zoom

Day Archive“Jeni të mëdhenj” – Silvinjo duartroket ekipin dhe “ndez motorët” për fazën tjetër

Fjalët e para të trajnerit Silvinjo pas përfundimit të ndeshjes Shqipëri-Ishujt Faroe ishin vlerësim për çunat e Kombëtares.

Gjatë gjithë këtij rrugëtimi në fazën e grupeve, sipas teknikut, ata kanë treguar që janë të jashtëzakonshëm dhe të bashkuar.

“Si fillim dua t’ju falënderoj ju lojtarëve. Jeni të aftë, kemi bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm, jeni lojtarë shumë të mëdhenj, e meritoni. I gjithë stafi, i falënderoj, janë shumë orë bashkë, u kërkoj falje, jam i vështirë e i rëndë. Faleminderit. Përfitoj për të falënderuar federatën, presidentin Duka, të gjithë ata që punojnë në Federatë, janë shumë. I falënderoj me zemër, çdo ditë punojnë. Të fundit jeni ju tifozë, faleminderit për mbështetjen. Nuk kemi pësuar asnjë gol në shtëpi, jemi të parët, sulmi dhe mbrojta më e mirë, faleminderit për të gjitha”, u shpreh ai në fushë, përkrah lojtarëve, kur kishte nisur festa.

Tashmë Silvinjo do të “ndezë motorët” për fazën tjetër, për sfidën e radhës që e pret Shqipërinë në Gjermani.

“Në 2009 ishte shumë e bukur. Por me të gjithë këta djem është një nder për mua. Nuk kam bërë Europian, duhet të shoh ndeshje, studioj, të shoh shumë ndeshje që të shkoj atje shumë i përgatitur”, tha Silvinjo.

Shpërthen festa! Valle e këngë në stadium dhe rrugë (VIDEO)

Sonte është nata e festës dhe kjo u tha që para se të niste ndeshja në stadiumin “Air Albania”.

Pavarësisht rezultatit, që nuk ngrohu shumë tifozët, me vërshëllimën e fundit të gjyqtarit fusha e blertë u kthye në një zonë koncerti, me Juliana Pashën që performoi për sportdashësit. Në fushë zbritën edhe njëherë lojtarët e Kombëtares.

Siç është bërë traditë tashmë, festa nuk mungoi as në rrugët e kryeqytetit. Dhjetëra tifozë mbushën rrugët dhe sheshet, me flamuj, këngë patriotike, ndërsa zgjuan Tiranën me boritë e makinave.

Analisti plas bombën: Ministra e ish-ministra në rrjetën e SPAK

Pas goditjes që SPAK bëri mbrëmjen e kësaj të hëne në radhët e policisë, duke arrestuar edhe ish-drejtorin e Policisë Tiranë, Erzen Breçani, analisti Lorenc Vangjeli paralajmëroi për të tjera zhvillime të rëndësishme.

Gjatë një interviste në “Top Story”, Vangjeli deklaroi se shumë shpejt do të shohim emra ministrash e ish-ministrash si edhe përfaqësues të medias që do të goditen nga SPAK.

“Do të shikojmë politikanë të rëndësishëm që kanë shkëlqyer me ‘make up-in’ e tyre nën dritën e prozhektorëve, që do të shndërrohen në banditë të rëndomtë. Ministra dhe ish-ministra, deputetë. S’keni parë asgjë akoma, thoshte dikur Edi Rama. S’keni parë gjë akoma duket sikur thotë Dumani dhe njerëzit e tij. Do të ketë edhe njerëz të rëndësishëm të medias”, u shpreh analisti.

Përfundon ndeshja! Shqipëria arrin objektivin, e para në Grupin E

Sfida mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe për eliminatoret e Euro 2024 u mbyll në paqe. As Kombëtarja Kuqezi nuk shënoi, por as miqtë në stadiumin “Air Albania” nuk ia dolën të finalizonin asnjë aksion në gol.

Një barazim i vlefshëm ky për Shqipërinë, i cili e ndihmoi të përmbushte me sukses objektivin e trajnerit Silvinjo për të mbyllur Grupin E në krye, edhe pse me pikë të barabarta me Çekinë.

Kualifikimin për në Gjermani, Kombëtarja Kuqezi e siguroi që në ndeshjen e parafundit me Moldavinë, përmes njëpikëshit të siguruar nga barazimi 1-1.

Një tjetër spital, shesh beteje mes Izraelit e Hamasit – Predha shkatërron katin e dytë

Të hënën, forcat izraelite vazhduan ofensivën kundër Hamasit në Gazën veriore, duke luftuar me militantët, pranë atij që njihet si “Spitali Indonezian”, në të cilin ndodhen një numër i madh pacientësh, personel mjekësor dhe palestinezë të zhvendosur.

Një predhë goditi katin e dytë të spitalit, duke vrarë të paktën 12 persona, sipas një përfaqësuesi të personelit mjekësor që ndodhej brenda objektit dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi.

Ata fajësuan forcat izraelite për sulmin. Ushtria izraelite tha se ushtarët që ndodhen jashtë spitalit hapën zjarr në përgjigje të sulmeve të militantëve të Hamasit, por nuk kanë qëlluar me predha në drejtim të spitalit.

Ministrja e Jashtme e Indonezisë, Retno Marsudi fajësoi Izraelin për sulmin.

“Indonezia dënon me forcë sulmin e Izraelit në Spitalin Indonezian në Rripin e Gazës, në të cilin u vranë një numër civilësh”, tha ajo përmes një deklarate. “Sulmi është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar humanitar. Të gjitha vendet, veçanërisht ato që kanë lidhje të forta me Izraelin, duhet të shfrytëzojnë ndikimin dhe aftësitë e tyre për t’i bërë thirrje Izraelit, që t’i japë fund sulmeve”.

Një ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë evakuoi nga spitali i Al Shifës, 31 foshnje të lindura parakohe. Të paktën 28 u transportuan të hënën për në Egjipt. Ndërkohë më shumë se 250 pacientë në gjendje të rëndë vazhdojnë të jenë të bllokuar brenda spitalit, ku forcat izraelite hynë disa ditë më parë.

Luftimet nisën pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, gjatë të cilit u vranë 1200 izraelitë, pjesa më e madhe, civilë.

Izraeli u përgjigj, fillimisht me një ofensive ajrore e pak ditë më vonë dhe një ofensivë tokësore në Gazë, me qëllim kryesor shkatërrimin e Hamasit.

Izraeli thotë se grupi militant i ka përdorur civilët si mburoja si dhe se ka përdorur infrastrukturën spitalore për të kryer operacionet e veta ushtarake, përfshirë edhe spitalin më të madh të rajonit Al Shifën. Forcat izraelite thonë se nën spital ndodhet qendra kryesore komanduese e Hamasit. Një ditë më parë ata ofruan pamje filmike të një tuneli të fortifikuar, 55 metra të gjatë, që siç thonë, mbështet pohimet e tyre.

Por kritikët kanë akuzuar Izraelin për bombardime të pamëshirshme ajrore e ndëshkim kolektiv të popullatës 2.3 milionë banorëshe të territorit palestinez. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se mbi 12 mijë persona kanë humbur jetën, pa bërë një ndarje mes civilëve dhe militantëve të vrarë.

Marwan Abdallah, pjesë e personelit mjekësor të “Spitalit Indonezian”, tha sot se tanket izraelite po vepronin më pak se 200 metra larg spitalit dhe se në çatitë e ndërtesave aty pranë mund të shiheshin snajperë izraelitë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Ashraf al-Qidra, i cili aktualisht ndodhet në Gazën jugore, tha se në spital ndodhen rreth 600 pacientë, 200 punonjës të kujdesit shëndetësor dhe 2 mijë palestinezë të zhvendosur, që e kanë shfrytëzuar spitalin për t’u strehuar.

Ndërkohë sot me dhjetëra kamionë hynë në Gazë nga Egjipti me pajisje mjekësore nga Jordania, me synimin për të ngritur një spital fushor. Ky zhvillim shihet si një mundësi për të lehtësuar një pjesë të trysnisë mbi sistemin shëndetësor në kolaps të Gazës. Mediat shtetërore jordaneze njoftuan se spitali në qytetin jugor të Khan Younis-it, do të nisë të funksionojë brenda 48 orësh./ Zëri i Amerikës

EMRI+FOTO/ Kush është shefi i krimeve në Tiranë që u arrestua me urdhër të SPAK

SPAK lëshoi urdhër-arrest këtë të hënë edhe arrestimin e shefit të krimeve të Komisariatit nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni.

Ai akuzohet për veprën penale “Sigurim i kushteve për kryerjen e një vrasje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Gjoni u arrestua së bashku me ish-drejtorin e Policisë Tiranë, Erzen Breçani dhe djali i tij i madh.

Urdhër-arrest është lëshuar edhe për Ervin Matën, motra e të cilit është e martuar me djalin e Breçanit.

Po ashtu, bëhet me dije se mes të shoqëruarve janë edhe 7 punonjës të tjerë të Policisë.

Aksioni i sotëm u finalizua pas zbërthimit të aplikacionit të koduar “Sky”.

Sherr mes dy familjeve në Pukë, 4 të plagosur

Dy familje janë përfshirë në një konflikt në fshatin Gjegjan të Pukës.

Sipas burimeve, gjatë konfliktit janë përdorur mjete prerëse, duke lënë të plagour 4 persona.

Ata janë dërguar në spitalin e Pukës për shkak të dëmtimeve dhe njëri prej tyre ndodhet në gjëndje më të rëndë.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dh po heton për shkakun e konfliktit mes dy familjeve Marku e Zefi.

DETAJE/ SPAK urdhër-arrest edhe për Ervin Matën, lidhja e tij me djalin e Breçanit

Mes personave që SPAK ka lëshuar urdhër-arrest gjatë operacionit të finalizuar mbrëmjen e kësaj të hëne është edhe biznesmeni Ervin Mata.

Ai është një emër i njohur për drejtësinë, pas përplasjes që ka patur me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018, ku pas një përplasje me armë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha dhe u plagosën dy të tjerë, Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Pas një arratie 6-mujore, Mata u dorëzua dhe dëshmoi të gjithë atë që ka ndodhur natën e 4 tetorit 2018, në lokal. Biznesmeni Ervin Mata ka mohuar që të ketë qëlluar me armë, apo edhe me grush

Ervin Mata njihet për lidhje me familjen Breçani. Motra e tij është bashkëshortja e djalit të Erzen Breçanit.

Veç Breçanit, i arrestuar këtë mbrëmje është edhe djali i tij i madh, i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash.

Nga përplasjet me Ramën e Tahirin, te shkarkimi – Kush është Erzen Breçani

Ish-drejtori i Policisë Tiranë, i arrestuar mbrëmjen e kësaj të hëne me urdhër të SPAK, Enjihet për konfliktet e ashpra që ka pasur me Saimir Tahirin, në kohën kur ishte në opozitë dhe deputet i PS-së. Pas ardhjes në pushtet të së majtës, shumë prej drejtuesve të Policisë së Shtetit u shkarkuan nga detyra, mes të cilëve edhe Breçani, me motivin e reformimit të strukturave policore.

Shkarkimin e parë zyrtar nga radhët e Policisë së Shtetit dy ditë pas ardhjes së tij në krye të Ministrisë së Brendshme Saimir Tahiri e firmosi për Erzen Breçanin.

Për shkarkimin e tij, Breçani akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm asokohe, Saimir Tahiri se kanë vepruar politikisht.

Sipas tij, vendimi për ta larguar nga detyra erdhi pas publikimit të një mesazhi në Facebook, ku e krahasonte kryeministrin Edi Rama me Hitlerin dhe Enver Hoxhën.

Asokohe Brçani deklaroi se pas debateve në telefon me Tahirin dhe Ramën është shkarkuar nga detyra. Ai tha se shkarkimi i tij ishte i paligjshëm dhe i motivuar jo vetëm prej mesazhit në rrjetet sociale, por edhe prej prejardhjes së tij nga veriu.

Largimin nga puna, ish-drejtuesi i policisë së kryeqytetit e quajti të padrejtë dhe si pasojë e kësaj ai iu drejtua Gjykatës Administrative për të ankimuar vendimin.

Përplasjet me Ballën dhe Pjerin Ndreun

Përplasjet e Erzen Breçanit nuk kanë munguar as me Taulant Ballën dhe Pjerin Ndreun, gjatë asaj periudhe deputetë të PS. Balla e akuzoi Breçanin se grada e Kryekomisarit në vitin 2009 i është dhënë në kundërshtim me ligjin. Ndërsa Breçani iu përgjigj se kjo nuk është e vërtetë, pasi në fakt ka pasur ulje në detyrë.

“Në 2005 kam gradën e Kryeinspektorit, dhe më pas u ekuivalentja me gradën e kryekomisar”, tha Breçani.

Deputeti Pjerin Ndreu e akuzonte Breçanin ishte partiak në punën e tij dhe se mbronte demokratët, duke e pyetur se sa herë është konfliktuar me deputet e opozitës kur gëzonte detyrën.

“Jam konfliktuar në çdo rast kur çdo deputet ka shkelur ligjin. Jam konfliktuar me Saimir Tahirin kur më ka kapur për uniformë duke shkelur kësisoj integritetin e punonjësit të policisë”, iu përgjigj Breçani në ato vite.

SPAK godet radhët e policisë! 11 të arrestuar, mes tyre edhe ish-drejtori Erzen Breçani

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka finalizuar një operacion mbrëmjen e kësaj të hëne në Tiranë, duke goditur radhët e policisë dhe duke lëshuar 11 urdhër-arreste.

Mes personave për të cilët SPAK ka urdhëruar arrestimin është edhe emri i Erzen Breçanit, që ka mbajtur postin e drejtorit të Policisë së Tiranës.

Bashkë me Breçanin është vënë në pranga edhe djali i tij i madh, si edhe disa punonjës të tjerë policie.

Erzen Breçani akuzohet për pastrim parash dhe përkrahje të autorit të krimit, ndërsa djali i tij për trafik droge dhe pastrim parash.

Breçani dhe djali i tij i madh, së bashku me punonjësit e tjerë të policisë, ranë në rrjetën e SPAK pas zbërthimit të aplikacionit “SKY”, ku janë zbuluar biseda që i fundosën.

Akuza të tjera që rëndojnë ndaj grupit të të arrestuarve janë grup i strukturuar kriminal, sigurim i kushteve për të kryer vrasje dhe shpërdorim detyre.