zoom

Day ArchiveVjosa Osmani thirrje Unionit: Përshpejtoni rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Europian

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që ta përshpejtojë procesin për ta bërë Kosovën me status të vendit kandidat për anëtarësim në këtë bllok.

Ajo është thënë t’i ketë bërë këto deklarata në një drekë tradicionale të organizuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borell në Nju Jork, atje ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë pas takimit se Serbia është e hapur ndaj “bashkëpunimit konstruktiv në rajon që synon përmbushjen e objektivit tonë strategjik – anëtarësimit në BE”.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik.

Nga ajo kohë, vetëm Kroacia, nga vendet e rajonit, është anëtarësuar në BE, në vitin 2013.

Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë bllok në dhjetor të vitit të kaluar.

“Masat kundër Kosovës nuk kontribuojnë në avancim të dialogut”

Mes tjerash, Osmani ka vlerësuar se masat e marra nga BE-ja ndaj Kosovës nuk i kontribuojnë avancimit të dialogut dhe prekin interesat e mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.

BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të vendit në maj.

Atje, banorët lokalë serbë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesa komunale dhe situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Osmani ka vlerësuar se Kosova është palë konstruktive në dialogun me Serbinë – të ndërmjetësuar nga BE-ja – dhe është e përkushtuar për paqe e stabilitet.

“BE duhet t’i shpërblejë shtetet të cilat janë të bashkërenduara me BE dhe në të njëjtën kohë kanë ndërmarrë reforma, sidomos në sundimin e ligjit, ekonomi dhe standarde evropiane”, ka thënë mes tjerash ajo.

Rundi i fundit i dialogut të nivelit të lartë në Bruksel është mbajtur më 14 shtator.

Takimi ka përfunduar pa ndonjë rezultat.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas takimit se ndërmjetësuesi i BE-së në këtë proces, Mirosllav Lajçak është pozicionuar kundër Kosovës.

Sipas tij, gjatë takimit është vërejtur që ka pasur koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe Lajçakut për, siç ka thënë ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

BE-ja, në anën tjetër, i ka konsideruar këto deklarata si të pa baza.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL

Parashikimi javor nga Meri Shehu, cila shenjë përballet me vështirësi: Bëni kujdes në dashuri

Ky është parashikimi astrologjik javor nga astrologia Meri Shehu për të gjitha shenjat e horoskopit nga data 19 deri në datën 25 Shtator 2023.

Meri Shehu ka zbuluar kush janë shenjat e zodiakut që duhet të kenë kujdes në dashuri

Dashi: 4 yje

Faktikisht Dashët kanë 4 yje sepse marrin pjesë në solstic, duhet të kenë kujdes gjatë kësaj jave në çështjet ekonomike, këto 3,4 ditët e para. Është hera e tretë brenda vitit që pësojnë trauma në çështjet ekonomike.

Demi: 3 yje

Fillimi i javës i vështirë, vjen me problematika me familjen, me ligjin, me udhëtimin e kontaktet jashtë, me çështjet shëndetësore. Shumë Demë do përpiqen pastaj të vënë një ekuilibër në jetën e tyre.

Binjakët: 3 yje

Kanë një zhgënjim në fakt nga data 19 sepse kanë problematikë me emrin, me famën, takimin me eprorët ose një premtim që u është bërë zgjatet në kohë.

Gaforrja: 3 yje

Marrin pjesë në këtë javë impulsivisht vetëm pas datës 21, me futjen e Diellit në Peshore. Çështje të rëndësishme pronash, familjare, vendoset një ekuilibër në marrëdhëniet e tyre, por duhet të kenë kujdes në fillim jave në çështjet ekonomike dhe planet e tyre.

Luani: 4 yje

Do kenë problematika në ekonomi dhe jetën personale, duhet t’i zgjidhin mirë, t’i shikojnë me kujdes. Mos të marrin rrisqe dhe investime të caktuara dhe pastaj dikush do përgojojë emrin e tyre, nga data 21.

Virgjëresha: 4 yje

Mund të fitojnë shumë famë, reputacion ose ndonjë pozicion të rëndësishëm, por do ketë dhe shumë Virgjëresha që do stresohen dhe nuk do marrin atë që u është premtuar, mund edhe të zhgënjehen.

Peshorja: 2 yje

Është koha e tyre, vjen balanca. Pas datës 21! Do sfidoheni ne nje ceshtje personale dhe pune! Nga fundi i javes do hapet komunikimi i mire !

Akrepi: 3 yje

Do kenë përballje ekonomike dhe në jetën personale, në shit-blerje ose ngatërresa me të afërmit. Kujdes në dashuri, në datën 19!

Shigjetari: 3 yje

Do përjetojnë zhgënjim, sidomos në martesë ose bashkëpunim. Kujdes nga zhgënjimet në këtë periudhë.Një periudhë e vështirë mund tju fusi në situatë të panjohur për ju keto dite dhe shume interesash !

Bricjapi: 3 yje

Do merren shumë me karrierën pas datës 21. Fillojnë një periudhë të fuqishme.Per ju gjerat do marrin per mire ne ceshtje pune dhe ekonomie mbas te enjtes ! Keto dite kujdes nje ndarje !

Ujori: 4 yje

Një nga shenjat me fat! Shumë Ujorë do shkojnë deri në 0, por do kthehen me xhepa plot.Nje lidhje shoqërore e se kaluares merr fund keto dite dhe ju cliron per nje jetë te re me te mire!

Peshqit: 3 yje

Këtë periudhë edhe mund të zhgënjehen ose mund të mashtrojnë  nga pak, përballë tyre do dalë një figurë qe mund ta shfrytëzojnë në karrierë dhe do bëjnë gabime .

Champions League kthehet me spektakël, fitojnë PSG dhe City, Barça dhuron show

Në grupin e Milanit, ku kyqezinjtë barazuan 0-0 kundër Newcastle në premierë, vjen fitorja e parë e PSG-së.

Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique mposhti 2-0 Borussia Dortmundin, e cila i rezistoi për një kohë shtytjes sulmuese të kundërshtarëve.

Në pjesën e dytë penalltia e Mbappe (49′), i cili gjithashtu pa një gol të anuluar dhe perla e Hakimit (57′) i japin fitoren parizienëve.

Kështu, PSG arrin tri pikë, +2 ndaj ndjekësve të tyre të parë në grupin F.

Gola dhe spektakël të martën e fazës së grupeve të Champions League, që ka një protagonist absolut.

Barcelona mposhti Antwerp me një rezultat 5-0 falë Joao Felix (një dygol dhe asist), duke marrë epërsinë në Grupin H me Porton, që mundi 3-1 Shakhtar.

Kampionët e Manchester City-t rikthehen për të fituar 3-1, me Julian Alvarez në krye me përmbysje kundër 3-1 Crvena Zvezda.

Në grupin e E kryeson Feyenoord, i cili mundi 2-0 Celtic, pas barazimit 1-1 mes Lazio-Atletico Madrid. /zoom.al/

Plas te “Djajtë e Kuq”, sherr në dhomat e zhveshjes mes lojtarëve të Manchester United

Katër yje të Manchester United u përfshinë në një sherr në dhomën e zhveshjes.

Mësohet se kapiteni Bruno Fernandes u përball me mesfushorin tjetër Scott McTominay pas humbjes së tretë të United në katër ndeshje.

Ndërsa dyshja e qendërmbrojtësve Lisandro Martinez dhe Victor Lindelof gjithashtu e përplasën me njëri-tjetrin pas një paraqitje skandaloze në mbrojtje, raporton The Sun.

Manchester United humbi me rezultatin 1-3 ndaj Brighton në fundjavë “Old Trafford”.

20 herë kampionët e Anglisë, do të përballen me Bayern Munich në ndeshjen e parë të grupeve të Champions League.

Ndeshja do të startojë në “Allianz Arena” mbrëmjen e së mërkurë në orën 21:00. 

Lojë me pasaporta! Skema si merret nënshtetësi “e artë” përmes një salloni bukurie në Shkup

Në qendër të Shkupit, pranë një ish-kinemaje, ka një sallon bukurie të quajtur “Charm”.

Me përmasa modeste dhe në gjendje t’u shërbejë vetëm disa klientëve në të njëjtën kohë, “Charm” u hap në vitin 2019 nga një shtetas amerikan dhe banor i ishullit Saipan të Paqësorit, i quajtur Shawn Andre Scott.

Një vit më parë, Scott kishte themeluar një kompani në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut dhe transferoi 405,000 euro kapital themelues nga Hauai. Ai punësoi 13 persona për stafin e sallonit. Dhe në këmbim, qeveria e Maqedonisë së Veriut i dha atij një pasaportë, duke e publikuar vendimin në procesverbalin e seancës së 22 qershorit 2021.

Sipas ligjit maqedonas, qeveria mund t’i japë shtetësi kujtdo që dëshiron të investojë të paktën 400,000 euro dhe të punësojë të paktën 10 persona për një minimum prej një viti. Ministria e Financave duhet të gjykojë se investimi është me interes për vendin. Por a ishte vërtet kaq me interes salloni “Charm”?

Rreth 18 muaj pas marrjes së shtetësisë, Scott tërhoqi 80,000 euro nga investimi i tij fillestar, duke përmendur zvogëlimin e biznesit dhe shkurtimin e stafit. Sot, salloni drejtohet nga një kompani tjetër. Scott është zhdukur dhe kompania e tij, Best Trading Company, ka, në letër, vetëm një punonjës. Kompania menaxhohet nga një person i quajtur Kyhong Peng nga Kamboxhia.

“Ai nuk është në Maqedoninë e Veriut”, tha një avokat nga Shkupi, i cili punoi më parë me Scott dhe kërkoi të mos i përmendej emri. Por ai ende ka pasaportë maqedonase. Edhe një pasaportë bullgare. Pyetja është pse dhe si, duke marrë parasysh dy dekada mbulim nga ana e mediave amerikane në marrëveshjeve të diskutueshme të biznesit të Scott?

“Gjurma e padive dhe akuzave”

Scott, 57 vjeç, është një shtetas amerikan, por, sipas raportimeve të mediave, u largua për në Ishujt e Virgjër dhe tani thuhet se ndodhet në Ishujt Mariana, nga të cilët Saipani është më i madhi. Nga atje, ai menaxhon dy kompani – Bridge Capital, e cila merret me shitjen e pasurive të paluajtshme, dhe Angkor Capital Specialized Bank me bazë në Kamboxhia, e cila jep kredi për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Në vitin 1994, Scott u shfaq në botën e lojërave të fatit, duke hapur një kazino me një licencë të kufizuar në një periferi të Las Vegasit; disa vite më vonë, ai aplikoi për një licencë të përhershme, por ndryshoi mendje kur rregullatori amerikan hapi një hetim mbi praktikat e tij të kontabilitetit. Scott e shiti firmën.

Një dekadë më vonë, ai po tërhiqte interesin e mediave amerikane.

Duke e përshkruar Scott si një “sipërmarrës të ri të pasur”, në qershor 2004, Washington Post raportoi se ai qëndronte pas një përpjekjeje për legalizimin e makinerive të lojërave të fatit në kryeqytetin e SHBA-së, pavarësisht se i ishte mohuar ose kishte dështuar të merrte licencat e lojërave të fatit në pesë shtete të SHBA-së pasi rregullatorët gjetën prova për “keqmenaxhim financiar, praktika të parregullta kontabël dhe partneritete të fshehura”.

Përsëri, në 2017, Portland Press Herald raportoi për një ofertë të Scott, me motrën e tij, për të ndërtuar një kazino në shtetin Mein. Ajo tha se investime të shumta nga Scott në të gjithë vendin, kryesisht në kazino, “kishin lënë një gjurmë padish dhe pretendimesh për praktika mashtruese”, por se ai kishte dalë nga secila prej tyre “kryesisht i padëmtuar”.

Në një moment, raportoi gazeta, Scott kishte deri në 140 firma të regjistruara në lojëra fatit, biznesin e mikpritjes dhe garat me kuaj. Mënyra e tij e funksionimit ishte e organizuar mirë. Scott do të blinte ndërtesa të braktisura, do të merrte një licencë kazinoje dhe do t’i “hiqte qafe ato” për një shumë të caktuar sapo hetuesit të fillonin të gërmonin në të kaluarën e tij.

Në vitin 2022, emri i tij ishte në mediat bullgare, të cilat zbuluan se në vitin 2017 ai kishte marrë një pasaportë bullgare pasi kishte investuar në vend, njësoj si në Maqedoninë e Veriut fqinje.

Scott është një nga dy investitorët në një kompleks biznesi të premtuar – me një hotel, restorant, spa dhe qendër tregtare – në afërsi të pikës kufitare bullgare Kapitan Andreevo me Turqinë. Kompleksi është ende duke u ndërtuar.

Pse një njeri mund të ketë nevojë për kaq shumë pasaporta? Shpesh, përgjigja është “për të pastruar para”, tha për BIRN një hetues i krimeve financiare në kushte anonimiteti.

BIRN nuk ka prova që Scott ka kryer një krim. Por të ashtuquajturat skema të “pasaportës së artë” janë cilësuar prej kohësh si të pambrojtura ndaj abuzimit nga njerëzit që kërkojnë të shmangin ligjin dhe të qarkullojnë të ardhurat e krimit. Shtetësia e shumëfishtë nënkupton numra të shumtë ID, duke e bërë më të vështirë për hetuesit gjurmimin e parave të depozituara në shumë vende.

“Në raste të tilla, është shumë e vështirë të kërkosh ndihmë nga kolegët nga vendet e tjera, sepse puna është e gjerë”, tha burimi. “Pra, nëse ata nuk kanë interesin e tyre, nuk janë të interesuar të hyjnë në hetim.”

Më shumë pasaporta do të thotë gjithashtu më shumë opsione në rast të një kërkese ekstradimi pasi jo të gjitha vendet kanë marrëveshje ndërmjet tyre për të dorëzuar shtetasit e tyre.

Një ekspert i pastrimit të parave, i cili gjithashtu kërkoi të mbetet anonim, tha për BIRN: “Është e çuditshme që një njeri me pasaportë amerikane, për të cilin pothuajse të gjithë kufijtë janë të hapur, merr një pasaportë maqedonase. Nuk është saktësisht një dokument udhëtimi shumë i vlerësuar në botë.”

Pak shqyrtim zyrtar

E ashtuquajtura skema e “pasaportës së artë” u prezantua në Maqedoninë e Veriut në vitin 2012, nën qeverinë e krahut të djathtë të Nikola Gruevskit, i cili u largua nga vendi për t’i shpëtuar dënimit për korrupsion në vitin 2018 dhe iu dha azil politik në Hungari. Socialdemokratët e atëhershëm të opozitës e kritikuan masën, por që kur morën pushtetin në vitin 2017, 51 pasaporta të tjera u janë lëshuar investitorëve në bazë të “interesit ekonomik”.

Sipas ligjit maqedonas, ministria e financave duhet të bëjë një vlerësim nëse një investitori të huaj duhet t’i jepet shtetësia në bazë të interesit shtetëror.

Por Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit ua lë bankave komerciale të vendosin nëse do të kontrollojnë paratë që qarkullojnë përmes tyre nga jashtë në aksionet themeluese të një kompanie të krijuar nga një investitor i huaj, në këtë rast Scott. Ato para mund të tërhiqen dhe të shpenzohen sa herë që të jetë e nevojshme.

“Ndodh që bankat të mos raportojnë transaksione të dyshimta, sepse llogaritin se kanë fitime dhe nëse duhet të paguajnë gjobën, e cila shkon nga 80,000 deri në 120,000 euro”, tha një burim i dytë i përfshirë në hetimin e krimit financiar për BIRN, duke folur gjithashtu në kushte anonimiteti.

Banka qendrore e vendit, e cila është përgjegjëse për mbikëqyrjen e bankave komerciale, tha se sinjalizon vetëm Zyrën e Inteligjencës Financiare, një organ i pavarur shtetëror, nëse në mbikëqyrjen e saj të rregullt të një banke gjen prova për pastrim të mundshëm parash.

Zyra e Inteligjencës Financiare tha se në “periudhën paraprake” nuk kishte pranuar asnjë ankesë nga Banka Kombëtare për kapitalin themelues të këtyre kompanive. Ajo nuk specifikoi se çfarë periudhe.

BIRN kontaktoi vazhdimisht Ministrinë e Financave për të pyetur për qëndrimin e saj për shtetësinë e Scott, por ajo nuk u përgjigj deri në kohën e publikimit.

Në Serbi, pasaporta për rusët

Mali i Zi operon një skemë të ngjashme shtetësie të artë, por, nën presionin e Bashkimit Evropian dhe pas skandaleve të mëparshme, vendi nuk ka lëshuar asnjë pasaportë të tillë këtë vit.

Vetullat u ngritën për herë të parë në vitin 2009, kur qeveria e kryeministrit të atëhershëm Milo Djukanoviç, i dha një pasaportë Thaksin Shinawatra-s, ish-kryeministrit tajlandez i cili u rrëzua në një grusht shteti ushtarak në vitin 2006 dhe më vonë u dënua në mungesë me dy vjet burg për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Djukanoviç tha se Shinawatra e kishte fituar pasaportën për shkak të investimit të tij të lajmëruar në turizëm.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani 651 shtetas të huaj – shumica nga Rusia dhe Kina – kanë marrë pasaporta malazeze pasi kanë blerë apartamente në qytetet bregdetare dhe malore ose kanë dhuruar para për zonat e pazhvilluara. Qeveria thotë se skema ka korrur 300 milionë euro investime.

Motra e Shinawatra-s, Yingluck, mori një pasaportë nga fqinji i Malit të Zi, Serbia, raportoi media në vitin 2019. Yingluck Shinawatra ndoqi hapat e vëllait të saj duke shërbyer si kryeministre e Tajlandës në 2011-2014, por u rrëzua pasi Gjykata Kushtetuese vendosi se ajo kishte shpërdoruar detyrën e saj duke larguar nga puna një zyrtar të sigurisë kombëtare.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç e mbrojti vendimin për t’i dhënë asaj një pasaportë, duke thënë: “Nuk shoh të jetë ndonjë problem për ne, veçanërisht nëse qeveria sheh përfitime ekonomike ose të tjera për ne.”

Skema serbe funksionon sipas Ligjit për Shtetësinë, i cili thotë se i huaji mund të marrë nënshtetësinë serbe nëse vlerësohet në interes të shtetit. Ndërkohë që vendimet e qeverisë për shtetësinë publikohen në Fletoren Zyrtare, ato nuk e shtjellojnë arsyetimin.

Midis vitit 2010 dhe 2015, mesatarisht pesë deri në 13 pasaporta u lëshuan në këtë mënyrë çdo vit, kryesisht për sportistë dhe sportiste që luanin për ekipe serbe, artistë, figura politike, CEO bankash ndërkombëtare dhe investitorë.

Shifrat filluan të rriteshin që nga viti 2016, njësoj si edhe numri i njerëzve që merrnin pasaporta të tilla. Ndërsa disa ishin figura publike, shumë nuk ishin dhe mbetet e paqartë se çfarë interesi të veçantë kishte Serbia për t’u dhënë atyre pasaporta.

Në vitin 2022, viti kur Rusia pushtoi Ukrainën, Serbia nxori një numër rekord vendimesh për dhënien e pasaportave bazuar në “interes të veçantë” – 64 për atë vit. Numri aktual i pasaportave të lëshuara është sigurisht më i lartë duke qenë se një rast individual mund të përfshijë disa anëtarë të një familjeje. Këtë vit, qeveria miratoi 70 vendime të tilla. Shumica kanë qenë pasaporta të arta për shtetas rusë.

Nemanja Nenadic, drejtoreshë programi e Transparency International Serbi, tha se, përveç rasteve që përfshijnë figura të njohura sportive ose figura të tjera publike, publiku serb nuk është në gjendje të gjykojë nëse shteti ka ndonjë përfitim real nga dhënia e shtetësisë për një individ të caktuar.

“Në mungesë të këtij informacioni, është plotësisht e mundur që një person të marrë nënshtetësinë pa qenë në interes të Republikës së Serbisë, por duke qenë më tepër në interesin financiar të atyre që propozojnë vendime të tilla”, tha Nenadic për BIRN.

Shqipëria ka vite që përpiqet të prezantojë skemën e saj, por është përballur me rezistencën e BE-së, të cilës Tirana dëshiron t’i bashkohet.

Skema është lidhur me një projekt të diskutueshëm zhvillimi në portin e Durrësit, ku qeveria propozon që të huajt që blejnë apartamente t’u jepet pasaporta shqiptare. BE-ja paralajmëroi se një propozim i tillë, nëse miratohet, do të rrezikonte lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë brenda bllokut.

Transparency International thotë se skema të tilla pasaportash apo vizash “nuk i shërbejnë investimeve të vërteta apo emigrimit, por interesave korruptive”.

Por ndërsa vende si Bullgaria, Portugalia dhe Irlanda kanë hequr dorë nga versionet e tyre, praktika vazhdon në vendet anëtare të BE-së, Spanjë, Greqi, Itali, Maltë dhe Qipro.

Në vitin 2019, Komisioni Evropian pranoi se pasaportat dhe vizat e arta mbartin rrezikun e korrupsionit dhe pastrimit të parave, dhe në vitin 2022 Parlamenti Evropian miratoi një paketë masash kundër pastrimit të parave, duke përfshirë ndalimin e shitjes së pasaportave të arta dhe përfshirjen e kontrolleve të rrepta të detyrueshme për marrjen e vizave të arta. /BIRN

E gjithë familja bashkë! Fotot e para të Rihannës me reperin dhe dy djemtë e tyre

Rihanna dhe A$AP Rocky janë prindër të dy fëmijëve! Ata mirëpritën fëmijën e tyre të parë, RZA , në maj 2022, ndërsa djali Riot erdhi në jetë më 1 gusht 2023

Rihanna dhe A$AP Rocky e kanë dokumentuar jetën e RZA në rrjete sociale duke foto të momenteve të veçanta të vogëlushit, si pushimet e tij të para apo ditëlindjen e parë, po thjesht disa imazhe të ëmbla të shkrepura në shtëpi. 

Dhe tani, çifti shpërndanë fotot e para të Riot, i cili është po aq i lezetshëm sa vëllai i tij i madh.

Këngëtarja postoi imazhe ku shihen e gjithë familja bashkë. Rihanna dhe A$AP Rocky pozuan së bashku me dy djemtë e tyre, i pari portret famijar i tyre.

Zbuloni arsyet përse disa njerëz zgjedhin ta konsumojnë kafen pas vaktit të darkës

Konsumi i kafesë pas një vakti është një traditë për miliona njerëz në mbarë botën. Pavarësisht nëse është ekspres apo Turke, kafeja shijohet për një sërë arsyesh dhe ka një gamë të gjerë përfitimesh shëndetësore.

Shumë preferojnë të pinë edhe nga një filxhan pas darke, për të tjerë kjo mund të duket e pakuptimtë sepse mund të largojë gjumin.

Më poshtë njiheni me disa nga arsyet se përse disa njerëz zgjedhin ta konsumojnë atë pikërishtë pas vaktit të darkës.

Tradita familjare

A ka diçka më të mirë se një filxhan kafeje pas një vakti të gatuar dhe të shijuar në shtëpi me të dashurit tuaj?

Shumë organizojnë ende dreka dhe darka familjare, për të mbajtur familjen të lidhur.

Dhe konsumi i kësaj pije kaq të dashur vetëm sa lë vend për më shumë biseda dhe çlodhje pas një vakti të madh familjar.

Kultura

Kultura të ndryshme preferojnë të konsumojnë një filxhan kafeje pas një vakti.

Për shembull, italianët preferojnë të pinë kapuçinon në mëngjes dhe kafenë në mbrëmje.

Holandezët në mbrëmjë preferojnë të konsumojnë një gotë të vogël me qumësht, që përmban një sasi të vogël kafeje. Kjo ka për qëllim të ndihmojë me tretjen e ushqimit.

Në Francë, pas darkës, kafeja e zezë zakonisht shërbehet me pak konjak.

Përmban pak kalori

Me kusht që të mos shtohet sheqer, qumësht apo ëmbëlsues tjetër, kafeja përmban saktësisht 0 kalori.

Për ata që hanë në restorante dhe përpiqen të humbasin peshë, kafeja e zezë është një alternativë e mrekullueshme ndaj ëmbëlsirave të pasura me kalori.

Kafeja është edhe një burim i pasur antioksidantësh, për të cilët besohet se ndihmojnë në reduktimin e peshës.

Largon ndjenën e përgjumjes

Konsumi i ushqimit në sasi të mëdha shkakton një rritje të niveleve të sheqerit në gjak. Për ta kompensuar, trupi lëshon insulinë.

Kjo nga ana tjetër bën që truri të rrisë prodhimin e serotoninës, një neurotransmetues përgjegjës për gjumin.

Në këtë rast, konsumi i kafesë mund të ndihmojë në uljen e ndjesisë së përgjumjes që vjen pas një vakti të madh.

Ndimhon me tretjen

Një nga çrregullimet më të zakonshme tek njerëzit mbipeshë dhe të moshuarit është kapsllëku. Kafeina bën që muskujt e zorrëve të kontraktohen më shpesh. Kjo ndihmon që mbetjet dhe ushqimi të lëvizin dhe të dalin nga sistemi tretës më shpejt./AgroWeb.org

Tkurrja më e fortë që nga pandemia! Rënia e euros “dërrmon” eksportet, bien 22% në gusht

Rënia e eksporteve ka vijuar dhe në muajin gusht, duke u thelluar në krahasim me muajin e mëparshëm, si reflektim i pasojave që po jep të eksportuesit rënia e euros, por dhe konjukturës së pafavorshme të çmimeve në bursat ndërkombëtare.

INSTAT bëri të ditur se në Gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me -21,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është rënie më e thellë mujore e këtij viti dhe më e forta që nga viti 2020, kur eksportuesit vuajtën më shumë se të gjithë pasojat e pandemisë.

Në janar shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me -11.7%. Në qershor tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për tu ngadalësuar në korrik në -4%, duke kërcyer në gusht me -21.9%..

Si asnjëherë tjetër, të gjitha grupet janë me rënie në vlerë, me përjashtim të “Produkte kimike dhe plastike”, që gjithsesi ka një peshë shumë të vogël në totalin e eksporteve, me vetëm 3.4%.

Dy grupet që kanë shënuar tkurrjen më të madhe në gusht janë “material ndërtimi dhe metale”, me 50.9% dhe tekstile e këpucë me 18.6%. Në rënie ishin dhe shitjet jashtë për “ushqim, pije e duhan” dhe “makineri e pjesë këmbimit”, që ishin dy sektorët me ecurinë më të mirë të eksporteve vitet e fundit.

Sipas INSTAT, Gjatë muajit Gusht 2023, në uljen e eksporteve prej -21,9 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -14,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,8 pikë përqindje, “Prodhime druri dhe letre” me – 1,3 pikë përqindje. Ndërsa pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +1,1 pikë përqindje.

Thellimi i rënies në gusht, ka përkeqësuar ecurinë për gjithë 8 mujorin. Sipas INSTAT, Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u ulur me -8,6 % krahasuar me një vit më pare.

Sipas INSTAT, Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -7,8 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -0,7 pikë përqindje.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me +1,7 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,4 pikë përqindje.

Fasoni, sektori që po vuan më shumë rënien e euros

Pas një përmirësimi në maj, eksportet e “Tekstile dhe këpucë”, iu rikthyen rënies me bazë vjetore me 8.5% në qershor. E njëjta tendencë vijoi dhe në korrik me -6%. Në gusht tkurrja me bazë vjetore ishte më e thella e këtij viti, me 18.6%.

Sipas eksportuesve, arsyeja kryesore lidhet me rënien e ndjeshme të euros që ul të ardhurat e eksportuesve kur konvertohen në lekë. Faktorë të tjerë që kanë ndikuar janë rritja e pagës minimale që ka shtuar kostot e punës, tkurrja e kërkesës nga jashtë sidomos për këpucë (nga ndryshimi i motit, shitësit e pakicës kanë krijuar stoqe të mëdha), kriza ekonomike në Europë që ka ulur kërkesën si dhe zhvendosja e prodhuesve në Indi e vende të tjera të Azisë për shkak të kostove më të ulëta.

Për 8 mujorin, rënia e eksporteve u thellua në 2.7%, nga 1.27% që ishte reduktimi për 6 mujorin. “Tekstilet e këpucët” mbeten grupi më i madh në vend, me 28% të totalit.

Eksportuesit janë ankuar vazhdimisht te Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave për pasojat që po jep në aktivitetin e tyre zhvlerësimi i fortë i euros, që aktualisht këmbehet me rreth 107 lekë, nga 118 lekë që ishte mesatarja e 2022.

Mineralet e lëndët djegese i rikthehen rënies në gusht

“Mineralet dhe lëndët djegëse” ranë me 3.3% në gusht me bazë vjetore, pasi u rritën ndjeshëm me 39% në korrik. Ecuria e eksporteve të këtij grupi varet nga energjia si dhe nga numri i anijeve që arrin të dërgojë në një muaj Bankers petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend.

Për 8 mujorin, grupi ka shënuar një tkurrje prej 4.5%.

Ky grup vijon të mbetet i dyti më i madh në vend me 23% të totalit për 7 mujorin.

Materialet e ndërtimit dhe metalet vijojnë me tkurrjen e ndjeshme

Materialet e ndërtimit dhe metalet vijuan me tkurrjen e ndjeshme dhe në gusht, me -50.9%, duke pasur ecurinë më negative nga të gjitha grupet. Sipas burimeve nga Kurum, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, tendenca lidhet me disa faktorë, si rënia e çmimeve, por dhe frenimi i kërkesës.

Për 8 mujorin, ky grup u tkurr me 33%, duke dhënë ndikimin më negativ në ecurinë e eksporteve.

Ky grup është i treti më i madh për 8 mujorin, me 17.4% të totalit.

Ushqimet, pijet dhe duhani, me rënie

“Ushqimet, pijet dhe duhani” janë sektori që kanë pasur ecurinë më të qëndrueshme të eksporteve këtë vit. Në korrik ky grup i rriti eksportet me gati 20%. Megjithatë në gusht, ky grup shënoi një rënie relativisht të fortë me 9.7% me bazë vjetore, si rrjedhojë e motit të pafavorshëm që ndikoi në reduktimin e prodhimit.

Gjithsesi për 8 mujorin, ky grup është zgjeruar me 17.5%, duke pasur ecurinë më të mirë, ndërsa mbetet i katërti më i madh me 12.8% të totalit

Industria automotive me rënie në korrik, nga kursi

Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi ishin deri në muajin mars grupi që po shënonte ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive. Por, në prill, edhe ky grup shënoi rënie të eksporteve me 5.9% me bazë vjetore. Megjithatë në maj, grupi iu rikthye rritjes, duke u zgjeruar me 10.5%. por, në qershor grupi shënoi sërish rënie, me 4.8%. Tkurrja vijoi dhe në korrik me -3% dhe u thellua në gusht, në 14.3. Sipas përfaqësuesve të kompanive, ecuria negative lidhet me pasojat që po jep zhvlerësimi i euros në aktivitetin e fabrikave që prodhojnë ose montojnë pjesë këmbimit për industrinë automotive.

Për 8 mujorin grupi është rritur me 5.6%, teksa përbën 8.8% të totalit të eksporteve.

Ulet deficiti

Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u ulur me -8,6 % krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 577 mld lekë, duke u ulur me -5,0 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 277 mld lekë, duke u ulur me -0,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Bien eksportet me Itali e Spanje

Në muajin Gusht 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2022 janë: Italia (15,5 %), Spanja (64,4 %) dhe Gjermania (42,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritje më të madhe, janë: Kosova (27,9 %) dhe Greqia (32,2 %).

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur ulje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (11,0 %), Gjermania (28,3 %) dhe Kina (23,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (10,0 %), Greqia (17,1 %) dhe Spanja (9,9 %).

Në muajin Gusht 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe te importeve, janë: Turqia (40,1 %), Greqia (56,3 %) dhe Maqedonia e Veriut (19,2) %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe të importeve, në krahasim me Gusht 2022 janë: Italia (1,4 %), Kina (14,1 %) dhe Gjermania (14,5 %).

Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (3,8 %), Turqia (21,1 %) dhe Greqia (22,5 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (31,5 %), Gjermania (9,5 %) dhe Zvicra (78,0 %). /MONITOR

Analiza: Qeveria e Kosovës dhe BE-ja nuk bien dakord për Asociacionin! Ç’do të ndodhi tani?

Përkundër thirrjes së përsëritur të Bashkimit Evropian që Kosova të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës nuk shprehet e gatshme të ndërmarrë hapa në këtë drejtim – së paku jo tash për tash.Përkundër thirrjes së përsëritur të Bashkimit Evropian që Kosova të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Qeveria e Kosovës nuk shprehet e gatshme të ndërmarrë hapa në këtë drejtim – së paku jo tash për tash.

BE-ja kërkoi të martën që puna për themelimin e këtij asociacioni, të nisë “pa vonesa të reja”.

Shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell, përsëriti po ashtu se Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë Marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve, bazuar në vetë propozimin e BE-së.

Ky propozim kërkon që zbatimi të nisë me “hapjen e procesit negociues për statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“ – gjë që nënkupton Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Propozimi u dha në rundin e fundit të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë, që u mbajt javën e kaluar në Bruksel, por që, sipas diplomatëve të BE-së, u refuzua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe u pranua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se “është gabim të vendosen kushtëzime” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, kur as në vetë tekstin e kësaj marrëveshjeje “nuk paraqiten kushtëzime”.

“Marrëveshja bazë duhet të zbatohet në tërësi, pa vonesa, pa kushte. Madje, edhe në Aneksin [e zbatimit të marrëveshjes] thuhet qartazi se të gjitha nenet zbatohen pavarësisht njëri-tjetrit”, tha Kryeziu.

Marrëveshja në fjalë u arrit në muajin shkurt në Bruksel, ndërsa për Aneksin e zbatimit të saj palët u dakorduan në muajin mars në Ohër.

Marrëveshja me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013.

Përkundër kërkesave të vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe të Serbisë, Kosova nuk e ka zbatuar kurrë atë marrëveshje, nga frika se mund të ndikojë në funksionalitetin e shtetit.

Kurti, në disa raste, ka thënë se nuk mund të lejojë themelimin e një asociacioni njëetnik, i cili do të kishte kompetenca ekzekutive, siç kërkon Beogradi.

Pas përfundimit të bisedimeve pa ndonjë rezultat, javën e kaluar, Kurti ka thënë se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Duke folur në një konferencë me gazetarë, një ditë më herët, ai tha se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është “pozicionuar kundër Kosovës” në takimin e 14 shtatorit.

Kurti, po ashtu, tha se në ditët në vazhdim do të ketë takime me “të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët e kanë pranuar shtetin e Kosovës”.

BE-ja tha të martën se nuk i komenton “akuzat e pabaza” të Kurtit.

REL-i pyeti Kryeziun nëse Kurti do t’i përgjigjet ftesës së BE-së për një rund të ri bisedimesh me Vuçiçin, po qe se ka një të tillë, por ai nuk komentoi.

Ruge: BE-ja ta ndryshojë fokusin

Majda Ruge, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se nuk beson se Kurti po ua mbyll dyert takimeve të ardhshme me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, por po përvetëson, sipas saj, një taktikë që do ta bëjë më të vështirë për BE-në të vazhdojë me qasjen e tanishme.

Kjo qasje, thotë Ruge, konsiston me “ushtrimin e gjithë trysnisë mbi palën më të dobët, për të zbatuar [Marrëveshjen për themelimin] e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërkohë që nuk kërkon pothuajse asnjë lëshim nga Serbia, në këmbim”.

“Rrugëdalja – nëse përkufizohet si rivendosje e një procesi të ekuilibruar negocimi që ka shanse për të pasur sukses – është të ndryshohet fokusi. BE-ja nuk duhet ta legjitimojë idenë e një asociacioni si një njësi autonome de facto, gjë në të cilën këmbëngul Vuçiqi”, thotë Ruge.

Sipas saj, BE-ja “duhet të insistojë në zbatimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës” – ku popullata shumicë është serbe – dhe të promovojë një zgjidhje, e cila “siguron që pakica serbe në veri mund të ushtrojë një shkallë të mjaftueshme të autonomisë kulturore, arsimore dhe fetare”.

“Është e rëndësishme të kuptohet se lloji i Asociacioni që kërkon presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk synon domosdoshmërisht t’i promovojë interesat kulturore dhe fetare të popullit serb në veri, por më tepër një mekanizëm institucional të kontrollit politik dhe të ndërhyrjes së Beogradit në punët e brendshme të Kosovës. BE-ja nuk duhet ta pranojë këtë”, thotë Ruge.

Ker-Lindsay: Kurti të ofrojë diçka serioze

Por, për James Ker-Lindsayn, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, lëvizja e Kurtit është “shumë, shumë e rrezikshme për Kosovën” dhe “po i humb mbështetje të madhe ndërkombëtare”.

“Nuk i besoj Lajçakut, nuk i besoj Borrellit. Do t’ju drejtohem direkt juve – shteteve anëtare… Çfarë duhet të bëjnë shtetet anëtare? A pret që ato ta shkarkojnë Lajçakun, a pret që ta shkarkojnë Borrellin? Jo”, thotë Ker-Lindsay.

Duke thënë se këta dy diplomatë vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën – Sllovakia dhe Spanja – Kurti “dëshiron ta kënaqë audiencën e tij vendase” dhe “të luajë me kartën nacionaliste”, shton ai.

Sipas tij, Kurti duhet të ulet dhe të bisedojë për themelimin e Asociacionit, nëse “është vërtet i interesuar që t’i rindërtojë marrëdhëniet me Bashkimin Evropian”.

Kurti “duhet të dalë me një lloj plani për Asociacionin, por është e qartë se nuk do që ta bëjë këtë dhe hyn në betejë me BE-në. Ai nuk do të dalë fitues diplomatik në këtë”, thotë Ker-Lindsay.

Qeveria e Kosovës, më herët këtë vit, ka dalë me të ashtuquajturin “model kroat” për Asociacionin, por ai nuk ka shkuar përpara.

Ker-Lindsay thotë se “nëse Kurti ofron diçka vërtet serioze” në lidhje me Asociacionin, trysnia ndërkombëtare, pastaj, do të zhvendoset mbi Serbinë.

Serbia – aleate e Rusisë, por edhe vend kandidat për anëtarësim në BE – nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet në fushata për mospranimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. /REL

Barbana Dini bëhet nënë për herë të parë, i vendos vajzës emrin e vëllait të ndjerë, Ergi Dini

Barbana Dini është bërë nënë për herë të parë. Këngëtarja dhe partneri i saj kanë mirë pritur në jetë një vajzë që i kanë vendosur emrin e vëllait të saj të ndjerë, Ergi Dini.

Lajmin e bëri publik vetë Barbana Dini në një postim në Instagram ku publikoi foto krah biznesmenit me vogëlushen në krahë pak pasi ajo erdhi në jetë.

Këngëtarja zbuloi e emrin e vogëlushes Ergola Ergi Parubi, e ka zgjedhur pikërisht parneri i saj.

“Sept 15.2023 mes emocioneve te papershkrueshme, erdhi ne jete mrekullia jone Ergola Ergi Parubi!

Erdhe si bekim per ti dhene jetes tone motiv, ngjyra, jete e dashuri te pakufi! Bija ime, je kryevepra ime me e madhe! Je endrra me e bukur qe kam pare…

Jam e bindur qe kete emer qe babai yt zgjodhi per ty do e mbash me shume dashuri e krenari!

Faleminderit Zot!🙏🧿“, shkroi ajo.

Njeriu që i ka rrëmbyer zemrën këngëtares, është një biznesmen shqiptar që jeton në Shtetet e Bashkuara me origjinë nga Shkodra, qyteti ku ka lindur dhe Barbana.

Ishte një njohje familjare që ka bërë të mundur takimin dhe lidhjen e tyre.

Tashmë ajo ka nisur jetë të re në Amerikë, ndërkohë që nuk dihet nëse do ta vazhdojë apo jo karrierën në muzikë.

Por e pyetur më parë nëse do i vendoste fëmijës së saj emrin e të vëllait, këngëtarit Ergi Dini, ajo ka deklaruar se s’do e bënte.

“Nuk do ta bëja një zgjedhje të tillë. Çdo njeri i rëndësishëm ka një vend të veçantë në jetën dhe zemrën tonë dhe gjithsecili ka vendin e vet”, ka qenë përgjigjja e këngëtares.

Ergi Dini, i cili kishte rrëmbyer zemrat e publikut shqiptar me muzikën e tij, humbi jetën në një aksident me motor në vitin 2016 në kryeqytet.