zoom

Day ArchiveShpiket xhami ekologjik, reziston ndaj plasaritjeve

Një ekip hulumtues i “Penn State University” ka shpikur një lloj të ri xhami që do të zvogëlonte përgjysmë gjurmën e karbonit të qelqit të zakonshëm me sode-silikat, por me të paktën 10 herë më shumë rezistencë ndaj plasaritjes.

Emri i zgjedhur për produktin është LionGlass dhe për të reduktuar ndikimin e tij mjedisor, studiuesit kanë eliminuar disa komponentë të përdorur në zinxhirin tradicional të furnizimit të qelqit, si sodë dhe gur gëlqeror, të cilët lëshojnë dioksid karboni në atmosferë gjatë procesit të shkrirjes.

Për më tepër, ata arritën të punonin materialin në temperatura më të ulëta (duke shkuar nga mbi 400° në pak më pak se 300°), duke ulur kështu konsumin e energjisë me gati 30%.

Për sa i përket forcës, duhet të kihet parasysh se xhami standard fillon të plasaritet kur i nënshtrohet një ngarkese prej 0,1 kilogramësh nga një shpuese diamanti.

LionGlass rezultoi plotësisht imun ndaj plasaritjeve gjatë testeve të kryera me një makinë specifike, duke e bërë atë kandidatin ideal për aplikime në sektorë si industria e automobilave, elektronika, arkitektura, komunikimi dhe kujdesi shëndetësor.

Kjo u shpjegua nga menaxheri i projektit John Mauro, duke shtuar se objektivi kryesor i hulumtimit është që prodhimi global i xhamit të jetë i qëndrueshëm në afat të gjatë.

Prandaj, ekipi i shkencëtarëve po vazhdon të punojë në mënyrë që të shfrytëzojë karakteristikat e qëndrueshmërisë së xhamit të ri dhe ta bëjë atë edhe më të hollë.

Kjo qasje do të bëjë të mundur marrjen e një produkti më të lehtë, duke reduktuar jo vetëm përdorimin e lëndëve të para dhe energjinë e nevojshme për prodhimin e tij, por edhe dhe mbi të gjitha atë që kërkohet për transport. Industria e qelqit globalisht kontribuon në çlirimin e rreth 86 milionë tonëve dioksid karboni në ajër çdo vit.

Kjo është arsyeja pse Universiteti Penn ka paraqitur një aplikim për patentë në zyrën e patentave në Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që të jetë në gjendje të fillojë prodhimin dhe tregtimin në një shkallë të gjerë të një produkti të tillë të qëndrueshëm sa më shpejt të jetë e mundur.

DETAJE nga super-operacioni antidrogë, nën hetim edhe një zyrtar i lartë i policisë

Zbardhen detaje të reja nga mega-operacioni antidrogë në brigjet shqiptare mes SPAK, DEA dhe Guardia di Finanza.

Gjashtë persona janë vënë në pranga, katër prej të cilëve shqiptarë dhe dy ukrainas.

Gomonet mësohet se janë nisur rreth orës 19:00 nga Patoku.

Veliera që u dogj nga trafikantët ishte me flamur ukrainas nisur nga Mali i Zi.

Droga do shkëmbehej në Adriatik 18 milje nga Laguna Patokut.

Në hetim mësohet se është edhe një zyrtar i lartë i policisë.

Hetimi po drejtohet nga prokurori i SPAK Vladimir Mara.

Forcat RENEA kanë zbarkuar në disa banesa në Laç për kontrolle dhe kanë sekuestruar sasi droge dhe një shumë parash.

Plagosja e dy të miturve në Himarë, policia përgënjeshtron veten: Nuk u hodhën nga shkëmbi

Fillimisht u raportua se dy adoleshentë u plagosën në Llaman, pasi kishin bërë hedhje nga një shkëmb aty pranë.

Por pak orë më vonë, Policia e Vlorës përgënjeshtroi njoftimin e parë, duke sqaruar se në fakt, dy të rinjtë ishin lënduar pas një përplasjeje me jet ski.

Shtetasit K. Xh. dhe D. K., së bashku me shtetasit U. K. dhe R. P., 17 vjeç, nga Tirana (të katërt shokë me njëri-tjetrin) janë futur në det, me 2 mjete lundruese jet ski.

Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh. dhe pasagjeri, shtetasi D. K.

Shtetasi K. Xh., u transportua në spitalin e Traumës me helikopter, prej gjendjes së rëndë.

“Fillimisht, shtetasit U. K. dhe R. P., si pasojë e tronditjes, kanë dhënë dëshmi të rreme duke thënë se dy shokët e tyre u dëmtuan pasi u hodhën nga shkëmbi në det, por më pas, gjatë hetimeve, kanë deklaruar të vërtetën”, njoftoi policia.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi penal për shtetasin U. K., 17 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.

Procedimi penal ka nisur edhe për shtetasin R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.

Gjithashtu, operatorit turistik me administrator shtetasin R. P., nga ana e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë i janë bllokuar menjëherë të gjitha mjetet lundruese Jet Ski.

Mega-operacion i SPAK, DEA dhe Guardia di Finanza, trafikantët djegin velierën me drogë

Një megaoperacion ndërkombëtar antidrogë është duke u zhvilluar nga policia shqiptare në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane dhe DEA-n amerikane.

Mësohet se gjatë operacionit është goditur një grup kriminal me bazë në Fushë-Kuqe, të Kurbinit.

Gjatë operacionit janë shoqëruar dhjetë persona, të cilët shkëmbenin kanabis me heroinë dhe kokainë.

Po ashtu, mësohet se janë bllokuar katër gomone, me të cilat dyshohet se kryhej transporti i drogës.

Në momentin që kanë pikasur policinë, të akuzuarit për trafik droge i kanë vënë flakën një veliere, ku dyshohet se kishte drogë.

Skandalet e Bistrit në detyrë, i shkruan Gjokës: Duan të na godasin, janë legena (MESAZHET)

Skandali përfshiu sot Forcën e Posaçme Operacionale që drejtohej nga Oltion Bistri, që sot ndodhet pas hekurave pas operacionit “Metamorfoza” ku u vu në pranga.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dërgoi një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për një linjë interneti të paautorizuar që Forcat e Posaçme Operacionale dyshohet se përdornin për të transferuar të dhëna.

Kallëzimi i AMP është bërë para se ish-shefi i Operacionales, Oltian Bistri të arrestohej.

Gjatë një përgjimi të zbardhur pas “zbërthimit” të aplikacionit “Sky” që është pjesë e dosjes së SPAK, Bistri bisedon me Pëllumb Gjokën dhe shkëmbejnë informacione mes njëri-tjetrit.

Përgjimi:

Bistri-Gjokës: O vëlla, keq puna me këto. Më thirrën lart, se mbajmë dot pikën aty. A t’ju q*sh robt këtyre. Se di. Më duket se është interesuar Leshi vetë, por mos fol me asnjë. Lidhet shoqërore e jotja, etj. Sigurohu që s’të ndjek njeri dhe eja lart te fshati sos, pallati i Brigadave.

Bistri i dërgon një foto Gjokës dhe e pyet: E njeh këtë? I ka dal urdhri për paketim, por mos i thuaj njeriu ta dish për vete. Se mendova se e ke shok ndaj ta thash, qendra e kërkon.

Bistri i shkruan Gjokës: Se di ca do bëjnë këta motërq*rat. Urdhri është të godasin ty dhe mua bashkë. Duan foto të të dyve bashkë. Po të pyetën thuaj se njoh. Janë legena o vëlla, se ke idenë. Thuaj se njoh fare atë, bile më shaj.

Koncesioni i Rinasit: Terminal i mbingarkuar, çmime të kripura dhe fitime marramendëse

“Tirana International Airport” Sh.p.k, kompania koncesionare që menaxhon aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, rriti të ardhurat e veta në nivelin rekord prej 8.3 miliardë lekësh ndërsa realizoi fitime neto prej 3.1 miliardë lekësh gjatë vitit 2022, bëhet e ditur nga të dhënat financiare të kompanisë të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Sipas të dhënave, kompania rriti të ardhurat me 48% duke përfituar nga shtimi i volumit të fluturimeve ndërsa fitimet u rritën me 87%. Sipas vendimit të aksionerit të vetëm, Shefqet Kastrati, 27 milionë euro nga fitimet neto të vitit 2022 kalojnë si divident për pronarin ndërsa 2.4 milionë i lihen kompanisë.

Të dhënat historike financiare të kompanisë tregojnë se shqiptarët kanë paguar mes viteve 2009 dhe 2022 mbi 600 milionë euro për menaxhimin e aeroportit ndërsa aksionerët e ndryshëm të kompanisë kanë fituar gjatë kësaj periudhe gati 190 milionë euro.

Shefqet Kastrati është pronari i shumë kompanive me aktivitete në fusha të ndryshme, nga tregtia e karburantit te turizmi apo ndërtimi. Përveç koncesionit të aeroportit të Rinasit ai kontrollon dhe kontratëm e koncesioneve të të autostradës Rrëshen-Kalimash, si dhë është i lidhur me kompaninë që ka marrë në koncesion aeroportin e Kukësit.

Çmime të larta, shërbim i mbingarkuar

Qeveria socialiste e ish-kryeministrit Fatos Nano nënshkroi kontratën e parë koncesionare të aeroportit me një konsorcium të përbërë nga dy kompani gjermane dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve. Kompania u shit disa herë dhe aksionerët e saj dolën vazhdimisht me fitime të stërmëdha, pasi investuan një kapital themeltar minimal prej më pak se 10 milionë eurosh, ndërsa paguan me kredi dhe me të ardhurat investimet për ndërtimin e një terminali të ri.

Të ardhurat dhe fitimet e kompanisë u rritën në mënyrë progresive ndërsa shqiptarët fituan të drejtën për të lëvizur pa viza në zonën Shengen dhe numri i turistëve të huaj u rrit gradualisht. Në vitin 2010, të ardhurat e kompanisë ishin 4.1 miliardë lekë ndërsa fitimet ishin 1.2 miliardë. Në vitinn 2015, të ardhurat u rritën në 4.9 miliardë ndërsa fitimet arritën në 1.6 miliardë.

Kompania nuk pësoi vit me humbje as në vitin 2020, vit kur për pjesën më të madhe të kohës, fluturimet ajrore u pezulluan për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Sipas të dhënave financiare, aeroporti i Rinasit pati 3.2 miliardë lekë të ardhura dhe 529 milionë lekë fitime.

Në të njëjtën kohë, një kompani kineze që e kishte blerë aeroportin më parë, vendosi ta shesë atë të kompania Kastrati për 70 milionë euro. Blerja shkaktoi çudi për shkak se kontrata koncesionare mbaronte në vitin 2027, sipas një shtese kontrate të bërë nga qeveria “Rama”.

Por menjëherë pas blerjes, qeveria “Rama” propozoi në Kuvendin e Shqipërisë zgjatjen e kontratës së koncesionit në 35 vjet, zgjatje kjo që u bë pa garë dhe në dëm të interesave të qytetarëve, të cilët janë teorikisht pronarë fundorë të aeroportit.

Ndërsa numri i udhëtarëve u rrit, kompania koncesionare duket se ka bërë investime të pamjaftueshme për të përballuar fluksin shtesë ndërsa pak ditë më parë, njoftoi udhëtarët se duhej të paraqiteshin tre orë para fluturimit, nga dy orë që është standardi normal kudo nëpër botë.

Koncesioni aktual skadon në vitin 2039. Sipas normës aktuale të fitimeve, shtesa e kontratës së miratuar nga maxhoranca socialiste do t’i kushtojë shqiptarëve edhe minimalisht 500 milionë euro të tjera./Reporter.al

Pas ndarjes nga Olsi, reagon për herë të parë Egli: Kam zgjedhur të fal

Egli Tako ka reaguar për herë të parë pas ndarjes nga Olsi Bylyku, e nxitur nga pyetjet e ndjekësve të saj në “Instagram”.

“A të mungon?”, ishte pyetja e ndjekësit.

Egli u përgjigj duke përshkruar veten si një njeri të ndjeshëm, që vuan shumë humbjen e kafshëve, e aq më tepër të njerëzve të dashur.

“Lidhja më e fortë që ka krijuar Zoti! 5 vite të mbushura me këtë lidhje. Sigurisht që kur dikush largohet, le një vend bosh. Dhe çdo njeri që percepton, arsyeton (jo të gjithë e kanë aftësinë) është i detyruar ta ndjejë bëshllëkun e atij vendi gjithmonë. Koha e mbush shpirtin tonë me gjëra të tjera e mungesa venitet, sepse jeta vazhdon. Ama vendi mbetet bosh. Unë kam zgjedhur të fal, të hesht, të eci dhe të them faleminderit për të gjithë ditët e mira”, u shpreh ajo.

McGonigal pranon para gjykatës bashkëpunimin me oligarkun rus: Jam i penduar

Ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal ka pranuar fajësinë për çështjen e ngritur ndaj tij se ka punuar për një oligark rus, të sanksionuar nga SHBA.

Sipas “CNN”, McGonigal iu përgjigj një sërë pyetjesh në lidhje me skemën e paligjshme me oligarkun Oleg Deripaska dhe para se gjyqtarja të pranonte deklaratën e tij, ku pranonte fajësinë, ai pohoi edhe se ishte i kthejllët mendërisht.

Në gjykatë, 55-vjeçari u paraqit i penduar për veprimet e tij.

“Unë paraqitem para jush në këtë gjykatë për të marrë përgjegjësinë e plotë pasi veprimet e mia nuk synonin kurrë të lëndonin Shtetet e Bashkuara, FBI-në, familjen dhe miqtë e mi. Kam rënë dakord me një palë tjetër për të mbledhur informacion nënçmues me burim të hapur për një oligark rus të quajtur Vladimir Potanin i cili ishte një konkurrent biznesi i Oleg Deripaska,” tha ai.

“E dija se Deripaska ishte vendosur në listën e sanksioneve nga qeveria amerikane. Unë e kuptoja se informacioni që mblodha në fund do të përdorej për ta futur Potanin në listën e sanksioneve të SHBA-së. E kuptova që puna që bëra do t’i jepte njëfarë përfitimi Deripaska-s dhe sipas ligjit të SHBA-së, nuk duhej t’i ofroja asnjë shërbim Deripaskës, qoftë edhe indirekt”, vazhdoi ai.

McGonigal tani mund të përballet me një dënim maksimal prej pesë vjetësh për një akuzë që ai u deklarua fajtor të martën, tha Rearden në gjykatë. Seanca e radhës do të mbahet më 14 dhjetor.

Avokatët e tij treguan se do t’i kërkojnë gjykatësit të marrë në konsideratë një ofertë për të ofruar informacion të klasifikuar për punën e McGonigal për qeverinë amerikane përpara se të shqiptojë dënimin e tij.

Neymar prezantohet në Arabi, do të habiteni me pagën e tij…

Neymar është zyrtarisht lojtari më i ri i Al-Hilal.

Sulmuesi brazilian mbylli pas gjashtë vitesh eksperiencën në Paris me skuadrën e PSG teksa nga transferimi në Lindjen e Mesme do të përfitojë shumën rekord të 300 milionë dollarëve për dy vite.

Në fakt, totali mund të shkojë edhe më shumë pasi nëpërmjet bonuseve pritet që 31-vjeçari të përfitojë deri në 400 milionë dollarë.

Kontrata e Neymar do të jetë deri në vitin 2025 me mundësi zgjatje edhe për një tjetër vit.

Interesant mbetet mundësia që në vitin 2025 pasi ta mbyllë kontratën me Al-Hilal, Neymar do të ketë mundësinë e përzgjedhjes nëse do ta vijojë aventurën në Arabi apo jo, pasi rikthimi te Barcelona mbetet sërish një ide.

Në këtë sezon, ribashkimi Barcelona-Neymar nuk u krye pasi trajneri Xavi Hernandez ishte kundër bashkëpunimit me brazilianin, por pas dy vitesh skenarët pritet të ndryshojnë. /zoom.al/

Shpërthim në Himarë, pushuesit rrezikojnë djegien në skaf

Prag tragjedie në Himarë, ku një bidon me 28 litra benzinë në një skaf shpërtheu.

Në mjetin lundrues, në momentin që ndodhi shpërthimi, ishin pesë persona, të cilët morën plagë të lehta, sipas policisë.

Katër prej tyre janë pushues nga Kosova, ndërsa i pesti është drejtuesi i mjetit.

Skafi ishte në pronësi të një kompanie turistike dhe mjeti lundrues sapo kishte dalë në det nga korridori ujor i miratuar.

Të pestë këta shtetas kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë larguar pasi dëmtimet ishin të lehta.