zoom

Day ArchiveBayern ”poker” United, Inter shpëton në fund, fitojnë Real dhe Napoli

Fitore jo pa vështirësi për Bayern Munich, i cili mundi 4-3 Manchester United.

Bavarezët kontrolluan ndeshjen në pjesën e parë, duke kaluar në avantazh në minutën e 28-të me Sané (nga pasimi i Onanës).

Katër minuta më vonë vjen edhe goli i dytë: Musiala shpik për Gnabry, i cili mposht sërish ish-portierin e Interit dhe bën rezultatin 2-0.

Në pjesën e dytë, Djajtë e Kuq shkurtuan në minutën e 49-të diferencën me golin e parë të Hojlund, por përshtypja e rikthimit zgjat pak minuta.

Në minutën e 53-të, Kane shënon nga penalltia, por Bayern nuk ndalet dhe vazhdon të ruajë vrullin e ndeshjes.

Në finale Casemiro tenton të nxisë rikuperimin me 3-2 në minutën e 88-të, por vendasit përgjigjen katër minuta më vonë me Tel.

Me kalimin e kohës edhe mysafirët shënojnë për
4-3, sërish me Casemiro në minutën e 95-të. .

Tuchel e nis grupin me tre pikë të rëndësishme, periudha e keqe për Ten Hag te United vazhdon.

Interi, në kampionët e Evropës, e nisën rrugëtimin në Ligën e Kampionëve 2023/2024 me një barazim.

Në Anoeta ndeshja përfundoi 1-1 në shtëpinë e Real Sociedad.

Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 4-të me golin e Mendez pas shtyllës së Barrenetxea dhe kjo pjesë u mbyll 1-0.

Inter insiston në gjysmën e dytë dhe vetëm në minutën e 87-të Lautaro shënon dhe shpëton Inzaghin nga nokauti në debutimin e tij.

Zikaltrit së bashku me baskët kanë nga 1 pikë, -2 nga Salzburgu, të cilët i befasojnë të gjithë dhe fitojnë 2-0 në Benfica.

Fitore në minutën e fundit për Real Madridin, 1-0 ndaj Union Berlin me Bellinghamin e zakonshëm që shënoi në minutën e 94-të.

Arsenali mundi PSV 4-0 (Saka, Trossard, Gabriel Jesus dhe Odegaard), Napoli fitoi 2-1 në transfertë kundër Bragës, ndërsa Galatasaray-Copenhagen u mbyll 2-2 dhe Sevilla-Lens përfundoi 1-1.

Policia jep 20 mijë euro shpërblim kush jep informacion për 42-vjeçarin që plagosi efektivin

Policia ka ofruar shpërblim 20000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit të plagosjes së efektivit të Forcave “Shqiponja”.

Ndërkohë “Shqiponjat”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e 42 vjeçarit Klerent Bozhanaj.

Ndërkohë i kanë bërë thirrje qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.

Klerent Bozhanaj qëlloi me armë efektivin Edlir Alleshi pasditen e sotme në  (20 shtator) në rrugën “Hysen Xhura” në Tiranë.

Një patrullë e Forcës së Posaçme “Shqiponja kishin informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri dhe ishin vendosur në ndjekje të tij, por Klerent Bozhanaj qëlloi në drejtim të tyre duke pagosur efektivin Edlir Alleshi, i cili mori plumb në bark dhe ndodhet në spital.

Informacion shtesë i policisë së Tiranës:

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, Patrullat e Përgjithshme të mbështetura nga Renea, po vijojnë ndjekjen dhe kontrollin e zonës, për kapjen e personit të armatosur, shtetasit Klerent Bozhanaj, 42 vjeç, që plagosi punonjësin e Policisë, inspektor E. A.

Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që kushdo që ndeshet të bëjë kujdes pasi ky shtetas është i armatosur, dhe të njoftojnë menjëherë shërbimet e Policisë.

DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 20000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694111546, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

Tha se ishte ndarë me Arbenitën, Fero pendohet: Dashuria është e përhershme

Fero duket se është penduar për deklaratat e tij ku e quante ish-grua Arbenita Ismajlin.

Reperi nga Kosova ka “ndërruar mendje” dhe kjo është lënë të nënkuptohet nga postimet e tij në rrjetet sociale.

“Zënkat janë të përkohshme, dashuria është përgjithmonë”, shkruhet në postimin e Feros, ku sërish në foto janë një luan dhe luaneshë.

Mesa duket Fero s’ka hequr dorë nga nëna e fëmijës së tij dhe kërkon ribashkimin me modelen.

Por gati një javë më parë ai u shpreh se tani është mysliman dhe nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë modelja bën.

Fero shkruan në një postim në InstaStory se ruajnë respekt për njëri-tjetrin pasi kanë një vajzë, por thekson se Arbenita zgjodhi jetën e saj.

“Jam mysliman tani dhe nuk kam lidhje me atë çfarë bën ish-gruaja ime. Secili kemi jetën tonë por ruajmë respekt për njeri-tjetrin sepse kemi një vajze, por sot jam Mysliman dhe nuk kam lidhje me te. Ajo zgjodhi jetën e saj”, shkroi reperi.

Fero pas daljes nga burgu ku u arrestua për dhunën e ushtruar nga ish-bashkëshortes dhe kërcënimin e saj me jetë, deklaroi se kishte hequr dorë përfundimisht nga muzika.

Gjithashtu ai u shpreh se tani po i përkushtohet fesë islame dhe se asnjë nuk duhet t’i dëgjojë këngët e saj.

BE i kërkon “llogari” Polonisë për skandalin e vizave, i jep 2 javë kohë të përgjigjet

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Polonisë që të japë përgjigje për akuzat për mashtrim me vizat që kanë përfshirë partinë qeverisëse të vendit.

Mediat polake raportojnë se emigrantët i paguanin deri në 5,000 dollarë konsullatave polake dhe kompanive private për të shpejtuar aplikimet për viza.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian tha se i kanë dhënë Varshavës dy javë kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve. Ndërsa qeveria polake tha se akuzat për mashtrim ishin “absurde”.

Gjermania i ka kërkuar gjithashtu Polonisë të japë detaje në lidhje me numrin e vizave të dhëna dhe kombësinë e njerëzve që i kanë marrë ato.

Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser telefonoi homologun e saj polak, Mariusz Kaminski, për “akuzat serioze” të martën.

Qeveria polake ka pranuar se qindra viza janë lëshuar në mënyrë të paligjshme, por ka kundërshtuar pretendimet e opozitës se numri ishte shumë i lartë.

Partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) është e njohur për qëndrimin e saj të ashpër ndaj imigracionit dhe po konkurron në një platformë kundër imigracionit përpara zgjedhjeve kombëtare të 15 tetorit.

Mes fushatës së ashpër, opozita e ka quajtur atë “skandalin më të madh me të cilin jemi përballur në shekullin 21” dhe “korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë”.

Ndërsa ka deklaruar se janë qindra mijëra nga Azia dhe Afrika që kanë marrë viza.

Zëvendësministri i Jashtëm polak Piotr Wawrzyk u shkarkua në fund të gushtit pasi u publikuan akuzat.

Ministria e Jashtme po përballet me një auditim dhe byroja kundër korrupsionit e Polonisë ka kryer një kontroll në ministri.

Ministria tha se do të përfundojë të gjitha kontratat për kompanitë e jashtme që kishin trajtuar aplikimet për viza që nga viti 2011.

Në lidhje me akuzat u akuzuan shtatë persona, tre prej të cilëve mbeten në paraburgim.

Ligji dhe Drejtësia po kërkon një mandat të tretë në detyrë dhe ndërsa aktualisht kryeson në sondazhe, është e paqartë nëse do mund të fitojnë shumicën e plotë që u nevojitet për të qeverisur pas zgjedhjeve parlamentare të muajit të ardhshëm.

Opozita e ka përdorur skandalin për të hedhur akuza se politikat e qeverisë në frenimin e emigracionit po dështojnë.

Polonia vitin e kaluar përfundoi një pengesë çeliku 187 km përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë dhe vendosi mijëra ushtarë për të ndaluar emigrantët të kalonin në territorin e saj.

Varshava u përball me një krizë serioze me emigrantët e bllokuar në kufi në temperatura të ulta në fund të vitit 2021. Qeveria në atë kohë akuzoi Bjellorusinë se i shtynte emigrantët drejt kufirit në një “aktivitet armiqësor”.

Polonia ka qenë gjithashtu një kritike e vendosur e planeve të BE-së për të dërguar emigrantë nga vendet mesdhetare që shohin numrin më të madh të mbërritjeve në vendet e tjera anëtare.

Emigracioni ka qenë në krye të agjendës në Evropë gjatë javëve të fundit, me Italinë që ka bërë thirrje për ndihmë nga BE-ja pasi 8,000 emigrantë mbërritën në ishullin Lampedusa në tre ditë.

Ankthi e paniku, zbuloni arsyet pse ndodhin dhe cilat janë zgjidhjet që duhen

Një sulm paniku vjen papritur dhe të godet në qelizë. Trupi përpiqet ta luftojë por pa sukses.

Sulmi i panikut mund të ndodhë edhe kur je në gjumë, pa asnjë arsye në dukje të vlefshme.

Ndiheni të pashpresë, të humbur dhe mendja ju duket sikur do të ikë.

Më poshtë do të zbuloni shenjat që tregojnë se do të kaploheni nga një sulm paniku.

Shtrëngim në kraharor

Ndjesia e adrenalinës shton rrahjet e zemrës. Në raste të tilla, përjetohet një shtrëngim dhe dhimbje në kraharor dhe vështirësi të mëdha në frymëmarrje.

Ndjesia e mbytjes

Fyti ngushtohet dhe përtypja duket e pamundur. Në disa raste, sulmi i panikut shoqërohet me të përziera dhe të vjella. Këto ndjesi e bëjnë frymëmarrjen të vështirë.

Frika e fortë

Në këtë rast nuk po flasim për frikërat e përgjithshme që na vështirësojnë ditën, që ndonëse janë të pabazuara nuk na bëjnë të ndihemi sikur jemi buzë greminës.

Në rastet e një sulmi paniku, përjetoni ndjesinë që diçka vërtetë e tmerrshme do të të ndodhë ose do të vdesësh.

Pavarësisht se në rrethana normale, e di që kjo nuk është e vërtetë, terrori që ndien në rastet e një sulmi paniku, të pushton në mënyrë të frikshme.

Marramendje

Në rastet e një sulmi paniku, bota të vjen rrotull, ose të duket sikur po lundron në hapësirë pa kurrfarë kontakti me ambientin që të rrethon.

Djersitje dhe ethe

Kjo është një nga shenjat më klasike të ankthit dhe të sulmit të panikut. Mund të përjetoni djersitje në pëllëmbët e duarve por edhe në krahë, sqetulla e zona të tjera. Për më tepër, mund të keni edhe ethe.

Dridhje dhe therje

Në rastet e një sulmi të tillë të dridhet i gjithë trupi. Gjaku rrugëton drejt zemrës dhe muskujve ndërsa përjetoni ndjesinë e therjes ose mpirjes në gishtat e duarve dhe të këmbëve.

Kohëzgjatja e një sulmi paniku

Një sulm paniku godet menjëherë dhe arrin kulmin 10 minuta pas shfaqjes së simptomës së parë. Rrallëherë ndodh që sulme të tilla të zgjasin më shumë se një orë.

Në shumë raste ato zgjasin 20-30 minuta, por kohëzgjatja nuk është standarde.

Sulm në zemër?

Simptomat janë të ngjashme: Dhimbje kraharori, vështirësi në frymëmarrje, marramendje, djersitje dhe ndjesia e të mos paturit gjërat nën kontroll.

Nëse është hera e parë që përjetoni diçka të tillë, dhe nëse familjarët tuaj kanë pasur probleme me zemrën, ju rekomandojmë të shkoni menjëherë në urgjencë.

Koha për mjekun

Nëse keni përjetuar një ose dy sulme të tilla, ndoshta nuk keni nevojë të shqetësoheni.

Por nëse sulme të tilla ju ndodhin shpesh, atëherë duhet të takoheni me mjekun për të kuptuar shkaktarët e sulmeve dhe mënyrat e menaxhimit të tyre.

Vetëm mjeku mundet të dallojë nëse bëhet fjalë për një sulm paniku apo probleme më të thella me zemrën.

Shkaktarët

Sulmi i panikut shpesh ka lidhje me stresin ose me një problem fizik. Një prej tyre është tiroidja e cila prodhon më shumë hormone.

Mund të bëhet fjalë edhe për nivele të ulëta të sheqerit në gjak, nivele të larta të kafeinës ose përdorimi i amfitaminës, kokainës, drogave të tjera ose alkolit.

Çrregullimet e Panikut

Nëse jeni të shëndetshëm por sërish vuani nga ky problem, atëherë mund të jeni duke u përballur me një çrregullim paniku. Ky çrregullim kërkon ndryshime të rutinës suaj.

Zgjidhja

Hapi i parë është që të kuptoni se çfarë po ndodh. Nëse bëheni të vetëdijshëm që sulmi nuk do të shkaktojë probleme, do të zgjasë pak minuta dhe u ndodh edhe të tjerëve, do të jeni më pak të shqetësuar.

Terapitë dhe medikamentet në disa raste mund të ofrojnë shpëtim.

Marrëdhëniet njerëzore

Ankthi lulëzon nga vetmia. Takohuni, flisni dhe rrini me miq dhe të afërm.

Nëse nuk keni të tillë, përpiquni të bëheni pjesë e klubeve të ndryshme, aktiviteteve ku mund të takoni njerëz me interesa të përbashkëta me të cilët mund të krijoni marrëdhënie të mira shoqërore.

Gjumi

Përpiquni të flini 7-9 orë në ditë. Mbajeni dhomën e gjumit të freskët, në errësirë dhe larg zhurmave.

Mos shikoni televizor, kompjuter apo telefon përpara se të flini gjumë.

Krijoni një rutinë gjumi gjatë gjithë javës, edhe në fundjavë.

Aktiviteti fizik

Kryeni të paktën 30 minuta aktivitet fizik në ditë. Do të ndiheni më pak të stresuar dhe gjasat e një sulmi paniku do të përgjysmohen.

Ecni, vraponi, notoni, kërceni, alternativat janë të panumërta.

Shmangni duhanin, kafeinën dhe alkolin.

Këto janë shkaktarë të një sulmi paniku, por edhe mund ta përkeqësojnë atë. Medikamente si ato kundër alergjive, të ftohtit ose ato dietike kanë një efekt të ngjashëm.

Konsultohuni me mjekun nëse keni nevojë të ndryshoni diçka në rutinën tuaj.

Qetësimi

Meditimi dhe vetëkontrollo ndihmojnë në qetësimin tuaj. Merrni frymë thellë dhe në formë të kontrolluar që të qetësoheni që në fillim të shfaqjes së simptomave të sulmit./AgroWeb.org

Vjosa dhe aeroporti ndërkombëtar i Vlorës! Si investimi po shkatërron ekosistemin

Për të analizuar nga perspektiva të ndryshme ruajtjen e natyrës duke ndjekur parimet e zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut 25 anëtarë të Shoqatës Gjermane për Evropën Juglindore zhvilluan një udhëtim studimor, gjatë të cilit eksploruan disa nga peizazhet më të spikatura dhe pikat më të nxehta të biodiversitetit në këto vende dhe në rajonet kufitare mes tyre.

Në kuadër të udhëtimit studimor u zhvillua në Prizren edhe konferenca “Biodiversiteti dhe Ruajtja e Natyrës në Ballkanin Perëndimor”. Prizreni ndodhet në skajin jugor të Malësisë së Sharrit. Parku Kombëtar i Sharrit është pjesë e një prej zonave të mbrojtura më të mëdha në Evropë, që shtrihet në tri vende: Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Vjosa dhe aeroporti ndërkombëtar i Vlorës

Lumi i Vjosës ka marrë një vëmendje të jashtëzakonshme ndërkombëtare, si një lumë që ka një biodiversitet të jashtëzakonshëm dhe mbi të gjitha, sepse është i pa ndërprerë gjatë gjithë rrjedhjes së tij, që nga burimi deri në grykëderdhje. Në Vjosë ka mbi 250 lloje shpezësh të pranishme. Mbi 150 lloje janë të listuara në konventën e Bernës si lloje të mbrojtura dhe me interes të lartë për ruajtjen.

Por Aleksandër Trajçe, drejtor ekzekutiv i OJQ-së Mbrojtja dhe Ruajtja e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), thotë për DW se “ishte zhgënjim i madh që në shpalljen e Vjosës park kombëtar, u la jashtë parkut kombëtar pjesa e deltës së lumit Vjosa, si pjesa më biodiverse e parkut kombëtar. Për ne është shumë të qartë se kjo është bërë për shkak përfitimi, pasi në deltën e lumit Vjosa që prej fund të vitit 2021 po ndërtohet aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, i cili është një investim jo vetëm që po rrezikon ekosistemin të pjesës me biodiversitetin më lartë të Vjosës. Kjo do të ndërpresë edhe një rrugë migratore që mijëra shpendë e përdorin për të migruar nga Evropa në Afrikë, ajo që quhet rruga e migrimit të Adriatikut (adriatic flight way). Pra nuk është vetëm  ekosistemi i deltës së Vjsosës apo natyra Shqipërisë që po dëmtohen, por prej ndërtimit të këtij aeroporti i bëhet një dëm i jashtëzakonshëm gjithë kontinentit evropian dhe më gjerë.

Trajçe kërkon që të ndalohen menjëherë punimet për këtë aeroport dhe të gjehen zgjidhje alternative për këtë situatë. “Ai aeroport do të sjellë një dëm të pariparueshëm për natyrën e Shqipërisë.”

Mediat dhe mjedisi

Ndër temat që u trajtuan në konferencë ishte edhe çfarë mund të bëjnë mediat për të përhapur dhe ngritur vetëdijen për mjedisin dhe  mbrojtjes së natyrës në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë panel Adelheid Feilcke, drejtore e programeve për Evropën dhe Ballkanin Perendimor në Deutsche Welle dhe gazetarja Behare Bajraktari, drejtuese e programit ON AIR Radio Kosova, emision i profilizuar për tema mjedisore, diskutuan se si mediat mund të mbështesin sistemin edukativo-arsimor për të arritur suksese në kauzat për një mjedis natyrë të pastër për të gjithë. /DW

Ambasadori amerikan në Kosovë: Asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara presin, si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, që t’i zbatojnë të gjitha detyrimet dhe angazhimet e ndërmarra me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas tij, Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe “ky duhet të jetë ndër hapat e parë”.

“Ne besojmë se ai duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Ne besojmë se duhet të jetë plotësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne nuk besojmë se duhet të ketë autoritete apo kompetenca ekzekutive”, thotë Hovenier.

Ambasadori amerikan shton se Serbia duket se ka vizion tjetër, por kjo, sipas tij, “nuk do të thotë se Kosova nuk mund ta çojë përpara një asociacion që i adreson shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë”.

“Serbia mund të kërkojë më shumë, por, në fund të fundit, kjo është ajo që Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare janë të përgatitura ta shohin si të pranueshme”, thotë Hovenier.

Ai shfaq shpresën se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të punojë me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian drejt këtij “qëllimi strategjik”.

Nëse nuk e bën këtë, thotë Hovenier, do të ketë pasoja.

“Ne jemi shumë të përkushtuar që ta shohim përparimin e Kosovës, por nuk mund të na interesojë më shumë sesa Qeverisë së Kosovës”, thotë Hovenier.

Ambasadori amerikan thekson, po ashtu, se ndërmjetësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi gëzojnë “besim të fuqishëm” nga SHBA-ja.

Javën e kaluar, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar bisedime në Bruksel, por nuk kanë bërë ndonjë përparim. Nga këndvështrimi i SHBA-së, a është ndonjëra palë që ka faj më të madh për këtë?

Jeffrey Hovenier: Me siguri e keni parë deklaratën tonë publike pas takimit të dy udhëheqësve – me lehtësimin e Bashkimit Evropian – më 14 shtator. Dhe, nga Departamenti i Shtetit kemi shprehur zhgënjimin tonë që nuk ka pasur përparim.

E dini, ne, në një masë të madhe, e mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështesim konkluzionet e lehtësuesve – në këtë rast, të përfaqësuesit të lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak.
Këtu ka një sërë faktesh. Fakt është se është mbajtur një takim, janë zhvilluar diskutime të vështira, është punuar në përpjekje për të arritur një marrëveshje për një plan të sekuencuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Dua të jem i qartë se – nga këndvështrimi i SHBA-së – ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre, të ndërmarra në Ohër, dhe me Aneksin e zbatimit [të marrëveshjes].

Siç e ka thënë edhe përfaqësuesi i lartë, Borrell, në deklaratën për media në fund të ditës, ai ka nxjerrë një kompromis, që Serbia në fund e ka pranuar dhe Kosova jo. Kjo është për të ardhur keq. Shpresa jonë është që edhe Qeveria e Kosovës do të gjejë, gjithashtu, një mënyrë për të punuar me lehtësuesit e BE-së [të dialogut], për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara.

Por, çfarë ka ndodhur të enjten? Pse Qeveria [e Kosovës] nuk ka mundur ta gjejë atë rrugë të përbashkët?

Jeffrey Hovenier: Është e vështirë të përgjigjem, nuk kam qenë atje dhe nuk ka pasur zyrtarë amerikanë, të pranishëm në atë rund [bisedimesh]. Nganjëherë, e kemi një pasqyrë më të mirë. Andaj, nuk mund t’i përgjigjem pyetjes.

Me sa kam kuptuar, Qeveria e Kosovës i ka pasur disa shqetësime specifike për kohën e nisjes së një procesi të besueshëm për negocimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dhe, ka qenë kërkesë e SHBA-së dhe pritje e SHBA-së nga Qeveria e Kosovës që ajo punë të fillojë dhe të fillojë shumë shpejt. Është një element urgjent i zbatimit të [Marrëveshjes] së Ohrit.

Tani sërish, dua të jem i qartë, ne presim që të dyja palët t’i zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet dhe angazhimet e tyre me Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e zbatimit. Por, nuk është sekret që kemi kohë që e themi se një nga këto angazhime është çuarja përpara e Asociacionit. Kjo, sidomos, duhet të ecë përpara me njëfarë urgjence të vërtetë. Kjo është shpresa jonë.

Cili është mendimi i SHBA-së për radhitjen e hapave të zbatimit të planit? A po i kërkohet Kosovës tani ta themelojë Asociacionin fillimisht dhe pastaj ta sigurojë njohjen de facto nga Serbia, apo këto të dyja duhet të bëhen në të njëjtën kohë? Kjo ishte pjesë e planit që, në fakt, kryeministri [i Kosovës] e prezantoi të enjten – që fillimisht të ketë njohje de facto dhe pastaj Asociacioni…

Jeffrey Hovenier: Nëse dëgjoni me vëmendje atë që ka thënë përfaqësuesi i lartë, Borrell, pas takimit… Ai ka thënë se, si rrugë përpara, ka sugjeruar dy pista paralele. Nevoja për të ecur urgjentisht përpara me një proces të besueshëm për hartimin e statutit të Asociacionit, është një pjesë e kësaj. Dhe, kjo është gjëja kryesore që ne ia kemi kërkuar Kosovës, gjëja më e vështirë por gjëja kryesore që ia kemi kërkuar Kosovës në lidhje me zbatimin e [Marrëveshjes] së Ohrit. Por, në të njëjtën kohë, paralelisht, do të punohej në këto gjërat politike, në zbatimin e angazhimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Për një vëzhgues të jashtëm, kjo duket si një gjë e arsyeshme, procese paralele, pista paralele. Duhet të jepni pak dhe të merrni pak. Dhe, ne do të mund të shpenzonim shumë kohë në atë se kush bën çfarë, kur saktësisht dhe me çfarë rendi… Por, le të jemi të sinqertë, në fund të fundit, të dyja gjërat duhet të ndodhin. Kosova duhet të fillojë ta çojë përpara Asociacionin.

 Pra, kjo duhet të jetë gjëja e parë?

Jeffrey Hovenier: Kjo duhet të jetë ndër hapat e parë. Kjo është ajo që ne e kemi thënë për një kohë të gjatë. Ka një urgjencë për këtë. Ne, gjithashtu, kërkojmë që Serbia t’i përmbushë angazhimet e saj, sipas Marrëveshjes së Ohrit.

Por, [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti nuk pajtohet me këtë…

Jeffrey Hovenier: E di që kryeministri Kurti, natyrisht, nuk e ka pranuar propozimin që ka nxjerrë në tryezë përfaqësuesi i lartë [Josep Borrell]. Nga këndvështrimi ynë, kjo është për të ardhur keq.

Është edhe një mundësi për mua të them diçka, sepse kam parë shumë shqetësime dhe kritika për lehtësuesit e Bashkimit Evropian. Duhet të them se, nga këndvështrimi i SHBA-së, nuk pajtohemi me këto kritika. Ky nuk është vlerësimi ynë i rrethanave.

Mirosllav Lajçak gëzon besim të fuqishëm nga Bashkimi Evropian. Ai e ka dhënë një deklaratë për këtë, dy ditë më parë, si dhe për përfaqësuesin e lartë. Ai gëzon besim të fuqishëm edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi punuar me të në kontekste të tjera, kemi punuar me të këtu. Më duhet të them se ne nuk vlerësojmë se ai çon përpara kërkesat e Serbisë, ose është duke u komprometuar në njëfarë mënyre.

Ne e shohim si një diplomat shumë të aftë, kompetent, që bën përpjekje për të gjetur një rrugë përpara, që është në gjendje të arrijë marrëveshje nga dy palë shumë, shumë të kundërta, për një sërë çështjesh të ndjeshme. Dhe, ne e përgëzojmë për punën e tij.

Por, duke pasur parasysh atë që thatë, se SHBA-ja mbështet BE-në, Borrellin dhe Lajçakun, megjithatë Kurti mendon se Mirosllav Lajçak po ia mban anën Beogradit dhe tha se ai është i njëanshëm, nuk është neutral dhe jo i drejtë. Çfarë ndodh nëse kryeministri Kurti vendos që të mos bashkëpunojmë më me zotin Lajçak?

Jeffrey Hovenier: Nuk më pëlqen t’u përgjigjem pyetjeve hipotetike. Shpresa ime dhe pritjet e mia janë që Qeveria e Kosovës do të punojë me përfaqësuesit e emëruar të BE-së që sërish të arrijnë së bashku këtë synim strategjik.

Sërish, pse e kemi Ohrin?

Nga perspektiva e SHBA-së, i gjithë qëllimi i kësaj manovre për të përmbushur një vizion, një vizion për të parë Kosovën më të integruar dhe krejtësisht të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Kjo nënkupton që Kosova të lëvizë drejt BE-së, drejt NATO-s, nënkupton trajtimin e disa prej këtyre pengesave që dolën gjatë rrugës në të kaluarën. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është përmes përparimit në dialog.

SHBA-ja mbështet normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është ajo se çfarë do të duhej të bëjë Marrëveshja e Ohrit, si një hap shumë i rëndësishëm drejt synimit tonë më afatgjatë – njohjes së ndërsjellë.

Por, ne mendojmë se kjo është ajo çfarë mund të arrihet tani. Dhe, kjo duhet të ndodhë sepse pa të, rruga e Kosovës drejt Evropës është e kufizuar. Kam sjellë me vete deklaratën e BE-së që është publikuar dy ditë më parë. Është një pjesë që besoj se është e rëndësishme të theksohet. Në paragrafin e fundit ata thonë se “BE-ja ua rikujton palëve se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë shkon nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe nëpërmjet normalizimit të raporteve të tyre.

Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësinë për të bërë përparim në rrugët e tyre evropiane”.

Ne pajtohemi plotësisht me këtë. Ne e shohim dialogun si mënyrë [të ecjes] përpara.

Asociacioni, “nuk duhet të ketë kompetenca apo fuqi ekzekutive”

Pra, për t’iu kthyer pyetjes suaj, shpresa jonë është që Qeveria e Kosovës të shohë këtë mundësi strategjike dhe të gjithë ne që jemi të përfshirë, të gjejmë një mënyrë për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara – që rezulton me zbatimin e plotë nga të dyja palët të të gjitha obligimeve dhe zotimeve të tyre që dalin nga kjo marrëveshje. Dhe, për Kosovën, njëra prej obligimeve më të rëndësishme është që të lëvizë përpara me një proces të besueshëm për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kur jemi te kjo çështje, dua të them diçka që – se unë e kuptoj plotësisht – ne i kuptojmë plotësisht shqetësimet nga shumë [pjesëtarë] në Qeverinë e Kosovës se një Asociacion mund të përfundojë si diçka që ka efekt negativ, për të mos thënë shkatërron funksionet efektive të shtetit. Dua të them – e kam thënë edhe më parë, por e shfrytëzoj çdo mundësi që ta them sërish – dua të jem i qartë për vizionin e SHBA-së sa i përket Asociacionit.

Ne besojmë se ai duhet të jetë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Besojmë se duhet të jetë krejtësisht në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016. Ne nuk besojmë se duhet të ketë kompetenca apo fuqi ekzekutive. Ne mendojmë se duhet të ketë përputhje me zotimet e bëra nga BE-ja – letra e Mogherinit.

Ne i kemi thënë të gjitha këto përmes një dokumenti publik që është nënshkruar nga këshilltari i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, dhe nga zëvendësndihmëssekretari dhe i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Unë e kam thënë këtë disa herë.

Ne shpresojmë se do të ketë një lloj niveli të besimit, ne po e mbështesim këtë proces dhe kur e themi këtë, e themi përnjëmend. Dhe, kjo është e vërtetë.

Ne do të punojmë me Qeverinë e Kosovës dhe të tjerët që të sigurohemi se kjo gjë, që ne besojmë se është e nevojshme, është një mjet i rëndësishëm për t’iu përgjigjur shqetësimeve të komunitetit etnik serb të Kosovës, por që bëhet në një mënyrë që nuk ka këto efekte negative, që duket se janë shumë shqetësuese për Qeverinë [e Kosovës].

Ju besoni, Qeveria e Kosovës beson, BE-ja beson se duhet të themelohet në linjë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, Serbia nuk beson kështu.

Jeffrey Hovenier: Pajtohem se duket që Serbia ka një vizion të ndryshëm, por kjo nuk nënkupton që Kosova nuk mund të lëvizë përpara me Asociacionin që adreson shqetësimet e komunitetit etnik serb në Kosovë apo ia përmirëson statusin, dhe të njëjtën kohë të jetë besnike ndaj të gjitha këtyre kufizimeve që unë sapo përmenda. Këtë po ia kërkojmë Kosovës.

E, çfarë ndodh nëse Serbia nuk e pranon një gjë të tillë dhe kërkon më shumë?

Jeffrey Hovenier: Epo, Serbia mund të kërkojë më shumë, por në fund të ditës kjo është ajo që SHBA-ja dhe komuniteti ndërkombëtar janë të gatshëm të shohin si të pranueshme.

Cilat janë garancitë se Asociacioni në një pikë nuk do të përfundojë sikurse një Republika Sërpska?

Jeffrey Hovenier: Besoj se duhet të ketë një lloj besimi në SHBA-në dhe në zotimet që ne kemi bërë se ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Ne jemi pajtuar që të mos ndodhë ashtu dhe jemi serioz për këtë.

Po ashtu, dua të di mendimin tuaj nëse po shtyhet përpara themelimi i Asociacionit që komuniteti serb në Kosovë të fitojë më shumë të drejta apo është një lëvizje më e madhe nga Perëndimi që të sigurohet se Serbia është e kënaqur dhe të tentohet të krijohet një distancë më e madhe mes Serbisë dhe Rusisë?

Jeffrey Hovenier: Unë mund të flas për motivimet e mia. Kam shpenzuar shumë vite të jetës sime duke punuar në pjesë të ndryshme të kësaj enigme, Kosovës. Kam shërbyer me Martti Ahtisaarin, në kohën kur po zhvillohej Plani i Ahtisaarit, kam punuar me William Walkerin kur kam qenë pjesë e misionit tonë të OSBE-së, kam punuar në Kosovë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në kohën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mori vendimin.

Ajo çfarë më motivon mua është që të sigurohem që kjo Qeveri është e mjaftueshëm e hapur për këtë çështje shumë të ndjeshme, pra për komunitetin etnik serb në Kosovë që ai të mund të jetë në gjendje të ushtrojë të drejta në përputhje me ligjet e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Është e rëndësishme që atyre t’u jepet një hapësirë që ta bëjnë këtë. Kjo e motivon SHBA-në.

 Dhe, çka nëse kjo Qeveri nuk i përgjigjet kësaj [kërkese] dhe nuk bashkëpunon për Asociacionin?

Jeffrey Hovenier: Epo, prapë, kjo është pyetje paksa hipotetike. Kryeministri ka thënë se ai i kupton obligimet e Kosovës për themelimin e një Asociacioni. Aty ku gjërat duket se kanë ngecur tani, është pikërisht pyetja specifike se në çfarë rendi do ta zbatojmë një marrëveshje, për të cilën ne besojmë se është një marrëveshje shumë e rëndësishme për të dyja vendet. Shpresoj që kryeministri do ta kuptojë se ndoshta do t’i duhet ta bëjë këtë më herët sesa do të donte, që të mund t’i çojë përpara këto gjërat e tjera, por për të mirën e vendit.

Dhe, nëse nuk e bën?

Jeffrey Hovenier: Epo, atëherë mendoj se do të ngecim për pak kohë dhe do të ketë pasoja, por mendoj se duam ta shmangim atë.

A po e rishikojnë Shtetet e Bashkuara mbështetjen e tyre për Kosovën?

Jeffrey Hovenier: Kur them pasoja, nuk e kam fjalën për masa specifike. Po flas vetëm për mundësitë e humbura. Kështu që, unë nuk e di se si Shtetet e Bashkuara do të mund ta ndryshonin mbështetjen e tyre për Kosovën në lidhje me përkushtimin tonë ndaj popullit të Kosovës dhe idesë së Kosovës si një shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe multietnik. Dhe, sigurisht, ne shpenzojmë kaq shumë kohë dhe përpjekje për ta avancuar këtë vizion që Kosova të jetë ajo që është – një shtet me madhësi të vogël ose të mesme i Ballkanit Perëndimor që është plotësisht i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Vizioni ynë për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe, nuk mund të realizohet pa qenë pjesë e kësaj edhe Kosova. Dhe, për këtë arsye ne kemi bërë kaq shumë përpjekje. Kështu e shohim ne.

Duke iu rikthyer Asociacionit, di që zotëri [Gabriel] Escobar, në dhjetor, përmendi mundësinë e kërkimit të partnerëve alternativë për krijimin e Asociacionit. A janë Shtetet e Bashkuara ende në kërkim të tyre?

Jeffrey Hovenier: Mendoj se ajo që donte të thoshte zoti Escobar ishte që, nëse Qeveria nuk dëshiron të sjellë ide, ka grupe të shoqërisë civile dhe të tjerë që munden dhe do ta bënin. Mendoj se, në fund të fundit, të gjithë e kuptojmë që vetëm Qeveria e Kosovës mund të parashtrojë dispozita që Qeveria e Kosovës do t’i pranojë dhe zbatojë.

Ne flasim me shumë partnerë në mënyra të ndryshme se cilat janë disa ide se si mund ta bëni këtë, si mund t’u përgjigjeni shqetësimeve të komunitetit etnik serb në një mënyrë që është në përputhje me këto mburoja që përmenda: Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha të tjerat. Ka shumë ide kreative. Kështu që, unë mendoj se kjo ishte ajo që ai donte të thoshte.

Nëse lidershipi i Kosovës vazhdon në këtë rrugë siç veproi të enjten, a mund të ketë një pikë ku mund të ketë një dëmtim të përhershëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara?

Jeffrey Hovenier: Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur. Dhe përsëri, kjo është një pyetje pak hipotetike. Ajo që do të thosha është se ne duam ta shohim një partneritet të mirë me këtë Qeveri duke ecur përpara me një agjendë të përbashkët. Të dy duam ta shohim Kosovën ta zërë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne, Shtetet e Bashkuara, besojmë se kjo mund të arrihet vetëm përmes përparimit në dialog.

Dhe, unë mendoj se edhe Qeveria pajtohet me këtë, por kemi ngecur pak për mënyrat më të mira për ta bërë këtë në rrugën përpara. Pra, ajo në të cilën ne po përpiqemi të përqendrohemi – dhe ajo që unë besoj se Mirosllav Lajçaku dhe Josep Borrelli dhe të tjerët po përpiqen të fokusohen – është se si ta bëjmë këtë në një mënyrë që… sepse kemi dy palë që negociojnë… si ta bëjmë këtë në një mënyrë që t’u mundësojë të dyja palëve të kenë pak nga ato që po kërkojnë, pak nga ato që duan, por që është e kënaqshme për të ecur përpara.

A keni durim?

Jeffrey Hovenier: Ne jemi diplomatë. Kështu që, unë mendoj që një nga cilësitë e një diplomati të mirë është durimi strategjik.

Do të kaloja pak në veri dhe do të flisja për veriun. Sipas jush, a ka ndodhur shtensionimi [i situatës] në veri?

Jeffrey Hovenier: Epo, ka pasur njëfarë shtensionimi, por sërish, nëse mund ta citoj deklaratën e BE-së, me të cilën jemi plotësisht dakord… ajo thotë shumë qartë se ka pasur hapa, por që hapat e ndërmarrë deri më tani janë të pamjaftueshëm dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar. Mendoj se ky është një pasqyrim i saktë i situatës tani.

Ne mirëpresim hapat fillestarë të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për të bërë disa nga gjërat që kishim kërkuar nga Qeveria e Kosovës të bënte për të ndihmuar në uljen e tensioneve në veri. Por, ne nuk besojmë se tensionet janë ulur plotësisht dhe as Qeveria nuk ka ndërmarrë të gjitha veprimet që BE-ja dhe ne, fillimisht, i kërkuam t’i ndërmarrë.

Pra, kjo është ende një punë në progres. Mund të bëhet më shumë dhe ne jemi thellësisht të shqetësuar për veprime të tjera që mund të rrisin përshkallëzimin. Kështu, deklarata e BE-së u referohet shqetësimeve që kemi në lidhje me dëbimet nga ndërtesat publike, çuarjen përpara të shpronësimit të tokës dhe gjëra të tjera që mund ta bëjnë këtë më të vështirë dhe t’i rrisin tensionet. Ashtu siç kemi shprehur kritika për disa nga veprimet e ndërmarra nga Serbia, që kanë rritur, gjithashtu tensionet, disa nga këto [janë] kërcënimet ndaj policëve, të cilët po bëjnë çmos për ta mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe përgjegjësitë e saj për të zbatuar sundimin e ligjit në veriu.

Çfarë tjetër prisni të ndodhë në veri për një shtensionim të plotë?

Jeffrey Hovenier: Për ta arritur shtensionimin?

Po…

Jeffrey Hovenier: Epo, mendoj se është mirë t’i kthehemi asaj që kemi kërkuar gjatë gjithë kohës dhe asaj që përshkruhej në deklaratën fillestare të BE-së. Mendoj se ishte 3 qershori.

Ne kërkuam që Policia e Kosovës të mos veprojë më në afërsi të objekteve komunale. Kërkuam që kryetarët e komunave të punojnë nga lokacione alternative – Disa e kanë bërë, disa jo. Dhe, ne kërkuam që zgjedhjet e reja të caktohen mjaft urgjentisht dhe ne kërkuam që serbët të marrin pjesë në ato zgjedhje pa kushte.

Mirë, atëherë si parashikoni të zhvillohen këto zgjedhje?

Jeffrey Hovenier: Kjo është një pyetje e mrekullueshme. Për momentin nuk kam përgjigje. Qeveria e Kosovës ka vendosur një kornizë ligjore që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve. Dhe, ne e vlerësojmë këtë dhe e mirëpresim. Unë do të them, gjithashtu, se ka një diskutim… Procesi që është vënë në vend, që kërkon që një përqindje e votuesve të regjistruar ta nënshkruajnë një peticion që më pas kërkon një lloj referendumi për shkarkim dhe më pas kërkon një lloj votimi… Ndonëse e ligjshme dhe e mundshme, është komplekse. Dhe kështu, siç tha kolegu im, Gabriel Escobar, ekziston edhe mundësia që kryetarët e komunave vetëm të japin dorëheqje.

Ne e dimë se edhe kjo shkakton zgjedhje të reja, sepse kjo është ajo që shkaktoi zgjedhjet e mëparshme. Unë do të thosha se nuk e di se si do të jetë procesi. Dhe, gjithashtu, do të thosha se zgjedhjet marrin kuptim kur e dimë se serbët do të marrin pjesë. Siç e thashë, një nga dëshirat e shprehura të BE-së në deklaratën e saj të fundit. Dhe, një nga gjërat që kemi thënë edhe ne është se qëllimi i zgjedhjeve është t’i shtensionojë tensionet në veri. Kjo ndodh vetëm nëse serbët marrin pjesë.

Pra, një nga gjërat që ne po kërkojmë, gjithashtu, është që serbët në veri ta pranojnë. Ata jetojnë në Kosovë. Ata janë qytetarë në sistemin juridik të Kosovës. Ata duhet të marrin pjesë në proceset demokratike për t’u siguruar që të drejtat e tyre avancohen dhe respektohen.

Këtë e prisnit edhe në prill. Ata nuk e bënë.

Jeffrey Hovenier: Ne u kërkuam atyre. Ata bënë zgjedhjen që të mos [merrnin pjesë në zgjedhje] dhe për fat të keq ne kemi rezultatin që kemi tani.

Pra, a do të varej shtensionimi tani edhe nga vendimi i tyre nëse do të votojnë apo jo?

Jeffrey Hovenier: Epo, mendoj që në aspektin praktik, po. Situata do t jetë më pak e tensionuar. Do të ketë më pak, e dini… do të jetë një ambient më pak i tensionuar nëse zgjedhjet komunale mbahen me pjesëmarrjen e serbëve dhe qytetarët në veri ndihen sikur përfaqësohen nga institucionet politike. Në një kuptim praktik, po.

Ambasador, edhe përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, dhe Departamenti i Shtetit thanë se koha po mbaron. A munden Kosova dhe Serbia ta rrezikojnë vëmendjen ndërkombëtare në të ardhmen me procese të ardhshme zgjedhore, si në BE, ashtu edhe në SHBA?

Jeffrey Hovenier: Besoj se, aktualisht, jemi në një moment që u jep mundësi reale edhe Kosovës edhe Serbisë për të ecur përpara dhe për të lënë prapa disa nga gjërat që i kanë penguar trajektoret e tyre të ndërsjella. Dhe, unë mendoj se ai moment nuk është i pafund. Ka një sërë gjërash që mund ta kufizojnë atë moment. Disa janë procese zgjedhore në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Disa janë, gjithashtu, vetëm shkalla në të cilën ne arrijmë të bëjmë përparim përpara se pikat e ndezjes dhe dhuna t’i kapërcejnë rrethanat.

Dhe kështu, sërish, këshilla jonë këtu në Prishtinë për Qeverinë e Kosovës, për të cilën unë jam përgjegjës, është që përfitoni nga kjo mundësi, që nuk është e pafundme. Lëvizni me urgjencë, në mënyrë konstruktive, në dialog. Shikojeni dialogun ashtu siç është – mundësi për të ripozicionuar marrëdhëniet tuaja me Serbinë dhe për të avancuar më tej integrimin tuaj në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Dhe, durimi nuk do të jetë i pakufishëm për të përfituar nga kjo mundësi ose për të bërë përpjekje të konsiderueshme nga njerëz të nivelit të lartë politikë për ta çuar përpara këtë.

Ne jemi shumë të përkushtuar që ta shohim Kosovën përpara, por nuk mund të na interesojë neve më shumë se Qeverisë së Kosovës. /REL

Plagosi efektivin, Tonin Vocaj: Autori ka shenja të theksuara depresioni

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, ka deklaruar se Klerent Bozhanaj, i cili plagosi efektivin Edlir Alleshi, ka shenja të theksuara depresioni.

Ai ka deklaruar se 42 vjeçari ka qenë emigrant në Itali është kthyer në gusht në Shqipëri.

Vocaj shtoi se po komunikojnë me familjarët e tij dhe se nuk kanë të dhëna për përfshirje në aktivitet kriminale.

Tonin Vocaj: “Ka një dëmtim me armë zjarri. Policia dhe RENEA janë mobilizuar për kapjen e autorit i cili quhet Klerent Bozhanaj i datëlindjes 1981.

Ky person është i armatosur dhe ka shenja të theksuara depresioni. Vazhdojnë veprimet e policisë. Po komunikojme me familjarët. Policia vendos shumën 20 mijë euro për informacion të vlefshme që çon në kapjen e autorit. Ne nuk kemi shumë të dhëna për momentin.

Dime që ky person ka qenë emigrant në Itali është kthyer në gusht në Shqipëri. Nga hetimet e deritanishme është evidentuar fakti që ka shenja depresive dhe nuk kemi të dhëna për përfshirje në aktivitet kriminale.”

Del foto/ Ky është efektivi i “Shqiponjave” që u plagos me plumb në bark nga 42-vjeçari

Personi që shikoni në foto është efektivi i “Shqiponjave”, Edlir Alleshi, që u plagos me plumb në bark nga një 42-vjeçar pasditen e sotme (20 shtator) në rrugën “Hysen Xhura” në Tiranë.

Efektivi Edlir Alleshi

Efektivi Edlir Alleshi

Një patrullë e Forcës së Posaçme “Shqiponja kishin informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri dhe ishin vendosur në ndjekje të tij.

Por Klerent Bozhanaj qëlloi në drejtim të tyre duke pagosur efektivin Edlir Alleshi.

Ai ka marrë një plumb në pjesën e barkut dhe më pas është dërguar me emergjencë në spital.

Në ndjekje të personit të autorit Klerent Bozhanaj janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.

Autori Klerent Bozhanaj

Autori Klerent Bozhanaj

Njoftimi i policisë:

Në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar.

Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor E. A., i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.

Emri/ Plagosi efektivin në Tiranë, zbulohet identiteti i autorit! Kush është 42-vjeçari

Autori i plagosjes e së efektivit Edlir Alleshi në Tiranë pasditen e sotme (20 shtator) është identifikuar.

Ai është  42-vjeçari Klerent Bozhanaj dhe policia është vendosur në ndjekje të tij për ta vendosur në pranga.

Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.

Efektiv i repartit “Shqiponja” u plagosur me armë zjarri pasditen e sotme në Tiranë, ndërsa janë zbuluar detaje rreth ngjarjes së rëndë.

Mësohet se një patrullë e Forcës së Posaçme “Shqiponja ka marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, të cilin më pas e kanë ndjekur.

Sipas njoftimit të policisë personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur efektivi Edlir Alleshi, i cili dyshohet se ka marrë një plumb në pjesën e barkut dhe më pas është dërguar me emergjencë në spital.