zoom

Day ArchiveEksperti: Shqiptarët dërgojnë deri në 3 mld paund drogë në vit në Angli

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço ka treguar se shqiptarët trafikojnë drogë deri në 3 mld paund vlerë, drejt Mbretërisë së Bashkuar.

“Shtëpia e Bardhë bën një raport çdo vit , Bolivia, Kolumba dhe Peruja prodhojnë 91% të kokainës, 2 mijë ton  shkon në Amerikën e Veriut, 23% vjen në Europë. 12 mld paund shkon në Britani, edhe me anije peshkimi edhe me avioni edhe me jahte, në çdo formë tjetër, edhe me mjete civile, ne si shqiptarë zëmë deri në..,jo se kemi para por 3 mld paund nga linja, ata s’është se e përmendin shumë, por thonë mafia britanike, jo jemi Ballkan, jo thjesht shqiptarë. Londra konsumon 23 kg kokainë në ditë, në vit 8 ton kokainë. Tregun e zi e kanë 100 mld paund në vit, nga 100% që janë të dënuar, 15% janë të huaj, nga 15% 14% janë shqiptarë, dhe kjo na rrëzon që janë të fryra artificialisht. Është një propagandë që nuk del në atë nivel sa propagandohet nga mediat. Së bashku me zotin Veliu kemi pasur një komunikim, i kam thënë pse po merreni kaq shumë me shqiptarët, mund të jenë 1 mln klikime me ato videot me drogë. Krimi nuk ekspozohet, ata nuk i përkasin një krimi të sofistikuar, mos e merrni si të vërtetë”, u shpreh eksperti i ftuar në një emision për një media vendase.

SHBA “kushte” Kurtit: Të punojë me ne për Asosacionin

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka folur sërish për dakordësinë mes Kosovës dhe Serbisë mbi aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, e propozuar nga Bashkimi Europian.

Hovenieri pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka thënë se për SHBA-në është e rëndësishme që ka dakordësi për këtë çështje.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Kurti të punojë me SHBA-në për zbatimin e Asociacionit.

“Ne i mirëpresim të dyja marrëveshjet e arritura. Ne kemi një kërkesë standarde, që kryeministri të punojë me ne për zbatimin e Asociacionit”, ka thënë Hovenieri para gazetarëve.

Hovenieri theksoi se pritshmëritë e SHBA-së mbesin të njëjta, pra zbatimi i të gjitha marrëveshjeve, përfshirë Asociacionin.

“Pritshmëritë e SHBA-së mbesin ato që janë: Të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen, përfshirë edhe Asociacionin”, ka shtuar ambasadori.

Ambasadori amerikan sot në një postim në Twitter bëri të ditur se zbatimi i marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë është kritik për përparimin e së ardhmes së Kosovës.

Ndërkohë kryeministri Albin Kurti ka takuar sot të gjithë ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe nuk ka bërë asnjë koment

“Big Brother VIP Shkodra”, humoristët shkodranë sjellin reality-n në teatrin Migjeni

“Big Brother Vip” në Shkodër, por jo siç jemi mësuar ta shohim si një “Reality Show”, por në skenën e Teatrit Migjeni.

Komedia “Big Brother VIP Shkodra 2” ka ngjitur në skenë humoristët shkodranë të cilët imitojnë banorët e vërtetë, duke ironizuar me humor fenomenet shoqërore.

Me skenar dhe regji të Arian Çuliqi janë rikthyer në skenë mjeshtrat e mëdhenj si Zyliha Miloti, Drande Xhaj dhe Besnik Çinari.

Nisur nga popullariteti i formatit Big Brother, ku jetesa e disa personazheve publikë në shtëpinë e “Big Brother Albania Vip 2”, ka përfshirë një popull të tërë, Çuliqi thotë se edhe formati humoristik i këtij show është mjaft i prekshëm për publikun.

“Kjo komedi është shumë e prekshme për publikun, i cili ka treguar një interes të jashtëzakonshëm për pjesëmarrjen në këtë komedi sepse e sheh veten të përfshirë në këtë Big Brother të madh”, vijon Culiqi, ndërsa shton se “kjo komedi ka një shikueshmëri rekord”.

Komedia vjen nën interpretimin e akrtorëve të rinj si: Fritz Selmani, Savjana Vjerdha, Ketlin Pjalmi, Gerti Palali, Nikolin Ferketa, Aleksander Prenga, Lusi Bregu dhe Arber Bala.

Sipas regjisorit gjëja që bie në sy në këtë komedi është loja e mrekullueshme e aktorëve të rinj ku veçon Fritz Selmanin në rolin e Luizotit (Luizit).

“Në role të tjera të mrekullueshme vijnë edhe Ketlin Pjalmi në rolin e Laurës (Kiara), Aleksandër Prenga në rolin e Kiçit (Kristit), Nikolin Ferketa në rolin e Maestros, etj.”.

Për regjisorin Çuliqi, qershia mbi tortë e kësaj shfaqjeje është rikthimi i humoristes së madhe, Zyliha Miloti e cila në moshën 77-vjeçare është në rolin e Diolës.

“Ikona e skenës dhe e kinematografisë shqiptare, Zyliha Miloti priti ftesën time me shumë kënaqësi. Me interpretimin e saj brilant në rolin e Triolës dhe përkrah aktorëve dhe mjeshtrave të skenës si Besnik Çinari dhe Drande Xhaj, ajo ishte qershia mbi tortë e shfaqjes”, thotë ndër të tjera Çuliqi.

Komedia nuk ka si synim lartësimin e formatit apo të jetë një kritikë për këtë fenomen social, por të argëtojë publikun përmes roleve dhe karaktereve të krijuara.

“Është një komedi e mbushur me mesazhe, por nuk ka mesazh të mirëfilltë nga fillimi deri në fund se është bërë me këtë qëllim, as për ta ngritur si format as për ta ulur. Nëpërmjet këtij formati hidhen shumë mesazhe për të cilat rinia jonë ka nevojë. Është thjesht argëtues. Gjetja është formati, por nuk merrem me formatin, merrem me njerëz që fjalën VIP nuk e dinë çfarë është dhe i thonë vetes VIP”, shprehet Çuliqi.

“Big Brother Vip Shkodra” ka filluar në datë 17 mars dhe do të vijë në skenë për disa net radhazi, kjo falë kërkesës së madhe të publikut për këtë komedi.

 

Macron i mbijeton mocioneve të mosbesimit. Deputetët: Na prit në sheshe

Qeveria franceze i ka mbijetuar dy mocioneve të mosbesimit pas vendimit për rritjen e moshës së pensionit në 64 vjeç.

Sipas BBC, mocioni i paraqitur nga deputetët e qendrës mori 278 vota pro, duke mos kapur 287 që duhej për rrëzimin e qeverisë. Nëse votimi do të ishte i suksesshëm, Macron do duhej të emëronte një qeveri të re ose ta çonte vendin në zgjedhje të parakohshme.

Edhe mocioni i paraqitur nga partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen nuk mori votat e mjaftueshme.

Tashmë të dyja mocionet kanë dështuar, projektligji për rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 do të bëhet ligj.

Votimet u hodhën pasi kryeministrja Elisabeth Borne përdori nenin 49:3 kushtetues për të shtyrë ligjin pa votim javën e kaluar.

Mocioni i parë, i cili pati mbështetjen e disa partive të majta, duke përfshirë Partinë e Gjelbër dhe Partinë Socialiste, ishte i vetmi që mund të kishte sukses.

Kur votimi dështoi, anëtarët e kontingjentit të majtë që votuan për mocionin mbanin pankarta ku shkruhej “vazhdoni” dhe “do të takohemi në rrugë” dhe bërtisnin që kryeministri të jepte dorëheqjen.

“Asgjë nuk është zgjidhur, ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi në mënyrë që kjo reformë të tërhiqet,” tha shefja e grupit parlamentar të LFI-së, Mathilde Panot.

Foto/Meta dhe Paloka shëtisin Jeruzalemin me biçikleta

Ish-Kryetari i Kuvendi i Shqipërisë dhe Ish- Presidenti i Republikës, Ilir Meta në rrugët e Jeruzalemit me biçikletë. Pas tij është deputeti i Partia Demokratike e Shqiperise – Komisioni i Rithemelimit Edi Paloka , të shoqëruar nga Ambasadori Dan Oryan , shefi i Zyrës për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Izraelit.

Qeverisë apo biznesit, shifrat e kujt të besojmë?

Në takimin e disa ditëve më parë midis kryeministrit Edi Rama dhe bizneseve të mëdha në vend, njëri nga biznesmenët, pjesë e takimit, përgënjeshtroi Institutin e Statistikave, Instat, për shifrat e pagave që ka publikuar.

Biznesmeni i njohur në fushën e ndërtimit, Avenir Kika, tha para kryeministrit dhe ministres së Financave se ajo pagë nuk është reale.

“Nuk e kuptoj pse e nxjerrin 510 mijë lekë (të vjetra), ne nuk kemi paga të tilla”, -tha Kika duke shtuar se në biznesin e tij, por edhe tek të tjerët, punonjësit paguhen me paga që nisin 80 mijë lekë.

Por në fund të fjalës së tij, ai u sinkronizua me fjalën e kryeministrit, i cili kritikoi fort bizneset që “shfrytëzojnë punonjësit pa sigurime e vetë blejnë nga shtatë shtëpi”. Kika supozoi se shifra zyrtare mund të vijë dhe nga nëndeklarimet që bëjnë bizneset.

Fillimisht, paga e këtij sektori matur nga Instat është  e mesatarizuar. Nga këtu, nëse supozojmë se Kika dhe kolegët e tij po aq të rëndësishëm, paguajnë dhe deklarojnë më shumë se 51 mijë lekë, duhet të kishin patjetër më shumë peshë dhe të lëviznin për lartë këtë vlerë.

Nga ana tjetër, Instat punon në koordinim me institucionet, nga drejtoria e Tatimeve tek AZHBR dhe  statistikat i referohen dhe vetë gjetjeve të tyre, pa ndërhyrë Instituti.

Cilado qoftë arsyeja e asaj shifre dhe cilado të jetë arsyeja e mohimit të saj, konkluzioni nuk ndryshon: ajo nuk është e saktë!

Instat, si burimi i vetëm zyrtar dhe  më i fuqishëm,  shpeshherë dhe si referencë për studime ndërkombëtare ngec në ofrimin e statistikave që i afrohen realitetit. Evazioni dhe mosdeklarimi nuk është arsye. (Institucionet ndërkombëtare kanë aftësinë të përllogarisin edhe paranë jashtë sistemit tatimor.)/Zoom.al

Qeveria do të shesë me ankand ndërtesat që do të konfiskojë. Paratë shkojnë në “fond të veçantë”

Objektet e konfiskuara nga shteti, për shkak të mungesës së lejes për ndërtim, do të nxirren në ankand dhe do të shiten me vlerën reale të tregut, në kohën që janë konfiskuar.

Kështu thuhet në një draft që ka publikuar për konsultim publik, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për administrimin e objekteve të konfiskuara dhe rishitjen e tyre.

Forma të tjera të shitjes së objektit do të jenë edhe kalimi në favor të subjekteve që kanë të drejtën e parablerjes. Shteti e kalon pronën tek blerësi vetëm pasi është konfirmuar pagesa për 30 ditë.

Në projektligji përmendet dhe themelimi i një njësie që do të quhet Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, pranë Agjencisë së Kadastrës, i cili jep vendimet për konfiskim të objektit dhe cakton detyrat për çdo autoritet tjetër në proceset pasuese.

Fondet e përfituara nga programi i shitjes së objekteve të konfiskuara kalojnë në fondin e veçantë të objekteve të konfiskuara dhe përdoren me vendim të Komisionit i cili i kalon më pas në një llogari në Bankën qendrore.

Aty do të shkojnë paratë nga shitja e objekteve të konfiskuara, financime të jashtme dhe një pjesë nga buxheti i shtetit.

Me kërkesë të njësisë së zbatimit, që mund të jetë çdo autoritet që Komisioni apo Këshilli i Ministrave udhëzon apo me kërkesë të autoriteteve publike, entit të banesave, njësive vendore, Komisioni mund të miratojë administrimin /përdorimin/shfrytëzimin e objekteve të konfiskuara apo pjese të tyre, për qëllime të nevojës së strehimit social apo për interes publik.

Asnjëra nga autoritetet që do të ekzekutojë proceset e parashikuara në ligj, nuk merr përsipër detyrimet e tjera që lindin nga kontrata e sipërmarrjes, apo çdo aktmarrëveshje e lidhur midis pronarëve të truallit dhe zhvilluesit/ndërtuesit përpara kohës së konstatimit të paligjshmërisë në zhvillim/ndërtim.

Autoriteti përfitues i konfiskimit i autorizuar nga Ministria, FSHZH apo njësia zbatuese, përjashtohen nga të gjitha tarifat e aplikimit për leje zhvillimi dhe ndërtimi, nga polica e sigurimit, pagesat për shërbimet kadastrale si dhe nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë për marrjen e lejeve të ndërtimit sipas këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit në rast miratimi janë Këshilli i Ministrave; Komisioni i Objekteve të Konfiskuara, Ministria përgjegjëse për pronën shtetërore(Financa), Agjencia e Zhvillimit të Territorit; Agjencia Shtetërore e Kadastrës;Autoriteti /enti publik në cilësinë e Njësisë së Zbatimit.

Deri në fund të vitit 2022 dhjetra prona janë konfiskuar si shtesa apo subjekte të tëra pa leje, bazuar në vendimin e qeverisë në shtator të të njëjtit vit.

Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Blinda Balluku do të deklaronte se në mbledhjen e qeverisë kishte kaluar një vendim “Për rregullat për konfiskimin për interes publik për ndërtimet pa leje me qëllim fitimi” i cili , ka të bëjë me të gjitha ndërtesat pa leje ose  për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë nga Bashkitë.

Atëherë, u tha se objektet e konfiskuara do të shkonin për strehim social apo rishitje zhvilluesit, pasi ai të përfundonte legalizimin, por jo nxjerrjen në ankand.

Urdhër-arresti ndaj Putin/ Medvedev kërcënon: Gjyqtarë të Hagës, kini kujdes, shihni nga qielli

Ish-presidenti i Rusisë kërcënoi sot se do të shënjestrojë Hagën me raketa hipersonike me aftësi bërthamore, pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për Vladimir Putin për krimet e luftës në Ukrainë.

“Gjykatësit  u zemëruan më kot. Shikoni, ju jeni të guximshëm, për të ngritur dorën kundër fuqisë më të madhe bërthamore. Mjerisht, zotërinj, të gjithë ecin nën Zotin dhe raketat. Është mjaft e mundur të imagjinohet duke lëshuar një raketë hipersonike nga Deti i Veriut nga një anije ruse në sallën e gjyqit të Hagës”, shkruan Medvedev.
Medvedev shprehu besim se në rast të goditje, NATO nuk do të fillonte një luftë. “Gjykata është vetëm një organizatë e mjerueshme ndërkombëtare, jo popullsia e një vendi të NATO -s. Prandaj, ata nuk do të fillojnë as një luftë. Ata do të kenë frikë. Dhe askujt nuk do t’i vijë keq. Pra, gjyqtarët, vështrojnë me kujdes qiellin”, shprehet ai më tej.

14 maji/Bardhi ftoi Këlliçin të kandidonte nën logon e PD-së, Alibeaj: Qëndrimi është i njëjtë!

Demokrati Enkelejd Alibeaj ka përforcuar deklaratën e kolegut të tij Gazment Bardhi, pak ditë më parë, kur ftoi Belind Këlliçin të kandidonte nën logon e PD-së.

Në një komunikim me mediat, Alibeaj tha se ai dhe i gjithë kampi i tij demokrat i qëndron atij vendimi, ndonëse nuk ka përmendur asnjë emër.

“Procesi është në vazhdim. Ky proces, siç është parashikuar në vendimin e Kryesisë, është një proces që bazohet në statutin e partisë. Në një nga mbledhjet e mëparshme, ne kemi kërkuar kandidimin e Primareve.Nuk është paqartësi. Unë dhe kushdo ka detyrim të respektojë vendimet e Kryesisë. Ajo që ka thënë Bardhi është në bazë të qëndrimeve tona për kandidatët e Primareve të grupit të Rithemelimit, janë të ftuar të bashkohen në logon e PD-së. Ky proces, do të vazhdojë të diskutohet këtu në mbledhjet e Kryesisë”,-tha Alibeaj.

Pak ditë më parë Bardhi tha se Këlliçi nuk duhet të kandidonte nën logon e Partisë së Lirisë, si pjesë e një aleance, por nën logon ku ai përket, asaj të PD-së. /Zoom.al

Shkaktoi aksidentin e rëndë në Vlorë, shoferi ish-drejtori i doganës që kërcënoi burrin e dashnores

Një aksident i dyfishtë u shkaktua mbrëmjen e sotme në rrugën transbalkanike, ku drejtuesi i mjetit në tentativë për tu larguar nga vendngjarja e aksidentit të parë ku kishte përplasur një grua, shkaktoi një aksident të dytë me një automjet të tipit “Peugeot”.

Shoferi i cili ka shkaktuar aksidentet është shtetasi Arlind Lagji, ish-drejtuesi i Doganës në Fier, i përfshirë pak kohë më parë në një skandal ku u denoncua se kishte rrahur dhe kërcënuar një shtetas, pasi ai e akuzonte se kishte marrëdhënie intime me gruan e tij.

Çifti i përfshirë në atë ngjarje ishin Algert Beluli dhe Anxhela Ngjeqari, ndërkohë që Algert Beluli publikoi audiopërgjime me ish-zyrtarin Lagji ku ky i fundit e kërcënonte me jetën e vajzës dhe i thoshte ‘do ta bëj trupin thela-thela’.