zoom

Day ArchiveAnkohen tregtuesit e naftës në vend: Rritja e çmimeve dhe bordi na nxorën me humbje

Për herë të parë në 2022 nuk ka asnjë kompani tregtuese të naftës në renditjen e më të mëdhenjve sipas fitimeve, ndonëse ata mbizotërojnë në listën sipas xhiros.

Historikisht, tregtimi me shumicë dhe pakicë i naftës është një nga aktivitetet më pak fitimprurëse në vend, sa i përket normës së fitimit, por në vitin 2022, pjesa më e madhe e tyre kanë rezultuar me humbje, ose me fitime minimale.

Operatorët e shpjegojnë këtë ecuri me disa faktorë.

-Së pari, tregu pësoi një goditje në fillim të marsit, pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, duke rritur çmimet në bursa dhe duke detyruar operatorët të ndryshonin burimet e furnizimit, me kosto të shtuara.

Çmimet në tregun vendas kërcyen deri në 260 lekë, nga 185 lekë përpara fillimit të konfliktit në janar.

Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të grupit të shërbimeve personale ndaj mjeteve të transportit ishte 23% në vitin 2022, nga 6.7% që ishte ndryshimi gjithsej i inflacionit dhe i dyti me zgjerimin më të lartë nga të gjitha grupet, pas vajrave dhe yndyrave (24.2%).

Operatorët shpjegojnë se sa më i lartë çmimi në bursë, aq më pak fitojnë të gjithë, përveç prodhuesit, pasi shtohet kosto e parasë. Kur çmimi është i ulët, kompanitë kanë më shumë mundësi të manovrojnë me çmimet, pasi dhe reflektimi i rënies së tyre në bursa është pak më i ngadaltë.

-Së dyti, nga muaji mars u krijua Bordi i Transparencës, një mekanizëm qeveritar që vendosi çmime tavan për tregtimin e naftës, benzinës e gazit, duke u nisur në përllogaritjen e kostove nga importi, kalimi në doganë e deri te konsumatori fundor.

Bordi tha se në vendimet e tij u bazua në lëvizjet e bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Operatorët u ankuan se kjo ndërhyrje, ku çmimet përcaktoheshin në një frekuencë disaditore, uli fleksibilitetin e tregtuesve për të blerë në bursa kur çmimet ishin të favorshme.

-Së treti, çmimet e larta ndikuan në rënien e konsumit të karburanteve. Të dhënat nga Ministria e Financave treguan se importet e karburanteve në sasi ranë me 9% në vitin 2022, në raport me vitin e mëparshëm.
“Kastrati Group” (tregtim me shumicë) kishte të ardhura prej gati 93 miliardë lekësh në vitin 2022, duke shënuar një rekord historik të qarkullimit vjetor të një kompanie në vend. Por, kompania raportoi humbje prej 1 miliard lekësh, nga 5 miliardë lekë fitime vitin e mëparshëm.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se gjithsesi, humbja nuk erdhi nga aktiviteti normal, por nga përfshirja në shpenzime financiare të aktiviteteve brenda grupit, konkretisht humbjes nga shitja e investimeve financiare afatgjata (shitje kuotash që zotëronte te shoqëria “Tirana International Airport”, shoqërisë “Kastrati Aviation Holding” sh.p.k.), me vlerë negative prej rreth 3 miliardë lekësh.

Nëse përjashtojmë këtë event që ndodh vetëm një herë, kompania do të rezultonte me një fitim nga aktiviteti kryesor, prej rreth 2 miliardë lekësh, në rënie prej 60% në raport me vitin 2021.

“Gega Oil Group” (me shumicë) është operatori i dytë më i madh i tregtimit të karburanteve në vend. Të ardhurat e tij u rritën me 23%, në 44 miliardë lekë. Fitimet ishin 174 milionë lekë, me rënie 3% nga viti i mëparshëm. Kompania raportoi një normë minimale prej 0.39%, nga 0.5% në vitin 2021.

“Europetrol Durrës Albania”, që është e 14-a më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor dhe e treta nga shoqëritë e hidrokarbureve, raportoi një fitim minimal prej 55 milionë lekësh, pothuajse përgjysmim nga viti i mëparshëm dhe normë fitimi prej vetëm 0.27% (nga 0.5% vitin e mëparshëm).

“Eroil” tregtuesi i katërt më i madh i shumicës në vend, raportoi fitime minimale prej 17 milionë lekësh, me tkurrje 27% me bazë vjetore.

Operatori tjetër i shumicës, “Bolv Oil” ka raportuar humbje prej 173 milionë lekësh, pas fitimeve minimale prej 46 milionë lekësh vitin e mëparshëm.

Ndërsa operatorët e shumicës kanë arritur të kenë një fitim, ndonëse modest, më e goditura ka qenë pakica, që historikisht ka pasur një normë më të lartë sesa shumica.

“Kastrati sh.p.k.”, tregtuesi më i madh i pakicës në vend, raportoi humbje prej 392 milionë lekësh në vitin 2022, nga fitimet prej 106 milionë lekësh vitin e mëparshëm.

“Olsi sh.p.k.”, një tjetër operator i madh i tregtimit të naftës (tregtuesi me pakicë i Bolv Oil), rezultoi me një fitim minimal prej 8 milionë lekësh, nga 53 milionë lekë vitin e mëparshëm, me normë kthimi 0.11%, nga 0.9% vitin e mëparshëm.

“Gega Center GKG” thelloi humbjet në 217 milionë lekë, pas rezultatit negativ prej 32 milionë lekësh në 2021.

Edhe në vitet e mëparshme, tregtuesit e karburanteve kanë raportuar norma shumë të ulëta kthimi, 0.5-3%, duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Në tregun e pakicës, norma është pak më e lartë, arrin në 4–6%.

Të dhënat në vit kanë treguar se operatorët kanë rritje të normave të fitimit në vitet kur tendenca e çmimeve të naftës është në ulje, pasi reduktimi në tregun vendas është më i ngadaltë se në tregjet globale.

E kundërta ndodh kur çmimet në bursa janë në rritje, normat e fitimit përgjithësisht nuk shënojnë rritje.

Sipas operatorëve, normat e ulëta të fitimit në këtë sektor lidhen me disa faktorë, si tendenca globale ku çmimi lëviz me cent, konkurrenca e lartë në tregun e brendshëm ku ka shumë operatorë, numri i lartë i pikave të karburantit në raport me konsumin dhe automjetet që qarkullojnë, kosto e lartë e investimeve në depozita.

Sipas të dhënave nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, kapaciteti i depozitave bregdetare është tre herë më shumë sesa kërkesa reale, në rreth 300-400 milionë litra nga Vlora në Shëngjin, nga 60 milionë litra, që janë të nevojshme.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve thotë se, krahas faktorëve të tjerë, që ndikojnë në normat e ulëta të fitimeve, ndërhyrjet e Bordit kanë bërë që pjesa më e madhe e operatorëve në vitin 2022 të rezultojnë me humbje.

Dy faktorë të tjerë që kanë goditur fitimet e tregtuesve, sipas Shoqatës, janë diferenca e çmimeve me rrethet kufitare, çka bën që konsumatorët të blejnë naftë jo në Shqipëri dhe kontrabanda që bëhet me peshkarexhat, e cila rrit konkurrencën dhe detyron importuesit të ulin çmimet./ Monitor

Rritje page, portfoli plot! Cilat janë 3 shenjat fatlume të horoskopit për 2024?

Kur na ndajnë vetëm 35 ditë nga viti 2024, yjet do t’u buzëqeshin më shumë disa shenjave, kur bëhet fjalë për para.

Tri shenja të zodiakut do të jenë fatlumë sepse leku nuk do të mungojë në xhepin e tyre dhe viti i ardhshëm sipas astrologëve, konsiderohet i mbarë për ta në këtë drejtim.

DEMI/ Demi do jetë ndër më të favorizuarit në sektorin financiar për viti 2024 pasi do të ketë Jupiterin në shenjën e tij deri në maj duke i ofruar mundësi të mëdha fitimi dhe komoditete të tjera. Të lindurit në këtë shenjë do të kenë rritje page, si dhe do t’i gëzohen të ardhurave të bollshme nga një investim ose marrëveshje fitimprurëse që do të bëjnë vitin tjetër. Me pak fjalë, portofoli i tyre do të jetë plot.

PESHORJA/ Ashtu si Demi edhe Peshorja do t’i ketë xhepat plot, të paktën deri në maj të 2024-s, pasi Jupiteri do të jetë në shtëpinë e tij të tetë dhe do t’i japë të gjithë favorin e tij në çështjet financiare. Jupiteri është planeti i fatit dhe i bollëkut dhe kur ndodhet në një shtëpi parash, i ofron shenjës përkatëse zgjidhje dhe mundësi për më shumë të ardhura, rritje, trashëgimi apo kompensim.

AKREPI/ Të lindurit në shenjën e Akrepit janë të tretët e listës që do i gëzohen ndikimit të Jupiterit për vitin 2024. Në ndryshime nga dy shenjat më lart, fati për të nis në maj dhe zgjat deri në fund të vitit pasardhës. Bëni gati planet ku dhe si do i shpenzoni pasi këtë vit paratë do të rrjedhin lumëper ju. Mund të keni rritje rroge në punën ose të merrni një lloj trashëgimie, sponsorizimi apo bonusi që do të shtojë të ardhurat tuaja.

Horror në Francë, babai vret 3 vajzat e mitura

Një ngjarje shokuese është regjistruar në Francë.

Një 41-vjeçar ka vrarë tri vajzat e tij të mitura, të moshave 4, 10 dhe 11 vjeç.

Vajzat ishin në shtëpi së bashku me babanë e tyre, në një zonë në periferi të Parisit, kur u qëlluan të trija për vdekje me thikë.

Pasi kreu krimin e rëndë, 41-vjeçari, sipas mediave të huaja, është dorëzuar vetë në polici. Ai ka rrëfyer para efektivëve të rajonit të policisë Dieppe në Normandi se ka vrarë vajzat e tij.

Më pas, policia shkoi në banesë, ku gjeti të pajetë dhe të mbuluar me batanije trupat e vajzave.

Sipas autoriteteve franceze 41-vjeçari ishte i njohur për rastet e dhunë në familje.

Mijëra izraelitë kërkojnë të kthehen në Rripin e Gazës: Është toka jonë!

Për mijëra izraelitë që kanë jetuar në Rripin e Gazës deri në vitin 2005, kur u detyruan të largoheshin dhe kur Izraeli tërhoqi të gjitha forcat e tij nga ky territor, janë rritur shpresat e rikthimit në vendbanimet e tyre të vjetra pas mbarimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Qeveria e Izraelit nuk ka dhënë sinjale se kthimi i tyre në Gazë do të jetë i mundur.

“Mund ta shikoni në hartë se si ajo zonë është ende e pabanuar. Atje mund të ndërtohet një qytet i mirë dhe i madh, ndoshta për hebrenjtë ultra-otodoksë, të cilët duan të jetojnë atje.”

Anita Tucker ka lindur në Nju Jork, por në vitet 1960 ajo u zhvendos në Izrael dhe jetoi në Rripin e Gazës për 30 vite.

Ajo ishte pjesë e kolonëve, që qeveria izraelite i dërgoi në Rripin e Gazës në vitet 1970 për të zhvilluar sektorin e bujqësisë. Izraeli ndërtoi rreth 20 vendbanime në Gazë, shumica e të cilave menaxhoheshin nga grupet fetare.

Në mesin e tyre ishte edhe Orna Fridman, e cila u vendos në Rripin e Gazës në vitin 1982, menjëherë pasi u martua. Në atë kohë shumë izraelitë po largoheshin nga Gadishulli i Sinait, pas arritjes së marrëveshjes së paqes mes Egjiptit dhe Izraelit.

“Mes viteve 1982 dhe 1995, Gaza ishte një zonë e qetë, paqësore, e bukur, me pamje të bukur të detit dhe një vend shumë i mirë për të jetuar. Njerëzit që vinin për të na vizituar thoshin se Gaza dukej si një vendpushim”, thotë ajo.

Por në mes të viteve 1990, ajo thotë se gjendja filloi të ndryshonte. Dhuna u bë rutinë, veçanërisht pas kryengritjes së parë të palestinezëve. Shumë izraelitë, që jetonin në Rripin e Gazës, thonë se vendimi i Izraelit për t’u angazhuar në bisedime të paqes me palestinezët ishte një gabim, që u ndryshoi atyre jetën.

“Procesi i Oslos dhe marrëveshjet e Oslos të viteve 1993, 1994 dhe 1995 ishin të tmerrshme. Gaza dhe Xheriko ishin në qendër të vëmendjes.”

Debbie Rosen ishte zëdhënëse e rreth 10 mijë hebrenjve që kanë jetuar në Rripin e Gazës deri në vitin 2005. Shumica e tyre kundërshtuan vendimin e Izraelit për t’u larguar, duke nxitur shpërthimin e protestave në të gjitha vendbanimet e tyre në Rripin e Gazës.

“U evakuuam nga shtëpitë në Rripin e Gazës, 22 komunitete, 10 mijë banorë. U detyruam të largoheshim nga shtëpitë tona”, thotë ajo.

Pas largimit nga Gaza, zonja Fridman u vendos në vendbanimin Mevo Horon në Bregun Perëndimor. Ajo dhe izraelitë të tjerë, që kanë jetuar në Rripin e Gazës deri në vitin 2005, emërtuan rrugët e lagjeve të tyre me emra të zonave ku kishin jetuar më parë. Ajo dhe shumë të tjerë besojnë se Zoti ua kishte dhënë hebrenjve tokën, që ata e kishin pushtuar.

“Nëse popullata arabe është gati ta kuptojë se kjo është toka jonë, shtëpia jonë dhe të sillen si fqinj të mirë, ne mund të jetojmë së bashku. Por ata duhet ta kuptojnë se kush është pronari i kësaj toke.”

Zonja Fridman thotë se ajo është e gatshme të kthehet në Rripin e Gazës menjëherë pasi ai territor të kontrollohet nga forcat izraelite. Në shtëpinë e saj, ajo mban fotografi dhe kujtime të tjera nga jeta në Gazë. Pas zhvendosjes nga Gaza ajo mbolli një pemë ulliri pranë shtëpisë së saj në Bregun Perëndimor.

Edhe Anita ka në shtëpinë e saj fotografi dhe gjëra të tjera nga jeta në Gazë. Por ndryshe nga zonja Fridman, ajo nuk ka shpresë se bashkëjetesa me palestinezët do të jetë sërish e mundur.

“Nuk është aq mirë t’i vrasim të gjithë. I thashë një gazetari gjerman, që një mënyrë më njerëzore do të ishte t’i dërgojmë me anije në Gjermani. Ku është problemi, ju jeni shumë njerëzorë, merrni të gjithë palestinezët. Por, ai u përgjigj, duke thënë jo, jo.”

Anita Tucker jeton në një zonë rurale në Izraelin qendror, ku të gjithë banorët janë të ardhur nga Gaza. Ajo thotë se ata tashmë po bëjnë plane për ndërtimin e qyteteve të reja në Rripin e Gazës, pas mbarimit të luftës.

“Ne kemi filluar punën, po bisedojmë me arkitektë dhe njerëz, që do të studiojnë hartat për të identifikuar vendbanimet e vjetra dhe zonat ku do të bëhen ndërtimet e reja në të ardhmen”, thotë ajo.

Qeveria izraelite nuk ka bërë deklarata lidhur me synimet e kolonëve si Orna Fridman, Anita Tucker, Debbie Rosen dhe të tjerëve për t’u kthyer në vendbanimet e tyre të vjetra në Rripin e Gazës. Ajo nuk ka dhënë hollësi as për atë që do të ndodhë me Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës me Hamasin./ Zëri i Amerikës

Zhduket në mal 60-vjeçari shqiptar, po kthehej nga Greqia

Familjarët e një 60-vjeçari nga Erseka denoncuan këtë të diel humbjen e tij.

Sipas telefonatës që ata kanë bërë në polici, 60-vjeçari po kthehej nga Greqia në shtëpi, përmes malit të Gramozit, por që pas bisedës së fundit me të, që i njoftoi se ishte nisur, ata nuk kanë kontaktuar më me të.

Familjarët janë të shqetësuar se ai mund të jetë zhdukur apo ka humbur në mal, për shkak të kushteve të këqija të motit.

Aktualisht po kryhen kërkime nga të dyja anët e kufirit për gjetjen e tij. 60-vjeçari kishte shkuar për punë sezonale në Greqi.

Ermal Mamaqi thumboi Luizin pasi pa filmin “Në kuadër të dashurisë”

Një koment i Ermal Mamaqit për Luiz Ejllin u konsiderua si thumb nga ndjekësit.

I ftuar në “Më lër të flas”, Ermali foli edhe për filmin në “Kuadër të dashurisë”, duke komentuar aktrimin e Luizit.

Sipas tij, Luizi u duk më i zoti në aktrim sesa në muzikë, duke e thumbuar kështu për talentin e tij si këngëtar.

Renato Veshaj: A e pe filmin “Në kuadër të dashurisë” dhe si t’u duk Luiz Ejlli?

Ermal Mamaqi: Mirë. Ishte aktor i mirë. M’u duk aktor më i mirë se këngëtar. Kishte shumë talent.

Sa i përket mendimit të tij rreth filimit, ai është përgjigjur shkurt: Mirë.

EMRI+FOTO/ Arrestohet ngacmuesi serial i vajzave në Tiranë

Një 27-vjeçar, që në mënyrë të përsëritur shqetësonte vajzat në Tiranë, duke i ngacmuar seksualisht, është arrestuar nga policia e kryeqytetit.

Marash Gjoklajn e denoncoi një 19-vjeçare një ditë më parë, e cila tha para policisë se e ka ngacmuar seksualisht në vendin e saj të punës.

Ky nuk është rasti i parë që Gjoklaj akuzohet për të njëjtën vepër.

Ai rezulton i dënuar me 4 vite burg për abuzim seksual ndaj një të miture, por ishte lënë i lirë me kusht.

Po një ditë më parë (të shtunën), i riu kishte kërcënuar me thikë edhe një 20-vjeçare në Rrugën e Dibrës.

Marash Gjoklaj është i skeduar edhe për tentativa grabitjeje. Para gjashtë vitesh, ai tentoi të grabiste një 42-vjeçare, e cila sapo kishte bërë pazarin, duke e kërcënuar me thikë që t’i jepte paratë.

Tentativa e grabitjes, përfundoi keq për të riun, i cili u mor peng nga tre djemtë e gruas që tentoi t’i merrte paratë.

Marash Gjoklaj njihet po ashtu si përdorues i lëndëve narkotike.

Luizi bën për të qeshur Kiarën gjatë emisionit, Albi Nako ndërpret fjalën

Këtë të diel në studion e “Fan Club DWTS” ishte edhe Luiz Ejlli, edhe pse nuk u kap nga kamerat.

Por në një moment gjatë moderimit, Kiara Tito nuk e fshehu dot më praninë e Luizit, i cili e bëri për të qeshur.

Kjo ndodhi ndërkohë që po fliste Albi Nako: “Çfarë ka? Të bën Luizi për të qeshur? Ok më fal se është edhe Luizi këtu përballë.”

Në këtë moment, mes të qeshurave, Kiara tha me shaka se për Luizin nuk ka minutazh.

“Se është edhe Luizi në prapaskenë, këtu përballë. Nuk po ta japim mikrofonin sepse nuk na del minutazhi. Një herë tjetër ndoshta”, u shpreh Kiara.

EMRI/ Shqiptarja përplaset për vdekje në Itali

Një 75-vjeçare me origjinë shqiptare u përplas për vdekje në Itali. Aksidenti rrugor u shënua në provinvën e Luças në Itali.

Sipas mediave vendase, e moshuara që humbi jetën është identifikuar si Feime Besnik Nurçe.

Ajo u përplas nga një mjet tip “Golf”, teksa po kalonte rrugën.

75-vjeçarja mori plagë të rënda në kokë dhe pavarësisht ndërhyrjes së stafit të urgjencës, ajo ndërroi jetë në ved.

Vuçiç i prerë: Nuk e njoh Kosovën, ia kam thënë në sy edhe…

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka paralajmëruar javë dhe muaj të vështirë sa i takon çështjes së dialogut, pasi sipas tij, Perëndimi po bën çdo gjë që Serbia të njohë Kosovën si shtet i pavarur.

Megjithatë ai përsëriti qëndrimin e tij se nuk do ta pranojë një gjë të tillë.

“Ne do të jemi nën presion, ata do të përdorin dhe keqpërdorin situatën që Serbia ka diçka për të humbur, prandaj i vendosin shqiptarët nën sanksione që nuk janë aq serioze dhe në fakt po shantazhojnë Serbinë. Por unë nuk do të nënshkruaj. E kam thënë 1000 herë, madje në vendet më të vështira, përballë Macron, Scholz, Borell dhe Mirosllav Lajçak”, tha Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb i bëri këto komente gjatë takimit me studentët nga komuna veriore e Kosovës, Zveçani.

Marrëveshja e fundit e propozuar dhe ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian detyron qeverinë në Prishtinë të krijojë bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe nga ana tjetër Beogradin zyrtar për njohjen “de facto” të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për ta firmosur marrëveshjen, ndërsa pala serbe kërkon vënien në zbatim të saj pa e nënshkruar.

Përmbajtja e kësaj marrëveshje iu është dorëzuar të dyja palëve, ndërsa nuk është bërë publike për qytetarët.