Aplikacion
Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi ka mbërritur në komisariatin nr.5 të policisë, pas arrestimit të tij në aeroportin e Rinasit.
Malltezi akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv si edhe fshehje pasurie lidhur me ish-kompleksin “Partizani”.
Ai u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza”, pasditen e kësaj të shtune me urdhër të SPAK-ut, ndërsa po priste bashkëshorten, Argita Berisha nga Gjermania.
View this post on Instagram
Gjithashtu, SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave edhe ndaj Sali Berishës. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Vetë Berisha në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, i cilësoi akuzat si politike. Për Berishën, i vetmi faj që ka Jamarbër Malltezi është se është dhëndri i tij./ Zoom.al
Akuza për korrupsion e pastrim parash, Malltezi shoqërohet në Drejtorinë e Policisë TiranëDhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi u arrestua ditën e sotme në aeroportin e Rinasit, teksa po priste bashkëshorten e tij, Argitën. Ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion dhe pastrim parash për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Ai fillimisht u mbajt në komisariatin e Rinasit dhe nga aty u shoqërua pas disa orësh te dhomat e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Jamarbër Malltezi nesër do të duhet të japë llogari për prokurorët e SPAK-ut. Zoom.al mëson se Gjykata e Posaçme ka vendosur nën sekuestro të gjitha pasuritë e tij.
Një masë e sigurimit personal është vendosur edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, e më konkretisht masa shtrënguese detyrim paraqitjeje, si dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Në pranga ka rënë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërtues i pallateve tek ish-Kompleksi Partizani.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po e heton çështjen e privatizimit të Kompleksit Partizani për pastrim parash.
Për më shumë rreth historisë së privatizimit të kompleksit “Partizani” dhe përfshirjes së Berishës e dhëndrit të tij lexoni KËTU./ Zoom.al
A i druhet Sali Berisha arrestimit?Gjatë konferencës së tij të jashtëzakonshme, pyetur nga gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk i druhet një arrestimi të mundshëm të tij, ndërsa theksoi se është i hapur për çdo gjë.
Berisha u shpreh se kjo e ndihmon kauzën e opozitës dhe e shumëfishon Sali Berishën në qindra mijëra, ndërsa shtoi se ai po lufton për fitore dhe ndaj nuk i druhet asgjëje.
Sipas tij sot Jamarbër Malltezi është ndaluar për fajin e vetëm se është dhëndër i familjes së tij.
“Akuzat janë të mirëfillta politike. E bindur të jesh ti. Jam i hapur për çdo gjë. Të akuzosh Berishën për larje parash, duhet të jesh i pafytyrë. Natyrisht ata që firmosin gjëra të tilla, s’kanë as fytyrë, as karakter. Të akuzosh për korrupsion, kur nuk ka asgjë. Dhe përveç faktit se Jamarbër Malltezi, është bashkëshort i vajzës sime, është politike. S’ka lidhje me Berishën. S’kanë kapur gjë. Se tani po t’i pyesësh thonë; janë nën hetim. Por s’kanë kapur asnjë shkelje në procesin e privatizimit. Sa i përket burimeve të parave të mia, ato janë transparente. Kjo është bërë me porosi të plotë të Ramës, me insistim të tij, ndonjëherë e angazhuar dhe Linda Rama. Merrem me Edin, jo me gratë.
Nuk i druhem arrestimit, e kam provuar këtë gjë. Kjo e ndihmon kauzën tonë, e motivon edhe më shumë. E shumëfishon Sali Berishën në qindra mijëra. Unë po luftoj për fitore, si të druhem unë?
Kjo është një dëshmi dhe motivim shtesë për ne. Sot Malltezi është ndaluar për fajin se është dhëndër i Sali Berishës, do e faktoj këtë,”- tha ai./ Zoom.al
“Frikacakë”- Berisha: Fikën dritat në qytete të tëra që t’mos dëgjohet konferenca imeIsh-kryeministri Sali Berisha, teksa po mbante konferencën e tij të jashtëzakonshme, ku foli në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion dhe pastrim parash për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, u shpreh se janë fikur dritat në qytete të tëra.
Berisha tha se kjo ndodhi në mënyrë që konferenca e tij për shtyp të mos dëgjohet nga qytetarët.
View this post on Instagram
“Kanë fikur dritat në qytete të tëra që të mos dëgjohet konferenca ime e shtypit. Frikacakë, urdhëro çfarë tmerri kanë. Akt i shëmtuar e dënoj. Terri është kriteri i tyre,”- tha ish-kryeministri Sali Berisha.
GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Berishën, si edhe i ka bllokuar pasaportën duke mos e lejuar të dalë jashtë vendit.
Ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u arrestua në Rinas ku kishte shkuar të priste bashkëshorten e tij, Argitën, e cila po kthehej nga një udhëtim. Gjithashtu edhe Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash për privatizimin e ish-kompleksit Partizani./ Zoom.al
Këta janë dy prokurorët që firmosën arrestimin e Jamarbër MalltezitMbrëmjen e sotme, Jamarbër Malltezi u arrestua në Rinas, pasi akuzohet për pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Ndërkohë, për ish-kryeministrin Sali Berisha është caktuar masa e detyrimit të paraqitjes.
Masat e sigurisë janë kërkuar nga prokurori i SPAK-ut, ish kreu i këtij institucioni Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, e cila ka firmosur dhe për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Sakaq, mësohet se veç Malltezit dhe Sali Berishës janë firmosur dhe disa masa të tjera arresti.
GJKKO ka vendosur sekuestrimin e pasurive Malltezit, të cilat do t’i shërbejnë tashmë hetimeve për çështjen e privatizimit të ish-klubit “Partizani”./ Zoom.al
Privatizimi i ish-kompleksit Partizani, Berisha: Destinacioni i tij u ndryshua nga vetë Edi RamaIsh-kryeministri Sali Berisha ka treguar versionin e tij mbi privatizimin e ish-kompleksit Partizani, duke hedhur akuza se destinacioni i këtij kompleksi, ku tani janë ndërtuar pallate, u ndryshua nga vetë kryeministri Edi Rama.
Në një konferencë mediat, Berisha u shpreh se Klubi i Partizanit është nxjerrë nga plani i përhapjes i Forcave të Armatosura, nga presidentë të tjerë para Bamir Topit.
Ai theksoi se destinacioni i klubit Partizani, nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e tij.
“Është ndryshuar pra destinacioni i karakterit sportiv nga vetë Edi Rama. Me dokumenta. Njohja dhe kthimi te pronarët e ligjshëm të pronarëve të klubit Partizani, janë gjashtë familje dhe 64 anëtarë, është bërë nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe gjykatat nga vitit 1994 deri në vitin 2006”, tha ish-kryeminsitri ndaj të cilit është ngritur akuza për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Berisha shtoi se privatizimi i klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nanos.
Sali Berisha: Lidhur me ndalimin e Jamarbër Malltezit, deklaroj sa vijon: Jamarbër Malltezi nuk është thirrur në jetën e tij nga asnjë prokuror apo asnjë gjykatës për asnjë çështje.
Prej tre vitesh, me padi të rreme të ngritura nga Taulant Balla, SKAP-i i partisë koa hetuar privatizimin e klubit Partizani.
Pikërisht se nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje të vetme, nuk kanë guxuar ta thërrasin kurrë në prokurori, por kanë preferuar të shpërndajnë lajme të rreme me gazetarë të keqpërdorur të oborrit qeveritar për gjoja abuzime.
Klubi i Partizanit nuk është nxjerrë nga plani i përhapjes i Forcave të Armatosura me propozimin e Sali Berishës dhe as me firmën e Bamir Topit, por nga presidentë të tjerë para Bamir Topit.
Destinacioni i klubit Partizani, nga terren sportiv në truall për ndërtime, është ndryshuar me firmën e Edi Ramës dhe pa propozimin e Sali Berishës. Është ndryshuar pra destinacioni i karakterit sportiv nga vetë Edi Rama. Me dokumenta. Njohja dhe kthimi te pronarët e ligjshëm të pronarëve të klubit Partizani, janë gjashtë familje dhe 64 anëtarë, është bërë nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe gjykatat nga vitit 1994 deri në vitin 2006.
Privatizimi i klubit Partizani është nisur nga qeveria e Fatos Nanos. Muaj më parë, prokurorja e SKAP-it, simotra biologjike e Taulant Bego Jaris, ka sekuestruar kompjuterat e kompanisë që mbante kontabilitetin e Jamarbër Malltezit dhe ka shkuar në gjykatë duke mashtruar gjykatën: ajo ka deklaruar se kthimi i pronave ka filluar në vitin 2006, në një kohë kur ky është një proces i njohjes, madje i kthimit nga viti 1994-1995.
Ajo është përpjekur të krijojë konfuzion dhe gënjeshtra me nënkuptim për sipërfaqen e privatizimit. Shtoj këtu se çdo centimetër dhe metër katror e sipërfaqes së privatizuar, është e firmosur nga 7 firma të bashkisë së Edi Ramës. Ajo në gjykatë ka spekuluar në mënyrë të paturpshme me çështjen e ortakërisë së Jamarbër Malltezit me bashkëinvestitorë. Ortakëri e cila në asnjë rast nuk përbën vepër penale dhe nuk ka asnjë lidhje me SPAK-un e partisë.
Për njëfarë periudhë, bashkëinvestitorët kanë rregulluar marrëdhëniet e tyre me kontratë të noterizuar, në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Çdo transaksion është bërë vetëm në rrugë bankare, duke depozituar pranë institucioneve, kontratën e noterizuar.
Ndryshe nga sa gënjen përfaqësuesja e Taulant Ballës, çdo transaksion është deklaruar pranë tatimeve, bankës dhe institucionit të larjes së parave. Me fillimin e tërheqjes së dividentit, në përputhje me kontratën, Jamarbër Malltezi, nga kontrata kanë kaluar në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.
Ndërsa marrëdhënia me kontratë është përgjegjësi e pakufizuar, e plotë dhe totale. Kurse në shoqëri, përgjegjësia është e kufizuar.
Në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar, kanë kaluar sipas kuotave të përcaktuara në kontratë. Pra, për të justifikuar sekuestron e kompjuterëve të kompanisë, prokurorja Mellonai, ka gënjyer në mënyrë të paskrupullt.
Iu bllokua pasaporta dhe i arrestuan dhëndrin, Berisha: Pas kësaj qëndron Rama! Pranoj sfidënIsh-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza se ishte kreu i qeverisë Edi Rama qëndron pas vendimit të SPAK për bllokimin e pasaportës së tij dhe arrestimin e Jamarbër Malltezit.
Berisha u shpreh se dhëndri i tij nuk është marrë asnjëherë në pyetje nga ogani hetues dhe se u vendos në pranga teksa po priste bashkëshorten, Argita Malltezi në aeroportin e Rinasit.
“Edi Rama urdhëroi prokurorët e tij mercenarë për të lëshuar urdhër në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 73 të saj, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë, lëvizje, nuk mund të cenohet pa miratimin e parlamentit”, theksoi ish-kryeministri.
Por Sali Berisha shtoi se “duke qenë autor i një propozimi të tillë në vitin 2012, që ky nen të hiqet, unë pranoj plotësisht sfidën.”
Lidhur me akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion dhe pastrim parash për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, ish-kryeministri dekaroi se janë pa asnjë bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Rramës.
Sali Berisha: “Edi Rama ka hyrë në agoninë e tij politike! Ai, i tronditur gjer në palcë nga krimet e tij, nga aferat në të cilat nuk ka drejtësi në botë që e shpëton, afera McGonigal, afera e djegësve, afera e sterilizatorëve, afera e Portit të Durrësit, afera e Butrintit.
Edi Rama, pasi ka humbur mandatin e deputetit, siç thotë Kushtetuta, me tenderat që ka fituar në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, thjeshtra e tij me emrin Xhillari në kompaninë I Riu, me tenderat që ka fituar Fangu apo burri i motrës së Linda Ramës, me implikimet e kësaj të fundit në bordet e bankave, de facto në përputhje me Kushtetutën, ai nuk është më deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Edi Rama, pasi ka grabitur në mënyrë suksesive votën e shqiptarëve dhe eliminoi pluralizmin politik në parlament, pasi u damkos nga qytetarët e Kosovës si vëllau i Vuçiçit, nga opozita si argat i Beogradit, nga bota si Pashiqi shqiptar, dhe pas fillimit të lëvizjes opozitare pa kthim dje në parlamentin e Shqipërisë, ai urdhëroi prokurorët e tij mercenarë, të denoncuar publikisht në këtë sallë, për fshehje dokumentesh, për manipulim dosjesh, për bashkëpunim me krimin dhe bandat, për të lëshuar urdhër në kundërshtim me Kushtetutën, nenin 73 të saj, i cili përcakton se liria e deputetit në çdo formë, lëvizje, nuk mund të cenohet pa miratimin e parlamentit.
Por, duke qenë autor i një propozimi të tillë në vitin 2012, që ky nen të hiqet, unë pranoj plotësisht sfidën.
Pra, as kufizimi im për të lëvizur në Shqipëri, unë jam deputet dhe duhet të takohem me zgjedhësit, të cilët sot ndjehen më Sali berishë se kurrë.
As kufizimi im për të lëvizur në Europë, nuk mund të ndodhte kurrë pa miratimin e komisioneve parlamentare.
Por në vendin ku prokuroria është thjesht një seksion i PS, mund të merret çdo vendim.
Siç informohem ndaj meje është ngritur akuza për korrupsion pasiv dhe larje parash, kurse dhëndri im është ndaluar sot në aeroport tek priste të shoqen, që kthehej nga jashtë.
Ndalohet pa u marrë kurrë në jetën e tij në pyetje për asnjë problem nga asnjë prokuror, asnjë gjykatës i vendit.
Lidhur me këto akuza, deklaroj që në krye: se janë absolutisht pa asnjë bazë dhe sulme të ulëta të mirëfillta politike të Edi Rramës dhe jo vetëm atij.
Edi Rama mendon se duke angazhuar prokurorinë e tij kundër meje, dhe ndaluar familjarët e tij si kundërshtar politik, në momentin kur opozita ka nisur më e vendosur se kurrë, betejën pa kthim për rivendosjen e pluralizmit politik, rikthimin e votës së lirë dhe shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë, do mund të frenojë dhe godasë aksionin opozitar.
Me këtë rast deklaroj se asnjë manipulim, asnjë veprim i paligjshëm dhe asnjë drejtësi e instrumentalizuar nuk mund të ndalojë qëndresën pa kthim të opozitës deri në fitoren e plotë të saj.
Këto masa dhe ccdo masë tjetër, e karakterit strikt politik, vetëm sa shumëfishojnë motivimin e Sali Berishës, bashkëpunëtorëve të tij dhe qindra e mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve në betejën e tyre pa kthim që nisën dy ditë më parë në parlamentin shqiptar.
Në betejën kundër regjimit të Edi Ramës, ndjehem jo më pak i motivuar se 32 vite më parë, në kohën e betejës kundër etërve të tij mizore.
Dhe së shpejti, Sali Berisha, opozita shqiptare, mbështetësit e saj, do i rezervojnë Edi Ramës, fatin e etërve të tij xhelatë.
Historia e privatizimit të kompleksit “Partizani” dhe përfshirja e Berishës e dhëndrit të tijPrivatizimi i kompleksit Partizani nisi në vitin 2008 dhe u mbyll brenda 6 muajsh. Pronat ku ndodhej kompleksit “Partizani” ishin në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por i kaluan ish-pronarëve dhe përfaqësuesi ligjor i tyre ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës. Sipas marrëveshjes, Malltezi do të merrte jo më pak se 5 për qind të vlerës së pronave të kthyera.
Procesi nisi në qershor 2008 dhe gjithçka mbaroi në dhjetor të atij viti. Nga ana tjetë kompensimi në qendër të Tiranës me vlerë tepër të ulët. Janë rreth 33 mijë metër katror tokë, ku shteti ka dhënë për pronarët 100 milionë lekë. Metoda e kompensimi përdorur nga grupi i ekspertëve është në kundërshtim të hapur me VKM 794 datë 21.11.2007 dhe të Udhëzimit Nr. 6364 datë 03.07.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe procedurën e shitjes”, të cilët përcaktojnë që vlera e objekteve të privatizuara duhet t’i referohet çmimit të tregut të lirë. Vitet e fundit, në atë tokë janë ndërtuar dhjetra kulla, disa prej të cilave dyshohet se janë në pronësi të Jamarbër Malltezit.
“Fakti i mësipërm i kthimit të pronës tek persona të lidhur me pushtetin dhe posaçërisht tek dhëndri i ish-Kryeministrit të asaj kohe (viti 2008) si dhe qëllimi tij për të ndryshuar destinacionin dhe ta kthejë në një kantier ndërtimi duke ndërtuar në finale 17 kulla banimi e shërbimesh disa katëshe, provohet dhe me themelimin në të njëjtën kohë të shoqërive Homeplan shpk si dhe Kontakt shpk. Vetë i dyshuari Jamarbër Malltezi është trashëgimtar që rrjedh nga familja Begeja në masën e 1/64 pjesës takuese që e përthyer në sipërfaqe rezulton të jetë 144m2 truall si dhe faktit që në përfundim të kësaj sipërmarrje ai ka mbi 60% të pronësisë së objekteve të ndërtuara, e cila tregon dhe njëherë synimet afatgjata dhe të mirë menduara të të akuzuarve në realizimin e qëllimeve të tyre.
“Shoqëria themelohet nga i njëjti person në vitin 2008, konkretisht i dyshuari F. Bektashi, i cili zotëronte 100% të aksioneve dhe administrimin i vetëm, duke krijuar perceptimin se nuk ka një lidhje direkte në momentin e themelit të këtyre shoqërive por që në të vërtetë fakti që i dyshuari Bektashi shpreh vullnetin e tij duke marrë përsipër detyrimin në momentin e privatizimit dhe po në atë kohë me mbylljen e procedurës me organet publike krijon dhe shoqërinë “Homeplan” sh.p.k ,tregon që ka një garanci të madhe se mbi atë sipërfaqe do vijohet me dhënien e lejes së ndërtimit dhe me realizimin e veprës fakt që sot është i njohur botërisht se është realizuar ky qëllim.
Faktet e mësipërme përforcohen dhe më tej ku pasi përfundon vepra në vitin 2018, i dyshuari Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja bëhen përfitues maxhoritarë të shoqërisë Homeplan sh.p.k duke kontrolluar tashmë dhe vendimarrjen e asamblesë ku Z. Fatmir Bektashi ju shet atyre në një vlerë qesharake përkatësisht Jamarbër Malltezit 35.000 lek aksionet në masën 35% dhe Xhimi Begeja 25.000 lek aksione në masën 25% në një shoqëri e cila ka një kapital 100.000 lek dhe ndërmerr realizimin e një vepre mbi 20 milion dollarë”, shkruhet në dosje
Sipas të dhënave të Agjencisë së Pronave, toka në fjalë ka qenë e pronarëve, por ajo i kaluar shtetit dhe në vitin 1940 ata janë dëmshpërblyer nga qeveri italiane, pas vendi ynë ishte pushtuar nga Italia. Madje pronarët janë shpërblyer me franga ari. Qeveria italiane kishte plane të bënte një aeroport aty dhe prandaj mori tokën. Madje toka është blerë nga Shefqet Vërlaci dhe Jako Mane. Toka, nga Rr. e Kavajës deri tek Rr. Durrësit është blerë nga italianët dhe më pas ka kaluar në duart e shtetit.
Pra, pretendentët e këtyre pronave janë kompensuar një herë nga italianët dhe më pas toka është shtetëzuar, duke i kaluar në pronësi ushtrisë.
Hetimet e SPAK nisën mbi një padi të bërë nga Taulant Balla, i cili akuzoi Berishën, dhëndrin e tij, Arben Imamin dhe disa funksionarë të tjerë për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Si u privatizua edhe pishina që ishte pronë e një privati tjetër
Gjithashtu një pjesë tjetër toke përfundoi në duart e ish-pronarëve të udhëhequr nga dhëndri i Berishës dhe që sipas dokumenteve të hipotekës, i përkasin një pronari privat të quajtur Esat Pira.
Bëhet fjalë për 920 metra katrorë mbi të cilën qëndronte pishina e Klub Partizanit dhe të cilat u përfshinë në totalin prej 26,524 metra katrorë të privatizuar.
Dega e Shoqërive Publike pranë Ministrisë së Ekonomisë, i kërkoi Zyrës Rajonale për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave informacion për pishinën pranë ish-Klubit Partizani.
“Kërkojmë nga ana juaj të na konfirmoni çmimin e truallit, sipas hartës së vlerës së tokës, si dhe, nëse ka vendime të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për objektin ‘Pishina Laprakë’ pjesë e Klubit Shumësportësh Partizani, Tiranë”. Në 29 prill 2008, kreu i ‘madh’ i AKKP, Besnik Maho, përgjigjet më shkresën që po shikoni me numër protokolli 1035, ku thuhet se “objekti i mësipërm (pishina) sipas hartës treguese të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme Tiranë, është në pronësi të shtetasit Esat Pira, me numër pasurie 12/27”, thuhej në dokumentin e datës 22 prill 2008.
Në 14 prill 2017, Esat Pira, pasi nuk gjeti drejtësi, doli publikisht dhe akuzoi dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, se i kishte rrëmbyer pronën tek ish-Kompleksi Partizani në Laprakë.
“Kjo është një vjedhje që po na bëhet ku pala tjetër është duke përdorur forcën e pushtetit për të ndërhyrë në organet e drejtësisë. Ata nuk kanë pasur asnjë dokument dhe kanë përfituar nga pushteti. Nuk besojmë se kjo çështje merr zgjidhje nga drejtësia shqiptare. Ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në Strasburg. Kemi të drejtën ligjore dhe të drejtën nga Zoti mbi këtë pronë”, pohoi Esat Pira, i cili ndërroi jetë pa arritur të marrë pronën e tij.
Nga kartela e kësaj pasurie, 534 m2 te mbetura nga pishina e ish-Klubit Partizani të Esat Pirës, figurojnë në pronësi të ish-pronarëve përfituesve të privatizimit. Një pjesë e parcelës prej 380 metra katrorë eshte sot pronë e drejtorisë së rrugëve.
Ndërtimi i kullave në ish-kompleks
Në ish-kompleksin Partizani janë ndërtuar dhe po ndërtohen ende dhjetëra kulla të kompleksit Magnet 1 dhe Magnet 2 që vlejnë 4.000 herë më shumë, nga të cilat Jamarber Malltezi, është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve.
I pyetur për akuzat e ngritura ndaj tij, Jamarbër Malltezi u shpreh se: “Kur i kthen pronën pronarit, ia kthen se shteti ka qenë hajduti. Po Edi Rama të bën milioner me një copë letër brenda ditës, me një VKM të bën pronar ai. Kurse dhjetëra pronarë këtu nuk marrin dot pronën e tyre”.
Ai u shpreh se akuzat ndaj tij se zotëron 1/64 të pronës, i ftuar në “Open”, theksoi se: “Është mashtrim i Taulant Ballës. Unë jam bashkëpronar me shumë familje të tjera. Toka ishte shumë e parcelizuar. Toka e Begejave është 28 mijë metër. Shiko ça bën ky. Gjen një nga këto vërtetimet e pronësisë, por prona ishte shumë e copëzuar.”
“Në kallëzim thuhet se Malltezi ka marrë 5% garanci nga ish-pronarët dhe 25% të sipërfaqes ndërtimore për ta mbyllur këtë çështje”, e pyeti moderatorja e emisionit.
“Jo është gënjeshtër. S’kam marrë asnjë nga këto përqindje, hiq ato përqindje për të cilat është dashur të bëhen shpenzime”, tha ai.
Padia e Taulant Ballës
Ish-kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e ka dorëzuar padinë në lidhje me ish-kompleksin në nëntor të vitit 2020. Privatizimi i subjektit është denoncuar shumë vite më parë nga socialistët, si një aferë e pastër korruptive e qeverisë Berisha.
“Fjala e dhënë nuk shkelet kurrë dhe qytetarëve shqiptarë qytetarëve të Tiranës prej vitit 2012 i kishim premtuar që çështjen e transferimit tek disa ish pronarë të cilët sipas vlerësimeve tona kanë problematika të lidhura me ligjin dhe falsifikimin e dokumentave zyrtare dhe përfshirjen e familjes Berisha të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi por të elementëve të shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të paligjshëm si vepra penale prej vitit 2012 e kemi ndjekur këtë çështje por këtë moment janë vërtetuar të gjitha dyshimet tona sa kohë në një kompleks prej 17 kullash rezulton tashmë të jetë pronar i më shumë se 35% të vlerës të kësaj prone Jamarbër Malltezi tashmë i vërtetuar me shkresa e dokumente zyrtare ne Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve”, ka sqaruar Balla.
Në padi thuhet se: “Gjatë kohës që vijon procedura e privatizimit nga organet publike Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave, konstatohet se i kallëzuari Jamarbër Malltezi jo vetëm që bëhet përfaqësues ligjor për të gjithë ish pronarët pronarët, por bëhet edhe garantues i marrëdhënies finale të përfitimit të të gjithë sipërfaqes si dhe të qëllimit të realizimit të veprës.
Fakt i cili provohet me detyrimin e të gjithë ish pronarëve që ti japin këtij të fundit jo më pak se 5% të vlerës së kthyer duke provuar kështu garancinë 100% që Jamarbër Malltezi ka për përfitimin e kësaj sipërfaqe. Një pronë me rreth 10.000 m2, mu në qendër të Tiranës në vitin 2008 e prapa është privatizuar me një vlerë prej 100.000 dollarë. Nëse çdo qytetar shqiptarë do ta vlerësonte është një pronë me 10.000 m2 duke ndërtuar 17 kulla me një vlerë 21 milion euro kjo është blere më pak se vlera e një garzonjere të shitur në atë zonë”
Propozimi për privatizimin e ish-kompleksit Partizani
Gjithçka filloi me Ministrin e ekonomisë, Genc Rulin, i cili propozoi privatizimin e Kompleksit Parizani dhe në 14 nëntor 2005, Fatmir Mediu i dërgoi një përgjigje zyrtare duke pranuar kërkesë transferimin e impiantit të klubit Partizani tek individë privatë.
Një ndër emrat që shfaqet më shumë në çështje është ai i Jamarbër Malltezit, burri i Argita Berishës dhe dhëndri i kryeministrit. Fillimisht, pjesa e tij e pronësisë ishte vetëm 1/64-ta, por në fund të operacionit falë manovrave të tij dhe shperblimit të kërkuar nga trashëgimtarët e tjerë, në këmbim të mbështetjes ofruar nga Sali Berishës në të gjithë procedurën e privatizimit, Jamarber Malltezi fitoi 35% të të gjithë pronës.
Më pas, familja Begeja, e cila ka 27 trashëgimtarë fitoi kthimin e 26 mijë metrave katorë tokë falë një sërë vendimesh të Agjencisë për kthimin dhe kompensimin e pronave të marra pjesërisht në vitin 1996 dhe pjesërisht në vitin 2007. Ky zhvillim u regjistrua në periudhën kur Sali Berisha ishte në pushtet dhe emëroi edhe kryetarin e Agjencisë, dhe për këtë arsye, kontrolloi plotësisht edhe vendimet e saj.
Nga ankesat publike të bëra vitet e fundit nga Partia Socialiste, përfshirë edhe një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste pretendohet se tokat që iu ishin kthyer ish-pronarëve ishin blerë nga shteti shqiptar në vitet ’40 dhe për këtë arsye ishin në pronësi publike. /Zoom.al
Ditën e sotme (21 tetor) u arrestua në aeroportin e Rinasit, Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, i cili më herët ka mbajtur edhe postin e Drejtuesit të Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike.
Malltezi ka qenë prej disa kohësh nën hetim nga SPAK për çështjen e privatizimit të ish-Kompleksit Partizani. SPAK e akuzon për korrupsion dhe pastrim parash.
Zoom.al mëson se Gjykata e Posaçme ka vendosur nën sekuestro të gjitha pasuritë e Jamarbër Malltezit.
Një masë e sigurimit personal është vendosur edhe ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, e më konkretisht masa shtrënguese detyrim paraqitjeje, si dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Në pranga ka rënë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërtues i pallateve tek ish-Kompleksi Partizani.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po e heton çështjen e privatizimit të Kompleksit Partizani për pastrim parash.
Mësohet se Malltezi po priste në aeroport bashkëshorten e tij, Argitën kur u arrestua.
Hetimet për privatizimin e Kompleksit Partizani nisën pas një kallëzimi penal të bërë më 17 nëntor 2020 nga Taulant Balla, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të PS-së.
Sali Berisha ka njoftuar mbrëmjen e sotme një konferencë për shtyp në orën 21:00./ Zoom.al
SPAK lëshon urdhër për Sali Berishën, nën akuzë për korrupsionSPAK ka lëshuar një urdhër për masë shtrënguese për ish-kryeministrin Sali Berisha. Urdhëri, i miratuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka të bëjë me detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në SPAK dhe me ndalimin e tij të dalë jashtë Shqipërisë.
Ish-kreu i qeverisë akuzohet për korrupsion pasiv në kuadër të hetimeve nga SPAK për privatizimin e kompleksit sportiv të klubit Partizani në kryeqytet.
Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u arrestua në aerportin e Rinasit me urdhër të SPAK. Ai po priste bashkëshorten e tij, Argita, e cila po kthehej nga një udhëtim, kur u vendos në pranga në aeroportin “Nënë Tereza”, për të njëjtën çështje që po hetohet edhe vjehrri i tij.
Urdhri i arrestit ndaj tij është firmosur nga ish-kreu i SPAK, prokurori Arben Kraja.
Sali Berisha ka njoftuar konferencë për mediat mbrëmjen e sotme, në orën 21:00 nga selia blu.
Si nisën hetimet
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal për privatizimin e ish kompleksit Partizani ku është ndërtuar një kompleks pallatesh në vitin 2022.
Hetimet nisën mbi bazën e një kallëzimi të kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla, i cili ka kallëzuar ish kryeministrin Sali Berisha për shkelje të ligjit në privatizimin e kompleksit.
Në kallëzim u përfshinë ish-ministri i Mbrojtjes në kohën e PD-së, Arben Imami, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar gjatë viteve 2005- 2013, drejtues të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë, dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi si aksioner në kompaninë “Homeplan”shpk dhe anëtarë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Klubi sportiv “Partizani” ka qenë një ndër komplekset në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ku sot janë bërë ndërtime të reja.
Fatmir Mediu ishte ministër Mbrojtjeje gjatë kohës së qeverisjes së Sali Berishës, kur u privatizua edhe ish-kompleksi “Partizani”.
Arben Kraja, i cili në atë kohë mbante ende drejtimin e SPAK, iu drejtua Kuvendit me një shkresë zyrtare duke i dërguar urdhrin e paraqitjes për Mediun, në kuadër të hetimit. /Zoom.al