zoom

Day ArchiveAksident në Elbasan/ Makina përplas motorrin e picave dhe largohet

Një aksident ka ndodhur pak minuta më parë në Elbasan.

Burimet pohojnë se një makinë ka përplasur një motorr picash e më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Drejtuesi i motorrit mësohet të jetë dërguar në spital.

Deputeti Shehaj: Veliaj të japë dorëheqjen! Lejoi pagesat e inceneratorëve fantazma

Pas lajmit për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, i cili kërkon dorëheqjen e Veliaj pas faktimit të përfshirjes së tij në aferën e inceneratorëve.

Reagimi i Shehajt:

Në thelb Veliaj vazhdoi pagesat për inceneratorin e Tiranës me pretendimin se pronarë nuk ishin Zoto dhe Mërtiri.
SPAK zbuloi se Veliaj gënjente! Ata janë pronarët.
SPAK zbuloi edhe përfshirjen e Veliajt në këtë aferë: Propozimi i tij për PPP; Këmbëngulja publike për vlefshmërinë e inceneratorit; Firma për të marrë përsipër kostot duke anashkaluar Këshillin Bashkiak; Vendimi i Këshillit Bashkiak i përgatitur nga Zoto, Refuzimi për të ndalur pagesat drejt kompanisë guaskë në Holandë.
Faktet dolën nga hetimet e SPAK. Veliaj duhet të jap dorëheqje.
Dorëheqja nuk mund të vij vetëm në rast arrestimi nga SPAK-u!

Tedi Cara dërgon Partizanin në turin e tretë të Conference League dhe hyn në histori

Partizani fitoi me lehtësi me shifrat 4-1 në stadiumin “Air Albania” kundër Atlètic Club d’Escaldes dhe kualifikohet në turin e tretë të Conference League.

Avantazhi 1-0 i arritur në Andorra i dha më tepër qetësi Partizanit, që ishte superiore në fushë.

Fillimi ishte i keq për të kuqtë dhe portierin Qirko, që me gafën e tij i dha një asisit kundërshtarit për të shënuar, por fati ishte me ta.

Më pas Partizani rritet në lojë dhe në minutën e 28’ Tedi Cara zhbllokoi takimin pas një insistimi të të kuqve në zonë.

Goli çliron “Demat”, që në shtesë dyfishuan shifrat me sulmuesin kavajas.

Me këtë dygolsh, Cara hyn në histori duke u bërë golashënuesi më i mirë i Partizanit në kompeticionet europiane me 6 rrjeta.

Edhe në pjesën e dytë e njëjta tablo, me Partizanin që sulmon dhe vulosi kualifikimin me Rrapajn në minutën e 64’, pas asisit të Carës.

Në minutat e mbetura trajneri Zekiç, bën disa ndryshime dhe gjithçka foli për “Demat”.

Në fund Lopez shënoi golin e nderit me Lopez, i cili konvertoi në gol një penallti.

Në sekondat e fundit të shtesës Eros Grezda, shënoi edhe golin e katërt duke gjetur rrjetën e parë me të kuqtë.

Me këtë fitore Partizani avancon në turin e tretë ku do të përballet me letonezët e Valmeira. /zoom.al/

Kujdes! Mërkuri dhe Afërdita në retrogradë: çfarë do të thotë kjo për ju

Sikur të mos mjaftonte prapavija e Afërditës, e cila ngeli duke testuar dashurinë dhe bukurinë, në datën 23 gusht, Mërkuri do të shkojë në prapavijë dhe do të qëndrojë në këtë pozicion deri më 15 shtator.

Një përmbledhje e vockël:

Prapavija e Afërditës – Nisi në 22 korrik dhe do të përfundojë më 3 shtator, ndaj gjatë kësaj periudhe nuk sugjerohet që të bësh ndryshime estetike, të lyesh flokët, të bësh botoks, si dhe duhet të përgatitesh për teste të ndryshme në lidhjen tënde.

Nëse je në proces njohjeje me dikë, të sugjerojmë që të ndërmarrësh hapa të rëndësishëm pas 3 shtatorit.

Prapavija e Mërkurit – Siç të thamë edhe më sipër, planeti i komunikimit dhe bashkëpunimit do të shkojë në prapavijë më 23 gusht dhe do të kthehet në pozicionin normal më 15 shtator. Kjo është një shenjë që ti të rishikosh çdo gjë disa herë dhe të rilidhesh me veten.

Rregullat e prapavijës:

Lëre ish-in jashtë jetës tënde dhe jo, mos e konsidero shok/qe!

Mos ndiq ish-in në rrjetet sociale, as mos i bëj ‘search’ rastësisht.

Mos ‘overthink’ dhe mos vepro mbi mendimet që s’janë fakte.

Zgjidh situatat dhe njerëzit për të cilët ia vlen të përpiqesh.

Mos u panikos, gjithçka është kalimtare!

A po i ndihmon qeveria Klodian Zoton e Mirel Mërtirin të marrin azil?

SPAK sekuestroi sot edhe inceneratorin e Tiranës dhe ngarkoi sërish me akuza penale bosët e një prej aferave më të mëdha korruptive, Klodian Zoton e Mirel Mërtirin.

Ata dyshohet se i kanë vjedhur shtetit përmes faturave fiktiva 4 milionë euro vetëm me koncesionin e Tiranës e miliona të tjera me Elbasanin e Ferin.

Por edhe pse janë shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 26 janarit të vitit 2022 ata vijojnë të jetojnë të lirë.

Stela Gugallja, bashkëpunëtore e tyre dhe bashkëjetuese e Mirel Mërtirit gjendet në Vjenë dhe ka kërkuar azil politik.

Por edhe Zoto e Mërtiri, siç thonë burime të besuara policore për Zoom.al, janë në Austri.

Pavarësisht se vendndodhja e tyre është lokalizuar, autoritetet shqiptare mësohet se nuk kanë dërguar ende dokumentacionin e nevojshëm për kapjen e tyre nga autoritetet austriake dhe nuk dërgojnë as përfaqësues të policisë që të bashkëpunojnë në arrestimin e tyre.

Ky fakt ngre dyshime se mosvënia e tyre para drejtësisë është e qëllimshme. Edhe opozita politike ka hedhur akuza se qeveria nuk ka interes t’i arrestojë, pasi një veprim i tillë mund t’i shndërronte ata në bashkëpunëtorë të drejtësisë, çka sipas saj, do të pasohej me arrestimin e shumë zyrtarëve të lartë të përfshirë në këtë aferë.

Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, siç rezulton nga hetimet e SPAK, kanë vjedhur gjithë Shqipërinë me skemën e tyre për inceneratorët, e megjithatë atyre nuk po u hyn gjemb në këmbë.

Lënia e tyre në liri, akuzon opozita, është vullnet i qeverisë Rama, me qëllim që ata të mos flasin.

Në këtë mënyrë dyshohet se atyre po u  jepet kohë dhe mundësi që të mund të sigurojnë të drejtën për azil.

Por pavarësisht se ata mund të përfitojnë azilin, të ndihmuar nga qeveria siç lë të kuptohet opozita, gjasat që ata t’i shpëtojnë dënimit me burg, si ideatorë dhe zbatues të një prej skemave më të mëdha korruptive që ka njohur Shqipëria, janë të pakta.

SPAK duhet të tregojë se do t’i shkojë deri në fund kësaj afere, jo vetëm duke ngritur akuza penale apo duke sekuestruar inceneratorët, por edhe duke urdhëruar ndalimin e pagesave për kompanitë e tyre dhe t’i sjellë pronarët e tyre përpara drejtësisë me çdo kusht. /Zoom.al

Qeveria ndërgjegjësohet, paguan shpenzimet e operacionit të aktorit Genc Fuga

Pas denoncimeve të shumta nga ana e mediave e një sensibilizimi të madh në rrjete sociale, Qeveria vendosi të mbulojë një fond me vlerë 2 milionë lekë për kurimin e aktorit, Genc Fuga.

Ai u operua më 29 korrik në Spitalin Amerikan 3, i vetmi që kryen ndërhyrjen për të cilën Fuga kishte nevojë, trombectomi.

Bashkëshortja e tij kërkoi ndihmë nga miqtë dhe kolegët për të mbushur 19 mijë euro që i duheshin për operacionin, ndërsa vetëm këtë të martë qeveria reagoi duke i ofruar shumën e barabartë me shpenzimin e operacionit.

Pas një goditje në tru, aktori Genc Fuga duhej t’i nënshtrohej urgjent një ndërhyrjeje kirurgjikale që i kushtoi 19 mijë euro në spitalin privat Amerikan 3. Në pamundësi që familjarët e Fugës të paguanin këtë shumë të lartë, dashamirës të artistit kanë kontribuar duke mbledhur shumën dhe duke bërë të mundur operimin e aktorit.

Lajmi më pas u shpërnda me shpejtësi në media dhe rrjete sociale, ndërsa sot ka ardhur dhe reagimi nga qeveria.

Fotot/ Ardian Bujupi është martuar dhe askush nuk e zbuloi

Këngëtari Ardian Bujupi para pak javësh ka kurorëzuar papritmas lidhjen e tij me martesë dhe askush nuk e ka marrë vesh.

Ceremonia martesore ka qenë e fshehtë me një rreth të kufizuar të ftuarish pasi Bujupi ka dashur të ruaj privatësinë e partneres së tij.

Vajza në fjale nuk ishte e njohur  për publikun deri sa “Prive” ka bërë të ditur emrin dhe disa foto të vajzës. Mësohet se ajo quhet Fjolla është shtetase kosovare por jeton ne Gjermani aty ku u bë edhe ceremonia mes çiftit.

Dyshja kanë zgjedhur bregdetin e jugut për të pushuar dhe për të kaluat temperaturat e nxehta.

BE e ashpër me Shqipërinë: Shqetësim pasaportat e arta

Bashkimi Europian është kundër skemës së qeverisë shqiptare për të dhënë pasaportat e arta për investitorë të huaj nëpërmjet dispozitave lehtësuese ligjore të shtetësisë.

Kjo është e shprehur qartë në raportin e Komisionit Europian ‘screening’ për Shqipërinë, duke e cilësuar si një shqetësim, pasi skema paraqet rreziqe.

“Është shqetësuese që Shqipëria, krahas programeve të saj për marrjen e nënshtetësisë shqiptare mbi bazën e meritave të veçanta në fushën e artit, kulturës, arsimit, shkencës dhe sportit, pa u kërkuar aplikantëve që të kenë një rezidencë paraprake në Shqipëri për t’u kualifikuar, u jep një mundësi që marrin pjesë në një tender për një partneritet publik-privat që do të shërbente për të hapur një skemë për dhënie të shtetësisë së investitorëve. Është pozitive që skema deri më sot nuk është zbatuar në praktikë”, thuhet në këtë dokument.

Më tej theksohet se “një skemë e tillë, nëse zbatohet, do të përbënte rreziqe përsa i përket sigurisë, pastrimit të parave, evazionit fiskal, financimit të terrorizmit, korrupsionit dhe infiltrimit nga krimi i organizuar dhe do të ishte i papajtueshëm me acquis të BE-së për shtetësinë e BE-së (neni 20 TFEU) dhe parimin e bashkëpunim i sinqertë (neni 4(3) TEU). Si vend kandidat, Shqipëria duhet të përmbahet nga zhvillimi dhe zbatimi i një skeme të dhënies së shtetësisë për investitorët”.

“Që nga korriku 2020, Shqipëria ka një legjislacion që lejon ngritjen e një skeme të shtetësisë investitore. Megjithatë, Shqipëria deklaroi publikisht në nivelin më të lartë në mars 2023 se nuk do ta zbatonte skemën në pritje të një vendimi nga Gjykata e Drejtësisë së BE-së për një skemë të ngjashme në një Shtet Anëtar të BE-së”, thuhet më tej në dokument

Lidhur me të drejtën për të lëvizur dhe për të banuar lirisht brenda Bashkimit Evropian, Shqipëria deklaroi se kuadri ligjor i saj (Ligji për të Huajt) nuk është në përputhje me Direktivën 2004/38/KE për të drejtën e qytetarëve të Bashkimit dhe anëtarëve të familjeve të tyre për të lëvizur dhe banojnë lirisht brenda territorit të shteteve Anëtare.

Bashkëshorti i reperes së famshme e akuzoi për tradhëti dhe tani sqaron të vërtetën…

Reperi i njohur Offset së fundmi gjatë një interviste në podcastin “Way Up” ka treguar se gënjeu kur pretendoi se bashkëshortja e tij Cardi B e ka tradhtuar.

31-vjeçari kohë më parë përmes një postimi në Instagram u shpreh: “Gruaja është q*** me dikën tjetër.”

Ndër të tjera ai tregoi se kishte pirë alkool pas një debati me Cardin dhe postimin e ka bërë për ta çmendur atë.

“Kjo është gruaja ime. E dua deri në vdekje, por ne do të shikojmë vetëm përpara”, pranoi Offset.

Teksa vazhdoi: “Ajo nevrikoset dhe pastaj flet shumë, ndërsa unë u bëra me nerva dhe piva alkool. Megjithëse flet shumë unë do ta dua gruan time deri në fund të jetës. Ne jemi të çmendur për njëri-tjetrin.”

Kujtojmë që përmes një postimi në Twitter Cardi reagoi pas akuzave të bashkëshortit, i cili pretendonte se ajo e kishte tradhtuar atë.

“Mos i kushtoni vëmendje fshatarit. Unë jam Cardi B. Nëse do t’ia jepja këtë p*** dikujt, do të ishte jashtë. Unë thjesht nuk jam askush. Nuk mund të dënoj asnjë, sepse ata do t’i tregojnë botës. Unë nuk mund të q*** me askënd në industri sepse të gjithë do të flasin. Pra, të lutem djalosh, mos u bëj budalla. Mos luaj me mua.”- tha reperja.

Po tani, a do të ndalohen pagesat për inceneratorin e Tiranës?

Sot Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, vendosi sekuestro preventive ndaj kompanisë private “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, që ka fituar kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe për të bërë incenerimin e mbetjeve të Tiranës.

Po ashtu, hetimet e SPAK zbuluan se pronarët “de facto” të shoqërisë së lartpërmendur janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

“Është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Por pas vendosjes së sekuestros për kompaninë “Integrated Energy B.V. SPV”, sh.p.k., a do të ketë një vendim që ndalon pagesat ndaj pronarëve të saj, Klodian Zotos e Mirel Mërtirit?

SPAK nxori në dritë se nga faturat e falsifikuara, Zoto dhe Mërtiri, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përfituar shumën e majme prej 409.428.000 lekëve.

Klodian Zoto, sipas SPAK, është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k.

Nga të dhënat e bilancit që kjo shoqëri ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se qytetarët shqiptarë kanë nxjerrë nga xhepat e tyre në favor të kompanisë së Zotos e Mërtirit shumën prej 7.9 mld lekësh, mes viteve 2017 dhe 2021.

Kjo shumë është paguar në formën e tarifave koncesionare dhe tarifave të shërbimit të depozitimit.

Fatura rritet më tej, pasi të paktën në vitet 2018-2020, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bashkia Tiranë ka paguar rreth 3.2 miliardë lekë për incenetatorin e Tiranës.

Sakaq, ka edhe shifra nga thesari i buxhetit të shtetit që tregojnë sesi kompania e Zotos dhe Mërtirit ka “gërryer” nga financat 8.3 mln euro vetëm për vitin 2022.

Të dhënat nga thesari tregojnë se bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë e Vorë paguajnë faturat e shërbimit për depozitimin e mbetjeve në Sharrë.

Inceneratori i Tiranës është quajtur nga opozita si mega-aferë dhe për këtë ngriti edhe një komision hetimor. Në shkurt të vitit 2022, deputetë të opozitës në komisionin hetimor kontrolluan inceneratorin e Tiranës, për të parë nëse është në funksional.

Nga verifikimet e bëra rezultoi sipas tyre se ky incenerator nuk ekziston pavarësisht se deri në atë moment nga buxheti i shtetit ishin paguar 35 milionë euro, pra lekë të dala, por shërbimi për përpunimin e mbetjeve nuk është marrë.

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha shpesh ka denoncuar se qytetarët e Tiranës paguajnë 29 euro/ton që mbetjet të digjen nga inceneratori i Tiranës dhe pagesa kryhet edhe pse shërbimi nuk ofrohet.

Ndërkohë, pagesat vijojnë normalisht edhe sot, edhe pse ka vendim për sekuestro për kompaninë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k..

A është ky momenti që këto pagesa të ndalohen, pas faktimit të korrupsionit? Apo kompania e Zotos dhe Mërtirit do të vijojë të “thithë” nga paratë e shqiptarëve?