zoom

Day Archive“Procesi i liberalizimit të vizave s’është pezulluar”/Vjosa Osmani reagon pas deklaratave të Macron

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas deklaratave të homologut të tij të Francës, i cili nga Tirana kërcënoi me pezullim të liberalizimit të vizave për shkak se “nuk janë mbajtur fjalët”.

Ajo tha se janë sqaruar nga autoritetet franceze dhe se bëhet fjalë për një problem në përkthim, pasi sipas saj procesi i liberalizimit të vizave nuk është pezulluar.

“Është sqaruar tashmë. Drejtpërdrejtë na kanë njoftuar institucionet franceze, por edhe nga deklaratat e shumta, se ka qenë një lloj dallimi në përkthim. Ky proces nuk është pezulluar dhe ligjërisht s’mund të pezullohet nga një shtet. Jam e bindur se çfarëdo lloj qartësimi që kërkon presidentin Macron e institucionet franceze mund t’u japim ndërkohë dhe të heqim ndonjë lloj hezitimi që ata mund ta kenë. Por, procesi vazhdon e ky vendim hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024”, ka thënë Osmani për KTV.

 

Osmani ka thënë se Macron më tepër e kishte për çështjen e besimit.

 

“Me Francën si shtet aleat, do të ulemi e diskutojmë këto çështje. E kam takuar në Granadë së fundi presidentin Macron. Kërkesa e tij ishte e qartë, me të cilën pajtohem e janë pajtuar gjitha institucionet e Kosovës, që sa më parë të mbahen zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës. E kam njoftuar se Kosova ka krijuar bazën ligjore nëpërmjet udhëzimit administrativ, është me rëndësi që qytetarët të marrin pjesë. Pa pjesëmarrjen e qytetarëve do të përsëritet 23 prill, askujt s’i shkon përshtati kjo”, ka thënë Osmani

“Scholz pa shpërthimet me sytë e tij”- Alarm në avionin e delegacionit gjerman në Tel Aviv

Avioni i delegacionit gjerman në Tel Aviv, ku ndodhej edhe kancelari Olaf Scholz është evakuuar pas një shpërthimi që ka ndodhur në momentin kur ai ka qenë duke u larguar për në Kajor.

Sipas mediave gjermane, kancelari “ka parë shpërthimet me sytë e tij”.

Pak para nisjes së avionit ka pasur një alarm për dy shpërthime nga ajri në aeroportin Ben Gurion.

Edhe pse Scholz kishte hipur, atij dhe pasagjerëve të tjerë u është kërkuar që të zbresin nga avioni dhe të shtriheshin në tokë.

“Shpërthimet kanë qenë të raketave të lëshuara nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Iron Dome të Izraelit, për rrëzimin e raketa të lëshuara nga Hamasi”, shkruan Bild.

Ndërkohë pas disa minutash, pasagjerët kanë mundur të kthehen në avion. Pas evakuimit të përkohshëm, avioni më pas mori rrugën nga Tel Avivi në Kajro.

Shqiptarët ikin, pasi janë të braktisur nga qeveria dhe të shfrytëzuar nga “skllavopronarët“ e rinj

Rritja e rrogave në Shqipëri është një temë e rëndësishme për shumë njerëz. Në vitet e fundit ka pasur disa përmirësime në nivelin e pagave në disa sektorë të ekonomisë.

Megjithatë, ende ka sfida për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe të drejtë për të gjithë punonjësit.

Llogaritni sa të ulëta janë mbajtur pagat e punonjësve nga sipërmarrësit shqiptarë në shërbime dhe prodhim ndër vite, që tani duhet të bëjnë rritje të detyruar pagash, të cilat jo vetëm vonohen, por tregojnë një qasje mizore ndaj kapitalit njerëzor!

Kulmi i mjerimit në trajtimin e kapitalit njerëzor është momenti kur shefi shqiptar, thuajse gjithmonë rastësisht në biznes, i thotë punonjësit që po ikën nga puna: Do të rris rrogën!

Ose më kriminalja:
Sa e do rrogën që të mos ikësh?

Në këtë moment duhet të zhdukesh menjëherë, sepse që në çastin që ulesh dhe të gënjehesh nga një mashtrues i tillë, dije se pas një muaji do të hedhë në rrugë!!!

Pasi e kemi degdisur në këtë derexhe krahun e punës dhe ikja është shpëtim për fuqinë punëtore, e cila skllavërohet modernisht, tashmë mund të thuhet se cdo politikë implementuese në frenimin e largimit të kapitalit njerëzor është i vonuar dhe jo efikase, duke ditur që zbrazja e vendit ka ndodhur dhe rikthimi është proces që lidhet me shumë situata, kryesisht me përmirësimin dhe rregullimin e tregut të punës përmes një standardi legjislativ të shëndetshëm që mbron kapitalin njerëzor dhe jo shfrytëzuesit e tij. /Anxhela Kola

Vdes papritur ish e dashura e futbollistit të famshëm, modelja Tabby Brown

Modelja britanike Tabby Brown, ka vdekur papritur në moshën 38 vjeçare teksa homazhe të shumta po mbahen në rrjet për aktoren e kërcimtaren nga Londra.

Brown ka qenë gjithashtu kërcimtare dhe ka pozuar për revista si Cosmopolitan e ELLE dhe është shoqëruar me futbollistë të Premierligës angleze si Raheem Sterling e Mario Balotelli.

Ajo është shfaqur në reklama për kompani si Canon, Virgin Atlantic, AXE e Lynx.

Vdekja e saj tragjike u konfirmua nga menaxheri për mediat.

Futbollisti anglez Raheem Sterling ishte parë shpesh me modelen në një hotel luksoz në  Manchester në mars 2016.

Tabby ka qenë gjithashtu e dashura e Balotelli për shtatë muaj pasi ishin njohur në një bar në vitin 2011.

Ajo tregonte asokohe se Mario e kishte bindur të dilte me të por më pas ishte dashuruar pas tij

“Unë nuk do ta besoja por u dashurova me karakterin e Mario, ai më tha se donte të niste familje me mua”, thoshte e ndjera në një intervistë me Mirror në vitin 2013.

“Por më pas zbulova se priste një fëmijë me ish-të dashurën dhe kishte vazhdimisht lajme për të që shoqërohej me femra të tjera, kështu që i dhashë fund në nëntor”.

“Mario në fillim nuk e besonte qe po e lija dhe unë mendoja se do të me bindte të rikthehesha me të, por nuk kishte shanse dhe u ndamë. Ai e mori keq pasi nuk besoj se e kishte lënë ndonjëherë ndonjë vajzë. Ai gjithmonë merrte atë që donte”.

Tabby ka luajtur gjithashtu në disa video muzikore nga artistë si Snoop Dogg, Dizzee Rascal e B.O.B.

Ajo ishte diplomuar në ‘marketing’. Fansa të shumtë i bënë homazhe modeles së njohur, teksa vdekja e parakohshme ka prekur miqtë e kolegët.

Izraeli sulmon një spital në Gaza, mbi 500 të vrarë

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të martën se Ushtria e Izraelit e ka bombarduar një spital në Qytetin e Gazës, i cili ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim, duke i vrarë qindra prej tyre, raporton Associated Press.

Nëse konfirmohet, atëherë ky do të jetë sulmi dukshëm më vdekjeprurës ajror nga Izraeli në pesë luftërat e deritanishme mes Izraelit dhe Hamasit që nga viti 2008.

Në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale shihet zjarr i madh në dhomat e Spitalit al-Ahli, xhama të thyer dhe copa të trupave të njerëzve nëpër zonë.

Ministria tha se të paktën 500 persona janë vrarë.

Shumë spitale në Qytetin Gaza janë shndërruar në kampe refugjatësh për qindra njerëz, të cilët shpresojnë se Izraeli do t’i kursejë nga bombardimet, pasi i kishte urdhëruar të gjithë banorët e këtij qyteti dhe zonave përreth të largoheshin në drejtim të pjesës jugore të Rripit të Gazës.

Nga projekti për t’u bërë qendër teknologjie, Piramida e Tiranës bëhet restorant i Arbana Osmanit

Në maj të këtij viti, Bashkia e Tiranës dhe Fondi Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit shpallën thirrjen për kompanitë që janë të interesuara të marrin me qira ambiente te Piramida e Tiranës.

Thirrja ishte pjesë e një projekti madhor për rijetësimin e Piramidës së Tiranës dhe transformimin e saj në një qendër multi-funksionale dhe teknologjie për të rinjtë.

Sipas planit, në një pjesë kryesore të godinës do pozicionet TUMO Tirana, një program passhkollor, ku nxënësit e moshave 12-18 vjeç mund të zgjerojnë aftësitë e tyre krijuese dhe analitike në 8 disiplina të ndryshme: Programim; Animacion; Zhvillimi i Lojërave; Dizajn Grafik; Realizimi i filmave; Muzikë; Robotika dhe Modelim 3D. Ndërsa pjesa tjetër e ambienteve do t’iu ofrohet me qira subjekteve private të interesuara. nga sektorë të tillë si: Start Up, biznese nga industria e teknologjisë digjitale, industritë krijuese, artet, arsimi dhe media.

Në mars, kryeministri Edi Rama postoi në profilin e tij Facebook, fotot e transformimit të Piramidës.

“Mirëmëngjes, dhe me punën e përditshme në kantierin e Piramidës së Tiranës, e cila së shpejti do të jetë gati për qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale në Ballkan, ju uroj një javë të mbarë,”- shkroi kryeministri.

Por këtë të martë, u mësua se një pjesë e katit të parë të Piramidës do t’i jepet kompanisë së prezantueses Arbana Osmani për të ndërtuar aty një bar restorant dhe fast food.

Më poshtë është edhe ekstrakti i kompanisë.

Media të ndryshme online shkruajnë se kjo është një qokë e majme për Osmanin, e cila prej kohësh është vënë në rreshtin e personazheve publike që mbrojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn.

Kompania me emrin Bana’s ka vënë si adresë të saj në ekstraktin e depozituar në QKB pikërisht katin e parë të Piramidës, e cila u nis të bëhej qendra më e madhe e teknologjisë në rajon, por po rrezikon të përfundojë në vend sufllaqesh./ Zoom.al

Sylvinho analizon fitoren me Bullgarinë dhe tregon çfarë sinjalesh mori nga ekipi

Trajneri Sylvinho vlerësoi paraqitjen e kuqezinjve në miqësoren ndaj Bullgarisë, teksa bëri thirrje për të qëndruar me këmbë në tokë, deri në sigurimin e kualifikimit në Gjermani.

Impresionet pas miqësores – Punohet me kokë dhe nuk ka miqësore. Të gjithë janë të ndërgjegjshëm për këtë dhe ky është shpirti i kësaj skuadre.

Marvin Çuni – Kur flasim për pozicionin e një lojtari, unë them se futbollistët e mëdhenj mund të luajnë në të majtë, në të djathtë, brenda karakterit të tyre. Ai është një futbollist i shpejtë dhe i gjatë, ndaj mund të luajë në krah, pro edhe në qendër. Është shumë i zgjuar dhe interesant.

4 ndeshje në Air Albania, 4 fitore, 9 gola të shënuar dhe 0 të pësuar – Lojtarët kanë kuptuar idenë për t’u organizuar dhe për të garuar fort në fushë. Kemi ndërtuar një skuadër të fortë psikologjikisht, që ka punuar shumë dhe është shpërblyer në fushë. Ky është çelësi i suksesit.

Balliu dhe Mihaj – Jam shumë i kënaqur me të gjithë futbollistët që hynë sot në fushë, pasi bënë shumë mirë të gjithë. Kjo është pikërisht ajo që ndikon në rritjen e skuadrës, paraqitja e të gjithë lojtarëve, jo vetëm atyre që janë titullarë. Duhet të jemi të gjithë titullarë.

Shqiptarët ju cilësojnë si një hero – Ndihemi mirë, pasi është një moment i bukur dhe po e shijojmë. Jemi në një moment të rëndësishëm, por jemi afër dhe akoma nuk ka përfunduar asgjë. Jemi të kënaqur me rezultatet, me paraqitet e lojtarëve dhe me gjithçka që ata kanë dhënë në fushën e lojës. Këtu ka shumë energji dhe shumë gjëra pozitive që më pëlqejnë. Fillimisht këtu hahet shumë mirë, por forcë më shumë na japin impresionet që marrim nga njerëzit që takojmë në rrugë. Jam vërtetë shumë i lumtur.

Muçi – Ai luan një skuadër me një skemë 3-4-2-1. E kam ndjekur në një ndeshje dhe ka shënuar dy gola. Kam folur me të dhe është një gol shumë i mirë. Ne kemi një sistem pak ndryshe dhe duhet të gjejmë një pozicion sa më të mirë për të, por një lojtar shumë i zoti është në gjendje të përshtatet gjithmonë mirë në fushë. /zoom.al/

Deklaratat e Macron për vizat e Kosovës, reagon Vuçiç: E falenderoj Presidentin e Francës!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka falenderuar presidentin e Francës, Emanuel Macron për një deklaratë të fortë nga Tirana, kur tha se liberalizimi i vizave për Kosovën, mund të konsiderohet i pezulluar për sa kohë nuk është mbajtur fjala e dhënë.

“Nuk dua të komentoj. Është vendim i një prej vendeve më të mëdha evropiane. Faleminderit Macron për shumë gjëra të tjera, për miqësinë që tregon ndaj Serbisë. Lidhur me vërejtjen, ai tha se duhet ta dënojmë dhunën në Banjskë, këtë e kemi bërë në të njëjtën ditë disa herë, madje ia kam thënë vetë presidentit në takimin në Granada”, tha Vuçiç.

Deklaratat e Vuçiç u bënë gjatë një vizite të tij në Pekin, ku mes të tjerash takoi edhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Po çfarë tha Macron në  konferencë me kryeministrin Rama?

Macron paralajmëroi Kosovën se nuk po mban premtimet e saj, falë të cilave ajo përfitoi dhe liberalizimin e vizave në zonën Schengen duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Presidenti francez tha se kjo po i kushton Kosovës mbështetjen e e Francës në këtë proces. Nga ana tjetër ai kërkoi që presidenti serb Aleksandër Vucic të dënojë më vendosmëri ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë. Gjithsesi, ashtu siç sqaroi dhe Macron, liberalizimi i vizave është një proces i të gjithë vendeve të BE-së.

“Dua ta them një gjë shumë qartë. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”.

Shqipëria shkëlqen kundër Bullgarisë dhe vendos rekord

Shqipëri e Sylvinhos po bëhet gjithnjë e më shumë ‘braziliane’, teksa edhe pse thjesht një miqësore, ndaj Bullgarisë vjen një tjetër gol spektakolar nga distanca.

Këtë herë ishte Ernest Muçi, që pasi studiou nga pankina Asanin e Bajramin për disa ndeshje radhazi, si një nxënës i mirë, tregoi se mund të shënojë edhe ai gola spektakolarë.

Një goditje perfekte nga më shumë se 25 mera distancë, që përfundoi në cepin e portës së Bullgarisë, vulosi suksesin 2-0 të Shqipërisë, që më herët kishte zhbllokuar sfidën me një tjetër aksion të bukur, të finalizuar nga Qazim Laçi.

Kjo ishte ndeshja e pestë radhazi me fitore në “Air Albania” dhe e pesta pa pësuar gol për kuqezinjtë…

“Situata në Gaza, si film horror”- Avionët luftarakë izraelitë godasin spitalin, mbi 500 të vdekur

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur Spitalin Baptist në Gaza dhe një shkollë ku strehohen 4000 persona.

Raportohet se gjatë sulmit në spital kanë humbur jetën mbi 500 persona, sipas një zëdhënësi të shëndetësisë të Palestinës.

Ndërsa të paktën gjashtë persona janë vrarë kur një shkollë u godit gjatë sulmeve ajrore në kampin e refugjatëve al-Maghazi në Rripin e Gazës, informuan Kombet e Bashkuara..

Dhjetra të tjerë u plagosën dhe mendohet se numri do të rritet, sipas deklaratës nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

“Kjo është skandaloze dhe përsëri tregon një shpërfillje për jetët e civilëve”, thuhet në deklaratë. “Asnjë vend nuk është më i sigurt në Gaza, madje as objektet e UNRWA.”

UNRWA thotë se goditja ndodhi gjatë bombardimeve izraelite në Rripin e Gazës.

“Të paktën 4,000 njerëz janë strehuar në këtë shkollë të UNRWA-s, e kthyer në strehë. Ata nuk kanë ku të shkojnë tjetër”.

Ambasadori palestinez në Britani, Husam Zomlot, shprehet se situata në Gaza është “pothuajse si të jetosh në një film horror të paimagjinueshëm”.

Zomlot shtoi se njerëzit në atje duhet të bëjnë zgjedhjen  “e tmerrshme” nëse duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, apo nëse duhet të vazhdojnë kujdesin jetik mjekësor si trajtimi i kancerit apo dializa.

“Është vërtet e paimagjinueshme ajo që ka ndodhur”, tha ai për BBC News.

Më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur deri tani, rreth gjysma e popullsisë së Gazës.

Rreth 3,000 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës që nga 7 tetori dhe 12,500 persona jane plagosur, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Dhe 61 palestinezë tani janë vrarë gjithashtu në Bregun Perëndimor të veçantë, me mbi 1,250 të plagosur.

Egjipti ka deklaruar se pretendimet se po refuzon të hapë pikën kufitare Rafah janë “të pasakta dhe të pahijshme”, dhe në vend të kësaj bombardimet ajrore të Izraelit e kanë bërë kalimin “të paarritshëm”.

Kalimi midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit është e vetmja rrugë për furnizimet me ndihma për të hyrë në Gaza nga jashtë Izraelit dhe e vetmja dalje që nuk të çon në territorin izraelit.

“Kalimi i Rafahut nga ana jonë është zyrtarisht i hapur”, tha Shoukry për BBC.

Megjithatë, pavarësisht nga radhët e kamionëve në anën e Egjiptit dhe mijëra palestinezëve në anën e Gazës, asgjë nuk po kalon nëpër vendkalimin, i cili në fakt mbetet i mbyllur.

Shoukry thekson gjithashtu rëndësinë e “ruajtjes së sigurisë dhe mirëqenies së banorëve të Gazës në territorin e tyre”.