zoom

Day ArchiveKriza demografike prek arsimin dhe nivelin e mësuesve

Në shkollat e arsimit parauniversitar në Bashkinë e Kukësit mungojnë aktualisht 29 mësues matematike, në Dibër 23, madje edhe në Tiranë, 11. Në të gjithë vendin, arsimi 9-vjeçar dhe i mesëm ushtron aktivitet me 159 mësues matematike mangët, sipas të dhënave zyrtare nga Portali Mësues për Shqipërinë nga Ministria e Arsimit. (shiko grafikun: Vendet vakante për mësues matematike në bashkitë e vendit)

Burimet njerëzore janë bërë pengesë akute në shumë aktivitete ekonomike, por ato kanë prekur edhe sistemin arsimor, i cili në vetvete është jetik, pasi përgatit të gjitha profesionet e së ardhmes.

Në qarqet më të varfra, Kukës dhe Dibër, thuajse shumica e shkollave nuk kanë një mësues të profilit të matematikës.

Nga bashkitë e Veriut ka shumë pak nxënës që zgjedhin të studiojnë matematikë, por edhe ata që kanë kryer studimet nuk kthehen në vendlindje për të ushtruar profesionin e mësuesit.

Portali Mësues për Shqipërinë tregon se, ka mungesa në stafet mësimore në të gjithë vendin dhe në të gjitha profilet e lëndëve, teksa në një të ardhme jo të largët, mungesat do të jenë edhe më të mëdha dhe cilësia e mësuesve do të jetë në rënie.

Këtë vit akademik, për të aplikuar në programet e studimit Bachelor nevojitej minimalisht mesatarja 6.5 (përjashtim bëjnë programet e gjuhëve të huaja, të mësuesisë, si dhe degëve të Universitetit të Mjekësisë). Ndërsa për programet e studimit profesional 2-vjeçar nuk ka kriter mbi mesataren.

Në vitin e akademik 2024-2025, degët që lidhen me mësuesinë – Fizika, Historia, Gjuha shqipe dhe Letërsia, Arkeologjia, Biologjia, Filozofia kishin mbi 70-80% të kuotave të lira në raundin e parë, teksa dega e matematikës në Fakultetin e Shkencave është në rrezik mbyllje, nga mungesa e studentëve.

Në këto kushte, një gjimnazist me mesatare 5 që studion për matematikë nuk garanton cilësi në mësimdhënie në të ardhmen. Aktualisht, lënda e matematikës, në shumicën e shkollave jepet nga brezi që ka mbaruar para viteve 1990.

Rregullat e kohës përzgjidhnin gjimnazistët me medalje për të studiuar matematikë e për rrjedhojë, burimet njerëzore që u krijuan më pas ishin në nivel shumë më të lartë se mesatarja e mësuesve të profileve të tjera.

Me daljen e këtij brezi në pension, lënda e matematikës rrezikon të mbetet pa mësues ose në rastin më të mirë, do të jepet nga maturantët që kishin rezultatet me të dobëta.

Burimet njerëzore në arsim nuk mund të sigurohen kaq lehtë nga vende të tjera, siç po synojnë kompanitë private të zëvendësojnë forcën e punës. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tani i angazhuar në trupën akademike, thotë se, vendi ynë ende nuk e ka kuptuar që mësuesi me kompetencë në një lëndë në Shqipëri nuk mund të punësohet më.

“Mësuesi duhet të diplomohet minimumi për dy lëndë, pasi nuk ka më shkolla me 40 nxënës. Si nga pikëpamja e menaxhimit, duhen formime në fusha të përafërta, pasi kjo i shërben aspektit të menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe rritjes së nivelit teorik të mësuesve”, tha z. Tafaj.

Sipas tij, me uljen e numrit të nxënësve në shkolla dhe universitete, qeveria ka më shumë burime financiare në dispozicion që të rrisë cilësinë e mësimdhënies.

Ekspertë të tjerë kanë vënë në dukje se qeveria duhet të vendosë stimuj financiarë për studentët në degët e mësuesisë, duke rritur edhe mesataren e pranimit dhe nga ana tjetër, duhet të rriten edhe pagat për mësuesit në sektorin publik, në mënyrë që mësuesia të jetë konkurruese në tregun e punës.

Testimi i mësuesve, 47% me njohuri të pamjaftueshme

Në vitin 2021, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), publikoi rezultatet e testimit të njohurive të mësuesve për nivelin profesional në rang vendi. Kjo është tabloja më e fundit që tregon cilësinë e trupës arsimore.

Nga rreth 28 mijë mësues në arsimin parauniversitar, në testim morën pjesë rreth 20 mijë mësues. Rezultatet e vlerësimit në nivel kombëtar për fushën “Mësimdhënia dhe të nxënit” treguan se në nivel kombëtar, rreth 2587 mësues të të gjitha profileve në arsimin parauniversitar morën rezultate shumë të dobëta, duke përbërë 12.7% të totalit të mësuesve të testuar.

7047 mësues rezultuan me mungesa të mëdha në njohuri që kanë nevojë për përmirësim të cilësisë (përbënin 34.7% të totalit të mësuesve të testuar), 34,3% e mësuesve morën rezultate mesatare dhe të kënaqshme për mësimdhënie dhe vetëm 18,1% e tyre kishin arritje shumë të kënaqshme në lidhje me mësimdhënien.

Siç tregojnë rezultatet e testimit, numri i mësuesve që u vlerësuan me pikët maksimale (9%) ishte shumë i ulët, me vetëm 2527 mësues dhe pjesa më e madhe e tyre rezulton me 5 ose 6 pikë.

Rezultatet treguan se në nivel kombëtar, vetëm 22.5% e mësuesve zotërojnë njohuri në një nivel shumë të kënaqshëm. Rreth 53% kanë nivel të kënaqshëm mesatar dhe 21% e trupës mësimore kanë nevoja shumë të mëdha për përmirësim dhe 8% e mësuesve janë tepër dobët.

Të dhënat zyrtare mbi njohuritë te mësuesit e sistemit parauniversitar tregojnë se gati një e katërta e trupës janë shumë dobët.

Testimi tregoi se 47.5% e mësuesve në të gjithë vendin zotërojnë njohuri jo të mjaftueshme për çështje që lidhen me mësimdhënien bazuar në kurrikulën me kompetenca.

Rezultatet më të dobëta i kanë mësuesit në Drejtorinë Rajonale Arsimore të Lezhës, ku përfaqësohen qarqet e Veriut, ku më shumë se gjysma e tyre, rreth 51%, kanë nivel shumë të dobët.

Shkollat në zonat rurale në qarqet e Veriut kanë mungesa akute për mësues dhe po vuajnë zbrazjen e popullsisë.

Në njësinë e Administrative të Shemrisë në Kukës, ku aktualisht funksionon shkolla e mesme, gjimnaz, nuk ka mësues matematike dhe lënda jepet me raunde nga mësuesit e profileve të tjera. Në kushte të ngjashme janë edhe shumë shkolla në zonat rurale të Dibrës dhe Kukësit.

Më të përgatiturit, mësuesit e kimisë, matematikës dhe gjuhës shqipe

Rezultatet e testimit të mësuesve, sipas degëve, tregojnë se në lëndët kyçe në arsimin parauniversitar ende kemi mësues me njohuri të kënaqshme. Trupa e mësuesve të matematikës, kimisë, gjuhës shqipe dhe biologjisë morën rezultate më të larta në testimin e njohurive për mësimdhënien.

Gati 60% e mësuesve të kimisë kishin njohuri të kënaqshme dhe shumë të kënaqshme, 61% e mësuesve të matematikës ishin në këtë nivel, dhe gjithashtu 54% e mësuesve të gjuhës shqipe dhe letërsisë ishin në nivel të kënaqshëm.

Rezultatet më të dobëta i morën mësuesit e arsimit parashkollor, profesional dhe fillor, ku shumica e tyre ishin me rezultate të dobëta dhe kanë nevoja të domosdoshme për përmirësim.

Mësuesit më të mirë i ka Kolonja, Divjaka, Delvina, Kavaja dhe Përrenjasi. Tirana, nën mesataren kombëtare

Rezultatet e testimit treguan se mësuesit më të mirë të vendit nuk janë në bashkitë e mëdha dhe as në Tiranë, ku ka konkurrencë të burimeve njerëzore. Në disa bashki vogla, të tilla si Kolonja, Delvina, Divjaka, Kavaja dhe Përrenjasi, mësuesit paraqitën rezultate më të mira se sa mesatarja kombëtare 5.6 nga 9 pikë të mundshme.

Rezultate të mira me diferencë nga bashkitë e tjera i kishin mësuesit në Bashkinë e Kolonjës me 7 pikë gjithsej, e ndjekur nga Bashkia e Divjakës.

Gjithashtu, bashkitë e Kamzës dhe Kavajës kishin mësues me nivel më të lartë se mesatarja kombëtare, të ndjekura nga bashkitë e Përrenjasit, Pogradecit, Selenicës, Beratit, Belshit.

Bashkitë me nivelin më të dobët të mësuesve ishin Bulqiza, Librazhdi, Gjirokastra, Hasi, Klosi, Lezha, Malësia e Madhe, Maliqi, Mallakastra, Tepelena, Fushë-Arrësi, Tropoja, Rrogozhina, etj.

Në nivel mesatar u paraqitën mësuesit në bashkitë e Kukësit, Elbasanit Fierit, Korçës, Krujës, Kurbinit etj.

Tiranë, kryeqyteti i vendit, kishte një nivel të arritjeve të mësuesve poshtë mesatares kombëtare. Tirana, e cila ka mundësi më të mira me burime njerëzore u rendit dobët.

Mësuesit e Bashkisë së Tiranës morën më pak se 5.6 pikë që ishte mesatarja kombëtare.

Testimi tregoi se me rritjen e viteve të punës përmirësohet edhe cilësia e mësuesve. Kategoria e dytë, me mbi 10 vite punë, tregoi rezultate më të larta se mësuesit e rinj. Ndryshe nga zonat rurale, mësuesit në qytete dhe zonat urbane morën rezultate më të larta.

Kurrikula me kompetenca, 38% e mësuesve nuk kanë njohuri të mjaftueshme

Prej vitesh, Shqipëria ka ndryshuar përmbajtjen mësimore dhe mënyrën e dhënies së mësimit në nivelin parauniversitar dhe zgjodhi kurrikulën britanike si model. Ajo bazohet në mësimdhënie ku përfshihen nxënësit dhe teknologjia është në themel të mësimdhënies.

Vlerësimi në lidhje me aftësitë për zbatimin e kurrikulës ka treguar se shumica e mësuesve, 38% e tyre, nuk kanë njohuri të mjaftueshme, ndërkohë 34% e tyre paraqiten me rezultate të mira, por me nevoja për përmirësim të mëtejshëm.

Ekspertët e arsimit vlerësojnë dobësitë për adoptimin e kurrikulës së re, si një ndër shkaktarët për rënien e arritjeve të nxënësve shqiptarë në testin PISA 2022. Shqipëria ka bërë dy dekada pas në sektorin e arsimit, sipas Testimit të fundit Ndërkombëtar PISA të kryer me nxënësit 15-vjeçarë.

Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012.

Edhe në shkenca, rënia e ishte e ngjashme.

Një nga arsyet kryesore të rënies në rezultate, në krahasim me vitet e mëparshme në testin e PISA është edhe ndryshimi i kurrikulës në arsimin parauniversitar, thotë Dr. Adrian Nacco, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Matematikës.

Zoti Naço, i cili prej vitesh punon me talentet kryesisht në shkenca, tha se treguesit statistikorë në vite, bëjnë të ditur se rezultatet më të mira janë marrë në vitin 2018 në testin PISA.

Ky është një tregues se reforma e ndërmarrë në 2017-2018 e në vijim, jo vetëm nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, por ka shënuar regres në tërësinë e tij dhe veçanërisht në lëndën e matematikës.

Mësuesja Irma Marku, e cila jep lëndën e Gjuhës Shqipe në një nga gjimnazet e kryeqytetit, tha se kurrikula re bëhet defektoze, pasi mësuesit nuk janë të aftë ta adoptojnë.

Mësuesja e matematikës N. M. në arsimin e mesëm, në një nga shkollat e Lezhës, tha se, kurrikula e re po përçon më pak njohuri te nxënësit.

Më parë, matematika në shkollë të mesme kishte shpjegim në librin e nxënësit, teorema dhe përkufizime për çdo temë mësimi, ndërsa me ndryshimin e kurrikulës, më shumë nxitet mësimi logjik, pa orientuar nxënësin nga rregullat që më parë mësoheshin edhe përmendësh.

Mirëpo kjo metodë nuk po rezulton efikase, pasi mësuesit nuk u trajnuan dhe nxënësit kanë interes më të ulët për të ndërvepruar, sipas modelit të ri.

“Me kurrikulën e vjetër, nxënësit detyroheshin të mësonin së paku përmendësh tabelën e shumëzimit, përkufizimet dhe teoremat dhe gjatë këtij procesi mësonin diçka, ndërsa në kurrikulën e re, këto detyrime janë hequr dhe tani shumica e nxënësve nuk mbajnë mend as veprimet më të lehta matematikore”, – tha ajo.

B.Muslia, i cili jep mësim në një shkollë 9-vjeçare në Kukës tha se, kurrikula në kompetenca ka dështuar, pasi mësimdhënia në bazë të saj kërkon logjistikë dhe mjete dhe teknologji. “Mungojnë mjetet e punës në shkollë. P.sh., teksti i biologjisë është ndërtuar një orë mësim, një orë veprimtari praktike ose punë laboratori.

Në shumicën dërrmuese të shkollave mungojnë mjetet e demonstrimit, sidomos në lëndët shkencore. Mjetet demonstruese praktike, dhe në 90% ose më shumë edhe ato vizuale.

Nga ana tjetër, një mësues biologjie ndoshta mund të realizojë edhe vetë ndonjë orë të veprimtarisë praktike, megjithatë edhe kjo ka mangësi ose nuk realizohet, pasi mësuesit janë të ngarkuar me lëndë të tjera dhe nuk ka kohë të mbledhin material për veprimtarinë”.

Ndërkohë që reforma arsimore në vendin tonë ka nisur nga klasat e 10-ta dhe të 11-ta, është shtrirë në klasat 8 dhe 9 dhe 12 dhe më pas, edhe në klasat më të ulëta.

“Mendoj se një nga arsyet që rezultatet në matematikë kanë rënë është edhe fakti i heqjes së provimit me zgjedhje në maturë dhe kjo ka thelluar hendekun e studentëve kur prezantohen me një nivel më të lartë njohurish në studimet e tyre të mëtejshme në nivel universitar”, – tha z. Naço.

94% e mësuesve, pa aftësi digjitale

Mësuesit shqiptarë shfaqën rezultate mjaft të dobëta në aftësitë dixhitale, pasi rezultatet e testimit kanë treguar se 94% e tyre kanë dhënë përgjigje të pasakta.

Shqipëria gjithashtu përafrohet me Agjendën Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, një nismë e financuar nga BE që synon të përmirësojë dixhitalizimin në procesin e të mësuarit.

Ai përfshin përmirësimin e infrastrukturës dixhitale të shkollave, sigurimin e aksesit në internet me shpejtësi të lartë për shkollat dhe vendosjen e kanaleve dixhitale të komunikimit ndërmjet shkollave dhe njësive arsimore rajonale, ndër nisma të tjera.

Sipas Strategjisë së Axhendës Dixhitale 2022-2025, njohuritë e TIK-ut dhe kodimit janë integruar në programin mësimor, duke filluar nga viti shkollor 2022.

Programi i ri i TIK-ut për nxënësit e klasës së parë ishte hartuar dhe miratuar nga Ministria e Arsimit dhe janë zhvilluar dy manuale për të mbështetur mësuesit dhe nxënësit e këtij niveli.

Në vitin shkollor 2022-2023, zbatimi i Lëndës TIK filloi nga klasa e parë në 100 shkolla pilot në 34 qytete, duke përfituar 7 079 nxënës. Në arsimin e lartë, për vitin akademik 2022-23, nga 121 352 studentë të regjistruar, 9 297 zgjodhën kurse të lidhura me TIK-un, duke shënuar rritje të vazhdueshme prej disa vitesh.

Mirëpo në shkolla, mësuesit që japin lëndët e teknologjisë dhe informacionit kanë njohuri të pamjaftueshme, njohuri që duhet të zotërohen edhe nga mësuesit e profileve të tjera, pasi çdo lëndë ka në themel mësimdhënien me kompjuter.

Kërkohet me urgjencë vëmendja ndaj arsimit dhe rritjes së financimeve

Prej dekadash, qeveritë shqiptare i kanë orientuar burimet financiare nga buxheti shtetit në asete fizike, teksa sektori i arsimit, themeli që siguron zhvillimin e qëndrueshëm, ka qenë sistematikisht i nënfinacuar.

Teksa ekonomia e vendit u zgjerua dhe buxheti arkëtoi më shumë të ardhura, shpenzimet publike për sektorët prioritarë, arsimi dhe shëndetësia kanë shënuar ulje në vitin 2022, si në raport me PBB-në, edhe me shpenzimet e përgjithshme buxhetore.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në vitin 2022, shpenzimet publike në sektorin e arsimit ishin 62.9 miliardë lekë ose 2,9% e PBB-së.

Krahasuar me vitin 2021, shpenzimet publike në arsim shprehur si përqindje ndaj PBB-së, kanë shënuar ulje me 0,2 pikë përqindje, ndërkohë shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje.

Financimet në arsim kanë kthyeshmëri të lartë në krahasim me sektorët e tjerë, pasi rrisin kualitetin dhe aftësitë e kapitalit human. Një forcë pune e mirarsimuar është në gjendje të çojë përpara një model më të avancuar ekonomik.

Menaxheri i Bankës Botërore në vendin tonë, Emanuel Salinas, mendon se, Shqipëria tani është e detyruar të investojë te të rinjtë.

“Kapitali njerëzor i Shqipërisë është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit, aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.

Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv”,- tha ai. Por, nuk mund të kemi vetvetiu një kapital njerëzor më të fortë dhe të mirëpërdorur, sipas tij.

“Që të arrihet kjo, duhen politika të mirëmenduara dhe kjo kërkon që ky kapital të jetë prioriteti i investimeve aktuale dhe të ardhshme dhe gjithashtu kërkon reforma të mëdha në institucione dhe sektorë si arsimi.

E gjithë kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të kërkojë përpjekje dhe burime, por është investimi i vetëm i rëndësishëm që nuk mund ta shpërfillim.

Sa më shpejt të fillojmë me të gjitha këto, aq më shpejt do të mund ta trajtojmë këtë rrezik madhor për Shqipërinë”, thotë zyrtari i lartë i BB-së.

Kapitali njerëzor mund të përmirësohet, duke rritur investimet në arsim dhe shëndetësi.

Z.Salinas përllogarit se popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim. Në të vërtetë, që njerëzit të kenë akses në punë më të mira, nuk është thelbësore vetëm të kenë aftësitë dhe njohuritë që kërkohen në ekonomi, por edhe mirëqenie fizike, mendore dhe sociale, u shpreh ai.

Në mënyrë krahasimore, në lidhje me shpenzimet në arsim si përqindje e PPB-së, treguesi i Shqipërisë është poshtë vendeve të rajonit që financojnë 4-5% të PBB për arsimin dhe poshtë vendeve të OECD që financojnë 6-7% të PBB-së tyre për arsimin.

Ndërkohë, sektori i arsimit po tkurret si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë që ka çuar në uljen e nxënësve në klasa. Hapësirat financiare po zgjerohen dhe ekspertët e shohin si mundësi të artë për rritjen e financimeve, sidomos për universitetet dhe kërkimin shkencor.

Gjatë tri dekadave të tranzicionit, sektori i arsimit në vend u tkurr me rreth 35%, nga rënia e numrit të nxënësve. Zhvillimet demografike lajmërojnë se në dekadën në vijim do të kemi sërish rënie dhe do të ketë përgjysmim të studentëve.

Rënia e lindjeve dhe emigracioni i përqendruar në moshat e reja pritet të çojë numrin total të studentëve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023./Monitor

Zbulohet buka më e vjetër në botë, daton 8600 vjet më parë

Arkeologët në Turqi thonë se kanë zbuluar bukën më të vjetër të njohur në botë, që daton në vitin 6600 para Krishtit.

Një strukturë furre e shkatërruar kryesisht u gjet në një zonë të quajtur “Mekan 66”, ku ka shtëpi ngjitur me tulla, në sitin arkeologjik të Çatalhöyük në provincën jugore turke të Konia, sipas Qendrës së Kërkimit dhe Aplikimit të Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin Necmettin Erbakan të Turqisë (BİTAM).

Rreth furrës, arkeologët gjetën grurë, elb, fara bizele dhe një mbetje të rrumbullakët.

Analizat përcaktuan se mbetja organike ishte bukë 8600-vjeçare, e papjekur dhe e fermentuar.

“Mund të themi se ky zbulim në Çatalhöyük është buka më e vjetër në botë”, i tha të mërkurën agjencisë shtetërore turke të lajmeve Anadolu, arkeologu Ali Umut Türkcan.

“Është një version më i vogël i një buke. Ka gisht të shtypur në qendër, nuk është pjekur, por është fermentuar dhe ka mbijetuar deri në ditët e sotme me niseshtenë brenda. Nuk ka asnjë shembull të ngjashëm të diçkaje të tillë deri më sot”, shtoi ai.

Ai shtoi se analizat zbuluan kimikate të gjetura në bimë dhe tregues të fermentimit. Mielli dhe uji ishin përzier, ndërsa buka ishte përgatitur pranë furrës dhe u mbajt për pak kohë.

“Është një zbulim emocionues për Turqinë dhe botën”, tha Kavak.

Lënda organike – si druri ashtu edhe buka – u ruajt nga balta e hollë që mbulonte strukturën, sipas Türkcan.

Çatalhöyük, i cili është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ishte shtëpia e afërsisht 8,000 njerëzve gjatë periudhës së neolitit, mes viteve 10.000 para Krishtit deri në 2.000 pes, dhe është një nga vendet e para të urbanizimit në botë, sipas BITAM.

Klopp lavdëron Guardiolën: Unë shoh përsosmëri kur përballem me të

Liderët e Premierligës, Liverpool, presin kampionin Manchester City të dielën me të dyja skuadrat që ndjekin historinë në një përplasje të madhe në krye të tabelës.

Mund të jetë gjithashtu një takim i fundit në ligë mes Jurgen Klopp dhe Pep Guardiola.

“Unë e bëj punën vetë, kështu që shoh përsosmëri kur përballem me të dhe Pep është padyshim ky”, tha Klopp.

Liverpool dhe City kanë fituar çdo titull të Premierligës që nga viti 2018, me skuadrën e Klopp që përfundoi në krye në 2020 dhe Guardiolën pesë herë fitues.

“Mënyra se si ai ka ndikuar në futboll, me sasinë e trofeve që ka fituar në karrierën e tij”, shtoi Klopp. “Por nëse e sheh, sillet sikur të mos ketë fituar kurrë më parë. Dëshira që ka është absolutisht e jashtëzakonshme. 

Ndonëse Guardiola dhe Klopp janë “armiq” të njohur në fushë, dyshja nuk kanë pasur shumë mundësi të darkojnë së bashku.

“Ndonjëherë në korridor para konferencës për shtyp”, tha Guardiola. “Kur kemi pasur nderin të futeshim në Hall of Fame kemi kaluar kohë me familjet, por sa i përket drekës apo darkave nuk ka ndodhur kurrë. Ne duhet të vendosim se kush paguan, prandaj nuk e bëmë. Mendoj se do të ndodhë herët a vonë, do të më pëlqente.”

Oscars 2024: Kush do t’i prezantojë statujat e arta gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve

Edicioni i 96-të i Oscars është vetëm pak ditë larg, dhe si gjithmonë, ne do të shohim yjet më të mirë të filmit të marrin statujat prestigjioze të arta.

Këtë vit, “Oppenheimer” i Christopher Nolan kryeson me 13 nominime, i ndjekur nga “Poor Things” i Yorgos Lanthimos me 11 dhe “Killers of the Flower Moon” i Martin Scorsese me 10.

Gjithashtu në garë për filmin më të mirë janë “American Fiction”, “Anatomy of a Fall”, “Barbie”, “The Holdovers”, “Maestro”, “Past Lives” dhe “The Zone of Interest”.

Përveç të nominuarve për Oscar, për fansat e filmave është shumë emocionuese të shohin prezantuesit që vit pas viti janë përgjegjës për t’i dhënë statuetën fituesve të rinj të çmimeve.

Dhe për vitin 2024, lista e të famshëmve është mjaft e larmishme.

Prezantuesit e Oscars 2024

Çmimet e Oscar do të zhvillohen të dielën, më 10 mars nga Teatri Dolby.

Radio franceze: Mafia shqiptare kontrollon trafikun e kokainës në Ekuador

Radio më e madhe në Francë, RFI (Radio France International) raportoi këtë të enjte zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Ekuador, ku ushtria dhe policia po luftojnë me bandat e trafikut të drogës.

Por në raportimin e saj, RFI vuri theksin te roli i mafias shqiptare në trafikun e narkotikëve, në bashkëpunim me kartelet meksikane. Në thuajse të gjitha shkrimet e mediave të huaja mbi situatën atje, mafia shqiptare thuhet se kontrollon portin kryesor të trafikut, atë të Guajakilit.

RAPORTIMI I RFI

Ekuador: Gjendja e jashtëzakonshme zgjatet edhe për 30 ditë të tjera

Kjo e premte, më 8 mars, do t’i jepte fund 60 ditëve të gjendjes së jashtëzakonshme që shënoi jetën e ekuadorianëve. Dislokimi i forcave ushtarake do të vazhdojë përfundimisht deri më 8 prill. Vendi është tronditur nga ajo që Quito e përshkruan si një “konflikt të armatosur të brendshëm”, një luftë e vërtetë midis ushtrisë dhe trafikantëve të drogës, pikërisht në zemër të rrugëve.

Ushtarët kanë arrestuar tashmë më shumë se 7,500 njerëz dhe kanë sekuestruar rreth 65 ton drogë në dy muaj operacion. Në total, rreth njëzet banda besohet të jenë të përfshira në përleshjet që tronditin Ekuadorin. Këto banda janë të lidhura me kartelet meksikane dhe mafian shqiptare, të cilat kontrollojnë trafikun e kokainës në vend. Ekuadori ndodhet midis dy prodhuesve kryesorë, Kolumbisë dhe Perusë.

Rreziku i krizës humanitare

Pika fillestare e kësaj dhune ishte arratisja e 7 janarit e Adolfo “Fito” Macias nga një burg në Gayaquil. Ende në arrati, ai është udhëheqësi i grupit më të madh kriminal të Ekuadorit, “Los Choneros”.

Në këtë proces, 200 oficerë policie dhe roje burgu u rrëmbyen. Përballë pasigurisë, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit përfshiu Ekuadorin për herë të parë, këtë të enjte, më 7 mars, në listën e tij të vëzhgimit të vendeve në rrezik të krizës humanitare.

Tradhtia, shkak i ndarjes! Natalie Portman dhe Benjamin Millepi finalizojnë divorcin

Natalie Portman paraqiti kërkesën për divorc nga bashkëshorti i saj, Benjamin Millepied, pas 11 vitesh martesë, tetë muaj më parë. Dhe tani ish-çifti janë divorcuar zyrtarisht.

Aktorja 42-vjeçare paraqiti kërkesën në korrik 2023 dhe divorci u finalizua në shkurt 2024 në Francë, ku Portman dhe Millepied jetojnë me fëmijët e tyre, djalin Aleph, 12 vjeç dhe vajzën Amalia, 7 vjeç.

Divorci i çiftit raportohet se erdhi për shkak të tradhtisë së regjisorit.

“Fillimisht ishte shumë e vështirë për të. Natalie po del nga një vit vërtet i vështirë dhe i dhimbshëm, por po gjen gëzim tek familja dhe miqtë e saj”, tha një mik i aktores për People.

Ndërkohë ish-çifti janë të fokusuar tek bashkëprindërimi i fëmijëve të tyre, në mënyrë që ata kalojnë sa më qetë këtë periudhë tranzicioni në familje.

“Prioriteti i saj më i madh ka qenë sigurimi i një tranzicioni të qetë për fëmijët e saj”, tha një burim. “Ajo dhe Ben i duan  fëmijët e tyre, asgjë nuk është më e rëndësishme.”

Në qershor 2023, një burim tha për PEOPLE se Millepied “po bënte gjithçka që mundej që Natalie ta falte dhe të mbante familjen e tyre të bashkuar”, ndërsa “prioriteti më i madh i Portman është mbrojtja e fëmijëve dhe privatësisë së tyre”.

Një “ilaç” falas dhe natyral për stresin

Të kaloni të paktën 20 minuta të ditës tuaj në një vend që ju afron me natyrën është e mjaftueshme për të ulur nivelet e hormoneve të stresit në trupin tuaj. 

Ky është gjetja e studimit që demonstroi për herë të parë efektin efektiv anksiolitik të përvojës fizike në natyrë. Studimi u botua në Frontiers in Psychology.

Ne e dimë se kalimi i kohës në natyrë zvogëlon stresin që përjetojmë, por deri më tani ishte e paqartë se sa shpesh dhe për sa kohë, apo edhe çfarë lloj përvoje fizike na sjell dobi”, shpjegoi Dr. Mary Carol Hunter, Asistente Profesore në Universitetin e Miçiganit dhe autore kryesore e studimit.

Studimi ynë tregon se për të reduktuar në mënyrë efektive kortizolin, hormonin e stresit par excellence, duhet të kaloni 20 deri në 30 minuta ulur ose duke ecur në një hapësirë ​​që sjell një ndjenjë të natyrës”, shtoi ajo.

Natyra mund të jenë zgjidhja më e lirë për të reduktuar efektet negative shëndetësore të stilit të jetesës urbane të dominuar sot nga ekranet.

 

Erdogan njofton tërheqjen nga politika: Këto zgjedhje janë një finale për mua

“Kjo është një finale për mua, këto zgjedhje janë të fundit për mua me autoritetin e dhënë nga ligji”, ka njoftuar presidenti turk Erdogan.

Duke vënë në dukje se janë në prag të një periudhe shumë të rëndësishme, Erdogan tha: “Siç e dini, 31 marsi është një pikë kthese në Turqi. Dhe në këtë pikë kthese, sytë e gjithë botës islame janë drejt Turqisë, se cfarë do ndodh këtu.

Kreu i shtetit turk njoftoi largimin nga politika, teksa deklaroi se zgjedhjet e 31 marsit janë të fundit për të.

“Unë vazhdoj punën time pa pushim, sepse për mua kjo është një finale. Me autoritetin që jep ligji, këto janë zgjedhjet e mia të fundit, por rezultati që do të dalë nga ky votim të jetë transferimi i një besimi për vëllezërit e mi që do të vijnë pas meje. Shpresojmë të fillojmë një epokë të re që nga 1 Prilli”, deklaroi Erdogan, sipas mediave turke.

“Nëna humbi veshkën nga dhuna e babait”- Sara: Emigroi në Greqi, kur u kthye nuk e njoha

Modelja Sara Gjordeni ka treguar detaje të trishta dhe tronditëse nga jeta e saj, teksa ka zbuluar se i ati, të cilin nuk e ka takuar kurrë, ka ushtruar dhunën ndaj së saj.

Ish-banorja e Big Brother Vip ka rrëfyer se për shkak të dhunës së ushtruar e ëma humbi veshkën dhe e sapooperuar është larguar në drejtim të Greqisë nga mali.

Sara Gjordeni, e ftuar në “Ftesë në 5”, zbuloi se e ëma emigroi kur ajo ishte vetëm 3-vjeçe.

Tim atë nuk e kam takuar kurrë. Nëna ime ka emigruar kur kam qenë 3 vjeçe. Im atë ka ushtruar dhunë ndaj sime më. Ka humbur veshkën atë natë, që prej asaj dite ka probleme me zemrën. Ka shkuar nga mali për në Greqi, ai që e ka çuar ka kaluar nga territori Kosovës. Mami me kujtonte vetëm mua, e sapo operuar ka arritur gjallë në Greqi.

Modelja tregoi se nëna e saj u rikthye kur ajo kishte ditën e parë të shkollës dhe nuk e njohu kur i doli përballë.

Ndërsa u shpreh se është rritur në shtëpinë e gjyshërve në varfëri, ndërsa i ati i vendosi flakën banesës ku jetonte me të ëmën.

Mami kur është larguar, për herë të parë ka ardhur për ditën e parë të shkollës sime. Unë kam qenë në kuzhinë, më duhet të kaloja përmes korridorit kur ishte dera hapur. Te dera shoh një zonjë të veshur shumë mirë, shumë bukur. Ishte veshur shumë mirë. Teze ka ardhur një teta te dera. Im at i ka vendosur zjarrin shtëpisë ku jetoja me mamin. Luna (tezja) ka bërë çmos të mos më mungonte gjë. Kur u dogj shtëpia mu dogjën kukullat dhe tezja më ka bërë kukulla me lecka dhe gurë. Luna më ka mësuar gjithçka.

Korridori detar humanitar për Gazën do të fillojë të funksionojë në fundjavë

Një korridor detar për në Gaza mund të fillojë të funksionojë këtë fundjavë për të rritur ndihmën, tha shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Lajmi vjen një ditë pasi Presidenti Biden tha se SHBA planifikon të ndërtojë një port të përkohshëm në Gaza.

OKB thotë se një e katërta e popullsisë së Gazës është në prag të urisë dhe fëmijët po vdesin nga uria.

5 persona u vranë nga ndihmat e hedhura nga ajri, parashutat e të cilëve nuk u vendosën siç duhet.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë hequr ndihmat nga ajri pasi kushtet bëhen gjithnjë e më të rënda, por organizatat e ndihmës thonë se taktika është zgjidhja e fundit dhe nuk mund të plotësojë nevojën në rritje.

Duke folur në Qipro, von der Leyen tha se Gaza “po përballej me një katastrofë humanitare” dhe korridori detar do të mundësonte dërgimin e sasive të mëdha të ndihmave shtesë.

Një deklaratë e përbashkët nga Komisioni Evropian, Qiproja, SHBA, Britania e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe tha se operimi i një korridori detar do të ishte “kompleks” dhe ata do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Izraelit për të zgjeruar shpërndarjen e ndihmave në rrugë, duke lehtësuar më shumë rrugë dhe duke hapur kalime shtesë.