zoom

Day ArchiveE trishtë, gjendet i vdekur aktori i njohur

Cole Brings Plenty, një aktor në filmin ‘1923’ të Paramount+,  i cili u raportua i zhdukur në fillim të kësaj jave, ka vdekur në moshën 27-vjeçare.

Zyra e sherifit në Johnson County, Kansas, ndau në një njoftim për shtyp se oficerët u thirrën në Homestead Lane rreth orës 11:45 të së premtes në lidhje me një automjet të pabanuar. Autoritetet thanë se po kërkonin zonën kur zbuluan një mashkull të vdekur në një zonë të pyllëzuar larg automjetit”, i cili më vonë u identifikua si Cole.

Shkaku i vdekjes nuk është zbuluar, por zyra e sherifit tha se ishte një hetim në vazhdim.

Të martën, xhaxhai i Cole, Mo Brings Plenty, i cili gjithashtu luan në Yellowstone , shkoi në Instagram për t’i kërkuar publikut ndihmë për të gjetur aktorin që nuk ishte parë që nga e diela në Kansas. Departamenti i Policisë së Lawrence konfirmoi se ai ishte në kërkim pas një incidenti të dyshuar të dhunës në familje më 31 mars.

Sipas policisë, oficerët iu përgjigjën raportimeve të një femre që bërtiste për ndihmë të dielën në një apartament, por para se të arrinin në vendngjarje, i dyshuari tashmë kishte ikur në këmbë. Autoritetet thanë se kamerat e trafikut identifikuan Cole si të dyshuarin në arrati, gjë që bëri që policia t’i dorëzonte një deklaratë nën betim prokurorit lokal të qarkut për arrestimin e Cole pas incidentit. “Ne e kemi identifikuar atë si të dyshuarin, kemi arsye të mundshme për arrestimin e tij dhe kemi lëshuar një alarm për agjencitë e zonës,” shkroi Departamenti i Policisë Lawrence në një njoftim të martën.

Autoritetet në Lawrence që atëherë kanë përditësuar se ata janë gjithashtu në vendngjarje në Johnson County “duke mbështetur familjen dhe hetuesit” pas vdekjes së Cole.

Më vonë të premten, Mo shkoi në mediat e tij sociale, duke shkruar : “Jam thellësisht i pikëlluar të konfirmoj se djali im, Cole, është gjetur dhe nuk është më me ne. Ne duam të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për të gjithë për lutjet dhe mendimet pozitive që dërguat për Cole. Gjithashtu do të donim të falënderonim të gjithë ata që erdhën për të ecur pranë nesh ndërsa ne kërkonim djalin tim dhe siguruam burimet që na nevojiteshin për të zgjeruar zonat tona të kërkimit. Mësova këtë javë se sa njerëz e njihnin mirësinë në zemrën e Cole dhe e donin atë.

Gjatë kësaj kohe tepër të vështirë, ne kërkojmë privatësi ndërsa përpunojmë pikëllimin tonë dhe kuptojmë se si ecim përpara. Ju lutemi ta dini se ne ju vlerësojmë dhe vlerësojmë mirëkuptimin tuaj.”

Ilnisa shpërthen ndaj Eglës: Do t’ia kthejë Zoti 400 herë më keq nëse…

Pasditen e sotme (6 prill) Ilnisa Agolli ka shpërthyer ndaj Egla Cenos, duke e cilësuar manipuluese që bën lojë të pisët duke shpikur gjëra që të mbulojë pisllëqet e veta.

Në bisedën me Meritonin në ballkonin e dhomës së bardhë ku gjenden në izolim, banorja e Big Brother Vip 3 thotë se nëse ajo apo partneri i saj eliminohen në prime-n e mbrëmjes së sotme, Zoti do t’ia kthejë 400 herë më keq.

“Mos kujton se hamë bar ë? Mos kujton se hanë bar njerëzit? E kupton tani apo, tani që është faza përgatitore para spektaklit, futet në fazën e viktimizimit në shkatërruan ditëlindje. Të gjithën këtë e bën për të kamufluar…Kujton se i ec me ne, por nuk po i ec. Në botë nuk do t’i ecë. Të ishte ndonjë tjetër, edhe e hante, por me ne nuk mundet. Edhe nëse njeri nga ne të dy le garën sonte, asaj do t’ia kthejë Zoti brenda 400 herë më në vështirësi ka për të qenë, për këtë që po ha, sepse po e bën në mënyrë të padrejtë.

Shpiku, i dha zë përndjekjes duke e bërë të besueshme, tani do t’i japi zë gjërave të tjera dhe kështu mbyt të gjitha pisllëqet e veta dhe formës e lojës së vetë që është më skandalozja që kam parë ndonjëherë.

‘Ka energji të keqe dhomë’ e kupton me çfarë karte luan, dhe me të gjithë minuset e veta i atashon tjetrit që ka përballë, për t’u fshehur pas tjetrit. Lojë skandaloze. Si nuk e vret ndërgjegjja që jemi këtu nga ajo. Futi të ëmën dje, duke qarë. Pyetja tjetër, përgjigje të tjera. Manipuluese, smë vjen keq për asgjë që them se kam komplet tjetër gjë në mend. Dhe nëse po bëj këtë gjë, e bëj sepse është e vërteta. S’është e vështirë të luash si ajo, të bësh Eglën, por është e neveritshme, bastande t’u japësh zë këllirave. I është bërë mendja garë dhe mendon se me këtë tipologi loje mendon se e ka drejtë. Fshihet pas lojës”, tha Ilnisa për Eglën.

Shenjat që tregojnë se trupit i duhet të pushojë dhe çlodhet

Pavarësisht dëshirës, energjisë, mundësive dhe motivimit për të punuar e për t’u përballur me sfidat e përditshmërisë, trupi ka nevojë për kohën e duhur për rikuperim, qetësi dhe pushim.

Nëse njeriu nuk i dëgjon ‘thirrjet’ e organizmit, atëherë përballet me lodhje kronike, dhimbje e shumë simptoma të tjera.

Në këtë artikull do të mësoni për disa nga shenjat e organizmit që tregojnë qartë se ka nevojë të pushojë.

Pagjumësia
Pagjumësia është një nga shenjat që jep organizmi kur ka nevojë për të pushuar.

Për shembull, aktiviteti i tepëruar fizik shkakton stimulim të jashtëzakonshëm të sistemit qendror nervor.

Ky stimulim e bën të vështirë gjumin dhe mungesa e tij është tepër e dëmshme.

Për pasojë, njerëzit që kanë kryer një jetë pasive, duhet ta marrin shtruar me aktivitetin fizik e të mos stërmundohen.

Ata duhet të marrin një ose dy ditë pushim mes çdo seance ose aktiviteti fizik.

Kjo kohë do u japë mundësi muskujve që të rikuperohen dhe gjumit të jetë më i paqtë.

Rrahjet e zemrës
Një shenjë tjetër që tregon se trupi ka nevojë të pushojë ka të bëjë me rrahjet e zemrës.

Kur trupi pushon, rrahjet e zemrës duhet të jenë më të ulëta.

Zemra e një të rrituri rreh nga 60 deri në 100 herë në minutë.

Sa më të ulëta të jenë rrahjet e zemrës kur trupi pushon aq më mirë funksionon zemra.

Nëse këto rrahje janë më të larta se 100, atëherë trupi po punon më fort për të shpërndarë oksigjenin në organe.

Dhimbjet
Kontraktimet e muskujve, dhimbjet e kyçeve apo të kokës janë tregues se trupi mezi po qëndron në këmbë.

Përpos tyre, këto shenja tregojnë se në organizëm mund të ketë inflamacion.

Këto dhimbje, bashkë me inflamacionin mund të trajtohen me ibuprofen ose me acide yndyrore omega-3.

Burimet më të mira të këtyre acideve yndyrore janë salmoni, sardelet, arrat dhe farat.

Oreksi
Kur trupi është i lodhur, pasojat i vuan edhe oreksi.

Ju mund të ndiheni tepër të lodhur për të gatuar ose keni mungesë oreksi.

Përpos pushimit, duhet të siguroheni që do të ushqeheni mjaftueshëm dhe shëndetshëm por edhe të hidratoheni.

Mungesa e ushqimeve shteron energjitë, shkakton rënie flokësh, ul temperaturën e trupit e nxit të dridhurat e marramendjen./AgroWeb.org

Kreu i FRPD-së: Veliaj shantazhoi Ramën si Tahiri! Nëse e bën “kurban”, do ta pësojë

Kreu i FRPD-së Besart Xhaferri ka reagur pasi kryebashkiaku i Erion Veliaj foli për arrestimin e drejtorëve të Bashkisë Tiranë nga SPAK-u për korrupsion.

Në postimin e tij, Xhaferri shkruan se Veliaj përdori shantazhin ndaj kryeministrin Edi Rama, duke i çuar mesazhin, se nëse do e bëjë ‘kurban’, pasojat do të ishin të rënda për të.

Më tej, kreu i FRPD-së shton se kryebashkiaku i Tiranës e kërcënoi Ramën, me të njëjtën mënyrë si ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili sipas tij u dënua minimalisht për kanabizimin e vendit.

Reagimi:

Sot në media pashë reagimin e Erion Veliaj  për aferën 5D dhe inceneratorët, reagim që e dhanë të plotë si zhvillim i fundit edhe ato media që kishin censuruar totalisht arrestimin e kupolës  Bashkisë Tiranë për vjedhjen barbare të taksave të qytetarëve.

Më shumë se reagim, Veliaj si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal, i çoi mesazh kreut të tij Edi Ramës se nëse kërkon t’a bëjë kurban siç ka bërë anëtarët e tjerë të grupit, mund të përballet me pasoja të rënda.

Ai ishte krejtësisht i qartë pasi pretendon se nuk ka asnjë arsye të arrestohet, për Qaton, Tushën dhe Mollën sa kohë Edi Rama nuk është arrestuar për Arben Ahmetajn dhe inceneratorët.

Kërcënimi i Veliajt ishte i ngjashëm më të Saimir Tahirit vite më parë në raport me Ramën, kërcënim që i dha efektet pasi Tahiri mori dënimin minimal për kanabizimin e vendit.

E kam thënë me dhjetëra herë se Rilindja ka funksionuar dhe funksionon si një organizatë kriminale që ka tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve dhe mision primar  ka asgjësimin total të pluralizmit në vend./ Zoom.al

“Shqipëria e Mesme i hedh lekët me fshesë”/ Këngëtaret e famshme labe: Fatkeqësi që lindëm në Jug

Duket se kur flitet për raportin me paratë dhe argëtimin, shqiptarët janë të ndarë në krahina; së paku kështu shprehen dy këngëtaret e muzikës popullore labe, Paro dhe Merushe Xhihani.

Teksa së fundmi kanë realizuar bashkëpunimin muzikor “Goja motër të më kishe thënë”, artistet ndanë disa detaje me publikun në një intervistë televizive, ku ndër të tjera folën edhe për të ardhurat që tregu të ofron.

Kur bëhet fjalë për koncertet, këngëtaret treguan se negociojnë për çmimet, por padyshim trevat e Veriut paguajnë më shumë.

“Ne është fatkeqësi se kemi lindur në Jug se Veriu hedh. Janë me qejfli. Shqipëria e Mesme hedh me fshesë,”- tha Paro për “ABC e Mëngjesit”.

Po kështu, këngëtaret rrëfyen se si lindi ky duet përmes shoqërisë së tyre 40-vjeçare.

“Ne vijmë nga monizmi dhe në atë kohë ne e mbanim shoqërinë dhe e ruanim, jo si tani. Si thonë, më mirë një shoqe e vjetër se e re,”- u shpreh Paro.

“Shoqëria që të mbahet gjallë dhe të jetojë e mban vetëm goja, se çfarë nxjerr nga goja. Inat edhe ka, po nuk duhet të mbahet,”- tha Merushja.

“Ne kemi punuar në “Pallatin e Kulturës” 11 vjet punonjëse. Kemi qenë në një qytet, patriote dhe kemi vazhduar bashkë me koncerte deri në ditët e sotme,”- shtoi më tej Paro.

Paro dhe Merushe Xhihani njihen veçanërisht për realizimin e kolazheve të ndryshme të muzikës popullore./ Zoom.al

Të shtëna me armë zjarri në Shkodër

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar ditën e sotme, rreth orës 16:00 në qytetin e Shkodrës, pas një sherri mes dy personave.

Mësohet se pas konfliktit, njëri prej tyre ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe më pas është larguar.

“Për motive të dobëta, në lagjen “Skënderbeg”, midis shtetasve R. M. dhe E. Ç., ky i fundit ka qëlluar në ajër me armë zjarri pistoletë,”- shkruan policia, në një njoftim zyrtar.

Sakaq raportohet se nga të shtënat nuk ka të plagosur, teksa autoritetet kanë mundur të vendosin në pranga autorin./ Zoom.al

Rama komenton deklaratën e Veliajt për arrestimin e drejtorëve: Qentë le të lehin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së kryebashkiakut Erion Veliaj në lidhje me arrestimet e disa ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të bashkisë së Tiranës.

Teksa u sigurua të ishte i qartë se mbështet dhe është i së njëjtës linjë me Veliajn, si për të hedhur poshtë zërat e hershëm të një krisjeje mes tyre, Rama tha se ky rast tregon që mbështetja e socialistëve për SPAK-un nuk është propagandë, por vullnet i hekurt politik.

“S’mund të jem më shumë dakord me sa u tha sot kryebashkiaku Erion Veliaj qytetarëve të Tiranës, në mesazhin e drejtëpërdrejtë lidhur me ndalimin nga SPAK-u të disa ish-drejtorëve e drejtorëve të bashkisë!

Mendësia e vjetër komuniste, fatkeqësisht ende shumë e pranishme në mënyrën e të parit të tjetrit si armiku që duhet shkatërruar (falë trashëgimisë së hidhur në një segment të tërë të politikës e të medias shqiptare të një komunisti fanatik, të konvertuar në liderin trushpëlarës të krejt atij segmenti që nga dita e parë e pluralizmit deri sot) nakatosur me thashetheme kafenesh, mllefe interesaxhinjsh dhe interesa gjobaxhinjsh, nëpër ekrane e portale që u ngjajnë tabelave të fletë-rrufeve të komunizmit, prodhon përditë baltë e helm me çështjet e drejtësisë! Po kësaj s’kemi ç’i bëjmë për sa kohë shpifjet e politikanëve dhe denigrimet e killerave mediatikë, janë bërë pjesë e jetës sonë publike të kthyer në një xhungël ku s’e merr vesh i pari të dytin, ku nuk debatohet me argumenta po vetëm propagandohet me akuza e bërtitet për të mos lënë tjetrin të flasë, ku liria e shprehjes është bërë liri e shpifjes, ku shpifësit përveçse me votë nuk ndëshkohen as me ligj e as me zakon, po vetëm zaptojnë me pafytyrësi që edhe në Kanunin e vjetër të shqiptarëve, edhe në çdo libër edukate të qytetërimit demokratik, konsiderohet shkelje e pafalshme.

Por ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë; goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur!

Kështu që edhe kjo çështja më e fundit e disa ish-zyrtarëve e zyrtarëve të bashkisë Tiranë, edhe qëndrimi i drejtë i Erionit sot, me të cilin bashkohem fjalë e presje, dëshmojnë edhe njëherë se ne as nuk e kontrollojmë SPAK-un, as nuk kemi ndërmend të ndryshojmë qasjen fuqimisht mbështetëse për SPAK-un, as nuk komentojmë çfarëdoqoftë lidhur me vërtetësinë e akuzave të SPAK-ut, për këdoqoftë që SPAK-u merr të pandehur dhe as nuk kemi asnjë lidhje me dokrrat e segmentit politik e mediatik, që prodhon përditë baltë e helm në seanca parlamentare, shfaqje televizive e kanale digjitale, ku lloj-lloj pjellash të mendësisë së errët inkuizicionale, na bëjnë gjyqe si ato të komunizmit, duke u përpjekur të na fusin të tërëve në çdo trastë e thes korrupsioni që hapet nga SPAK-u!

Ne jemi në këtë detyrë për të bërë Shqipërinë Europiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit, ku punët janë të ndara e ku lavdi Zotit, popullit që e mbështeti fuqimisht hapjen e rrugës së Reformës në Drejtësi dhe Partisë Socialiste, e cila i hyri detit në këmbë për ta hapur këtë rrugë, tanimë s’jemi më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të!

Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion,”- shkroi Rama.

Kryebashkiaku Erion Veliaj doli sot në një komunikim për mediat, një javë pas skandalit të arrestimeve të drejtorëve të institucionit të tij dhe dosjes “5D” të tenderëve abuzivë. Ai theu heshtjen për arrestimet ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, Redi Molla, Taulant Tushe dhe Mariglen Qato, duke i marrë ata në mbrojtje e duke lëshuar një lumë akuzash ndaj opozitës dhe mediave që e kanë drejtuar gishtin e përgjegjësisë drejt tij për vjedhjen galopante në bashki, si titullar i saj.

Veliaj duket se e përdori reagimin e tij të regjistruar nga zyra në Bashki edhe për t’i dhënë një mesazh Edi Ramës. Ai i kujtoi kryeministrit Arben Ahmetajn, duke i thënë se, nëse bashkëpunëtorët e tij kanë vjedhur ai nuk di asgjë, siç Rama nuk dinte asgjë për aferat e Ahmetajt.

“Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?

Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?! Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij?!”

Veliaj tha se ai nuk kishte vjedhur kurrë në të gjithë periudhën që drejtonte bashkinë e Tiranës, por nuk shpjegoi se si është e mundur që thuajse të gjithë drejtorët e tij janë para drejtësisë për vjedhje galopante. Ai akuzoi opozitën dhe disa media e gazetarë për gjueti shtrigash, por nuk sqaroi se çfarë masash kishte marrë ai si kryetar Bashkie për të parandaluar korrupsionin. Po ashtu ai nuk sqaroi publikun dhe votuesit se sa raste korrupsioni ka denoncuar vetë Bashkia pranë prokurorisë. Sipas Kreut raportit te SPAK, denoncimet nga kjo bashki janë zero.

Deklarata e plotë e Veliajt:

“Jam këtu para jush, pasi kam parë, njësoj si ju, e dëgjuar, njësoj si ju, çfarë ka ndodhur me disa drejtorë e ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, dhe pasi kam kaluar edhe një peripeci të vogël shëndetësore personale, për të cilët ju falenderoj për kujdesin. Jam përpjekur të kuptoj, sa e kam pasur unë të mundur, se si janë zhvilluar ngjarjet që çuan në ngritjen e akuzave për këta zyrtarë të institucionit që unë drejtoj.

Po e nis nga vija e kuqe e Partisë Socialiste dhe e kryeministrit Rama: Çështjet që hap drejtësia e re, me këdoqoftë dhe kudoqoftë, në cilindo nivel të përgjegjësive ekzekutive dhe administrative, nuk janë për t’u komentuar në aspektin e tyre ligjor, por janë thjesht për t’ua besuar organeve të drejtësisë. Cilido individ që është përfshirë në këto çështje, duhet të përballet vetë me drejtësinë, i zhveshur nga çdo lloj mbrojtjeje tjetër, përveç mbrojtjes ligjore nga avokatët e vet.

Pra, unë s’kam asnjë koment për vërtetësinë e akuzave, për shkallën e përfshirjes ose jo të secilit në aktivitetin e paligjshëm për të cilin akuzohen, për fajësinë apo pafajësinë e tyre, që është ekskluzivisht tagër i gjykatës, nivelin e respektimit të së drejtës njerëzore e kushtetuese të prezumimit të pafajësisë në para-burgimin e tyre, e kështu me radhë.

Kjo vijë e kuqe ma bën të pamundur futjen në debat për faktet, me ata të cilët e shfrytëzojnë lirinë e fjalës në media për të bërë prokurorin, sigurimsin modern apo inkuizitorin mesjetar, duke më përfshirë edhe mua në të dënuarit pa gjyq, për sa ka ndodhur ose nuk ka ndodhur.

Por, nëse për faktet e kam të pamundur të hyj në debat sepse do të cenoja parimin e mosndërhyrjes në një çështje të drejtësisë, për pjesën time të përgjegjësisë dhe për rolin që kam me bekimin e qytetarëve të Tiranës, e kam të pamundur të mos shprehem.

Po! Nuk ka asnjë diskutim, që unë kam punuar dhe bashkëpunuar me këta njerëz dhe për sa më takon, e kam vlerësuar punën e tyre në bazë të rezultateve, që flasin vetë në çdo cep të qytetit, për këdo që do t’iu referohet arritjeve reale në sektorët që ata kanë drejtuar, në kohën që kanë punuar në Bashkinë e Tiranës.

Mariglen Qato ka drejtuar IMT-në nga shtatori 2018 gjer në shtator 2023. Falë punës së tij dhe asaj skuadre është bërë i mundur Bulevardi i Ri, çlirimi i Unazës tek Astiri, lirimi i Liqenit nga zaptimet në gjysmën e tij, hapja e terreneve në Kombinat dhe 5 Maji për lagjet e reja pas tërmetit. Teksa sot ecim në ato bulevarde, buzë Liqenit, apo përgjatë Unazës së Madhe, ne kuptojmë sa punë të dobishme ishin për qytetin, por edhe sa kundërshtarë politikë u ndërzyen ndaj IMT-së sepse kishin lidhur karrierën e tyre me bllokimin e këtyre kantiereve e sabotimin e Tiranës.

Redi Molla ka drejtuar UKT-në në vitet 2016-2020, ku e ktheu një ndërmarrje të falimentuar në të vetmin ujësjellës me bilanc pozitiv në vend, që sot financohet direkt nga bankat ndërkombëtare të zhvillimit dhe që e ktheu Tiranën e vogël nga 7 orë ujë në ditë, ku vaditej misri e thaheshin lagjet, në një qytet 25 herë më të madh në sipërfaqe, me 20 orë ujë mesatarisht, e në shumicën e zonave urbane me 24 orë ujë.

Taulant Tusha ka drejtuar punët publike në Bashkinë e Tiranës gjer vitin e kaluar. Me një përkushtim të jashtëzakonshëm ka ndjekur 24/7 projekte që Tirana i priste prej një shekulli – nga Sheshi Skënderbej, tek Pazari i Ri, nga Bulevardi Zogu I, tek Unaza e Vogël, nga Kalaja e Tiranës në qendër, tek ajo e Petrelës në periferi, nga zgjatimi i Lanës, e gjer tek Lumi i Tiranës, që përmbyste gjithë njësitë 4, 8, 9 e 11, e gjer tek 101 kopshte e çerdhe të rinovuara, e 40 shkolla të reja, nga ‘Kosova’ e ‘Samiu’, gjer tek ‘Partizani’ e ‘Çajupi’, ku çdo ditë ulen e rriten 200 mijë fëmijë të kryeqytetit në kushte optimale.

Kjo ishte një pasqyrë e përmbledhur e punës së tyre në bashki dhe e punës sime me ta, përpara se hienat që s’kanë prekur punë me dorë, të skërmisin dhëmbët me jargë për gjahun e radhës.

Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?

Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!

Si mund të jetë kaq e padiskutueshme, që një kryeministër, apo në rastin tim, një kryetar bashkie, të jetë në dijeni të çdo gjëje që s’ka të bëjë fare me funksionin e tij të përcaktuar me ligj apo me objektivat e me një mijë e një problemet e përditshme të punës së tij?!

Ku jemi këtu? Në komunizëm? Kur shoku Enver i vinte mbrapa një parti të tërë e një armatë të tërë me spiunë, të gjithë zyrtarëve të shtetit, deri tek vrima e çelësit e shtëpisë së tyre, që sot u dashka të arrestohet e të burgoset nga gjykata politiko-mediatike, titullari i institucionit, sapo SPAK-u nxjerr fletët e arrestit për një apo disa zyrtarë të institucionit disa mijëra vetash që ai drejton?!

I ngre këto pyetje retorike sepse në asnjë vend normal demokratik, nuk ndodh kjo gjueti shtrigash. Në parlamente, ekrane, portale, madje as në rrjetet sociale të Francës, Italisë, Greqisë e me radhë, nuk i shikon këto turra drush për të djegur të gjallë Presidentë, kryeministra, kryetarë bashkish, kur drejtësia thjesht po bën punën e saj në luftën kundër korrupsionit dhe ku gjykatat, në fund, e ndajnë shapin nga shqeri, të fajshmit nga të pafajshmit!

Këta gjahtarët profesionistë të shtrigave, që kanë një mandat deputeti të partive me vulë të humbur apo një kravatë moderatori dhe analisti në kolltuqet e spektakleve politike televizive të çdo mbrëmjeje, po që s’kanë asnjë respekt për dinjitetin njerëzor, për punën, për faktet, duan që populli ta harrojë këtë të vërtetë të madhe.

Shqiptarët e kanë dëgjuar dhjetra, në mos qindra herë, nga goja e kryetarit tonë, Edi Ramës, se ne duam një drejtësi të drejtë, që të godasë djathtas e majtas dhe të shikojë e të ecë vetëm drejt, me shpatën e ligjit në dorë! Unë e di që për shumë njerëz politikanët janë njerëz që tjetër thonë, tjetër mendojnë dhe tjetër bëjnë, po pikërisht pse Edi Rama, kryeministër dhe kryetari ynë i Partisë Socialiste, dhe kjo parti e udhëhequr prej tij, janë ndryshe nga ky stereotip dhe Shqipëria sot është shumë më ndryshe se 10 vite më parë, edhe Tirana sot është më ndryshe se 10 vite më parë, edhe drejtësia sot është më ndryshe se 10 vite më parë!

Nga ana tjetër, kulmi fare këtu tek ne është se çfarë po ndodh sot në Shqipëri, ka nisur pikërisht nga vizioni, projekti dhe vullneti shtetndërtues i Edi Ramës, kryeministrit tonë, dhe Partisë Socialiste, pa të cilët SPAK-u as që do ekzistonte dhe kjo luftë kundër korrupsionit as që do imagjinohej. Eshtë një luftë që ne e kemi kërkuar, e bëjmë sa mundemi, prej ditës së parë në këto detyra, me reforma, shërbime digjitale, me masa për përmirësime të vazhdueshme procesesh administrative, por edhe auditime e largime nga puna për punonjës që shkelin rregullat apo denoncohen nga qytetarët.

Por, nivelet ekzekutive të qeverisjes nuk janë as prokurori as gjykata, prandaj ne e shohim drejtësinë si aleate strategjike në këtë luftë dhe e mbështesim pa rezervë punën e saj, si një punë e domosdoshme për pastrimin e administratave tona nga elementët e korruptuar. Prandaj, edhe ekziston ndarja e pushteteve dhe e punëve në këtë sistem dhe prandaj, ligji ngarkon prokurorët e gjykatësit të bëjnë një punë që, as kryeministri, as ministrat, as kryetarët e bashkive, as mund ta bëjnë, as janë të lejuar me ligj që ta bëjnë.

Disa i bien shkurt: Po pse, nuk dëgjoni ju fjalë për njërin e për tjetrin? Patjetër që dëgjojmë edhe ne fjalë. Madje, më shumë se sa për të gjithë, për veten tonë! Po çfarë duhet të bëjmë, përveçse të pyesim veten apo të tjerët sa të vërteta janë këto fjalë! Dhe me veten e dimë çfarë është e vërtetë ose jo, ndërsa me të tjerët si ta verifikojmë deri në fund të vërtetën e fjalëve? T’u vëmë njerëz mbrapa? T’u fusim përgjues në makina dhe në shtëpi? T’i paraburgosim në një zyrë në bashki apo nëpër ministri, në bazë të dyshimeve dhe t’i mbajmë aty derisa të thonë të vërtetën?! T’i torturojmë? Këto janë të gjitha të pamendueshme, jo thjesht kriminale, në aspektin e ligjeve demokratike, të cilat fuqinë represive të shtetit ia njohin si ekskluzivitet organeve policore e gjyqësore, jo titullarëve të pushtetit ekzekutiv dhe politik!

Disa të tjerë thonë: Kur dëgjoni fjalë largojini menjëherë nga puna! Po nëse do të ndiqnim këtë kriter duhet të largonim veten nga puna çdo ditë nga gjithë thashethemet dhe fjalët, dhe nga ana tjetër, largimet nga puna të drejtuesve të administratës janë si në çdo vend europian edhe në Shqipëri, një përgjegjësi që me ligj nuk e ka asnjë titullar politik! E pra, punët janë të ndara, siç janë edhe përgjegjësitë e qëllimet tona publike nga përgjegjësia individuale e secilit para ligjit dhe nga qëllimet e erreta personale të kujtdo që përfiton në rrugë të paligjshme, duke abuzuar me detyrën, pas shpinës së institucionit e të atyre me të cilët e lidh puna e përbashkët.

Tani, padiskutim që mua nuk ka sesi të më vijë mirë, nëse akuzat e ngritura ndaj disa ish-drejtorëve e drejtorëve të Bashkisë Tiranës provohen të vërteta në gjykatë. Përkundrazi, më vjen tmerrsisht keq, që krahas angazhimit në plot punë të mira të përbashkëta, disa zyrtarë të rëndësishëm të kësaj bashkie të jenë angazhuar në punë të pista për përfitime personale. Por, në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë për ta, unë vetë nuk kam çfarë pres për t’ju parë të gjithëve në sy dhe për t’ju thënë se asnjë përfitim i paligjshëm personal, nuk më ka lidhur kurrë as me ta dhe as me askënd tjetër në detyrën time si shërbëtori numër një i Tiranës sonë.

Gabime mund të kem bërë edhe unë plot! S’kam asnjë dyshim! Po s’e kam bërë kurrë fajin që ta përdor firmën time, fjalën time, ndikimin tim, për çfarëdo lloj përfitimi personal të paligjshëm. Uroj që këtë ta vërtetojnë deri në fund edhe hetimet për inceneratorin e Tiranës, me të cilin e vetmja gjë që më ka lidhur ka qenë pastrimi i këtij qyteti, tanimë shembullor në pastërti, edhe hetimet për këtë çështjen e hapur së fundmi nga drejtësia.

Unë i trembem shkeljes së normave me të cilat jam edukuar që fëmijë në këtë qytet dhe e kam frikë ligjin përpara se sa të bëhem një subjekt i ndëshkimit të tij, kështu që nuk e kam shkelur kurrë as ligjin, as besimin e atyre që më kanë dhënë tre herë mandatin për të drejtuar Tiranën. Prandaj, drejtësia të vazhdojë punën e saj, s’ka nevojë t’ia them unë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa unë do të vazhdoj punën time me skuadrën e transformimit të Tiranës, edhe me më shumë këmbëngulje për Tiranën e për bashkëqytetarët e mi, pas kësaj ngjarjeje që nuk më bën aspak krenar. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen, kurajon dhe forcën që më jepni çdo ditë”. /ZOOM.AL/

 

Skandal në Malin e Zi, Serbia akuzohet se po fut kamionë ushtarakë të maskuar si makineri ndërtimi!

Kompania “Millennium Team”, për të cilën dyshojnë burime të gazetës “Pobjeda”, gazeta më e vjetër në Mal të Zi, se po importon kamionë ushtarakë të maskuar si makineri ndërtimi në Serbi përmes Portit të Barit, njihet si një kompani e afërt me regjimin në Beograd dhe shpesh favorizohet në procedura të shumta tenderash shtetërore.

Mediat serbe shkruajnë se pronarët e kësaj kompanie – Ivan Boshnjak dhe Stojan Vujko, janë njerëz besnikë të presidentit të Serbisë Vuçiq, por edhe se janë vetëm pronarë formalë. Ato deklarojnë gjithashtu se Boshnjak dhe Vujko janë të afërt me vëllezërit Sinisha dhe Predrag Mali.

Prej disa javësh në zonën doganore të Portit të Tivarit janë ndalur më shumë se 20 kamionë të importuar nga kompania serbe “Millenium Team”, për të cilët burime të Pobjedës pohojnë se janë automjete ushtarake, gjegjësisht raketambajtëse nga të cilat janë hequr hendekët, ndërsa Drejtoria doganore na informoi se “veturat në fjalë janë deklaruar në organin doganor si makina ndërtimore”.

Burime të Pobjeda-s thonë se automjetet janë lyer me ngjyrë të verdhë nga jashtë, ndërsa pjesa e brendshme ka mbetur në ngjyrë jeshile, e ashtuquajtura ngjyrë SMB që përdoret nga ushtria. Nga drejtoria doganore kanë konfirmuar për gazetën se automjetet janë të parkuara në portin e Tivarit.

“Lidhur me çështjen që kanë të bëjnë me automjetet e futura në Portin e Tivarit, theksojmë se ato nuk janë lëshuar në qarkullim të lirë dhe as nuk ka qëllim për t’i vënë në qarkullim në Mal të Zi. Automjetet u dërguan me rrugë detare në Portin e Tivarit, për të kryer procedurën e tranzitit përmes Malit të Zi deri në destinacionin përfundimtar”, thuhet në përgjigjet e doganës për gazetën malazeze.

Më tej ata shprehen se “duke qenë se automjetet në fjalë janë raportuar në doganë si makineri ndërtimi, autoriteti doganor ka kërkuar dorëzimin e dokumentacionit shtesë lidhur me llojin e mallit dhe qëllimin përfundimtar të tyre”. Në ndërkohë, sipas informacioneve të gazetës, automjetet kanë marrë leje për të vazhduar udhëtimin për në Serbi. Bashkëbiseduesit jozyrtarë të Pobjedës thanë se automjetet janë importuar nga Kina (Shanghai) nga kompania serbe “Millennium Team”.

“Kur ngritët kabina dhe shikoni poshtë – gjithçka është SMB, ngjyrë ushtarake, ngjyrë ulliri. Ata ndoshta do të blejnë raketahedhës veç e veç ose i kanë blerë tashmë”, thonë burimet e kësaj gazete. Drejtoria doganore nuk është përgjigjur se cila kompani ka importuar automjetet në fjalë dhe nëse është e vërtetë se ato janë automjete ushtarake të importuara nga Kina. I kemi pyetur edhe pse automjetet janë të ngjyrosura me ngjyrë të verdhë nga jashtë, nëse janë ushtarake dhe nëse janë automjete të dyfishta dhe për çfarë qëllimi janë importuar, por as në ato pyetje nuk janë përgjigjur, raporton Pobjeda.

“Pa asnjë përgjigje në lidhje me kamionët e kontestuar, ata na u larguan nga Porti i Tivarit”. Ndërkaq, kompania serbe “Millenium Team” u përgjigj se kjo kompani “është në proces të blerjes dhe importit të makinerive ndërtimore dhe kamionëve nga Republika e Kinës për ndërtimin e Expo 2027”. “Bëhet fjalë për 24 makineri, nga të cilat 20 janë tashmë në Serbi, ndërsa për katër traktorët dhe vinçat e mbetur presim që procedura e rregullt doganore, sipas informacioneve që marrim nga transportuesit tanë, të përfundojë në Portin e Barit në ditët në vijim”, tha kjo kompani 29 mars për gazetën malazeze.

Kjo kompani ka thënë se “pajisja e përmendur nuk është për përdorim ushtarak, por ekskluzivisht për përdorim civil”. “Burimet tona, megjithatë, janë skeptike dhe nuk janë të sigurta se dërgesa e mbërritur nga Kina në Portin e Tivarit për tregun serb është vërtet civile”, shkruan Pobjeda. “Autoritetet malazeze duhet të ishin shumë më të kujdesshme, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se Serbia është sërish një kërcënim për stabilitetin e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar vazhdimisht me armatim shtesë”, thonë këto burime.

Disa ditë më parë, presidenti serb – pasi emëroi Millosh Vuçeviqin, president nga Partia Progresive Serbe e Vuçiqit – tha se Serbia është “në një pozicion specifik sepse” ata janë “të vetmit me status neutral ushtarak në këtë pjesë të rajonit”. “Ne jemi gjithmonë të gatshëm të mbrohemi, por nuk kërcënojmë askënd”, tha ai dhe njoftoi blerjen e avionëve të rinj luftarakë, si dhe mjetet e artilerisë, raketahedhës me shumë fuçi.

Ai tha se në ushtri po investohet më shumë se kurrë më parë dhe bëri të ditur se më 20 prill do të demonstrohet efekti i dronëve të prodhimit vendas në terrenin stërvitor në Peshter./Express/

Telashe edhe për djalin e reperit “Diddy”, akuzohet po për abuzim seksual

Ndërsa hetimi i trafikimit seksual ndaj Sean “Diddy” Combs (Paff Daddy) vazhdon, tani djali më i vogël i muzikantit të famshëm po përballet me një padi ndaj tij.

Christian “King” Combs, 25 vjeç, u padit për sulm seksual ndaj Grace O’Marcaigh, një grua që punonte në një jaht që babai i tij kishte marrë me qira në verën e vitit 2022, sipas dokumenteve të gjykatës. Padia, e paraqitur të enjten në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit, akuzon gjithashtu ‘Mbretin’ për ngacmim seksual dhe shqetësim emocional. Diddy akuzohet gjithashtu se ka ndihmuar dhe nxitur djalin e tij, i cili përmendet në padinë për përgjegjësinë, në qiradhënien e varkës.

O’Marcaigh pretendoi se udhëtimi ishte “shitur si një shëtitje e shëndetshme familjare”, por u kthye në një “ambient hedonist”. Incidenti i supozuar ndodhi në fund të dhjetorit të atij viti, pak para se Diddy të organizonte një festë me jahte të mbushura me yje në natën e Vitit të Ri. Sipas TMZ, O’Marcaigh pretendon se King u përpoq ta puthte dhe ta prekte atë. Agjencia raportoi se O’Marcaigh gjithashtu ka regjistruar veten duke refuzuar ngacmimet e King në jaht dhe duke u përpjekur të largohej prej tij.

Mbreti më pas dyshohet se u përpoq të detyronte O’Marcaigh të kryente seks oral me të. Ajo tregoi foto me mavijosje në dorë, të cilat ajo thotë se i mori gjatë përleshjes, duke e shtyrë dhe duke ikur. Aaron Dyer, një avokat në ekipin mbrojtës të Diddy dhe King, iu përgjigj padisë në një deklaratë për Us Weekly.

“Ne nuk e kemi parë padinë e kësaj gruaje, por jam i sigurt që mund të presim të njëjtat gënjeshtra të fabrikuara që kemi pritur nga Tyrone Blackburn dhe klientët e tij, ashtu siç pamë në padinë e Rodney Jones – e cila ende nuk është bërë ”, tha Dyer.

“Tyrone Blackburn vetëm në fillim të kësaj jave u godit nga një gjykatës federal në Nju Jork për “modelin e tij të sjelljes”, i cili konsiston në “parashtrimin e pahijshëm të çështjeve në gjykatën federale për të tërhequr vëmendjen e medias, duke bërë akuza dhe presion ndaj të pandehurve për t’u zgjidhur shpejt”, vazhdoi ai.

King dhe vëllai i tij Justin u arrestuan muajin e kaluar gjatë bastisjeve në shtëpitë e babait të tyre në Los Angeles dhe Miami dhe ata punësuan avokatin Jeffrey Lichtman, duke akuzuar hetuesit për “përdorim të tepruar të forcës” gjatë arrestimit në rezidencën Holmby Hills në Los Anxhelos.

King theu edhe heshtjen e tij në Snapchat pas arrestimit, duke shkruar: “Stop gënjeshtrave”. Diddy ka qenë objekt i një numri në rritje të padive ndaj tij për ngacmim seksuale dhe sulme, më së fundi që kulmuan me hetimet e Sigurisë Kombëtare që bastisën shtëpitë e tij, ku u panë duke hequr kuti dhe çanta me prova. /ZOOM.AL/

Lajm i mirë për Brojën, tekniku i Fulham e grumbullon për ndeshjen e Premier

Dritë në fund të tunelit për Armando Brojën. Sulmuesi shqiptar, pasi nuk u grumbullua për disa ndeshje radhazi nga trajneri i Fulham, sot tekniku Marco Silva, e ka ftuar lojtarin kuqezi për sfidën ndaj Newcastle.

Broja do e nisë ndeshjen nga pankina, me shpresën se do aktivizohet në pjesën e dytë. 22-vjeçari është impenjuar në katër ndeshje me Fulham, ku numëron një asist.

Armando Broja kërkon që të arrijë në Europianin e verës në formë. Vendimtar do jetë fundi i sezonit, ku atij do i duhet të tregojë potencialin e tij.

Prej javësh lojtari kuqezi nuk është aktivizuar me klubin britanik pas dëmtimit të vuajtur dhe transferimit nga Çelsi, ku mund të rikthehet në fund të sezonit. /ZOOM.AL/