zoom

Day ArchiveShefi i OKB-së për të drejtat e njeriut: Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi kanë kryer krime lufte

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka vizituar anën egjiptiane të pikës së kalimit Rafah me Gazën gjatë një turneu pesë-ditor në Lindjen e Mesme.

Volker Türk tha se krimet e luftës janë kryer nga Izraeli dhe Hamasi që nga 7 tetori kur shpërtheu konflikti.

“Mizoritë e kryera nga grupet e armatosura palestineze më 7 tetor ishin të neveritshme, ato ishin krime lufte – siç është mbajtja e vazhdueshme e pengjeve”, tha ai.

“Dënimi kolektiv nga Izraeli i civilëve palestinezë është gjithashtu një krim lufte, siç është evakuimi i paligjshëm me forcë i civilëve.”

Mijëra palestinezë janë larguar në jug të Rripit të Gazës pasi ushtria izraelite hapi një rrugë evakuimi nga Gaza veriore për të pestën ditë radhazi.

Një burim tha se po zhvillohen diskutime për lirimin e 12 pengjeve , gjysma prej tyre amerikanë, në këmbim të një pauze humanitare tre-ditore.

Ministria e shëndetësisë në Gaza thotë se numri i njerëzve të vrarë në Gaza është rritur në 10,569, duke përfshirë 4,324 fëmijë, që kur Izraeli filloi aksionin ushtarak hakmarrës në përgjigje të sulmeve të 7 tetorit.

Faktorët e papritur që rrisin rrezikun e sulmit në zemër dhe goditjes në tru

Shëndeti i zemrës është i lidhur pazgjidhshmërisht me shëndetin mendor, sipas një studimi të ri që hedh dritë mbi atë se sa shëndeti kardiovaskular ndikohet nga sëmundjet mendore.

Depresioni, ankthi dhe stresi kronik janë disa nga kushtet që jo vetëm vështirësojnë jetën e përditshme të të sëmurëve, por vënë në rrezik të madh shëndetin e zemrës dhe trurit, sipas dy hulumtimeve.

Studimi i parë hetoi mekanizmin me të cilin gjendja mendore ndikon në shëndetin e zemrës. U zbulua se ankthi dhe depresioni përshpejtojnë zhvillimin e faktorëve të rinj të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.

Në studimin tonë, ne identifikuam një mekanizëm që duket se shpjegon kryesisht lidhjen midis këtyre faktorëve psikologjikë dhe sëmundjeve kardiovaskulare“, shpjegon autori kryesor i studimit Dr. Civieri.

Dr. Civieri. Koha e marrë për të zhvilluar faktorë të rinj të rrezikut kardiovaskular u mat gjatë 10 viteve, nga dhjetori 2010 deri në dhjetor 2020.

Studiuesit arritën në përfundimin se:

Zbuloni kush është fruti më i mirë për shëndetin e trurit

Tashmë nuk është më një sekret se zgjedhjet ushqimore që bëjmë, kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin tonë, përfshirë këtu edhe shëndetin e trurit.

Për të mbajtur të shëndetshme funksionet e trurit, ekspertët botërorë të shëndetit, këshillojnë që regjimi ushqimor të jetë sa më i larmishëm.

Por kur bëhet fjalë për frutat, një lloj është në qendër të vëmendjes.

Cili është fruti më i mirë për shëndetin e trurit?

Edhe pse plakja është një proces i natyrshëm dhe i pashmangshëm, ka shumë elementë që mund ta ngadalësojë këtë proces.

Një prej tyre është ushqimi që konsumojmë dhe në këtë aspekt duket se në përgjithësi frutat e pyllit janë ato që japin përfitimet maksimale.

Megjithatë edhe konsumi i frutave të tjera është një element kyç në shëndetin e trurit dhe shëndetin e përgjithshëm.

Kjo sepse fruat kanë plot vitamina, minerale, antioksidantë dhe përbërës të tjerë që ndihmojnë dhe përmirësojnë shëndetin.

Frutat e pyllit janë ato që në rastin e shëndetit të trurit japin më tepër përfititme sepse janë më të pasurat me antoksidantë, të cilat i shërbejnë më së miri këtij organi kaq kompleks.

Manaferrat, boronicat, mjedrat apo dredhëzat, duhet të jenë të gjithmonë në tryezën tuaj.

Këto fruta të vogla, janë gjithashtu shumë të shijshme dhe mund të përfshihen në kaq shumë receta.

Aq sa që nuk mund t’i përjashtosh nga regjimi ushqimor.

Pa marrë parasysh se cilën zgjidhni, ju do t’i siguroni trupit tuaj antioksidantë, fibra dhe shumë vitamina e minerale. Një përfitim tjetër është se të gjitha janë me pak kalori dhe pa yndyrë.

Ato përmbajnë fitokimikate të ndryshme, duke përfshirë antocianinën, acidin kafeik, katekinën, kuercetinën, kaempferolin dhe taninën, në varësi të llojit që zgjidhni.

Këto fitokimikate mund të ofrojnë veti antioksiduese, anti-inflamatore, anti-virale për trurin, duke e ndihmuar atë të ngadalësojë procesin natyral të plakjes.

Pra, përfshirja e këtyre frutave në regjimin ushqimor mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet trurit tuaj për të ruajtur funksionet e tij. /AgroWeb.org

“Më rrahu edukatorja”/ 3-vjeçarja që iu thye këmba nga dhuna: Më tha “mbylle gojën, qepe”

Vogëlushja, të cilës iu thye këmba nga dhuna e ushtruar nga edukatorja e saj, Majlinda Dehima në kopshtin privat të palicensuar “Stinët”, i ka rrëfyer babait të saj se çfarë i ndodhi.

Sipas të atit, vogëlushja e cila nuk i artikulon mirë fjalët, ka folur rrjedhshëm në momentin kur tregoi dhunën mizore të ushtruar nga edukatorja, që paguhej për t’u kujdesur për të.

“Çohet vajza në darkë, bërtet me të madhe edhe thotë “edukatorja”… Që vajza ime nuk flet plotësisht, por dy netët e fundit në Spitalin e Traumës filloi duke folur, siç flasim ne tani ‘edukatorja më rrahu’,”– tregon babai gjatë një bisede me moderatorin e emisionit “Stop”, Saimir Kodra.

Ndërsa shtoi: “Edhe ‘mbylle gojën, qepe gojën, mos e fut ke goja, bam-bam’… Saimir, unë punoj dy punë, nga ora 6 e deri në orën 8 të darkës. Mendova, që një kopsht privat do ishte ideal për vajzën time, që nuk i shtjellohen fjalët, nuk i thotë.”

Lexoni edhe: “Moj sharabajgë”- Pamjet e momentit kur edukatorja i thyen këmbën 3-vjeçares: Me ty do të merrem

Biseda mes tyre:

Saimir Kodra: Aty është ora 13:46. Kanë dalë nga pushimi, domethënë kanë ardhur për gjumë. Vajza si duket nuk ka gjumë në atë moment, sepse gjithë të tjerët po të shohësh fëmijët e tjerë, janë në gjumë. Ky është zëri i vajzës… Jo këtu nuk ka ndodhur asgjë. Kjo është edukatorja që rri atje, kjo që vjen.

(Momenti kur edukatorja e godet në këmbë vajzën)

Babai përplas tavolinën.

Saimir Kodra: Tani nga ky moment e deri në orën, në çfarë ore e keni marrë ju… Nga ky moment, kur e keni marrë vajzën? 3 e sa?

Babai i vajzës: Në 3:20 kemi mbërritur në kohë të shpejtë se s’kishim mundësi.

Saimir Kodra: Që e morët ju e çuat në spital…

Babai i vajzës: Në 3:20 po…

Saimir Kodra: Vajza pastaj vetëm qan në pamje, në video… dmth ky është momenti. E dëgjove zhurmën e asaj? Tashi unë nuk jam ekspert audio, as Genti, po unë kam përshtypjen, që… se falë Zotit, se ka Zot në të gjitha… që është pa mikrofon, është kamera ambientale, që dëgjohet. Tashi dome e pa prapë, apo jo?

Babai i vajzës: Jo, jo. S’dua të shoh asgjë!

Saimir Kodra: Mos e shif më! Prandaj të thërrita, se duhet ta…kur të dalë në transmetim në darkë, duhet ta kesh të qartë e ta dish.

Babai i vajzës: Është një fëmijë që ka mbajt shumë suport. A kupton? Edhe tani me këmbë të thyer në spital domethënë, për pak gjë, fillon e qesh. E kupton?

Saimir Kodra: Duhet me rujt qetësinë! E kupton? Sigurisht unë kam besim, se kjo nuk ka ku shpëton më…

Saimir Kodra: Vajza si është? Ankohet?

Babai i vajzës: Trauma, të gjitha…Çohet vajza në darkë, bërtet me të madhe edhe thotë “edukatorja”… Që vajza ime nuk flet plotësisht, por dy netët e fundit në Spitalin e Traumës filloi duke folur, siç flasim ne tani “edukatorja më rrahu”.

Saimir Kodra: Po ëë…

Babai i vajzës: Unë ngela kshu, u shokova fare, u përlota…

Saimir Kodra: Pas allçisë ëë?

Babi i vajzës: Pasi bëri allçinë që po e mbanim aty në vëzhgim që do dilnim për punë dite, foli, filloi duke folur fjalë të rrjedhshme edhe me sy mbyllur në gjumë.

Saimir Kodra: Si tha, edukatorja më rrahu tha, ë?

Babai i vajzës: Po? Rrjedhshëm fare!

Saimir Kodra: Po ja tek janë pamjet, s’ka rrejt goca e shkretë, ja ku janë!

Babai i vajzës: Po ta morësh, nuk flet dot ashu, nuk e thotë dot fjalën “edukatorja më rrahu”, në botë nuk e thotë, dot. Aty e tha.

Saimir Kodra: Ja, ku e pe vetë, se s’po du ta play-joj mo.

Babai i vajzës: Edhe “mbylle gojën, qepe gojën, mos e fut ke goja, bam-bam”… Saimir, unë punoj dy punë, nga ora 6 e deri në orën 8 të darkës. Mendova, që një kopsht privat do ishte ideal për vajzën time, që nuk i shtjellohen fjalët, nuk i thotë…

“Moj sharabajgë”- Pamjet e momentit kur edukatorja i thyen këmbën 3-vjeçares: Me ty do të merrem

Video e momentit kur edukatorja i thyen këmbën vajzës 3-vjeçare në kopshtin privat “Stinët” është bërë publike.

Në pamjet e publikuara nga emisioni investigativ “Stop” zbulohet se ngjarja ka ndodhur në dhomën e gjumit të fëmijëve.

Edukatorja Majlinda Dehima pasi e dhunon dëgjohet duke i thënë vogëlushes “Moj sharabajgë, me ty do të merremi”.

Në pamjet filmike ku tregohet qartë sesi e mitura dhunohet nga edukatorja, Majlinda Dehima deri në thyerjen e këmbës. Në materialin filmik dëgjohet zhurma e thyerjes, qarja e vajzës dhe të sharat e edukatores ndaj 3-vjeçares.

Thyerja e këmbës e vajzës ka ndodhur rreth orës 13:47, por familja e vogëlushes është lajmëruar nga stafi për të marrë 3-vjeçaren pas orës 15:00.

ORA 13:46 – Vajza qan

Edukatorja 1: Pusho moj… Ua… Ku je ktu mi?!

ORA 13:47 – Futet edukatorja Majlinda Dehima – Dëgjohen goditje

Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Çfarë bën ti mi?! Çfarë bën ti mi?! Hë çfarë bën? Çfarë bën mi?! Pse ta kemi ty qefin ne mëngjes, drekë e darkë? Sharabajgë Hiqe moj këmbën këtu, hiqe këmbën, hiqe këmbën.

ORA 13:47 – Dëgjohet kërcitje, vajza fillon të qajë pa pushim

Edukatorja 2, Majlinda Dehima: Jo, jo… Padashje…

Të qarat vazhdojnë deri në orën 15:12 kur vajza bëhet gati për të dalë nga kopshti.

Ndërkohë babai i 3-vjeçares ka treguar në mënyrë kronologjike edhe njëherë se si u trajtua rasti i thyerjes së këmbës të së bijës nga instancat përkatëse.

Në çfarë ore ju shkuat në datën 1 Nëntor tek spitali i Traumës?

Babai i vajzës: Shkuam rreth orës 4 e gjysmë. Mjeku që e trajtoi, di vetëm emrin, quhej Juli. Pasi bëmë grafinë, na mori të 2 si prindër me gjithë vajzën na çoi në një dhomë tjetër që ishte konsultë dhe na tha që vajza ka thyer në gjendje të rëndë këmbën.

Ky doktor, ai thërriti oficerët e Policisë Gjyqësore?

Babai i vajzës: Doktori nuk ka shprehu një interes të tillë për të kërkuar një shpjegim apo investigim që meqenëse, prindërit nuk dinë gjë nga ky kopsht, atëherë do të merret oficeri përkatës që të zbardhte çështjen ose të bënte pyetjet që ai di.

Ne, pasi hymë brenda që pamë grafinë, nuk erdhi njeri afër që të na pyeste pasi ishte një emergjencë që duhej të shihnim se çfarë kishte ndodhur.

Pasi ikëm tek salla tjetër që zbardhnim grafinë në ekran, sa morëm vesh nga mbrapa, një oficer kishte ndaluar zonjën drejtoreshë me gjithë të shoqin e saj duke e pyetur se çfarë ka ndodhur. Zonja, mesa morëm vesh ne, kishte thënë që “jemi të afërmit, nuk ka ndodhur gjë, një aksident i vogël”.

Dhe ai nuk i kishte shkuar më tej zbulimit të ngjarjes? Ishte mjaftuar me pohimet e drejtoreshës?

Babai i vajzës: Po. Ai kishte marrë dëshminë që ishte një rast familjar që ka ndodhur. Nuk erdhi të pyeste njeri. Ngeli tamam një enigmë.

Edukatorja dhunueseMajlinda Dehima, e cila u mor në pyetje vetëm 1 javë pas ngjarjes (7 nëntor) tha para uniformave blu se mendon që vajza e ka lënduar vajzën tek hapësirat e krevatit, por në fakt e vërteta është krejtësisht ndryshe dhe këtë e vërtetojnë pamjet e fundit.

Dëshmia e edukatores Majlinda Dehima:

“Kam goditur me vizore vetëm tek karrigia për t’i tërhequr vëmendjen vajzës për në mësim. Rreth orës 15 e 3 minuta, vajza ka nisur të qajë dhe pas kontrollit që i kam bërë, kam parë që këmba ka qenë e enjtur. Më pas, njoftova menjëherë drejtoreshën e kopshtit. Mendoj që vajza e ka lënduar këmbën tek hapësirat e krevatit”, ka deklaruar ajo.

Por pas marrjes në pyetje, edukatorja është proceduar në gjendje të lirë, pavarësisht se për shkak të dhunës së saj vogëlushnja theu këmbën.

Analiza: “Mision vetëvrasës” për kryeministrin polak

Presidenti polak Andzhej Duda pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. Ai e ka shijuar dukshëm në një fjalim televiziv rolin e tij mbrëmjen e së hënës, kur çuditërisht shpalli emrin e politikanit që do të përpiqet të formojë qeverinë e ardhshme. Vendimi nuk pritej deri të dielën e ardhshme, kur parlamenti i ri mblidhet për herë të parë.

“Pas analizave dhe konsultimeve, vendosa t’ia jap mandatin për formimin e qeverisë kryeministrit Mateush Moraviecki”, tha Duda. Ai e shpjegoi vendimin e tij me “traditën e mirë parlamentare” se partia më e fortë ka gjithmonë shansin të formojë qeverinë e para.

Ish-bankieri Moraviecki, 55 vjeç, i cili drejton qeverinë e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) që nga viti 2017, falënderoi Dudën për besimin dhe më pas shkroi në platformën Iks: “U bëj thirrje për bashkëpunim të gjithë deputetëve që e vendosin Poloninë të parën”.

Rezultatet e zgjedhjeve të qarta, problemet me matematikën

“Duda e dënoi Moravieckin me një mision vetëvrasës”, shkruan në editorialin e tij Boguslav Hrabota, kryeredaktor i së përditshmes konservatore “Zheçpospolita”. Ish-kryeministri socialdemokrat Marek Belka komentoi: “Për matematikën – nota një. Ndërsa nota zero me një pikëçuditëse për përgjegjësi. A nuk ju vjen turp, zoti president?” Një njeri i besuar i liderit të opozitës Donald Tusk tha se kjo që bëri presidenti është një “kabare politike”.

Zgjedhjet parlamentare në Polonimë 15 tetor në fakt sollën një rezultat të qartë: opozita demokratike rreth liberal-konservatorit Donald Tusk, e cila përbëhet nga tre blloqe partiake (Koalicioni Civil KO, Hera e Tretë TD dhe E majta e Re), ka më shumë se 248 mandate në parlamenti i ri. Shumica absolute është 231 vota.

Tusk: Qeveria para Krishtlindjeve

Partia nacional-konservatore PiS, e cila ka qeverisur Poloninë për tetë vjet, është padyshim forca më e fortë me 35,4 për qind. Por ajo fitoi vetëm 194 vende në parlament dhe nuk mund të vazhdojë të qeverisë pa një partner koalicioni. “Çdo fëmijë e di se numri 248 është më i madh se 194”, kanë përsëritur prej tre javësh politikanët nga aleanca fituese. Sipas kushtetutës, pas zgjedhjeve, presidenti nuk është i detyruar që fillimisht t’ia besojë mandatin për formimin e qeverisë partisë më të fortë parlamentare.

Tusk reagoi ndaj vendimit të Dudës me qetësi demonstrative: “Duan të na vjedhin edhe për disa ditë, ndoshta dy ose tre javë. Është turp.” Ai gjithashtu thotë se nuk e kupton pse presidenti Duda, Moraviecki dhe politikanë të tjerë të PiS-it ekspozohen ndaj një “poshtërimi të trishtë”. Tusk premtoi se, në rastin më të keq, Polonia do të ketë një qeveri të re përpara Krishtlindjeve. Marrëveshja e koalicionit duhet të finalizohet përpara seancës së parë të parlamentit të hënën e ardhshme (13 nëntor).

Partia PiS e sheh të vetmen mundësi për vazhdimin e pushtetit në ndarjen e opozitës demokratike. Prandaj, konservatorët po përballen me Partinë Fshatare PSL, e cila u shfaq së bashku me Poloninë 2050 si aleanca e Rrugës së Tretë në fushatën zgjedhore. Për çështjen e abortit, ajo është më konservatore se partnerët e tjerë. Moraviecki po shkon aq larg në përpjekjet e tij për të fituar favorin e PSL-së, sa në një intervistë ai u përgjigj pozitivisht kur u pyet nëse mund të imagjinonte të shërbente si ministër në qeverinë e udhëhequr nga kreu i PSL-së, Vladislav Kosinjak-Kamish. Por organi drejtues i PSL-së konfirmoi njëzëri të shtunën e kaluar (4 nëntor) se do të hyjë në koalicion me KO dhe të Majtën.

Miti për fitoren e vjedhur

Cili është qëllimi i taktikës së vonesës? “Duda solidarizohet me kolegët partiakë, të cilëve u duhet më shumë kohë për të fshirë dokumentat nga kompjuterët e tyre, për të djegur dokumentet dhe për të vendosur kurthe për pushtetin e ri”, shkruan Boguslav Hrabota.

Domethënë, ministritë janë ende duke marrë vendime për shpërndarjen e parave. Edhe në mediat shtetërore të kontrolluara nga PiS, të cilat vitet e fundit kanë funksionuar praktikisht si zëdhënëse partiake, punonjësit po marrin kontrata të reja pune me qëllim që të vështirësojnë shkarkimin e tyre.

Sipas disa vëzhguesve, përpjekja për të formuar një qeveri të re të PiS shërben për të “krijuar mitin e një fitoreje të vjedhur”, shkruan Agnieshka Dlugosh për “Njuzvik”. Ky mit duhet të ndihmojë PiS dhe presidentin e tij Jaroslav Kaçinski për të rimarrë pushtetin. Sociologia Helena Hmjelevska-Shlaifer tha në një intervistë për gazetën liberale “Gazeta Viborça”: “Duda e vendosi karrierën e tij personale mbi interesat e vendit. Ai iu nënshtrua partisë (PiS).

Kaçinski i shqetësuar për partinë e tij

Por qeverisë aktuale nuk i ka mbetur shumë kohë. Nëse Moraviecki nuk ia del, shumica në parlament do të propozojë kandidatin e tyre Tuskut më së voni deri në fillim të dhjetorit. Duda siguroi në televizion se në atë rast do të emëronte “menjëherë” një kandidat.

Po çfarë po bën humbësi i madh i zgjedhjeve Jaroslav Kaçinski? Që nga nata e zgjedhjeve ai nuk është shfaqur askund. Kreu i partisë ka munguar edhe në mbledhjen e deputetëve të sapozgjedhur të PiS të hënën në selinë e partisë në Varshavë. Duke pasur parasysh kritikat e lidershipit të partisë për zgjedhjet e humbura, ai po punon qartë në prapaskenë për të siguruar unitetin e PiS. Sepse testi i radhës është në prill – kur mbahen zgjedhjet lokale. Për momentin, 74-vjeçari nuk dëshiron të tërhiqet, ndonëse disa anëtarë të partisë së tij do të donin ta largonin. /DW

Rezerva për marrëveshjen e Shqipërisë për emigrantët, pritet me shqetësim

Marrëveshja për migrantët, e firmosur më 6 nëntor nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, shihet me shqetësim nga ekspertët e çështjeve të migracionit dhe sigurisë në Tiranë.

Opozita e kundërshton po ashtu dhe kërkon interpelancë urgjente me Ramën. Për më tepër, Partia Demokratike paralajmëron se pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese të vendit në lidhje me të.

“Ky lajm vjen si surprizë në Shqipëri, pasi nuk ka pasur asnjë debat politik apo publik për një çështje kaq sensitive për qytetarët dhe për mbarë vendin”, thuhet në komunikatën e PD-së.

Me marrëveshjen e nënshkruar në Shëngjin, migrantët që do të shpëtohen në Detin Mesdhe, do të strehohen në Shqipëri, ndërsa Italia do të financojë për ngritjen e qendrave për pritjen e tyre.

Zbatimi i saj pritet të nisë pranverën e vitit të ardhshëm.

Sipas protokollit të publikuar nga Qeveria shqiptare, Italia do të depozitojë 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë, si paradhënie për strehimin e migrantëve.

Paqartësi për protokollin

Drejtuesi i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, thotë se ka shumë paqartësi për mënyrën se si do të zbatohet ky protokoll.

“Protokolli mes dy vendeve është i pari i këtij lloji, pra nuk ka praktika të ngjashme që të jenë miratuar dhe zbatuar dhe ka shumë paqartësi për mënyrën se si do të zbatohet”, thotë Gjipali për Radion Evropa e Lirë.

Ai e vlerëson faktin se Shqipëria është treguar bashkëpunuese, por thotë se beson se përfitimet nga kjo marrëveshje, do të shkojnë për Italinë.

Sa i takon Shqipërisë, thotë Gjipali, ajo konfirmon me këtë marrëveshje marrëdhënien e saj të mirë me Italinë.

“Nga leximi i protokollit është e qartë se do të zbatohet legjislacioni italian dhe si rrjedhojë ai evropian, por, në praktikë, do të shihet se si do të zbatohet, a kanë garanci më shumë apo më pak nga ato që u jepen azilantëve në territorin italian”, shprehet Gjipali.

Eksperti i sigurisë në Shqipëri, Redion Qiriazi, shpreh disa rezerva për këtë marrëveshje.

Ai thotë se po të ishte në interes të Shqipërisë, ajo do të diskutohej publikisht edhe në Kuvend.

Sipas tij, ka një kontradiktë mes ligjit ndërkombëtar dhe asaj që është firmosur në marrëveshje.

“Nëse aplikohet ligji italian në kampe, azilkërkuesit i kanë të drejtat që i kanë azilkërkuesit në Itali, pra kanë të drejtë të dalin… Problemi më i madh është se çfarë ndodh nëse Italia tërhiqet dhe ti i ke 3.000 migrantë që nuk ke aftësi dhe kapacitete t’i mbash”, thotë Qiriazi.

Sipas tij, është i paqartë dhe i pakuptimtë interesi i Shqipërisë në këtë marrëveshje.

“Nuk jemi aq të zgjuar sa Turqia. Ajo, kur bëri marrëveshje dhe mori migrantë në vitin 2016, përfitoi 6 miliardë euro në vit dhe iu premtua heqja e vizave. Dhe, kur pati kufizime për vizat, Turqia i hapi kufijtë, vendosi njëfarë presioni”, thotë Qiriazi.

“Nuk mendoj se Shqipëria është treguar aq e zgjuar në hartimin e kësaj marrëveshjeje që ta kishte si një levë për ta përdorur ndaj Italisë në negociata apo për të kërkuar diçka mbrapsht. Nuk e kuptoj interesin e Shqipërisë. Është cenuar institucionalizmi. Fakti që deputetët nuk e dinin, është i papranueshëm”, shton ai.

Ai thekson se nuk është kundër marrëveshjeve që forcojnë interesat e përbashkëta mes dy vendeve, por thotë se duhet të kishte më shumë studim dhe reflektim. Sipas tij, kërcënimi ndaj sigurisë mund të jetë real.

Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjeve të Bashkimit Evropian, tha se marrëveshja mund të rezultojë problematike nëse Italia i dërgon migrantët e gjetur në ujërat territoriale të BE-së në një vend joanëtar të BE-së.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, tha se “individët e shpëtuar nga autoritetet italiane në det, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale”.

Çka mendojnë qytetarët?

“Nuk më duket e arsyeshme si marrëveshje. Shoh një kontrast shumë të madh me situatën ku shumë të rinj po ikin dhe po e lënë Shqipërinë për arsye të ndryshme, ndërsa ne marrim migrantë”, thotë Kamela Cuka, studente në Tiranë.

Peter Roci, gazetar, thotë se do ta kuptonte këtë qëndrim të Shqipërisë vetëm nëse do të ishte ndonjë kusht nga Bashkimi Evropian.

“Nëse është punë kushti nga BE-ja – dakord, por nëse jo, nuk e kuptoj përse duhej të firmosej. Nga ana tjetër, duhej të kishte diskutim, konsultim publik dhe kalim në Parlament”, thotë ai.

“Jam kundër. Italia t’i mbajë vetë… sado të ardhura të sjellin, nuk kemi leverdi, do të sjellin rrëmujë”, thotë Isuf Shkurti, pensionist.

Çka parasheh tjetër marrëveshja?

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thanë se kanë rënë dakord që të strehojnë përkohësisht në Shqipëri mijëra migrantë që kërkojnë azil në Itali.

Në bazë të marrëveshjes, nëse Italia i refuzon kërkesat për azil, Shqipëria më pas do t’i dëbojë migrantët.

Fëmijët dhe gratë shtatzëna do të përjashtohen nga marrëveshja.

Italia do të financojë për ndërtimin e dy qendrave në Shqipëri, të cilat mund të mbajnë deri në 3.000 migrantë në të njëjtën kohë, ose deri në 36.000 në vit.

Shqipëria do të ofrojë masa të sigurisë në qendrat përkatëse nën juridiksionin italian.

Rama tha se Shqipëria është borxhlije ndaj Italisë dhe se një marrëveshje të tillë nuk do ta kishte firmosur me asnjë shtet tjetër. /REL

Habit Arjola Demiri: Burrat shqiptarë janë të paaftë për gratë e tyre, por mbajnë 10 dashnore

Aktorja Arjola Demiri ka habitur me deklaratën e saj, teksa u shpreh se burrat shqiptarë janë të paaftë për gratë e tyre, por mbajnë nga 10 dashnore.

Gjatë një interviste në “Natën me Aulonën”, ish-banorja e Big Brother Vip u shpreh se ky është realiteti i meshkujve shqiptarë, duke shtuar se nuk e kupton se ata qëndrojnë në një marrëdhënie që nuk i bën të lumtur.

“Realiteti në Shqipëri është që meshkujt nuk janë të aftë të mbajnë një femër që është bashkëshortja e tyre, por janë të aftë të mbajnë 10 dashnore. Këtë nuk e kam kuptuar kurrë. Sepse dreqi ta hajë mos rri në një lidhje që nuk të bën të lumtur”, tha Arjola Demiri.

Ndërsa tregoi edhe arsyen e largimit nga “Portokalli”, teksa u shpreh se kishte nevojë për një shkëputje dhe të merrej me diçka tjetër

Ajo tha se gjatë këtyre viteve punë, ka vënë re se sa më shumë rritesh në karrierë, çmimi ulet.

“Pas daljes nga Big Brother kisha shumë nevojë për një pauzë. Vazhdova për gati dy sezone. Thashë në muajin maj do marr një pauzë dhe do mendoj se çfarë dua të bëj pasi u bënë katër vite në ‘Portokalli’. Thashë ka ardhur momenti që të bëj diçka tjetër dhe të merrem me diçka tjetër që ndoshta mund të më rrisin mua si Arjolë artistikisht dhe profesionalisht dhe kam disa projekte. Unë kam vënë re diçka në këto vite pune, sa më shumë rritesh në karrierë çmimi jot ulet dhe këtë nuk e kuptoj. Unë kam bërë filma me shumë pak lek sepse e di që aq mban buxheti. Por e kam bërë sepse e dua, sepse më mbush. E di që benefiti do jetë kur ai të shfaqet në ekran”, tha aktorja.

U braktis nga nëna, relacioni i foshnjës: Erdhi në spital pa shenja jete, i mbuluar me gjak e baltë

Relacioni zyrtar i spitalit “Koço Gliozheni” ka zbuluar gjendjen e foshnjës së porsalindur që u gjet i braktisur paraditen e sotme (8 nëntor) në parkingun nëntokësor të një pallati në Yzberisht, Tiranë.

Sipas realicionit, foshnja i seksit mashkull u gjet në garazh në gjendje të rëndë, i zheshur, me kodor dhe me shenja jete.

Por në momentin që është paraqitur në maternitet, i porsalinduri ka qenë pa shenja jete.

“Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete, bradikardi të thellë, reagime të dobëta”, thuhet në raport.

Foshnja mbetet në gjendje tepër të rëndë i lidhur me aparatin e ventilimit me parametra maksimalë.

Ndërkohë nëna e foshnjës është ndaluar nga policia. Bëhet fjalë për 29-vjeçaren me iniciale E.I., e lindur në Pogradec dhe banuese në rrugën “3 Dëshmorët në Tiranë”.

Lexoni: Ndalohet nëna e foshnjës së braktisur në parkingun nëntokësor në Tiranë

Relacioni i plotë:

Foshnja me Nr.123, i seksit mashkull, Nr. kartele 238, me peshë 3580 g, u paraqit në Repartin e Terapisë Intensive Neonatale të Maternitetit “Koço Gliozheni”, i shoqëruar me policin e shërbimit dhe infermieren, në gjendje të traumatizuar, të dëmtuar, pa shenja jete.

Referohet i gjetur në garazhin e një pallati në zonën e Yzberishtit në gjendje të rëndë, i zhveshur, kordoni umbelikal i pa klampuar, mbuluar me hemorragji profuze, me shenja jete (sipas infermieres).

Në momentin e ardhjes në reanimacion bebi i mbuluar me gjak e baltë, konstatohet hipotermi e thellë, dërrmishje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë me falanga të ruajtura, ekimoza të zonës skrotale, të cilat u evidentuan pas larjes së bebit.

Pa shenja jete, pa respiracione, pa tone kardiake, klampohet kordoni umbelikal.

U reanimua intesivisht, intubohet, masazh kardiak, izolohet linja periferike ku aplikohen medikamente për reanimim. Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete, bradikardi të thellë, reagime të dobëta. U bë mjekimi i plagëve në kushtet e asepsisë. Me fenomene hemorragjike nga pulmonet, dhe vendet e manipulimit.

U porosit mase eritrocitare, plazëm e freskët e ngrirë. Mbetet në gjendje tepër të rëndë i lidhur me aparatin e ventilimit me parametra maksimalë.

Përmbyset makina në rrugën e Arbrit, shpëton mrekullisht çifti i të rinjve

Një makinë ku udhëtonin një çift të rinjsh është përmbysur në Rrugën e Arbrit.

Raportohet se drejtuesi i mjetit ka tip Wolksvagen ka humbur kontrollin në dalje të tunelit T4 dhe është kthyer përmbys në mes të rrugës.

Makina drejtohej nga 26 vjeçari me inciale A.K., ndërsa raportohet se çifti i kanë shpëtuar mrekullisht aksidentit duke pësuar lëndime të lehta.

Sipas policisë dyshohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia dhe lagështira në rrugë.