zoom

Day ArchiveTirana triumfon në derbi, Di Biagio provon zhgënjimin e parë

Derbi i kryeqytetit ka sjellë spektakël që në javën e parë të “Abissnet Superiore”-s.

Tirana ka mposhtur Dinamon në “Elbasan Arena” me rezultatin 2-3. Nëndetësja blu kaloi e para në avantazh në minutën e 24-t, kur Kaçorri tundi rrjetën me kokë.

Por festa zgjati vetëm 5 minuta. Kaq kohë iu nevojit Ardit Hilës për të dërguar topin në rrjetë dhe për të kthyer baraspeshën. Pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-1, ndërsa në të dytën është sërish Dinamo ajo që shkon e para te goli.

Pas rishikimit të pamjeve me VAR, Xhaja akordon një 11 metërsh në favor të dinamovitëve. Parën topit shkon Denisoni, i cili mposht Likën nga 11 metrat.

Po më të njëjtën monedhë kundërpërgjigjet edhe Tirana. Bardheblutë fitojnë të drejtën e një penalltie në minutën e 74-t, e cila u shndërrua në gol nga Latifi. Por seria e golave nuk mbyllet këtu.

Kur kronometri po numëronte minutën e fundit të kohës së rregullt, Tirana fiton një tjetër penallti. Këtë herë Juxhin Xhaja nuk ka as nevojën e VAR-it për të konfirmuar atë çfarë pa. Topin e merr në duar Hasani, i cili e dërgon më pas në rrjetë dhe shkon të festojë golin e fitores me tifozët bardheblu.

Ndeshja përfundon kështu me shifrat 2-3, me Tiranën që merr fitoren e parë në këtë sezon të ri të “Abissnet Superiore“-s.

E trishtë/ Ndahet nga jeta ish-deputeti i Partisë Demokratike

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Baki Shehi, është ndarë nga jeta.

Lajmin e ka bërë të ditur kryedemokrati Lulzim Basha përmes një reagimi në Facebook. Baki Shehi ka qenë edhe ish-gjeneral i Forcave të Armatosura dhe një studiues i historisë.

Reagimi i Bashës:

Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Baki Shehit, deputet i Partisë Demokratike, gjeneral i Forcave të Armatosura dhe studiues i apasionuar i historisë. I dashuruar pas vendlindjes së tij, të cilës i përkushtoi me pasion dhe humanizëm aktivitetin e tij politik, përmes një pune të gjatë e të palodhur, Baki Shehi hulumtoi me kërshëri të shkuarën e lashtë të Ndroqit, duke i dhënë jetë një libri që do të mbetet testament i lidhjes së tij të ngushtë me këtë komunitet, të cilit i shërbeu me devocion dhe dashuri. Ndonëse i sfiduar dhimbshëm nga dallgët e jetës, gjeneral Baki Shehi ruajti përherë zemërgjerësinë dhe fisnikërinë me të cilën do të kujtohet nga miqtë dhe kolegët e tij. Me ndarjen e tij nga kjo jetë Partia Demokratike humbi një prej kontribuesve të saj të vyer.

Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjen, të afërmit dhe miqtë e dashamirët e tij të shumtë.

U prehtë në paqe!

 

VIDEO/ Luizi “tradhton” Ramën, këndon këngën kushtuar Sali Berishës

Këngëtari Luzi Ejlli pas fitimit të edicionit të dytë të Big Brother VIP është kthyer në personazhin më të kërkuar në botën e showbizit.

Koncertet e tij janë shumë të frekuentuara nga të rinjtë dhe jo vetëm, ku gjatë koncertit të fundit në Shkodër, kishte edhe zonja të moshës së tretë.

Por kjo nuk ishte e vetmja surprizë në koncertin e Luizit, pasi ai i ka  kënduar këngën kushtuar ish-kryeministrit Sali Berisha. Edhe pse gjatë periudhës në Big Brother VIP deklaronte se ai ishte fans i doktorrit, pasi doli nga Big Brother VIP, vendosi që të mbështeste kandidatin e PS-së në Shkodër Benet Becit, duke dalë kështu kundër Berishës.

Po ashtu ai ishte i ftuar edhe në PodCast-in e kryeministrit Edi Rama, por duket se zemra i ‘rreh’ sërish për Berishën.

Pak ditë më parë, këngëtarja Fatmira Breçani deklaroi se në Shkodër nuk e kishin lejuar të këndonte këngën kushtuar Berishës.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

Rama me alibi si të Erdoganit dhe Putinit

Nga Andi Bushati

Edi Rama është përpjekur të lajë duart duke prodhuar një sërë alibish për çështjen Beleri. Në intervistën për të përditshmen Kathimirini, që e pomponte me bujë prej ditësh, kryeministri reket të sigurojë publikun grek, (në videon që ka shpërndarë në Facebook është kujdesur që titrat të jenë dhe anglisht), se nuk është ai, autokrati që ka paravendosur burgosjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Ai ka folur për drejtësinë tonë të pavarur, të formatuar nga BE dhe SHBA, për faktin se ajo po ha edhe shumë koka socialistësh, ka guxuar të bëjë prapa ktheu për zhargonin prej rugaçi që përdori ndaj Belerit në fushatë (ndonëse manipuloi kur tha se e kishtë bërë këtë si pasojë e deklaratëve për helenizimin e Himarës).

Edi Rama përdori një vetëmbrojtje që në një pamje të parë duket bindëse: “Po ta dija që ai do të arrestohej, a do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë? Mendoj që, jo, sepse mund të mos jem njeriu më i mençur në botë, por nuk jam edhe më budallai në botë dhe ky do të ishte një budallallëk i madh” e pyeti ai, në formë retorike, gazetarin Papadopulos. Pastaj vazhdoi me argumentin se nuk ka asnjë provë se është ai që qëndron pas këtij makinacioni policesk, të denjë për ish agjentët e KGB-së. “Që prej Romës së lashtë, barra e provës i takon akuzuesit dhe jo të akuzuarit” tha ai, duke dashur të nënvizojë se nuk ka asnjë fakt që e bën me faj atë.

Padyshim, që duhet pohuar se nuk ekzistojnë prova konkrete, bideda të përgjuara, apo shkresa që të dëshmojë se urdhërin për burgosjen e kundështarit opozitaro-minoritar e ka dhënë shefi i qeverisë. Dhe askush, hiq ndonjë surprizë, nuk pretendon ti zbulojë ato. Por, raste si ky trajtohen në kontekstin e përgjithshëm dhe shpesh sfondi politik dhe lloji i ushtrimit të pushtetit, janë tregues për mënyrën si funksionon dhe drejtësia. Në intervistën e Ramës ka një detaj, një lapsus të pandërgjegjshëm, që tregon shumë për atë që folëm më lart. Duke rrefyer për marëdhënien e tij me homologun grek Mistsotakis, për vizitën e përbashkët që ata bënë dhjetorin e shkuar në zonën minoritare të Derviçanit, Rama nxori për dëgjuesit edhe një sekret të vogël. “Vendosëm që aty të ngrihet një bust i babait të Kiriakosit”, tha ai duke iu referuar një tjetër kryeministri të famshëm helen, Kostandin Mitsotakis.

Por, është interesante të qëmtohet si vijon biseda dhe se si sillet kryeministri ynë, fare pa e kuptuar, me qasjen e njeriut që bën dhe shiun dhe diellin në këtë vend. Duke iu referuar situatës së fundit të acaruar me Greqinë ai shpalli me triumfalizëm: “Unë nuk kam dhënë urdhër të ndalet puna me bustin”.

Imagjinioni për një çast. Cili lider demokrat, që vepron në një hapsirë demokratike, do imagjinonte ta nxirrte një frazë të tillë nga goja? Kush udhëheqës politik do i lejonte vetes pushtetin për të vendosur se kur duhen ngritur statujat dhe kur duhet pezulluar lartësimi i tyre?

Ky detaj, fare i vogël dhe i parëndësishëm në dukje, dëshmon shumë për mënyrën ses Edi Rama sundon mbi vendin e tij. Për shumë kënd ai merr peshën dhe rëndësinë që nuk e zhbëjnë dot çorba e fjalëve për pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve në demokraci.

Por, pa u kapur pas kësaj nuance që nuk përbën provë, ndonëse është tejet ilustruese për shijen dhe aromën e atmosferës në të cilën zhvillonen ngjarjet, pasi dëgjova alibitë e Ramës se, pas arrestimit të Belerit nuk qëndronte ai, vendosa të bëj një gjë tjetër. U futa të lexoj pak për rastet e fundit që kanë bërë bujë si burgosje dhe dënime politike. Eshtë e habitshme të shokosh sa të ngjashme janë justifikimet e autokratëve që tregohen me gisht se qëndrojnë pas tyre. Erdogani është sjellë po njësoj, kur është akuzuar se qëndron pas dënimit nga gjykata të njërit prej opozitarëve të tij më të fortë, kryebashkiakut të Stambollit, Imamoglu. Duke i qaujturi reagimet si një struhi kundër një vendimi të drejtësië, raisi turk përbetohej, në dhjetor 2022: “Ky debat nuk ka lidhje as me ne dhe veçanërisht as me mua”.

Edhe cari i ri i Kremlinit është sjellë po njësoj pas dënimit të ish oligarkut të Yukosit, Khodorovski. “Ne duhet të nisemi nga principi se krimet e Mikhail Khodorovskit janë provuar nga drejtësia”, deklaronte Putini në 2010, për një televizion rus.

Ndonëse sipas të drejtës romake, askush nuk jepte dot prova për të akuzuar as autokratin turk dhe as diktatorin rus, mbarë bota demokratike nuk ka pasur dyshime për rolin e tyre në këto “ndëshkime të drejtësisë”.

Se nganjëherë, më me rëndësi se provat konkrete është kuadri i përgjithshëm në të cilin zhvillohet ngjarja. Dhe çështja Beleri duhet parë në këtë sfond. Rallë ndonjëherë, në një vend të mirfilltë demokratik, një kandidat për një bashki të rëndësishme, mund të prangoset dy ditë para garës. Aq më tepër kur ai është njëkohësisht edhe opozitar edhe pjesë e një mnoriteti. Vështirë se ndodh që kjo të bëhet me kontributin vullnetar të një të infiltruari të policisë. Edhe më e pamundur është që të përdorret argumenti i arrestimit në flagrancë, kur flagrancë nuk ekziston. Po ti shtosh këtyre edhe shkeljet proceduriale, që vendimet u morën në Vlorë, ndërkohë që për krimet zgjedhore ligji autorizon SPAK-un dyshimet thellohen. Ato bëhen edhe më të forta kur, tani pas zgjedhjeve, po luhet çdo gur që Beleri të humbasë mandatin, duke i penguar betimin si kryebashkiak.

Në fakt, e gjithë afera qelbet era politikë. Prandaj dhe alibitë për ndarjen e pushteteve duken qesharake. Në një vend kur një neri i vetëm vendos se kujt i duhet ngritur statujë e kujt jo, se kush e meriton të jetë i lirë apo të përfundojnë në burg, të flasësh për sundimin e ligjit është njësoj si të diskutosh për seksin e ëngjëjve. Ndoshta me një mendësi të thellë demokratike këtë qasje të gabuar pati në intervistë edhe gazetari grek Pavlos Papadopulos. Ai adoptoi një model të ngjashëm me atë bisedave që dikur Oliver Stoun ka zhvilluar me Fidel Kastron apo Putinin. Duke e marrë një personazh të ngërthyer një një konflikt konkret dhe duke i lënë hapsirën të flasë si artist apo të tregojë kujtimet e rinisë me berberët e Rinasit, ai e ç’fokusoi thelbin e intervistës. Në një farë mënyre ai ra në kurthin e kolegëve që intervistojnë autokratë. Ai la tepër hapsirë për alibitë e Ramës, që megjithatë, sa do të ealboruara që të ishin, nuk ndryshojnë shumë nga ato që prodhohen në Moskë apo Ankara.

Mbyllet numërimi, Emri Vata fiton Primaret e Kukësit

Emri Vata është kandidati që ka fituar Primaret për Bashkinë e Kukësit, që do të përfaqësojë Berishën në zgjedhjet e datës 24 Shtator 2023.

Procesi i votimit filloi në orën 08:00 dhe përfundoi në orën 18.00. 678 demokratë morën pjesë në Primare, ndërsa Vata mori 274 vota.

Njoftim per shtyp

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike ndoqi sot, e diel, 27 gusht 2023, Primaret në PD Kukës per te zgjedhur kandidatin per zgjedhjet e pjesshme per Bashkine Kukes.

Kandidatë në Primare ishin:

1- Ardian Sokol Elezi

2- Emri Haxhi Vata

3- Gëzim Beqir Shehu

4- Uran Rakip Cengu

5- Ylber Haxhi Zeneli

Procesi u hap në orën 8.00 dhe u mbyll në orën 18.00.

Pas numerimit të fletëve të votimit, sipas procesverbalit zyrtar të mbërritur nga Komisioni i Votimit dhe Numurimit, fitues u shpall: z. Emri Vata.
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale falenderon të gjithë anëtarët që u bënë pjesë e procesit të votimit për zgjedhjen e Kandidatit në zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë Kukës.

ZYRA E SHTYPIT DHE KOMUNIKIMIT
PARTIA DEMOKRATIKE

Erzeni befason në start, ndëshkon Laçin me sulmuesin Mihana

Erzeni arriti që të barazonte ndaj Laçit me shifrat 3-3 në transfertë, ndërsa po humbiste 3-1.

Goli i parë u shënua te Laci nga afrimi i verës, Sobowale.

Ky i fundit përfitoi nga gabimi i Mihanës në stopimin e topit në zonë, që e ktheu në asist perfekt në minutën e 17.

Por vetëm 3 minuta më vonë, Mihana shleu gabimin dhe realizoi një gol që me siguri do të jetë mes më të bukurëve deri në fundin e kampionatit.

Laçi e ndëshkuan edhe dy herë të tjerë Erzenin me anë të Bajramajt dhe Ujkës.

Mihana u zgjua sërish në minutën e 80 për të ngushtuar shifrat, ndërsa në minutën e 86, Kahrimanovic barazoi rezultatin nga pika e bardhë.

Laçi-Erzeni 3-3
Sobowale 17′, Bajramaj 30′, Ujka 61’/ Mihana 20′, 80′, Kahrimanovic 87′ P. /zoom.al/

Përplasi për vdekje turistët italianë, lihet në burg 17-vjeçari

17-vjeçari Elio Rraku, që shkaktoi aksidentin e rëndë në aksin Sarandë-Ksamil ku humbën jetën dy turistët italianë, u la në burg deri në përfundim të hetimeve.

Seanca për masën e sigurisë për të riun u zhvillua këtë të dielë në ambientet e spitalit të Sarndës, ku gjendet i shtruar prej plagëve që mori në aksident edhe ai vetë.

Prokurorja e çështjes kërkoi masën “Arrest në burg” për 17-vjeçarin, si i akuzuar për përveprat penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave dhe “drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.

Ndërkohq që avokati i të miturit Çlirim Shahini kërkoi një masë më të lehtë, duke argumentuar se është në gjendje të rëndë psikologjike nga ngjarja.

Aksidenti tragjik ndodhi teksa italianët po ktheheshin nga Ksamili në Sarandë me motorin e tyre.
Ato u përplasën nga një mjet tip “Benz” i drejtuar nga një adoleshent 17-vjeçar. Ky i fundit ishte nisur me një mikun e tij 16-vjeçar drejt Ksamilit.

VIDEO/ Adoleshentët dhunojnë në grup një person dhe i bëjnë “karshillëk” policisë në TikTok

Dhuna vijon të mbetet një nga problemet kryesore të shoqërisë tonë, teksa raportime për dhunë në familje dhe jashtë saj janë kthyer në diçka normale për autoritetet.

Por duket se dhuna është e përhapur edhe në moshat e reja.

Një video shqetësuese është publikuar në TikTok, ku shfaqen disa djem të moshës së adoleshencës që dhunojnë një person në Tiranë.

Nuk dihet zona ku ka ndodhur sherri masiv, por në video shfaqen të rinjtë që godasin në grup një person. Në komentet e postimit në rrjetin social, adoleshentët pretendojnë se personi që kanë sulmuar, i ka sharë.

Po ashtu në një moment tjetër të videos, adoleshentët kanë publikuar edhe një imazh ku shfaqen përballë policisë.

Pamje të tilla janë shqetësuese pasi grupi i adoleshentëve mund ta përsërisë sërish diçka të tillë.

 

@akkja_g0 #fyp#viral#kapviraltqr#fakesituation⚠️ #fakesituation⚠️ #albania🇦🇱 #alidem #fypage #viralvideo ♬ original sound – LYRICS⚡

Dy të vdekur brenda pak orësh në vend, 52-vjeçari gjendet i pajetë në kopshtin e shtëpisë

Dy persona hunbën jetën brenda pak orësh pasditen e kësaj të diele në vendin tonë.

Një 52-vjeçar u gjet pa shenja jete në kopshtin e banesës së tij në Tepelenë, në fshatin Progonat.

Trupi i tij i pajetë, sipas policisë, u gjet nga familjarët.

52-vjeçari dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri automatik.

Sipas deklarimeve të familjarëve, ai përdorte medikamente për shëndetin mendor, pasi vuante nga depresioni.

Edhe në Fushë Arrëz u gjet i pajetë një 39-vjeçar në banesën e tij. Shkaku i vdekjes së tij nuk është përcaktuar ende, por sipas policisë, në trup nuk i janë konstatuar shenja dhune.

Greqia “vuan” nga zjarret, betejë e vështirë nga toka dhe ajri

Një ditë pasi u duk se u vendosën nën kontroll, flakët kanë shpërthyer sërish në Greqi.

Qindra zjarrfikës grekë së bashku me forcat europiane e shqiptare, të ndihmuar edhe nga ajri, po luftojnë me flakët në tre vatra kryesore, dy prej të cilave janë ndezur që prej javës së kaluar.

Një vatër masive ka përfshirë pjesën verilindore të vendit në Evros dhe Aleksandropoli në afërsi të kufirit me Turqinë. Në të njëjtën zonë mbetën të djegur edhe 20 emigrantë disa ditë më parë.

Zjarret, që konsiderohen si më të mëdhatë ndonjëherë në vendet e Europës, përveç sipërfaqeve të mëdha pyjore kanë shkrumbuar qindra banesa në zonat periferike të qytetit. Gjatë 24 orëve të fundit, në këtë rajon janë evakuuar edhe dy fshatra të tjerë.

Gjithashtu në skajin veriperëndimor të Athinës një tjetër zjarr i madh po djeg banesa dhe sipërfaqe të mëdha nga parku kombëtar në malin Parnithë. 260 zjarrfikës, një avion dhe tre helikopterë janë aktivizuar në këtë zonë në përpjekje për shuarjen e flakëve.

Problematike është paraqitur situata edhe në ishullin e Andros në lindje të Athinës, ku vatra e parë e cila dyshohet se u ndez nga një rrufe, u shënua të shtunën. 73 zjarrfikës, dy aeroplanë dhe dy helikopterë po vijojnë betejën me flakët.

Shkaqet e zjarreve në Greqi nuk janë përcaktuar ende megjithatë në shumë raste, përgjegjës kanë qenë vetë banorët. Zjarre të ndezura qëllimisht ose jo, të ndihmuar nga thatësira, temperaturat e larta dhe erërat kanë dalë jashtë kontrollit. Deri më tani autoritetet greke kanë arrestuar më shumë se 160 persona.