zoom

Day ArchiveSylvinho i shqetësuar, në Çeki pa “motorin” e mesfushës

Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet në ditën e dytë për dy ndeshjet e shtatorit ndaj Republikës Çeke dhe Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e Europianit 2024.

Skuadra ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në në fushat e Shtëpisë së Futbollit.

Departmenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mesfushori Qazim Laçi, është lënë pushim edhe sot për shkak të gjendjes gripale. Ai rrezikon të himbas Çekinë.

Fillimisht, kuqezinjtë kanë punuar në palestër e më pas kanë punuar në fushë, ku bashkë me lojtarët e Kombëtares A, janë stërvitur edhe shtatë futbollistë të ekipit U-19. Skuadra është fokusuar në aspekte të veçanta të lojës gjatë stërvitjes së pasdites.

Sakaq, edhe paraditen e sotme, kuqezinjtë kanë zhvilluar një tjetër seancë stërvitore me dyer të mbyllura. Futbollistët e ekipit kombëtar u ndanë në dy grupe, duke zhvilluar stërvitje të diferencuara në reparte të ndryshme të fushës.

Kjo është stërvitja e fundit në Tiranë, pasi Kombëtarja do të niset mëngjesin e nesërm drejt Pragës për sfidën e parë zyrtare të muajit shtator.

Shqipëria do të përballet me Republikën Çeke më 7 shtator, ora 20:45, me ndeshjen që luhet në stadiumin “Fortuna Arena”, ndërsa më 10 shtator, kuqezinjtë do të presin Poloninë në stadiumin ‘Air Albania’. /zoom.al/

FOTO/ Autobusi i “Unazës” përfshihet sërish në aksident, policia tregon nëse ka të lënduar

Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë, ku autobusi i linjës së ‘Unazës’ është përplasur me dy automjete të tjerë, në rrugën ‘Bardhyl’ në kryeqytet.

Sipas informacioneve nga Policia, bëhet e ditur se aksidenti ka ardhur pasi njëri prej automjeteve ka bërë një parakalim të gabuar dhe është përplasur me autobusin dhe një tjetër mjet.

Si pasojë e aksidentit ka pasur vetëm dëme materiale, ndërkohë policia dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 05.09.2023, në Rrugën Bardhyl, shtetasi R. M., duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka kryer parakalim të gabuar dhe është përplasur me një automjet të parkuar dhe me autobusin e linjës së Unazës, me drejtues shtetasin B. K.

Si pasojë e përplasjes ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Kokat e prera si apologji e pamjaftueshme

Nga ANDI BUSHATI

Ai mbajti një fjalim koktej, me pak krenari për Shqipërinë turistike, me pak mburrje për suksestet ndërkombëtare të vendit, me pak nacionalizëm anti grek dhe me pak hipokrizi pro SPAK, për të dehur me sa mundet, mendjet e socialistëve, të shushatur ditë pas dite, me faktet tronditëse të hajdutërisë.

Në asamblenë e PS-së, para kryeministrit ishte një sfidë e vështirë. Ti jepte koherencë dy anëve që nuk bashkëjetojnë dot së toku: së pari nevojës për të prerë koka ministrash, si kompensim për të kënaqur publikun e shokuar nga vjedhjet masive, ndërsa, nga ana tjetër, krenarisë së socialistëve për 1001 arësyet e sukseseve të qeverisë.

Gjatë kësaj vere, pas arrestimit me burg të ish zv/ kryeministrit Ahmetaj, pas sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës, tek i cili janë hdhur deri më tani 90 milionë euro, pas shpalljes si grabitje të koncesionit të sterilizimit të paisjeve mjeksore, pas ndërprerjes nga BE të fondeve për bujqësinë, Rama duhej edhe të shprehte reflektim edhe të mbante sa më lart moralin e trupave të tij.

Nuk bëri dot as njërën as tjetërën. Ndonëse largoi nga qeveria Olta Xhaçkën, që së fundi e akuzoi edhe Greqia për investimin strategjik të bashkëshortit të saj; ndonëse hoqi qafe ministren Krifca, që kontrollonte grandet evropiane; ndonëse e spostoi nga shëndetësia Manastirliun, që trashëgoi tre koncesionet famëkeqe; asnjëra prej këtyre lëvizjeve nuk e justifikoi dot fabulën e keqbërësve që hanë kumblla dhe dardha pas shpinës së shefit.

Të gjithë mbajnë mend shprehjen e Edi Ramës, në fillim të mandatit të parë, se njerëzit nuk janë hajdutë në vetvete, por ata i bën të tillë sistemi. Tani, askush nuk ka më dyshim se sistemi i rilindjes ka rezultuar një mitër monstrash.

Ai shndërroi në grabitës edhe ata që ndofta se kishin ndërmend ta nisnin këtë rrugë dhe rrezikon t’u ofrojë të njëjtin fat edhe atyre që sapo u futën në kabinet.

Prandaj, qasja alibike se këtu është bërë nami po unë s’kam ditur gjë nuk funksionon.

Ndoshta duke ditur këtë, Rama u mundua të eksploronte një rrugë tjetër, për ti ngritur moralin të tijëve. Në fjalimin alla Fidel Kastro, ai nuk i kurseu  penelatat optimiste. Ai foli mbi gjysëm ore për sukseset e industrisë së turizmit, tregoi me mburrje se pas disa ditësh Shqipëria do drejtojë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit dhe nuk e humbi rastin pa nënvizuar se jemi bërë aq të fortë, sa ti tregojmë dhëmbët Athinës.

Por edhe kjo strategji ka pak gjasë të ketë zënë vend. Sepse duke dëgjuar paradën e krenarive të Ramës çdo njeri që reket ta vërë trurin në punë do të pyeste: po kur qenkemi kaq lart, pse u dashka të bëjë një lëvizje që ndodh vetëm pas krizash të mëdha? Pse u dashska të tollovisë gati gjysmën e qeverisë?

Dy rrugët që Rama ka zgjedhur, edhe për të flakur koka ministrash me shpresën për të qetësuar turmat edhe për tu mbushur mendjen këtyre të fundit se jemi shumë mirë, neutralizojë njëra-tjetërën. Ato e zerojnë efektin që do donin të prodhonin duke përforcuar bindjen se ky sistem prodhon qeveritarë me lugë në brez.

As investimet strategjike buzë Jonit s’do përfundojnë me ikjen e Xhaçkës, as PPP e shëndetësisë me atë të Manastirliut dhe as djegësit e plehrave nuk do vihen në punë, për faktin se doli nga njëra derë Ahmetaj dhe hyri nga tjetra Mazniku.

 

Rilindasve nuk i shërben dot më parrulla: “sistemi ynë i bën njerëzit më të ndershëm”. Ata mund të gjejnë shpëtim vetëm tek deviza e vjetër e gjithë banditëve: “njerëz si ne e bënë Amerikën”. Pastaj po, pas kësaj, mund të diskutojmë lirshëm për boomin turistik dhe Maldivet e Evropës.

Renditja/ Parashikimi i Meri Shehut: Kush është shenja më me fat në muajin shtator

Asterologia Meri Shehu në një parashikim të fundit rradhit shenjat më me fat të zodiakut. Ajo përcolli renditjen e shenjave për muajin Shtator, nga ajo me më pak fat, tek shenja që kryeson këtë muaj.

12-Dashi Marsi është futur në Peshore përballë shenjës së Dashit dhe janë futur në një antagonizëm të fuqishëm. Plus dhe po kërkojnë perfeksionin në lidhje me punët, nuk po e gjejnë dot aq sa kohë të jetë Mërkuri i kundërt. I shikoj dashët pak nën presion. Plus sot është kthyer dhe Jupiteri i kundërt në Dem. Dashët do kenë kujdes dhe në çështjet ekonomike, fillojnë vonesat dhe ngarkesat, si dhe në pozicione të ndryshme karriere dhe marrëdhënie në çift.

11-Binjakët Binjakët do kenë një muaj Shtator shumë erotik, domethënë nëse flasim për erotizmin, binjakët janë ata që do ta shijojnë erotizmin në maksimum. Binjakët do kenë sharmin dhe mundësinë të bëjnë marrëdhënie, kontakte nga më të ndryshme. Ku fle lepuri? Në çështjet familjare, të cilat nuk i kanë zgjidhur siç duhet dhe thirren binjakët deri në mes të Shtatorit të rregullojnë shumë çështje të prapambetura familjare, ose karriere, ose çështje ligjore që mund t’i kenë mbetur gjatë muajve të kaluar, ose që kanë pretenduar që i kanë zgjidhur, ose me eprorët e tyre. Nëse punojnë në punë shteti do të kenë ndonjë komplikacion të këtij lloji. Megjithatë në fund të muajit, mendoj që binjakët do marrin një lloj merite dhe avantazhi në jetën e tyre dhe do fillojnë të ndriçojnë dhe të ndihen më të vlerësuar.

10-Shigjetari Ashtu si binjakët, duke qenë se janë dy shenja ballë për ballë goditen nga Mërkuri i kundërt në Virgjëreshë. Shigjetarët lidhen direkt me një paqartësi me lidhje me punën, me karrierën dhe me planet për të ardhmen, ose me udhëtimet që duan të bëjnë. Janë konfuzë. Nëse kanë bërë udhëtime, kanë pasur ndonjë pengesë ose mund t’u dalë ndonjë pengesë, të paktën deri në datën 15, që Mërkuri fillon të drejtohet dhe marrin dhe këta përgjigje më korrekte në lidhje me punët dhe kërkesat e tyre. Por është një periudhë produktive do thoja sepse dhe Marsi në Peshore u jep shanse që fjala e tyre të qëllojë atje ku duhet, ose si themi ajo shtiza e tyre të kalojë në atë harkun e 12-të. Kanë dhe aftësi sportive të mira, jo vetëm filozofike, kështu që mund të përdorin edhe anën fizike të tyre për të joshur, për të dhënë, reklamuar energji dhe për të fituar gjëra.

9-Peshqit E keqja nuk na vjen nga Mërkuri i kundërt në Virgjëreshë, por na vjen nga Neptuni. Do thoni ju Neptuni në Peshk është në vendin e vet dhe Peshqit e kanë aty. E kanë aty, do frymëzohen, janë frymëzuar, janë bërë shumë romantikë, kanë shumë shpresa, ëndërrime, por kanë edhe pak utopi të tepërt. Tashmë Mërkuri i kundërt përballë tyre i ndikon që ta ulin nivelin e utopisë, ose të atyre pretendimeve që kanë. Pra disa nga ëndrrat e peshqve nuk do të realizohen aq shumë sa duhet dhe ndoshta nuk do jetë Shtatori që do t’u japë shanse të mëdha. Pas datës 14 mund të fillojnë një punë të re, karrierë të re, ose një lidhje të re.

8-Bricjapi Shenjë e tokës, lidhen me Jupiterin në temë, por nga sot Jupiteri është i kundërt, kështu që disa çështje ligjore, kontakte me jashtë, udhëtime studimore, kontrata, fillojnë edhe shkojnë pak më mbrapsht, ose vonohen. Në çështjet e dashurisë duket sikur nuk mund të merren vendimet e duhura dhe vonon të merret vendimi i duhur. Kështu që ta kenë kujdes periudhën, të paktën deri në mes Shtatori. Nga ana ekonomike janë çliruar që sot dhe besoj se aty mund të pretendojnë të marrin para që të tjerët u kanë, ose pretendohet tua japin bricjapëve. Ndoshta dhe ndonjë natë romantike nuk përjashtohet në këtë periudhë.

7-Luani U çliruan luanët nga Afërdita e kundërt në shenjën e tyre, kështu që kanë sharmin, ngjyrën, gjithë optimizmin, dashurinë tashmë, që të marrin vendime erotike, të njohin, të gëzojnë, të blejnë gjëra, të merren me modë, art dhe shumë punë të bukura. Dhe do t’ia arrijnë me shumë sukses. Mërkuri i kundërt tashmë i penalizon pak në çështjet ekonomike dhe mund të kemi dhe ndonjë debat në strategjitë e tyre, ose me të afërmit e tyre, në shtëpi, në lagje. Këtu duhet të shikojnë mënyrën diplomatike të komunikimit. Me Marsin në Peshore, diplomacia do të mbizotërojë. Nuk do të jetë si ai trëndafili, por mund të ketë dhe gjemba nga pas, sepse është me Mars, pak luftarak.

6-Gaforrja është një shenjë që po ecën dhe do ecë mirë. Kulmin do ta ketë në fund të Shtatorit. Shumë Gaforre do të mbyllin një cikël të rëndësishëm pune, ose në jetën personale do jetë marrë një vendim pune, ose vendim i mirë fejese, martesë. Ose mbyllet një cikël i rëndësishëm dhe do t’ia fillojnë prap nga e para. Kush Gaforre është e kënaqur me këtë cikël që mund të mbyllë dhe ta fillojë nga e para, janë shumë në rregull. Ata që thonë kush ia fillon prap nga e para, me ta pastaj do të fillojë një luftë familjare, sepse Marsi në Peshore ka të bëjë me familjen dhe shumë gaforre do jenë pak të nxituara dhe të irrituara. Kujdes aksidentalet në familje në këtë periudhë.

5-Demi Kanë Jupiterin në shenjën e tyre, vazhdojnë të jenë me fat. Por sot kthehet i kundër Jupiteri në shenjën e tyre, që do të thotë që shumë demë, ato fjalë që kanë premtuar ose u janë premtuar, do vonohen. Pra nuk bëhen tani, do vonohen disa muaj. Ndaj ngelen sërish në një periudhë pritjeje. Në marrëdhëniet familjare marrin njëlloj erotizmi, shkëlqimi, pasurie, vlerësimi dhe besoj që do ndjehen mirë në komoditetin e tyre të përditshmërisë, ose atje ku jetojnë ose bizneset familjare. Tani është momenti të marrin meritën

ose pozicionin e mirë të duhur, ose dhe të fillojnë një bashkëjetesë të mirë. Në çështjet ekonomike kanë shpenzime, në punë dhe në ekonomi duhet të kenë kujdes. Sidomos në çështjet e punës mund të kenë revolta. Edhe në çështjet shëndetësore duhet të kenë kujdes.

4-Akrepi Jupiteri përballë tyre është i kundërt, kjo do të thotë që do të rinovohen shumë kontrata, marrëdhënie, marrëveshje. Ata që kanë pasur probleme në çift mund të kenë probleme akoma, ose të vonohen sqarimet e situatave, të vonohen divorcet, martesat, të vonohen ato mundësi për të rregulluar dhe stabilizuar bashkëpunimet. Marsi në Peshore tregon një prapaskenë, ndaj kujdes prapaskenat në lidhje me punën ose armiqtë e fshehtë, që ndoshta veprojnë pak me jetën dhe interesat e akrepave. Janë në këtë pozicion sepse Hëna e plotë në Dash në fund të muajit u jep gjithë sharmin e një pune të mrekullueshme dhe një energjie shumë të madhe që do marrin akrepët.

3-Ujori Janë çliruar nga Afërdita e kundërt përballë shenjës së tyre, kështu që mund të dashurojnë, bashkëpunojnë, ia dinë vlerën ekonomisë, lekut ose njerëzve dhe gjërave me vlerë në jetën e tyre. Tashmë ajo e verdha e floririt do vejë deri tek ujorët dhe ata do ta ndjenjë tringëllimë e arit. Ujorët janë në një moment të rëndësishëm pune, mund të ndryshojnë, rregullojë punë, të fusin partneritete të reja, ose të largohen nga një bashkëpunim që i ka lodhur. Mund të kenë aktivitet shumë të mirë jashtë vendit dhe bashkëpunime e udhëtime të shumta jashtë vendit. Duhet të ruajnë diplomacinë më së shumti.

2-Virgjëresha Hëna e re në shenjë në datën 14 tregon që lenë pas një verë të lodhur paksa, ose të menduar në disa raste. Tashmë fillon nga e pra me një Hënë të re, ndryshime specifike të mëdha. Afërdita është çliruar, nuk ka më prapaskena në dashuri, tradhti dhe pasiguri për ata që kanë përjetuar në jetën emocionale të tyre. Ana ekonomike fillon dhe merr përparësi të mirë. Pas datës 15, shumë virgjëresha futen në rrugë të mira pa kthim, çdo gjë fillon dhe ecën përpara pas kësaj date.

1-Peshorja Janë në vendin e parë sepse kanë Marsin në shenjën e tyre, është planeti më vital që i jep energji. Diplomacia e peshoreve do ndikojë në veprimet e të gjithëve, për t’i dhënë diplomaci. Por është e vështirë të ruhet diplomacia me Marsin në Peshore, kështu që ndonjëherë duhet dhe luftë, kërkesë llogarie. Shumë peshore do kërkojnë llogari, do duan të marrin atë që u takon, por do ta finalizojnë me sukses në fund të muajit me Hënën e plotë përballë shenjës së tyre në Dash, ku do ftohen të bashkëpunojnë, të bëjnë marrëdhënie të reja në çift, por edhe të finalizojnë shumë punë me sukses. Afërdita në Luan u jep shumë sharm dhe mundësi njohjesh të reja në dashuri dhe shumë fat.

 

Tjetër aksident i rëndë në Llaman, plagoset turistja franceze

Një aksident ka ndodhur gjatë pasdites së sotme në Himarë.

Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:45 në vendin quajtur Llaman në Himarë, ku një automjet tip “VW” me drejtuese 44-vjeçaren angleze me incilialej J.A është përplasur me motomjetin që drejtohej nga 31-vjeçari austriak me inicialet F.W. dh e plagosur në këmbë një shtetase franceze, 27-vjeçarja me inicialet P.V e cila është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Himarë/Informacion paraprak

Rreth orës 17:45, në vendin e quajtur “Llaman”, Himarë, automjeti tip “Volksëagen” me drejtuese shtetasen angleze J. A., 44 vjeçe, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin austriak F. W., 31 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, është dëmtuar në këmbë pasagjerja në motomjet shtetasja franceze P. V., 27 vjeçe, e cila u dërgua për ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor në drejtimin e prokurorit ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave, përcaktimin e saktë të shkakut të përplasjes dhe për dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Aulona Musta: Nuk do jetoja me vjehrrën, dua të rri lakuriq në shtëpi

Moderatorja Aulona Musta është shumë aktive në rrjetet sociale, aty ku tregon përditshmërinë e saj dhe jep edhe këshilla për fitness dhe për tema të ndryshme.

Sot ajo ka bërë një bisedë virtuale me fansat e saj, ku ata i kanë drejtuar pyetjet dhe ajo i është përgjigjur. Një pyetje që i është bërë Aulonës, e cila duhet thënë se nuk është e vetmja, ka qënë nëse do jetonte me vjehrrin dhe vjehrrën.

Musta i është përgjigjur fanses, duke shkuar:

“Jo. Njësoj siç nuk do jetoja as me prindërit e mi. Unë dua të rri lakuriq në shtëpi! Të zihem e pajtohem me burrin pa i dhënë llogari njeriu dhe pa shqetësuar njeri. Dua të vendos vetë për fëmijën tim, çfarë do gatuaj për drekë, kur do e pastroj shtëpinë, etj, etj. Unë kam vjehrrin dhe vjehrrën më të mrekullueshëm në botë, por gjëja më e mirë për çdo çift eshtë të jetojnë vetëm!”/ Zoom.al

Përlotet ish-truproja i Fatos Nanos: Ai ka vuajtur gjithmonë nga kjo sëmundje

Truproja e ish- kryeministrit, Fatos Nano ka rrëfyer si ishte të punoje me ish-liderin e socialistëve.

I ftuar në Vizionin e Pasdites, truproja që njihet si ‘Tori i Nanos’ thekson se u ofruar vullnetarisht për të mbrojtur ish kryesocialistin e më pas ky i fundit e përzgjodhi.

Gjendja shëndetësore e Nanos ka bërë që ai të përlotet në studio, ndërsa tregon se fillimisht nuk e besonte se ai ishte shtruar në spital.

“Ka pas vuajtur nga frymëmarrja. Nuk para i besoja, por pastaj pyeta miqtë, kolegët, persona që i rrinë afër dhe ishte e vërtetë.

Me thënë të drejtën u prek shumë. Arsyeja pse u preka, sepse për ato vite sa punova afër atij kam shkuar vetë vullnetarisht, pastaj më zgjodhi, në thonjëza kam braktisur familjen, prindërit.

Unë kam fituar vetëm një gjë nga ajo punë, emrin e madh Tori i Nanos, asgjë tjetër”, tha ai.

Aksident në aksin Korçë-Pogradec. Një i vdekur

Një aksident me pasojë vdekjen e 73-vjeçari ka ndodhur në Korçë.

Policia thotë se në aksin ‘Korçë-Pogradec’ pranë fshatit Zvirinë, Maliq, një makinë tip “Mitsubishi”, me drejtues shtetasin V. Xh., 51 vjeç, ka përplasur një motomjet tip “Nissan”, me drejtues shtetasin P. V., 73 vjeç, banues në fshatin Zvirinë.

Për pasojë ka ndërruar jetë drejtuesi i motorit, 73-vjeçari P.V.

Skënderbeu i beson trajnerit serb, Gvozdenovic nënshkruan kontratë afatgjate

Ivan Gvozdenoviçi është duke bërë një punë shumë të mirë te Skënderbeu.

Pas fitimit të Kategorisë së Parë, korçarët po udhëheqin edhe Abissnet Superioren pas dy ndeshjeve të para të kampionatit.

Klubi ka vendosur të shpërblejë punën e trajnerit, duke i ofruar një kontratë të re.

Skënderbeu ka njoftuar përmes faqes zyrtare në “Facebook” se Gvozdenoviçi ka firmosur zgjatjen e kontratës edhe për tre vite të tjera.

“Ivan Gvozdenovic edhe 3 vite bardhekuq! Trajneri ka rinovuar kontratën me klubin e Skënderbeut dhe do vijojë të jetë pjesë e jona dhe për një kohë të gjatë. I urojmë suksese trajnerit tonë”, ka njoftuar klubi Skënderbeu. /zoom.al/

Mediat greke: A do të zbutet Rama për Belerin tani që dëboi Xhaçkën?

Heqja e Olta Xhaçkës nga posti i ministres së Jashtme shqiptare nuk është lënë jashtë vëmendjes nga mediat greke. Analisti Stavros Papantoniou ka një koment me titullin: “Edi Rama dëboi ministren e Jashtme” e këtë e lidh me zhvillimet e fundit, përplasjet mes Athinës dhe Tiranës zyrtare për çështjen e arrestimit të Fredi Belerit.

“Kryeministri shqiptar Edi Rama largoi nga qeveria ministren e Jashtme Olta Xhaçka, e cila u zëvendësua nga Igli Hasani. 43-vjeçarja Xhaçka ka qenë një deputete e rëndësishme, me karrierë në ngjitje e Partisë Socialiste. Pasi para se të merrte Ministrinë e Jashtme shqiptare në vitin 2021, ishte ministre e Mbrojtjes për tre vjet. Ajo është e martuar me biznesmenin Artan Gaçi, i cili është nën vëzhgimin e parlamentit shqiptar dhe Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e diskutueshme të investimeve turistike në Himarë. Ish-ministrja kishte mbështetur linjën e “fortë” shqiptare për çështjen e arrestimit dhe burgosjes së Fredi Belerit dhe disa thonë se largimi i saj mund t’i japë mundësi Edi Ramës të ndryshojë qëndrim për këtë çështje”, shkruan analisti grek.

Ndërkohë që vetë Xhaçka në një reagim të saj më 31 gusht do t’i kundërpërgjigjej homologut të saj grek në lidhje me qëndrimet për Belerin.

“Nuk ka mundësi që miqtë & fqinjët tanë grekë të jenë të vetmit që kanë të drejtë,kur këmbëngulin në një kërkesë të rrëzuar nga gjykatat shqiptare dhe të qartë për miqtë e partnerët e tjerë, të cilët thonë se kjo është një çështje e drejtësisë shqiptare! Organet e reja të drejtësisë shqiptare kanë folur qartë me vendimet e tyre dhe qeveria shqiptare ka folur qartë po ashtu: Çështja e betimit të kryebashkiakut të ndaluar nga drejtësia është një çështje e drejtësisë. Jo e qeverisë shqiptare. As e qeverisë greke. Homologut tim grek për të cilin kam shumë respekt, i kam thënë se për këtë çështje nuk duhet të niset nga ligji grek por nga ligji shqiptar. Dhe sipas ligjit shqiptar, s’ka vullnet politik që e nxjerr zotin Beleri nga burgu apo që fut noter në burg që ai të bëjë betimin si kryebashkiak. Me keqardhje po kjo është kështu dhe vetëm kështu”, do të reagonte Xhaçka.

Teoria e hedhur nga analisti grek mbetet ende për t’u parë nëse do të vërtetohet. Çka ka shumë pak gjasa të ndodhë për momentin, pasi vetë Rama publikisht mban të njëjtin qëndrim siç ishte edhe reagimi më i fundit i Xhaçkës.