zoom

Day ArchivePrindër për herë të dytë! Besi dhe Xhensila zbulojnë gjininë e bebit

Pasi konfirmoi shtatzaninë e dytë përmes një videoje të ëmbël ku uronin vajzën, Ajkën, për 5-vjetorin, Besi dhe Xhensila zbuluan edhe gjininë e bebit.

Si dhuratë për Ajkën, ata zbuluan në festën e ditëlindjes së saj se do të bëhet me vëlla, dhe gëzimi në fytyrën e 5-vjeçares është i dukshëm.

View this post on Instagram

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

Këshilli NATO-Ukrainë/ Kërcënon Rusia: Njëra nga palët do të zhduket!

Rusia vijon me kërcënimet e saj, që pas mbledhjes së parë që mbajti Këshilli NATO-Ukrainë në Vilnius të Lituanisë.

I konsideruar ky si një zhvillim historik për të ardhmen e luftës, liderët gjatë mbledhjes diskutuan aty për ndihmat për Kievin dhe garancitë e sigruisë, në mënyrë që pas kthimit të paqes, Rusia të mos ketë mundësi më kurrë që të kryejë akte agresioni.

Por komentet që vijnë nga Moska zyrtare flasin për luftë dhe përkeqësim të situatës.

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev paralajmëroi përmes një reagimi në rrjetet sociale dështimin e këtij Këshilli, pasi sipas tij, njëra nga palët do të zhduket.

“Këshilli NATO-Ukrainë është krijuar. Për kujtesë, në vitin 2002 u krijua Këshilli NATO-Rusi. Se si përfundoi kjo, dihet shumë mirë. Tani Aleanca dhe vendi ynë janë në (ose më mirë përtej) pragut të luftës. Këtë herë do të përfundojë ndryshe. Këshilli do të pushojë së ekzistuari sepse njëra nga palët do të zhduket”, u shpreh Medvedev.

Këshilli NATO-Rusi u themelua në vitin 2002, duke synuar nxitjen e bashkëpunimit. Moska mori akses dhe një prezencë të përhershme në selinë e NATO-s në Bruksel. Por, ky bashkëpunim ka mbetur pezull, sidomos pas sulmit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2014.

Artan Hoxha nxjerr foton, Arben Ahmetaj i ulur në aeroport: Nuk e ka kaluar Detin Mesdhe

Kur i gjithë diskutimi që bëhet në publik është për vendndodhjen e Arben Ahmetajt, gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha ka publikuar një foto tjetër të ish-ministrit.

Avokatët e tij kanë konfirmuar se Ahmetaj është jashtë vendit për arsye familjare, ndërsa Artan Hoxha në një postim në “Facebook” tregon se ish-zëvendëskryeministri është në një nga aeroportet e vendeve të Bashkimit Evropian, ku sipas tij, po pret të kalojë transit drejt destinacionit të tij final.

Postimi i plotë:

“Arben Ahmetaj shfaqet në një tjetër aeroport. Mbani frymën njerëz…
Gjuetia për njeriun më të kërkuar në Shqipëri po vazhdon cep më cep të planetit. Të hënën paradite, menjëherë sapo publikova lajmin se “Ata larta kërkuan arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë shqiptare, pasi u siguruan se ai e kishte kaluar kufirin shtetëror shëndoshë e mirë…makineria e rëndë e propagandës u hodh në veprim. Specialistë dhe ekspertë u shfaqën në mediat kombëtare duke këmbëngulur 100% se lajmet për largimin e Ahmetajt ishin të pavërteta.

Madje informonin opinionin public me “bindje të plotë” se kishin të konfirmuar nga “dy burime” të sigurta që Arben Ahmetaj nuk e kishte kaluar kufirin shtetëor. Pak më vonë, në mëdiat informative u shfq një lajm i dytë që vazhdonte të njëjtën linjë. Informacioni për largimin e Ahmetajt, para se SPAK t’i niste kërkesën për lejimin e arrestimit të tij, Parlamentit të Shqipërisë, nuk ishte i vërtetë. Këtë gjë e kishin të konfirmuar edhe avokatët e ish-zv.kryeministrit. Diku nga mbrëmja doli variant tjetër. Sipas versionit të ri, Ahmetaj nuk mund të largohej pasi kishte vendosur të përballej fort me drejtësinë e re dhe kundërshtarët e tij. Në fakt, Ahmetaj tashmë e ka kuptuar qartë kë ka kundër dhe se e duan me patjetër brenda qëlisë së burgut për të qenë të sigurtë se ai nuk do t’u hapë telashe. Sigurisht kur publikova lajmin për largimin e Ahmetajt, nuk e kasha të konfirmuar as nga dy burime të shterura nga vapa e meskorrikut, as nga çezma të mbushura nga uji i patronazhistëve.

Të hënën në mbrëmje publikova fotot-provë ku Arben Ahmetaj shfaqen mesditën e të premtes së 7 korrikut 2023, duke kaluar në pikën kufitare me Greqinë, në Kakavijë. Ahmetaj u fotografua, ndërsa kishte zbritur nga automjeti i tij dhe po vuloste pasaportën shqiptare te policët grekë të kufirit.

Njeriu më i kërkuar në Shqipëri po udhëtonte i vetëm drejt një vendi të BE-së, i veshur sportive me atlete të kuqe, pantallona të shkurtra dhe bluzë verore.

Që nga ajo ditë, vendndodhja e Ahmetajt u kthye në një çështje më të madhe se vetë çështja e madhenë hetim të tij.

Nga e hëna në mbrëmje, për 48 orë rresht, është thënë se Ahmetajt ka shkuar me strehim nga Kanadaja, ku i pulsoka telefoni, në Venezuelë, Uruguaji, disa arqipelagë ekzotikë në Amerikën Latine, Dubai, Maroku, Ishujt Maldive, Bali e deri në Japoni.

Në fakt, njeriu më i kërkuar në Shqipëri që ka trazuar të gjithë elitën politike dhe opinionin public në vend, rezulton të jetë shumë më afër. Nuk e ka kaluar oqeanin, as atë Atlantik për në Hemisferën Perëndimore, as Oqeanin Indian, për në Lindjen e Largët…
Madje nuk e ka kaluar as Detin Mesdhe.

Më poshtë në foto ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, duke shijuar kafen, ndërsa është transit në njërin nga aeroportet e BE-së.

FOTO spektakolare/ NASA sjell pamje nga vendi ku lindin yjet

Me rastin 1-vjetorit të lëshimit në hapësirë të teleskopit James Webb, NASA nuk kishte si a festonte më mirë sesa përmes disa fotove spektakolare që tregojnë lindjen e yjeve të ngjashmë me diellin tonë.

Fotoja është shkrepur nga kompleksi i reve Rho Ophiuchi, vendi më i afërt me Tokën ku krijohen yjet, afërsia e të cilit në 390 vite dritë lejon një pamje të qartë nga afër nga observatori orbital më i fuqishëm i ndërtuar ndonjëherë.

“Në vetëm një vit, Teleskopi James Ëebb ka transformuar mënyrën sesi njerëzimi e sheh kozmosin, duke u futur në retë e pluhurit dhe duke parë dritën nga qoshe të largëta të universit për herë të parë. Çdo foto është një zbulim i ri, duke u dhënë shkencëtarëve rreth e qark globit mundësinë që të bëjnë pyetje dhe të marrin përgjigje që më parë as nuk mund t’i kishin ëndërruar”, deklaroi administratori i NASA-s, Bill Nelson.

Fotoja e shkrepur nga Webb tregon rreth 50 yje të reja, me përmasa sa ato të Diellit tonë ose më të vegjël.

Në disa prej tyre mund të shihen hije të disqeve rreth yjore, një shenja kjo që planetët e parë mund të kenë nisur të formohen rreth tyre.

Tashmë si grua e martuar, çfarë ka ndryshuar në jetën e Armina Mevlanit?

Më 25 shtator 2022 pas 10 vitesh së bashku Armina Mevlani dhe Shkëlzen Berisha e kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë.

Në një intervistë të shkurtër për “Pushime on Top”, Armina Mevlani ka folur së fundmi për jetën e saj si nuse, pas martesës.

Mevlani tha se nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, pasi kishin një lidhje prej 10 vitesh, vetëm se marrëdhënia është përforcuar akoma më shumë.

“Asgjë, ne kishim 10 vjet bashkë, dhe jetojmë në një shtëpi prej 8 vitesh. Thjesht marrëdhënia duke ecur maturohet, respekti shtohet, dimë se çfarë do njëri dhe se çfarë do tjetri dhe jemi bërë si shokë të ngushtë se çdo gjë e flasim me njëri-tjetrin. Mendoj se evolon për mirë, kur të dy dinë si ta trajtojnë,”-tha ajo.

Prokuroria: Damian Gjiknuri mori pagesa hotelesh nga Klodian Zoto. Reagon ish-ministri

Prokuroria shqiptare ka gjetur në kompjuterin e biznesmenit në arrati Klodian Zoto dy rezervime hotelesh në Vienë dhe Frankfurt për Damian Gjiknurin, ish-ministër i Energjisë dhe aktualisht Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste në vitin 2014, ndërsa ky i fundit i tha BIRN se nuk ka fjetur në hotelet e paguara nga biznesmeni i incineratorëve dhe se është i hapur për t’iu përgjigjur prokurorisë, nëse thirret. I pyetur konkretisht nëse është takuar ndonjëherë me biznesmenët Zoto dhe Mirel Mërtiri, Gjiknuri refuzoi të përgjigjej duke përsëritur: “Do jap sqarime në prokurori, nëse thirrem.”

Dosja e Prokurosisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuas, SPAK, rrodhi pjesërisht në media gjatë ditëve të fundit, pavarësisht kërkesës së kreut të SPAK, Altin Dumani për të ruajtur sekretin hetimor përmes zhvillimit të debateve në Këshillin Parlamentar të Mandateve, Rregulloren dhe Imunitetet pas dyerve të mbyllura.

Në faqet 269-271 të dosjes që detajon gjetjet mbi hetimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj dhe lidhjeve të tij me biznesmenët e incineratorëve, prokurorët vërejnë se kanë gjetur dy pagesa të bëra nga Klodian Zoto për hotele në Frankfurt dhe në Vienë, me emër klienti Damian Gjiknuri. Prokurorët i paraqesin këto rezervime si prova për të treguar se të katërt mund të jenë takuar në Frankfurt.

“Ekziston dyshimi se shtetasit Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri janë takuar dhe kanë qëndruar bashkë më datë 08.02.2014 në Frankfurt me shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto,” thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Sipas fakteve të mbledhura nga hetimi, Zoto ka paguar për Gjiknurin Hotelin Mariot me vlerë 147 mijë lekë.

“…emaili i agjencisë xxx me titull ‘hoteli i mr Gjiknuri’” shkruhet në dokumentin e prokurorisë. “…Ky email më datë 08.02.2014 ora 07.45.51 i është përcjellë nga Damiani emailit të Klodian Zotos,” shkruan më tej prokuroria.

Gjiknuri ishte nisur në këtë rast për në Shtetet e Bashkuara në një udhëtim zyrtar.

Në rastin e dytë, një hotel në Vienë është paguar në emër të Gjiknurit nga Klodian Zoto. Në këtë udhëtim, Gjiknuri ishte me mision zyrtar, negociatat me kompaninë çeke të energjisë elektrike, CEZ për riblerjen nga shteti shqiptar të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por prokuroria thotë se një projekt tjetër nga ana e Zotos dhe Mërtirit ka qenë objekt i bisedimeve – një kontratë koncesionare për instalimin e mbi 1 milionë matësave të energjisë elektrike. Prokuroria vëren se nga informacioni i marrë nga bankat e nivelit të dytë, Zoto bëri pagesa me vlerë mijëra dollarë në një hotel në Vienë me një opsion që sugjeron se ai ka qenë fizikisht atje dhe se karta nuk është përdorur online.

Sipas prokurorisë bëhej fjalë për një interes në të cilin ishte përfshirë kompania ITS sh.p.k dhe AE Distribution e shtetasit Gerian Kuka si dhe një kompani kineze, me qëllim të shitjes së matësave të energjisë elekrike. Gjiknuri në atë kohë ishte ministër i Energjisë dhe Shqipëria po përjetonte të ashtuquajturën reformë të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë, e cila përfshiu burgosjen e mijëra shqiptarëve nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Nga sa dihet publikisht, nuk ka të dhëna nëse një projekt i tillë u realizua ndonjëherë.

Pyetur nga BIRN, Gjiknuri mohoi akuzat duke thënë se ai vetë ka fjetur në hotel të paguar nga ministria dhe se për udhëtimin, i gjithë dokumentacioni, përfshirë faturat, janë dorëzuar në ministri. Ai madje shtoi se dokumentacionin nuk e ka vetëm ministria, por e disponon edhe ai vetë personalisht.

“Të gjitha udhëtimet e mia jashtë vendit kanë qenë në linjat e zakonshme të fluturimit, vizita zyrtare në detyrën e ministrit. Fakte këto që mund të vërtetohen lehtësisht duke konsultuar dokumentet zyrtare të ministrisë: urdhër-shërbimet, qëllimin e udhëtimit, nisjen dhe destinacionin,” tha Gjiknuri.

“Referuar rastit konkret dhe datës të cilën ju e citoni për një udhëtim në Vjenë, ju siguroj se prokuroria, ministria të cilën unë drejtoja por edhe unë personalisht disponojmë praktikën e urdhër-shërbimit, biletat e avionit dhe rezervimin e hotelit ku kam fjetur, të gjitha të paguara me fatura nga institucioni që unë drejtoja si titullar. Për informacion, hoteli ku unë kam fjetur nuk është ai të cilit ju i referoheni por një tjetër. Të dhënat konkrete, emri i hotelit dhe pagesat janë pjesë e dokumentacionit që disponohet nga ministria përkatëse,” shtoi ai.

Gjiknuri nuk iu përgjigj pyetjes nëse është takuar me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton, duke thë se do jap sqarime në prokurori, nëse do të thirret për të dëshmuar.

Mërtiri dhe Zoto janë aktualisht në arrati pasi kërkohen nga drejtësia shqiptare për korruptimin e një numri zyrtarësh të lartë, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, ndërsa së fundmi, nën akuzë përfundoi edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj./ BIRN

Kënga e krijuar nga inteligjenca artificiale trondit industrinë e muzikës

Pasi një përdorues anonim në rrjetin TikTok krijoi një këngë duke përdorur inteligjencën artificiale, për të cilën shumë njerëz menduan se ishte realizim i yjeve të muzikës, ekspertët thonë se industria e muzikës duhet të gjejë një mënyrë se si ta trajtojë këtë çështje.

Teksti, ritmi dhe zërat e një kënge të postuar në rrjetin Twitter nga përdoruesi anonim “Ghostwriter977” tingëllonte njësoj si muzikantët e famshëm Drake dhe The Weeknd.

“Heart on my Sleeve”, krijuar nga inteligjenca artificiale, i mahniti artdashësit, por nga ana tjetër irritoi drejtuesit e industrisë. Ekspertët thonë se nuk është e vështirë ta përdorësh inteligjencën artificiale për të krijuar.

Zëri i Amerikës bisedoi me profesoreshë Rebbecca Fiebrink nga Universiteti i Arteve në Londër.

“Kur një kompjuter ka një lloj kuptimi të modeleve që qëndrojnë në themel të zërit në përgjithësi, nuk nevojiten domosdoshmërisht shumë të dhëna nga The Weeknd për të prodhuar tinguj që tingëllojnë si ai”.

Kompania muzikore “Universal Music Group”, e cila përfaqëson të dy artistët, publikoi një deklaratë ku thekson nevojën për të mbrojtur muzikën e artistëve. Kënga u hoq nga shumë rrjete. Ekspertët thonë se eksperimente të tilla me AI janë vetëm fillimi.

Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Ge Wang, me Qendrën për Kërkime Kompjuterike në Muzikë dhe Akustikë në Universitetin Stanford.

“Nuk ka kthim mbrapa. Duhet të mësojmë si të jetojmë më mirë me të.”

Profesori Wang shpreh shqetësim lidhur me shpejtësinë me të cilën po zhvillohet inteligjenca artificiale.

“Rrezikohet mënyra se si komunikojmë, punojmë apo qeverisim. Rrezikohet mënyra e të bërit art”.

Profesoresha Fiebrink thotë se industria e muzikës do të duhet të vendosë se si ta luftojë ose ta përdorë inteligjencën artificiale.

“A do të vendosin se mënyra më e mirë për të fituar para është të prodhojnë këngë me AI, çka nuk përfshin artistët, në mënyrë që të fitojnë më shumë për veten dhe të mos paguajnë këngëtarët?”

Që nga publikimi i këngës “Heart on my Sleeve”, muzikantja Grimes nxori një program zanor me inteligjencë artificiale që u mundëson përdoruesve të krijojnë muzikë me zërin e saj, duke ofruar ndarjen e fitimeve me 50%./Zëri i Amerikës

Messi na habit sërish, këtë herë jo në fushë, por në kuzhinë | Foto

Lionel Messi është bërë pjesë e një reklame të Hard Rock Cafe.

Ylli argjentinas prezantoi një sanduiç të personalizuar, të quajtur “Messi Chicken Sandwich”.

Ai e njoftoi këtë në profilin e tij në Instagram, dhe komentet ishin të shumta.


“Një tjetër ëndërr bëhet realitet! Jam i emocionuar t’ju prezantoj sanduiçin e ri Messi me pulë që kam krijuar me @HardRockCafe, frymëzuar nga ushqimi im i preferuar: Milanezët! Mos e humbisni!”, shkroi Messi në profilin e tij në Instagram. /zoom.al/

Ahmetaj jashtë/ Avokatët e mbrojnë para deputetëve: Akuza të pamatura dhe të pabazuara!

Mbrojtja e ish-ministrit Arben Ahmetaj në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku diskutohej për heqjen e imunitetit të deputetit, u bë nga avokatët e tij mbrojtës, Ardian Visha dhe Henrik Ligori, pasi vetë ish-zv.kryeministri ndodhet jashtë vendit.

Avokatët pretendojnë se nuk kishin kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen.

“Në cilësinë e mbrojtësve të zgjedhur nga deputetit Ahmetaj, në pasditen e datës 10.7.2023, na u vu në dispozicion një kopje e kërkesës dhe relacioni shoqërues, i përbërë nga 320 faqe. Mbi kërkesën tonë, në pasditen e djeshme (11.7.2023), na u vunë në dispozicion provat që bashkëshoqërojnë kërkesën dhe relacionin, në kopje elektronike, të cilat kapin një vëllim prej rreth 50 GB.
Pikërisht, në pasditen e djeshme, në orën 16.00, u çel seanca e debatit para Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në mungesë të deputetit Ahmetaj. Sqaruam para atij Këshilli, se deputeti ishte në pamundësi të paraqitej, pasi për arsye të ngutshme familjare dhe pa pasur asnjë dijeni se Prokuroria do të paraqiste një kërkesë të tillë, ndodhej jashtë shtetit.
Pasi dëgjuam përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, që lexuan para Këshillit kërkesën e formuluar prej tyre dhe pyetjet e të nderuarve deputetë, për shkak të pamundësisë objektive që brenda një kohe disaorëshe të studionim kërkesën dhe aktet bashkëlidhur saj, kërkuam që Këshilli të garantonte të drejtën e mbrojtjes efektive, pjesë përbërëse e rëndësishme e procesit të rregullt ligjor, duke na dhënë një kohë të arsyshme për të përgatitur mbrojtjen e deputetit Ahmetaj. Këshilli na dha vetëm disa orë kohë, duke e caktuar seancën e radhës në orën 16.00 të datës pasardhëse, një afat gjithsesi i pamjaftueshëm, edhe po të mbajmë parasysh faktin e pohuar në seancë se prokurorisë i janë dashur 2-3 javë për të redaktuar materialin e paraqitur. Gjykojmë se në këndvështrimin e konceptit të “kohës së mjaftueshme për t’u mbrojtur”, barazia e armëve u cenua”, u shprehën avokatët para deputetëve.

Më tej, ata deklaruan se akuzat e ngritura nga prokuroria nuk qëndrojnë dhe po ashtu, as kërkesa për të ushtruar kontroll në banesën e Arben Ahmetajt.

“Arrijmë të kuptojmë që me procedurat e inceneratorëve, në raport me z. Ahmetaj, sipas këndvështrimit të prokurorëve, ka diçka që nuk shkon, por nuk thuhet konkretisht, qartë dhe me saktësi: cili është veprimi apo mosveprimi kriminal i z.Ahmetaj në cilësinë e ministrit përkatës, cila është pasoja kriminale e ardhur, në ç’masë e kanë determinuar këtë pasojë veprimet e ish-ministrit, çfarë pushteti vendimmarrës i lejonte atij ligji për këto procedura, cilat janë këto 6 raste korruptive, janë të veçuara nga njëra-tjetra apo pjesë e një krimi permanent (mendim unik kriminal), sa para ka përfituar ai për secilin episod korruptiv, etj., etj.
Këto pyetje, të mbetura pa përgjigje, na bindin se në veprimet/mosveprimet e ish-ministrit Ahmetaj lidhurt me çështjen e inceneratorëve nuk ka ndonjë fakt të dënueshëm penalisht. Por, ish-ministri ka një problem: fakti, që ai nuk e ka mohuar kurrë, se ka pasur njohje të afërt, të paktën prej vitit 2011 me Mirel Mërtirin, një personazh kyç në këtë çështje. Atëhere, në mendjet e hetuesve zënë vend pyetjet: si ka mundësi që Mirel Mërtiri dhe bashkëjetuesja e tij, e lidhur në biznes me një personazh tjetër – Klodian Zoton, të kenë fituar këto konçensione dhe “miku” i tij Ahmetaj, ministër i rëndësishëm, të mos ketë përfituar asgjë?
Dhe nga ky moment, të favorizuar edhe nga pozita e tij politike vulnerabël, hetuesit i rikthehen nje metode të vjetër hetimi: nuk synohen faktet penale, po fillojnë dhe hetojnë personin!”, shtuan avokatët.

Për të lexuar mbrojtjenne plotë, klikoni këtu Mbrojtja_Keshill_i_Imunitetit

Egnatia debuton në Europë, Tetova: Nuk kemi frikë, shanset me Ararat janë 50-50

Egnatia është gati për debutimin europian. Fituesit e Kupës së Shqipërisë, do të sfidojnë armenët e Ararat në turin e parë të Conference League.

Sfida e parë, do të luhet të enjten në transfertë (17:00), ndërkohë që një javë më vonë do të zhvillohet ndeshja e kthimit në “Elbasan Arena”.

Trajneri i skuadrës nga Rrogozhina, Edlir Tetove foli sot në konferencën për shtypin nga Armenia, ku theksoi se shanset janë 50-50.

Preceptimi për kundërshtarin – “Nuk është se e kemi ndjekur shumë më herët kampionatin armen. Për më tepër është hera e parë për ne që jemi në Europë. I kemi studiuar ndeshjet e fundit të Arairat, por për shkakun se janë bërë shumë afrime dhe trajneri ka ardhur në moment të fundit, do të jetë e vështirë për ne që të kemi një koncept të asaj që na pret”.

Eksperienca – “Ne kemi më pak histori se Ararat, por nuk do të luajmë si inferior, shanset e kualifikimit janë të barabarta”.

Jemi përfaqësuar denjësisht në kampionat dhe nuk është se ka shumë ndryshime.

Kualifikimi – “Ne do të bëjmë lojën tonë si në kampionat, gjithçka do të shihet nesër në fushë, por jemi optimist”. /zoom.al/