zoom

Day Archive“ZGJOHET” Tirana! Tifozët kuqezi mbushin rrugët, festë e madhe pas fitores

Fitorja historike e Shqipërisë përballë Çekisë po festohet ashtu siç i takon.

Sonte nuk ka gjumë për tifozerinë shqiptare, e cila që në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit, nisi festën në stadiumin “Air Albania”.

Në fushën e blertë zbriti edhe këngëtarja Shkurte Fejza për të kënduar këngën “Mora fjalë”, që tashmë e shoqëron Kombëtaren në çdo ndeshje dhe është bërë himn.

Rreshtat i kënduan edhe lojtarët e Kombëtares.

Rrugët dhe sheshet kryesore ndërkohë janë mbushur plot me tifozë.

Shumë prej tyre kanë dalë me makina dhe po i bien borisë, të tjerë luajnë këngë patriotike, ndërsa të tjerë kërcejnë në grup.

Një super-atmosferë që zgjoi jo vetëm Tiranën, por edhe qytetet e tjera të Shqipërisë dhe që energjia premton se do të vazhdojë deri në agim.

Na bashkon futbolli, na ndan politika – Rama dhe Kurti ndjekin ndeshjen të distancuar

Mes qindra tifozëve që mbushën stadiumin “Air Albania” për supersfidën Shqipëri-Çeki, në tribunë ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Dy kryeministrat ndoqën ndeshjen dhe duartrokitën Kombëtaren, por ajo që ra në sy ishte distanca mes tyre.

Siç shihet nga fotot e mëposhtme, të dy liderët ruajnë distancën me njëri-tjetrin, duke treguar se përplasjet politike nuk janë vetëm në arenën politike, por i shoqërojnë Ramën e Kurtin edhe në evente të tjera.

Rama ishte i ulur në tribunë i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tyre Zaho.

Ndërkohë që kryeministri Kurti herë pas here u pa në këmbë në tribunë, teksa i buzëqeshur duartrokiste Kombëtaren Kuqezi.

Shqipëria shpartallon Çekinë dhe shkruan historinë!

Shqipëria u tregua e mrekullueshme sonte në fushën e blertë të “Air Albania”, ndërsa Çekia doli nga fusha e turpëruar.

Shqipëria iu shënoi tre gola çekëve, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e “Euro 2024”.

Sfida u zhbllokua me një super gol të Jasir Asanit që në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë Seferi shënoi dy gola personalë dhe vulosi fitoren e mrekullueshme dhe historike të Shqipërisë përballë Çekisë.

Në minutën e 83, kur na ndanin vetëm 7 minuta nga fundi i ndeshjes, Arbnor Muja shpartalluar rrjetën me golin e katërt, gol që u anulua nga sistemi VAR vetëm pak sekonda më vonë.

Dy sfidat e radhës Shqipëria i ka me Moldavinë dhe Ishujt Faroe dhe tashmë është vetëm një hap larg Euro 2024.

Tashmë rruga është shumë herë më e lehtë dhe në dy ndeshjet e fundit edhe na lejohet ndonjë gabim.

Shqipëri e çmendur! Shënon golin e tretë përballë Çekisë, festë e madhe në stadium

Një Shqipëri e papërmbajtshme përballë Çekisë.

Vetëm 16 minuta nga fundi i lojës, Kuqezinjtë shënuan golin e tretë dhe tashmë trepikëshin nuk na e merr dot askush.

Taulant Seferi shënoi golin e dytë personal për këtë sfidë dhe të tretin për Kombëtaren, duke thelluar ndjeshëm rezultatin përballë çekëve, që tashmë duken të dorëzuar në fushë.

Festa e tifozëve kuqezi në stadium ishte e madhe, brohorima e duartrokitje për Kombëtaren tonë.

Shqipëria dyfishon shifrat! Elektrizohen tifozët kuqezi

Në minutat e para të nisjes së pjesës së dytë, Shqipëria u fut e karikuar në fushë dhe dyfishoi rezultatin.

Një kundërsulm perfekt i kuqezinjve përballë çekëve dhe Seferi çoi topin në rrjetë në minutën e 52.

Edhe kontrolli me VAR nuk ndryshoi vendimin e fushës dhe në stadium shpërtheu festa.

Me një Çeki që po luan me 10 lojtarë sepse u ndëshkua me karton të kuq, duket se fitorja e Kuqezinjve është e betonuar, thënë kjo edhe pas një performance të shkëlqyer në pjesën e parë të lojës.

“Fluturoi” me makinë te diga e liqenit, arrestohet kushëriri i Ervis Martinajt

Emiljano Nina, i akuzuar për aksidentin e pazakontë që ndodhi në digën e Liqenit Artificial në Tiranë, u arrestua mbrëmjen e kësaj të enjteje nga policia.

Që kur ndodhi aksidenti, ai ishte në arrati, ndërsa sonte u vu në pranga nga efektivët e komisariatit nr. 4, në afërsi të zonës së “5 Majit” në Tiranë, në banesën e tij.

Efektivët kishin informacion se ai ishte në shtëpi dhe më pas organizuan aksionin për kapjen e tij.

Në momentin e arrestimit, Ninës nuk i është gjetur ndonjë send me vete

Emiljano Nina është kushlriri i Ervis Martinajt.

Ai po udhëtonte me shpejtësi marramendëse në Rrugën e Kosovarëve kur përfundoi në digën e liqenit. Më pas Nina mori targat e mjetit luksoz dhe e braktisi atë, duke ikur në arrati.

Deri më sot ai ishte në kërkim nga policia.

E akuzuan se pi kokainë – Enxhi Nasufi reagon ndaj komenteve në rrjet

Në rrjet, moderatorja dhe konkurrentja e “Dancing with the stars”, Enxhi Nasufi po akuzohet se konsumon kokainë.

Arsyeja? Një video e saj, ku Enxhi shfaqet duke kënduar “Doli goca n’penxhere” dhe i lëviz nofulla në mënyrë të pakontrolluar, e njohur si një nga efektet anësore të përdorimit të kokainës.

Komenteve dhe akuzave Enxhi ka zgjedhur t’iu përgjigjet me një video ironizuese. Ajo bën të njëjtën lëvizje nofulle, vetëm se këtë herë është e vullnetshme.

Ndëshkohet Çekia! Merr karton të kuq dhe ngelet me 10 lojtarë në fushë

Në minutën e 38 të lojës në “Air Albania”, Shqipëria rrezikoi të merrte golin e barazimit.

Çekët shënuan pas zhvillimit të një goditjeje dënimi me Çutil, por ky i fundit e shtyu topin me dorë në rrjetë.

Gjyqtari jo vetëm që i anuloi golin, por edhe e ndëshkoi me kartonin e dytë të verdhë sulmuesin.

Për pasojë, Çekia ngeli me 10 lojtarë në fushë, një mundësi kjo që duhet shfrytëzuar nga Shqipëria për të dyfishuar shifrat.

Karton të verdhë mori edhe Suçek për protesta ndaj vendimit të gjyqtarit.

FOTO-LAJM/ Në stadium nuk mungon Ballist Morina, rrethohet nga tifozët për foto

Shqipëria provon fatin sonte përballë Çekisë në stadiumin “Air Albania” për kualifikueset “Euro 2024”.

Kuqezinjtë vijnë në këtë duel si kryesues të grupit, teksa përballen me skuadrën që nuk ka humbur asnjë takim në këto kualifikuese.

Për të mbështetur Kombëtaren, mes qindra tifozëve është edhe Ballist Morina.

Ai është fotografuar në tribunën e “Air Albania”, ndërsa të shumtë janë tifozët që i janë afruar për të bërë foto me të, si tifozi më i famshëm kuqezi.

Ballist Morina e mori famën veçanërisht në vitin 2014, në sfidën e luajtur në Beograd, që tashmë është bërë pjesë e historisë.

Ai fluturoi dronin me flamurin ”Autochthonous” në Beograd.

Vetëm 9 minuta lojë! Shqipëria kalon në avantazh (VIDEO)

Vetëm 9 minuta lojë mjaftuan që Shqipëria të realizojë golin e parë në sfidën me Çekinë që po luhet në “Air Albania” për kualifikueset e “Euro 2024”

Jasir Asani shënoi një supergol, duke zhbllokuar sfidën dhe duke elektrizuar stadiumin.

Të gjithë tifozët shpërthyen në brohorima.

Ky është goli i tretë i Asanit në gjashtë ndeshje të luajtura.