zoom

Day ArchiveZakonet dhe ushqimet që vështirësojnë funksionin e sistemit tretës

Funksionimi i duhur i sistemit tretës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shëndetin tonë të përgjithshëm. Megjithatë, a e dini se çfarë duhet të shmangni?

Zakone të këqija

Alkooli, duhani, zgjedhjet ushqimore jo të shëndetshme, mënyra e jetesës sedentare dhe konsumimi i tepërt i kafeinës janë zakone të dëmshme, si për shëndetin ashtu edhe për gjendjen e sistemit gastrointestinal.

Ankthi dhe stresi

Ankthi dhe stresi i tepërt detyrojnë sistemin gastrointestinal të punojë me ritme intensive, duke krijuar probleme në proceset që ndodhin. Prandaj, është mirë të jemi në gjendje të menaxhojmë këto lloj emocionesh për të mbrojtur shëndetin tonë mendor dhe fizik.

Sheqeri

Siç e dimë, sheqeri nuk mund të na sjellë dobi në asgjë, pasi nuk përmban absolutisht asnjë lëndë ushqyese për të cilën trupi ynë ka nevojë. Në të njëjtën kohë, ajo shkakton një problem të madh në zorrë dhe çon në një rritje të tepërt të majave.

Gluteni

Shumë njerëz janë intolerantë ndaj glutenit, kështu që është mirë ta shmangni atë. Në fund të fundit, është vënë re se ky përbërës specifik, nëse konsumohet në sasi shumë të mëdha, mund të çojë në grumbullimin e lëngjeve, duke shkaktuar fryrje, dhimbje barku dhe çrregullime në sistemin tretës.

Ushqimet e përpunuara

Ushqimet e përpunuara shkaktojnë shtim në peshë, nëse konsumohen në intervale të rregullta, rrisin rrezikun e diabetit të tipit 2, por edhe sëmundjeve kardiovaskulare. Në të njëjtën kohë, ngërçet, dhimbjet e forta të barkut dhe fryrjet e barkut janë “simptoma” të zakonshme pas konsumimit të tyre.

Ka disa ushqime që duhet t’i zgjedhim sa më shpesh për të mbrojtur dhe mbrojtur shëndetin e sistemit tonë gastrointestinal. Megjithatë, nëse doni të merrni informacion dhe këshilla të specializuara, do të ishte mirë t’i drejtoheni një eksperti./ Living

Gazetari “plas bombën”: Meta njoftoi arrestimin sot

Gazetari Bledian Koka analizoi diskursin politik të ditëve të fundit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Në konferencën e kësaj të mërkure, Meta përmendi për herë të parë burgun dhe kjo deklaratë, për gazetarin Koka ishte njoftimi i dhënë prej tij për arrestimin e tij.

“Meta i bën këto zakonisht sa herë që nis betejat e tij politike. Siçe ka bërë në 2011-ën siç e ka bërë më 2 mars dhe të gjitha betejat politike i ka shoqëruar me diskurs të ashpër politik. Ndryshimi është se kjo betejë ka të bëjë me aktorët e drejtësisë që po i trajton njësoj si aktorë politikë.

Meta po i pararend një zhvillimi të mundshëm. Foli sot si një njeri që pritet të arrestohet. Artikulimi i sotëm ishte njoftimi i një arrestimi të paralajmëruar”, tha Bledian Koka në “Top Story”.

Meta paralajmëroi sot kreun e SPAK, Altin Dumani se edhe nga burgu do t’ja shpërbëjë celulën ku ai bën pjesë.

“Pse mo palaço ka frikë Ilir Meta nga burgu yt dhe amerikanëve si Adriano dhe McGonigali?

Edhe nga burgu do ta shpërbej atë celulë kriminale. Do sjellësh ti demokracinë në Shqipëri, të kanë thënë në të më fusësh në burg amerikanët e tu, po kur të doni. Mua ka dashur legjendari të më fusë në burg që në 1992″, u shpreh Meta ndër të tjera.

Trondit Karamuço: Një politikan i ka vendosur dy plumba në shtëpi një raportuesi

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço foli këtë të mërkurë për një politikan, që ka kërcënuar një raportues për çështjet e pastrimit të parave duke i çuar plumba në shtëpi.

Deklaratën e fortë Karamuço e bëri në studion e “Top Story”, teksa diskutohej për akuzat e Ilir Metës ndaj SPAK dhe Altin Dumanit gjatë ditëve të fundit.

“Unë shikoj një fenomen të politikanëve që po përballen me SPAK, kanë të njëjtat simptoma kanë krijuar armiqësi me njerëzit e afërm, deri te dhuna fizike, goditje në zyra me shqelma.

Ka një rast që nuk është raportuar, del rrallë nëpër mediat, por është raportues shumë i mirë, shumë i lidhur me ambasadat, ka bërë një raport me pastrimin e parave në Shqipëri, si duket një politikani i është prishur punë dhe personit në fjalë i janë gjetur dy plumba në derë të shtëpisë, ka indicie se kush nga këta politikanë e ka bërë këtë.

E inkurajova ta denonconte por ai person ka urdhëruar dhe vrasje tha dhe s’dua ti hap probleme shtëpisë”, tha Ervin Karamuço.

Drama e eksporteve sa vjen e thellohet, tkurren 22.3% për 3-mujorin

Eksportuesit nuk kanë arritur që të ngrenë kokë në muajt e parë të këtij viti, duke parë një rënie të ndjeshme të të ardhurave të tyre, të ndikuara si nga konjunktura e pafavorshme e çmimeve dhe kërkesës në tregjet ndërkombëtare dhe rënies së euros në tregun e brendshëm.

Për tekstilet e këpucët, grupi kryesor i eksporteve dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend, tkurrja sa vjen e po thellohet, duke dhënë efektin kryesor në ecurinë negative të marsit. Ndërkohë, për herë të parë në shumë vite, të gjitha grupet ishin me rënie, që ishte dyshifrore, përveç ushqimeve e pijeve që e kishin tkurrjen njëshifrore.

Sipas INSTAT, gjatë muajit Mars 2024, në uljen e eksporteve prej -21,0%, negativisht kanë ndikuar grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -7,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,8 pikë përqindje, Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,6 pikë përqindje etj.

Tkurrja është e fortë për gjithë tremujorin. Sipas INSTAT, në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 95 mld lekë, duke u ulur me -22,3%. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -11,1 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -3,6 pikë përqindje, etj.

Tekstilet dhe këpucët nuk ngrenë kokë, ecuria më negative edhe se në pandemi

Në mars, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend (me 29% të totalit), ranë me 25.6%, nga 15.7%, që ishte tkurrja për shkurtin. Për tremujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 27 miliardë lekë, me një tkurrje prej 20% me bazë vjetore.

Prej muajsh industria po kalon një periudhë të vështire e ndikuar nga shumë faktorë si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Ecuria është më negative edhe se gjatë periudhës së pandemisë, kur ekonomia globale u bllokua përkohësisht.

Florjan Zekja, nga Shoqata e Eksportuesve tha se ka disa arsye për këtë tkurrje të fortë. Së pari, rënia e euros ka demoralizuar tregun dhe ka krijuar mungesë besimi për të ardhmen e klientëve.

Së dyti, rritja e kostove të brendshme dhe të jashtme, si rritja e pagave dhe kostove të tjera siç janë transporti nga Kina si pasojë e luftërave apo dhe apo me vendet e tjera si Gjermania apo Austria me rritjen e taksave rrugore të karbonit.

“Këto çojnë në humbjen e konkurrencës në rajon dhe spostimin klientëve në vende më të leverdishme të cilat kanë fuqi punëtore më të lirë dhe lëndë të parë në vend”, tha Zekja.

Aktualisht një euro këmbehet me më pak se 102 lekë, nga 116 lekë që ishte në shkurt-mars 2023.

Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve. Falimentet më të mëdha kanë ndodhur në rrethe dhe në fabrika që kishin të punësuar nën 120 punonjës, që punonin kryesisht me nënkontraktim, të cilat kishin norma më të ulëta fitimi dhe nuk ishin në gjendje të përballonin krizën.

Materiale ndërtimi dhe metale vijojnë tkurrjen

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi i dytë më të madh në vend për tre mujorin, me 19.4% të totalit. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në mars ky grup ra me 23.3%, ndërsa për 3 mujorin tkurrja është 19.3%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.

Minerale, lëndë djegëse, energji me rënie të fortë

“Minerale, lëndë djegëse, energji” ishte grupi i tretë më i madh në vend, me 19.2% të totalit, si rrjedhojë e tkurrjes së fortë në muajt e parë të vitit. Në mars grupi i reduktoi shitjet me 27.2%, ndërsa për 3 mujorin rënia është 43%, e ndikuar nga ecuria negative në janar dhe shkurt. Ecuria e këtij grupi është e varur nga shitjet e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin.

Ushqime, pije e duhan shënojnë rënie

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit iu rikthye rënies në mars, pas një rritjeje modeste në dy muajt e parë të vitit. Në mars, eksportet e këtij grupi ranë me 4.2%, pas rritjes së dobët prej 1.5% në shkurt. Pavarësisht potencialeve, sektori po ndikohet nga rritja e kostove, që po e bëjnë atë më pak konkurrues në rajon si dhe nga ecuria e motit. Negativisht ka ndikuar dhe rënia e çmimeve të produkteve të eksportuara.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive. Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në mars eksportet ranë me 11.6%, ndërsa për 3 mujorin tkurrja është 10.6%.

Rritet deficiti tregtar

Sipas INSTAT, Në Mars 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 miliardë lekë, duke u ulur me -21,0%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 3,4%, në krahasim me Shkurt 2024. Importet e mallrave arritën vlerën 75 miliardë lekë, duke u ulur me 7,0%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 1,3%, në krahasim me Shkurt 2024. Deficiti tregtar i këtij muaji është 42 miliardë lekë, duke u rritur me 8,3%, krahasuar me Mars 2023 dhe duke u ulur me -0,4%, në krahasim me Shkurt 2024.

Në këtë tremujor eksportet e mallrave arritën vlerën 95 miliardë lekë, duke u ulur me -22,3%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 209 miliardë lekë, duke u rritur me 0,4%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 114 miliardë lekë, duke u rritur me 32,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Eksportet bien me Italinë e Kosovën, rriten me Maqedoninë e Veriut e Mbretërinë e Bashkuar

Në muajin Mars 2024, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Mars 2023 janë: Maqedonia e Veriut (8,5%), Mbretëria e Bashkuar (39,7%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (10,9%), Kosova (15.1%) dhe Greqia (22.6%). Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (11,7%), Kosova (7,3%) dhe Greqia (37,5%).

Në muajin Mars 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Turqia (7,1%), Kina (0,9%) dhe Gjermania (7,2%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (1,5%), SHBA (26,6%) dhe Maqedonia e Veriut (27,5%). Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (21,6%), Greqia (25,8%) dhe Gjermania (10,5%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (3,1%), Kina (10,0%) dhe Spanja (5,2%)

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 60,3%, të gjithë tregtisë. Në Mars 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,3% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,0%), Turqia (8,9%), Greqia (7,2%) dhe Gjermania (7,0%).

Shkëmbimet tregtare, për tremujorin e parë 2024, me vendet e BE-së zënë 58,8% të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Mars 2024, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 74,6% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,7% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,6%), Turqia (9,6%), Greqia (7,3%) dhe Gjermania (7,1%)./ Monitor

Ekzekutimi i Gentjan Bejtjes/ Dëshmitari jordanez rrëfen dinamikën e ngjarjes: Pashë…

Rreth një muaj pasi ish-polici Gentjan Bejtja u ekzekutua brenda oborrit të banesës së tij në Fushë Kuqe, zbardhet dëshmia e një prej dëshmitarëve, që hedh më shumë dritë mbi dinamikën e ngjarjes.

Pjesë e dosjes hetimore të policisë është dëshmia e një shtetasi jordanez, i cili ka qëlluar pranë vendit të ngjarjes në momentin që atentatorët u afruan te banesa për të vrarë Gentjan Bejtjen.

Sipas tij, në atë moment në rrugë ka parë dy motorë të dyshimtë dhe më pas dy mjete të ndaluara, një prej të cilëve nuk kishte targa.

“Sapo kalova kryqëzimin e rrugës dytësore, në rrugën që të nxjerr te karburant ‘K….’, përpara automjetit tim unë pashë dy motorë katër rrotësh, një automjet ‘Golf’ të zi, model 5 ose 6 tip i ri, pa targa në pjesën e pasme si dhe një automjet tjetër me ngjyrë gri, që targën nuk ia fiksova dot.

Ajo që konstatova më tej është se në afërsi të këtyre automjeteve dhe motorëve ndodheshin tre persona që qëndronin në këmbë. Ndërsa dy të tjerë, shoferi dhe pasagjeri i përparmë, ndodheshin në mjetin tip ‘Golf’ të zi. Ajo që munda të dalloj me tej është se të tre personat që qëndronin në këmbë në rrugë pranë motorëve, kishin kapuçin e xhupave në kokë, dhe nuk i kanë hequr për asnjë moment. Dhe ata po qëndronin pothuaj ngjitur me mjetin tip ‘Golf’ dhe po flisnin me njëri tjetrin”,

Në këtë situatë unë u ndjeva i frikësuar, dhe vendosa t’i kaloj anash mjeteve të dyshimta që kishin ndalur në rrugë. Por vetëm pasi lëviza rreth 100 metra, para se të dilja në rrugën kryesore, unë vura re pas meje mjetin tip ‘Golf’ të Zi, që po ma bënte me drita. Dhe që po kërkonte t’i hapja rrugën dhe të kaloja përpara. Kjo ishte hera e fundit që e pashë mjetin ‘Golf’ të zi. Ndërsa më parakaloi, ky mjet shtoi shpejtësinë deri në kryqëzimin e aksit kryesor rrugor Fushë Krujë-Laç dhe më pas u kthye djathtas në drejtim të Fushë-Krujës”, është dëshmia e jordanezit, pjesë e dosjes hetimore të zbardhur nga emisioni “Në shënjestër”.

Gentian Bejtja, ish-polic dhe eksponent i njohur i botës së krimit, u ekzekutua në atentatin e katërt ndaj tik pasditen e 15 marsit në banesën e tij.

Ndaj tij u derdh breshëri plumbash kallashnikovi.

Bejtja ishte në kërkim për t’u marrë në pyetje lidhur me atentatin që u bë ndaj tij më korrik 2023.

Shqipëria del nga lista e vendeve në monitorm nga KiE pas 29 vjetësh

Shqipëria nuk është më pjesë e listës së vendeve në monitorim nga Këshilli i Evropës.

Për herë të parë pas 29 vjetësh, vendi ynë doli nga kjo listë duke u vlerësuar, sipas ministrit të Jashtëm Igli Hasani, për reformën në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit dhe përparimin në demokraci.

“Faleminderit Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportuesit Ionut Stroe, për njohjen e reformave transformuese të drejtësisë në Shqipëri, luftën tonë kundër korrupsionit dhe përparimin e Shqipërisë në të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Angazhimi i Shqipërisë ndaj standardeve të Këshillit të Evropës, ka qenë i palëkundur dhe përpjekjet tona të pandërprera më në fund po japin rezultatet e shumëpritura”, tha Hasani në rrjetet sociale.

Shqipëria është anëtarësuar në KiE në 13 Korrik 1995 dhe ka qenë në procedurë monitorimi që prej atij viti.

Gjurmët e Artur Shehut në Vlorë

Vlonjati kontrovers, Artur Shehu, vijon që ta shtojë pasurinë e tij në Shqipëri, edhe pse jeton në SHBA prej më shumë se dy dekadash.

Me vulë të kryeministrit Rama, kompania e Shehut, Adhenis, po ndërton një godinë dykatëshe shërbimi, pikërisht në një hapësirë, ku qeveria shqiptare ka shpenzuar rreth 4 milionë euro për një park publik.

Bëhet fjalë për projektin Lungomare 2, që shtrihet nga fusha e sportit, në zonën e njohur si Uji i Ftohtë, dhe përfundon te tuneli i ndërtuar gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë.

Ky nuk është investimi i vetëm që Shehu ka në jug të vendit. Kompania Adhenis, aksionar i vetëm i së cilës është zoti Shehu, është ndër financueset e raportit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis Vjosë-Nartë. Në këtë zonë, ku po ndërtohet edhe aeroporti i Vlorës, Artur Shehu ka përfituar nga tjetërsimi i titujve të pronësisë rreth 500 hektarë.

I hetuar në Itali, me lidhje me mafien vendase, i përmendur në disa dosje të tjetërsimit të pronave nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, i akuzuar nga banorët lokalë si person që iu ka uzurpuar pronat, ndaj Shehut nuk konfirmohet asnjë hetim zyrtar. INA Media tentoi që të kontaktonte me zotin Shehu nëpërmjet mjaft kanaleve të komunikimit, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk mori asnjë reagim prej tij.

Xhevahiri i Vlorës

Përballë Luanit të famshëm, ku dikur mbushnin ujë vlonjatët, në thellësi të detit Jon, disa shtylla betoni në formë cilindrike kanë mbirë mbi ujë. Mbi to një tarracë gjigante duket se krijon katin e parë të ndërtesës së etiketuar në shkresa zyrtare si “një xhevahir në gjerdanin e bregdetit të Vlorës”. Po ndërtohet godina dykatëshe me funksion shërbimi, e miratuar me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit në mes të dhjetorit të vitit 2022.

Në lejen e ndërtimit të miratuar nga Këshilli i Territorit nuk shkruhet vlera e këtij investimi, që po kryhet nga kompania Adhenis, që ka një xhiro të deklaruar, vjetore prej 122 610 894,00 lekësh. Përballë saj, në tokë, qeveria ka derdhur rreth 4 milionë euro për të ndërtuar një pishinë olimpike me ujë deti për qytetarët, një tjetër pishinë për fëmijët dhe një parkim me 160 vende, si vazhdim i Lungomare-s në Vlorë. Dukshëm godina me funksion shërbimi e zotit Shehu do të përfitojë nga investimi i buxhetit të shtetit.

As Bashkia e Vlorës, as KRT e as Kryeministria, që funksionojnë si komplementare me njëra-tjetrën, nuk iu përgjigjën pyetjeve mbi favorizimin e kompanisë Adhenis nga projekti i buxhetit të shtetit.

As Bashkia e Vlorës, as KRT e as Kryeministria, që funksionojnë si komplementare me njëra-tjetrën, nuk iu përgjigjën pyetjeve mbi favorizimin e kompanisë Adhenis nga projekti i buxhetit të shtetit.

Lungomare 2 ende nuk ka përfunduar, por një restorant, i pagëzuar “Gjurma”, ushtron aktivitetin që nga janari i vitit 2024.

Artur Shehu në fillim të viteve `90 shërbente në Gardën e Republikës, por shumë shpejt u konvertua në biznesmen në qytetin e tij të lindjes. Fillimisht, një lokal; më pas, një hotel dhe një kazino, e cila ishte e para në qytetin e Vlorës. Përplasja me njërën prej bandave më të forta shënoi për herë të parë emrin e Artur Shehut në defterët e policisë shqiptare.

Kronikat e kohës, të cilat i referohen Ministrisë së Brendshme, tregojnë se në lagjen Pavarësia të qytetit të Vlorës, brenda lokalit të Artur Shehut, ka pasur shkëmbim zjarri. U vranë Robert Shehu, 30 vjeç, Luan Bedini, 50 vjeç, që të dy nga Vlora, dhe Afrim Rami nga Burreli. Të plagosur mbetën Arben Lalaj, 25 vjeç, nga Tirana dhe Myrteza Çaushi. Ky i fundit aktualisht është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim të organizatës kriminale dhe krimeve të kryera nëpërmjet saj.

Dritan Zagani, ish-oficer policie, tashmë në azil në një nga vendet e BE-së, kujton rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje. “Kjo ngjarje u pasua me ekzekutimin e tre personave të tjerë në shtator të atij viti. Artur Shehu ishte një ndër personat e dyshuar, por asnjëherë nuk u gjetën prova të mjaftueshme për ta proceduar”, – thotë Zagani.

Pas këtyre ngjarjeve askush nuk e ka parë më Artur Shehun në Shqipëri.

Ai siguroi azil politik në SHBA në vitin 2001. Në vitin 2019 mori green card, duke i hapur rrugën kështu fitimit të nënshtetësisë amerikane.

Ndonëse iku nxitimthi, ai vazhdoi të drejtonte operacionet në vendlindjen e tij nga një rezidencë e madhe e stilit neokolonial në brigjet e Floridës.

Emri i tij përmendet sërish në vitin 2010, kur një eksponent i mafies italiane arrestohet në Shqipëri. Albino Prudentino, anëtar i klanit Sacra Corona Unita, u prangos më 29 shtator 2010, në Vlorë. Sipas dosjes hetimore, italiane, Shehu konsiderohej si një pikë shumë e rëndësishme referimi për aktivitetin e paligjshëm të Prudentino-s në fushën e pastrimit të parave me origjinë të dyshimtë.

“Në aktet e administruara krijohet bindja e qartë se, Prudentino dhe Artur Shehu janë ortakë dhe se shuma të mëdha parash (më shumë se 1 milion euro) kanë kaluar nga Prudentino në llogarinë bankare të Shehut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, – shkruhet në dosje.

Asokohe Prudentino kishte marrë me qira dy katet e para të një pallati luksoz në zonën e Ujit të Ftohtë, ku kishte vendosur bizneset e tij, një restorant, një pastiçeri në katin e parë dhe një sallë lojërash fati në katin e dytë. Dyshimi ishte se kapitalet, me të cilat ai kishte krijuar kompanitë në Shqipëri, kishin si origjinë financiare fitimet e veprimtarisë mafioze në Itali.

Prudentino u shpall fajtor në vitin 2013, për pastrim të paligjshëm parash përmes këtyre bizneseve dhe u dënua me tre vite burg, ndërsa hulumtimet dhe provat e siguruara për Shehun iu dorëzuan autoriteteve në Shqipëri.

Në Shqipëri i vetmi person, që përfundoi në gjykatë, ishte aksionari i tij, Leonard Bishaj, i cili arriti t`i shpëtojë hetimit, pasi provoi se, 50% e aksioneve të tij në shoqërinë Casino Italia buronin nga shitja e pronave, që ai kishte bërë me shtetasin Mezin Malaj, ish-deputet i Partisë Socialiste në vitin 2001-2005, dhe djalit të tij, Kreshnikut.

Kjo nuk është lidhja e vetme, që ekziston mes Shehut dhe Bishajt, i cili ka një prokurë përfaqësimi të Shehut që nga vitit 2016. Sipas Regjistrit Kombëtar të Bizneseve, Shehu ka regjistruar në Shqipëri kompani me veprimtari për zhvillimin e resorteve turistike. Kompanitë janë hapur gjatë viteve 2019-2020. Në kompaninë Adhenis Shehu i ka dhënë prokurë përfaqësimi Leonard Bishajt, ndërsa te kompania Portonova bashkë-aksionar është shtetasi Agron Hyseni, i cili rezulton në rekordet e prokurorisë shqiptare.

Aktiviteti i Shehut nuk është i përqendruar vetëm në Shqipëri. Një operacion i Europol-it ndaj klanit Osmani në shkurt të vitit 2022 nxori në pah sërish emrin e Shehut. Mediat italiane raportojnë se një nga figurat kryesore të organizatës, që drejtohej nga vëllezërit Osmani, është edhe biznesmeni kontrovers, shqiptar, Artur Shehu.

Një përfaqësues i Artur Shehut është arrestuar si pronar i një objekti akomodimi në Viale Monte Grappa. Detyra e “mëkëmbësit” të Artur Shehut ishte pastrimi i parave në zonën e Pratos. Bëhet fjalë për paratë, që vijnë nga trafiku i kokainës, që nis nga Amerika e Jugut për në Europë përmes portit të Hamburgut. Klani Osmani zotëron pasuri të paluajtshme me vlerë disa dhjetëra-miliona euro në Gjermani, shkruajnë mediat italiane, që përmendin shfrytëzimin e prostitucionit.

“Të gjitha kazinotë dhe shtëpitë publike në Pragë ishin nën kontrollin e tyre”, – shkruan Il Tirreno.

Hije dhe akuza për pronat e fituara në Vlorë

Malo Bodo në janar të vitit 2016 denoncoi në Prokurorinë e Vlorës tjetërsimin e një prone në një nga zonat më të lakmuara në bregdetin shqiptar, në Gadishullin e Karaburunit. Falë këtij denoncimi prokuroria shqiptare do të zbulonte piruetet me pronat në këtë zonë. Dokumentacioni tregon se nga 220 hektarë, të përfituara nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve, 130 i kishin kaluar Artur Shehut, ndërsa pjesa tjetër ishte shitur te dy kompani, që zotërohen nga ish-deputeti socialist, Fidel Ylli, dhe Konsulli i Nderit të El Salvadorit në Shqipëri, Gerian Kuka.

Ky nuk është rasti i vetëm, kur emri i Artur Shehut del në dosjet e drejtësisë shqiptare sa i përket tjetërsimit të pronave në jug të vendit.

Aktualisht, Shehu rezulton pronar i disa hektarëve tokë në jugun e Shqipërisë; në Zvërnec, në Ujin e Ftohtë, në Karaburun dhe në Palasë – ku sipërfaqja e tjetërsuar përllogaritet në rreth 500 hektarë. Banorë të këtyre zonave pretendojnë se toka iu është rrëmbyer nga “mafia e pronave në jug të Shqipërisë”.

Në dosje të veçuara hetimi prokuroria ka ngritur akuza se prona është përfituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve gjatë viteve 2006-2009. Më pas janë shitur te persona të tretë.

Pavarësisht denoncimeve, prokuroria asnjëherë nuk e ka vendosur nën akuzë Artur Shehun. I vetmi person i hetuar, i arrestuar dhe tani në proces gjykimi në gjendje të lirë është Pëllumb Petritaj, i cili, sipas prokurës së lëshuar që në korrik të vitit 2012, vepron dhe ka besimin e plotë të Artur Shehut.

Çështjet e hapura në ngarkim të Petritajt vijojnë pingpongun nëpër gjykatat shqiptare dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar sa i përket akuzave të ngritura nga Prokuroria e Vlorës për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash. Dokumentet e siguruara nga INA Media tregojnë se, në emër të djalit të Pëllumbit, Amarildo Petritajt, janë regjistruar rreth 60 mijë metra katrorë tokë në zonën e Zvërnecit. Dokumentet tregojnë se prona e përfituar nga Amarildo Petritaj është pikërisht në zonën, ku Shehu është shpallur pronar nëpërmjet vendimeve të kontestuara, jo vetëm nga Prokuroria e Vlorës, por edhe nga banorët.

Babë e bir refuzuan t`i përgjigjen pyetjeve, që INA Media ngriti për përfitimin e kësaj sipërfaqeje toke nga Amarildo Petritaj, nëse kjo sipërfaqe ishte shpërblimi, që Pëllumb Petritaj mori nga të gjitha telashet që pati me drejtësinë shqiptare për shkak të përfaqësimit të Shehut në dhjetëra procese të tjetërsimit të pronave.

Banorët, pa përkrahje, akuzojnë shtetin dhe mafien

Dhurata Dajlani, pasardhëse e një familjeje, që gjatë regjimit komunist u burgos vetëm për shkak të pasurisë, ka 11 vjet që endet dyerve të institucioneve të shtetit shqiptar në kërkim të pronës.

Sot, ajo ndjek çështjet penale, që prokuroria ka ngritur në ngarkim të Pëllumb Petritajt, si palë e interesuar në proces.

Procedurat ligjore, që Dhurata ndiqte për të rifituar pronën në emër të familjes Dajlani, nisën të pezullohen, që kur Pëllumb Petritaj, në emër të familjes Shehu, i kërkoi Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë që të njohë të drejtën e pronësisë mbi 182.12 ha tokë në Zvërnec dhe të kthehet sipërfaqja e përgjithshme prej 52.1 hektarësh.

Në vitin 2010 sipërfaqja prej 52.1 ha regjistrohet në emër të Ramiz dhe Kadri Shehut, duke u mbivendosur në një sipërfaqe prej 24 ha mbi pronat e njohura dhe të kthyera më herët pasardhësve të Arshi Dajlanit.

Këtu zë fill dhe konflikti i Dhuratës me familjen Shehu. “Unë jam një viktimë e këtij procesi, kështu më cilëson, edhe gjykata, edhe prokuroria, në dosjet që ka hapur. Të gjitha ankesat e mia apo dhe kallëzimet në prokurori mbylleshin. Tani çështjen e ndjek prokuroria, pas kallëzimit që kam bërë unë. Vazhdoj të jem në procese gjyqësore për shkak të mbivendosjes së kryer, pas regjistrimit të pronave të familjes Shehu”, – tha Dhurata Dajlani për INA Media-n.

Gruaja 74-vjeçare tregon se prona e saj ishte shitur nga Pëllumb Petritaj tek ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami, i cili në dhjetor të vitit 2016 e humbi mandatin, ngaqë nuk kishte deklaruar problemet me ligjin në të kaluarën.

Tjetërsimi i sipërfaqes së konsiderueshme të tokës në Zvërnec u bë objekt hetimi edhe nga Prokuroria e Vlorës në vitin 2015.

Pas tre vitesh hetime për tjetërsimin e pronave, prokuroria ngarkoi me përgjegjësi penale Pëllumb Petritajn. Bashkë me të u akuzuan edhe ish-drejtori i Zyrës së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë, Petro Puleri, ish-përgjegjësi i Sektorit Juridik në Zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe aktualisht nëndrejtor i Hipotekës së Vlorës, Klodian Jahaj, si dhe specialistja në Zyrën vendore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Mirjam Isufaj.

Organi i akuzës argumenton se, nga aktet shkresore, të depozituara, nuk rezulton, që shtetasi Seit Shehu të jetë shpronësuar, apo t’i jetë sekuestruar, apo t’i jetë konfiskuar ndonjë pasuri nga autoritetet e shtetit nga data 29 nëntor 1944 e në vazhdim.

Më 3 prill 2018, Gjykata e Vlorës e dënoi Pëllumb Petritajn me 3 vjet burg. Gjykata gjithashtu dënoi me burg edhe tre punonjësit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Vlorë për akuzat e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.

Mirëpo, në janar të vitit 2023, Gjykata e Apelit i shpalli të pafajshëm Petritajn dhe bashkëpunëtorët e tij.

Zonja Dhurata Dajlani thotë se është në pritje të zbardhjes së vendimit të gjykatës për të bërë ankimim në Gjykatën e Lartë. Bashkë me Dhuratën, i tërë fshati ka nënshkruar dhjetëra peticione, ka hapur procese gjyqësore në kërkim të pronës që iu përket.

I ndodhur në pjesën veriperëndimore të qytetit të Vlorës, fshati Zvërnec i ka të gjitha resurset për të qenë një qendër turistike. I rrethuar plotësisht nga ujërat e lagunës së Nartës, e shpallur zonë e mbrojtur, dhe ujërat e detit Adriatik, me një vijë bregdetare prej 10.5 km, vendasit jetojnë në zgrip të mjerimit.

Fshati i vjetër thuajse është i braktisur. Numërohen vetëm rreth 50 familje, kryesisht pleq, që jetojnë me të ardhurat e fëmijëve nga emigrimi. Pak prej tyre kanë mundur të sigurojnë certifikatë pronësie për tokën e trashëguar.

Telashet për vendasit nisin në vitin 2006, kur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave i njohu të drejtën e pronësisë Seit Shehut. Dokumentet tregojnë se, gjatë viteve 2006-2009 Ramiz Seit Shehut i janë kthyer 278.505 hektarë tokë. Trashëgimtar direkt është Artur Shehu. Banorët e fshatit i kanë denoncuar vendimet si një aferë korruptive, që iu vjedh pronën nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.
Banorët e kanë fituar procesin në Shkallën e Parë dhe gjykata ka urdhëruar shfuqizimin e vendimeve, që njihnin pronar familjen Shehu.

“Rezulton e provuar se aktet administrative, të goditura në rrugë gjyqësore, duhet të anulohen, pasi e gjithë sipërfaqja e kthyer trashëgimtarëve të të ndjerit Seit Shehu është trajtuar dhe iu është shpërndarë banorëve të fshatit Zvërnec”, – thuhet në vendimin e qershorit të vitit 2013 të Gjykatës së rrethit, Vlorë. Por, edhe 11 vjet më pas, banorët e Zvërnecit presin shqyrtimin nga Gjykata e Apelit për vendimin përfundimtar.

Kryeplaku i fshati, Anesti Balli, thotë se të vetmit, që nuk mund ta regjistrojnë pronën në këtë fshat, janë banorët e Zvërnecit, trashëgimtarët e vetëm legjitimë.

“Çdo ditë del një certifikatë pronësie në emër të çdo personi tjetër, vetëm banorët e Zvërnecit nuk munden. Ne shkojmë për të bërë regjistrimin e pronës dhe na thonë se kemi mbivendosje. Ndërkohë, këtu vijnë njerëz, që thonë se, jemi pronarë, pasi e kanë blerë tokën nga Artur Shehu”, – thotë kryeplaku.

Sipas tij, tjetërsimi i pronave të tyre nuk është çështje administrative, por penale. “Ne kemi vite që endemi gjykatave, por kjo është një çështje, që duhet të hetohet nga SPAK”, – thotë ai

Paralelisht me dosjen në Gjykatën Administrative, Prokuroria e Vlorës ka kryer hetime penale ndaj Pëllumb Petritajt për falsifikimin dokumentesh.

Prokuroria dyshon se falsifikimi i një dokumenti të vjetër në gjuhën osmane i ka shërbyer Pëllumb Petritajt, që në emër të familjes Shehu të njohë të drejtën e pronësisë mbi 182.12 hektarë tokë në Zvërnec.

Dhurata për fondacionin e bamirësisë, të themeluar nga italianët

Ish-drejtori i Interpolit në Itali, Fabrizio Lisi, avokatët Giampaolo Polverini, Francesco Zaccaria, dhe diplomati Eugenio Campo në ditët e fundit të vitit 2014 vendosën të themelonin një fondacion bamirësie. E pagëzuan me emrin Luca dhe Marco Eftimiadhi, pasardhës të një familjeje shqiptare, të shpërngulur në Trieste të Italisë, në fund të viteve 1800.

INA Media nuk mundi të gjejë të dhëna historike apo edhe dokumente mbi këtë familje në Shqipëri. Të vetmet të dhëna për këtë familje janë rrëfimet e publikuara të Paulo Muner-it, ushtarak italian, që ka shërbyer në Shqipëri në vitin 1991 si komandant i Rojës Bregdetare italiane dhe më pas si konsulent në qeverinë shqiptare, (2001-2003).

Në librin Shqiptarët e Triestes ushtaraku rrëfen se, në vitin 1992 ka zënë miqësi me Salvadore Eftimiadhin, pasardhësin e fundit të kësaj familjeje. Muner dëshmon se familja kishte pasuri në Vlorë dhe se Salvadore kishte dështuar në përpjekjet për ta rifituar të drejtën e pronësisë.

Është i paqartë burimi i pronësisë së familjes, pasi në vendimin e Gjykatës së Vlorës së vitit 1994, pasi mori në shqyrtim kërkesën e Eftimiadhit për rikthimi e 11,314 m2 tokë në zonën e quajtur Uji i Ftohtë në Vlorë, shkruhet se pretendentët nuk dispononin dokumente të qarta, pronësie.

Ushtaraku dëshmon se Eftimiadhi kishte ndërmend të ngrinte një fondacion në nder të babait, Lukës, dhe të vëllait Markos, që ishte vrarë gjatë pushtimit gjerman të qytetit të Brindisit.

“Meqenëse nuk kishte trashëgimtarë legjitimë, kishte vendosur t’ia linte të gjitha pronat një fondacioni, që do të ngrihej për përjetësimin e të atit dhe të vëllait, me qëllim parësor ndihmën e studentëve vlonjatë për vazhdimin e studimeve në Trieste”, – shkruan Muner.

Salvadore Eftimiadhi, trashëgimtari i fundit i familjes, ndahet nga jeta më 31 tetor 2008. Ai nuk mundi ta themelonte fondacionin e ca më pak të rifitonte pronat, që pretendonte në Shqipëri.

Ai që ushtaraku Muner thotë se ishte amaneti i Salvadore Eftimiadhit merr jetë 6 vjet më vonë. Megjithëse nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta më familjen Eftimiadhi, të tre burrat me nënshtetësi italiane, që krijuan fondacionin, kanë lidhje të forta me Shqipërinë.

Avokati Polverini ka ndarë prej vitesh zyrën me Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë shqiptare, Engjell Agaçi; Gjeneral Lisi ka shërbyer për tre vjet në misionin paqeruajtës, 1997-1999, në Shqipëri, si dhe i ka dedikuar një libër Shqipërisë. Diplomati është Qytetar Nderi i Shkodrës, ndërsa Zaccaria përfaqësonte familjen e larguar nga Shqipëria në fundin e viteve 1800.

“Fondacioni nuk ka qëllim fitimi, ai ngrihet vetëm me qëllim bamirësie”, – thuhet në aktin e themelimit të fondacionit në Romë.

Dokumentet tregojnë se brenda një muaji fondacioni u regjistrua si aktivitet jofitimprurës edhe në gjykatën shqiptare. Në Shqipëri nuk gjenden rekorde për aktivitete bamirësie të fondacionit me seli në qendër të Tiranës. Por, ai që nisi si fondacion bamirësie, shumë shpejt u shndërrua në ndërmarrje tregtare.

Dy muaj pas themelimit në Romë, fondacioni përfiton sipërfaqe të konsiderueshme pronash në Shqipëri nëpërmjet akteve të dhurimit. 3000 m2 tokë buzë detit të Nartës u regjistruan në emër të fondacionit në verën e vitit 2015. Sipërfaqja, vetëm 19 ditë para kontratës së dhurimit, ishte e regjistruar në emër të Artur Shehut në zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Vlorë.

Pjesë e marrëveshjes është edhe dhurimi i 590 m2 apartamente tek Uji i Ftohtë. Sipas agjencive imobiliare, çmimi në këtë zonë shkon nga 900 deri në 1000 euro m2. Dhuruesi për të dyja këto pasuri ishte Artur Shehu.

Kontratat nuk i japin arsyet e këtij akti bamirësie nga ana e Shehut. Janë nënshkruar nga Alketa Ylli (Orsini), e cila është edhe administratorja e fondacionit, si dhe nga Pëllumb Petritaj, në cilësinë e personit të autorizuar nga Shehu. Aktualisht, asnjë projekt nuk është zhvilluar në këto zona, por Narta është një nga zonat, që planifikohet si shesh ndërtimi për zhvillimin e turizmit në vend./ INA MEDIA

VIDEO/ Dea Mishel nxjerr pamjet pak momente para operacionit të vështirë

Ish-banorja e Big Brother VIP 2, Dea Mishel ka ndarë me ndjekësit e saj momentet e vështira të ndërhyrjes kirurgjikale, të cilës iu nënshtrua pak ditë më parë.

Në video, duken çastet pak para se Dea të futet në sallën e operacionit dhe pasi gjithçka kishte përfunduar.

Dea shfaqet në ankth dhe me lot në sy para se t’i nënshtrohej ndërhyrjes, e cila zgjati për më shumë se 4 orë.

Pasi la spitalin vetëm pak ditë më parë, Dea ndau edhe disa foto me ndjekësit, duke zbuluar se operacionin e kishte kryer në pjesën e kokës dhe një anë e kishte të enjtur.

VIDEO/ “Shkundet” Japonia, tërmeti i fortë lëkund vendin

Japonia u godit mbrëmjen e kësaj të mërkure nga tërmet i fortë.

Lëkundjet e tokës ishin me magnitudë 6.4 dhe u ndjenë në Bregun Perëndimor të ishullit japonez Shikoku.

Pavarësisht se tërmeti u regjistrua pranë detit, me epiqendër në kanalin Bungo, një vijë që ndan ishujt Kyushu dhe Shikoku, deri tani autoritetet nuk kanë lëshuar paralajmërim për cunami.

Nga lëkundjet nuk raportohen njerëz të lënduar apo dëme materiale.

BREAKING:

6.4 magnitude earthquake strikes southern Japan

🇯🇵 pic.twitter.com/tTuxzHyAb2

— Visegrád 24 (@visegrad24) April 17, 2024

Emrat/ Pesë këngëtarë shqiptarë arrestohen nga policia në Zvicër. Kishin shkuar për koncert atje

5 këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare u ndaluan nga policia zviceriane dhe u mbajtën në Komisariat për 48 orë.

Mediat në Kosovë raportojnë se mes këngëtarëve të ndaluar ishin Soni Malaj, reperi Don Phenom dhe Sinan Vllasalliu.

Ngjarja ka ndodhur më 13 prill ku artistët ishin ftuar të performonin në një “Bajram Party” që ishte planifikuar të mbahej po atë natë në Zvicër.

Këngëtari Labinot Rexha, i cili do të këndonte gjithahstu në koncertin e 13 prillit tha për mediat në Kosovë se ai nuk u ndalua nga policia e Zvicrës, pasi ka të drejtë punë në atë vend. Ai tha se është i pajisur me nënshtetësi zviceriane.

Ai tha se kolegët e tij u ndaluan për shkak se nuk duhen përdorur vizat turistike për të punuar. Rexha tha se këngëtarët mund të ndëshkohen me ndalesë deri në 10 vite për të performuar në Zvicër.

“Kam nënshtetësi zvicerane, ka qenë një kontroll e përgjithshme e policisë së Zvicrës edhe në klube të tjera. Pas orës 23:00 ka hyrë kontrolla. Kur kam dal jashtë kam pa afro 150 policë që kontrollonin. Më kontrolluan edhe mu, unë kam të drejtë të punës. Të Tjerët Sinan Vllasaliu, Soni Malaj, Don Phenom, Eugena Aliu, ata i kanë marrë mbajtur për 48 orë së bashku. Diskoteka është duke vazhdu me punë“, tha Rexha.

Rexha u bëri apel kolegëve të tij që mos të përdorin vizat turistike për të punuar sepse do ndëshkohen me ndalesë për 10 vjet që të shkojnë në Zvicër për të performuar.

“Ata që po mendojnë liberalizimi i vizave është edhe me punu janë gabim. Nuk ke drejtë me punu në Zvicër. Aty duhet një muaj më parë të merrni leje për vizë punë dhe ta paguani tatimin. Nëse hasin në kontroll ata më nuk kanë të drejtë të performojnë edhe për 10 vite tjera“, tha ai.