Aplikacion
Ekonomia e Europës po goditet nga të gjitha anët! Në fillim Putin, tani Xi. Më pas Trump?, shkruan The Economist
Një dekadë më parë, Xi Jinping u mirëprit në Duisburg të Gjermanisë. Ai e vlerësoi rajonin si një qendër për investimet kineze, përmendi një tren që kishte kaluar dy javë, duke udhëtuar nga qyteti Chongqing, në Rusi, derisa kishte mbërritur në brezin industrial të Europës, më pas Xi shijoi një performancë orkestrale të këngëve tradicionale.
Kohët e fundit, një tjetër mbërritje nga Kina në Gjermani u prit me më ftohtësi. Në shkurt, një anije e quajtur BYD Explorer Nr. 1, shkarkoi rreth 3000 makina elektrike të prodhuara nga një firmë kineze e automjeteve elektrike, me emër BYD.
Siç duket nga emri i anijes, ajo do të pasohet nga të tjera. Nuk është për t’u habitur që kjo ka shkaktuar shqetësime për të ardhmen e prodhuesve gjermanë të makinave, që janë shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit.
Kina po prodhon makina pa fund, ndërsa qeveria e saj ofron para dhe kredi për industrinë e teknologjisë së lartë, duke u përpjekur të rigjallërojë ekonominë kineze që ka ngecur në vend. Suficiti tregtar i prodhimit ka arritur tashmë një rekord të lartë si pjesë e PBB-së globale dhe pritet të rritet edhe më tepër.
Për rrjedhojë, udhëheqësit europianë kanë frikë nga fluksi i mallrave të përparuara dhe të lira kineze. Më 5 mars, Komisioni Europian deklaroi se Kina kishte subvencionuar në mënyrë të padrejtë prodhuesit e makinave elektrike, duke paralajmëruar për vendosjen e tarifave ndëshkuese.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e paralajmëroi Kinën që të mos “garonte me dredhi” në teknologjinë e gjelbër. Britania ka nisur një hetim mbi ekskavatorët e vendit. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të mirëpresë në Paris presidentin kinez Xi në maj. Diplomatët thonë se ai do të përcjellë “mesazhe të forta” për tregtinë.
Në fakt, shtete të ndryshme të botës, nga Brazili në Indi, po bëjnë lëvizje për të bllokuar eksportet e Kinës. Megjithatë, këto eksporte janë një kërcënim i veçantë për prodhuesit europianë, për shkak të modelit të rritjes së kontinentit, që prej kohësh ka pasur në zemër tregtinë.
Sipas studiuesve të FMN-së, Europa është rajoni i botës më i hapur për tregti dhe investime (shih grafikun 1).
Në BE, tregtia e mallrave dhe e shërbimeve arrin në plot 44% të PBB-së, pothuajse dy herë më shumë se në Amerikë. Si një bllok i mbështetur në rregulla, BE-ja nuk dëshiron të shkelë rregullat e tregtisë në mënyrë shumë flagrante, duke ngritur barriera. Në një gjendje të tillë është edhe Britania, e cila njihet për mbështetjen e tregtisë së lirë.
Goditja e re nga Kina ka ndodhur në një kohë shumë të keqe për industrinë europiane. Ajo po përballet ende me goditjen energjetike të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, që nisi pikërisht në kohën kur udhëheqësit e shteteve europiane po përpiqeshin të përshpejtonin tranzicionin e gjelbër.
Çmimet e gazit, që zakonisht janë rreth 20 € (22 dollarë) për megavat/orë, u rritën në më shumë se 300 € në vitin 2022, duke rritur edhe çmimin e energjisë elektrike në tërësi (shih grafikun 2). Rimëkëmbja pas Covid-19 u thye nga inflacioni dhe kriza energjetike. Banka Qendrore Europiane (BQE) u detyrua të rrisë normat në nivelin 4%, duke goditur kërkesën në një ekonomi që ishte tashmë e dobësuar.
Lëvizjet fiskale gjatë krizës pandemike dhe energjetike i kanë lënë vendet pa shumë hapësirë për manovrim. Kufijtë e rreptë të deficitit e kanë detyruar Gjermaninë të bëjë shkurtime në buxhet këtë vit dhe më shumë shkurtime priten në vitin 2025.
Franca sapo ka njoftuar se deficiti i saj në vitin 2023 ishte sa 5.5% e PBB-së, shumë më tepër se parashikimet. Vendi tashmë ka zbatuar “frenën urgjente” siç e quajti ministri i Financave, Bruno Le Maire, që nënkupton shkurtimin e shpenzimeve me 10 miliardë euro, për ta rikthyer politikën fiskale në rrugën e drejtë.
PBB-ja e BE-së është rritur me vetëm 4% në terma realë që nga viti 2019, sa gjysma e ritmit të rritjes së Amerikës. Në Britani dhe në Gjermani, PBB-ja për frymë madje ka rënë (shih grafikun 3).
Sipas parashikimeve zyrtare, BE-ja dhe Britania do të kenë rritje ekonomike prej më pak se 1% këtë vit; të tjerat janë të pasigurta për t’u parashikuar. Ndërsa produktiviteti amerikan duket se është rritur gjatë pandemisë, ai i Europës po çalon. BQE-ja, udhëheqësit kombëtarë, grupet e ekspertëve dhe dy ish-kryeministra italianë,
Enrico Letta dhe Mario Draghi, po përpiqen të kuptojnë pse po ndodh kjo gjë. Në të njëjtën kohë, po shfaqet një tjetër kërcënim: nëse Donald Trump do të fitojë zgjedhjet presidenciale në Amerikë, eksportuesit europianë mund të goditen me tarifa shitjeje në një nga tregjet e tyre më fitimprurëse.
Një goditje e papritur
Pra, ndërsa ekonomia e kontinentit po përpiqet të përshtatet me tronditjen që mori nga Rusia në vitin 2022, si do të përshtatet me një tronditje të re nga Kina dhe ndoshta edhe një të tretë nga Amerika? Goditja e parë nga Kina erdhi në vitin 2001, kur vendi hyri në OBT dhe përfitoi nga pengesat më të ulëta tregtare, duke sfiduar prodhuesit perëndimorë. Në Amerikë, disa rajone dhe sektorë u goditën rëndë.
Europa e kaloi më lehtë, sepse kjo tronditje përkoi me pranimin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE. Zhvillimi i shpejtë i anëtarëve më të rinj të BE-së, nxiti rritjen e produktivitetit të bllokut dhe kërkesën për mallra perëndimore.
Këtë herë do të jetë ndryshe. Megjithëse Kina po zgjedh gjithnjë e më shumë të prodhojë teknologji të lartë në përgjigje të betejave të saj ekonomike, presidenti Xi gjithashtu dëshiron ta largojë vendin nga industria perëndimore. Ai do që Kina të bëhet një udhëheqëse teknologjike në sektorë që shihen si të nevojshëm për fuqinë kombëtare, si robotët industrialë dhe pajisjet hekurudhore.
Një Kinë që synon të jetë më pak e varur nga inputet e huaja, do të blejë më pak makina, më pak makineri dhe më pak pajisje të teknologjisë së lartë, pikërisht lloji i mallrave që janë pika e fortë e eksporteve europiane. Ekonomia e Kinës është gjithashtu shumë më e madhe nga sa ishte në fillim të mijëvjeçarit.
Siç vëren Adam Wolfe nga firma këshillimore Absolute Strategy, rritja e eksporteve të Kinës që nga viti 2019, ka pasur pasoja të mëdha në pjesën tjetër të botës.
Për më tepër, firmat europiane tani përballen me konkurrencën kineze në tregje gjithnjë e më të ndërlikuara, si në atdhe, ashtu edhe në vendet e treta. Marrim si shembull makinat, që konsiderohen si “xhevahiri” i kurorës së industrisë europiane.
Ky sektor, së bashku me zinxhirin e tij të furnizimit, punëson gjithsej rreth 3 milion europianë. Por markat kineze tashmë përbëjnë rreth 9% të tregut të baterive të pastra në Europën Perëndimore, sipas të dhënave nga Matthias Schmidt.
Në të gjithë kontinentin, regjistrimet e reja të automjeteve të markave kineze u dyfishuan midis viteve 2022 dhe 2023. Markat franceze, gjermane dhe italiane duket se janë veçanërisht të prekshme ndaj kësaj konkurrence. Analistët në Bankën UBS mendojnë se pjesa e tregut global të prodhuesve të mëdhenj të makinave, do të bjerë nga 81% sot, në 58% deri në vitin 2030.
Udhëheqësit europianë duan të zhvillojnë industritë e gjelbra dhe po derdhin me miliarda në përpjekjet për tranzicionin e gjelbër të ekonomisë për mbrojtjen e klimës. Megjithatë, kompanitë europiane që prodhojnë për tregun masiv, do ta kenë të vështirë të garojnë me vlerën që ofrojnë konkurrentët kinezë.
Kina tashmë mbizotëron në prodhimin e turbinave me erë dhe në vitin 2022, kishte një pjesë tregu prej 60%, sipas Këshillit Global të Energjisë së Erës.
Kjo bën të mundur që prodhuesit kinezë të gëzojnë burimet e nevojshme për risi të mëtejshme. Dhe gjërat po shkojnë vetëm në një drejtim. Treguesi i çmimeve të prodhimit në Kinë, që mat çmimet e mallrave në fabrika, ka rënë për 17 muaj dhe është afërsisht në nivelin e vitit 2019. I njëjti tregues për BE-në, edhe duke përjashtuar kostot e energjisë, është pothuajse një e katërta më shumë se niveli i katër viteve më parë.
Përpjekjet e Europës për të “zhdukur rrezikun” që vjen nga Kina, domethënë, për të marrë më pak inpute jetike nga ai vend dhe për të kufizuar investimet dhe eksportet e mallrave të teknologjisë së lartë drejt Kinës, do të shkaktojnë rritjen e kostove.
Në një punim të fundit, Julian Hinz dhe bashkautorët e tij në Universitetin Bielefeld, kanë studiuar efektet e një shkëputjeje të vështirë nga Kina dhe aleatët e saj. Ekonomia europiane e ndërthurur më ngushtë me Kinën është Gjermania dhe asaj, një shkëputje e përshkallëzuar nga Kina, do t’i kushtonte 1.2% të PBB-së, afërsisht njëlloj sa do t’i kushtonte Japonisë.
Shtetet e tjera të mëdha europiane dhe Amerika, do të humbnin rreth 0.5% të PBB-së. Për Kinën, humbja do të shkonte në rreth 2%.
Rreziku nga Amerika
Kostot e heqjes së rrezikut të varësisë kineze do të bëhen më të vështira për t’u përballuar, në rast se Trump fiton zgjedhjet në nëntor. Në këtë skenar, Amerika mund të vendosë taksa të reja për eksportuesit e kontinentit europian, të cilët vitin e kaluar shitën mallra me vlerë 500 miliardë euro në Amerikë. Në të vërtetë, 20 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, patën një suficit në tregtinë e mallrave me Amerikën.
Trump ngriti tensionet me Europën në mandatin e parë, kur Amerika vendosi tarifa të larta për aluminin dhe çelikun, duke goditur prodhuesit europianë. Europa u përgjigj duke vendosur tarifa për produktet amerikane, duke përfshirë burbonin dhe motoçikletat.
Pas ardhjes së Joe Biden, dy palët arritën njëfarë armëpushimi. Një mandat i dytë i Trump mund të jetë shumë më i dhimbshëm. Ish-presidenti ka propozuar një tarifë prej 10% për të gjitha importet e Amerikës. Robert Lighthizer, i cili e këshillon atë për tregtinë, ka shkuar edhe më larg, duke argumentuar së fundmi se mund të jenë “të nevojshme” tarifa edhe më të rrepta.
Një goditje e rëndë
Instituti Ekonomik Gjerman ka llogaritur ndikimin e mundshëm në rast se Amerika do të zbatonte tarifa prej 10% për importet e saj dhe do të ndëshkonte Kinën me tarifa edhe më të larta. Ekonomia amerikane do të pësonte një goditje, në formën e çmimeve më të larta të konsumit, por ajo e Europës do të dëmtohej edhe më tepër.
Eksportet totale të Gjermanisë do të ishin gati 5% më të ulëta deri në vitin 2028. Do të goditeshin edhe investimet private. Për rrjedhojë, PBB-ja gjermane do të ishte 1.2% më e ulët, e barasvlefshme me një humbje totale prej 120 miliardë eurosh në prodhim, deri në vitin 2028.
Një administratë Trump mund të shkojë edhe më larg, duke kërkuar të hakmerret kundër Europës për taksat e saj të shërbimeve dixhitale, të cilat shënjestrojnë firmat amerikane të teknologjisë, ose të hakmerret se Europa nuk pranon të ndjekë qasjen amerikane ndaj Kinës.
Ndërkohë, për sa u përket tensioneve midis Kinës dhe BE-së, ndoshta do të bëhen më të zakonshme hetimet për subvencionet dhe imitimet e lira. Për shembull, qeveria kineze, ka krijuar një ide të qartë se cili shtet europian qëndron pas vendimit të BE-së për të hetuar automjetet elektrike kineze. Në hakmarrje, Kina ka nisur një hetim tarifash importi për konjakun francez.
Franca i ka përshtatur subvencionet e automjeteve elektrike për klientët, në një mënyrë që të përjashtojnë markat kineze. Firmat kineze u ofruan klientëve një ulje të së njëjtës përmasë, një lëvizje që një analist e ka quajtur “një përshëndetje me një gisht për zotin Macron”.
Ndërthurja e energjisë, goditjeve të Kinës dhe rrezikut nga Trump, mund të çojë në një periudhë të zgjatur ristrukturimi në ekonominë europiane. Për konsumatorët e kontinentit, ky do të ishte edhe si një lloj bekimi. Luftërat tregtare i bëjnë mallrat më të shtrenjta dhe zvogëlojnë zgjedhjen, por kur Kina subvencionon panelet diellore, shërbimet europiane dhe familjet marrin energji më të lirë.
Disa rajone mund të përfitojnë gjithashtu. Vende si Spanja, me potencial në energjinë diellore, ose Suedia, me energji të erës dhe hidrocentrale, mund të tërheqin industri të reja.
Për shembull, në fillim të këtij viti, firma suedeze H2 Green Steel njoftoi se kishte siguruar 6.5 miliardë euro financim për fabrikën e saj pranë qytetit Lulea në veri të vendit.
Në mënyrë të ngjashme, disa firma të huaja do të duan të investojnë në Europë për të qenë pranë klientëve në një kohë kur tregtia është e vështirë. Polonia tërhoqi pothuajse 30 miliardë euro në Investime të Huaja Direkte (IHD) në vitet 2021 dhe 2022, dhe ndoshta po aq në vitin 2023.
Kjo është sa dyfishi i shumës që merrte zakonisht përpara pandemisë. IHD-të tani përbëjnë 25% të shpenzimeve kapitale të Polonisë, krahasuar me një mesatare prej 5% ose më shumë në vendet e industrializuara.
Disa erdhën nga Bosch, një firmë inxhinierike gjermane, dhe Daikin, një konglomerat japonez, të cilët po ndërtojnë fabrika të pompave të nxehtësisë në Poloni. Sipas një sondazhi nga firma këshillimore EY, rreth 67% e “vendimmarrësve ndërkombëtarë” presin që prania europiane e firmës së tyre do të rritet, nga 40% në vitin 2021.
Kjo mund të përfshijë kompanitë e mbrojtjes, të cilat do të furnizojnë forcat e armatosura të kontinentit dhe prodhuesit e pajisjeve elektronike në Kinë.
Por pjesa më e madhe e ristrukturimit të kontinentit do të jetë më pak e këndshme. Kompania Continental, një nga furnizuesit më të mëdhenj të pjesëve të këmbimit të makinave në Gjermani, po eliminon disa mijëra vende pune. Kompania Bosch do të heqë qafe 1200 pozicione në sektorin e softuerit të automobilave. Kompani të tjera në industrinë e makinave kanë njoftuar gjithashtu se do të bëjnë shkurtime.
Goditja e viteve të mëparshme që erdhi nga Kina, nxiti përparimet teknologjike në Europë, pasi punëtorët u zhvendosën në kompani më produktive që investuan në risi.
Por gjatë 15 viteve të fundit, firmat e prekura nga konkurrenca kineze kanë treguar shenja të rritjes më të ngadaltë të produktivitetit, sipas hulumtimit nga Klaus Friesenbichler në Institutin Austriak të Kërkimeve Ekonomike.
Megjithëse Gjermania është fuqia më e madhe prodhuese e Europës, sfida e trefishtë që përmendëm më sipër mund të prekë të gjithë kontinentin. Rajonet me industri që përdorin shumë energji, ose që prodhojnë produkte për shitje në masë në Europën Perëndimore, me shumë gjasa do të pësojnë humbje. Firmat e suksesshme lokale mund të investojnë më shumë jashtë shtetit, ndërsa ato përshtaten me proteksionizmin.
Sipas një sondazhi të BQE-së, gjatë pesë viteve të ardhshme, rreth 75% e bizneseve të mëdha në Eurozonë parashikojnë të diversifikohen, të lëvizin prodhimin më afër pikave të shitjeve ose të zhvendosin disa pjesë të bizneseve në shtete me politikë më të ngjashme me atdheun e tyre.
Re të errëta
Qeveritë nuk kanë shumë mundësi manovrimi për të lehtësuar kalimin në industri të reja, duke pasur parasysh se së fundmi, burimet financiare kanë qenë të pamjaftueshme.
Ato kanë premtuar se do të shpenzojnë më shumë para për mbrojtjen dhe kanë pak dëshirë për reformat e mëdha të BE-së që mund të ndihmojnë në nxitjen e rritjes ekonomike. Kohët e fundit, blloku miratoi një shumë prej 1.2 miliardë eurosh në subvencione publike për fushën “cloud-computing”.
Siç thekson firma McKinsey Global Institute, kjo shumë është sa rreth 4% e investimit vjetor të Amazon Web Service. Patentat në teknologjitë e reja regjistrohen kryesisht nga firma amerikane dhe kineze. Pavarësisht nga popullsia e madhe, BE-ja ende ka vështirësi.
Tregtia e mallrave të brendshme nuk është aspak e qetë. Tregjet e shërbimeve janë më të përçara se kurrë.
Duke pasur parasysh këto kushte, një qasje e dytë bëhet më tërheqëse: këmbëngulja për të ruajtur metodën e vjetër, për të cilën lobimi është shumë i fortë. Në një epokë kur po rigjallërohet e djathta populiste, politikanët nuk duan të fajësohen për humbjen e vendeve të punës.
Për më tepër, puna e vështirë teknike e thellimit të tregjeve të kapitalit apo integrimit të tregjeve të energjisë elektrike, i jep frytet me vonesë. Në Bruksel dhe në Paris, po rriten thirrjet për subvencione të padobishme dhe forma të tjera të proteksionizmit.
Ndërkohë, Gjermania i ka duart e lidhura nga një koalicion trepartiak që nuk mund të pajtohet as edhe për diçka të vogël, aq më pak për një çështje të mprehtë që prek gjeopolitikën dhe politikën industriale. Ndërkohë që politikanët europianë grinden, më shumë anije të huaja do të bëjnë udhëtimin drejt porteve të Europës./Monitor
Zendaya dhe Tom Holland do të martohenAta janë një nga çiftet më të famshëm dhe më të kërkuar të Hollivudit, ndaj fansat e tyre po presin me padurim lajmet e martesës.
Në fakt, vetë Zendaya ka folur për mundësinë e të pasurit fëmijë dhe martesës me Tom Holland në intervistat e saj të fundit.
“Është folur për martesë dhe ky është një realitet”, tha një burim për revistën People.
“Ata nuk janë lloji i yjeve që nxjerrin detaje nga jeta e tyre në mediat sociale. Të dy janë private”, tha burimi, i cili shton se vëmendja ndaj tyre ndërsa janë në sy të publikut “asnjëherë nuk ka qenë e lehtë apo e rehatshme për secilin prej tyre.”
Gjithashtu, vitin e kaluar në dhjetor, Zendaya mohoi lajmet e martesës, pasi publikoi një foto me unazë në Instagram.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur presidentin e PL-së, Ilir Meta, i cili pas Konventës mbajti fjalim poshtë ballkonit të liderit demokrat.
Berisha quajti Metën dhe anëtarët e tjerë të Partisë së Lirisë luftëtarë të lirisë dhe qëndrestarë të pamposhtur.
Ndërsa uroi Ilir Metën për zgjedhjen si president i PL-së në atë që e konsideroi si Konventën e betejës fitimtare.
Sali Berisha: Mirëmbrëma, përshëndetjet më të zjarrta luftëtarëve të lirisë, qëndrestarëve të pamposhtur. Urimet më të përzemërta presidentit të Partisë së Lirisë, anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve të saj për konventën historike, konventën e kthesës, konventën e betejës fitimtare.
Një përshëndetje të përzemërt zonjës së nderuar, atdhetares së flaktë, intelektuales, bashkëpunëtores të ngushtë të presidentit Rugova, zonjës Edita Tahiri. Një nderim të madh, të veçantë heroit të vërtetë të lirisë dhe dinjitetit njerëzor, Ylli Bodinakut, vepra e të cilit është sot më frymëzuese se kurrë.
Miqtë e mi, Ylli Bodinaku është ai qëndrestar, ai qytetar, ai shqiptar që vendosi në emër të lirisë të niset drejt vdekjes, nën moton o sot o kurrë dhe theu në Tiranë, Murin e Berlinit.
Ylli Bodinaku kur ndërmori aktin e tij nuk kishte mbrapa një parti, kishte idealet e tij dhe kauzën e drejtë për të cilën ai vendosi të sakrifikojë dhe jetën pa marrë parasysh asgjë sepse i tha vetes, ose i lirë dhe me dinjitet, ose i vdekur. Kështu nuk durohet.
Ilir Meta poshtë ballkonit të Sali Berishës: Simbol i integritetit njerëzor dhe shtetërorPasi u zgjodh President i PL-së në Koventën Kombëtare, Ilir Meta ka shkuar poshtë banesës së Sali Berishës në “rrugën e shpresës”.
Ilir Meta nga podiumi poshtë ballkonit u shpreh se Sali Berisha është simbol i integritetit njerëzor dhe shtetëror.
Presidenti i PL-së theksoi se ish-kryeministri është arrestuar pasi nuk u bë pjesë e pazareve të ulëta.
Ilir Meta: Oj Serbi murin ta prisha, se më thonë Sali Berisha. Po Sali Berisha është atje dhe nuk është këtu se doli kundër copëtimit të Kosovës, se doli kundër shpopullimit të Shqipërisë, se nuk u bë pjesë e pazareve të ulëta.
Ata kujtojnë se e kanë izoluar, por e kanë ndihmuar. I kanë dhënë një podium, më të lartë, e kanë afruar me qiellin dhe zotin, që të flasë më kthjellët.
Sali Berisha ka avantazhin që këta puçistët e Ramaformës dhe Ramoviçit e kanë ngjitur lart dhe sheh më kthjellët se ne këtu poshtë.
Jam të shumtë ata që thonë pse nuk ka ardhur Ilir Meta kë? Po si mund të vinte si kryetar, por vetëm si president dhe presidenti i përgjithshëm i republikës së Shqipërisë, zotin Sali Berisha.
Dua t’ju them të gjithëve, politika është politik, por atdheu është një dhe vetëm një. Besimet fetare janë të ndryshme, por udhëheqësit tanë fetarë na kanë lënë një mësim, pa atdhe nuk ka fe. Pa Shqipëri nuk ka parti. Ndaj jemi sot këtu.
SPAK apo SKAP nuk guxon t’i përmendë emrin Ramës në dy orë kaloi 17 vendime. Nuk po flas për PPP, për tendera sekret, për hata të tjera, këta mburren dhe thonë se po godasim pandëshkueshmërinë, duke u marrë me Sali Berishën, të cilin ka plot shqiptarë që se pëlqejnë, por i cili ka qenë një simbol i integritetit njerëzor dhe shtetëror.
Zbulimi amerikan: Vrasja e Aleksei Navalnit ndoshta nuk urdhërua nga PutiniSipas një artikulli të gazetës ‘Wall Street Journal’ të publikuar të shtunën, agjencitë amerikane të zbulimit kanë dalë në përfundimin se ndoshta presidenti rus Vladimir Putin, nuk ka urdhëruar vrasjen e politikanit opozitar Aleksei Navalnit në muajin shkurt ndërsa ai ndodhej në një burg në Arktik.
Aleksei Navalni, vdiq në moshën 47 vjeçare. Ai ishte kritiku më i fortë në vend i Vladimir Putinit. Aleatët e tij, të cilësuar si ekstremistë nga autoritetet, akuzuan presidentin rus për vrasjen e tij dhe kanë thënë se do të ofrojnë prova për të mbështetur pohimet e tyre.
Kremlini ka hedhur poshtë çdo përfshirje në vrasjen e Aleksei Navalnit. Muajin e kaluar, Vladimir Putini e quajti vdekjen e politikanit opozitar diçka “të trishtueshme” duke shtuar se ai ishte gati ta shkëmbente atë me Perëndimit me kushtin që zoti Navalni të mos kthehej më në Rusi. Aleatët e zotit Navalny kanë thënë se ishin duke u zhvilluar bisedime mbi këtë çështje.
Në shkrimin e saj gazeta ‘Wall Street Journal’ citonte persona të paidentifikuar që ishin në dijeni të raportit të agjencive amerikane të zbulimit, që sipas tyre kishin arritur në përfundimin se Vladimir Putini ndoshta nuk kishte urdhëruar që zotit Navalni të vritej.
Gazeta shkruante më tej se me këtë përfundim Uashingtoni nuk po e shfajësonte udhëheqësin rus nga përgjegjësia e përgjithshme për vdekjen e zotit Navalni, duke pasur parasysh se politikani opozitar kishte qenë për vite me radhë në shënjestër të autoriteteve ruse, ishte burgosur nën akuza që Perëndimi i ka cilësuar si të motivuara politikisht, si dhe ishte helmuar në vitin 2020, me një agjent nervor.
Kremlini mohon përfshirjen e shtetit në helmimin e vitit 2020.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të shtunën se kishte lexuar artikullin e gazetës, duke shtuar se ai përmbante “spekulime boshe”.
“Nuk mendoj se është material me cilësi të lartë që meriton vëmendje“, u tha ai gazetarëve kur u pyet për këtë çështje.
Agjencia e lajmeve ‘Reuters’ njoftoi se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur njoftimin e gazetës, që citonte burime sipas të cilave, gjetjet ishin “pranuar gjerësisht brenda komunitetit amerikan të zbulimit dhe ishte ndarë nga disa agjenci, përfshirë Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA-n), Zyrën e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar si dhe Njësinë e Zbulimit në Departamentit të Shtetit”.
Të njëjta burime i thanë gazetës se vlerësimi amerikan u bazua në një sërë informacionesh, disa prej tyre të klasifikuara, si dhe në një analizë të fakteve publike, përfshirë kohën e vdekjes së zotit Navalni dhe tek mënyra se si ngjarja sfumoi rizgjedhjen e zotit Putin në mars.
Gazeta citonte gjithashtu një ndihmës i lartë të zotit Navalni, Leonid Volkovin, i cili i quajti gjetjet e zbulimit amerikan, naive dhe qesharake./VOA
Iva Tiço kurorëzon dashurinë me partnerin në martesë, fotot e gazetares me fustanin e bardhëGazetarja Iva Tiço ka kurorëzuar në martesë dashurinë e saj me partnerin gjerman.
Lajmi është zbuluar nga miq të gazetares që kanë publikur foto të saj veshur me fustanin e bardhë.
Nuk dihen shumë detaje nga dasma, por presim që Iva Tiço të ndajë emocione nga ceremonia e celebrimit me ndjekësit e saj për të zbuluar më shumë rreth martesës së gazetares.
Iva Tiço ka disa vite e lidhur me partnerin gjerman, por e ka mbajtur larg syrit të publikut duke vendosur të jetë shumë diskrete.
“Flasim në shqip, në anglisht, në shqip-anglisht, i fus një fjalë gjermanisht. I them ‘Give me the ‘gota’ over there’. Zihemi duke bërtitur, që është edhe gjuhë ndërkombëtare, dhe me gjuhën e shenjave. Ai zihet në anglisht dhe unë aty nxehem më shumë se ai i gjen fjalët, ndërsa unë jo, në asnjë gjuhë. Ai më thotë në shqip ‘më dëgjo ti mua’.’,- tregoi Iva gjatë një interviste rreth dy vite më parë.
Rreth 1 vit më parë, në Ditën e Shënvalentit mori edhe propozimin për martesë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Iva e cila ka publikuar disa foto në Instagramin e saj ku shihet me unazën e vendosur në gisht.
“Nuk mbaj mend as nëse thashë “po”, as nëse më bëri ndonjë pyetje”, – shkroi ajo krahas fotove.
Në 27 prill të vitit 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, rreth 90 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë rreth 400 shqiptarë në një nga masakrat më të rënda gjatë luftës në Kosovë. Shumica e trupave të të vrarëve u gjetën në varreza masive ku ishin dërguar nga forcat serbe për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre.
Ministri gjerman: Synimi i Putinit s’është Ukraina, por EvropaGjermania do të vazhdojë ta përkrahë Ukrainën si një mburojë kundër synimeve të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, tha të shtunën ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.
“Ne po e mbështesim Ukrainën, sepse ajo është vija e parë e mbrojtjes sonë kundër Putinit”, tha Lindner.
Përmes pushtimit të Ukrainës, që e nisi më 2022, Putini dëshiron “të na sulmojë të gjithëve dhe mënyrën e jetës sonë”, tha Lindner.
Putini nuk dëshiron vetëm ta fshijë Ukrainën nga harta, por t’i ndajë Evropë dhe NATO-n dhe të sigurohet që Shtetet e Bashkuara të largohen nga Evropa, sipas tij.
“Synimi i Putinit nuk është Ukraina. Synimi i Putinit është të jetë në gjendje të ushtrojë pushtet mbi neve. Ai nuk duhet të ketë sukses në këtë kurrë”, theksoi ministri gjerman.
Për këtë arsye, tha ai, Gjermania duhet t’i përmirësojë patjetër aftësitë mbrojtëse për ta mbrojtur veten dhe aleatët e vet.
Fondi i veçantë që u krijua për ta përditësuar ushtrinë gjermane, pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës më 2022, do të përdoret brenda pak viteve, tregoi ai.
Forcat e Armatosura duhet pastaj të përditësohen nga fondet e rregullat. Por, kjo nuk do të jetë e mundur me një buxhet të kufizuar dhe me borxhin në rritje, paralajmëroi ai.
“Detyra që na pret për ta mbrojtur paqen dhe lirin në Gjermani, Evropë dhe në botë nuk është e kufizuar në vetëm në disa vite. Mbase është një detyrë që zgjat me dekada apo gjenerata”, tha Lindner.
Për t’u arritur kjo, theksoi ai, nevojitet përforcimi i ekonomisë./REL
Sherri me Jurgen Klopp, Salah: Nëse flas, do të ketë zjarrSulmuesi i Liverpool, Mohamed Salah është shprehur nëse ai flet “do të ketë zjarr” pasi debatit me trajnerin Jurgen Klopp gjatë barazimit 2-2 në Premier League në West Ham.
Salah dukej se u përplas me Klopp, teksa ai përgatitej të hynte në lojë si zëvendësues në minutën e 79-të.
Klopp tha se nuk do të zbulonte se për çfarë ndodhi debati, por ish-sulmuesi i Liverpool, Peter Crouch u shpreh për TNT Sports se “nuk duket mirë për klubin”.
“Salah është një lojtar që ka nisur shumicën e ndeshjeve për Liverpool-in dhe ai do të nxehet nëse qëndron në stol”, tha Crouch. “Por askujt nuk i pëlqen ta shohë këtë mes një trajneri dhe një lojtari kyç”.
Salah dukej i frustruar nga diçka që Klopp i tha atij teksa përgatitej për t’u futur në lojë dhe dukej se donte të zgjaste grindjen përpara se shokët e skuadrës Darwin Nunez dhe Joe Gomez ta largonin.
Rezultati e la Liverpoolin jashtë garës për titull. Ata janë të tretët në tabelë dhe duhet të mbështeten në humbjen e pikëve të Arsenalit dhe Manchester Cityt për të pasur një fije shprese.
Në një video në rrjetet sociale, Salah, teksa po ecte pranë gazetarëve pas ndeshjes, tha: “Nëse flas do të ketë zjarr”.
Një gazetar pyeti “Zjarr?” dhe Salah u përgjigj: “Po, sigurisht.”
Klopp tha më vonë: “Ne folëm për këtë në dhomën e zhveshjes dhe për mua është mbyllur”.
Klopp do të largohet në fund të sezonit dhe Liverpool këtë javë ranë dakord për kompensimin me vlerë deri në 9.4 milion paund.
Ka pasur edhe spekulime për të ardhmen e Salah, i cili ka shënuar 210 gola në 346 paraqitje në shtatë vjet në Liverpool, por kontrata i skadon në fund të sezonit të ardhshëm.
Ai ishte i lidhur me një lëvizje në Arabinë Saudite sezonin e kaluar dhe ato thashetheme kanë filluar të qarkullojnë edhe një herë.
Fruti që ul rrezikun e sulmit në zemër, sasia që duhet të konsumoniSipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundjet kardiovaskulare janë vrasësit kryesorë në mbarë botën, duke marrë afro 18 milionë jetë çdo vit.
Sipas një studimi të ri, konsumi i të paktën dy avokadove në javë, mund të zvogëlojë rrezikun e një ataku në zemër.
Konsumimi i avokadove zvogëlon rrezikun e sulmeve në zemër si te burrat ashtu edhe te gratë.
Njihuni më poshtë me rezultatet e studimit dhe sasinë që sipas ekspertëve mbron shëndetin tuaj kardiovaskular.
Çfarë tregon studimi?
Studimi mbi faktorët e rrezikut të sëmundjeve kronike, ndoqi më shumë se 100,000 gra dhe burra për katër vjet.
Për të shqyrtuar këtë ndikim, studiuesit zëvendësuan të njëjtën sasi vezësh, kosi, djathi, margarine, gjalpi dhe mishi të përpunuar me avokado. Ata vunë re se ndryshimet në shëndet ishin të mëdha.
Në vend të avokadove ju mund të konsumoni ushqime me një profil ushqyes të ngjashëm.
Të tilla si arrat, bajamet, ullinjtë, vaji i ullirit, fara si kungulli ose liri, fasule, qiqra dhe thjerrëza.
Për të parandaluar sëmundjet e zemrës mbani nën kontroll peshën, presionin e gjakut, kolesterolin.
Gjithashtu menaxhoni stresin, kufizoni alkoolin, shmangni duhanin, bëni gjumë të qetë, stërvitje të rregullt dhe ushqhehuni shëndetshëm.
Yndyrnat e shëndetshme që duhet të konsumoni janë vaji i ullirit, i kikirikut dhe vaji i susamit, së bashku me avokadot, gjalpin e kikirikut, arrorët dhe farat.
Shmangni yndyrnat e ngopura dhe yndyrat trans që rrisin nivelet e LDL, të njohur si “kolesteroli i keq”.
Të tilla janë produktet e qumështit, vezët, gjalpi dhe pjesët yndyrore të viçit, derrit dhe shpendëve me lëkurë.
Këto yndyrna mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe diabetit të tipit 2.
Ato shpesh mund të gjenden edhe tek ushqimet e skuqura apo ëmbëlsirat./AgroWeb.org