pjesshme, ndërsa vitin e kaluar, gati 50% e totalit të pensioneve të pleqësisë ishin të pjesshme.

Shumica e pensionistëve po përfundojnë me pagesa mujore afër pensionit minimal dhe atij social.

Personat që dolën në pension gjatë vitit 2023 morën pagesë mesatare rreth 15,569 lekë, vlerë kjo 15% më e ulët se pensioni mesatar për të gjithë pensionistët.

Ekspertët që po punojnë për reformën pohuan se pritet të ketë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social që tani janë në nivele të njëjta.

 

Burimi: ISSH

 

Duke analizuar këtë ecuri, Fondi Monetar Ndërkombëtar referon se, gjithnjë e më shumë pensionistë do të përfitojnë pagesa të pjesshme, pensione sociale ose do të jenë pa pension, për shkak të kohëzgjatjes së pamjaftueshme të kontributit, në të ardhmen.

Në një intervistë për “Monitor”, Emanuel Salinas, Menaxheri i Zyrës së BB në Shqipëri, tha se propozimet finale do të jenë gati në fund të vitit.

Projeksionet e reja mbi skemën e pensioneve, sipas tij, synojnë të adresojnë edhe disa problematika, për të përmirësuar informalitetin në tregun e punës dhe për të krijuar një lidhje më të fortë ndërmjet kontributeve dhe përfitimeve.

 

Po diskutohet ulja e viteve të punës me kontribute

Një element që po diskutohet për t’u ndryshuar është kriteri i viteve të punës për pension minimal dhe pension maksimal. Aktualisht duhen 15 vite pune për sigurime për të përfituar pension minimal dhe këtë vit duhen më shumë se 38 vite punë me sigurime të paguara për pension të plotë.

Më 2023, periudha mesatare kontributive për pensionet e reja të vitit ishte 26.8 vite, ndërsa kur nisi reforma në vitin 2014, ishte 33.3 vite.

 

Burimi: ISSH

Sipas ligjit aktual të sigurimeve, kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e një pensioni të plotë në vitin 2032 do të jetë 40 vjet.

Për të përfituar pension të plotë, të dhënat e analizuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se kriteret për vitet e pagesës së kontributeve janë më të larta se në vendet e zhvilluara.

P.sh. në vendet e OECD-së duhen vetëm 34 vite sigurime për një pension të plotë dhe 13 vjet për një pension të pjesshëm.

Në vende si Shqipëria, ku një pjesë e madhe e punonjësve janë informalë, një periudhë e gjatë kontributesh si në rastin e Shqipërisë dekurajon punonjësit që të kontribuojnë, veçanërisht në rastin e grave, ose emigrantëve që janë jashtë tregut vendas të punës.

Personat që dolën në pension në vitin 2012 kishin paguar mesatarisht 34 vite sigurime dhe në vitin 2023 vetëm 26.8 vite. Mosplotësimi i kriterit të viteve të punës me sigurime ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni.

Në njërën anë, pensionistët e rinj kanë gjithnjë e më pak vite me kontribute dhe nga ana tjetër, vit pas viti bashkë me moshën e daljes në pension, rritet edhe periudha e viteve me kontribute.

Me ritmet aktuale, pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute, duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal.

Por duke qenë se tani, kriteri i viteve me kontribute po plotësohet gjithnjë e më pak, pensionet e reja të pleqërisë rezultojnë të ngjashme me pensionet sociale, duke dekurajuar pagesën e kontributeve nga punonjësit aktualë vëren Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Numri i pensionistëve, që nuk përmbushin vitet e punës dhe nuk arrijnë të përfitojnë një pension të plotë pleqërie, po rritet me shpejtësi.

Rritja me shpejtësi e përfituesve me pension të pjesshëm tregon se mosha e tretë rrezikon varfërinë ekstreme, teksa inflacioni ka qenë i lartë dy vitet e fundit.

Një opsion, ulja e masës së kontributit

Aktualisht Shqipëria ka një normë kontributi për sigurimet shoqërore më të lartë se mesatarja e vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit dhe Zhvillimit Ekonomik (OECD).

Në Shqipëri paguhen mesatarisht 21.6% kontribute, nga një mesatare 18% në vendet e OECD-së, thuhet në një studim të Komisionit Europian “Vlerësimi i përshtatshmërisë së pensioneve ne Shqipëri”.

Edhe pse përqindja e kontributeve në Shqipëri është më e lartë, kontributet e mbledhura nuk janë të mjaftueshme për të paguar shpenzimet totale për skemën publike të pensioneve në Shqipëri.

Ekspertët pohuan se është duke u diskutuar opsioni i uljes së kontributeve dhe shihej si një nxitës për uljen e informalitetit dhe pjesëmarrjes së më shumë personave në skemë.

Studimi “Një vështrim mbi taksimin e punës në Ballkanin Perëndimor” nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, vuri në dukje se informaliteti i lartë në tregun e punës në Shqipëri është kryesisht si rrjedhojë e normës së lartë të taksimit mbi pagat e ulëta.

FMN vëren se informaliteti është më i përhapur në Shqipëri, sesa në Maqedoninë e Veriut apo në Serbi, me rreth 50% të njerëzve në marrëdhënie pune, kundrejt rreth 20% mesatarisht të raportuar për dy vendet e tjera.

Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, një nivel i tepërt i taksave në pagat e ulëta është pengesa kryesore për formalizimin dhe gjithëpërfshirjen e punësimit, veçanërisht për gratë, analizon Fondi.

Korrigjimi i kësaj anomalie tatimore te personat me paga të ulëta mund të arrihet para së gjithash nga reduktimi i kontributeve të sigurimeve, duke zhvendosur pjesërisht financimin e pensioneve dhe programeve shëndetësore në baza të tjera tatimore.

Kjo masë synon të nxisë formalizimin në tregun e punës, si pjesë kryesore e ndryshimeve në skemën aktuale.

Do të ndryshojë indeksimi, favorizohen pensionet e ulëta

Ekspertët e fushës janë duke diskutuar një formulë që të mundësojë rritjen e pensioneve të ulëta me një vlerë më të madhe se të atyre më të larta. Aktualisht, indeksimi aplikohet në përqindje të inflacionit të pensionistëve.

Vitin e kaluar u aplikua një indeksim 8.6% (inflacioni i pensionistëve), por e përkthyer në vlerë, përfitimi është shumë i vogël për pensionet e ulëta se ato të larta.

P.sh. një pensionist në fshat që paguhet 10,000 lekë në muaj, mori rritje në tetor 2023 vetëm 860 lekë, ndërsa një pensionist që paguhet me 30 mijë lekë në muaj, përfitoi një shtesë 2,560 lekë, ose tre herë më të lartë.

Një opsion është rritja me vlerë fikse.

Një tjetër opsion në diskutim është indeksimi i pensioneve me të njëjtën normë sa rritja e pagës mesatare.

Sipas përcaktimeve të INSTAT, që bazohen në metodologji ndërkombëtare, një pensionist konsiderohet i varfër, nëse pagesa mujore është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Ky hendek është thelluar vitet e fundit dhe është përshpejtuar më shumë këtë vit.

Në vitin 2023 pensioni mesatar ishte vetëm sa 26% e pagës mesatare mujore bruto, nga 31% që ishte ky raport më 2018.

Në vitin 2022, pensioni mesatar në qytet ishte sa 44.4% e pagës mesatare neto dhe 35% e pagës bruto. Këto raporte ishin përkatësisht 52% dhe 41% në vitin 2018.

Të dhënat tregojnë për një rritje të pabarazisë ndërmjet shtresave të shoqërisë, në këtë rast të pensionistëve dhe personave të punësuar.

Me gjasë, hendeku do të zgjerohet gjatë viteve të ardhshme, pasi tregu po sinjalizon rritje më të larta të pagave prej kushteve të reja që ka krijuar mungesa e fuqisë punëtore. Pas një dekade anemike, pagat kanë nisur të lëvizin, ndonëse jo me ritme të larta.

Në fund të vitit 2023, paga mesatare në shkallë vendi ishte 42% më e lartë se para pandemisë, duke u rritur nga 52,380 lekë në 75.025 lekë në fund të 2023.

Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar nga niveli 16,256 lekë në vitin 2019 arriti në 17,306 lekë në 6-mujorin e parë të këtij viti, me një zgjerim vetëm 6%.

 

Burimi: ISSH

 

Ka sugjerime se indeksimi i pensioneve me ritmet e rritjes së pagës mesatare do të ishte më i drejtë se indeksimi me inflacionin.

Selami Xhepa, doktor i shkencave ekonomike, sugjeroi indeksim me fasha sipas nivelit të të ardhurave të pensionistëve.

“Mendoj se në skemën aktuale të pensioneve, duhen bërë indeksime të përvitshme, sipas fashës së pensioneve, duke përdorur një koeficient më të lartë indeksimi për pensionet nën mesatare dhe më të ulët për pensionet e larta.

P.sh., pensionet që janë nën 44% të pagës mesatare (sa shkalla aktuale e zëvendësimit të pensionit), të indeksohen me një koeficient dy herë më të lartë se koeficienti mesatar i indeksimit

 

Rregullohet raporti kontribute-përfitim për pensionet e larta

Skema aktuale ka ende deformime ndërmjet masës së kontributeve dhe përfitimeve. Sipas Tatimeve, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore, paga bruto mujore, do të jetë jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 40,000 lekë dhe deri në 176,416 paga maksimale.

Sipas këtij rregulli një person me pagë maksimale paguan sigurime 4.4 herë më shumë se personat me pagë minimale.

Me reformën e re të pensioneve, kufiri ndërmjet pensionit minimal dhe maksimal u hoq, por ekspertët vërejnë se ky parim nuk u respektua.

Efektet e reformës së vitit 2014 priteshin veçanërisht në rritjen e pensioneve maksimale. Rritja e kufirit të pagës maksimale për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore duhet të garantonte një rritje të shkallës së zëvendësimit për pensionet maksimale, por kjo nuk po ndodh, pohojnë ekspertë të fushës.

Ende mbetet raporti 1:2 midis pensionit minimal dhe atij maksimal nga skema bazë kontributive e sigurimeve shoqërore, ndërkohë që raportet e pagave mbi të cilat mbahen kontributet janë 1:4.5.

Kjo e drejtë duhet të korrigjohet njëherë e mirë në ndryshimet që po i bëhen ligjit të pensioneve.

 

Burimi: ISSH

 

Tranzicioni demografik, 40% e popullsisë pensionistë më 2070

Projeksionet e fundit të Kombeve të Bashkuara, që i takojnë vitit 2022, tregojnë se Shqipëria po shkon drejt një tranzicioni të fortë demografik. Deri në vitin 2070, pjesa e të moshuarve pritet të arrijë në 40% të popullsisë në krahasim me vetëm 17% aktualisht.

Gjatë së njëjtës periudhë, popullsia në moshë pune në grupmoshën (25–64 vjeç) parashikohet të bjerë 41% të popullsisë totale deri më 2070 nga 54 aktualisht. Ndërsa raporti i varësisë së moshës së vjetër (grupmosha +65 në raport me popullsinë 25-65 vjeç) do të rritet më tej.

Raporti i varësisë për moshat e vjetra nga 26% aktualisht do të rritet në 83% deri në vitin 2070, më e lartë në të gjithë rajonin. Flukset e larta të emigracionit, rritja e jetëgjatësisë dhe normat e ulëta të lindshmërisë e nxisin këtë prirje afatgjatë.

Nga ana tjetër, tendencat e tregut të punës shtojnë sfidat demografike. Shkalla e mbulimit me sigurime në popullsinë në moshë pune është shumë e ulët në Shqipëri.

Për shembull, në vitin 2023, rreth 1.86 milionë njerëz ishin të moshës 15-64 vjeç, prej tyre vetëm rreth 44% ishin kontribuues në skemën e pensioneve.

Rreth 56% e popullsisë në moshë nuk ishin as kontribuues dhe as pensionistë. Midis të vetëpunësuarve, një numër i vogël kontribuon skemë rurale, ndërsa të vetëpunësuar të tjerë kontribuojnë në skemën kryesore dhe përbëjnë vetëm 10% e totalit të kontribuuesve, teksa vetëpunësimi zë gati 30% të punësimit total në vend.

Banka Botërore analizon se shkalla e ulët e mbulimit të kontribuuesve ngre rrezikun për rritjen e fortë të pensioneve të pjesshme në të ardhmen.

Nënraportimi i pagave, i vërejtur nga hendeku midis pagës mesatare nga të dhënat e sigurimeve shoqërore dhe nga Instituti i Statistikave, është gjithashtu një shqetësim.

Sistemi aktual i pensioneve mbulon pothuajse të gjithë të moshuarit. Raporti i përfituesve në popullsinë mbi popullsinë 65 vjeç është nga më të lartët në rajon, sipas një analize të zhvilluar së fundi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për qëndrueshmërinë fiskale të skemës së pensioneve në Shqipëri.

Nga ana tjetër, numri i lartë i përfituesve është nxitur nga rregullat e mëparshme për pensionet e pleqërisë (mosha më e ulët e pensionit, pensioni i parakohshëm, pensionistët me aftësi të kufizuar etj.

 

Burimi: ISSH, Rajoni, Entet Publike të Pensioneve

 

Deficiti i skemës është përmirësuar, por pensionet po vijnë me ulje

Rritja e numrit të pensioneve të pleqërisë u përshpejtua në vitin 2023, me ritmet më të larta të gjashtë viteve të fundit. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore 590,649 persona morën pension pleqërie në vitin 2023, me rritje vjetore 3,1%.

Stoku i pensionistëve u zgjerua me rreth 17 mijë vitin e kaluar, një numër më i lartë pasi mesatarja vjetore, që nga 2010, me shtesë 15 mijë në vit.

Ndryshe nga pritshmëritë, rritja e numrit të përfituesve nuk po ushtron presion mbi shpenzimet buxhetore, pasi pjesa më e madhe e atyre që po dalin në pension nuk i plotësojnë kushtet për pagesa të plotë.

Në anën tjetër, rritja e pagës minimale dhe pagave në tërësi në sektorin publik dhe atë privat kanë ndikuar pozitivisht të ardhurat nga kontributet.

Të ardhurat nga sigurimet shoqërore nga kontributet e personave juridikë dhe fizikë vitin e kaluar arritën në 121,4 miliardë lekë, ose 17.7% më shumë se në vitin 2022.

Rritja e të ardhurave dhe frenimi i shpenzimeve bënë që subvencioni i buxhetit për skemën e sigurimeve të zbresë në 14,6 miliardë lekë në vitin 2023, vetëm 0.8% e PBB-së, nga 23 miliardë lekë që ishte në vitin 2022.

Buxheti i shtetit subvencionon shpenzimet e skemës publike të pensioneve që nuk mbulohen nga sigurimet.

Por duke qenë se pensionet e reja po dalin më të ulëta se pensioni mesatar në vend, subvencionet e buxhetit për skemën e pensioneve po ulen.

Por teksa buxheti i shtetit ka ulur ekspozimin nga deficiti i skemës së sigurimeve, pensionistët nga ana tjetër, vit pas viti, marrin pagesa më të ulëta teksa kostot e jetesës po rriten.

Kontribuuesit dhe përfituesit u rritën me ritme të ngjashme në vitin 2023, duke bërë që për çdo pensionist të ketë 1.17 kontribuues një nivel i njëjtë me vitin 2022.

Nga ana tjetër, pensionet e reja të vitit 2023 ishin ndjeshëm më të ulëta se pensioni mesatar. Të dhënat zyrtare nga ISSH referojnë se ata që dolën në pension vitin e kaluar morën mesatarisht 15,560 lekë në muaj, vlerë kjo të paktën 15% më e ulët se pensioni mesatar në shkallë vendi mbi 18,300 lekë në muaj.

 

Burimi: ISSH

 

Burimi: ISSH

Marrë nga Monitor.al