zoom

Day ArchiveKohë lufte, Shqipëria hap thesin për blerje armatimesh

Shqipëria pritet të shpenzojë qindramilionë euro më shumë për mbrojtjen gjatë viteve në vijim, ndërsa koha gjatë së cilës vendi mund të kursente nga ky sektor për të investuar në zhvillimin ekonomik dhe social duket se ka mbaruar. Planifikimet për shpenzimet ushtarake të projekt-buxhetit të shtetit 2024, të publikuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, flasin për një rritje substanciale në shpenzime për baza ushtarake, armatime e municione si dhe blerje të sistemeve të kushtueshme të luftës ajrore, dronë nga Turqia dhe një sistem transponderi me vlerë mbi 30 milionë euro që duket se do të instalohen në helikopterët Blackhawk.

Një bazë modeste ushtarake në zonën e Bizës në malësinë e Tiranës pritet të kthehet në një kompleks me vlerë gati 15 milionë euro, ndërsa baza detare e Pashalimanit pritet investohet në ndërtim bankinash dhe thellim të basenit me vlerë afërsisht 5 milionë euro.

Investimet e reja të planifikuara në tavanet buxhetore të këtij viti vijnë krahas programit ekzistues të investimeve, të cilat përfshijnë blerjen e avionëve pa pilot me vlerë 75 milionë euro, program që ka nisur në vitin 2022 apo ndërtimi i një poligoni në Pajet me vlerë mbi 2 milionë euro.

Në total, programi i investimeve të mbrojtjes për periudhën 2022-2028 arrin në gati 800 milionë euro.

Për vitin 2024, Shqipëria pritet të shpenzojë për sektorin e mbrojtjes 33 miliardë lekë (rreth 310 milionë euro), me një rritje të konsiderueshme prej 27% përkundrejt buxhetit 2023. Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes është e konsiderueshme duke marrë parasysh se shpenzimet e përgjithshme buxhetore pritet të rriten me vetëm 7.1%.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së konsiderueshme, shpenzimet për mbrojtjen vijojnë të mbeten ndjeshëm më poshtë se sa standardi i Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), në të cilën Shqipëria bën pjesë që nga viti 2009. Shuma prej 33 miliardë lekësh e planifikuar për t’u shpenzuar në vitin 2024 përbëjnë vetëm 1.35% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, nga 2% e PBB-së që Shqipëria dhe vendet e tjera anëtare kanë rënë dakord të shpenzojnë për mbrojtjen në vitin 2006.

Në fakt, Shqipëria nuk e ka plotësuar këtë kuotë minimale asnjëherë në historinë e vet ndërsa shpenzimet për mbrojtjen gjatë dekadës së fundit kanë qenë shumë të ulëta si përqindje e PBB-së. Në mënyrë që Shqipëria të plotësojë kuotën minimale prej 2% të PBB-së, shpenzimet e mbrojtjes do të duhej të ishin gati 49 miliardë lekë.

Sipas të dhënave të NATO-s, Polonia, Shtetet e Bashkuara dhe Greqia janë mes vendeve anëtare të NATO-s që mbajnë shpenzime për mbrojtjen më të larta se sa 3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Greqia kanë mbajtur prej shumë vitesh kuota të tilla të larta shpenzimesh ndërsa Polonia ka shtuar shpenzimet në mënyrë dramatike përgjatë dy viteve të fundit, veçanërisht si pasojë e sulmit të Rusisë kundër Ukrainës.

Shqipëria ka një ushtri të vogël me një personel prej 6,600 vetësh, ushtria e pestë më e vogël mes vendeve anëtare pas Luksemburgut, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Slovenisë, duke mos llogaritur Islandën, vendin e vetëm anëtar të NATO-s që nuk ka ushtri.

Shtetet e Bashkuara me 1.34 milionë trupa dhe Turqia me 461 mijë janë vendet anëtare me ushtritë më të mëdha.

Llogaritjet e NATO-s tregojnë se sipas të dhënave të vitit 2023, Shqipëria është vendi anëtar me shpenzimet më të ulëta për frymë në sektorin e mbrojtjes. Mbrojtja i kushton këtë vit qytetarëve shqiptarë 93 dollarë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kushton 114 USD e në Malin e Zi, 151 USD. Mbrojtja u kushton amerikanëve 2,220 dollarë në vit, ndërsa norvegjezëve u kushton 1,339 dollarë. Vendet e mëdha si Gjermania apo Franca janë kritikuar prej vitesh për shpenzime të ulëta. Një qytetari gjerman mbrojtja i kushton 677 dollarë në vit ndërsa atij francez, 737 dollarë.

Shpenzimet për mbrojtjen kanë filluar të ndryshojnë në mënyrë radikale në shumë vende që pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2022, ngjarje që ndryshoi perceptimin për paqe, së paku sa i përket luftës konvencionale në kontinentin Evropian./ Reportel.al

SKEMA/ Bosi shqiptar i drogës bleu psikiatrin që të mos bënte burg dhe të takonte kriminelët

Zbardhet skema sesi Elvis Demçe, i njohur si bos droge në Itali, i shpëtoi burgut për një periudhë të gjatë në shtetin fqinj.

Siç shkruajnë mediat italiane, trafikanti shqiptar kishte blerë psikiatrin, të cilit i jepte para në mënyrë të vazhdueshme që të lëshonte certifikata false.

E gjithë kjo skemë është zbardhur pas zbërthimit të aplikacionit SKY.

Nga bisedat e zbardhura del se mjeku merrte nga Demçe 200-300 euro, por edhe shumë para të tjera për çdo takim.

Në këmbim, ai ofroi një dokument që udhëzonte autoritetet gjyqësore kompetente që të zbusnin masën e sigurisë për Demçen, pasi ishte dënuar me 18 vite heqje lirie vitin e shkuar, dhe ta linin në arrest shtëpiak, për të ndjekur një plan terapeutik në objektet e autorizuara”.

Madje mjeku vuri në dispozicion zyrën e tij në spital për ta vizituar Elivs Demçen.

Mirëpo takimet terapeutike në të vërtetë rezultuan bashkëpunime mes elementëve kriminalë që të vijonin aktivitetin e tyre.

Për këtë rast autoritetet ligjzbatuese në Romë
kanë mbyllur hetimet paraprake dhe po përgatiten për të ngritur akuza ndaj Elvis Demçes, mjekut dhe shefit të psikiatrisë.

Ata akuzohen për korrupsion, deklarime të rreme në dokumente të destinuara për organet e drejtësisë dhe evazion fiskal.

Agron Gjekmarkaj: Basha i trajton demokratët si byreku, i hedh me neveri kur mbyllet kamera

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj e krahasoi sjelljen e Lulzim Bashës me demokratët njësoj siç ai veproi me byrekun, në videon e tij virale në rrjet (Basha blen një byrek në një byrektore në një nga takimet e tij politike dhe sapo kthen shpinën, pasi e kafshon njëherë, e hedh në kosh).

Në një intervistë televizive, Gjekmarkaj tha se opozita duhet të ecë përpara pa pritur më për Lulzim Bashën.

“Ky është një shërbim dhe atashim i tyre pranë qeverisë. Raporti që Basha ka me Shqipërinë, me opozitën dhe me elektoratin e saj është raporti që kishte me byrekun, të cilin e bleu duke menduar që e shijonte shumë, si djalë sportiv dhe spontan dhe, sa mendoi që nuk po filmohej, e hodhi me neveri. Ky është raporti i tij me të vërtetën. Kam arritur në këtë konkluzion nga njohja me të dhe nga veprimet që po kryen bashkë me shoqatën që përfaqëson, për fat të keq”, tha Agron Gjekmarkaj.

Sipas tij, Basha nuk duhet të jetë pjesë e opozitës së bashkuar sepse e ka provuar se i shërben qeverisë.

“Pozicionimi i zotit Basha është dukshëm në krah të qeverisë. Atë që nuk e bën qeveria, punët e pista ndaj opozitës, po i bën zoti Basha në njëfarë mënyre. Nuk mund të jetohet pafundësisht me thirrje dhe iluzione, sepse koha ikën”, deklaroi mes të tjerash Agron Gjekmarkaj.

Deputeti i PD propozoi si zgjidhje të mundshme të situatës në opozitë krijimin e një federate, që bashkon çdo opozitar.

Tirana po bëhet qytet i pajetueshëm

Nga Ola Xama

Tirana po bëhet qytet i pajetueshëm.

Nuk po tentoj fare të mat se sa minuta shi ra dhe me çfarë intensiteti. Tirana ka kohë që po kthehet në një qytet që pritet nga momenti në moment të kolapsojë.

Në një ditë të zakonshme të duhen minimalisht 3 orë të shkosh në punë dhe të kthehesh në shtëpi. Sheshe publike nuk ka. Shërbimet komunitare për fëmijët dhe të rriturit: kopshtet, shkollat, spitalet janë larg.

Transporti publik të shndërron në ‘sardele’ dhe as të kursen kohë. Parkimet publike janë me pikatore dhe ato pak vende ë i jepen bizneseve që paguajnë kontratë vjetore. A thua se shteti është biznes që mendon si të rritë fitimin dhe jo si rregullator që ka për detyrë të zgjidhë problemin!

Tirana nuk përmbytet se ka stuhi shiu, por sepse sheshet që më parë kishin kolektorë u prishën për të bërë pallate. Përmbytet se të njëjtat tubacione shkarkimi që më parë përdoreshin nga 700 mijë banorë, sot po përdoren nga 900 mijë dhe askush nuk ka vrarë mendjen të investojë.

Tirana përmbytet se nuk ka pemë, që përveç ajrit të pastër për banorët, kur ka shira, përthithin ujin nga nëntoka dhe ulin mundësinë e përmbytjeve.

Tirana po kolapson si qytet sepse e ka gllabëruar ndërtimi, ndërtimi i parave të pista që mbajnë 300 mijë apartamente bosh në të gjithë Shqipërinë.

Shumë dritëshkurtër të gjithë, mendojnë si të zgjidhin hallin që kanë sot për sot, disa të pastojnë paratë, disa të marrin ndonjë shtëpi e ca të tjerë të fitojnë te lejet. Po nesër ç’do të bëni me këto, ku do t’i shisni?

Po pse kështu zhvillohet qyteti, mblidhi 1 milion banorë dhe jepi më pak rrugë se kur ishin 500 mijë, jepi më pak shërbime, jepi më pak parqe, vidhi qindra orë? Kështu zgjerohet qyteti, futi të gjithë në një rreth dhe për vete jeto jashtë tij, e kur të bie rruga të shkosh në punë e çan trafikun me eskortë?

Tirana ka kolapsuar si qytet në funksionalitetin e tij. Është bërë praktikisht i pajetueshëm. Gjysma e ditës tonë konsumohet nga vonesat që na shkakton qyteti. Tani po presin që të kolapsojë dhe ekonomikisht që të binden.

Ju lutem, reflektoni!

Mezi njihet! Arjan Konomi ndryshon “look”: Hajde, jepini komenteve

Opinionisti Arjan Konomi ka bërë një ndryshim në pamjen e jashtme.

Ai ka postuar një foto ku na prezanton me “look-un” e tij të ri (një model të ri flokësh) dhe kërkon mendimin e ndjekësve për këtë.

“Ça dini ju për look-un e ri!!Gati për filmin e ri “Top Gun”. Hajde jepini komenteve .. se thatë që jam plakur.. Si mendoni se dukem tani?”, ka pyetur Konomi.

Ndryshimin në “look” Arjan Konomi e bëri pasi pak ditë më parë u komentua në rrjet si i plakur ose se vuante nga një sëmundje, pasi në një video u shfaq me flokë të thinjur dhe fytyrë të zbehtë.

Takimi në Bruksel – Escobar: Kurti dhe Vuçiç janë të detyruar të zbatojnë marrëveshjet

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se marrëveshjet që Serbia dhe Kosova kanë arritur janë një detyrim ligjor për të dyja palët dhe se nënshkrimi ose jo i tyre, nuk ndikon në detyrimin që ato kanë për t’i zbatuar ato.

Në takimin e fundit me udhëheqësit evropianë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se është i gatshëm të pranojë dhe të nënshkruajë projektstatutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri të qartë se nuk do të pranojë asgjë që nënkupton njohjen de-facto të Kosovës.

I pyetur se si do të vazhdohet më tej pas këtyre qëndrimeve, Escobar tha se këto dy deklarata nuk pasqyrojnë realitetin pasi ato marrëveshje janë ligjërisht të detyrueshme, gjë që të dy udhëheqësit e kanë pranuar sikurse tha ai.

Po kështu ai tha se të dy udhëheqësit e kanë marrë këtë angazhim përpara Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe se palët kanë detyrime specifike për të ndërmarrë, në rrugën drejt normalizimit; Kosova Asociacionin dhe Serbia njohje e dokumenteve doganore të Kosovës, targave, letërnjoftimeve e të tjera si këto, tha Escobar.

Zyrtari amerikan tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun dhe se ajo që ka mbetur lidhet vetëm me kohën dhe mënyrën se si do t’i zbatojnë të dyja palët detyrimet.

Dorëheqja e Shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit

I pyetur lidhur me dorëheqjen sot të shefit të Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, Escobar tha se ai ka qenë një një figurë jashtëzakonisht destabilizuese në rajon për një kohë të gjatë, gjë mbi të cilën u bazuan edhe sanksionet amerikane.

Lidhur me komentet e Aleksandar Vulinit se ai dha dorëheqjen pasi Uashingtoni dhe Brukseli po e kërkonin një gjë të tillë si parakusht për të mos i vendosur sanksione Serbisë, Escobar tha se “ne (SHBA) nuk marrim vendime në emër të qeverisë serbe”./ Zëri i Amerikës

Rruga e Arbrit del jashtë funksionit. Si paraqitet situata në akset e tjera?

Bllokohet totalisht Rruga e Arbrit. Prej stuhisë së dendur, ka çarje të asfaltit në fshatin Fshat në Klos dhe rënie gurësh në segmentin e fshatit Plan i Bardhë në afërsi të Bulqizës dhe për momentin është i paaksesueshëm nga asnjë nga përdoruesit e rrugës.

Lëvizja e mjetece bëhet nga aksi i vjetër Bulqizë – Klos – Burrel – Milot.

Rrebeshet e shiut që përfshinë vendin pak orë më parë shkaktuan probleme në Rrugën e Arbrit.

Për rreth dy orë, ky aks ishte tërësisht i padeërtueshëm duke bllokuar qindra mjete në rrugë.

Për shkak të mungesës së kanaleve kulluese anësore i gjithë uji i shiut ra në asfalt duke marrë me vete edhe dhera e gurë.

Probleme edhe në akse të tjera

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se probleme shfaqen edhe në Përmet-Çarshovë dhe Fier-Seman, ndërsa në akset e tjera qarkullimi kryhet normalisht.

“Në Përmet-Çarshovë si pasojë e reshjeve me intensitet ka pasur vërshim të përrenjve në trup të rrugës duke sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve, grupet e punës me mjetejanë në terren duke ndërhyrë për kthimin e gjendjes së rrugës në normalitet.
Në Fier-Seman ka pasur rënie pemësh në rrugë, të cilat po hiqen menjëherënga grupi i mirëmbajtjes.
Në të gjitha akset e tjera nacionale qarkullimi vazhdon normalisht.
Drejtuesit e mjeteve të tregohen të kujdesshëm për shkak të prezencës së ujit në rrugë, të ecin me kujdes dhe të ulin shpejtësinë”, njoftoi ARRSH.

Avioni i nisur nga Rinasi drejt Bolognas pëson defekt 11 mijë metra mbi Adriatik! Ulje emergjente

I ndodhur 11 mijë metra mbi Detin Adriatik, stafi dhe pasagjerët e avionit “Albawings AWT 229” i linjës Tiranë-Bologna u përballën me një defekt.

Njëri prej motorëve nuk po funksiononte si normalisht dhe për pasojë, pilotët u detyruan të bëjnë ulje emergjente në aeroportin e Barit, vetëm një orë pas nisjes nga Tirana.

Sipas mediave italiane, incidenti ndodhi pasditen e 3 nëntorit rreth orës 13:12 kur avioni bëri devijimin teksa ndodhej në brigjet e Viestes.

Manovrat emergjente në aeroportin e Barit shkaktuan vonesa edhe për avionët e tjerë në nisje dhe mbërritje.

A mbaroi stuhia? Meteorologët parashikojnë si do të jetë moti në fundjavë

Shtrëngata, vetëtima dhe erë e fortë. Ky është parashikimi i Shërbimit Meteorologjik Ushtarak për këtë fundjavë.

Reshjet e dendura të shiut dhe rreziku për përmbytje e rrëshqitje dherash, sipas meteorologëve, do të jenë prezente edhe për dy ditët në vijim, duke paraqitur sërish rrezik për përmbytje dhe dëme materiale.

Njoftimi i Shërbimit Meteorologjik Ushtarak:

Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë, por edhe një pjesë të madhe të Europës.

Në këtë mënyrë për ditën e shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave. Në periudha afatshkurtra reshjet do të jenë me intensitet të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive të forta shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike dhe breshër. Pas mesdite mot me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët apo shtrëngata afatshkurtra.

Për ditën e diel moti nis me alternime kthjellimesh e vranësirash me këto të fundit më tepër të theksuara në veriperëndim dhe jugperëndim. Në orët e pasdites në zonën e veriperëndimit dhe jugperëndimit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave.

Vlen për tu theksuar se për ditën e diel pritet erë tepër intensive dhe problematike kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore. Era pritet të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i jugut dhe shpejtësi mesatare 3-12m/s ndërsa me rrahje era intensive 15-25m/s shoqëruar me dallgëzim të lartë në dete të forcës 5-7 ballë.

STUHIA/ Shkëputet fasada e pallatit dhe bie mbi lokale. Dhjetëra fshatra pa drita

Stuhia që përfshiu gjithë vendin ditën e sotme shkaktoi dëme materiale. Veç rrugëve të përmbytura, pemëve të thyera dhe dëmeve në biznese prej vërshimit të ujit, në Korçë u shkëputën pjesë të fasadës së termizolimit në pallatin në qendër të qytetit.

Nga shkëputja e fasadës nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale në lokalet e pedonales.

Si pasojë e stuhisë, po ashtu u regjistruan probleme me furnizimin me energji elektrike.

Dhjetëra fshatra në juglindje të vendit janë pa energji elektrike, duke përfshirë fshatra të njësive administrative të Vithkuq, Gorë dhe disa fshatra të njësise administrative Vreshtas e Libonik

Pa energji elektrike janë të gjitha fshatrat e njësisë administrative Leskovik si dhe disa fshatra të njësise administrative Moglicë si dhe fshatra të njësise administrative Dardhas.

Për shkak të stuhisë shoqëruar me erëra të forta, grupet e punës të OSSHE e kanë të pamundur ndërhyrjen mbrëmjen e sotme për të rikthyer energjinë elektrike në fshatrat e thellë malorë.

Zyrtarisht nuk raportohen rrugë të bllokuara për shkak të shkarjes së dherave përfshi dhe ato të zonave të thella malore.