zoom

Day ArchiveMosmarrëveshja me Turqinë mbi kufijtë detarë, Greqia e gatshme të zgjidhë konfliktin

Greqia është gati të nisë bisedimet me Turqinë për të zgjidhur një mosmarrëveshje të gjatë mbi kufijtë detarë që i ka sjellë në mënyrë të përsëritur dy fqinjët në prag të konfliktit të armatosur, tha të martën ministri i Jashtëm i sapoemëruar i Greqisë.

Giorgos Gerapetritis tha se qeveria greke dëshiron të “përfitojë nga klima e vazhdueshme pozitive” në mënyrë që të arrijë një marrëveshje për përcaktimin e zonave në të cilat secili vend ka të drejta ekskluzive ekonomike, duke përfshirë të drejtën për të kërkuar naftë dhe gaz në det të hapur.

Turqia kundërshton zonat për të cilat Greqia thotë se janë brenda zonës së saj ekonomike dhe ku ajo po kërkon të fillojë një kërkim për rezervat e naftës dhe gazit në det të hapur.

Turqia pretendon pjesën më të madhe të zonës ekonomike të Qipros , ku janë zbuluar disa depozita të konsiderueshme të gazit natyror në det.

Mosmarrëveshja mbi të drejtat e eksplorimit në det të hapur kishte arritur kulmin në një bllokim detar tre vjet më parë.

Një çështje e rëndësishme që shkakton tensione midis Greqisë dhe Turqisë, të cilën Gerapetritis synon ta trajtojë, është përcaktimi i kufijve të brigjeve të cekta kontinentale. Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me shtrirjen e ishujve grekë. Këta ishuj ndodhen pranë vijës bregdetare të Turqisë në Egje dhe në Mesdheun lindor.

“Gjithçka që mbetet është të përcaktohet nëse Turqia gjithashtu dëshiron sinqerisht të krijojë një rrugë afrimi”, tha Gerapetritis pas bisedimeve me homologun e tij të Qipros, Konstantinos Kombos.

Gerapetritis tha se në krye të këtyre përparësive është një marrëveshje për të ribashkuar Qipron e ndarë etnikisht si një federatë e përbërë nga sektorë greqisht dhe turqishtfolës në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 1974, Qiproja u nda pasi Turqia e pushtoi në përgjigje të një grushti shteti të udhëhequr nga individë që mbështetën idenë e bashkimit me Greqinë. Aktualisht, Turqia dhe turqit e Qipros që u shkëputën, këmbëngulin se çdo marrëveshje paqeje duhet së pari të njohë sovranitetin e veçantë të turqve të Qipros.

Pas tërmeteve shkatërruese në Turqinë jugore në muajin shkurt, zyrtarët grekë dhe turq janë angazhuar në një sërë takimesh të rëndësishme.

Ata janë zotuar të lënë mënjanë mosmarrëveshjet që kanë çuar në tensione të përsëritura.

Pak përpara rizgjedhjes së tij muajin e kaluar, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë një interviste me Associated Press, shprehu gatishmërinë e tij për t’i zgjatur një “dorë miqësie” Turqisë.

Ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton ndan përshtypjet nga vizita në Shqipëri: S’do e harroj kurrë

Ish-Presidenti amerikan, Bill Clinton ka përfunduar vizitën e tij dy-ditore në Shqipëri mesditën e sotme.

Dhe pas largimit nga Shqipëria, në një postim në Twitter, Clinton ka ndarë përshtyjet për vendin tonë pas vizitës së parë këtu.

Ish-Presidenti i SHBA-ve shkruan se ishte “një nder për mua të punoja me ju për kaq shumë vite për të forcuar lidhjet e miqësisë mes dy vendeve dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë”.

“Falenderoj kryeministrin Edi Rama dhe shqiptarët për një mbrëmje që s’do harroj kurrë. Ka qenë një nder për mua të punoja me ju për kaq shumë vite për të forcuar lidhjet e miqësisë mes dy vendeve dhe për të ndërtuar një botë më të mirë për të gjithë”, shkruan Clinton krahas fotove nga ceremonia e pritjes në Shqipëri.

Shifrat e Bankës Botërore: Shqipëria arrin vendet e pasura për plakjen e popullsisë

Emigracioni dhe rënia e lindjeve e kanë plakur aq shpejt popullsitë e vendeve në tranzicion, duke e bërë edhe më të vështirë përshtatjen e tyre me kushtet e reja demografike.

Banka Botërore në një publikim të fundit mbi çështjet e emigracionit vuri në dukje se Shqipëria ndryshe nga vendet e tjera në tranzicion ka arritur vendet e zhvilluara për plakjen e popullsisë.

Siç shihet nga grafiku i mëposhtëm Shqipëria ka varësinë ndaj të moshuarve njësoj si vendet e zhvilluara dhe më të lartën nga vendet në zhvillim të prekura nga emigracioni.

Varësia ndaj të moshuarve (popullsia +65 vjeç në raport me popullsinë në moshe pune) është e njëjtë si në vendet më të ardhura të larta. Varësia ndaj të moshuarve është më e ulët në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme, të tilla si Rusia, Tailanda, Moldavia, Kina dhe mesatarja e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Banka Botërore vë në dukje se përqindja e të moshuarve në varësi të popullsisë në moshe pune në Shqipëri është shumë më e lartë se në vendet me të njëjtën kategori të ardhurash. Në grupin e vendeve më të ardhura të mesme të larta, ky tregues është 8 për qind, ndërsa në Shqipëri në 16%, njësoj si në vendet e me të ardhura të larta që po vuajnë prej dekadash nga plakja e popullsisë.

Banka analizoi se emigracioni lartë i dhe rënia e fortë e lindjeve po plak me shpejtësi vendet më të ardhura të ardhura të mesme. Por emigrimi, përveç kontributit pozitiv që ka në remitanca, thellon plagët sociale.

Prindërit emigrantë krijojnë një seri problemesh sociale që lidhen me familjet dhe fëmijët të lënë në vendin e origjinës. Banka vuri në dukje se në Shqipëri ka një braktisje më të madhe të shkollës ndër fëmijët e prindërve emigrantë, të cilat gjithashtu janë në një gjendje më të rënduar psikologjike se fëmijët e tjerë.

Por nga ana tjetër emigracioni ka ndihmuar në rënien e varfërisë në Shqipëri. Në Shqipëri, remitancat janë gati sa dyfishi i të ardhurave për frymë në familjet në 30 për qindëshin e poshtëm të konsumit.

Familjet që marrin remitanca rrisin shpenzimet e tyre, gjë që nxit aktivitetin ekonomik lokal dhe të ardhurat për e familjet e tjera në komunitet. Shpenzimet nga remitancat krijojnë vende pune në sektorë të patregtueshëm si ndërtimi.

Në Shqipëri, emigrantët ndërkombëtarë priren të investojnë në biznese dhe banesa në kryeqytet, Tiranë, në vend të fshatrave të tyre të origjinës, duke nxitur tregun e punës në zonat urbane. Por më përqendrimin e investimeve në Tiranë ata nxisin më tej uljen e popullsisë së qyteteve të tjera drejt kryeqytetit analizoi Banka. /Monitor

Enkileda Carja shpallet kampione Europe, tri medalje ari me 5 rekorde

Enkileda Carja, 15-vjeçarja nga Elbasani, garoi sot në Kampionatin Europian të Peshëngritjes U15-U17 në kategorinë 59 kg dhe arriti të fitojë vendin e parë me një diference prej 21 kg nga vendi i dytë.

Sportistja bëri paraqitje të jashtëzakonshme në Kampionatin Europian U-15 që po mbahet në Kishinau të Moldavisë.

Ajo i ka dhuruar Shqipërisë 3 medalje të arta, të cilat kanë ardhur me 5 rekorde europe për këtë grupmoshë.

Peshëngritësja shqiptare u fut në garë si favorite kryesore për tu shpallur kampione.

Provën e parë fiksoi rekord europian në shkëputje me 81 kg, ndersa në provën e dytë kaloi me sukses 84 kg, duke e përmirësuar sërish rekordin.

Në stilit e shtytjes,  Enkileda Carja në provën e parë shënoi rekordin e tretë europian duke ngritur 97 kg, për të përmirësuar atë në provën e dytë, duke realizuar me sukses 100 kg për të siguruar edhe medaljen e dytë të artë.

Me 184 kg, 15-vjeçarja nga Elbasani bëri të sajën edhe medaljen e tretë të artë me një tjetër rekord europian në dygarësh, për të mbyllur një konkurrim fenomenal si kampione e trefishtë me 5 rekorde europiane për moshat U-15.

Si përfundoi kokaina në Shtëpinë e Bardhë? Shërbimi Sekret Amerikan nis hetimet

Një substancë e bardhë, që shkaktoi evakuim urgjent në Shtëpinë e Bardhë mbrëmjen e së dielës, ka rezultuar kokainë.

Substanca u gjet në një zonë pune në ndërtesë gjatë një inspektimi rutinë, tha Shërbimi Sekret Amerikan.

Presidenti Joe Biden dhe familja e tij nuk ishin në Shtëpinë e Bardhë, por në rezidencën e Camp David kur u gjet substanca.

Kompleksi i Shtëpisë së Bardhë u mbyll si një masë paraprake rreth orës lokale 20:45 të dielën pasi oficerët e Shërbimit Sekret gjetën pluhurin e bardhë “brenda një zone pune” në krahun perëndimor, tha zëdhënësi i Shërbimit Sekret Anthony Guglielmi për BBC.

Ndërkohë ka nisur një hetim se si substanca narkotike përfundoi brenda Shtëpisë së Bardhë.

Skandali/ Trupa të dekompozuar prej 3 vitesh, pamjet nga Morgu i Tiranës

Një skandal ka ndodhur në Morgun e Tiranës, ku trupa të pajetë të dekompozuar mësohet se ndodhen në atë institucion prej tri vitesh.

Emisioni “Fiks Fare” ka zbuluan gjendjen në Morg, atje ku mbahen kufomat. Por, më skandalozja ishte se dy nga tri frigoriferët ku mbaheshin trupat nuk funksiononin, duke sjellë dekompozimin.

Vonesat në procedurat e hetimeve dhe identifikimeve kanë sjellë që ato trupa të dekompozohen. Pamjet janë me të vërtetë horror. Mësohet se në Morg janë 3 frigoriferë me një kapacitet prej 24 kufomash. Por, në momentin që emisioni siguroi pamje, në atë institucion ndodheshin 27 kufoma.

Redaksia siguroi edhe një listë të të gjithë personave që kanë ndërruar jetë dhe janë të paidentifikuar. Trupat janë që prej vitit 2020, 2021, 2022 dhe të vitit 2023. Sipas kësaj liste, data më e largët është 26 prill 2020, ku në Morgun e Tiranës ka shkuar një trup i pajetë, ende i paidentifikuar. Më pas, në fund të 2020-ës, një tjetër trup i pajetë ka shkuar në morg. Lista vijon me 3 viktima në vitin 2021. Më pas, me 13 kufoma në vitin 2022, midis të cilëve edhe një bebe, që ende ndodhet në Morg. Në këtë vit kanë humbur jetën disa shtetas të huaj, disa të identifikuar dhe të tjerë jo. Po në vitin 2022, në Morg ka shkuar edhe një trup i pajetë i një femre. Sipas Morgut të Tiranës, ky trup ka ardhur nga spitali i burgut. Trupat e tjerë kanë shkuar në IML në vitin 2023.

Pas këtyre informacioneve, bashkëpunëtorët e Fiksit kanë shkuar brenda Morgut dhe kanë filmuar këto trupa të pajetë. Problemi më i madh ishte se, nga 3 frigoriferët aktualë, vetëm 1 ishte në gjendje të plotë pune. Një frigorifer, brenda të cilit ndodheshin disa trupa të pajetë, nuk punonte. Në pamje dukej se përgjegjësit e Morgut i kanë vendosur një etiketë “MOS E HAP, NUK PUNON!”.  Frigoriferi i tretë herë punon e herë nuk punon. Në pamje duket se frigoriferi ka shkrirë. Dhe, brenda tij ka sërish trupa të pajetë!

Kufomat ishin vendosur sipër njëri – tjetrit. Më skandalozja, trupat e pajetë kanë filluar të dekompozohen. Janë më tepër sesa kapaciteti. Dy trupa të tjerë ndodheshin në tavolinat e autopsisë dhe jashtë frigoriferëve prej disa kohësh.

Pas pamjeve horror, Fiksi tentoi të marrë informacion te Morgu i Tiranës për këtë gjendje. Gazetarët kërkuan drejtuesit për t’i intervistuar, por askush prej tyre nuk pranoi. Në pamundësi, depozitoi një kërkesë për informacion, ku iu drejtua me disa pyetje: “Përse po mbahen më shumë kufoma sesa kapaciteti? “1 nga 3 frigoriferët nuk punon dhe trupat janë dekompozuar. Çfarë masash ka marrë IM për këtë problematikë?”

Pas disa ditësh, IML-ja na ktheu një përgjigje se të gjithë trupat e pajetë që ndodhen në Morgun e QSUNT, është komunikuar me institucionet përkatëse për të kryer procedurat e varrimit. “Të dhënat për kufomat që ndodhen në ambientet e Morgut janë subjekt i prokurorisë dhe nuk mund të jepen të dhëna personale të trupave të pajetë. Kapaciteti i frigoriferëve kufoma-mbajtës është 24 vende. Në morg administrohen trupat e pajetë që vijnë nga disa spitale dhe mos tërheqja e kufomave ka bërë që të ketë mbingarkesë në frigoriferët kufomë-mbajtës”, thuhet në përgjigjen e IML-së.

Më tej, pohon se me shkresën urgjent të datës 24 mars 2023 i janë drejtuar Spitalit Universitar të Traumës dhe me shkresën po urgjent i janë drejtuar në 6 qershor 2023 Spitalit Shefqet Ndroqi. “I kemi drejtuar Spitalit të Traumës rikërkesë për bashkëpunim dhe deri më tani jemi në pritje të një përgjigje. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka parashikuar për të blerë 3 frigoriferë të rinj për vitin 2023. Tenderi është zhvilluar dhe shumë shpejt do të bëhet lëvrimi i mallit” thuhet në përgjigje.

Më tej sqarohet se kufomat që ndodhen aktualisht në Morg nuk janë varrosur pasi asnjë familjar nuk është interesuar deri më tani për tërheqjen e trupit dhe varrimin e tyre. “I jemi drejtuar prokurorive përkatëse ku ka ndodhur kjo ngjarje, për të marrë leje varrimi. Për rastet që kemi marrë lejen e varrimit i jemi drejtuar bashkive përkatëse. Për kufomat që ndodhen aktualisht në morg procedurat janë në proces. Deri më tani janë kryer 16 varrime nga bashkitë. Identifikimi i kufomave është tagër i policisë. Trupat mbahen deri në mbylljen e hetimeve nga prokuroria. Nëse nuk ka të afërm, kujdeset bashkia përkatëse për varrimin e këtyre shtetasve”, përfundon Instituti i Mjekësisë Ligjore, duke konfirmuar pamjet dhe informacionet e Fiks Fare.

“S’njohin kod”- Dy fëmijë të plagosur në atentatin në Krujë, gazetari: U qëllua nga 2 pozicione

Atentatorët e krimit të rëndë në Krujë ku vdiq 29-vjeçari Ramazan Sino nuk kanë kursyer as nipërit e tij, djemtë e Gentian Bejtjas.

Ata kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të të riut dhe dy fëmijëve sapo kanë mbërritur në vilën e Gentian Bejtjas në fshatin Larushkë të Krujës.

Dy të miturit, të moshës 10 dhe 13-vjeç, u dërguan në spital pasi u plagosën nga të shtënat me armë.

Gazetari Armand Bajrami tha se personazhet  krimit nuk po njohin asnjë kod, ndërsa tregoi detaje nga dinamika e krimit.

Ai tha se ka dyshime që Gentian Bejtja, shënjestra e atentatit, ka qenë në makinë dhe se autorët kanë qëlluar nga 2 pika të ndryshme.

“Ka qenë një ngjarje e rëndë ku kanë mbetur 2 fëmijë të plagosur nga armët e zjarrit, ndërsa as personazhet e krimit nuk po njohin asnjë kod.

I ndjeri 29-vjeçar ka qenë duke drejtuar makinën e tij duke shkuar te banesa e kunatit, ndërsa pak metra pranë banesës janë shkrepur breshëri automatiku ndaj mjetit duke vrarë Ramazan Sinën dhe duke plagosur 2 fëmijët. Dyshohet se në automjet ka qenë edhe Gentian Bejtja, një personazh me probleme në të shkuarën. Sipas këqyrjes së vendngjarjes janë gjetur 24 gëzhoja në një zonë me kallamishte ku kanë qenë atentatorët.

Më pas kanë qëlluar edhe nga një distancë tjetër në largim e sipër, rreth 20 metra më tutje. Ka qenë një familjar i familjes Bejtja që ka dëgjuar krismat herën e parë dhe ka dalë në dritare ku ka parë në distancë atentatorët duke ikur. Grupi hetimor ka administruar pamje të një kamere në banesën e Bejtjas që për shkak të një peme nuk ka filmuar dot ngjarjen.

Rreth 20 minuta më vonë automjeti i përdorur nga autorët është gjetur i djegur plotësisht, ndërsa janë gjetur edhe 3 automjete kallashnikovë që janë përdorur gjatë atentatit”, tha gazetari Armand Bajrami në emisionin “Open”.

Përfitojnë koncensione dhe status investitor strategjik, mediat televizive zotërohen nga 5 familje

Në Shqipëri, një studim i Qendrës Open Data Albania zbuloi se pjesa dërrmuese e 14 bizneseve mediatike televizive më të fuqizuara janë në pronësi të 5 familjeve, si dhe në bashkëpronësi të 27 individëve me lidhje të ngushta familjare.

Studimi vëren se këta pronarë mediash zotërojnë një seri biznesesh të tjera dhe se në shumë raste janë përfitues të kontratave koncensionare, përfitues të programit Shqipëria 1 Euro si dhe të statusit investitor strategjik.

Sipas studimit të qendrës Open Data Albania, afro 80 për qind e mediave televizive shqiptare të konsodliduara janë prona të 5 familjeve, bashkëpronësi midis familjarëve dhe një grupi prej 27 individëve zotërues të mediave televizive kryesore.

Autorët pohuan se shumica e tyre janë familjarë të afërt dhe pasardhës me të njëjtin mbiemër.

Eksperti Pajtim Nikolli i Institutit Shqiptar të Shkencave dhe bashkautor i studimit, thotë se këta 27 aksionerë dhe zotërues të bizneseve televizive janë ndërkohë aksionerë në 11 deri në 39 biznese të tjerë, në shumë raste të lidhura me fondet publike dhe me qeverinë.

“Në total, nga 10 biznese mediatike janë përfituar 10 kontrata apo marrëveshje PPP/koncensione, është fituar një status investitori strategjik, si dhe 3 vendime të këshillit të ministrave janë enkas si pjesë e programit Shqipëria 1 Euro”, thotë zoti Nikolli.

Këta pronarë mediatikë ndikohen në bizneset e shumta të tyre nga vendimet e qeverisë, vlerëson studiuesit, sepse përherë më shumë po përfitojnë kontrata publike, sepse janë njëkohësisht pronarë në sektorin e ndërtimit, në atë bankar, në tregti dhe eksport-importe, në energjitikë, në infrastrukturë kombëtare dhe universitete private.

Drejtuesja e Qendrës Open Data Albania, Aranita Brahaj, në Shqipëri po krijohen manjatët e mediave, të cilët janë shumë aktivë në biznese të tjerë, por kanë edhe një kartvizitë rezervë si pronarë mediash.

“Shohim se fitimet që këto biznese nxjerrin nga ky sektori mediatik, nga prodhimi mediatik, apo nga audienca përmes mënyrave të ndryshme, janë fare pak krahasuar me fitimin apo me kapitalin, me performancës ekonomike, që këta individë kanë në bizneset e tjera”, thotë zonja Brahaj.

Autorët pohojnë se Shqipëria e ka lënë pas periudhën kur pronarët e mediave nisnin edhe ndonjë biznes tjetër, ndërsa tani janë biznesmenët e fushave të tjera, që vijnë të investojnë në media, të cilat biznesi i tyre periferik me fitime të pakta në raport me duzinat e bizneseve të tjerë.

Është rritur nga viti në vit edhe pozicioni i pronarëve mediatikë si biznesmenë në marrëdhënie me qeverinë dhe fondet publike, si edhe rritet numri i përfitimeve të tyre në varësi nga vendimet e qeverisë dhe agjenci të tjera shtetërore.

“Përveç medias, ata operojnë edhe në shumë sektorë të tjerë si ndërtimi, turizmi, resorted, që janë një biznes i fuqishëm. Rezulton se pushtetin më të madh këta individë e kanë në këto sektorë dhe jo në media. Për më tepër, shumica e tyre janë bërë pjesë e bizneseve mediatike pasi kanë arritur nivele të larta në biznese të tjerë”, thotë zoti Nikolli.

Televizionet vazhdojnë të jenë të rëndësishme në Shqipëri, sepse shumica e qytetarëve vazhdojnë të informohen dhe të marrin mesazhe prej tyre, dhe janë industria kryesore e mendimit dhe opinionit, pohojnë studiuesit.

Por sa ndikon e gjithë kjo situatë në lirinë editoriale të mediave të këtyre pronarëve të shumëllojshëm?

“Ne nuk i kemi bërë një studim përmbajtjes së mediave të këtyre pronarëve, por nëse shohim fuqinë ekonomike të tyre, interesat ekonomike, lidhjet që këto interesa kanë drejtpërdrejt me vendimarrje të ekzekutivit, ose të forcës politike që është në pushtet, atëherë ne themi që opinion-bërja është deri diku e rrezikuar, sepse interesa kaq të shumëfishta nuk na garantojnë media, të cilat të mund funksionojë në interes të publikut, aq më shumë në një vend, ku monitorimi është proces i dobët,”, thotë zonja Brahaj.

Studimi i ekipit të Institutit Shqiptar të Shkencës në Qendrën Open Data Albania gërshetoi të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit me ato të Agjencisë së Trajtimit të Koncensioneve, (ku mblidhen të dhëna mbi kontratat koncensionare të bizneseve), me ato Agjencisë Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve, (ku mblidhen të dhënat mbi bizneset që kanë marrë statusin e Investitorit Strategjikë), me Transaksionet e Thesarit (mbi tenderat e fituara nga biznesi dhe paratë që ata kanë marrë nga buxheti i shtetit), si dhe me vendimet e qeverisë mbi bizneset përfituese të Programit Shqipëria 1 Euro.

Mes televizoneve të shqyrtuara 3 prej tyre kanë licensë kombëtare ndërsa 11 të tjerat janë licensuar si subjekte analoge transmetimi. /VOA

Ç’fshihet pas atentatit? Gentian Bejtja dëshmi për 2 krime, lidhja me biznesmenin e vrarë të kromit

Një atentat mafioz ka tronditur Krujën pas pak mesnatës së të hënës (4 korrik), ku mbeti i vrarë 29-vjeçari Ramazan Sino dhe u plagosën dy nipërit e tij të moshës 13 dhe 10 vjeç.

Krimi ndodhi në banesën e Gentian Bejtjas në fshatin Larushkë, një personazh me precedentë penal, i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në vitin 2013.

Ai i ka shpëtuar atentatit të 3-të mbrëmjen e së hënës, pasi është qëlluar më parë armë zjarri teksa udhëtonte me makinë në fshatin Larushkë në vitin 2022, ku mbeti i plagosur në krah, si edhe i vendosën tritol në automjet në 2016, ku mbeti i dëmtuar në gjymtyrë.

Por janë edhe dy krime të tjera ku del emri i Gentian Bejtjas.

Ai është marrë në pyetje nga policia në lidhje me vrasjen e biznesmenit të kromit, Iljaz Çali, më 3 prill 2022 në segmentin e autostradës Tirane- Durrës.

Persona ende të pa identifikuar më një makinë e cila lëvizte në paralel më makinën e Çalit hapën zjarr në drejtim të biznesmenit, i cili nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Personi i fundit që ka pasur kontakte me Iljaz Çalin ishte pikërisht Gentian Bejtja, i cili është marrë në pyetje nga policia.

“Tri apo katër ditë përpara se të vritej, kam qenë në shtëpinë e Iljas Çalit për vizitë bashkë me gruan dhe fëmijët. Flisja me të vazhdimisht. Për herë të fundit kam shkëmbyer mesazhe me të, një orë përpara se të vritej.

Iljasi me dërgoi një video fetare dhe më shkroi: ‘Dëgjoji se janë fjalë të mëdha’. Unë i shkrova: “Jam tu nejt në shtëpi” dhe i dërgova një foto nga telenovela e Ertugrulit. Më tha që ‘e kam marrë vetë minierën”, ka treguar ai para hetuesve, në dëshminë e siguruar nga emisioni ‘Shënjestër”.
Por përse nuk mori pjesë në varrimin e mikut të tij?
“Lajmin e vrasjes e mësova nga televizori. Në varrimin e Iljasit nuk shkova, sepse unë kisha miqësi me të, por nuk kisha lidhje aq të forta me familjen e tij”, ka treguar Gentian Bejtja para hetuesve.
Megjithatë alibia e tij për të mos shkuar në varrimin e mikut, me të cilin kishin hyrje dalje familjare, nuk iu është dukur e besueshme hetuesve.

Ai dyshohet se nuk shkoi për t’i dhënë lamtumirën e fundit Iljas Çalit, për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjerë nga Nikla, që gjendeshin në atë varrim, pasi Bejtja kishte konflikte dhe përplasje në atë periudhë.

Gjithashtu ka dhënë dëshmi edhe për atentatin ndaj Marklen Hakës, një tjetër ngjarje e cila dyshohet se qëndron pas atentatit në Krujë.

BIRN nxjerr të dhënat: Ekspertët e BE dhe SHBA kundërshtojnë ‘paketën’ e ndryshimeve në drejtësi

Në shtator 2022, Komisioni i Ligjeve ngriti një grup pune për rishikimin e paketës së reformës në drejtësi – thuajse gjashtë vjet pas miratimit të tensionuar të saj me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë.

Rishikimi i reformës u motivua me ‘kërkesat e vazhdueshme për ndryshime ligjore’ të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.

Gjatë nëntë muajve u zhvilluan disa konsultime të mbyllura mes drejtuesve të drejtësisë dhe një grupi bipartizan prej 5 deputetësh, që punuan për hartimin e draftit.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pikat kryesore të ndryshimeve ligjore nuk janë mbështetur nga ekspertët e EU-JUST dhe OPDAT – dy misionet për ndihmë ligjore të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

BIRN siguroi një kopje të draftit të propozimeve për ndryshime ligjore, së bashku me opinionet e ekspertëve të EU-JUST dhe OPDAT. Dokumenti parashikon ndryshime në katër ligjet kyçe të reformës në drejtësi; ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ai për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë si dhe ai për institucionet e posaçme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Propozimet e grupit të punës prekin kryesisht kohëzgjatjen e Shkollës së Magjistraturës dhe verifikimin e pedagogëve të saj, i japin disa kompetenca shtesë Prokurorit të Përgjithshëm në përzgjedhjen e drejtuesve të prokurorive si dhe vlerësimin e tyre, parashikojnë heqje të kuotave për rekrutimin e jo-magjistratëve në ILD si dhe heqin disa kufizime për transferimet e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, gjatë dhe pas mandatit të tyre.

Të hënën në Kuvend, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i parapriu kritikave të ekspertëve të huaj në lidhje me ndryshimet e pritshme në legjislacionin e sistemit të drejtësisë.

“Çdo ndërhyrje që do të bëhet për efekasitetin e sistemit do të duhet të marrë dakordësinë e Bashkimit Europian dhe SHBA-ve,” tha Balla, duke shtuar se do të ketë edhe një takim me partnerët për këtë çështje.

Jo reduktimit të Shkollës së Magjistraturës

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, të mbështetur edhe nga Shkolla e Magjistraturës kanë propozuar reduktimin e periudhës së formimit të magjistratëve nga tre në dy vite, si një zgjidhje për vakancat e krijuara në sistem si pasojë e vetingut si dhe për një gjykim më të shpejtë të çështjeve të mbartura.

Drafti parashikon gjithashtu heqjen e një vlerësimi të dytë të pasurisë dhe figurës për studentët e Magjistraturës si dhe ndryshime të pjesshme të kritereve të emërimit të drejtorit dhe pedagogëve të brendshëm të Shkollës së Magjistraturës.

Por partnerët e EU-JUST dhe OPDAT vlerësojnë se reduktimi i Shkollës së Magjistraturës me një vit nuk është një vendim i maturuar dhe se kjo pikë duhet rishikuar në funksion të ruajtjes së cilësisë së trajnimit. Ekspertët e huaj kujtojnë gjithashtu se një nga arsyet e parashikimit të vitit të tretë të trajnimit ishte cilësia e ulët profesionale e magjistratëve.

“Cilësia e sistemit të drejtësisë është një nga kriteret përkundrejt të cilave do të matet progresi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në EU,“ citohet opinioni i ekspertëve të EU-JUST dhe OPDAT.

Gjithashtu, ekspertët e huaj vlerësojnë se “vetingu’ i prurjeve të reja në sistem është thelbësor për reformën dhe u sugjeron Këshillave që të jenë të përgjegjshëm dhe seriozë me këtë mjet të rëndësishëm të ruajtjes së standardeve të larta të integritetit dhe etikës.

Lidhur me pedagogët e Shkollës së Magjistraturës, ekspertët e EU-JUST dhe OPDAT sugjerojnë shtimin e një dispozite që parashikon se pedagogu nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi si dhe një dispozite të dytë tranzitore që u ndalon personave të shkarkuar apo të dorëhequr nga vetingu që të jenë pedagogë në Shkollën e Magjistraturës.

Gjithashtu, ekspertët e huaj e kanë gjetur të papajtueshëm faktin që pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës mund të ushtrojnë edhe profesionin e avokatit.

“Nuk është e qartë pse është e lejueshme për të ushtruar avokatinë në gjykatat më të larta ose në arbitrazh apo si ndërmjetësues, ndërkohë që nuk lejohen aksionet në kompani. Nëse qëllimi është që të sigurohet se pedagogët e brendshëm fokusohen te puna e tyre pedagogjike, ndalimi për të ushtruar avokatinë duhet të shtrihet në të gjitha nivelet, ndërsa mbajtja e aksioneve mund të jetë më pak problematike,“ vlerësojnë ekspertët e huaj.

Kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm

Drafti i ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” parashikon që t’i rikthejë Prokurorit të Përgjithshëm disa prej kompetencave që ai i humbi me reformën në drejtësi, të tilla si e drejta e një opinioni në zgjedhjen e drejtuesve të prokurorive të rretheve si dhe në vlerësimin e punës së tyre.

Megjithatë, ekspertët e EU-Just dhe OPDAT rekomandojnë të rivlerësohet formulimi, pasi sipas tyre, “pesha dhe natyra” e opinionit është e paqartë.

“Ne sugjerojmë të vlerësohet përfshirja e parashikimeve që kërkojnë një informacioni faktik në vend të një opinioni,” thonë ekspertët mbi rolin e kreut të Prokurorisë.

Propozimi është pranuar nga grupit i punës, i cili parashikon të ndryshojë draftin duke i dhënë të drejtën Prokurorit të Përgjithshëm që të japë informacion faktik dhe jo opinion, vetëm në rastin kur drejtuesit e zyrës së prokurorisë aplikojnë për një mandat të dytë.

“Ky rol lidhet edhe me përfshirjen e detyrimit të drejtuesit për të raportuar tek Prokurori i Përgjithshëm çdo 3 muaj dhe kontaktit të vazhdueshëm që ata do të kenë,” thuhet në përgjigjen e grupit të punës në tabelën përmbledhëse mbi këto ndryshime.

Ndërkohë Kuvendi dhe ekspertët ndërkombëtarë ndajnë mendime të kundërta për kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në administrimin e prokurorive të rretheve dhe e lexojnë në mënyra të ndryshme Kushtetutën.

Ekspertët shprehen se Prokurori i Përgjithshëm ka kompetencën të menaxhojë administratën e prokurorive, duke përfshirë emërimin, ngritjen në detyrë, vlerësimin, procedurën disiplinore për të gjithë nëpunësit civil të zyrave të prokurorive, duke përfshirë Sekretarin e Përgjithshëm.

Por, ndërkohë sipas deputetëve, këto kompetenca i ka marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë me ligj dhe spostimi i tyre tek Prokurori i Përgjithshëm, “nuk është tërësisht në përputhje me Kushtetutën”.

Njësi ligjore në SPAK

Ndryshimet në ligjin 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar“ synojnë të krijojnë një njësi të shërbimit ligjor për analizimin dhe stufimin e ankimeve të çështjeve penale pranë SPAK.

Sipas draftit, kjo njësi parashikohet të përbëhet nga magjistratë dhe jo-magjistratë që kanë përfunduar me sukses formimin pranë Shkollës së Magjistraturës.

Ekspertët e EU-JUST dhe OPDAT e kanë mikpritur krijimin e njësisë së shërbimit ligjor pranë SPAK, si një praktikë të përhapur edhe në vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë, ata kundërshtojnë përfshirjen e jo-magjistratëve në këtë njësi.

“Këshilltarët/ ndihmësat ligjorë jo magjistratë përbëjnë një rrezik të lartë për pavarësinë gjyqësore dhe integritetin dhe duhet të përjashtohen nga objekti i këtij parashikimi,“ shkruhet në dokument.

I njëjti problem është ngritur edhe për ndryshimet që prekin Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ku drafti parashikon një heqje të kuotave dhe kufizimeve për të rekrutuar jo-magjistratë si inspektorë, në kushtet kur magjistratët nuk shfaqin interes.

Ekspertët e huaj “nuk e rekomandojnë“ hapjen e mundësisë për të rekrutuar më shumë jo-magjistratë dhe sugjerojnë incentiva të tjera, si për shembull ato financiare, për të plotësuar vendet vakante – të cilat nuk vlerësohen si opsion i përshtatshëm nga grupi i punës.

Sa i përket njësisë ligjore pranë SPAK-ut, grupi i punës vlerëson se kjo dispozitë është e ngjashme me ligjet e tjera dhe në institucione si Gjykata e Lartë, ajo e Apelit apo Prokuroria e Përgjithshme, përbërja është me magjistratë dhe laikë.

“Propozimi i Partnerëve që njësia të ketë vetëm përbërje me ndihmësmagjistrat mbart dhe rrezikun që mos plotësohet, nisur nga vakancat që ka sistemi,“ citohet grupi i punës në dokument. /BIRN