zoom

Day ArchiveKëto janë ushqimet që nuk duhet t’i ngrohni kurrë në mikrovalë

Furra me mikrovalë është një pajisje kuzhine shumë e përshtatshme që na lejon të ngrohim ushqimin në një kohë shumë të shkurtër dhe në thelb na e bën jetën më të lehtë.

Megjithatë, ka ushqime që nuk duhen futur kurrë në mikrovalë . Arsyeja, ato mund të shpërthejnë.

Vezë e plotë

Nëse përpiqeni të fusni një vezë të plotë, qoftë me lëvozhgën e saj apo të qëruar, atëherë si furra ashtu edhe ju jeni në rrezik. Pse; Sepse do të shpërthejë, veza do të thyhet në një mijë pjesë dhe pajisja nuk do të pastrohet më! Nëse jeni edhe më i pafat, shpërthimi mund të ndodhë kur e servirni apo edhe kur shkoni ta hani, kështu që kjo është shumë e rrezikshme! Si ta shmangni atë? Pritini vezën dhe vendoseni të ngrohet.

Mishi i ftohtë dhe salsiçet

Janë ushqime të përpunuara, të cilat gjithsesi duhet t’i konsumoni me masë, pasi janë të lidhura pazgjidhshmërisht me kolesterolin dhe sëmundjet kardiovaskulare. Hulumtimet kanë treguar se mikrovalët i bëjnë ato edhe më të rrezikshme, pasi rrisin prodhimin e oksikolesterolit, i cili është më i rrezikshëm drejtpërdrejt për zemrën sesa kolesteroli. Oksikolesteroli është një formë e kolesterolit të oksiduar, i cili rritet në trup ose duke ngrënë ushqime të përpunuara dhe të yndyrshme.

Mishi i ngrirë

Nuk është ide e mirë të shkrihet mishi në mikrovalë. Diferenca e temperaturës dhe shpërndarja e pabarabartë e saj në sipërfaqen e saj mund të favorizojë krijimin e baktereve, duke rritur shanset për të shkaktuar sëmundje.

Specat djegës

Nëse vendosni speca djegës në mikrovalë, nuk do të keni një rezultat, por me shumë mundësi do të merrni flakë! Kapsaicina që përmbajnë lëshohet në atmosferë brenda mikrovalës.

Salca e kuqe

Ju mund ta keni përjetuar tashmë këtë nëse keni provuar të ngrohni salcën të mbetura të djeshme në mikrovalë. Rezultati është shkatërrues! Salcë e kuqe kudo. Dendësia e salcës së domates nuk e lejon të nxehet në mënyrë të barabartë. Pra, presioni që ushtrohet nga funksionimi i furrës grumbullon avull në sipërfaqen e salcës, si rezultat i të cilit pas disa sekondash e bën atë të shpërthejë. Mënyra më e mirë për të ngrohur salcën e domates është në sobë, ku mund ta trazoni shpesh.

Rrushi

Është një ide shumë e keqe të vendosni rrushin në mikrovalë . Ka pasur shumë video të rrushit duke shpërthyer në mikrovalë. Disa përdorues të internetit e provojnë për argëtim. Megjithatë, është shumë e rrezikshme.


Qumështi i gjirit

Shumë nëna e ruajnë qumështin e tyre në frigorifer në mënyrë që fëmija i tyre të pijë gjithmonë qumësht gjiri. Për të ushqyer foshnjën e ngrohin dhe kjo është një taktikë e zakonshme dhe e sigurt nëse nuk vendosin të përdorin mikrovalën. Në këtë mënyrë qumështi i gjirit nuk nxehet në mënyrë të barabartë në të gjitha pjesët e tij, duke sjellë si pasojë krijimin e “pikave të nxehta”. Kështu rrezikojmë ta “djegim” fëmijën duke pirë qumështin e nënës.

Pasaportë gjermane për ata që mbështetësin ekzistencën e Izraelit

Të huajt që duan shtetësinë gjermane, në landin lindor Saksoni-Anhalt mund ta marrin atë vetëm pasi të deklarojnë se mbështesin ekzistencën e Izraelit. Me shkrim ata duhet të pranojnë se “njohin të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe dënojnë çdo përpjekje të drejtuar kundër ekzistencës së shtetit të Izraelit”.Refuzimi për ta bërë një deklaratë të tillë sjell refuzimin e shtetësisë gjermane. Kundërshtimi regjistrohet në dosje dhe kërkesa për shtetësinë gjermane shpallet e refuzuar.

Deri tani, në Gjermani kërkesa për shtetësinë gjermane mund t’i mohohej një aplikuesi kur ai kishte kryer akte që shkelnin rendin demokratik. Por në landin e Saksoni-Anhaltit autoritetet kanë udhëzuar të shihet “nëse ka tregues të qëndrimeve antisemite” te aplikuesit.

Ministrja e brendshme e Saksoni-Anhaltit, Tamara Zieschang, nga kristjandemokratët e CDU-së, ua ka dërguar që në fund të nëntorit dekretin përkatës qarqeve administrative dhe qyteteve të pavarura. Dekreti ushqehet nga fakti që e drejta e ekzistencës së Izraelit, është shpallur kauzë shtetërore në Gjermani.

A mund të përcaktojë një land kushtet për ligjin e shtetësisë gjermane?

Në sistemin federal të Gjermanisë ekziston një ligj federal për shtetësinë. Ai është i detyrueshëm për të gjitha landet. Por, si për të gjitha ligjet në Gjermani, përgjegjëse për zbatimin në terren janë landet. Dihet që landet gjermane kanë thuajse kompetencat e një republike. Në këtë kuadër atyre u lihet një hapësirë për manovrim, në të cilën mund të lëvizin brenda kufijve të caktuar.

Në rastin e landit lindor të Saksoni-Anhaltit, dekreti përmban edhe propozime konkrete si të formulohet teksti që duhet të nënshkruajnë të huajt. P.sh. aplikuesi për shtetësinë duhet të nënshkruajë këto fjali si “Unë njoh shprehimisht përgjegjësinë e veçantë të Gjermanisë, ndaj shtetit të Izraelit dhe të drejtën e ekzistencës së Izraelit dhe dënoj të gjitha përpjekjet antisemite”.

Situatë e veçantë në Saksoni-Anhalt

Ministrja e Brendshme e Saksoni-Anhalt-it u ka bërë thirrje homologëve nga 15 landet e tjera gjermane të marrin masa të ngjashme. Por landi i Saksoni-Anhaltit ka një situatë të veçantë: ai përballet me problemin e shprehjes masive të armiqësisë ndaj të huajve. Saksoni-Anhalt është njëri nga landet lindore të Gjermanisë, ku do të arrinte rezultatet më të larta në rast zgjedhjesh, partia ultra e djathtë dhe ksenofobe Alternativa për Gjermaninë (AfD). 32% e banorëve të këtij landi do t’ia jepnin votat AfD-së. Vetëm 24 përqind do t’ia jepnin votat CDU-së (e cila e qeveris landin prej 2021 bashkë me SPD dhe liberalët e FDP-së.) Këtë e konstatoi në një sondazh të publikuar të mërkurën revista e njohur Der Spiegel.

Saksoni-Anhalt është edhe landi ku për herë të parë në Gjermani është zgjedhur një kryetar bashkie nga radhët e AfD-së. Rreth 9000 banorët e komunës Raguhn-Jeßnitz drejtohen që prej 1 shtatorit të këtij viti nga kryebashkiaku i AfD-së Hannes Loth.

Shteti me masa kundër radikalizimit në lindje

Sinjaleve për radikalizimin e gjendjes, në Saksoni-Anhalt autoritetet i përgjigjen duke e lidhur pasaportën gjermane me mbështetjen e ekzistencës së Izraelit. Kjo është një përpjekje për t’ua vështirësuar antisemitëve kokëfortë hyrjen në shtetësinë gjermane.

Nga ana tjetër bëhen hapa që synojnë ndërgjegjësimin e njerëzve. AfD-ja dihet se mbledh shumë vota të pakënaqurish me qeverisjen qendrore të Gjermanisë. Por jo të gjithë ata që e mbështesin këtë parti kanë dëshirë t’i etiketojnë si mbështetës të ekstremistëve të djathtë.

Në këtë strategji mbështeten edhe cilësimet zyrtare si ekstremiste të djathta të degëve lindore të AfD-së. Në dy lande njëra pas tjetrit, në landin Saksoni-Anhalt dhe në landin e Saksonisë, Zyrat rajonale për Mbrojtjen e Kushtetutës (të Shërbimit Informativ të Brendshëm), i kanë shpallur degët rajonale të AfD-së “me siguri ekstremiste të djathta”.

Në rastin e Saksonisë kjo u argumentua me rrethanën që shumë pozicione përmbajtësore të degës rajonale të AfD-së shkelin parimet bazë të rendit të lirë demokratik. Në çështjen e migrimit ato shkelin p.sh. garancinë e dinjitetit të njeriut, që është fiksuar në Kushtetutën e Gjermanisë. Dega rajonale mbron edhe pozicione të zakonshme antisemite, shumica e të cilave mbështeten në teori konspirative, u bë e ditur të premten.
Është fakt se AfD-ja nuk ka arritur të fitojë deri tani asnjë nga 16 landet e Gjermanisë. Por mot në shtator do të ketë zgjedhje në tri lande lindore: në Saksoni, Turingi dhe në Brandenburg. Rezultati i zgjedhjeve atje pritet sërish me ankth.

Saksoni-Anhalt është njëri nga landet e vogla të Gjermanisë. Ai ka pak më shumë se 2 milionë banorë. Por situata tërheq vëmendjen, sepse kemi të bëjmë me një land ku armiqësia ndaj të huajve nuk ushqehet nga prania masive e të huajve: vetëm 7 përqind e popullatës së landit janë migrantë.

Baza për vendimin e Saksoni-Anhaltit

Disa juristë kanë tërhequr vëmendjen se kushtëzimi i shtetësisë gjermane për të huajt me kërkesën për të shprehur mbështetje për ekzistencën e Izraelit, mund të bjerë ndesh me parimin e barazisë. Vendasve gjermanë nuk u kërkohet të deklarohen se mbështesin pa kushte të drejtën e Izraelit për ekzistencë. Një element tjetër është rrethana që deklarimi i Izraelit si pjesë të “kauzës shtetërore” të Gjermanisë interpretohet si pozicion politik, jo pozicion juridik.

Por edhe sikur të nxirret para gjykatës vendimi i landit lindor, sqarimi i tij sipas përvojës, do të kërkojë kohë. Deri atëherë, shpresohet që masat e autoriteteve të ndikojnë në dobësimin e ekstremistëve në zgjedhjet rajonale në landet lindore 2024./ DW

Bora Zemani rrëfen prapaskenat e filmit me Donaldin: Ka pasur puthje me detyrim

Moderatorja e “Dancing with the stars”, Bora Zemani kishte rezervuar një surprizë gjatë mbrëmjes së sotme për ndjekësit.

Gjatë spektaklit, ajo u shfaq në pistën e kërcimit së bashku me Donald Veshajn, për të performuar kolonën zanore të filmit të tyre “5 herë jo”.

Pas performancës, Bora zbuloi detaje nga filmi dhe prapaskenat.

“Është e vështirë të zgjedh vitin më të vështirë. Doja të zgjidhja vitin 2023, pasi kryefjala ka qenë nuk ka më kohë. Projekti më i veçantë ka qenë filmi, jo vetëm si aktore por edhe si producente. Shumë orare të zgjatura pune. Zgjime edhe në orën tre të mëngjesit. Xhironim gjithë ditën, me orare shumë të zgjatura.

Për sa i përket filmit po zbuloj disa detaje se edhe pak ditë na ndajnë nga premiera. Ka pasur puthje, madje kemi bërë edhe dubla jo sepse kishim siklet por se duhej të xhirohej në kënde të ndryshme. Një puthje brenda kësaj historie ishte e detyruar, ku ne duhet të bënim sikur ishim detyruar, por puthja tregonte shumë qartë që ishte e ndjerë.

“5 Herë Jo” për pesë vite që ne njihemi, por mund të them që ka pasur “500 jo” nga të dyja palët. Martesa… Martesën nuk e shoh të rëndësishme, pasi nuk do të ndryshonte gjë. Ne jetojmë bashkë dhe nuk do të ndryshonte asgjë. Në “DWTS” do të kërcejmë kolonën zanore të filmit “5 Herë Jo”, ose ndryshe le ta themi, një kërcim dasme”, rrëfeu Bora.

DOSJA e plotë për inceneratorin e Tiranës: Akuza, komision hetimor dhe sekuestro

Afera e inceneratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisiore, si justifikim për të dhënë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Koncesionet janë sekuestruar nga SPAK, ku rasti më i fundit ishte ai i gushtit, kur u vendos nën sekuestro inceneratori i Tiranës, më i madhi prej të treve.

Akuzat e opozitës

Opozita prej vitesh e ka patur aferën e inceneratorëve një kalë të fortë beteje, kundër qeverisë së Kryeministrit Rama, i cili në mënyrë të përsëritur, i ka mbrojtur publikisht projektet e inceneratorëve, të cilat kanë çuar përballë drejtësisë, ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, ndërsa ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në bankën e të akuzuarve është dhe ish deputeti Alqi Bllako si dhe zyrtarë të ndryshëm të institucioneve qëndrore dhe lokale.

Në gati çdo dalje të tijën, lideri i opozitës e ka kryefjalë aferën e inceneratorit të Tiranës, duke akuzuar Erion Veliajn si përgjegjësin kryesor.

“Në vjedhjen e shekullit, Erion Veliaj renditet pas Edi Ramës, hajduti më kryesor.

Kjo sepse djegësi i Tiranës apo me të drejtë mund të quhet djegësi i Erion Veliajt, i kontraktuar si koncesion për 128 milionë euro dhe me afat 30-vjeçar, është afera në total prej 680 milionë euro, pra 24 herë më e madhe se djegësi i Elbasanit.

Djegësi i Tiranës apo djegësi Erion Veliaj është afera më e rëndë gjer më sot, sepse në këtë aferë, Rama dhe Veliaj u kanë grabitur shqiptarëve 110 milionë euro dhe sot pas gjashtë vitesh nuk ekziston asnjë gjurmë e tij.

Po të kemi parasysh se vetëm në 6 vite janë shpenzuar 110 milionë euro, djegësi i Veliajt do u kushtojë taksapaguesve në 30 vite deri në 720 milionë euro”, deklaronte pak muaj më parë Sali Berisha.

Komisioni hetimor për inceneratorët

Partia Demokratike inicioi hetimin parlamentar për “aferën e inceneratorëve” dhe megjithë konfliktin politik mes palëve që çoi në ngecjen e hetimit në fund të janarit, arriti të tërhiqte vëmendjen e publikut drejt debatit për ligjshmërinë e këtyre kontratave në disa seanca maratonë dëshmish me zyrtarë të lartë, ndër ta dhe kryeministri Edi Rama.

Nuk munguan as vizitat e Komisionit Hetimor për Inceneratorët në inceneratorin e Sharrës në Tiranë, ku mes të tjerash, deputetë të opozitës vunë re publikisht se aty nuk bëhet incenerimi, por ka vetëm landfill.

Në fund të komisionit, PS dhe PD dolën me raporte të kundërta për inceneratorët.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku deklaroi se gjatë hetimit ishte vërtetuar se institucionet përgjegjëse kishin shkelur ligjet në fuqi në dhënien e tre kontratave koncesionare dhe se përfituesit e tyre kishin krijuar skema korruptive dhe pastrimi parash.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku prezantoi një raport me 120 faqe të hartuar nga opozita me gjetjet hetimore në bazë të dokumenteve dhe dëshmive të dhëna në komision. Sipas saj, nga vlera e parashikuar prej 430 milionë eurosh për tre kontratat koncesionare, vetëm 1/3 e këtyre fondeve i korrespondon vlerës reale të ndërtimit të inceneratorëve.

Në përfundimet e tyre, demokratët listuan emrat e 50 zyrtarëve të lartë dhe dytësorë apo punonjës administrate që kanë qenë të lidhur me këto procedura, për të cilët thanë se do të ngrenë padi në SPAK si përgjegjës për ndërtimin e një skeme të madhe korruptive.

Partia Socialiste me mazhorancë numerike në këtë komision prezantoi një raport të kundërt me atë të opozitës, ku flitej përgjithësisht për situatën mjedisore në vitin 2014, kur nisën procedurat e koncensioneve për ndërtimin e inceneratorëve. Nënkryetarja Ermonela Felaj tha se gjatë punës së tij, komisioni kishte shkelur ligjin ku bazohet dhe ka marrë atribute ligjore që nuk i takojnë. “Komisioni bëri shkelje proceduriale dhe përmbajtësore në mbledhjen e informaconit dhe pyetjen e dëshmitarëve,” tha Felaj.

Auditimi i KLSH

Në një raport auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2022 vlerësohet se koncesioni për inceneratorin e Tiranës ka mungesa dhe paqartësi në lidhje me propozimin paraprak të projektit, kostot nuk janë përllogaritur saktë dhe nuk janë identifikuar qartë risqet, si dhe ka keqorientim të politikave për reduktimin e mbetjeve. Institucioni suprem i auditit të jashtëm në Republikën e Shqipërisë konfirmon se projekti është i papërballueshëm për buxhetin e shtetit dhe jashtë tavaneve buxhetore.

Raporti vë në dukje se procedura konkurruese për dhënien e këtij projekti me koncesion nuk është kryer në përputhje me parimet e transparencës dhe përcaktimet ligjore, se në studimin e fizibilitetit parashikohet që pagesa totale për një kohëzgjatje të projektit prej 30 vjetësh të mbulohet përkatësisht nga: a) qeveria shqiptare në masën 130,8 milionë euro pa TVSH, b) ndërsa nga buxheti i bashkive në masën 91,7 milionë euro (pa TVSH).

Ai konstatonte se prej vitit 2018, Bashkisë së Tiranës i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve. Vetëm për periudhën 2018-2020, kjo bashki ka paguar rreth 3.2 miliardë lekë shtesë [26.5 milionë euro], krahas kostos së pastrimit prej 3.9 miliardë lekësh [32,3 milione Euro]. Këto shifra nuk përfshijnë pagesat e vitit 2022 dhe gjysmës së parë të vitit 2023.

Por më alarmant është konstatimi se prej vitit 2018, Bashkia e Tiranës ka paguar tarifën prej 29 euro/ton për incenerimin e mbetjeve urbane për një shërbim ende të pakryer, duke theksuar se “për shërbimin e depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, vihet re se si pasojë e mos përfundimit të ndërtimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve, Koncensionari ende sot nuk ka trajtuar dhe asgjësuar asnjë sasi mbetjesh të marra në dorëzim. Pavarësisht moskryerjes së procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim”.

Sekuestrimi nga SPAK

Më 1 gusht të këtij viti SPAK urdhëroi sekuestrimin e kompanisë që operon kontratën e incineratorit të Tiranës, pasi njoftoi se hetimi paraprak ka zbuluar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të projektit dhe se kompania ka lëshuar miliona euro fatura të falsifikuara, të paguara nga taksapaguesit e Tiranës, Durrësit e bashkive fqinje me të.

Sipas prokurorisë, nga hetimi “ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”

“Nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k,” thuhej në njoftimin e SPAK./ Zoom.al

Tabaku: Inceneratori i Tiranës nuk është punë Taulantësh, drejtësia të triumfojë

Deputetja e Partisë Demokratike reagoi pas operacionit të SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës, duke prerë 10 urdhër-arreste dhe duke lëshuar 5 urdhra për arrest shtëpiak.

Në një koment në rrjetet sociale, Tabaku ndalet te fakti se mes urdhër-arresteve është emri i Drejtorit të Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, Taulant Tusha, por jo i Erion Veliajt, që sipas opozitës, është përgjegjësi kryesor i aferës.

Për këtë arsye, Tabaku bën thirrje për drejtësinë që t’i shkojë deri në fund aferës, duke vënë përballë përgjegjësisë edhe zyrtarin më të lartë.

Reagimi i plotë i Jorida Tabakut:

Ka një kohë për të mbjellur dhe një kohë për të korrur!

Arrestimet për inceneratorin e Tiranës, një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë dhe përgjegjësisë që duhet të mbajnë të gjithë ata që kanë abuzuar me taksat e shqiptarëve dhe qytetarëve të Tiranës.

Korrupsioni në aferën korruptive 430 mln euro ka si kurorë të sajën inceneratorin e Tiranës. Kjo aferë nuk është një skeme e ideuar nga disa drejtorë të bashkisë Tiranë dhe disa burokratë të ministrive së bashku me Zoton dhe Mërtirin. Ajo është një aferë korruptive që ka prekur thellë të gjitha qelizat e qeverisjes qendore dhe vendore.

Nuk mund të zhbëjnë gjurmët e tyre duke u fshehur pas disa drejtorëve përgjegjësit e vërtetë që kanë qenë pas kësaj afere korruptive të inceneratorit të Tiranës. Vjedhja e mbi 300 mln euro nga inceneratori i Tiranës, monopoli disa qindra milionë euro i dhënë për inceneratorin e Tiranës, firma e vendosur mbi shkresën 9275/1 nga kryebashkiaku Veliaj, mungesa e thirrjes së Këshillit Bashkiak me një angazhim miliona euro duke shkelur hapur ligjin.

Të gjitha këto nuk janë punë Taulantësh as drejtorësh apo disa burokratëve të minsitrive. Përkundrazi, janë një dëshmi e një sistemi korruptiv që ka gërryer besimin, shpresën dhe taksat e shqiptarëve aq sa për të vjedhur ditën për diell dhe sy për sy pa turp mbi 430 mln euro nga taksat e shqiptarëve.

Tani, është koha që drejtësia të triumfojë mbi pandëshkueshmërinë. Koha të dëshmojë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Koha të tregohet se askush që ndërton dhe blen media, pushtet dhe ndikim nuk mund të jetë mbi ligjin dhe llogaridhënien. Prandaj lipset që drejtësia të vendoset për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë skandal, duke përfshirë edhe ata që krenohen si gjeli majë plehut për punë imagjinare edhe ata duhet të përballen me përgjegjësinë për veprat e tyre. Ndaj shpresoj dhe uroj që këto arrestime janë vetëm fillimi i një rruge të gjatë për mbase aferën më korruptive të 100 e kusur viteve në këtë vend.

Pasi inceneratorët janë në vetvete instalacioni i korrupsionit që personifikon thellësisht këtë mazhorancë dhe pushtetin e saj vendor.

Në fund, jo nga rëndësia, u bëj thirrje të gjithë atyre që sot janë të arrestuar që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Koha që secili të korrë atë që ka mbjellur.

Valë arrestimesh për inceneratorin – Kush janë zyrtarët për të cilët SPAK preu urdhër-arrest

Zbardhen emrat e zyrtarëve për të cilët Struktura e Posaçme Antikorrupsion preu sot urdhër-arreste për aferën e inceneratorit të Tiranës, duke tronditur Bashkinë e Tiranës.

Në total, SPAK ka prerë 15 urdhra, 10 prej të cilëve janë për arrestimin e zyrtarëve, ndërsa pesë emra të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.

Operacioni i SPAK është ende në zhvillim e sipër dhe deri tani janë ekzekutuar vetëm një pjesë e urdhër-arresteve, por ende nuk ka informacion zyrtar se kush ka rënë në pranga.

Mes atyre për të cilët SPAK kërkon arrestimin si të implikuar në aferën e inceneratorit të Tiranës janë edhe emrat e dy pronarëve “de facto” të inceneratorit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët përmes faturave falso, rezulton të kenë përfituar afro 4 milionë euro, sipas Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.

Po ashtu, urdhër-arrest është lëshuar edhe për Drejtorin e Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës Taulant Tusha, i cili mban këtë post prej 8 vitesh.

Arrest në burg:

Lefter Koka (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, aktualisht në burg)
2- Alqi Bllako (I dënuar nga GJKKO, për inceneratorin e Fierit, aktualisht në burg)
3- Mirel Mërtiri (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit )
4- Klodian Zoto (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit)
5- Erjon Murataj
6- Bledar Karoli
7- Taulant Tusha (drejtor i Infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës, u vetëdorëzua)
8- Namik Simixhiu
9- Jetmir Llapaj
10- Pëllumb Abeshi.

Arrest shtëpie:

11- Alba Thoma
12- Valbona Ballgjini
13- Sidita Kopliku
14- Etleva Kondi
15- Sidita Tola

“Fund i trishtë” për baronin e drogës – Policia: Si u arrestua Gëzim Çela

Policia e Shtetit doli me njoftim zyrtar pas arrestimit të të shumëkërkuarit Gëzim Çela, i njohur si baroni i drogës në Fushë-Kuqe.

Sipas policisë, arrestimi i tij u finalizua gjatë operacionit të koduar “Fundi i trishtë”, për të cilin policia shqiptare bashkëpunoi me atë të Kosovës.

Gëzim Çela kërkohej prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane.

Strukturat e Policisë së Shtetit, pas sigurimit të informacionit nga inteligjenca policore, se në Ferizaj, Kosovë, fshihej një shtetas i kërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane, menjëherë e kanë shkëmbyer informacionin me Policinë kosovare dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnerë strategjikë.

Policia e Kosovës, bazuar në informacionin e marrë nga Policia shqiptare, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Fundi i trishtë”, gjatë të cilit, në Ferizaj, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:

Gëzim Çelaj (Çela), 55 vjeç, lindur dhe banues në Krujë”, njoftoi policia.

Pse kërkohej Gëzim Çela?

Baroni i drogës Gëzim Çela ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake”, pasi:

-Më datë 12.06.2014, në orët e para të mëngjesit, është kapur në flagrancë shtetasi R. H., me lendë narkotike kokainë, e cila ishte nisur nga Kosova në Shqipëri, për llogari të shtetasit Gëzim Çelaj. Në banesat e këtij të fundit, në Kurbin dhe në Tiranë, janë ushtruar kontrolle dhe janë gjetur dhe sekuestruar 207 kg kanabis sativa, 22 kg heroinë, 500 gramë kokainë dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme.

55-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpol Roma, Itali, pasi në vitin 2012, autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Organizator i migrimit ilegal” dhe “Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Qeveria “hap thesin” para festave, gati paketa e ndihmës për familjet në nevojë

Familjet në nevojë do të jenë përfituese të një pakete ndihme që po përgatitet në qeveri.

Lajmin e dha këtë të premte ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete gjatë Kongresit të Partisë Socialiste. Ai nuk dha më shumë detaje se sa do të jetë numri i përfituesve dhe sa do të jetë bonusi që do të shkojë për ta, por mësohet se fokusi i ndihmës do të jetë te familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe tek ata me aftësi ndryshe.

“Jemi në diskutim për një paketë tjetër mbështetje, për shtresat vunerabël brenda këtiij viti, ashtu siç jemi edhe angazhuar në një disktuim të thelluar, me partnerët, si Banka Botërore dhe FMN për një reformë të pensioneve dhe të shtyllave të mbrojtjes sociale në tërësi, pasi e kemi detyrim që në këtë moment të mirë ta përkthejmë në mbështjetje për këto shtresa”, tha ministri i Ekonomisë, Ervin Mete.

Kjo paketë ndihme vjen pasi bonusit prej 5 mijë lekësh për pensionistët, që po shpërndahet që prej 4 dhjetorit në pikat e postës.

Makinat përplasen “kokë më kokë” në Elbasan, 6 të plagosur. Mes tyre edhe një 11-vjeçare

Gjashtë persona mbetën të plagosur pas një aksidenti të shënuar në fshatin Xibrakë të Elbasanit mbrëmjen e kësaj të premteje.

Sipas njoftimit të policië, një mjet që drejtohej nga një 67-vjeçar u përplas me një makinë tjetër, që drejtohej nga një 39-vjeçar.

Për pasojë, u lëndua njëri nga shoferët dhe katër pasagjerët që udhëtonin në të njëjtën makinë me të.

Ndërsa në mjetin tjetër të përfshirë në aksident u plagos një 11-vjeçare.

Të dëmtuarit ndodhen në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Pranga në Bashkinë e Tiranës për inceneratorin, gati arrestimi i disa drejtorëve

Zoom.al mëson ekskluzivisht se SPAK ka prerë 15 fletëarreste për disa zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, pasi ka gjetur prova se ata janë të implikuar në aferën e Inceneratorit të Tiranës.

Mësohet se njëri prej drejtorëve është i afërt me kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj. Drejtori në fjalë ka pasur lidhje dhe përgjegjësi direkte me Inceneratorin e Tiranës. SPAK madje ka zbuluar disa komunikime mes tij dhe pronarëve të inceneratorit.

Dy prej emrave të tjerë, për të cilët është lëshuar urdhërarrest janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Mërtiri dhe Zoto akuzohen se përmes faturave të falsifikuara të TVSH-së kanë marrë rreth 409 milionë lekë.

Sipas SPAK-ut ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila më 31 gusht 2017 ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë me kosto të investimi të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH.

Sipas prokurorisë, nga hetimi “ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”

Këto janë arrestimet e para që SPAK-u bën për Inceneratorin e Tiranës, ndonëse konsiderohet më voluminozi dhe hetimet për të vazhdojnë prej disa kohësh, teksa opozita ka kërkuar edhe arrestimin e Erion Veliajt./ Zoom.al