zoom

Day ArchiveArlind Qori: Rezultati ynë do të habisë shumëkënd, do të jetë mbreslënës

I bërë pjesë e garës elektorale për Bashkinë e Tiranës, kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka besimin se pas 14 majit, do të arrijë një rezultat të kënaqshëm.

Gjatë një interviste televizive, Qori shpjegoi se kjo do të ndodhë sepse njerëzit janë të lodhur nga kjo klasë politike dhe kanë nevojë për një figurë të re.

Është hera e parë që hyjmë në zgjedhje. Nëse do vinit një ditë me mua derë më derë do vini re se situata është optimiste. Nuk dua ta ekzagjeroj, por dua të flas për mundësi të cilat besoj se janë. Qytetarëve u ka ardhur në majë të hundës nga 30 e kusur vjet nga qeverisje pa vizon e korruptive. Idetë tona shkojnë në përputhje me atë që duan qytetarët.

Klasa politike është në kalbje e sipër. Sa vjen e thellohet edhe pakënaqësia e qytetarëve ndaj tyre. Rezultati ynë do habisë shumëkënd. Kam bindje se kjo do ndodhë dhe rezultati do jetë mbresëlënës. Në çdo tavolinë numërimi do kemi vëzhguesit tanë, kemi numrin e mjaftueshëm të aktivistëve në kuptimin e parë të fjalës.

Jam i sigurt se ‘Lëvizjes Bashkë’ nuk do i vidhet asnjë votë. Unë besoj te përgjegjësia politike. Një parti nuk mund të fshihet nga përgjegjësia. Edhe nëse marrim vetëm 5 vota, nga unë nuk do dëgjoni që na i vodhën zgjedhjet”, deklaroi Arlind Qori gjatë intervistës.

 

“Jam i shqetësuar, mund të kemi kriza të reja në Veri të Kosovës”

Situata në Veri të Kosovës mund të përshkallëzohet përsëri dhe paralajmërimin e jep përfaqesuesi i lartë i BE për Politikën e Jashtme. Joseph Borrell.

Pasi u mbyll takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Borrell tha para gazetarëve se situata në terren nuk duket shumë optimiste, çka faktohet sipas tij, nga procesi i votimit.

“Pika e fundit që është më pak pozitive, ne diskutuam për situatën në terren. Kemi shprehur shqetësimin e thellë për situatën në veri me një pjesëmarrje të vogël në procesin e votimit. Këto zgjedhje nuk ofrojnë një zgjidhje afatgjate. Kjo nuk është çka ne dëshirojmë të kemi. Unë i kam inkurajuar palët që të gjejnë një zgjidhje që serbët të kthehen në pozicionet e tyre që i kanë braktisur. Liderët nuk mundën të arrijnë një marrëveshje sonte dhe jam i shqetësuar që mund të kemi kriza të reja”, nënvizoi Borrell.

Posteri me gishtat e mesit/ Këlliçi: Dua të luftoj korrupsionin, s’kam etikë

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka shpjeguar edhe njëherë tjetër posterin e tij gjatë kësaj fushate elektorale, ku i drejton gishtat e mesit korrupsionit.

Duke ju kthyer përgjigje kritikëve, në një bisedë televizive, Këlliçi u shpreh se kur është fjala për të luftuar korrupsionin, nuk do të përdorë kritikë.

“Është një akt revolte prej qytetari kundrejt korrupsionit. Në luftën ndaj korrupsionit nuk kam asnjë etikë. Ky poster është nxjerrë nga unë, aty ka një fjali. Duart kështu i drejtohen korrupsionit. Unë kam dalë ta luftoj pa etikë korrupsionin.

Në këtë poster nuk i drejtohem asnjë individi, por i drejtohem korrupsionit. U shqetësuan të korruptuarit nga kjo. Me atë faqe në internet kanë mashtruar pasi ka qenë fallco. U vërtetua që nuk ishte e vërtetë dhe u mbyll faqja. Me atë që kam bërë kam vërtetuar që do ketë luftë ndaj korrupsionit. Gishti as nuk dallohet aty. Fëmijët duhet të kuptojnë se korrupsioni duhet luftuar”, deklaroi Belind Këlliçi.

 

Jo vetëm VIP-at/ Në tapetin e “Met Gala” parakaloi edhe një buburrec

Në kohën që yjet shkëlqenin dhe fotografoheshin teksa kalonin në tapetin e “Met Gala”, poshtë këmbëve të tyre lëvizte një buburrec.

“I paftuari” që ka tërhequr jo pak vëmendje në rrjet, u vu re nga fotografi Kevin Mazur, i cili, pasi shkrepi një foto të buburrecit, e shtypi.

“Një buburrec ka mbërritur në ‘Met Gala’”, shkruan fotografi Mazur në postimin e tij.

“Met Gala” këtë vit iu kushtua trashëgimisë dhe krijimtarisë së Karl Lagerfeld, i cili ka punuar për marka të mëdha, si: Chanel, Fendi dhe Chloé.

A cockroach has arrived at the #MetGala. https://t.co/OcPy5ckhQN pic.twitter.com/4YiEPs5cIT

— Variety (@Variety) May 2, 2023

Habit lojtari kampion i Futsalit: Tiranën e mundim ne në fushë të vogël

Tirana Futsal arriti të shpallej kampione e Shqipërisë në edicionin 2022-2023 duke mundur 2-1 në serinë e finaleve Flamurtarin Futsal.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, kampioni i Tiranës, Miland Prendi, ka folur për titullin, objektivat, vështirësitë dhe rrugëtimin në futbollin e sallës.

Si nisi rruga jote drejt futbollit?

Në fillim ka nisur futbolli i lagjes. Një prej djemve aty më ka dërguar te Tirana, atje ku luante vetë. E fillova te moshat e Tiranës, e nisa nga U-13, U-15, U-17 deri në U-19. Kam luajtur me disa ekipe, disa ndeshje i kam zhvilluar edhe me Kukësin B. Më pas duhej që ta lija futbollin dhe aty nisi historia e futsal. Teksa po luaja një ditë në kalceto njoha një shok, Endrit Kaca, kapiteni i Tiranës dhe lojtari i Shqipërisë i futsalit. Ai më mori dhe më dërgoi te ekipi i futsalit.

Në momentin që nise këtë rrugëtim të ri, cila ishte përshtypja e parë?

Mua mu duk shumë i vështirë si futboll, ishte shumë ndryshe nga futbolli në fushë të madhe. Ky i futsal është shumë më teknik, i shpejtë, parketi ndryshe nga fusha. Ndeshja ime e parë ka qenë në Champions League kundër Prishtinës. Ishte koha e pandemisë, Tirana nuk kishte shumë lojtarë dhe më morën. Luajta pak në atë ndeshje, u mundëm dhe pastaj kam qenë pjesë e ekipit në kampionat.

Sa shumë ndryshon stërvitja dhe angazhimi mes një lojtari profesionist dhe atij në Fustal?

Nëse një lojtar profesionist ka stërvitje, edhe një lojtar futsali stërvitet. Mund të ndryshoj pak pasi preket më shumë ana teknike, por ne bëjmë stërvitje çdo ditë, 1-2 orë në Asllan Rusi. Gjithashtu ka edhe përgatitje fizike, pasi është futboll fizik këtu, kur luan në parket është e lodhshme. Ka shumë skema sigurisht, bëhen analiza të kundërshtarit. Jo me video, por duke ditur natyrën e kundërshtarin zgjedhim edhe mënyrën tonë të lojës, kështu fituam edhe me Flamurtarin në finale.

Si shkoi historia e finales me Flamurtarin? Fituat 9-3 dhe pastaj humbët, duke e lënë trofeun në ndeshje të fundit. Kishit frikë se do ta humbisnit?

Ndeshjen e parë e zhvilluam në Vlorë dhe ne fituam 9-3. Nuk ishte aq e thjeshtë sa duket në rezultat, por kemi luajtur mirë. Ndeshja e dytë u zhvillua në Tiranë dhe ne humbëm. Fati nuk ishte shumë me ne dhe ndoshta ndikoi pak nënvlerësimi pasi kur e fiton ndeshjen e parë 9-3, ndeshja e dytë duket e fituar. Pastaj në ndeshjen e tretë u fokusuam shumë, dhamë maksimumin tonë dhe arritëm të fitonim 5-3. Nuk kishim frikë se do të humbisnim finalen e tretë, ne kishim besim se do t’ia dilnim, ishim të sigurt në veten tonë. Kemi marrë dy trofe këtë vit, Kupën dhe kampionatin, kemi bërë detyrën.

Çfarë ndjesie të jep luajtja në parket nisur edhe nga dëshira juaj e fëmijërisë?

Emocioni mbetet i njëjtë, futboll është. Mbështetja e tifozëve ka qenë, megjithëse nuk janë aq të shumtë. Sidomos në ndeshjet e play-off, finale dhe gjysmëfinale ka shumë tifozë. Nuk është shumë i përhapur, por është në rrugën e duhur. Po shtohen ekipet nga viti në viti dhe pritet të përhapet edhe më shumë.

A mund të luajë çdo lojtar i fushës së madhe edhe në Fustal apo mund të ketë raste përjashtimesh? Pra a duhet të jesh më shumë Ronaldinho në Freestyle apo më tepër Benzema në produktivitet golash?

Shumë lojtar të fushës së madhe mund të luajnë edhe në fushë të vogël. Futbolli është sport i thjeshtë nëse luan thjeshtë, nëse pason, lëviz, markon lojtarin që të kanë lënë, ia del edhe në futsal. Më shumë se Freestyle aty duhet të kuptosh fushën, nuk ka vend shumë për lëvizje spektakli. Duhet të pasosh, të luash fort, të përplasesh, pak lojtarë janë aty që mund të bëjnë Freestyle. Kjo është lojë ekipi nuk ia del dot i vetëm.

Nëse ekipi juaj prej 5 lojtarëve do të përballej me 5 lojtarë të Orges Shehit, kush do të fitonte në fund në Futsal?

Nëse do të luanim kundër Tiranës, ata janë lojtarë me cilësi të mëdha dhe shumë të mirë, por në fushë të vogël, ndoshta mund të fitonim ne. Do të ishte ndeshje e fortë, por do të ishte kënaqësi e madhe nëse do të luanim kundër tyre. /zoom.al/

Borrell flet pas takimit në Bruksel: U hodhën hapa për Asociacionin

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, tha se Kosova dhe Serbia “morën një hap simbolik” drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Sot, Ekipi Menaxhues prezantoi draftin fillestar për statutin e këtij asociacioni”, tha Borrell para gazetarëve.

Ai ndërmjetësoi të martën një raund të ri të bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Një nga pikat e rendit të ditës ishte paraqitja dhe diskutimi i draft-statutit për formimin e Asociacionit. Ky dokument u paraqit nga Ekipi Menaxhues, që përbëhet prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb, përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë.

“Pikëpamjet e palëve janë shumë të ndryshme për natyrën e këtij Asociacioni. Nuk kam pritur gjë tjetër. Unë kam qenë i sigurt se palët kanë pikëpamje të ndryshme, por edhe nëse nuk janë pajtuar, ato kanë rënë dakord për t’i filluar negociatat për të ardhmen e Asociacionit. Unë dua t’i nxis të dyja palët që të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim dhe të jenë të gatshme për të arritur kompromise”, tha ai./ REL

Çudira elektorale/ Kandidati i “Bashkë Fitojmë” premton shërbim funeral falas për qytetarët

Garon nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të marrë drejtimin e Bashkisë së Libohovës dhe për të siguruar votëbesimin e qytetarëve, Adil Xhelili premton edhe shërbimin funeral falas për ta.

Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, Xhelili siguron qytetarët se nëse hedhin votën për të, nuk do të paguajnë për shërbimin funeral.

Ky është një premtim ky i padëgjuar më parë gjatë fushatave elektorale në vend dhe që ka tërhequr vemendjen, ndryshe nga premtimet e tjera për rrugë të shtruara dhe infrastrukturë të përmirësuar.

Postimi i plotë i Adil Xhelilit në “Facebook”:

Shërbimet publike sa më pranë bashkëqytetarëve tanë.

✅️Ngritja e Shërbimit Komunal të Bashkisë me pajisje bashkohore, mjete e shërbim efikas.

✅️Ofrimin e shërbimeve lokale,  pastrim dhe 🌳🌳gjelbërim e zonave urbane, pastrim ditor në Libohovë dhe fshatra,  pajisje me kontenierë të rinj, autobot, etj.

✅️Menaxhim i kujdesshëm i mbetjeve ne pikë-grumbullim, shmangia e rreziqeve për shëndetin, mbrojtje e mjedisit 🏕dhe faunës🐇🦔🦊.

✅️Mirëmbajtje e rrugëve të brendshme 🛣në cdo njësi vendore e në cdo lagje.

✅️Krijimin e një terminali dhe agjensie udhëtimi për transportin lokal🚎🚌

✅️Përmirësimi i shërbimit zjarrfikës🚒 dhe shpëtimit të jetës,  me mjete bashkohore, pajisje e trajnim periodik.

✅️ Sigurimin dhe mirëmbajtjen e parqeve publike, shtimin e hapësirave të gjelbërta🏡🏡

✅️Ofrimi FALAS i shërbimit funeral si pjesë e shërbimeve komunale të bashkisë.

✅️Pajisja me sinjalistikë të brendshme e rrugëve, emërtim dhe shenja të tjera dalluese🚥🚦.

Këto dhe shumë të tjera në shërbim të qytetarëve pas 14 majit.

Ndryshim rrënjësor i punëve me motivin “pa shërbim nuk ka taksa”

Së bashku rikthejmë punën në dobi të qytetarit!

Zhdukja e “Koçoles” dhe Sulovarit/ Rrumbullaku zbret në terren, shkon në Sarandë për hetimet

Vetëm pak orë pas takimit që familjarët e Leonard Theodhorit, i njohur edhe si “Koçole”, dhe Fatmir Sulovarit patën me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ky i fundit ka “zbarkuar” në Sarandë.

Sipas burimeve, Rrumbullaku do të takohet me vartësit e tij në Komisariatin e Sarandës për të kërkuar detaje se në ç’fazë janë hetimet për zhdukjen e dy 46-vjeçarëve, të cilët dyshohet se janë vrarë dhe janë groposur.

Po ashtu, Rrumbullaku do të bëjë një analizë të detajuar të provave të mbledhura deri tani, për të përcaktuar ecurinë e mëtejshme të hetimeve.

Për shkak se po mbushet një muaj pa asnjë gjurmë të Sulovarit dhe “Koçoles”, paraditen e sotme familjarë të tyre u mblodhën para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të kërkuar drejtësi dhe për të mësuar se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre.

 

DETAJET/ Kiara dhe Luizi do të martohen (prej vërteti) gjatë finales së madhe

Të shtunën, kur do të mbahet edhe finalja e madhe e “Big Brother Vip Albania” do të ketë dasmë sërish. Vetëm se këtë herë, dasma do të jetë prej vërteti.

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito do të kurorëzojnë dashurinë e tyre, pas propozimit qe mori moderatorja.

Një gjë e tillë është konfirmuar nga vetë regjisori Eduart Grishaj gjatë finales së “Big Brother Fun Club”.

“Kiara dhe Luizi martohen të shtunën. Ka ardhur momenti të lënë provat gjenerale dhe të bejnë diccka zyrtare. Do të bëjmë më të mirën qe të kenë nje natë të paharruar dhe shumë speciale”, tha Eduart Grishaj.

Edhe vetë Kiara dha disa detaje nga përgatitjet që po bën për te shtunën mbrëma.

“Do të ndodhë një celebrim në natën finale, jam shumë e emocionuar. Dëshmitare do të kem tezen time, që e kam familje  e kam pasur gjithmonë ëndërr që të jetë ajo. Pjesën tjetër do ta shihni. Kam provuar disa fustane nusesh, por po ndërroj mendim dhe nuk dua më një fustan të gjatë”, tregoi Kiara Tito.

Të zhdukurit e luftës do të gjenden/ Vuçiç bie dakord me Kurtin

Takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës. Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka prodhuar deri tani një rezultat: Të dyja palët janë dakordësuar për të gjetur të zhdukurit gjatë luftës së Kosovës.

Si Kurti, ashtu edhe Vuçiç miratuan Deklaratën për të Zhdukurit, ku midis të tjerash thuhet se palët bien dakord që të thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen për të zhdukurit.

Gjithashtu, marrëveshja “detyron” Kosovën dhe Serbinë që të garantojnë akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta, që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.

“Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst”, shkruhet mes të tjerash në marrëveshje.