zoom

Day ArchiveÇmimet dhe interesat e larta ulin kërkesën për blerje apartamentesh

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë, sipas agjentëve imobiliarë, e ka nisur sezonin e vjeshtës me kërkesë më të ulët për apartamente. Ky trend pritet të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm.

Drejtuesi i agjencisë imobiliare “Future Home”, z. Fatjon Hysenbelliu, tha se ka rënë kërkesa për prona me vendndodhje pranë qendrës, me çmim shitjeje mbi 1,500 euro/m². Ky trend është parë edhe për banesat e tjera në zonat afër qendrës.

Në të kundërt, kërkesa për banesa rezidenciale në godinat e ndërtuara 2-3 vitet e fundit dhe në ndërtimet e sapopërfunduara në zonat jashtë Unazës së Vogël në Tiranë është e njëjtë me vitin e kaluar.

“Trendi i rritjes së çmimeve të pronave, të papërballueshme nga masa e gjerë e popullsisë, si dhe rritja e kërkesës për blerje në zonat bregdetare të Jugut, janë disa nga arsyet që po ndikojnë te tkurrja e kërkesës”, pohon ai.

Edhe pritshmëritë e ndërtuesve për kontratat e shitjeve janë në kahun rënës. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për besimin e biznesit dhe konsumatorit, në muajin shator treguesi që paraqet balancën e kontratave porositëse në ndërtim shënoi një vlerë negative prej 22.9 pikë , duke u thelluar edhe më shumë nga niveli -18.3 pikë i muajit gusht 2023.

Rezultatet e treguesit të vrojtimit për kontratat porositëse (shitjet) maten nëpërmjet vrojtimit pas vlerësimeve të dhëna nga ndërtuesit nëpërmjet përgjigjeve:

1. Mëse mjaftueshëm (mbi normalen;

2. Mjaftueshëm (normal për sezonin);

3. Jo mjaftueshëm (nën normalen). Për pyetjen “Si i vlerësoni porositë (kontratat porositëse) aktualisht?”. Përkeqësimi i balancës tregon se gjithnjë më shumë ndërtues presin rënies të porosive sesa rritje të tyre.

Me rritjen e lartë të çmimeve, blerësit po bëhen më të vetëdijshëm për vlerën e apartamenteve kur zgjedhin se ku t’i investojnë paratë.

“Pavarësisht rritjes së numrit të lejeve të ndërtimit, agjentët imobiliarë prej disa kohësh nuk kanë prona për të shitur. Kjo po ndodh jo se nuk po ndërtohet mjaftueshëm, por sepse çmimi është rritur shumë krahasuar me ekonominë.

Vëmë re se në momentet e para të listimit të një prone me çmimin e vlerësuar nga agjenti (që i afrohet gjithmonë e më shumë realitetit) prona shitet në një periudhë mjaft të shkurtër” – thotë Dritan Leka, drejtues i agjencisë imobiliare “Century 21 CPM Smart”.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm sipërfaqja e dhënë për ndërtime rezidenciale në Tiranë, duke kulmuar në 2022 në 1.8 milionë metra katror, çka tregon për një shtim të lartë të ofertës për banim.

Ndryshe nga agjencitë e tjera, për Jonian Antonin, drejtuesin e agjencisë imobiliare “Century 21 Albania”, trendi i kërkesës për prona në Tiranë prej 2021 vijon të mbetet i lartë.

Sipas tij, faktorët kryesorë që po ndikojnë në mosrënien e kërkesës është imigrimi i brendshëm, rritja e pagave dhe stoku i lartë i ndërtesave të ndërtuara në periudhën para ‘90.

“Në Tiranë, sipas statistikave, çdo vit transferohen rreth 30 mijë banorë të rinj, të cilët përbëjnë të paktën 10,000 njësi të reja shtëpi/apartament. Rritja konstante e pagave e tundon konsumatorin të shikojë për një shtëpi më të mirë.

Të mos harrojmë gjithashtu se në Tiranë, ende 50% e banorëve jetojnë në shtëpi të vjetra dhe të amortizuara. Shumica e godinave të banimit të ndërtuara në periudhën para ‘90 nuk i plotësojnë standardet europiane të cilësisë.

Një pjesë e mirë e blerësve të apartamenteve janë ata që kërkojnë të lëvizin nga këto njësi të vjetra drejt atyre cilësore dhe me kushte më të mira”.

Përkeqësohet treguesi i besimit në ndërtim në muajin shtator

Për shkak të shtrëngimit të kushteve për kredi dhe mungesës së theksuar të fuqisë punëtore, ndërtimi është një nga sektorët më të prekur këtë vit.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë “Për vrojtimin e besimit të biznesit dhe konsumatorit”, Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) regjistroi rënie me 9,9% në shtator, krahasuar me muajin gusht 2023.

Megjithatë, niveli i tij vijon të qëndrojë në nivele të larta, 18% mbi mesataren historike.

Rënia e TBN-së u përcaktua kryesisht nga vlerësime më pak optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Vlerësimi për nivelin e porosive regjistroi rënie, por në masë më të ulët.

Gjithashtu, pritjet për punësimin në të ardhmen kanë regjistruar rënie. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen kanë shënuar rritje të lehtë.

Në përgjithësi, sektori i ndërtimit në Shqipëri vazhdon të dëshmojë qëndrueshmërinë edhe gjatë periudhave të pasigurisë ekonomike. Sipas të dhënave të INSTAT, vlera totale e sektorit në Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2022 ishte 1,9 miliardë euro, apo rreth 10% e PBB-së.

Rritja e normave të interesit tkurr kërkesën e individëve të kredisë për shtëpi

Norma mesatare e interesit të kredive të reja në lekë për blerje shtëpie në muajin korrik 2023 arriti 4,04% nga 3.57% që ishte në muajin shkurt 2022 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Për kreditë në euro norma mesatare në muajin korrik 2023 arriti 5,32% nga 3,54% që ishte për muajin shkurt 2022.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 41% e kredisë së dhënë është në euro dhe pjesa tjetër në monedhën vendase.

Rritja e normave të interesit po sjell gradualisht edhe një rënie të kërkesës për kredi bankare për blerje pronash.

Sipas të dhënave statistikore të Bankës së Shqipërisë, vlera e kredisë së re për shtëpi në muajt janar-gusht 2023 ishte 30,9 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022, kredia e re për shtëpi ra rreth 3%.

Shoqata e Bankave të Shqipërisë pohon se rritja e normave të interesit deri tani nuk ka dhënë efekt negativ. Produkti kredi për shtëpi është produkti më stabël, me rritje të qëndrueshme nga një vit në tjetrin dhe që ka NPL më të ulët.

Pavarësisht frenimit këta dy muaj, për shkak të kadastrës, produkti kredi për shtëpi është i qëndrueshëm në rritjen e vet.

Agjentët imobiliarë vlerësojnë se pjesa më e madhe e pronave për banim blihen me financime bankare dhe rritja e normave të interesit po reflektohet te tendenca e kërkesës.

“Rritja e normës së interesit ka stepur individët për të bërë blerje impulsive.

Nëse një klient ishte nisur të blinte një apartament me vlerë nga 100,000 deri në 120,000 euro dhe do të financohej për një pjesë të mirë të kësaj blerje, ky klient nuk financohet për të blerë po të njëjtin apartament 150,000 deri në 200,000 euro, sepse vlera për të cilën ai do të duhet të kreditohet është shumë e lartë dhe po ashtu, edhe interesi që i duhet të paguajë”, pohon Dritan Leka, nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM Smart”.

Për ekspertët e agjencive imobiliare, blerja e apartamenteve nëpërmjet kredive mbeten një zgjidhje për familjet me të ardhura mesatare, por për të njëjtat arsye, me rritjen e inflacionit dhe kostos së jetesës që rëndon buxhetet e familjeve, më shumë qiramarrës ka të ngjarë të kenë një qasje të ngjashme kur marrin shtëpi me qira, duke kërkuar prona me sipërfaqe më të vogla, pasi çmimi është më i lirë.

Rastet e pakta që firmat e ndërtimit mbështesin me kolateral kredimarrësit për shtëpi vlerësohen një tjetër faktor që po ndikon te tkurrja e kërkesës për kredi nga familjarët.

“Janë të pakta firmat e ndërtimit që pranojnë të lënë kolateralet e tyre për blerësit me kreditim nga banka, ku në të tilla transaksione norma e interesit është edhe më e lartë se kreditë normale.

Për këtë arsye, bankat duhet të rishikojnë procedurat dhe të krijojnë lehtësi për kredimarrësit”, pohon z. Hysenbelliu.

Moslënia e pronës si koletaral për garancinë e marrjes së kredive nga ndërtuesit gjatë fazës së zhvillimit pohohet edhe nga Gladiola Balliu, administratore e zyrës arkitekturore në Tiranë “GBarchs”.

“Në shumicën e rasteve, ndërtuesit nuk kërkojnë të përfshihen në marrëdhënie me bankat për vendosjen e pronës si kolateral me qëllim marrjen e kredisë nga blerësi. Disa prej tyre nuk duan të jenë të ekspozuar me deklarime bankare”.

Edhe tatimi mbi pronën 15% po ul kërkesën

Zbatimi i proceseve rivlerësuese të pronës me tatim 3%, nga 15% që është në periudhë normaliteti konsiderohet nga agjentët imobiliarë një frymëmarrje për tregun e pasurive të paluajtshme.

Ai nxit transaksionet me pasuritë e paluajtshme, duke i bërë të gjitha pronat, pavarësisht kategorisë, vitit të ndërtimit, gjendjes së amortizimit, të tregtueshme, konkurruese, si dhe një alternativë e mirë në treg.

Mungesa e kësaj nisme dhe zbatimi i tatimit 15% për transaksionet e shitjes vlerësohet si tjetër faktor që po ul kërkesën. “Gjatë kësaj periudhe ka pasur rënie të shitjeve të pronave me kreditim edhe për shkak të rikthimit të tatimit mbi pronën 15%.

Shumë pronarë refuzojnë shitjen e pronave me kreditimin nga banka për arsye të pagesës së lartë të taksës, duke ua vështirësuar blerësve kryerjen e transaksionit për pronën ideale.

Përpos vështirësive të tregut sot, blerësit me kredi ndihen të lënë pas dore dhe në shumë raste, nuk përfundon kryerja e transaksionit”, nënvizon z. Hysenbelliu nga “Future Home”.

Për shkak të efekteve pozitive që ka dhënë procesi i rivlerësimit te tregu i pasurive të paluajtshme, shoqata e ndërmjetësuesve NAREA parashikon të propozojë një formulë që do të qëndrojë afatgjatë, duke shmangur shtyrjet e shpeshta të procesit.

Metoda e re e rivlerësimit që do të hartohet nga agjencitë imobiliare në bashkëpunim me MFE pritet të kategorizojë apartamentet sipas vjetërsisë, amortizimit dhe rregullave kontabël.

NAREA pohoi më herët se rivlerësimi nxit formalizimin dhe shmangien e evazionit fiskal në transaksionet e kalimit të pronësive.

Nëpërmjet procesit të rivlerësimit bëhet i mundur reflektimi i çmimit real në treg dhe jo vetëm sipas çmimeve referencë dhe luftën kundër pastrimit të parave, duke nxitur transaksione të rivlerësuara sipas çmimit të tregut dhe jo vetëm sipas sistemit të çmimeve referencë.

Problemet me Kadastrën

Në muajt e verës, vonesat me shqyrtimin e aplikimeve në Kadastër për shkak të ndryshimit të sistemit, krijuan rënie të transaksioneve të shitje-blerjes për pronat.

Operatorët e pasurive të paluajtshme pohuan se u përballën me vonesa për shqyrtimin e aplikimeve përtej afatit zyrtar prej dy javësh, që shkaktoi rënie të kërkesës.

Fatjon Hysenbelliu pohon se vijon ende të këtë vonesa, pasi sistemi aktual nuk arrin të organizojë shqyrtimin e aplikimeve.

“Kjo ka shtuar stresin tek agjencitë imobiliare dhe blerësit, të cilët po hezitojnë të investojnë, sidomos për blerje prone nëpërmjet kreditimit, për të cilat procedura zgjat më tepër se 90 ditë.

Shpresojmë që ASHK t’i japë sa më shpejt zgjidhje situatës, në ofrimin e lehtësimit të shërbimeve për pronën”, thotë ai.

Ndërsa Dritan Leka thotë se vonesat dhe paqartësia që u krijuan në periudhën e verës me Kadastrën sollën shumë problematika tek operatorët dhe mospërfundim transaksionesh.

“Në zonat bregdetare pati anulim të transaksioneve, si pasojë e vonesave dhe faktit se klientët që i blinin, donin t’i shfrytëzonin për sezonin.

Megjithatë vihet re se kjo po shkon drejt normalizimit dhe se veprimet hipotekore, sidomos ato të realizuara me kërkesë “fast” (të shpejtë) marrin përgjigje brenda 2-3 ditëve.

Z. Antoni, nga real estate “Centyry 21” pohon se rezultatet reale në totalin e shitjeve të pronave për vonesat gjatë stinës së verës do të mund të maten në fund të vitit.

“Në Kadastër ndryshoi sistemi në kuadër të përmirësimit të punës. Ky ndryshim ka shkaktuar shumë vonesa në periudhën qershor-korrik-gusht.

Patjetër që vonesat nuk janë të mira, sidomos për blerësit e huaj që kërkojnë një sistem të shpejtë dhe solid.

Pasuritë e patundshme janë një nga zërat kryesorë të PBB-së së Shqipërisë, për rrjedhojë duhet gjithnjë të ketë një proces të shpejtë dhe të sigurt nga kadastra”./ Monitor

Teuta fitore për zemra të forta, përmbyt Dinamos mes stuhisë së shiut! Fiton edhe Kukësi

Teuta ka bërë përmbysjen e çmendur në “Elbasan Arena” duke mundur 3-2 Dinamon, në ndeshjen e vlefshme për javën e 9-të të Superiores.

Një ndeshje e pabesueshme ku durrsakët arritën të fitonin në transfertë me rezultatin 3-2 mes rrebeshit të shiut, pasi e panë veten në disavantazh të dy golave.

Të parët që kaluan në avantazh ishin blutë me Kaçorrin në pjesën e parë. Edhe në gjysmën e dytë Dinamo luan më mirë dhe në minutën e 54′ Denison shënoi golin e dytë.

Por në të 72′ Peposhi shkurtoi diferencën dhe Fili vendosi baraspeshën nga pika e bardhë e penalltisë.

Heroi i duelit padyshim ishte mbrojtësi Jazxhi, i cili shënoi golin e fitores në minutën e fundit shtesë.

Ky rezultat vë në dyshim edhe vazhdimësinë e Di Biago sepse është diskutuar që më parë shkarkimi i tij.

Në ndeshjen tjetër të së dielës, Kukësi mundi me rezultatin e ngushtë 1-0 Laçin në “Kukës Arena”. /zoom.al/

Dosja e SPAK/ Si i ndryshoi Berisha ligjet për të favorizuar dhëndrin e tij

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi është në qeli, pasi u arrestua një natë më parë në Rinas për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Por për të realizuar privatizimin, në ndihmë Malltezit i erdhi vjehrri i tij Berisha, i cili në atë kohë ishte kryeministër.

Në dosjen voluminoze prej 200 faqesh, SPAK ka zbardhur rolin e Sali Berishës, ndaj të cilit po ashtu është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” si i akuzuar për korrupsion pasiv.

“Shtetasi Sali Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër ka kryer veprime konkrete dhe aktive në miratim ligjesh me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij. Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkretë, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarbër Malltezi, bashkëshorti i vajzës së tij”, njoftoi SPAK.

Por çfarë ligjesh ndryshoi Berisha?

Ligji për urbanisitikën përcaktonte qartë se KRRT-të e rretheve, bashkive e qyteteve të kategorisë së parë, të Bashkisë së Tiranës dhe KRRTRSH, nuk kanë të drejtë të miratojnë ndërtim jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara në territore pronë publike te tilla si territore sportive, të përcaktuara në Rregulloren e Urbanistikës.

Por Sali Berisha, në postin e kryetarit të KRRT, firmos një vendim që ndryshon planin rregullues të Tiranës dhe zona në rrugën “Frosina Plaku” kthehet nga “zonë sportive” në “zonë banimi”, duke hapur rrugën e privatizimit.

Sali Berisha “rrëzoi” edhe një tjetër pengesë për privatizimin, që ishte ligji
i vitit 2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” parashikonte që subjektet e shpronësuara kanë të drejtë të drejtë të paraqesin kërkesat e reja brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit. Ligji theksonte se nuk kthehen pronat e paluajtshme që i shërbejnë një interesi publik. Por Këshilli i Ministrave, në kohën që Berisha ishte kryeministër propozoi një ndryshim në këtë ligj dhe u miratua vendimi që subjektet e shpronësuara të mund të depozitonin kërkesat e tyre deri në 1 tetor 2007.

Pas këtij vendimi, trashëgimtarëve të pronës, mes të cilëve Malltezi, familja Begeja, Bekteshi, Hoxha, Saliaga, Vaqarri, Alimehmeti dhe Llagami iu rikthye prona.

Kështu, në 21 mars 2007, Komisioni i Kthim Kompensimit të Pronave ish-Pronarëve merr vendimi që familjes Begeja t’i kthehet prona. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 12.596 metër katrorë dhe Jamarbër Malltezi është një nga trashëgimtarët e pronës, bashkë me Bashkim Bekteshin, Nervit Hoxhën, Rajmonda Bekteshin, Orinda Malltezin dhe Gëzim Begejën.

“Ky ndryshim i dha mundësi pesë familjeve pronare Begeja, Alimehmeti, Saliaga, Vaqari dhe Llagami t’i drejtoheshin Agjensisë së Kthimit të Pronave, me kërkesa për kthimin e pronës të ndodhur në territoret e Klubeve Sportive (të Futbollit dhe Shumësportesh) Partizani” thuhet në dokumentin e SPAK.

VIDEO/ Gjarpri futet në studio, Diola Dosti dhe Eriola Doçi “kërcejnë” nga frika

Një situatë e pakëndshme, e frikshme, por e stisur nga produksioni. Me këtë u përballën nutricionistja Diola Dosti dhe moderatorja Eriola Doçi, ndërkohë që ishin në transmetim në “E Diell”.

Gjatë intervistës, një gjarpër (jo i vërtetë) futet në studio dhe dy vajzat tmerrohen.

Më pas, moderatori Ronaldo Sharka zbulon se e gjithë skena ishte skenar, për të trembur Diolën.

Biseda në studio kur futet gjarpri:

Eriola: E dreq o punë.

Ronaldo: Më fal, ideja ishte të trembnim Diolën jo ty.

Eriola: Jo, është hera e dytë.

Diola: Unë i kam fobi… po pse pikërisht gjarpër.

Eriola: Hiqe atë nga aty se un për Zotin nuk vij, më ka dalë edhe në ëndërr herën e fundit.

Diola: Ta mbash mend, shpresoj të mos kem bërë ndonjë skenë.

Ronaldo: Mund të pyesësh produksionin që objektiva nuk ishe ti.

Diola: U tremba, sepse i kam fobi gjarpërinjtë, ta paça borxh domethënë.

Ronaldo: Hajde duro këtë pas emisionit.

Diola: Shyqyr që jam rob pozitiv dhe i marr gjërat me sportivitet.

Ronaldo: Se ka marrë veten akoma.

Eriola: Po nuk t’i kam bërë flokët si fustani im…

Videoja më poshtë (momentin kur bëhet rrengu e gjeni në minutën 4):

Basha, reagim indirekt për Berishën: Të korruptuarit të dalin para drejtësisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi pasi SPAK vuri nën akuzë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe prangosi dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Edhe pse Basha në postimin e tij në rrjetet sociale nuk e përmend drejtpërdrejt emrin e Berishës, thirrja e tij për drejtësinë për të ndëshkuar të korruptuarit dhe për të rikthyer paratë në xhepat e qytetarëve vjen vetëm një ditë pasi familja Berisha u trondit nga SPAK.

“Sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht. Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve të kthehen në të mira për qytetarët”, shkruan Lulzim Basha.

Reagimin e tij lideri i PD-së e bëri në “Facebook”, pas një takimi që pati me banorët e Dibrës, me të cilët diskutoi për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria sot dhe reformën zgjedhore.

Dejvi Bregu protagonist në Turqi, shënon në fitoren e Umraniyespor përballë Manisa-s

Dejvi Bregu gjen golin e parë me fanellën e Umraniyespor në Ligën e Parë turke.

Sulmuesi vlonjat shndërroi në gol një 11-metërsh në minutën e 59-të duke i dhënë avantazhin momental skuadrës së tij përballë Manisas, 2-1.

Në kohën shtesë Manisa barazoi me futbollistin Lima, ndërsa në minutën e 98′, Umraniyespor kaloi sërish në avantazh me Victor Klonaridis, që i dha tri pikë me vlera ekipit të tij.

Kujtojmë se pjesë e Manisës janë tre futbollistë shqiptar, Korenica, Domgjoni dhe Topalli. Ky i fundit u aktivizua nga stoli në minutën e 46-të duke zënë vendin e Topallit. /zoom.al/

Izraeli intensifikon bombardimet në Gaza, futen 17 kamionë me ndihma humanitare

Bombardimet izraelite në Gaza po intensifikohen. Forcat e mbrojtjes së Izraelit kanë njoftuar një shtim të sulmeve për të krijuar kushtet e nevojshme për fazën tjetër të luftës, pra ofensivën tokësore.

Mediat e huaja thonë se sulmet ishin të përqendruara në kampin e refugjatëve “Nusseirat” në Gazën qëndrore. Izraeli ka thënë se ka nisur një sulm ajror në një kompleks nëntokësor që i përket Hamasit në xhaminë “Al-Ansar”, në Bregun Perëndimor. Sipas autoriteteve, xhamia strehonte një celulë terroriste, që po organizonte një sulm të afërt.

Zëdhënësi i forcave izraelite “Daniel Hagari” ka bërë me dije po ashtu se një komandant i lartë i Hamasit u vra në një sulm ajror izraelit gjatë natës në Rripin e Gazës. Ndërsa theksoi se bombardimet po i hapin rrugë fazës tjetër të luftës.

“Nga sot ne do të rrisim goditjet dhe do të minimizojmë rrezikun. Ne do të rrisim sulmet dhe për këtë arsye ju bëj thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të lëvizin në jug për sigurinë e tyre. Ushtria izraelite do të vijojë fazën tjetër të sulmit kur kushtet të jenë të duhura”, tha ai.

Zëdhënësi nënvizoi se 212 izraelitë janë kapur nga terroristët dhe po mbahen peng.

Nga ana tjetër, 58 palestinezë janë arrestuar në Bregun Perëndimor që nga mëngjesi i kësaj të diele.

Të paktën 42% e të gjitha banesave në rripin e Gazës janë shkatërruar nga shpërthimet dhe bombardimet. Konflikti ka rritur frikën e një lufte më të gjerë rajonale dhe Uashingtoni tha se do të vendoste batalione shtesë për të mbrojtur forcat amerikane.

Ndërkohë në Libanin Jugor Izraeli ka bombarduar disa nga objektivat e terroristëve, ndërsa Hesbollahu deklaroi se 6 nga luftetarët e tyre u vranë.

Bilanci sa vjen e bëhet më i përgjakshëm, ku më shumë se 4000 persona kanë vdekur nga të dyja palët, e ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ndërkohë situata humanitare është e rëndë. Mediat egjiptiane raportuan se një kolonë prej 17 kamionësh që sjellin ndihma për palestinezet u lejua të kalojë në Gaza. Por karvani i shumëpritur nuk përfshin karburant. Ndërkohë jetët e rreth 130 foshnjave të porsalindura në inkubatorë në spitalet e Gazës janë në rrezik prej mungesës së karburantit.

Caktohet ora/ Nesër seancë në SPAK për Malltezin dhe Bektashin, asnjë njoftim për Berishën

Seanca gjyqësore për verifikimin e masës së sigurisë ndaj dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezit dhe ndërtuesit Fatmir Bektashi do të mbahet nesër.

Ditën e hënë, në orën 13:30, dy të akuzuarit për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” do të dalin para trupës gjykuese, e cila do të shprehet nëse masat “Arrest në burg” për Malltezin dhe “Detyrim paraqitje” për Bektashin janë në përputhje me ligjin dhe nëse do të lihen në fuqi ose jo.

Por ndërkohë, në seancën e nesërme do të mungojë ish-kryeministri Sali Berisha, për të cilin po ashtu është caktuar masa e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe i është bllokuar pasaporta për të njëjtën aferë, por SPAK nuk ka asnjë njoftim për të se kur do kryhet verifikimi i masës.

Kujtojmë se Berisha një natë më parë refuzoi takimin me agjentët e policisë, të cilët shkuan në selinë blu për t’i komunikuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe për t’i marrë pasaportën.

Pyetje: Nuk patët asnjë takim personalisht?

Sali Berisha: Jo nuk pata asnjë takim personalisht sepse unë do të respektoj kushtetutën, e cila prevalon. Ky ishte turpi i Edi Ramës.

Pyetje: Nuk pranuat vendimin që ata kishin ardhur të sjellin?

Sali Berisha: Unë ata nuk i takova fare sepse unë nuk mund të pranoj shkelmim të kushtetutës se do Edi Rama, nuk mund të pranoj. Po t’i takoja, do i thoja çojani Edi Ramës ta ziejë çaj.

DOSJA “Berisha”/ Ish-drejtori i klubit “Partizani”: Më ofruan hyrje që të mos pengoja privatizimin

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka hartuar një dosje voluminoze për aferën e privatitizmit të ish-kompleksit “Partizani”, për të cilën arrestoi dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe caktoi masë sigurie “Detyrim parqaqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ortakun e tij, Fatmir Bektashi (ndërtues).

Në një prej faqeve të dosjes është edhe dëshmia e ish-drejtuesit të klubit “Partizani”, Isa Tare, i cili ka pranuar se nga ndërtuesit, që ishin të interesuar për privatizimin dhe kthimin e objektit në një zonë pallatesh, i ishte premtuar hyrje, vetëm e vetëm që të bëhej pengesë për procesin.

“Në vitin 2005 kur e hoqën Isain nga puna e ka zëvendësuar Afrim Tole.. Në kohën që ishte Isai drejtor, po bëheshin përpjekje që klubi shumësportesh Partizani t’i dorëzohej ish pronarëve dhe Isait i është afruar njëri nga këta ish pronarë, emri i të cilit nuk po i kujtohet që i ka ofruar t’i jepte një hyrje në ndërtesat që do të bëheshin në atë territor, por me kusht që Isai të shprehte dakordësinë e tij që ta merrnin atë pronë ish pronarët. Pjesë e klubit shumësportesh Partizani ka qenë edhe pishina me vendndodhje në Laprakë, saktësisht tek parku i veturave i Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në dosje.

Isa Tare, që ishte drejtues i klubit në vitet 1995-2005, u mor në pyetje nga SPAK në dhjetor të vitit 2022, pas hetimit të nisur për privatizimin e bërë në rrugë antiligjore të kompleksit, kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme nga kreu i grupit parlamentar socialist asokohe, Taulant Balla. Ai paditi në vitin 2020, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrat e mbrojtjes Arben Imami, Fatmir Mediu e Gazmend Oketa.

Berisha, beteja e radhës apo e fundit?

Nga Lutfi Dervishi

Berisha, beteja e radhës apo e fundit?

Sali Berisha është duke u përballur me betejën më të vështirë të jetës së tij duke qenë një mit, institucion, makth për kundërshtarët (brenda apo jashtë partisë), një idol, një patriot, një tradhtar, krijuesi, frymëzuesi dhe dërrmuesi i PD-së.

I adhuruar dhe urryer me të njëjtin intesitet, ai ja ka dalë që në këto 33 vjet në pushtet ose jo, të jetë gjithmonë në qendër të vëmendjes edhe kur ngjarjet nuk silleshin rreth tij.

Ulje – ngjitjet që e kanë shoqëruar në karrierën politike të 3 dekadave, nisin me prezantimin si “shpresë e demokracisë” në vitet ‘90 dhe kulmojnë me përcaktimin si “minues i demokracisë’ në vitin 2021 nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Lider në një vend ku mbështetësit e tij votojnë personin dhe jo partinë, Berisha më shumë se kushdo tjetër në politikë mishëron prototipin e shqiptarit në tranzicion.

E gjithë jeta e tij politike pas rënies së sistemit komunist, është një ide, një ideal, një fjalë: pushteti. Një intelektual në kuptimin më të mirë dhe të keq të kësaj fjale në Shqipëri, Berisha një peng i ambicieve të mëdha, e harroi intelektualin e viteve ‘90, dhe politikanin, pas 90’-tës dhe e pa veten jo rrallë në rolin e misionarit.

Gjatë rrugëtimit të tij 33-vjeçar është shfaqur i pamëshirshëm, por edhe joshës në varësi të faktit nëse ai që ndodhej përballë duhej shkatërruar apo duhej shpallur aleat.
Me intuitë të shpejtë dhe instikt politik të lindur, Berisha nuk e ka për herë të parë përballjen me fatalitetin- 1997, 2021, mund të ishin vite të nekrologjisë politike, por u shënuan si vite të rikthimit të tij.

Me një rol të reduktuar kur u përcaktua si person “non grata” në fillim nga SHBA dhe më pas nga Britania e Madhe, Berisha u rikthye sërish si faktor i rëndësishëm në politikën e vendit.

Kjo mbështetje ishte aty edhe kur u përball me vendimin amerikan, edhe kur zgjodhi të ndahet përfundimisht me Bashën, edhe kur shtigjet e selisë ju bllokuan në të katërta anët, edhe kur brintaniket e izoluan, edhe kur e qëlluan me grusht, edhe kur humbi zgjedhjet lokale.

Por në vjeshtën e tij “luftëtari” që ka bërë beteja edhe me fatin, këtë radhë ka përballë një armik më serioz se kundërshtarin e tij politik Edi Rama, apo SPAK-un, ai po lufton me kohën!

Megjithëse historia e betejave të tij (të nisura nga ai vetë ose të imponuara) ka treguar se në to ka dalë i humbur jo vetëm humbësi, por edhe fituesi.