zoom

Day ArchiveDenoncimi i aerobistes në RTSH: Më kanë ngacmuar shokët e burrit dhe drejtues të institucioneve

Ish-balerina e njohur shqiptare dhe aerobistja, Linda Kalemi, e cila për vite me radhë na zgjonte me emisionin e saj me ushtrime në RTSH, i ka befasuar të gjithë me deklaratën e fundit.

Në një lidhje me Skype për “ABC”, ajo ka treguar se shokët e bashkëshortit dhe shumë drejtues të institucioneve të ndryshme, e kanë prekur, tërhequr deri në sforcime.

Linda ka thënë se do t’i nxjerr në një të ardhme inicialet për të luftuar fenomenin, me të cilin hasen shumë gra.

“Më kanë prekur, më kanë tërhequr, deri në sforcime. Jo vetëm nga drejtuesit, por edhe nga shokët më të afërt të bashkëshortit tim. Se unë ish-in bashkëshort e quaj, pasi është babai i fëmijëve të mi dhe njëriu më i rëndësishëm.

Edhe sot, unë kam thënë në mediat sociale që do t’i nxjerr në të ardhmen me inciale, sepse dua t’i botojë këto në atë mënyrën time.

Këto janë fenomene shoqërore dhe unë dua t’i luftojë këto. Edhe unë në fund të jetës jam, kështu që pse mos të shprehem.

Unë jam viktimë e një drejtuesi të një institucioni, gjë që doli në gjyqin e parë dhe kjo gjë u bë spontane.

Vetë vjehrri u detyrua nga gjykata dhe tha po. ‘Mua informacionin negativ ma dha drejtori i Teatrit dhe Operas së Baletit’ dhe tha emrin.

Kjo deklaratë është thënë në gjyq, mua nuk më pëlqejnë thashethemet, janë gjëra reale që duhet të ballafaqohen”, u shpreh ajo ndër të tjera.

Ajo është divorcuar tre herë nga bashkëshorti dhe sot ruan një marrëdhënie shumë të mirë.

Linda ka treguar se në fillim ka qenë ish-vjehrri që e ndau pasi bëri një kërkesë në gjykatë, ndërkohë që ajo dhe burri nuk donin. Ata vazhdonin të takoheshin me njëri-tjetrin.

“Vjehrri kishte shumë autoritet dhe një profesion të mirë, kishte një status, një autoritet, por nuk donte që nusja e tij të vinte netëve dhe të rrinte jashtë. Edhe shkoi pas 4 vitesh martesë në gjykatë të kërkojë për të ndarë djalin”, tha ajo.

Ky është efekti i panjohur i kafesë

Shumë herë, një filxhan kafe duket ideale për të na dhënë energji, veçanërisht kur nuk kemi fjetur mjaftueshëm. Por përveç kësaj vetie, pra që na mbush me energji, kafeja ka edhe një përfitim tjetër befasues: Sipas kanë treguar hulumtimet e reja shkencore, kafeina mund të lehtësojë dhimbjen.

Studimi tregoi se si kafeina ashtu edhe modafinil nxisin dopaminën në tru, e cila luan një rol të rëndësishëm në lehtësimin e dhimbjeve. Studiuesit arrijnë në përfundimin se gjumi adekuat i kombinuar me stimulues të tillë si kafeina mund të sigurojë lehtësim të konsiderueshëm nga dhimbjet kronike.

Megjithatë, nevojiten kërkime të mëtejshme te njerëzit për të përcaktuar se sa kohë nevojitet gjumë dhe nëse kafeina mund të ndihmojë me dhimbjen.

A e dini arsyen pse iPhone-ët nuk kanë radio?

Pothuajse të gjithë Android-ët mund të kenë një radio, por Apple e la jashtë iPhone-ve, edhe pse mund ta prezantonte me një lëvizje të thjeshtë, pasi përpara iPhone 7, furnizonte çipa Wi-Fi dhe Bluetooth nga Broadcomm, në të cilin radio është ndërtuar çipi.

Arsyeja qëndron në mënyrën se si Apple zgjedh veçoritë e telefonave. Apple nuk pyet nëse mund të bëhet diçka, por pse duhet bërë. Pra, ai vlerësoi se përvoja e radios nuk i plotësonte standardet e saj. Disponueshmëria e stacioneve radio varet nga vendndodhja e përdoruesit dhe Apple nuk ka kontroll mbi cilësinë e marrjes së sinjalit. Për më tepër, shumica e stacioneve radio transmetojnë audio 128 kb/s, ndërsa Apple Music ofron 256 kb/s.

Le të mos harrojmë gjithashtu se stacionet radiofonike kanë reklama të gjata, të cilat Apple nuk mund të marrë pjesë.

Kështu, vendimi i Apple për të mos përfshirë radion në iPhone ka vazhduar edhe pas iPhone 7 deri më sot.

Britania e Madhe: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

Kosova duhet të lejohet të ecë përpara me anëtarësimin në Këshillin e Evropës, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell, në seancën e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate ndërkombëtare. Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit, me seli në Strasburg të Francës.

Në një debat të mbajtur me iniciativën e Britanisë së Madhe në selinë e Këshillit të Evropës, Howell kërkoi që çështja e anëtarësimit të Kosovës të ndahet nga progresi në dialogun e Kosovës me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE). “Kosova nuk duhet të mbahet peng në raport me progresin në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Duhet të tregojmë se Këshilli i Evropës është i ndarë nga Bashkimi Evropian dhe se ka vlerat dhe parimet e veta mbi bazën e të cilave sillen vendimet”, tha Howell në fjalën e tij.

Gjatë seancës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia mbështetën anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa Serbia u bëri thirrje anëtarëve që ta refuzojnë kërkesën e Kosovës. Kosova e ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj të vitit 2022. Serbia e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në institucione dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe në mënyrë aktive është duke bërë fushatë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Në këtë fushatë, Serbia ka aleate Rusinë, e cila u përjashtua nga Këshilli i Evropës në mars të vitit 2022, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pa Rusinë, dy të tretat e shteteve anëtare të asaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Nëse merret parasysh se vendimet sillen me shumicën e votave të shteteve anëtare, mundësia që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës është reale. Gjatë debatit, anëtarët e Asamblesë së Këshillit të Evropës shprehën shqetësimin për tensionet në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe rolin e Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin në këtë situatë. “Nëse është kështu, ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe të ndërmarrim hapa konkretë”, tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell.

Sulm me shpatë Samurai në një kishë në Spanjë, një i vrarë dhe një i plagosur

Të paktën një person u vra dhe katër u plagosën kur një burrë që përdorte një armë me tehe sulmoi një kishë në Spanjën jugore të mërkurën.

Policia tha se i dyshuari është arrestuar. Zyrtarët e gjykatës thanë se Gjykata e Lartë e Spanjës po hetonte therjen me thikë si një sulm “terrorist”.

“Pak para orës 20:00, një person nisi një sulm me një armë me tehe, duke vrarë një person dhe duke plagosur të tjerë në kishën San Lorenzo në Algeciras”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme.

Ministria tha se një person ishte në gjendje të rëndë pasi u sulmua brenda kishës dhe tregoi se viktima u vra jashtë kishës.

Sipas raportimeve të mediave, një prift u plagos rëndë dhe një ndihmës, i njohur si sakristan, u vra.

Disa media lokale e përshkruan armën si një hanxhar ose shpatë samurai.

“Je i pakontrollueshëm”/ Luizi-Kiarës: Më nomino dhe je rehat (VIDEO)

Gjatë ditës së sotme, Kiara Tito dhe Luiz Ejlli janë kujdesur për bebin që ndodhet në dhomën e izolimit. Kjo është prova e javës për banorët e “Big Brother”.

Gjatë kësaj kohe, ata të dy janë sqaruar me njëri-tjetrin për gjërat që ndodhen gjatë prime-t të mbrëmshëm, u kujdesën për bebi ‘Arbanën’ si dhe kaluan disa momente mjaft intime me njëri-tjetrin.

Ky afrimitet ka vazhduar edhe pasi kanë dalë nga ajo dhomë. Por në një moment kur moderatorja ndodhej e shtrirë në krevat dhe pranë kishte këngëtarin, i tha që ta linte dy minuta.

Pjesë nga biseda:

Kiara: Nuk kupton kur të them

Luizi: Kur thua ça?

Kiara: Më lër dy minuta

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Big Brother Alb VIP Edition (@bigbrotheralb_vip)

Luizi: Ku?

Kiara: Ik ore se do vi tani, më lër të qetë

Luizi: Jo, do rri këtu me ty. Po shtrihem këtu me ty

Kiara: Jooo

‘‘U lirua për 500 mijë dollarë’‘/ Flet avokati i McGonigal: Po kalon një ditë shqetësuese!

Ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, i cili është i akuzuar për ndihmën e një oligarku rus për t’iu shmangur sanksioneve amerikane është liruar me kusht. Charles McGonigal, 54 vjeç, u lirua nga gjykata federale e Manhatanit pasi pagoi një garanci prej 500,000 dollarësh, pas arrestimit të tij të shtunën për akuzat e paraqitura.

Një nga aktakuzat, e ngritur në Manhattan, akuzon McGonigal për shkelje të ligjeve të sanksioneve të SHBA-së duke punuar për Oleg Deripaska, një mik miliarder i Vladimir Putin, pas tërheqjes së tij në 2018 nga FBI.

Akuzat e tjera, të ngritura në Uashington, pretendojnë se McGonigal ka marrë 225,000 dollarë ryshfet në para nga një ish-agjent i paidentifikuar i inteligjencës shqiptare (Agron Neza), ndërsa drejtonte degën e kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në Nju Jork.

McGonigal, i cili doli në pension në vitin 2018, luajti një rol në hetimet e ndjeshme dhe të profilit të lartë, duke përfshirë hetimin e Robert Mueller mbi lidhjet e supozuara të Rusisë me fushatën presidenciale të Donald Trump në 2016.

Ndërsa largohej nga gjykata, avokati i McGonigal, Seth DuCharme, u tha gazetarëve se klienti i tij “ka pasur një karrierë të gjatë dhe të shquar me FBI-në”.

“Kjo është padyshim një ditë shqetësuese për zotin McGonigal dhe familjen e tij, por ne do t’i shqyrtojmë provat, do t’i shqyrtojmë nga afër dhe kemi shumë besim te z. McGonigal,” tha DuCharme.

Vetëm dy ditë më parë u publikua dosja e plotë dhe aktakuza me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës.

“Shit viagra”, si e kërcënuan dhe zhvatën farmacistin inspektorët

Në redaksinë e emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan ka denoncuar një farmacist i ri i cili tregon se në 27 dhjetor, një ditë pasi hapi në mënyrë të rregullt farmacinë e tij, u përball me një kontroll të stisur nga dy inspektorë të Agjencisë së Barnave. Ata inskenuan disa shkelje dhe i thane se do të gjobitej me 4 milionë Lekë të vjetra. Nëse nuk donte të paguante kaq para, mund të mjaftoheshin duke u dhënë atyre nën dorë 1 milionë Lekë.

Denoncuesi: Më 27 Dhjetor 2022, inspektimi që i bënë farmacisë time dukej kokë e kohë që ishte i organizuar, dirigjohej me telefon nga dikush tjetër në zyrë që i kërkonte të bënte këtë e atë. Një inspektor dhe grupi i inspektimit duhet të jetë i pavarur dhe autonom, erdhi me një vrull, me një lloj arrogance të paparë, më kthen përmbys të gjithë farmacinë duke u munduar që të kapen kleçka. Ato kaluan direkt në gjoba super të mëdha, praktikisht 400 mijë Lekë të reja. Dukej se ishte tendenca e tipit “mund të mos rrënohesh me 400 mijë Lekë të reja, por mund të paguash një gjobë tek ne. Mua 400 mijë Lekë të reja më kushton i gjithë biznesi.

Gazetari: Atëherë, sa duhej të paguaje?

Denoncuesi: 100 mijë Lekë të reja se tha janë për mua, për kolegun dhe për atë që kam sipër.

Gazetari: Me personin që fliste në telefon?

Denoncuesi: Po, një person që e udhëzonte gjatë gjithë kohës, merri këtë, bëji atë. Ishte gjithçka një krim. Mendova që të paktën personalisht që ka ardhur momenti t’i dal për zot punës, mundit dhe djersës time. Vijnë dhe godasin punën e ndershme të disa farmacistëve të rinj që kanë hequr dynjanë për të mbërritur në një farmaci të vogël fare.

Luan Cici njëri nga inspektorët tregon mënyrën, sesi piketohen farmacitë dhe si “vilet” ryshfeti. Ai thotë se sado i rregullt të jesh mund të gjenden kleçka për t’u gjobitur nëse nuk paguan.

Inspektori Luan Cici: Është plan mujor. Në plan mujor ne dalim çdo muaj, në Tiranë, në rrethe. Ne jemi në gjithë Shqipërinë, o vëlla. Ti s’ke pas ndonjë herë kontroll, prandaj s’e ke idenë, si funksionon si duket?!

Farmacisti: Jo, s’kam pas.

Inspektori Luan Cici: S’ke pas asnjëherë, prandaj s’e di si funksionon. Farmacia është objekt kontrolli dy herë në vit për Agjencinë, se unë jam njerëzor në radhë të parë, s’jam si të gjithë aty. Aty të tjerët për shembull, vijnë të hapin recetat, të bëjnë inventar, se s’ta bëra, se s’desha ta bëja atë ditë me të rënduar edhe më shumë. Marr 4 lloj barnash dhe të them faturën hyrëse.

Farmacisti: Që domethënë me pak fjalë, domethënë me tu vu..

Inspektori Luan Cici: Me tu vu, e merr gjobën shoku.

Farmacisti: Të jesh më e mira farmaci, nuk bën vaki.

Inspektori Luan Cici: Për dy vjet e sigurt, që e merr. Për 6 muaj ndoshta jo.

Farmacisti: Tani, juve e patë vetë, unë i ri, farmaci e re, po jo direkt me goditje.

Inspektori Luan Cici: Po pra farmaci e re. Po ne na thonë për dy vjet, kaq i rregullt paska qenë ky?! Ia kontrolluat mirë të gjitha recetat, të gjitha faturat hyrëse? Paska shit të gjitha barnat me recetë ky? Minimalisht do ta vesh gjobën 1 milion thonë. Kupton?

Farmacisti: Do e vendosësh me se s’bën!

Inspektori Luan Cici: Dhe ne e gjejmë në këtë formë, gjuhën, aty të zyra, është çun i mirë, na ka vlerësu. Urdhëro! Kaq!

Farmacisti: Dy mundësi!

Inspektori Luan Cici: Kaq pra! Ose do ia vëmë, ose do e mbyllim këtu! Kupton?

Pak ditë më pas, në 8 Janar 2023, Luan Cici dhe Armando Luka shkojnë sërish në farmacinë e denoncuesit, ku në një kthinë marrin këstin e parë të ryshfetit prej 300 mijë Lekësh të vjetra.

Farmacisti: Çfarë bëre ti?

Inspektori Luan Cici: Hiç mo burrë, mirë…

Farmacisti: Çfarë bëhet ndonjë gjë? Tani atë muhabetin tonë…mbaroi?

Inspektori Luan Cici: Të erdhën letrat? S’kanë ardhur letrat. Do të vijnë me postë. Ja ta tregoj unë, se e ke merak ndoshta ti. Mbaroi që atë ditë ajo, mbaroi që atë ditë, ta tregova vëlla atë ditë. Harrove? Prit, prit, se ta hap unë! Do të vijnë letrat me postë. Procedurën ne e mbyllim në moment, nuk e bëjmë dot më mbrapa. Kupton? Vendim përfundimtar, vendim administrativ, nuk ka! Nuk ka, nuk ka. T’i tregova atë ditë unë këto.

Farmacisti: Unë do të jap njëherë 300 tani, 300 pas 4-5 ditësh, se pastaj zgjatemi në kohë! Mos takohemi 100 herë dhe pastaj një këst sa të paguaj qiranë, kam të tjera gjëra! Këto gjërat e tjera i di ti tani! Mos rri të merrem unë, jo ti, jo ti.

Inspektori Luan Cici: Mirë, mirë mos e çaj kokën, se e dimë vetë këtë punë. Ne kemi thënë mos kemi probleme nga puna për veten tonë. Thjesht kur t’i bësh, merr në telefon “hajde pimë një kafe”!

Farmacisti: 200, 1,2,3,4,5 pa numëroji njëherë! 300! Numëroji!

Inspektori Luan Cici: Po s’ka problem ai muhabet, po hajt ore burrë jemi patriota!

Farmacisti: Patriota jemi, po për patriota s’duhet të ma kishe bërë këtë gjë!

Inspektori Luan Cici: Kë këtë gjë? Të iki nga puna unë?

Farmacisti: Po duhet ta kishe mbyllur dhe ku që për Vit të Ri, o burrë?

Inspektori Luan Cici: Po s’ka lidhje për vit të ri, është plan mujor. Rastisi në Dhjetor.

Farmacisti: Po pse të iki nga puna unë?

Inspektori Luan Cici: Na kërkojnë llogari, mo vëlla!

Farmacisti: Flasim edhe për pjesën tjetër, pjesa pak a shumë një javë, se është dhe qiraja.

Inspektori Luan Cici: S’ka gjë!

Farmacisti: Pastaj likuidohemi total!

Inspektori Luan Cici: Jo mo, kur t’i kesh, më merr në telefon! Mirë?

Farmacisti: Mos të flas më me Armandon?

Inspketori Luan Cici: Jo mo njësoj, ishim bashkë, s’kemi mbaruar akoma.

Farmacisti: Po pse ikën ai ashtu, çfarë halli ka?

Inspektori Luan Cici: Po ku e di unë çfarë pati! Ku di gjo, unë! Është pak tip kështu, si skuth, ka frikë. A kupton?

Farmacisti: Po, po e kuptoj! Normal!

Inspektori Luan Cici: Kurse ne dolëm patriotë!

5 ditë më pas, Armando Luka merr tek farmacisti këstin e dytë prej 300 mijë Lekësh të tjera.

Inspektori Armando Luka: Çfarë bërë? Si je? Si ke qenë? Jo mo, ja është një kolegu i joni. A u lodhe? Ke bërë lëvizje?

Farmacisti: Hajde nga një çikë! Pse nuk erdhi ai? I do kështu të trasha?

Inspektori Armando Luka: Hajde, mo burrë, çfarë janë këto muhabete?!

Farmacisti: 1,2,3,4,5,6 copë në rregull! Çfarë desha unë të pyesja një gjë, tani edhe 300 këtu tani. Ta mbyllim këtu?

Inspektori Armando Luka: Po, po i them unë atij se s’e di, çfarë ka folur se do i them atij mos e vrit mendjen!

Farmacisti: 300 i mori para ai (Luani) tani edhe 300, se çfarë më ngatërroi ai shefi, tani, se mos..?!

Ndërsa Luan Cici shpjegon sesi funksionon rrjeti i gjobaxhinjve të farmacive, në mënyrë që të shmanget hyrja e Krimit Ekonomik.

Inspektori Luan Cici: Në qoftë se unë do marr vesh diçka, kur të vijë koha pas një viti, a sa mund të jetë, unë kam atë që të bëj një takim me ty, një takim një kafe për të pirë një kafe me ty, me të thënë paraprakisht që mos të kapet njeri për 4-5 receta.

Farmacisti: Se për çdo gjë mund të kapen!

Inspektori Luan Cici: Janë tipa ore, kapen me XX. Pse e ke shit XX? A e kupton? Janë shoqëruar nga Krimi Ekonomik kur kemi qenë bashkë me ta.

Farmacisti: Ishalla nuk më kapin!

Inspektori Luan Cici: Jo, ti thjesht mundohu të mbash për përdorim vetjak o vëlla. E kam për vete se në xhep nuk ta merr njeri ty në xhep. Çfarë ke që mendon gjatë ditës, ato të pleqve “viagrat” në xhep, o vëlla!

Farmacisti: Nuk merrem fare!

Inspektori Luan Cici: Se e shet mo, sa e shet 8 mijë lekë copa, 10 mijë copa.

Farmacisti: Nuk merrem fare, s’du me ia dit fare!

Inspektori Luan Cici: 10 mijë lekë në ditë i shton fitim neto.

Farmacisti: Nuk merrem fare, s’dua të ia di fare! Më kupton? Është stres dhe mu për Vit të Ri.

Inspektori Luan Cici: Po nuk është stres! Stres është të kishe përfunduar me masë ti mo vëlla, se çohet relacioni tek Krimi Ekonomik. Siç kanë shkuar kolegë të tjerë, kanë shkuar, i është gjetur qesja. Kaq! Çfarë të bëjmë ne? Qesja kaq me kontrabandë farmacie, kaq mo kaq! Ka shku, do thuash ti s’ka qëndruar brenda, po stres a e kanë kriju stresin? Kanë paguar një 5-she në dorë aty me dal jashtë. A i ke pa lajmet ti, kur ikën këta të Depove që i arrestuan?!

Farmacisti: Po!

Inspektori Luan Cici: Po kështu pra ishte. Ia gjetën tek farmacia e vet. A e kupton? I morën, i shoqëruan, i morën edhe ndonjë lekë. Po qëndruan tre ditë ato, të premte, të shtunë, të diel, ndejtën brenda. Me X me atë të X, të gjithë këto e provuan njëherë. Pse? Se i mbajnë ashiqare. Thjesht ato janë pisa, Krimi Ekonomik janë pisa. Nuk të njohin. A e kupton?

Në fund të emisionit, gazetari Saimir Kodra ka bërë të ditur se kjo çështje është pjesë e Prokurorisë së Posaçme SPAK.

Saimir Kodra: Çështja që sapo trajtuam është pjesë e Prokurorisë së Posaçme SPAK, e cila do të kryejë të gjitha veprimet e duhura, falë bashkëpunëtorit e agjentëve tanë. Falënderoj kreun e SPAK, Altin Dumanin, prokurorin e çështjes, oficerin e Policisë Gjyqësore dhe të gjithë ata që mundësuan që këta 2 njerëz dhe jo vetëm, gjithë sistemi zinxhir të dalë para drejtësisë./tvklan.al/

”Zbërthehet” McGonigal, deklaron pafajësi mbi akuzat për marrje parash, lirohet kundrejt pagesës!

Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal u deklarua i pafajshëm sot në gjykatë, lidhur me akuzat se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve dhe zyrtarë të shteteve të tjera.

Siç vihet në dukje në akt-padi ai ka patur kontakte të shumta mes të tjerash me biznesmenë, ish-zyrtarë dhe zyrtarë shqiptarë.

Në një seancë të gjykatës së Uashingtonit që zgjati më pak se 15 minuta dhe ku i pandehuri McGonigal mori pjesë virtualisht, u ra dakord që ai të gjykohej në gjendje të lirë dhe që një seanca e ardhshme të mbahet në një moment të dytë. Seanca u përqendrua kryesisht në detajet teknike të procesit raporton VOA.

 

Të hënën, ai nuk i pranoi akuzat e tjera të ngritura ndaj tij në Nju Jork, se ka shkelur sanksionet amerikane ndaj Rusisë duke punuar për oligarkun rus Oleg Deripaska. Gjykata vendosi që ta lërë të lirë kundrejt pagesës, gjatë kohës që do të zhvillohet procesi gjyqësor.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ndryshon formatin e Ligës së Kombeve dhe Europianit

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvilloi këtë të mërkurë mbledhjen e parë për këtë vit të ri në ‘Shtëpinë e Futbollit Europian’ në Nion të Zvicrës.

Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili është anëtar i Komitetit Ekzekutiv i UEFA-s.

Në këtë mbledhje u miratuan një sërë vendimesh të rëndësishme, teksa Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s aprovoi disa formate të reja për kompeticionet e ekipeve kombëtare të meshkujve, që pritet të hyjnë në fuqi në shtator të vitit 2024.

Pas konsultave të gjata me të gjitha federatat anëtare në UEFA, u vendos që të modifikohen formatet aktuale të Ligës së Kombeve dhe kualifikueseve të Kampionatit Europian, për të dhuruar e për të ofruar një garë më të fortë dhe më emocionuese brenda datave ekzistuese, dhe në të njëjtën kohë për të forcuar burimet e federatave anëtare e për të siguruar një rikuperim më të qëndrueshëm të shkaktuar nga pandemia Covid-19.

Formati i ri i Ligës së Kombeve

Liga e Kombeve do të zgjerohet me një raund të ri eliminues që do të luhet në muajin mars, duke krijuar kështu vazhdimësinë midis fazës së grupeve që përfundon në muajin nëntor dhe finaleve të luajtura në muajin qershor.

Fituesit dhe skuadrat e vendeve të dyta në grupet e Ligës A, do të marrin pjesë në këto ndeshje play-off për të përcaktuar pjesëmarrësit në Final Four. Skuadrat e treta të grupeve të Ligës A ndaj ekipeve të dyta në grupet e Ligës B, si dhe skuadrat e treta të Ligës B dhe vendet e dyta të Ligës C, do të luajë gjithashtu ndeshje play-off për ngjitjen dhe rënien. Zgjerimi i Ligës së Kombeve të UEFA-s, me ndeshjet e luajtura në muajin mars do të ketë të bëjë vetëm me një numër të përzgjedhur skuadrash dhe ekipet e mbetura do të jenë të disponueshme për të filluar kualifikueset europiane.

Formati i ri i kualifikueseve për Kampionatin Europian dhe Kampionatin Botëror

Formati i ri i kualifikueseve për Kampionatin Europian apo për Kampionatin Botëror do të jetë më i konsoliduar, me 12 grupe tashmë me katër dhe pesë skuadra, për të rigjallëruar më shumë këtë kompeticion dhe duke dhuruar më shumë garë në të gjitha nivelet.

Në grupet me pesë skuadra, fushata e eliminatoreve do të nisin në muajin mars, ose në muajin qershor nëse ato janë ende duke garuar në çerekfinalet e Ligës së Kombeve të UEFA-s ose janë të përfshirë në ndeshjet e promovimit në një ligë më lart, ose rënies në një ligë më poshtë. Ndërkaq, në grupet me 4 skuadra, fushata e eliminatoreve do të nisë në muajin shtator.

Fituesit e grupeve do të kualifikohen drejtpërdrejt në finalet e Kampionatit Europian ose atij Botëror, ndërsa skuadrat e vendit të dytë ose do të kualifikohen në mënyrë direkte ose do të marrin pjesë në ndeshjet e play-off-it (së bashku me ekipet e UEFA Nations League për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian). Ndërkaq, nuk është propozuar asnjë ndryshim për finalet e Kampionatit Europian, ku do të vijojnë të marrin pjesë 24 ekipe. Ky format i ri i aprovuar ditën e sotme do të hyjë në fuqi pas EURO 2024.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori edhe disa vendime të tjera shumë të rëndësishme. Finalja e Superkupës do të transferohet nga Kazani në Athinë, më 16 gusht 2023 dhe do të luhet në stadiumin “Georgios Karaiskakis” të kryeqytetit grek. Gjithashtu, Sllovakia do të presë finalet e Kampionatit Europian 2025 për ekipet kombëtare të grupmoshës U-21. U miratuan gjithashtu edhe rregulloret e Kampionatit Europian UEFA U-21 (2023-2025) dhe rregulloret e Kampionatit Europian për femra (2023-2025). Pas pandemisë Covid-19, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur të ndërpresë aplikimin e ‘UEFA Return to Play Protocol’, që u miratua në vitin 2020 si masë e rëndësishme për parandalimin e shpërndarjes së virusit.

Mbledhja e radhës së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s do të jetë më 4 prill 2023, në Lisbonë të Portugalisë, një ditë përpara Kongresit të 47-të të UEFA-S. /zoom.al/