zoom

Day ArchiveE vranë dhe e dogjën brenda në makinë, pamjet e mjetit të biznesmenit grek në flakë pas ekzekutimit

Persona të paidentifikuar i kishin bërë pritë biznesmenit grek Christos Gialias vetëm 200 metra larg shtëpisë së tij në Mandra.

Pasi e qëlluan me breshëri kallashnikovi, autorët i vendosën flakën automjetit duke e djegur brenda. Mediat greke kanë publikuar foto të automjetit të viktimës në flakë pak pas ekzekutimit të tij mbrëmjen e së mërkurës.

Policia greke ka nisur hetimet për kapjen e autorëve që u larguan me motor. Automjeti është gjetur në rrugën “Agia Aikaterini” dhe zjarrfikësit kanë shuar flakët në makinë.

Pranë mjetit të djegur u gjetën 15 gëzhoja, ndërsa brenda tij u gjet një kallashnikov, që dyshohet se është arma e krimit që kanë përdorur autorët, të cilët e kanë hedhur në makinën e viktimës pasi e ekzekutuan.

Policia ka marrë informacione për një makinë të dytë të djegur që po ashtu dyshohet se është e autorëve. Si edhe një motoçikletë me të cilën dyshohet se janë arratisur ekzekutorët nga vendi i krimit.

Viktima ishte pronar i kompanive të tregtimit të mishit ku kishte punësuar qindra punonjës. Në të njëjtën kohë, ai ishte pronar dhe agjent i tre ekipeve të futbollit, përkatësisht AO Trikala, Paneleussiniakou dhe Mandraikos.

Tërmetet shkatërruese/ Turqia merr 400 milionë euro ndihmë financiare nga BE-ja

Turqia do të pranojë një ndihmë financiare në vlerë prej 400 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, pas tërmeteve shkatërruese që goditën Turqinë një vit më parë.

Kjo është shifra më lartë që ka ndarë ndonjëherë Fondi për Solidaritet i BE-së për ndonjë shtet kandidat, njoftoi të mërkurën komisionarja evropiane, Elisa Ferreira, pas nënshkrimit të marrëveshjes financiare.

Paratë e kësaj pakoje të ndihmës do të përdoren për restaurimin e infrastrukturës dhe për strehim urgjent. Po ashtu, paratë do të përdoren për të mbrojtur trashëgimin kulturore të Turqisë.

Nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit të vitit 2023 vranë mbi 60.000 persona në Turqi dhe në Sirinë fqinje.

Pak pas kësaj tragjedie, BE-ja u zotua se do të ndihmojë shtetin me 1 miliard euro gjatë një konference të donatorëve.

Fondi i ndarë prej 400 milionë eurosh është pjesë e kësaj pakete të ndihmës./REL

Mbreti Charles u diagnostikua me kancer, reagon për herë të parë Princi Williams

Princi i Uellsit ka reaguar pasi babai i tij, Mbreti Charles u diagnostikua me kancer. Princi Williams ka shprehur mirënjohjen për të gjitha mesazhet dashamirëse për të atin dhe bashkëshorten e tij, Catherine.

“Kjo do të thotë shumë për të gjithë ne”, tha Princi, në një mbledhje fondesh bamirësie.

Me pak ironi, Princi William bëri shaka për natyrën e ngjarjes, pasi lajmet për familjen mbretërore ishin dominuar nga sëmundja e Mbretit dhe shërimi i gruas së tij Catherine nga operacioni abdominal.

“Është e drejtë të thuhet se javët e fundit kanë pasur një fokus mjaft ‘mjekësor’. Kështu që mendova të shkoja në një ambulancë ajrore për t’u larguar nga e gjithë kjo!” tha princi.

Por ai nuk dha detaje të mëtejshme se si është gjendja shëndetësore e Mbretit dhe Catherine.

“Bashkëjeton” me ish-partneren në BBV, partnerja e Endrikut: Isha shtysa jote

Endrik Beba është bërë pjesë e BBV mbrëmjen e së martës, ku do të “bashkëjetojë” brenda shtëpisë së famshme me ish-partneren e tij, Sara Gjordeni.

Këngëtari u përfol shumë para se të hynte në BBV për romancën e 9 viteve më parë me modelen. Por duke se kjo s’është aspak problem për partneren e tij, Klean, e cila ka treguar se ishte shtyja e tij më e madhe për t’u bërë pjesë e spektaklit.

Në një postim në rrjetet sociale, ajo shkruan se që nga momenti kur u njoh me Endrikun, jeta e saj mori ngjyra, duke u shprehur se është krenare për të, si edhe e mbështet në rrugëtimin e tij.

“Që në ditën e parë që të njoha jeta ime mori shumë ngjyra! Çdo njeri që të njeh e di se sa shumë ke ti për të treguar dhe kjo është arsyeja dhe shtysa ime më e madhe të bëheshe pjesë e kësaj eksperiencë.

Që në momentin që hyre në jetën time ishe me mua në çdo hap ndaj sot është dita ime! Me ty gjithmonë! Krenare për atë që je”, shkruan partnerja e tij.

Nga planet për t’u bërë nënë, tek dasma, rrëfehet Dafina Zeqiri! Zbulon kur do të martohet

Dafina Zeqiri ka hapur zemrën dhe ka rrëfyer planet e saj për t’u martuar me biznesmenin Kreshnik Gjergji, me të cilin nisi një lidhje dashurie pas ndarjes nga Dj Geek.

Këngëtarja tregoi se ka nisur puna për krijimin e fustaneve të nusërisë, që do të jenë dy, dhe se dasma do të zhvillohet këtë vit, por pa zbuluar datën.

Dafina ka rrëfyer gjithashtu edhe planet për t’u bërë nënë teksa u shpreh se ajo dhe partneri i saj i duan shumë bebet.

“Kam nisur të punoj me fustanin e nusërisë. Nuk po du me ndërru shumë. Dua të shijoj dasmën time, kam vendosur vetëm dy fustane me i ndërru. Dasma është diçka shumë personale, kam dashur dikush që ma do të mirën si njeri, jo vetëm dukje. Do të ndodhë sivjet. Unë bebet i dua shumë, shumë shumë. Edhe shyqyr i do edhe ai(Gjergji) shumë. Nuk janë gjëra që planifikohen dhe pse jo sa më shpejt ndodhta. Kam plane”, zbuloi ajo.

Lufta në Gaza/ Kryeministri izraelit kundërshton kushtet e propozuara të Hamasit për armëpushim

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë kushtet e propozuara të Hamasit për armëpushim duke thënë se “fitorja totale” në Gaza është e mundur brenda disa muajsh.

Netanyahu foli pasi Hamasi parashtroi një sërë kërkesash në përgjigje të një propozimi të armëpushimit të mbështetur nga Izraeli.

Netanyahu tha se negociatat me grupin “nuk po shkonin askund” dhe i përshkroi kushtet e tyre si “të çuditshme”.

Bisedimet po vazhdojnë për të arritur një marrëveshje. “Nuk ka zgjidhje tjetër përveç një fitoreje të plotë dhe përfundimtare”, tha Netanyahu në një konferencë për shtyp të mërkurën.

“Nëse Hamasi do të mbijetojë në Gaza, është vetëm një çështje kohe deri në masakrën e ardhshme.”

Një draft i dokumentit të Hamasit i publikuar nga agjencia e lajmeve Reuters kërkohej:

  • Faza e parë: Një pauzë 45-ditore në luftime gjatë së cilës të gjitha gratë izraelite pengje, meshkujt nën 19 vjeç, të moshuarit dhe të sëmurët do të shkëmbeheshin me gra dhe fëmijë palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite. Forcat izraelite do të tërhiqen nga zonat e banuara të Gazës dhe do të fillonte rindërtimi i spitaleve dhe kampeve të refugjatëve.
  • Faza e dytë: Pengët e mbetur meshkuj izraelitë do të shkëmbeheshin me të burgosur palestinezë dhe forcat izraelite do të largoheshin plotësisht nga Gaza.
  • Faza e tretë: Të dyja palët do të shkëmbenin eshtrat dhe trupat e të vrarëve

Marrëveshja e propozuar do të shihte gjithashtu rritjen e dërgesave të ushqimit dhe ndihmave të tjera në Gaza. Deri në fund të pauzës 135-ditore të luftimeve, Hamasi tha se negociatat për t’i dhënë fund luftës do të kishin përfunduar.

Rreth 1,300 njerëz u vranë gjatë sulmeve të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor të vitit të kaluar.

Më shumë se 27,700 palestinezë janë vrarë dhe të paktën 65,000 janë plagosur nga lufta e nisur nga Izraeli si përgjigje, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

 

Si të ruani shëndetin e veshkave, kujdesi që duhet të bëni

Veshkat janë një organ tepër i rëndësishëm për organizmin. Një prej funksioneve kryesore të këtij organi në formën e fasules, është: eliminimi i mbetjeve dhe lëngjeve të tepërta nga organizmi.

Në këtë artikull  do të mësoni 7 sekretet që garantojnë shëndetin e veshkave.

Pini ujë por mos e teproni

Pirja e tepërt e ujit nuk përmirëson funksionin e veshkave.

Ekspertët thonë uji duhet pirë patjetër por jo duke e tepruar sepse mbihidratimi nuk do të përmirësojë funksionin e veshkave.

Ushqime Të Shëndetshme

Shumica e problemeve me veshkat vijnë si pasojë e tensionit të lartë të gjakut dhe diabetit.

Të dyja këto sëmundje mund të parandalohen duke ngrënë ushqime të shëndetshme.

Aktiviteti Fizik

Aktiviteti fizik është një ide e shkëlqyer sepse në kombinim me ushqyerjen e shëndetshme mund të mbajë larg jo vetëm obezitetin, por edhe tensionin e lartë i gjakut.

Si në çdo rast tjetër, nuk duhet ta teproni me aktivitetin fizik.

Kujdes me ekstraktet bimore

Suplementët me vitamina dhe esktraktet  bimorë mund të jenë të dëmshëm për veshkat.

Këshillohet të mos merrni suplementë me kokën tuaj, sepse një rekomandim të tillë mund ta bëjë vetëm mjeku.

Lini duhanin

Pirja e duhanit dëmton enët e gjakut dhe pakëson qarkullimin e tij në veshka.

Kur veshkat nuk kanë mjaftueshëm gjak, atëherë ato nuk funksionojnë siç duhet.

Kujdes me medikamentet

Ilaçet qetësuese si ibuprofeni mund të shkaktojnë dëmtim të veshkave nëse merren për një kohë të gjatë.

Këto ilaçe mund të përdoren ndonjëherë në rast dhimbjeje por jo për dhimbjet kronike.

Analizat mjekësore

Nëse vuani nga diabeti apo tensioni i lartë i gjakut, atëherë duhet të jeni të rregullt në kryerjen e analizave tek mjeku së paku çdo 6 muaj për të përjashtuar çdo anormali apo problem.

Veshkat e shëndetshme janë tregues të fortë të një organizmi të shëndetshëm./AgroWeb.org

“Do të të helmojnë në burg”- Alma Kaçi pasi u dënua për prostitucion: Hodhën baltë mbi mua

Alma Kaçi, protagonistja e videoskandalit seksual të Safet Gjicit në zyrën e bashkisë së Kukësit, ka reaguar pasi është dënuar nga Gjykata me 1 vit burg për prostitucion.

Ajo është shprehur se akuza ndaj saj është bërë për t’i përdhosur emrin, ndërsa shtoi se kjo tregoi se Safet Gjici blen gjykatat me lekë.

Hodhën baltë mbi mua, sepse normalisht e ritheksoj, jemi në 1 vend ku jemi 1 vend maskilist ku mashkulli ka të drejtë të bëjë çfarëdolloj gjëje, femra është ajo që do goditet”, tha ajo për Ora News.

Alma Kaçi hedh akuza të rënda teksa shprehet se është paralajmëruar më parë që vëllai i ish-kryebashkiakut të Kukësit do t’i bënte kurth. Sipas saj, plani është që ta fusin në burg ku do ta helmojnë dhe do të duket si infarkt.

Ajo shprehet se nuk ka frikë për veten e saj, por për të birin, duke thekuar se do të luftojë.

Reagimi i Alma Kaçit:

Jam Alma pra u njoha me vendimin e gjykatës. Doja të thoja që është turp që i japin këtë akuzë e bëjnë të përdhosin emrin tim.

Ndërkohë fare thjesht akuzën shpërdorim detyre mund t’ia kishin dhënë që në fillim zotërisë në fjalë, i cili e ritheksoi me plot gojë që blen gjykatat me lekë.

Nëse unë do isha e tillë, nuk besoj që dhe zotëria që blenë me lekë e ritheksoi sërish gjykatat do merrej me 1 person me të tillë epitet.

Kjo për të vetmen arsye sepse video u dekonspirua gjatë rrugës nga një pakujdesi e imja i kanë hedhur poshtë të tëra faktet e mia, të cilat ndodhen në telefonat që mua mi kanë sekuestruar SPAK-u.

Nga 4 vjet. Zotëria mori 2 vjet. Hodhën baltë mbi mua, sepse normalisht e ritheksoj, jemi në 1 vend ku jemi 1 vend maskilist ku mashkulli ka të drejtë të bëjë çfarëdolloj gjëje, femra është ajo që do goditet.

Është një akuzë që është e mirëmenduar për të më bërë mua keq. Madje unë kam dëgjuar në periudhën korrik, sepse video u shfaq në qershor.

Nuk e mbaj mend datën ekzakte. Nga goja e 1 gazetari që Alma, vëllai i Safet Gjicit, ty po të bën kurth që domethonë ki kujdes do të fusin në burg dhe aty do të helmojnë dhe do ta bëjnë sikur të ka ndodhur sikur kalon infrakt i mora Qesharake.

Bisedova me avokaten time këto janë gjëra që unë nuk doja të nxirrja. Por meqë ndodhi kjo?

Më duken se këto gjëra janë 1.000 përqind të sakta. Sepse. Jo që kam frikë, unë jam 1, jam i luftarake por 1 vend ku shkelet e drejta e fëmijëve.

Në rastin konkret flas për fëmijën tim. Domethënë që kur çdo gjë këtu është e shumëzuar me 0 të drejta për të jetuar e drejta e njeriut, pra me pak fjalë mos ta zgjas shumë u godit më i dobëti. Megjithatë unë do luftoj.

Si u nxor nga “kulla” Marklen Haka, kafja me dy mikesha dhe mjeti i atentatorëve që e priste

Marklen Hakës iu bë atentat më 8 qershor 2022, pranë fshatit Nikël në Fushë-Krujë, por i forti i Niklës arriti të shpëtojë.

Ai kishte rënë edhe më parë pre e sulmeve të ngjashme me armë, ku kishte mbetur i plagosur rëndë.

Në emisionin ‘Shënjestër”, zbulohen detaje nga roli i dy mikeshave që e nxorrën në kafe, para se ai të ishte pre e atentatit.

Dokumentari, pjesa e parë:

Marklen Haka kishte kohë që nuk dilte nga vila e tij luksoze në fshatin Nikël në Fushë-Krujë, që nga atentati i fundit në shtator të vitit 2019. Atje u plagos rëndë në pragun e banesës së tij dhe humbi jetën më pas në spital halla e tij, Shpresa Basha. Pas atentatit, ai kishte bërë veten të padukshëm për shënjestruesit e tij, të cilët kishin shprehur qëllimin e qartë për eleminimin e tij. Madje, ai kishte vendosur të braktiste edhe Shqipërinë dhe të zhvendosej në Belgjikë. Megjithatë, edhe atje ai kishte preferuar të qëndronte në fortesën e tij në fshatin Nikël.

 

 

Megjithatë një telefonatë nga ish-kunata e tij e çoi atë përsëri në pritën e qitësve të tij, të cilët ishin në përditësim të çdo lëvizje të tij dhe kishin marrë çdo masë për eleminimin e tij. Ata ishin të përgatitur dhe dispononin informacion në terren, kështu që kur Marklen Haka zgjodhi të dilte nga vila e tij, ajo u përfundua me atentatin që ndodhi mesditën e 8 qershorit 2022 kur një telefonatë miqësore për kafe nga ish-bashkëshortja e vëllait të tij të ndjerë, e cila ishte e shoqëruar nga një mikesha e saj, e nxorri atë edhe njëherë në rrugë, aty ku në kthim e prisnin sërish në pritë armiqtë e tij.

Policia e Shtetit

Më datë 8 Qershor 2022, rreth orës 14.30 është marrë njoftim nga salla operative se në vendin e quajtur kryqëzimi i fshatit Nikël të Njësisë Administrative, Nikël-Krujë, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit Marklen Lutfi Haka, i cili ka shkuar në spitalin e Traumës në Tiranë për mjekim.
Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes grupi hetimor, provoi se në segmentin rrugor, 35 metra në anën lindore të kryqëzimit të fshatit Nikël, mbi asfalt, janë gjetur të shpërndara në mënyrë të çrregullt, 17 gëzhoja në formë cilindrike, 12 nga të cilat janë të shtypura me kapsollë të goditura me mbishkrimin në fundin e tyre 14 G.F.L, një predhë metalike e shformuar dhe një këmishë predhe.

Marklen Haka ia hodhi paq edhe këtë herë, si në sulmet e tjera me armë ku objektiv i armiqve të tij kishte qenë ai vetë dhe pjesëtarë të familjes Haka. Ai mori një plumb në nofull, ndërsa dëshmitarë të batareve ndaj makinës së tij u bënë edhe të pranishëm të rastësishëm apo jo në vendngjarje. Ata panë të tmerruar se si plumbat vërshuan edhe ndaj tyre, duke rrezikuar seriozisht jetën. Disa prej qitjeve përfunduan edhe në lokalin ngjitur me skenën e atentatit.

Përparim Caca ishte duke shërbyer në lokalin e tij kur ndjeu së pari të shtënat e shumta që vinin nga jashtë kafenesë së tij të vogël. Ai nuk pati mundësi të dilte dhe të shikonte menjëherë se çfarë po ndodhte në rrugë. Një vrimë tejshpuese e mbetur në xhamin e lokalit tregoi për terrorin që ai dhe të tjerë të pranishëm në kafene në atë moment përjetuan nga plumbat që vinin nga përtej rrugës.

Dosja Hetimore

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në lokalin në pronësi të shtetasit Përparim Caca, u konstatua një vrimë tejshpuese në xhamin e dritares së kafenesë.

Po kështu nga kqyrja e automjetit model ‘Golf 5’, me targa AB 728 CB, 5 vendësh, me ngjyrë të zezë, e cila është në pronësi të shtetasit Kurt Hidri dhe që më datë 8 Qershor 2022, ka qenë në përdorimin e Marklen Hakës, u konstatuan vrima tejshpuese, me drejtim nga e  majta në të djathtë, të cilat korespodojnë me xhamin e krahut të pasagjerit të parë të automjetit ne fjalë.

I pari që u mor në pyetje lidhur me ngjarjen ishte pikërisht Marklen Haka, njeriu që ishte edhe në qendër të sulmit më të fundit me armë ndaj tij. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, pas dëmtimit që kishte marrë në nofull, ashtu si edhe në atentatet e tjera të ngjashme ndaj tij, nuk dha asnjë informacion me interes për kundërshtarët e tij, që i ishin vënë nga pas për të qëruar hesapet me të.

Megjithëse nuk dha njohje për armiqtë e tij të mundshëm, Marklen Haka nuk mohoi dyshimet që ai pati në momentin kur makina e tij u vu në ndjekje nga një tjetër automjet, fill pasi kishte konsumuar një kafe me dy mikeshat e tij, një lokal jo shumë larg vilës së tij në fshatin Nikël. Ai tha se doli nga banesa rreth orës 12.00 të drekës, pas ftesës për kafe që i kishte bërë një e njohura e tij, të cilën e identifikon me emrin Alketa. E cila i tha se ishte e shoqëruar me një mikeshën e saj, të quajtur Rita.

Marklen Haka: Më datë 8 Qershor 2022, unë po qëndroja në banesën time kur rreth orës 12.00 u telefonova nga një mikesha ime, Alketa.  Ajo më tha se jam me Ritën dhe më ftonin për kafe. E lamë të takoheshim te ‘Klajdi Park’ në Tapizë.  Unë aty shkova me makinën time tip ‘Golf 5’ me ngjyrë të zezë. Kur shkova aty pashë që Alketa dhe Rita kishin mbërritur para meje dhe po më prisnin.  Unë qëndrova me to në lokal përreth një orë. Pasi përfunduam kafen, unë u përshëndeta me Alketën dhe Ritëm dhe shkova të paguaj faturën.

Pasi u nda me vajzat, Marklen Haka tha për hetuesit se ai mori sërish rrugën e kthimit për në banesën e tij në fshatin Nikël. Megjithatë, me daljen nga lokali, ai vuri re nga pasqyrat e makinës një lëvizje të pazakontë të një automjeti që vinte pas tij. Ky automjet e ndiqte përgjatë gjithë kohës, pa iu ndarë për asnjë moment të vetëm. Kjo situatë shkaktoi dyshime te ai vetë, se automjeti që vinte pas tij dhe njerëzit në bord, nuk ishin përdorues të zakonshëm të rrugës.

Marklen Haka: Pasi pagova faturën dola dhe shkova te makina ime. Ndërkohë që Alketa dhe Rita po qëndronin në makinën e tyre në oborrin e lokalit dhe të dyja po merreshin me telefonin. Gjatë kësaj kohe unë u ngjita në makinën time dhe u nisa drejt Fushë Krujës, ndërsa vajzat u nisën për në drejtim të Tiranës me një automjet A Class. Por sapo u nisa unë pata dyshime, pasi në ndjekje të automjetit tim u vu një tjetër makinë, Audi A8.

Dyshimet e Marklen Hakës në atë moment nuk rezultuan thjesht të tilla. Manovrat që ai kreu në rrugë e bindën se automjeti me xhama të zinj që po e ndiqte nga pas ishte aty pikërisht për të. Ai nuk mundi të shquajë asgjë nga brenda automjetit përveç xhamave të zinj dhe targës së huaj në pjesën e saj të përparme. Ndërkohë, e vetmja mundësi shpëtimi për të ishte të jepte gaz sa më shumë të mundej makinës së tij, e cila ishte disa kuaj kubik më pak e fuqishme se Audi që po e ndiqte.

Marklen Haka:  Nuk kisha ecur as 200 metra nga lokali kur vura re një automjet tip Audi A8, prodhim i viteve 2008-2010, me ngjyrë të zezë, me xhama komplet të zinj, me targa të bardha të huaja, me gërma të vogla, që më bëri shumë përshtypje. Në këtë moment i dhashë gaz makinës dhe e parakalova Audin.  Por aty vura re se kjo makinë po vazhdonte të më ndiqte dhe qëndronte pranë meje në një distancë rreth 100 metra.

Por kur mendoi se i shpëtoi kurthit të radhës, Marklen Haka nuk llogariti se ndjekësit e tij do ta godisnin pikërisht në momentin kur ai do të merrte frymë lirisht dhe ia kishte hedhur pa u lagur shënjestruesve të tij. Ai tha për hetuesit se sapo hyri në Nikël, një tytë arme zjarri doli nga xhami i zi i ulur i makinës që e kishte ndjekur përgjatë gjithë rrugës, dhe qëlloi në drejtim të automjetit të tij, që në këtë moment ishte ndalur në anë të rrugës.

Marklen Haka: Kur mbërrita në vendin e quajtur stacioni i Niklës, mora kthesën për në fshat. Aty pashë djalin e xhaxhait tim që duhet Tani Haka. Ai po qëndronte në këmbë në rrugë para lokalit dhe ma bëri me dorë që ta merrja. Unë ndala makinën dhe Tani mu afrua që të hipte në automjet. Në këtë moment, pranë makinës sime u afrua Audi A8, i cili uli xhamin dhe nga aty u qëllua me armë. Unë u shtriva në sedilje, ndërsa të shtënat vazhdonin. Ndërkohë që një plumb më kapi në nofull.

Edhe pse në atë gjendje, Marklen Haka tha se ende pati fuqinë ti jepte makinës dhe të largohej nga vendi ku u derdh ndaj tij breshëria e plumbave. Ai tregoi se u drejtua drejt Fushë Krujës për të kërkuar ndihmë te miqtë e tij në këtë qytet, të cilët më pas e dërguan në Spitalin e Traumës në kryeqytet, pas plagës që kishte marrë në nofull. Spitali i Traumës, që për të ishte kthyer në stacion të zakonshëm kurimi, sa herë ai binte pre e atentateve, ashtu si edhe në këto pamje të shtatorit 2019, ku edhe në atë kohë u plagos rëndë pas një prite që i ishte organizuar në orët e vona të mbrëmjes në derën e vilës së tij në fshatin Nikël në Fushë-Krujë.

Marklen Haka: Pas asaj që më ndodhi unë i dhashë makinës indietro dhe u largova drejt Fushë Krujës. Aty u ndala për një moment dhe u nisa sërish dhe shkova të kalçeto ‘Çangu’.  Ku mbërriti Adi Haka i cili më pas më dërgoi në spital.

Nga shtrati i spitalit ku ndodhej, Marklen Haka tha se nuk i njihte atentatorët e tij dhe se nuk kishte dyshime për asnjë emër të veçantë që mund të lidhej me motivet e ekzekutimit të tij. Ai rrëfeu për hetuesit se ishte kthyer në Shqipëri më 5 qershor 2023, vetëm tri ditë para se të ishte pre e sulmit me armë, informacion që duket se e kanë siguruar edhe kundërshtarët e tij.

Gjatë kësaj kohe, ai kishte qëndruar në Bruksel, por nuk dha shpjegime se cila ishte arsyeja e qëndrimit të tij në kryeqytetin belg, ku ishte rezident për vetëm dy javë. Lidhur me atentatin ndaj tij, u pyetën nga grupi hetues edhe persona të cilët mendoheshin se kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Një prej këtyre personave të pyetur ishte edhe Geraldo Haka, kushëri i Marklen Hakës, i cili ishte i pari që u njoh me atentatin që i ishte bërë të afërmit të tij dhe bëri shoqërimin e tij deri në Fushë Krujë, si dhe më tej në spitalin e Traumës në kryeqytet.

Geraldo Haka: Unë ndodhesha në lokalin tim pranë shkollës 9-vjeçare Nikël, kur kushëriri im Marklen Haka, më thirri me zë të lartë; ‘Merr makinën tënde dhe më ndiq, pasi më kanë qëlluar’. Sapo e pashë, e ndoqa nga pas Marklenin derisa parkoi makinën te kalçeto.
Aty ai më pas u ngjit në makinën time dhe jemi nisur për në spital. Gjatë rrugës Markleni më tha se nuk e di kush më ka qëlluar. Nuk folëm shumë gjatë, pasi ai kishte gjakderdhje nga goja, pasi kishte marrë një plumb në nofull.

Pas marrjes së dëshmisë së kushëririt të objektivit të atentatit, grupi hetues u kthye edhe njëherë në vendngjarje për të marrë thënie të reja, që mund të shërbenin për të zbardhur skenën e krimit. Një ndër këto persona ishte edhe Përparim Caca, pronari i lokalit përballë ku ndodhi ngjarja. Ai tregoi se i tmerruar, ishte më shumë i interesuar të fshihte kokën se sa të shikonte se çfarë po ndodhte jashtë apo kush ishin autorët.

Përparim Caca: Në momentin që dëgjova të shtëna me armë, unë u ndjeva i frikësuar dhe u futa poshtë banakut dhe nuk kam parë se çfarë ka ndodhur. Unë më pas dallova një plumb që kishte përshkuar xhamin e dritares së lokalit. Në momentin e ngjarjes, në ambjentin e brendshëm të lokalit nuk ka patur klientë. Ndërsa në verandë kanë qenë të ulur një djalë dhe një vajzë, të cilët sapo dëgjuan të shtënat u shtrinë përtokë.

I vetmi që mundi të shquajë diçka rreth identikitit të autorëve të krimit ishte Dritan Haka, kushëri me Marklen Hakën. Personi i cili i shpëtoi mrekullisht plumbave ndërsa po bëhej gati të ngjitej në makinën e të afërmit të tij. Gjatë momentit kur Marklen Haka ishte ndalur në kryqëzimin e fshatit Nikël, pas shenjës që kushëriri i tij i kishte bërë me dorë për ta marrë me vete në makinën e tij. Edhe pse në fillim Dritan Haka dha detaje interesante në lidhje me karakteristikat pamore të autorit që qëlloi ndaj kushëririt të tij, më vonë në dëshminë e tij para hetuesve, ai i tha këtyre të fundit se nuk i mbahej mend mirë portreti i atij që shkrehu armën.

Dritan Haka: Më datë 8 qershor 2022, rreth orës 14:00, isha duke qëndruar në këmbë në kryqëzimin e stacionit Nikël, me qëllim për të gjetur ndonjë makinë të rastit, për të shkuar në fshat. Gjatë kësaj kohe para këmbëve të mia ndaloi me makinën e tij, Marklen Haka, që është edhe djali i xhaxhait tim. Pikërisht në këtë moment, paralelisht me makinën e Marklenit pashë që u afrua edhe një automjet tjetër tip Audi, me ngjyrë të zezë, ku nga sedilja e pasagjerit u qëllua me armë zjarri në drejtim të makinës, ku ndodhej kushëriri im. Unë arrita ta dalloj personin që qëlloi. Ai nuk kishte maskë në fytyrë. Ishte brun dhe mendoj se duhet të jetë diku te rreth 40 vjeç.

Dritan Haka kujtoi më pas, se autorët, ndoshta të trembur, i drejtuan armën edhe atij, por nuk qëlluan më në vazhdim. Ai mundi të shikojë vetëm ndërsa ata morën rrugën nga kishin ardhur dhe u larguan të qetë në drejtim të rrugës Kamëz-Fushë Krujë për të humbur gjurmët edhe sot.

Dritan Haka: Unë arrita të shquaj vetëm faktin që mjeti i autorëve u kthye mbrapsht. Dhe në atë moment më drejtuan edhe mua armën. Nga sa pashë pas atentatit ata morën rrugën nacionale Kamëz-Fushë Krujë.

Pavarësisht deklarimit të tij të parë se ai arriti ta shikojë në sy një nga atentatorët, në dëshminë e tij të dytë dhënë për hetuesit, Dritan Haka u shfaq i mjegullt në lidhje me portretin e qitësit që për një moment desh i mori jetën edhe atij vetë.

Dosja Hetimore: Pavarësisht se Dritan Haka, thotë se e ka parë drejt e në sy personin që qëlloi mbi kushëririn e tij, Marklen Haka, në dëshminë e dytë, ai është tërhequr nga ky deklarim, duke thënë se nuk është në gjendje ta identifikojë përsëri këtë person. Ai po kështu thotë se nuk e ka fiksuar me çfarë arme është qëlluar, por ai që ka qenë armë e gjatë dhe jo pistoletë. Dhe të shtënat kanë qenë me breshëri dhe jo tek e tek.

Asgjë me rëndësi në dëshminë e saj nuk dha edhe një nga klientet e lokalit, përpara të cilit u luajt e gjithë skena e krimit, e cila atë ditë u përball bashkë me një të njohurën e saj, me momentet e frikshme. Por që për fatin e saj të mirë, plumbat e kursyen, ndërsa iu desh të kthehej e tronditur në banesë.

J.M:  Më datë 8 qershor 2022, në orën 07.00 kam dalë nga shtëpia ime që ndodhet në fshatin Mukje dhe kam shkuar në punë në një mobileri në fshatin Shelqet. Rreth orës 13:00 pasi mbylla punën u nisa për në kryqëzimin e Niklës dhe u ula në verandën e lokalit të shtetasit Pap Caca për të pirë kafe bashkë me një të njohurën time. Pak më vonë dëgjova krisma arme dhe të dyja u ulëm poshtë tavolinës. Pas ngjarjes, u largova në drejtim të shtëpisë në fshatin Mukje. Marklen Hakën nuk e njoh dhe nuk e kam parë ngjarjen sesi ndodhi dhe as autorët.

Deri në këtë pikë të hetimit, askush nuk i njihte autorët e atentatit, edhe pse kishin mundur ti shquanin portretet e tyre brenda makinës me të cilën tentuan të kryenin eleminimin e Marklen Hakës. Kjo sugjeron se qitësit më shumë gjasa nuk i përkisnin zonës përreth. Në lidhje me ngjarjen, grupi hetues u ndal edhe te makina e përdorur nga Marklen Haka ditën e ngjarjes, kur ra pre e plumbave. Nga kjo u konstatua se automjeti në përdorim të shënjestrës së atentatit ishte në pronësi të një shtetasi, me gjasa familjar i tij i afërt.

Dosja Hetimore: Në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, është pyetur shtetasi Kurt Hidri. Ai ka deklaruar se automjetin që përdorej nga Marklen Haka me targa AB 728 CB, i përket përket shtetasit Agustin Haka, të cilit ia ka shitur para një viti dhe këtë gjë mund ta vërtetojë nëpërmjet aktit noterial që ka bërë te noteri.

Por në dëshminë e tij, Kurt Hidri, tha se nuk e njihte Marklen Hakën. Ndërsa me të vetmin person që kishte njohje ishte Agustin Haka, të cilit i kishte shitur edhe makinën. Megjithatë, dëshmia më interesante për grupin hetues ishte padyshim e vajzave me të cilat Marklen Haka konsumoi kafenë e fundit para se të binte pre e plumbave, veçanërisht e njërës prej tyre, e identifikuar me emrin Alketa.

Ajo kishte telefonuar Marklenin për të dalë nga banesa ku ndodhej në ngujim të plotë dhe për të pirë kafe me të. Policisë iu arrit të identifikojë shoqërinë e Marklen Hakës me dy vajzat përmes pamjeve filmike, si edhe të bizneseve në zonë, për të parë ndjekjen që i bëri më tej makina e vrasësve.

Alketa: Marklen Hakën e njoh prej shumë vitesh, pasi kam bashkëjetuar me vëllain e tij të ndjerë, Roland Haka. Atë ditë rreth orës 12.30 e kam takuar Marklenin së bashku me një shoqen time në një lokal pranë Tapizës. Pasi pimë kafe u larguam në dy drejtime të ndryshme. Ai drejt shtëpisë, ne për në Tiranë. Ngjarjen e kam mësuar përmes lajmeve.

Por kjo dëshmi duket e cunguar në thëniet e saj. Pasi jo vetëm Alketa nuk tregon për qëllimin e takimit por mungon edhe dëshmia e shoqërueses së saj në tavolinë, atë ditë. Kush është kjo vajzë dhe pse grupi hetues nuk e ka marrë edhe dëshminë e saj. Dëshmi që mund të hedhë dritë, nëse vajzat u përdorën si karrem apo u ndoqën në lëvizjet e tyre, me qëllim që grupi i qitësve të binte në gjurmët e Marklen Hakës./BW

Shqipëri, shqetësues niveli i lartë i popullsisë së paraburgimit, 30% mbi mesataren europiane

Në Shqipëri, mbingarkesa në sistemin e paraburgimit është kritikuar nga Këshilli i Europës si dhe nga përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut në vend. Sipas statistikave zyrtare, popullsia e paraburgimit ka qenë e lartë prej dy dekadash dhe sot është rreth 30% mbi mesataren europiane. Autoritetet shtetërore, Avokatja e Popullit dhe përfaqësues të fushës juridike, vënë theksin tek zbatimi i legjislacionit penal, duke argumentuar se masa e sigurisë, “arrest me burg” duhet të jetë e fundit që duhet aplikuar nga prokurorët dhe gjykatësit, ndër masat e tjera shtrënguese.

Në Shqipëri grupime shoqërore që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe Avokati i Popullit po ngrenë shqetësim lidhur me rritjen e vazhdueshme të popullsisë në institucionet e paraburgimit. Së fundi edhe Këshilli i Europës e veçoi këtë problem dhe u rekomandoi autoriteteve marrjen e masave për ta zgjidhur. Sipas të dhënave zyrtare në institucionet e vuajtjes së dënimit, ndodhen mbi 5 mijë e 670 shtetas, 59% e të cilëve të paraburgosur, një shifër kjo mbi 30% mbi mesataren europiane.

Për njohës të këtyre zhvillimeve këto statistika e vendosin Shqipërinë në fund të vendeve në rajon dhe Europë për numrin e lartë të personave të paraburgosur, në raport me popullsinë e burgjeve në tërësi, si dhe pasqyrojnë në mjaft raste probleme në cënimin e lirisë së personit, pasi ai prezumohet i pafajshëm por praktikisht është në burg. Mjaft juristë mendojnë se masa e sigurisë “arres me burg” është e fundit që duhet aplikuar dhe se kjo situatë është krijuar nga keqzbatimi i ligjit.

“Shtrohet pyetja-përse kemi nevojë të fusim kaq shumë njerëz në burg? Bëj hetimin mirë, çojë çështjen për gjykim dhe jo gjithmonë arrest me burg. E vë prokurori këtë masë, gjykata e miraton, dhe personat që e shohin të pavend masën shkojnë në apel, pastaj në gjykatë të lartë dhe ngarkohet sistemi. Përse vjen kjo? Nga keqzbatimi i ligjit”- u shpreh për Zërin e Amerikës Blerta Kraja, avokate.

Masa e sigurisë “arrest me burg” në Kodin e Proçedures Penale, renditet e parafundit në llojin e 7 masave shtrënguese që parashikon legjislacioni penal, mes të cilave ndalimi i daljes jashtë shtetit, detyrim paraqitje në policinë gjyqësore, garancia pasurore, apo arresti në shtëpi. Numri i të paraburgosurve në Shqipëri, në raport me popullsinë e burgjeve në tërësi ka qenë i lartë në dy dekadat e fundit. Në vitin 2001 ai ishte 47.8 %, e totalit, në vitin 2015 u ul në rreth 30%, ndërsa pas këtij viti që përkon dhe me nisjen e reformës në drejtësi, ka ardhur duke u rritur ndjeshëm dhe sot është është rreth 59%.

Sipas analistëve Reforma në Drejtësi, që nisi 7 vjet më parë, krijoi boshllëqe të mëdha në sistem me largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga proçesi i Vettingut, duke sjellë tejzgjatje të afateve të hetimit dhe gjykimit dhe për pasojë dhe të kohës së paraburgimit për personat nën këtë masë sigurie.

Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, lidhur me këtë çështje, argumeton se ka një frymë të përgjithshme popullore të gabuar në Shqipëri, se gjithkush që akuzohet për një vepër penale duhet të burgoset menjëherë.

“ Burgu duhet të jetë mjeti i fundit, kjo është fryma. Masat e sigurisë duhet të trajtohen drejt dhe nga ana e gjykatës. Gjykata duhet të marrë marrë pronësinë e reformës në drejtësi, sepse qëllimi nuk ishte që të ishin burgjet plot, por vetëm ata persona sipas kritereve ligjore”- u shpreh Erinda Ballanca, Avokate e Popullit.

Shqipëria gjithashtu ka një numër të lartë edhe të të dënuarve me vendim të formës së prerë, rreth 180-190 të dënuar për 100 mijë banorë krahasuar me mesataren europiane prej 140.

Disa statistika të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, që siguroi Zëri i Amerikës, krijojnë një panoramë më të qartë mbi disa elementë që mendohet se e kanë shtuar popullsinë e të paraburgosurve. Ato kanë të bëjnë me rritjen e numrit të çështjeve penale, të cilat në vitin 2015 thuajse janë trefishuar krahasuar me fillimin e viteve 2000, ndërsa gjatë viteve të fundit kanë rënë me 25%, por sërish referuar dy dekadave më parë mbeten dy herë më të larta.

Autoritetet rendisin ndër arsyet kryesore të shtimit të numrit të të paraburgosurve rritjen e efektivititet të institucioneve të drejtësisë penale, (vetëm në burgun 313 nga 400 të paraburgosur 200 janë subjekte të SPAK) si dhe vështirësinë që hasin prokurorët në mbledhjen e provave. Së fundi këtyre vështirësive u janë shtuar dhe boshllëqet në sistemin e drejtësisë si pasojë e vetting-ut.

“Prokurorët duhet të marrin vlerësim nga mjekësia ligjore, toksikologu, policia shkencore krimi kibernetik dhe institucione të tjera. Ka shumë vonesa nga ekspertiza shtetërore, por megjithatë, prokurorët dhe gjyqtarët janë të prirur të japin masa sigurie “arrest me burg” kundrejt masave të tjera. Përse ndodh kjo sipas mendimit tim. Mund të ndodhë dhe për shkak të një presioni që ka ndaj organeve të drejtësisë, kryesisht ndaj prokurorisë, si dhe për mungesë të provave dhe shpesh janë të prirur duke harruar atë konceptin që burgu është masa e fundit”- u shpreh për Zërin e Amerikës Fehmi SufaJ, Zv. Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Por jursitët kanë dhe një këndvështrim tjetër social, duke kthyer në vëmendje ashpërsimin e dënimeve në lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike, apo ndërtimet pa leje disa vite më parë. Blerta Kraja, avokate mendon se çështjet sociale nuk zgjidhen duke ofruar burgun si alternativë.

“Nuk rregullohet varfëria me burg. Në lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike, jam dakort që një drejtor fabrike të dënohet kur vjedh energjinë në bashkëpunim me një drejtor në OSHE. Por jo një i varfër, kur s’kemi përcaktuar minimunimin jetik, ai ndoshta s’ka bukë, duhe t’i cosh dritë të shohë TVSH-në, dhe të bëjnë fëmijët detyrat. Pak kohë më parë arrestuan ca banorë në Theth për ndërtim pa leje. Për kullën në Theth ne dënojmë penalisht, kurse për kullën në Tiranë konfiskohet dhe bëhen aktet ligjore. U jepet e drejta e parablerjes ndërtuesve. Ky shtet si i sheh qytetarët, a ka barazi këtu? Në si komunitet avokatësh do t’i ngremë këto shqetësime për këto dispozita ligjore që janë gati ç’njerëzore”- u shpreh për Zërin e Amerikës Blerta Kraja, avokate.

Avokati i popullit mendon se kjo çështje merr një përmasë tjetër nëse përveç parametrave të KE, dhe respektimin e të drejtave të njeriut vlerësohen dhe kostot e larta financiare në ditë për një të dënuar. Në Shqipëri, sipas autoriteteve zyrtare kjo kosto është 24 euro.

“Shpenzohen në muaj 5 herë më shumë për një të paraburgosur se sa për një familje në nevojë. Nëse llgarisim dhe dëmshpërblimet për masat e padrejta, kostot rriten dhe më shumë”- vijoi Erinda Ballanca Avokate e Popullit.

Prokuroria e përgjithshme i tha Zërit të Amerikës se vendet bosh në organet e hetimit si pasojë e largimit të prokurorëve nga proçesi i vetting-ut e kanë vështirësuar punën e prokurorëve.

Pranvera Pustina, prokurore dhe drejtore e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, u shpreh se masat e sigurisë arrest me burg, në raport me masat e tjera shtrënguese, kanë një peshë me rreth 50% dhe se gjatë viteve të fundit kanë rënë me disa përqind. Ajo veçon rëndësinë që ka për prokurorët zbatimi i ligjit, ku përfshihen kushtet dhe kriteret në dhënien e këtyre masave.

“Prokurori është zbatues i ligjit, kushtet dhe kriteret, të përcaktuara në Kodin e Proçedurës Penale, janë mjaft të qarta. Kërkojnë një arsyetim më të mirë nga ana e prokurorëve dhe nga ana e gjykatës dhe jo kërkesa dhe vendime deklarative. Ato duhet të shihen në përputhshmëri me veprën penale për të cilën akuzohet personi, rrethanat e kryerjes së kësaj vepre penale dhe personalitetin e personit nën hetim. Nëse kushtet dhe kriteret arsyetohen në mënyrë të detajuar qoftë nga prokurori dhe kontrollohen nga gjykata në vendimin e saj të parë dhe më pas nga informacionet që i dërgon prokurori çdo dy muaj, patjetër që do kemi rezultate ndoshta më të mira qoftë dhe në uljen e numrit të këtyre masave të sigurimit”- argumentoi për Zërin e Amerikës Pranvera Pustina, prokurore dhe drejtore e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas statistikave zyrtare, gjatë 5 viteve të fundit gjykata ka lënë në fuqi mesatarisht rreth 84% të masave të sigurisë arrest me burg, të vendosura nga prokuroria. Shqetësimet mbi nivelin e lartë të popullsisë së paraburgimit në Shqipëri, janë nënvizuar thuajse në të gjitha raportet e Komitetit Antitorturë të Këshillit të Europës dhe grupimet që mbrojnë të drejtat e njeriut në vend. Problematikat që kanë lindur prej këtij fenomemi lidhen në mjaft raste me privimin e padrejtë të lirisë së personit, si dhe kostot financiare që pasojnë vendimet gjyqësore për dëmshpërblimin e personave ndaj të cilëve është aplikuar masa e padrejtë e sigurisë “arrest me burg”. Një prej tyre u dha së fundi nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg./VOA