zoom

Day ArchiveInstagrami nuk funksionon, mijëra përdorues raportojnë probleme

Shumë përdorues kanë pasur probleme me Instagramin gjatë ditës së sotme. Sipas Downdetector, shumë përdorues kanë pasur një ndërprerje.

Rreth 75 për qind e këtyre problemeve janë me vetë aplikacionin. Një numër më i vogël kanë raportuar probleme me identifikimin dhe faqen e internetit.

Probleme ka pasur edhe me postimet që nuk shfaqen në Feed-in e përdoruesve si edhe me story-t.

Kaq mjaftoi që përdoruesit të hynin në Twitter për të shprehur shqetësimin e tyre. Sakaq, është e paqartë se çfarë e shkaktoi ndërprerjen.

Zbulohet vila luksoze që Ahmetaj përfitoi nga Klodian Zoto

Pagesat për hotelet luksoze janë vetëm maja e ajsbergut nga përfitimet që Ahmetaj ka pasur nga biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto. Këtu jemi në një prej fshatrave më luksoze në bregdetin e Lalzit, saktësisht në Hamallaj. Kjo që shihni është vila me numër F.022 ku shpesh shihet nga fqinjët të akomodohet ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj. “Inside Story” ka siguruar disa dokumente ekskluzive që zbulojnë këtë dhuratë të majme me vlerë deri në 1 milionë euro për Ahmetajn. Por, le ti marrim gjërat me radhë.

Në Shkurt të vitit 2014, miku i ngushtë i Arben Ahmetajt, biznesmeni Gerian Kuka firmos një kontratë sipërmarrje për ndërtimin e jnë fshati turistik në Dhërmi si pronar i 13 mijë metrave tokë. Referuar kësaj kontrate që shihni, ai do të përfitonte 22 % të sipërfaqes ndërtimore.
Por, në vitin 2018, kontratës i bashkëngjitet kjo shtojcë. Aty palët bien dakord që në marrëveshje të përfshihet edhe një vilë në kompleksin në Hamallaj që ndërtohej nga e njëjta kompani. Për vilën thuhet se komapnia do të kompensohej nga investitori.
Dhe në fakt, ashtu ndodh zyrtarisht. Në 19 Nëntor 2021, firmoset kjo kontratë për blerjen e vilës nga miku biznesmen i Ahmetajt, Gerian Kuka. Prona blihet për vlerën e 174.650 euro. Një vlerë e papërfillshme për një vilë luksoze me sipërfaqe ndërtimi 221 metër katror dhe oborr 521 metra katrorë.

‘De facto’ porositësi rezulton biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto dhe përfituesi i vërtetë ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Në këtë email të siguruar nga “Inside Story”, e cila gjendet edhe në kompjuterin e tij, të sekuestruar nga SPAK, kompania ndërtuese njofton në 20 Qershor 2017 biznesmenin Zoto për ecurinë e punimeve pikërisht në vilën F.022. E njëjta që me letra u ble nga Gerian Kuka, por me pronar fundor Arben Ahmetajn.
I nderuar zoti Zoto, përshëndetje. Dëshirojmë tju vëmë në dijeni për ecurinë e punimeve në vilën tuaj F.022 në ‘vala Mar Residences”

Disa muaj më vonë, në 22 nëntor të vitit 2017 punimet për vilën përfundojnë. Kompania ndërtuese i adreson një tjetër email biznesmenit Zoto ku e font të paraqitet për të marrë në dorëzim vilën e tij. Pra, të njëjtën që figuronte në emrin e biznesmenit gerian Kuka.
I nderuar zoti Klodian Zoto, ju lutem të respektoni afatet për paraqitjen dhe marrjen në dorëzim të asetit tuaj në kompleksin rezidencial “Vala Mar Residences” në Hamallaj.
Pra, Zoto është porositësi i vërtetë. Tani, le të zbulojmë pronarin e vërtetë. Në 31 Mars të vitit 2022, Gerian Kuka ia shet vilën shtetases Erjola Hoxha. Fjala është për partneren e Arben Ahmetajt me të cilën nuk ka celebrime. Pra, i njëjti person që rezultonte edhe në faturat e hoteleve të mbuluara nga Klodian Zoto. Vlera e shitjes së vilës F.022 është 220 mijë euro.

Pra, Gerian Kuka, miku i Ahmetajt që dilte në oktapodin e kompanive të ish-ministrit, i shet vilën bashkëshortes së tij. Këto dokumente, zbulojnë jo vetëm pronarin e vërtetë të vilës por edhe fiktivitetin e veprimeve për të mbuluar një pronë të padeklaruar. Këto prova, mund të jenë pikënisje për një hetim pasuror të organeve ligjzbatuese.

Këtu kemi sërish devijim të hetimeve nga prokurorët Braho dhe Nakuçi, të cilët jo vetëm nuk kanë verifikuar emailin e Zotos për vilën në Lalëz, por as nuk kanë nisur kurrë një hetim sesi një vilë që kushton të paktën 1 milionë euro, është blerë nga bashkëjetuesja e Ahmetatj për 220 mijë euro.

Gërdeci/ Ish-ministri i Mbrojtjes në gjykim, VOA: Prokuroria po heton dhe tregtinë e municioneve

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka çuar për gjykim rastin e ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërthimin e ndodhur në Gërdec 15 vite më parë, ndërsa bëri të ditur se ka regjistruar një tjetër çështje penale, me dyshimet për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” në rastin e procedurave të ndjekura në atë kohë nga Ministria e Mbrojtjes për shitjen e municioneve dy kompanive të huaja. Por për rastin nuk ka ende të akuzuar.

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për të çuar në gjykim ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu për shpërthimin e Gërdecit në vitin 2008, ku humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe fëmijë, dhe hetimet që pasuan për këtë rast, duket se kanë hapur dhe një tjetër pistë. Predhat dhe municionet e tjera në rrënojat e fabrikës së demontimit, nxorrën zbuluar në atë kohë, një aferë të tregtimit të fishekëve të prodhimit kinezë, të cilët riamballazhoheshin për të përfunduar në Afganistan. E gjitha, përmes një kontrate me kompaninë “Evdin” ltd, me seli në Qipro, e cila shërbente si ndërmjetëse mes ministrisë shqiptare të Mbrojtjes dhe kompanisë amerikane “AEY”, që drejtohej nga dy të rinj pa eksperiencë të cilët kishin fituar një kontratë me Pentagonin.

Prokuroria e Posaçme bëri të ditur sot se, lidhur me këtë tregti municionesh, “hetimet paraprake nuk kanë përfunduar” dhe është rregjistruar një procedim i ri penal për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nuk dihet se çfarë elementësh të rinj janë zbuluar që kanë çuar Prokurorinë e Posaçme të rregjistrojë një procedim penal për një çështje, së cilës nuk ju shkua asnjëherë deri në fund, e ku rezultonin të përfshirë shumë persona të niveleve të larta. Mes tyre, ndër më të lakuarit, ka qenë dhe emri i Shkëlzen Berishës, djalit të ish kryeministrit Sali Berisha. Në atë kohë ai nuk u mor asnjëherë në pyetje, por ka mohuar publikisht çdo lidhje të tij me rastin, siç bëri dhe dy javë më parë, pasi doli nga Prokuroria e Posaçme.

Mbetet po ashtu për t’u parë, nëse nga ky hetim preket ose jo dhe ish ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ndërkohë, 15 vjet pas shpërthimit në Gërdec, pritet të përballet për herë të parë me një trupë gjykuese për këtë çështje. Prokuroria e Posaçme e cila kërkoi rihapjen e rastit gati dy vjet më parë, ka ngritur ndaj tij dy akuza, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Bëhet fjale për të njejtat akuza që ngriti ndaj tij në vitin 2009 edhe Prokuroria e Përgjithshme, por për të cilat zoti Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi në verën e atij viti rifitoi mandatin e deputetit.

Prokuroria e Posaçme e akuzon atë se ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit e duke sjellë avantazhe të padrejta për dy kompanitë private të përfshira në procesin e demontimit. Zoti Mediu i ka hedhur poshtë akuzat, dhe ka deklaruar se atij nuk i është ofruar mundësia për një proces të drejtë ligjor./VOA/

Tërmeti në Turqi/ Publikohen pamjet kur Forcat e Sigurisë së Kosovës shpëtojnë 2-vjeçarin

Kosova ishte një nga shtetet që pas tërmetit shkatërrimtar në Turqi, dërgoi ekipe të specializuara për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit, në përpjekje për të nxjerrë personat e mbetur nën rrënojat e banesave të shembura.

Pjesë e tyre ishin edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilët ditën e sotme kanë ndihmuar në shpëtimin e një vogëlushi 2-vjeçar.

Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, tregohet se forcat e FSK pas shpëtimit të vogëlushit, vijojnë operacionin për nxjerrjen e nënës së saj nga rrënojat.

“Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë, në orët e mbrëmjes kanë arritur të nxjerrin një fëmijë të moshës dy vjeçare, dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja.

Ekipet tona gjatë operacionit që janë duke realizuar kanë hasur në viktima në objektet e kolapsuara, por prioritet është duke ju dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë, dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Kujtojmë se tërmeti vdekjeprurës në Turqi dhe Siri u ka marrë jetën e më shumë se 12 mijë personave.

E RËNDË / Qëllohen me armë dhe merren peng gazetarët e ”Fiks Fare” në Nikël

Emisioni Fiks Fare solli sonte një ngjarje të rëndë që i ka ndodhur grupit të xhirimit të këtij emisioni gjatë filmimeve për gërryerjet e paligjshme në lumin Zezë në Nikël të Krujës.

Pasi është faktuar gërryerja e paligjshme e lumit dhe marrja e materialeve inerte, gazetarët si fillim janë përballur me persona me armë të cilët qëllonin drejt dronit. Pamje të tre personave të armatosur u transmetuan në emisionin investigativ “Fiks Fare”. Ata duke drejtuar armët qëndronin vetëm pak metra larg grupit të xhirimit,të pozicionuar në një vend që mezi dalloheshin.

Por jo vetëm aq, ndërkohë që gazetarët xhironin kamionët me inerte që dilnin nga lumi dhe prisnin ardhjen e policisë pas telefonatës që kishin bërë me Shefin e Komisariatit të Policisë Krujë, drejtë gazetarëve shkuan dy personat e parë të cilët urdhëruan gazetarët të ikin nga aty, sepse lumi është i tyre. Është në pronë të tyre.

Pas tyre drejt gazetarëve vjen një person i maskuar, i cili tenton të marrë kamerën me xhirimet e bëra. Godet pjesëtar të grupit të xhirimit dhe i kërcënon ata me jetë. Kjo skenë ka zgjatur më shumë se 30 minuta, derisa në fund gazetarët arrijnë të largohen nga vendngjarja.

Dhe vetëm pasi janë larguar nga zona, kanë hasur patrullën e policisë, e cila është takuar me grupin e xhirimit 50 minuta nga telefonata, shumë larg vendit të ngjarjes.

Me një kërkesë të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës pas largimit nga vendi i ngjarjes, janë vënë në dispozicion të gjitha materialet bruto të xhiruara në terren./TCH

“Nuk e kam problem edhe me gra të martuara”/ Habit Bledi Mane: Dua ta puth dhe Oltën…

Gazetari Bledi Mane u fut mbrëmjen e djeshme në prime-in e Big Brother brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.

Që në nisje nuk kishin si të mungonin batutat dhe deklaratat e tij, herë herë të bujshme.

Kur u pyet nga banorët se kush nga vajzat i pëlqente që do dëshironte ta puthte meqë shumë prej tyre janë single, Bledi tha se nuk e kishte problem edhe të puthte gra të martuara.

Sot në mëngjes në një bisedë me Kristin dhe Oltën, Bledi i rrëfeu që kishte puthur dietologen.

“Unë as 24 orë nuk kam dhe ngela duke bërë biseda e debate, unë shkova putha atë dietologen. Mu duk se e pëlqeu.

Unë për atë punë dua të puth dhe Oltën po ka ca barriera, jo nga frika e partnerit, por duke menduar që është staturë tjetër,” tha Bledi Mane.

Mes “Për’Puthen” dhe “Big Brother VIP”, Efi Dhedhes zgjedh…

Sot e ftuar në emisionin “Pardon My French” ka qenë një nga nga ish-banoret e shtëpisë së “Big Brother VIP”, Efi Dhedhes. Në fillim ajo hyri si një konkurrente e vetme së bashku me Mikelën, por më pas rrjedha e ngjarjeve ndryshoi krejtësisht dhe ajo u kthye në një prej konkurrenteve më të dashura nga i gjithë publiku. Si ishte për Efin kjo eksperiencë?

Ishte një gjë shumë e bukur, shumë e vështirë, shumë stres, çdo emocion ishte aty brenda.

Nga ndryshon “Big Brother VIP” nga “Për’Puthen”?

Aty ti je 24 orë dhe normal nuk mundesh që të dish komentet e publikut, siç ndodhte në “Për’Puthen” ku ti mund të dilje të shikoje ku qëndron problemi, ta rregulloje ose edhe mos ta rregulloje në rastin tim. Në “Big Brother” çdo gjë është e dukshme, çdo fjalë që ne themi kurse në “Për’Puthen” ekzistonin disa raste të cilat gjëra të tjera thuheshin në prapaskenë dhe të tjera gjëra thuheshin aty dhe prandaj reagimin tim po ta vini në peshore me atë të ‘Big’-ut është po i njëjti. Njerëzit nuk e dinin se çfarë më ndodhte mua në prapaskenë kurse tani tek “BBV” e dinin se çfarë ndodhte dhe e kuptojnë reagimin tim se pse unë jam kështu siç jam.

A mendon Efi se bëri mirë që vendosi të hynte në “BBV2”?

Normal që bëra shumë mirë, jam shumë e lumtur që arritën njerëzit të më kuptonin se si unë jam, në të mirat dhe të këqijat e mija sepse normal që unë nuk prisja që të futesha dhe të tregoja perfeksionin tim sepse e kam thënë që nuk është askush perfekt. Doja të shikonin të gjithë dhe ato që unë nuk i kam të bukura siç mund të jetë pak toni im i lartë i zërit por në fund duhet të themi se jemi ballkanas. Po të bërtiste një tip si Dea, ideja është që nuk ia vë re njeri sepse është si natyrë më e qetë kur e sheh kurse unë dalloj direkt.

Shkatërruan gjithçka! Tërmetet më të fuqishëm në historinë e njerëzimit

Përmasat e tërmetit shkatërrues të 6 shkurti ne Turqi, na kthejnë pas në kohë, kur të paktën 8 tërmete në kohë të ndryshme, kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit.

Tërmeti më i gjatë në kohë që në kohën kur shkenca arriti të masë intensitetin e tyre, ka ndodhur në ishullin indonezian Sumatra në vitin 2004, ku lëkundjet zgjatën plot 10 minuta. Me një magnitudë mes 9.1-9.6 ballë, tërmeti preku edhe 4 vende të tjerë dhe humbën jetën rreth 230 mijë njerëz. Mbi 1 milion të tjerë mbetën të pastrehë.

Vetëm në Turqi, rezulton se në 122 vitet e fundit janë regjistruar mbi 200 tërmete të fuqishme, nga shkalla 6.6 Rihter në 7.9 që ishte i fundit.

Rënditja e tyre merr parasysh vetëm tërmetet që janë të matura shkencërisht pasi edhe në periudha të ndryshme të historisë njerëzimi është përballur me fatkeqësi edhe më të rënda natyrore por pa mundur të maten.

1 – “Tërmeti i Madh i Kilit” është tërmeti më i madh i të gjitha kohërave i matur në shkallën Rihter. Tsunami, i cili arriti një lartësi prej 10 metrash si rezultat i tërmetit, u përhap në një sipërfaqe prej 10 mijë kilometrash dhe arriti në Japoni dhe Filipine. Më shumë se 2,000 njerëz humbën jetën.

2. Tërmeti me madhësi 9.2 që ndodhi në Alaskë në 1964 u regjistrua si tërmeti i dytë më i rëndë i matur. Ai zgjati 3 minuta, krijoi valë gjigante tsunami me lartësi deri në 10 metra.

3. Japonia, një nga vendet me më shumë tërmete në botë, u përball me tërmetin më të madh në historinë e saj, në vitin 2011. Valët e forta të tsunamit të shkaktuara nga tërmeti që ndodhi në rajonin Tohoku të Japonisë u ngritën deri në 40.5 metra dhe ishin efektive në një zonë prej 10 kilometrash nga bregu në pjesën e brendshme.

4. Tërmeti që ndodhi në ishullin indonezian Sumatra në 2004 zgjati rreth 10 minuta dhe është tërmeti më i gjatë i regjistruar në botë. Tërmeti bëri që toka të dridhet deri në 1 cm dhe shkaktoi tërmete të tjerë deri në Alaskë dhe preku 4 vende. Nga kjo fatkeqësi natyrore humbën jetën rreth 230 mijë njerëz ndërsa 1 milion të tjerë mbetën të pastrehë. Kjo konsiderohet si një nga katastrofat natyrore më tragjike në histori.

5. Madhësia e tërmetit që ndodhi në vitin 1952 në lindje të Rusisë ishte i madhësisë 9 ballë të shkallës rihter. Rajoni i Kamchatka, ku ndodhi tërmeti, ndodhet në skajin verior të “Unazës së Zjarrit të Paqësorit”, ku pllakat e tërmetit janë të vendosura midis Australisë, Azisë dhe Amerikës dhe ku aktivitet sizmike të lartë.

6. Kili përjetoi një tërmet tjetër me madhësi 8.8 ballë, që zgjati 1.5 minuta, në 2010. Tërmeti i mori jetën më shumë se 700 njerëzve.

7. Ishulli Sumatra, në Indonezinë veriore, u godit nga një tërmet tjetër me madhësi 8.6 ballë në 2005, një vit pas tërmetit të madh në 2004. Tërmeti, i shoqëruar edhe me një cunami gjigant, la pas më shumë se 1300 viktima.

8. Tërmeti me madhësi 8.8 që preku Ekuadorin dhe Kolumbinë në 1906 vrau më shumë se një mijë njerëz.

Në gjykim për Gërdecin, reagon Fatmir Mediu: Akuzat janë të paligjshme

Ka ardhur reagimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, pasi SPAK-u dorëzoi kërkesën për gjykim të tij, lidhur me çështjen Gërdeci.

Sipas tij, rihapja e kësaj çështjeje dhe hetimet nga SPAK-u janë në kundërshtim me ligjin, pasi prokuroria ka pranuar se ngjarja nuk ka ardhur nga urdhërat e ministrit të Mbrojtjes. Ndërsa i cilëson hetimet tendencioze, ai shkruan se nuk ka asnjë provë që tregon implikimin e tij në këtë çështje.

Më tej, Mediu rikthekson sërish se rishqyrtimi i çështjes bëhet “mbi të njëjtën akuzë tashmë edhe të parashkruar, të ringjallur dhe të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK”, duke e cilësuar këtë të fundit si të ndikuar politikisht.

Lexoni më poshtë reagimin e Mediut:

Dërgimi për gjykim në GJKKO i çështjes penale në ngarkimin tim, është formalizimi i gjithë veprimeve në kundërshtim me ligjin të kryer nga SPAK në kuadër të hetimeve të rihapura në lidhje me ngjarjen tragjike të Gërdecit.

Rihapja e kësaj çështjeje dhe mandej vazhdimi i të ashtuquajturave hetime të kryera nga ana e SPAK, janë akte tërësisht në kundërshtim me ligjin procedural penal si dhe me faktet e provat.

Ngjarja tragjike e Gërdecit, ashtu sikurse edhe vetë organi i prokurorisë ka pranuar, nuk ka si shkak urdhërat e Ministrit të Mbrojtjes. Këto urdhëra kanë dalë në bazë dhe për zbatim të ligjit dhe akteve të Këshillit të Ministrave.

Detyrimi për kryerjen e demontimit ka buruar nga këto akte dhe nga angazhimet ligjore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe BE.

Demontimi i municioneve të tepërta ka qënë një proçes i cili ishte zhvilluar si përpara ngjarjes së Gërdecit, ashtu edhe më pas mbi të njëjtin kuadër ligjor dhe nënligjor.

Ngarkimi me përgjegjësi penale i ministrit për çështje që qartësisht janë jashtë kompetencës dhe dijes së tij edhe si ministër, është në kundërshtim të plotë me ligjin.

Prokuroria dje, por edhe SPAK sot, kanë zhvilluar hetime për mua dhe familjarët e mi, për të treguar/vërtetuar implikimin tim në interesa të paligjëshme në proçesin e demontimit të municioneve në Gërdec. Edhe pse këto hetime kanë qënë tërësisht tendencioze dje edhe sot, ato kanë provuar katërcipërisht se nuk ka asnjë përfshirje timen në një veprimtari korruptive në këtë proces. Fakt i cili dhe vetëm ai, mundet të më ngarkonte me përgjegjësi penale mua si ministër.

Kjo çështje e gjykuar dhe rigjykuar në të tre shkallët e gjyqësorit, ndërtohet mbi të njëjtën akuzë tashmë edhe të parashkruar, të ringjallur dhe të stisur politikisht, me qëllim parësor hedhjen në tregun mediatik dhe propagandimin institucional të SPAK.

Marrdhënia me median që në fillesë të rastit, përfaqësimi i të ashtuquajturës akuzë nga tre prokurorët kryesorë të SPAK, si dhe shmangia e mosarsyetimi i problemeve ligjore të ngrituara në aktet tona të transmetuara në SPAK, përbëjnë provë që aksioni penal kundër meje nuk është një qëndrim i pavarur e profesional i një prokurori, por është pozicionim politik i një institucioni të tërë.

Kam zgjedhur t’i shmangem debatit mediatik për këtë çështje, sepse kam menduar që gjyqet popullore apo demaskimet e “frontit” si armik i klasës i përkasin kohës së diktaturës dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtat themelore të shtetasit dhe me një gjyqësor demokratik.

Në çdo rast mbetem i vetëdijshëm se vendi ku shqyrtohen dhe provohen akuzat nuk është parësisht media, por gjykata, me bindjen e palëkundur se akuzat janë të paligjshme dhe do të rrezohen në një proces të drejtë, objektiv dhe të ndershëm.

Fatmir Mediu akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”, si edhe për “Shpërdorim detyre në bashkëpunim me subjektet ushtarake-kuadër komanduese”.

Vëllai u ndërroi jetë nga Covid-i, familjarët rrahin mjekët në QSUT dhe thyejnë dyert e spitalit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme brenda ambienteve të repartit të Infektivit në QSUT. Dy persona kanë goditur për shkak të detyrës një mjeke në QSUT.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit.

Policia arrestoi shtetasit Igli Spahija, 41 vjeç dhe Bledar Bali, 54 vjeç. Po ashtu nën hetim për ngjarjen janë vënë edhe 3 persona të tjerë.

Zoom.al ka mësuar se personat që janë përfshirë në konflikt kanë pasur të shtruar të vëllanë në repartin e Infektivit, i prekur me Covid-19, ndërsa mësohet se personi vuante edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese. Gjatë orëve të mbrëmjes ka pësuar atak kardiak dhe si pasojë ka humbur jetën.

Kjo ngjarje ka bërë që të arrestuarit fillimisht të konfliktohen me rojën e spitalit.

Më pas kanë hyrë brenda godinës, kanë thyer çfarë u ka dalë përpara dhe janë zënë me stafin e spitalit, teksa kanë goditur e qëlluar mjeken që ka pasur nën kujdes të afërmin e tyre.

Ndërkohë, ata po ashtu kanë hedhur akuza të forta në drejtim të mjekëve, duke thënë se personeli nuk ka përdorur mjekimet e duhura për të trajtuar viktimën.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë, duke e cilësuar si të patolerueshme ngjarjen e ndodhur.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj ekipit të mjekëve dhe infermierëve në Spitalin Infektiv, të cilët kanë qenë në krye të detyrës, duke reanimuar një pacient në gjendje të rëndë, teksa janë goditur dhe dhunuar nga familjarët e pacientit.MSHMS e konsideron të patolerueshëm çdo akt dhune ndaj personelit shëndetësor dhe inkurajon organet e drejtësisë të çojnë deri në fund zbardhjen e kësaj ngjarjeje, duke çuar para drejtësisë autorin/autorët që kanë ushtruar dhunë ndaj mjekëve dhe infermierëve në detyrë.Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron qytetarët se shërbimi mjekësor është garantuar dhe do të vijojë të garantohet për çdo qytetar nga personeli shëndetësor i kualifikuar. MSHMS mbështet stafin mjekësor që shërben çdo ditë me përkushtim e profesionalizëm për pacientët dhe dekurajon çdokënd që nxit gjuhën e urrejtjes ndaj mjekëve dhe infermierëve./Zoom.al/