zoom

Day ArchiveOperacioni i BKH te “Delta Farma”, ja çfarë kanë sekuestruar deri tani oficerët dhe hetuesit

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) he policia, me urdhër të SPAK kanë ushtruar kontrolle te “Delta Pharma” dhe rrjeti i farmacive “Ditë e Natë” për grumbullimin e sa më shumë provave në kuadër të hetimit pasuror që po kryhet ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj, familjarëve të tij dhe pjesëtarëve të tjerë të lidhur me të.

Ky është një hetim i ri ndaj ish-ministrit dhe nuk ka lidhje me “Sterilizimin” dhe “Check Up-in”.

Gjatës ditës së sotme (28 dhjetor) ka pasur kontrolle në disa farmaci dhe banesa përfshirë edhe atë të Beqajt, në kuadër të mbledhjes së provave të reja.

Deri më tani mësohet se janë sekuestrua dokumenta, kompjuterë dhe mjete të tjera të komunikimit.

Hetimi pasuror nuk ka nisur vetëm ndaj ish-ministrit, por edhe ndaj familjarëve të tij dhe pjesëtarëve të tjerë të lidhur me të.

Ndërkohë, hetimi po mbahet sekret në mënyrë që mos ketë mundësi për prishje të provave.

DOSJA E STERILIZIMIT

Kujtojmë se GJKKO ka urdhëruar që ish ministri të mos largohet nga territori i Shqipërisë dhe të paraqitet çdo të premte në policinë gjyqësore, pasi po hetohet për dyshime të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim gjatë procedurave të dhënies me koncension 100 milionë dollarë për 10 vjet nga ministria e shëndetësisë, që ai drejtonte, të shërbimeve të integruara për sterilizimet kirurgjikale spitalore.

Koncensioni i dhënë 8 vjet më parë parashikonte ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.

Disa muaj më parë çështja, për të cilën ish ministri Beqaj është nën hetim për shpërdorim detyre në bashkëpunim, ka çuar në arrest me burg nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikim dokumentash në bashkëpunim dhe mashtrim ish zvëvendësministrin e shëndetësisë Klodian Rrjepaj si dhe biznesmenin që fitoi koncensionin Ilir Rrapaj.

Hetimet e kësaj çështje bazohen në dyshimet për shpërdorim të detyrës nga zyrtarët, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera kryer në bashkëpunim, si dhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë.

I dyshuari për mashtrim me pasoja të rënda biznesmeni Ilir Rrapaj fitoi koncensionin në dhjetorin e vitit 2015, ndonëse menjëherë në atë kohë lindën dyshimet për korrupsion dhe mosplotësim të kritereve ligjore.

Edhe 6 persona të tjerë u vendosën me të njëjtat akuza nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje përmes falsifikimeve dhe shpërdorimit të detyrës. /ZOOM.AL/

Italia me “dorë të hekurt”, ikën nga kombëtarja kush i bashkohet Super League

Pushteti i UEFA-s mbi klubet është dridhur që kur në skenë doli Superliga Europiane, Nëse tashmë organizata ndërkombëtare i ka duart e lidhura për të marrë masa kundër klubeve që i bashkohen këtij projekti, ajo po nxit anëtarët e saj që ta ndalojnë një gjë të tillë.

Këshilli Federal i Federatës Italiane të Futbollit, ku president është anëtari i Komiteti Ekzekutiv të UEFA-s, Gabriele Gravina, ka vendosur në rregulloret e saj se kushdo që kërkon të regjistrohet në Serinë A në sezonin e ardhshëm, duhet të nënshkruajë një marrëveshje ku deklaron se nuk do të marrë pjesë në kompeticione që nuk organizohen nga UEFA dhe FIFA, me pak fjalë, te Superliga.

Këshilli ka vendosur datën 4 qershor si afatin e fundit në të cilin klubet duhet të dorëzojnë aplikimin zyrtar për licencën dhe pjesëmarrjen në sezonin e ardhshëm të elitës së futbollit italian, ku përfshihet edhe kjo klauzolë e veçantë, e ndërtuar pikërisht për turneun e ri që po mundohet të rivalizojë me ato të UEFA-s dhe FIFA-s.

Pritet që një hap të ngjashëm ta ndërmarrin edhe federata të tjera, kryesisht ata që janë të drejtuara nga persona të cilët janë pjesë e organeve drejtuese në UEFA dhe FIFA. /ZOOM.AL/

Giorgia Meloni e sëmurë, zbulohet diagnoza e rrallë nga e cila vuan kryeministrja italiane

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, nuk ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo ka bërë që ajo, konferencën vjetore për shtyp, ta shtyjë për datën 4 janar të vitit 2024.

Kjo është bërë e ditur nga bashkëpunëtorët e kryeministres, të cilët kanë sqaruar se Meloni po merr veten pas një problemi “otolit” që e detyron të qëndrojë në shtrat dhe në errësirë.

Meloni ndodhet në këtë gjendje prej dy ditësh dhe shkaku, siç shpjegojnë bashkëpunëtorët e saj, është diagnostikimi me “sindromën otolitike”.

Po sipas bashkëpunëtorëve të saj, gjendja e kryeministres po përmirësohet dhe tashmë ka arritur të ngrihet dhe të flasë në telefon.

Fillimisht u dyshua se ishte simptomë e gripit, por duke vuajtur për disa ditë nga marramendjet dhe të përzierat, ajo u vizitua në shtëpi nga një specialist ORL i cili konstatoi “vertigo beninje paroksizmale pozicionale”, pra problemin me otolitet, i cili paraqet simptoma të ngjashme.

Pavarësisht se gjendja e saj po përmirësohet, Meloni duhet që qëndrojë dhe disa ditë në shtrat si masë paraprake.

Çfarë janë otolitet?

Një otolit (nga greqishtja oto- , vesh dhe lithos , gur) është një konkret i vogël i oksalatit të kalciumit i inkorporuar në një matricë xhelatinoze, që gjendet në endolimfën e veshit të brendshëm . Lëvizjet e otoliteve (të cilat janë relativisht të rënda), që vijnë nga ndryshimet në pozicionin e kokës dhe përshpejtimet lineare, stimulojnë qelizat e flokëve të cilat sinapsin me mbaresat nervore duke përcaktuar ndjesitë statike dhe të ekuilibrit.

Për arsye që janë pjesërisht të panjohura dhe pjesërisht të njohura sot, otolitet ndonjëherë mund të shkëputen dhe të udhëtojnë në kanalet gjysmërrethore, duke shkaktuar një patologji marramendëse të quajtur vertigo beninje pozicionale paroksizmale , e njohur gjithashtu si kupololithiasis (nëse otolitet lokalizohen në kupolë) ose canalolithiasis (otolitet gjenden të lirë në endolimfë, një gjendje më e shpeshtë). /ZOOM.AL/

“Mbushi Romën me narkotikë”, kërkohen dy dekada burg për “Zotin e drogës” Elvis Demçe

Prokuroria e Romës ka kërkuar dënimin me 21 vjet në gjyqin e trafikantit shqiptar të drogës Elvis Demçe, i akuzuar bashkë me katër persona të tjerë për tentativën e vrasjes së Alessio Marzani, 45-vjeçari i plagosur me armë zjarri në 22 tetor 2020 në Acilia.

Prokurorët Mario Palazzi dhe Francesco Cascini kërkuan gjithashtu një dënim me 21 vjet për Daniele Gallarello, 18 vjet për ish-futbollistin Alessandro Corvesi , 35 vjeç dhe 14 vjet për Matteo Costacurta i njohur me nofkën ‘Princi’, ndërsa  8 vite u kërkuan edhe për Marzanin, i akuzuar për zhvatje.

“Është një grup me një profil me kapacitet shumë të lartë kriminal dhe rrezikshmëri shoqërore”, tha prokurori Palazzi në sallën e gjyqit.

Demçe, i lidhur në të kaluarën me Fabrizio Piscitelli, alias Diabolik , lideri i Lazio Irriducibili i vrarë më 7 gusht 2019 në Parco degli Acquedotti, u arrestua së bashku me Costacurta dhe Corvesi në korrik të vitit të kaluar nga karabinierët e njësisë hetimore Ostia për plagosja e Marzanit.

Deshifrimi i disa bisedave të koduara me sistemin ‘Sky-Ecc’ të përfshira në një server në territorin francez ishte thelbësor për hetimet nga karabinierët, të koordinuara nga drejtoria e qarkut antimafia të Romës. /ZOOM.AL/

Rusia s’i ndal bombardimet ndaj Ukrainës, 3 të vrarë në Zaporizhia

Të paktën 3 persona humbën jetën dhe 9 të tjerë mbetën të plagosur nga bombardimet ruse në Ukrainë. Sipas autoriteteve lokale shënjestra e sulmeve ruse ka qenë rajoni i Zaporizhias, në pjesën jugore të Ukrainës.

Fshatrat që u bombarduan janë rreth 30 kilometra në jug të Zaporizhias, e cila ndodhet në brigjet e lumit Dnieper, ujërat e të cilit shërbejnë si një vijë e frontit natyror, që ndan forcat e armatosura ruse dhe ukrainase.

Po ashtu raportohet se forcat ruse nisën sulme në rajonin Kharkiv në verilindje të Ukrainës. /ZOOM.AL/

VIDEO dhe FOTO! Kulla legjendare e Blackpool përfshihet nga flakët

Një zjarr ka rënë në Blackpool Tower në Britani. Videot tregojnë flakët në krye të ndërtesës ikonike.

Sipas një raporti të BBC-së, flakët u panë fillimisht nga një pjesë metalike pranë majës së ndërtesës së atraksionit të famshëm.

Brigada e Zjarrfikësve të Lancashire ka vendosur gjashtë makina zjarrfikëse dhe një ekip shpëtimi. Qytetarëve iu kërkua të qëndronin larg zonës dhe u dhanë urdhra që të mos fluturonin dronët pasi një gjë e tillë mund të pengonte operacionet e shuarjes së zjarrit.

“Ne kemi 6 makina zjarrfikëse, ekipin e dronëve dhe ekipin e shpëtimit që aktualisht po ndjekin një zjarr në Blackpool. Ju lutemi qëndroni larg zonës. Ekipi i dronëve është operacional, prandaj ju lutemi mos lejoni fluturimin e dronëve në zonë”, thuhet në deklaratë.

Të gjithë vizitorët janë larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa zjarri shpërthen kërcënues. Blackpool Tower u hap për publikun në 1894 dhe është afërsisht 158 ​​metra e gjatë. /ZOOM.AL/

Pse SPAK mësyu në kompaninë “Delta Farma” dhe çfarë e lidh atë me ish-ministrin Beqaj

Operacioni në kompaninë farmaceutike nga SPAK nuk ka mbaruar ende. Teksa zbardhen detaje të reja në lidhje me kontrollin që Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe policia, me urdhër të SPAK, po kryejnë në farmacinë “Delta Farma”, por dhe në disa farmaci të tjera kryesisht të lokalizuara në Tiranë.

Kontrolli ka nisur që prej mesditës së sotme, në kuadër të një hetimi të ri të lidhur me kontratat që këto kompani kanë pasur me Ministrinë e Shëndetësisë, kur drejtohej nga Ilir Beqaj.

Kontrolli në “Delta Farma” dhe farmaci të tjera është ende në vijim, ndërsa mësohet se janë sekuestruar dokumente që mund t’i shërbejnë hetimit, e po ashtu edhe kompjutera.

Lidhur me këtë çështje të re penale, po hetohet roli i ish-ministrit Ilir Beqaj, për të parë lidhjet që mund të ketë me pronarët e këtyre farmacive, dhe sesi janë lidhur kontratat. Pra, nëse janë lidhur me procedurë sipas ligjit, apo në mënyrë klienteliste, por ende nuk dihet se për cilat kontrata bëhet fjalë konkretisht.

Po ashtu mësohet se kontrolle janë kryer edhe në disa banesa të personave që dyshohet se kanë lidhje me ish-ministrin Beqaj.

Kontrolle në këto kompani kanë nisur pas indicieve që SPAK ka marrë lidhur me shkeljet e pretenduara, kur ky institucion drejtohej nga Beqaj. Theksohet se ky është një hetim i ri, i cili nuk lidhet me hetimet e mëparshme për Ilir Beqajn.

Ndërkohë, hetimi po mbahet sekret në mënyrë që mos ketë mundësi për prishje të provave. /ZOOM.AL/

 

 

Kombëtarja e Perusë bëhet me trajner të ri

Federata Peruane e Futbollit (FPF) ka nënshkruar zyrtarisht me trajnerin Jorge Fossati. Uruguajani do të marrë përsipër drejtimin e skuadrës, pikërisht në këtë fundviti.

71-vjeçari ka drejtuar më parë Uruguajin, vendin e tij të lindjes. Në krye të kësaj kombëtarja, ai qëndro ëpër 23 ndeshje, me ekipin që mori 1.35 pikë për ndeshje. Përvoja e tij e fundit si trajner ishte me skuadrën e Universitario de Deportes, në Peru.

Më parë, “timonieri” ka udhëhequr River Plate, Penarol, Colon, LDU Quito, Al Alhi dhe Al Ain.

Fossati gjen kombëtaren e Perusë në një formë të dobët, pasi në kualifikueset e Botërorit gjendet në vendin e fundit. /ZOOM.AL/

Pollo tregon skenarin e opozitës, nëse Berisha izolohet në arrest shtëpie

Ish-ministri Genc Pollo, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur edhe te çështja e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Pollo u shpreh se në çështjen ndaj ish-kreut të qeverisë nuk po zbatohen vlerat kushtetuese, ndërsa theksoi se kjo ka sjellë degradimin e situatës duke cenuar jetën e gjithsecilit.

Sipas tij, prokuroria thuajse gjithnjë në Shqipëri është rreshtuar më pranë pushtetit, duke mos përjashtuar edhe SPAK në këtë rast.

Ai shtoi për “News 24” se kërkesa për kufizimin e komunikimit të Berishës gjatë arrestit në shtëpi është “provë” që SPAK ka frymëzim partiako-politik lidhur me këtë rast.

Sa i takon veprimtarisë së opozitës nëse Berisha do të vendoset në arrest shtëpiak, Pollo nënvizoi se protestat do të vijojnë si më parë dhe aksioni opozitar nuk do të cenohet.

Reagimi i Pollos:

“Kur u kërkua nga avokatët çështja nuk shkoi për rishikim në GJK, e cila do duhet të shprehej. Kushtetutshmëria në shtetin ligjor është alfa. Një rend demokratik pa zbatim të vlerave kushtetuese nuk është më i tillë. Një sistem me demokraci është ai që garanton të drejtat e njeriut.

Nëse këto nuk zbatohen për ish-kryeministrja etj, të tjerëve në fund u vidhen miliona, prona, burgosen më lehtë, etj. Tani situata po degradon në një mënyrë që cenon jetën e gjithsecilit. Nuk është çështja e individit Sali Berisha, por e rendit që prek të gjithë.

Është e tmerrshme gjykimi fshatçe. Meqë dikush, qoftë Sali Berisha, Fatos Nano apo Edi Rama, nuk duhet të burgoset vetëm sepse ka qenë. Në vitet ’90 kishim të burgosur politikë. Patëm Fatos Nanon, sepse në retrospektivë dënimi i tij për shpërdorim detyre është shumë i diskutueshëm.

Në Shqipëri thuajse gjithnjë, hiq periudhën e Ina Ramës, e propozuar nga Berisha dhe që u kthye tërësisht kundra njerëzve që e emëruan, të gjithë periudhat e tjera, prokuroria është parë si e afërt me pushtetin, me apo pa të drejtë. Edhe sot, nuk bëhet përjashtim. Ka specifika të tjera, një përfshirje ndërkombëtare, por ka një situatë ku nën valën e përgjithshme të goditjes së politikanëve, nuk shihet zbatimi i ligjit.

Që të mos zbatohen normat ligjore, të mos respektohet prezumimi i pafajësisë e të përdoret pa kandar arresti në shtëpi. Nuk besoj që të gjithë arratisen si Arben Ahmetaj, Berisha jo e jo. Do ishte më korrekte ta ndiqnin gjyqin në gjendje të lirë.

Kërkesa për kufizimin e komunikimit është një provë që kërkesa e masës së kufizimit nuk ka të bëjë me dosjen penale në vetvete dhe kjo forcon dyshimet se SPAK po vepron për qëllime politike. Privimi i kryetarit të kësaj partie nga komunikimi është provë që ka frymëzim partiako-politik.

Protestat do vijojnë si më parë, nuk do ndryshojë asgjë. Sidoqoftë, besoj se reagimi i opozitës do jetë ai që duhet të jetë dhe maksimumi. Me Berishën në zyrë apo në shtëpi nuk ndryshon gjë”. /ZOOM.AL/

AKCESK pranon sulmet kibernetike: U bënë nga jashtë, hetim me ndërkombëtarët dhe trajnim stafeve

Prej ditësh institucionet shqiptare publike, por edhe kompani private si ajo ONE, janë sulmuar me hakime kibernetike, që deri tani i ka marrë përsipër celula e piratëve iranianë “Homeland Justice”.

Zyrtarisht është mohuar vazhdimisht se janë prekur të dhëna me rëndësi nga databaze me të dhëna për abonentët, institucionin e Parlamentit dhe më gjerë.

Mediat raportuan se te ONE siguria ka qenë përtokë dhe shërbimi jofunksional për klientët, edhe pse kompania e mohoi, duke pranuar vetëm një sulm sipërfaqësor të faqes dhe jo serverave.

Në këtë kuadër ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, AKCESK, që gjithashtu pohon se sulmet e kryera nga jashtë vendit dhe jo nga IP shqiptare, kanë qenë kërcënuese, por nuk shkaktuan dëme thelbësore. Ngjarja po hetohet nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj, për të gjetur natyrën e sulmeve dhe autorët.

Gjithashtu AKCESK pranon se ka nevojë për trajnime të stafit të sigurisë teknike të institucioneve të rëndësishme, për t’iu përgjigjur në vijim çdo sulmi kibernetik.

Më poshtë deklarata e plotë e AKCESK:

“Pas sulmeve kibernetike të datës 25 Dhjetor drejt kompanisë së telekomunikacionit ONE dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet kësaj deklarate, AKCESK njofton publikun për progresin dhe masat e marra.

Nga momenti i njoftimit, ekspertët tanë në bashkëpunim me AKEP dhe partnerët ndërkombëtarë, kanë punuar pa ndërprerje për të adresuar dhe kuptuar plotësisht natyrën e këtyre sulmeve.

Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe monitorimit të koordinuar, AKCESK ka arritur të identifikojë raste potenciale në kohë reale, duke ofruar një reagim të shpejtë dhe efikas në mbrojtje të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Përpjekjet tona janë fokusuar në identifikimin e burimeve të sulmeve, rimëkëmbjen e sistemeve të prekura, dhe në zbatimin e masave parandaluese, duke rezultuar në shmangien e incidenteve të ngjashme në infrastruktura të tjera të informacionit. Punë intensive është bërë për të forcuar sigurinë e sistemeve, duke siguruar që shërbimet të rikthehen në operim të plotë sa më shpejt të jetë e mundur.

Analiza jonë ka vënë në dukje se sulmet nuk kanë origjinë nga IP shqiptare, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë dimensionet ndërkombëtare të kërcënimit. Ky incident ka nxitur AKCESK të rishikojë dhe të forcojë strategjitë e tij të sigurisë kibernetike, duke përfshirë zhvillimin e trajnimeve të specializuara për stafet përgjegjëse dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

AKCESK është në mënyrë të vazhdueshme plotësisht i angazhuar për menaxhimin e pasojave nga sulmet kibernetike të ndodhura. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën me kujdes dhe të japim përditësime të rregullta për publikun dhe palët e interesuara”. /ZOOM.AL/