zoom

Day ArchiveSKANDALI/ “Dy oficerë të SHISH u shitën informacione grupeve kriminale. Aktualisht punojnë në …

Gazetari Muhamet Veliu ka publikuar një skandal të bërë në vitin 2012 nga ana e oficerve të SHISH.
Sipas tij dy oficerë u kanë shitur informacione grupeve të caktuara kriminale që trafikonin lëndë narkotike në Tiranë, teksa ende sot edhe pse është zbuluar skandali vijojnë të jenë në punë në një tjetët institucion të rëndësishem.
“Në 2012 oficerë të caktuar i kanë shitur informacione grupeve kriminale që vepronin në trafikun e drogës në Tiranë. Drejtori i asaj njësie u transferuar në një vend tjetër të Shqipërisë.
Dy oficerët u shkarkuan nga SHISH dhe sot punojnë një një institucion tjetër të sigurisë së vendit.
Mollët e kalbura të SHISH tani punojnë në një isntitucion tjetër I sigurisë.”- tha gazetari Muhamet Veliu.

 

 

Shkencëtari ngre alarmin dhe bën paralajmërimin e frikshëm: Një “përbindësh” po i afrohet Tokës

Asteroidi 2022 AP7, i cili ka një diametër 1-2 km përbën një kërcënim të madh për Tokën.

A ka mundësi të godasë ky asteroid i frikshëm?

Shkencëtarët paralajmërojnë se ky “përbindësh” po drejtohet me shpejtësi drejt planetit tonë.

Scott Sheppard i Institutit Carnegie për Shkencën dhe ekipi i tij i kolegëve kanë vëzhguar, jo vetëm një, por 3 asteroidë, njëri prej të cilëve thuhet se është një “planet-vrasës” dhe është quajtur Asteroid 2022 AP7. Pjesa më shqetësuese është se është asteroidi më i madh potencialisht i rrezikshëm i gjetur në tetë vitet e fundit, me diametër midis 1.1-2.3 kilometra.

Ky asteroid vrasës i planetit rrotullohet rreth Diellit çdo pesë vjet. Studimi thotë se asteroidi 2022 AP7 aktualisht kalon orbitën e Tokës kur është në anën tjetër të Diellit. Ky asteroid është potencialisht i rrezikshëm për shkak të madhësisë së tij të madhe dhe ka potencialin të shkaktojë zhdukje masive në Tokë.

Ndërsa shkruante në Astronomical Journal, autori i studimit Scott Sheppard thotë se ky asteroid “nuk ka asnjë shans të godasë Tokën aktualisht”.

Studiuesi zbuloi se asteroidi do të kalojë orbitën e Tokës diku në të ardhmen. “Dhe ne nuk e dimë orbitën e 2022 AP7 me saktësi sa për të thënë shumë për rreziqet e tij shekuj pas,” shtoi ai.

Ka pasur shumë raste kur shkencëtarët nuk mund të shihnin asteroidë që vinin drejt Tokës. Kjo për shkak të pikave të verbër vëzhguese. Në thelb, vëzhgimi pranë Diellit është i vështirë pasi shkëlqimi i fortë dominon dritën e dobët të reflektuar nga këta asteroidë të vegjël, gjë që krijon një pikë të verbër.

Megjithatë, ekziston një dritare e vogël për të vëzhguar asteroidë të tillë që është pak para dhe pas perëndimit të diellit. Ka pasur raste në të kaluarën kur shkencëtarët zbuluan një asteroid vetëm disa orë para se të fluturonte shumë afër Tokës. Në mënyrë të tmerrshme, në vitin 2021, një asteroid 2021 UA1 fluturoi pranë Tokës vetëm disa mijëra kilometra larg. Për fat të mirë, për shkak të madhësisë së tij të vogël, ajo nuk përbënte asnjë rrezik për Tokën. Ndërsa, në vitin 2019, një asteroid masiv me një diametër 100 metra erdhi në vetëm 70000 kilometra larg Tokës. Pjesa shqetësuese është se ajo u gjet shumë vonë dhe u shpall publikisht vetëm disa orë para afrimit të saj nga afër.

 

Rruga prej “floriri”/ Balluku, 320 milionë euro për Lekaj-Fier e cila është e asfaltuar

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka shpallur fituesin e kontratës së radhës koncesionare për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e aksit rrugor Lekaj-Fier.

Fitues ka dalë bashkimi i shoqërive Fusha sh.p.k dhe disa kompani të tjera, ndërsa vlera e financimit do të jetë 320 milionë euro pa TVSH për 46 kilometra, duke e dërguar koston në 7 milionë euro për kilometër. Koncesioni është parashikuar për 35 vite. Aksi Lekaj Fier është tashmë i ndërtuar  dhe ka standardin A, por kërkon përshtatje me parametrat e Bashkimit Europian si një rrugë A1 me shpejtësi 120 kilometra në orë. Aktualisht ne kete rrugë udhëtohet me 90 kilometra ne ore. Për të rritur shpejtësinë me 30 kilometra më shumë, koncesionari do shpenzoje 7 milionë euro. Më pas do vendosë edhe një tra për të mbledhur pagesat për kalimin ne këtë rrugë. Ministria e Infrastrukturës ka planifikuar që një mjet që do kalojë nga Miloti deri në fier do paguajë disa herë dhe në fund shifra do shkojë deri në një mijë lekë.

Ky aks është pjesë përbërëse e autostradës Milot-Fier, të cilën qeveria ka vendosur ta ndajë në tre lote dhe ka vënë në dispozicion 837 milion euro fonde për vetëm 90 km, gati 9.3 milionë euro/km, ku 60% e rrugës është ekzistuese. Për dy lotet e tjera Milot-Thumanë dhe ai Kashar-Lekaj nuk ka ende një kompani fituese.

Ndërkohë kjo rrugë lidhet me atë të Thumanë Kashar, për të cilën qeveria ka vendosur t’i lejojë koncesionarit krijimin e të ardhurave prej 1.3 miliardë euro pa TVSH për 35 vite me vendosjen e një trau, ku makinat do paguajnë minimalisht 2.1 euro.

Vetëm me dy projektet me koncesion, Milot-Balldren dhe Milot-Fier (132 km së bashku), qeveria ka ezauruar 60% të kostos së vlerësuar të projekti për të gjithë autostradën. Të dyja segmentet e dhëna me koncesion janë të pakën 40-50% më shtrenjtë sesa studimet e fizibilitetit për llogari të donatorëve.

“Ndonjëherë, duhet te dalim nga muret e shtëpisë…”, Brikena Prifti largohet nga Tv Klan!

Një gazetare, të cilën fare lehtë mund ta merrje edhe për Miss, por që në të njëjtën masë befason vec pamjes, edhe me seriozitetin e profesionalizmin e saj.

Brikena Prifti ra menjëherë në sy si spikerja “mjaft simpatike” e njëkohësisht shumë korrekte e lajmeve në Tv Klan.

“Me ka ndjekur gjithnje, qe kur koka s’me arrinte as tek tavolina e televizorit, endrra per te qene pjese e ketij ekrani. Sot gjendem nga ana tjeter e tij e me duket se jam serish aq e vogel sa atehere, kur nisi kjo enderr. Nga sot, cdo dite ne ekranin e Televizionit Klan”, thoshte ajo kur u mësua se tashmë do të ishte pjesë e redaksisë së lajmeve të këtij televizioni.

Tani, ka një lajmërim tjetër. “Ndonjëherë duhet të dalim nga muret e shtëpisë për t`u rritur. Faleminderit familjes Klan për krijimin e një mundësie të jashtëzakonshme profesionale, e cdokujt me të cilin bashkëpunova e më mbështeti në këto vite të mrekullueshme, që më kanë dhënë shumë në cdo aspekt! Mirënjohëse gjithë jetën”, ka shkruar së fundi gazetarja, e cila pohoi kështu lajmet që qarkullojnë prej disa kohësh për largimin  saj nga ky ekran./ Revista Bordo

“S’do i besoni veshëve”/ Berisha: Do publikoj fakte për korrupsionin e ambasadorit britanik!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një intervistë live mbrëmjen e sotme komentoi sanksionet e vendosura ndaj tij nga Britania e Madhe.

Në fjalën e tij Berisha tha se do të publikojë fakte për ambasadorin britanik dhe korrupsionin e tij të çmendur.

Ndër të tjera kryetari i Partisë Demokratike u shpreh se qytetarët s’do i besojnë veshëve kur të publikojë faktet.

“Nuk dua që hapësirën informative ta okupoj me fakte të reja, por ato do dalin dhe shqiptarët do e shohin sa të drejtë kishte Sali Berisha. Lidhur po them me ambasadorin britanik.

Britania e Madhe është shtet ligjor, vërtetë është marrë një masë, por ka një kanal zyrtar ligjor që detyrohesh të apelosh para se të shkosh në gjykatën tjetër.

Dhe aty do shihni shkallën ekstreme të korrupsionit të tij, të paimagjinueshme. Vetëm korrupsioni e bën atë”, tha Berisha.

Pyetje: Shkallë korrupsioni të ambasadorit anglez në rastin tuaj?

“Të akuzosh Sali Berishën për lidhje me krimin, vetëm se unë kisha akuzuar për diçka tjetër kur ajo bandë është denoncuar nga Berisha 10 herë më shumë se të gjitha denoncime te bëra nga politikanët shqiptarë.

Merr çdo bandë, shiko denoncimet e mia. Ajo bëhet për korrupsion monetar, politik. Nuk do i besoni veshëve”, tha Berisha.

Rrëfimi i përdoruesit të hashashit: Më kapën me 1.5 gramë, duan të më dënojnë me 10 vite burg!

Një 40 vjeçar, përdorues prej shumë vitesh i hashashit, rrëfeu për Fiks Fare vuajtjet me drejtësinë, ku vetëm për 1.5 gramë kanabis, rrezikon një dënim prej 10 vitesh burg.

Ai tha se ka jetuar për vite me radhë në Itali dhe prej 7 vitesh në Shqipëri, ku punon në një Call Center në Fier. Pohon se prej 20 vitesh është konsumues i lëndës narkotike kanabis, por “jam i keqi i vetes, jo i të tjerëve”.

“E kam konsumuar rregullisht në Itali, por kurrë s’e kam shpërndarë! Nëse kam shitur qoftë edhe 1 herë të vetme, të më dënojnë” thotë ai. Në qershor të vitit 2022 e kanë kapur në Fier me 1.5 gramë hashash, pasi sapo kishte blerë “1 boçe”, ndërsa Policia dhe Prokuroria e Fierit e akuzojnë për “mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike”, akuzë e cila parashikon një dënim nga 5 deri në 10 vite burg.

Vitet dhe muajt e fundit, në Shqipëri janë organizuar disa operacione antidrogë. Janë sekuestruar qindra kilogramë kokainë, janë kapur një mori dozash heroinë. Madje, janë gjetur dhe asgjësuar hashash në qindra parcela, të shpërndara në të gjithë vendin. Personat që e konsumojnë, punëtorët, apo edhe gratë që punonin për të mirëmbajtur punishtet, janë arrestuar dhe proceduar.

Ndërkohë, pronarët e ngarkesave me kokainë, ata që sjellin heroinë, apo edhe pronarët e parcelave të hashashit nuk janë arrestuar apo proceduar. Policia dhe prokuroria është mjaftuar me arrestime të “peshqve të vegjël”, duke mbushur burgjet me këta persona.

“10 vite burg për 1.5 gramë kanabis”

40 vjeçari nga Fieri tha për Fiks Fare se ka qenë konsumues prej gati 20 vitesh i hashashit. “Kam qenë në Itali që 17 vjeç, ndërsa edhe atje e kam pirë. Prej 7 vitesh qëndroj në Fier ku dhe punoj në Call Center. Kurrë nuk e kam shpërndarë, qoftë 1 herë të vetme. Vetëm sa e kemi pirë me shokët, bashkë. Nëse kisha 1 dozë, ua jepja atyre, ata mua. Në qershor 2022, në Fier, shkoj te zona e QTU-së. Blej 1 dozë, kisha 5 mijë lekëshin e fundit. Eci pak dhe më turren 15 policë. Më bie të fikët dhe e marr veten. Më bëjnë presion ku e ke fshehur, e shet, kujt ia shet. U thashë se e konsumoj vetë, biles ia tregova vetën ku e kisha në xhep. Më kontrolluan shtëpinë, e kthyen përmbys. Nuk më gjetën asnjë gjë. Më thanë ‘kësaj herë shpëtove, s’po të bëjmë gjë’. Më lanë të lirë” thotë 40 vjeçari.

Më tej pohon se në fillim të muajit nëntor 2022, i ka shkuar polici i zonës dhe i dërgon disa letra. “Kishin bërë hetime dhe doza që kisha unë, vetëm një boçe hashash, peshonte 1.5 gramë. Më kanë ngritur akuzën e ‘mbajtjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike’, 283/1, akuzë e cila parashikon një dënim nga 5 deri në 10 vite burg. Kurrë s’e kam shitur. Asnjë gramë në jetën time. Në telefon kam folur me shokët apo më kanë shkruar e gjeta këtu e atje. Nëse e kam shitur ndonjëherë të më çojnë në burg” përfundon ai.

Përdoruesit dhe prashitësit në burg, të lirë organizatorët

Në dokumentet e prokurorisë rezulton se janë bërë hetime dhe se lënda e gjetur është vetëm 1.5 gramë. Ndërkohë, të pandehurit i janë bërë analizat nga ku ka rezultuar se ai është përdorues i lëndëve narkotike. Por, për dozën 1.5 gramë thonë se “është e madhe” dhe se trupi i tij s’e përballon dot! Për këtë arsye, prokuroria e Fierit i ka ngritur akuzën e shpërndarjes! Fiks Fare telefonon oficerin e Policisë Gjyqësore që është marrë me këtë rast. Fillimisht thotë se nuk e mban mend rastin, por kur i përmendet emri, shton se “po”.

Por, nuk pranon të japë informacione për çështjen, pasi duhet t’i drejtohemi prokurorisë dhe e mbyll telefonin. Gazetarët e Fiks Fare shkojmë në Prokurorinë e Fierit për të takuar prokurorin Andi Pogaçe, i cili është prokurori i çështjes. Bëjnë një kërkesë për informacion, ku e pyesin nëse sasia 1.5 gramë quhet përdorim apo mbajtje. Por, deri në transmetimin e kësaj kronike, prokuroria dhe prokurori Pogaçe nuk kthejnë përgjigje. Në Kodin Penal nuk përcaktohen gramët dhe kjo i lihet në “dorë të lirë” prokurorit apo gjyqtarit.

Në nenin 283, fraksion 1, krahas dënimit nga 5 deri në 10 vite burg, nuk përcaktohet me sa gramë quhet përdorim, mbajtje apo shitje. Ky nen i jep dorë të lirë prokurorit apo gjyqtarit. Me këtë kategori të pandehurish, drejtësia është treguar e pamëshirshme, duke i hetuar, gjykuar dhe dënuar. Janë mbushur burgjet plot, ndërkohë që organizatorët apo ata që mbjellin, trafikojnë apo shesin me shumicë, janë gjithmonë të lirë./ Top Channel

“Nuk vjedh profesionin e askujt!”/ Grida Duma ngatërron rolet, sillet si politikane

Ka nisur mbrëmjen e sotme në Top Channel, “Top Story” nga Grida Duma, teksa që në krye të herës ka patur një bashkëbisedim me Dritan Hilën, Berat Buzhalën dhe Arian Currin.

Ndër të tjera, në fjalën e saj autorja dhe moderatorja e programit Grida Duma është shprehur se nuk është aty për të bërë gazetari dhe nuk vjedh profesionin e askujt, ndërkohë që do të bëjë analiza dhe do të mbajë qëndrimet e saj.

“Unë nuk bëj dot gazetari unë do të bëj analiza dhe do të mbaj qëndrime. Unë nuk vjedh profesionin e askujt.”- tha Grida Duma.

Në fakt emisioni i parë i Gridës, nisi pak keq, pasi u duk sikur Grida ishte e ftuara dhe analistët kishin ardhur në studio për të pyetur atë.

Madje në disa raste ajo ngatërroi të qenurin moderator e një emisioni me të qenurin politikane, teksa disa herë iu drejtua të ftuarve “ne në PD”.

Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, mund serbin Dusan Krstin

Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, ka mundur boksierin serb, Dusan Krstin.

Seferi fitoi ndeshjen në raundin e gjashtë.

Pas disa goditjeve të njëpasnjëshme, serbi nuk mundi ta përballonte dot furinë e shqiptarit dhe u dorëzua.

Në këtë përballje, Nuri Seferi u mbështet nga mijëra shqiptarë të Zvicrës.

Ndeshja u zhvillua në Olten të Zvicrës.

 

Sulm me armë në Virxhinia/ I riu qëllon me breshëri plumbash shokët e universitetit

Tre anëtarë të ekipit të futbollit të Universitetit të Virxhinias janë qëlluar për vdekje.

Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, të cilat ndodheshin në një autobus të mbushur me studentë që ktheheshin nga ekskursioni.

Ata u sulmuan gjatë kohës që autobusi u fut në garazhin e parkimit në kampusin e universitetit.

Sipas policisë vendase personi i dyshuar 22-vjeçari Christopher Darnell Jones Jr është në paraburgim, për vrasje dhe përdorimin e armëve.

Deri më tani nuk tregohen detajet në lidhje me motivin që çoi studentin e atij universiteti në përdorimin e armëve, gjatë orëve të vona të së dielës.

Viktimat u identifikuan si Devin Chandler student i vitit të dytë, D’Sean Perry student i vitit të katërt dhe Lavel Davis student i vitit të tretë.

Universiteti konsiderohet ndër më prestigjiozët në vend dhe renditet në vendin e tretë në universitetet publike në SHBA.

“Interesa klienteliste, pas të cilave qëndrojnë zyrtarë”/ VOA: Ndërtimet pa leje, favorizim

Në Shqipëri, veprimtaria e sektorit të ndërtimit, është shoqëruar në vijimësi me kritika në lidhje me sipërfaqet e ndërtuara pa leje dhe çështje të informalitetit.

Një vendim i fundit i qeverisë që synon frenimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, është pasuar me debate të shumta. Ky vendim sipas përfaqësuesve të opozitës dhe disa ekspertëve bie ndesh me një kuadër të tërë ligjor. Njohës të fushës thonë se mjaft zyrtarë i favorizojnë shoqëritë e ndërtimit në dëm të ligjit.

Në Shqipëri sektori i ndërtimit, është ndër kryesorët në ekonominë e vendit me një ndikim rreth 9% në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Veprimtaria e tij është shoqëruar ndër vite me kritika për informalitet të lartë dhe qarkullim të kapitaleve financiare të dyshimta.

Ekspertë të fushës thonë se në këtë sektor ndërthuren interesa klienteliste, pas të cilave qëndrojnë zyrtarë që favorizojnë shoqëritë e ndërtimit në dëm të ligjit. Në fillim të shtatorit të këtij viti qeveria miratoi një vendim, që siç shprehet ajo, synon frenimin e ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi.

Vendimi bazohet në ndryshimet që ju bënë në vitin 2020, Ligjit për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit, i cili nga ana e tij, parashikon konfiskim të pjesshëm kur sipërfaqja e ndërtuar pa leje është mbi 2% të ndërtimit mbi tokë dhe konfiskim të plotë, kur kjo sipërfaqe është mbi 10%.

Ky vendim, i cili ka nxitur debate të shumta, përcakton edhe proçedurat për konfiskim për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, por për qëllim fitimi. Ndërsa ligji përcakton si masë konfiskimin, vendimi përfshin hyrjen në marrëdhënie financiare të autoriteteve me ata që kanë shkelur lejen, duke iu dhënë mundësinë ndërtuesve të parablejnë me çmim tregu, sipërfaqet e ndërtuara pa leje.

Njohës të fushës juridike thonë se ky akt i qeverisë bie ndesh me Kodin penal, si dhe me vetë Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit.

Ky vendim bie ndesh me vetë ligjin bazë “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, ku në nenin 52 ,që eshtë dhe referencë e vendimit, parashikohen sipërmarrje të tjera të autoriteteve shtetërore dhe publike, përsa i takon kundravajtjeve të karakterit administrativ. Nga ana tjetër Kodi Penal, që prevalon mbi çdo akt tjetër ligjor, e trajton çdo ndërtim pa leje vepër penale, dhe subjekti që ndërton pa leje duhet të përgjigjet për ndërtim të paligjshëm, që duhet konfiskuar sipas Kodit të Procedurës Penale. Pra, po ta shohësh vendimin, ai bie ndesh me gjithë kuadrin ligjor që është bërë pas miratimit të kushtetutës në vitin 98– tha për Zërin e Amerikës Sokol Hazizaj, jurist.

Edhe përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar vendimin e qeverisë. Deputeti i PD-së Gazmend Bardhi i tha Zërit të Amerikës, se ndërsa qytetarë të zakonshëm janë dënuar me burg edhe për një dritare, një mur rrethues, apo çati, ky akt ligjor nuk i ndëshkon, por i merr në mbrojtje dhe i legalizon ndërtimet e paligjshme në godinat shumëkatëshe.

Për këto arsye 28 deputetë të opozitës i kanë kërkuar Gjykatën Kushtetuese, shfuqizimin e tij.

VKM shkel barazinë para ligjit. Kur një qytetar i thjeshtë ndëshkohet më burg për një avlli, i njëjti standard duhet të zbatohet dhe ndaj ndërtuesve të sipërfaqeve pa leje në godina shumëkatëshe. Nga ana tjetër vetë Ligji për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit ka dhënë një proçedurë ezauruese, se si veprohet në raste të tilla. Çdo ndërtim i paligjshëm konfiskohet dhe kalon në pronësi të shtetit, dhe si çdo pasuri e shtetit, nëse duhet të shitet bëhet ankand. Qeveria e ka shmangur këtë dhe u jep mundësi ndërtuesve, ta legalizojnë kundrejt një tarife. Pra në pikpamjen ligjore VKM bie ndesh me kushtetutën, Kodin Penal dhe me Ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit– u shpreh për Zërin e Amerikës Gazmend Bardhi.

Juristi Sokol Hazizaj veçon dhe një tjetër aspekt në vendimin e Këshillit të Ministrave, kur ndërtuesit i ofrohet parablerja e sipërfaqes së paligjshme. Në mënyrë të papreçedentë ky moment, sipas tij e vendos qeverinë në kuadrin e subjektit që bën biznes.

“Më thoni cili legjislacion europian e vendos shtetin në subjektin e biznesit? Vendimi i Këshillit të Ministrave e detyron ministrinë përkatëse, ende pa emër, të hyjë në marrëdhënie biznesi më prishësin e ligjit. Në themel ky format pengon organin e hetimit të vazhdojë proçesin për gjetjen e subjektit fajtor në raport më ligjin siç është kodi penal, dhe nga tjetër vetë Këshilli i Ministrave merr përsipër të bëjë biznes në kurriz të publikut”– vijoi juristi Sokol Hazizi.

Në lidhje me këto kritika Zëri i Amerikës ju drejtua Agjensisë për Media dhe Informim pranë kryeministrit.

Në përgjigjen me shkrim thuhet se “VKM në fjalë synon të rregullojë situatën e ndërtimeve pa leje dhe se ai respekton Kushtetutën dhe Kodin penal”.

Pas miratimit të VKM lidhur me konfiskimet për interes publik, të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi, zyrtarë të lartë të paktën në 4 raste i bënë publike konfiskimet e sipërfaqeve pa leje, në godina shumëkatëshe në Tiranë, që lidhen me ndërtuesit Pëllumb Salillari, Armand Lilo, Julian Morina dhe Arben Maloku.

Gazetarja Klodiana Lala i tha Zërit të Amerikës se institucionet nuk e kanë kryer si duhet detyrën.

Reagimi institucional ka qenë i vonuar. Cilët janë përgjegjësit, si janë lejuar këto sipërfaqe pa leje për qëllim fitimi, nga ana e inspektoriateve ndërtimore dhe institucionet përgjegjëse që kontrollojnë zbatimin e lejeve të ndërtimit. Kjo duket e qëllimtë dhe e mirëmenduar, për t’u legalizuar këtyre ndërtuesve pasuritë në të ardhmen”– u shpreh për Zërin e Amerikës gazetarja Klodiana Lala.

Në disa dalje publike kryeministri Rama, i ka kundërshtuar akuzat ndaj qeverisë për konfiskimet e sipërfaqeve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi. Askush nuk shpëton nga ndjekja penale dhe gjoba me këtë vendim, ka thënë Z. Rama. Ai ngarkon me përgjegjesi për situatën e ndërtimeve pa leje, edhe drejtësinë që nuk ka vepruar, madje akuzon perfaqësues të saj se kanë marrë rryshfet për këtë qëllim.

“Atyre që thonë se vetë i keni zgjedhur, po ju them se nuk i kemi vënë ne. Shumë prej prokurorëve dhe gjykatësve janë ende në rradhë, për të hyrë në fshesën e vetingut dhe janë ata që bëjnë gjëra të tilla”- u shpreh Kryeminisri Edi Rama në një reagim pulik në shtator të këtij viti.

Agjensia për Media dhe Informim pranë kryeministrit, i tha Zërit të Amerikës, se të gjitha rastet e evidentuara të ndërtimeve pa leje për qëllim fitimi, janë kallëzuar nga institucionet përgjegjëse.

Prokuroria e Tiranës i tha Zërit të Amerikës se për të paktën 4 rastet e bëra publike nga autoritetet ajo ka nisur hetimet.

Sipas dokumentacionit të parë nga Zëri i Amerikës, për godinën shumëkatëshe në qendër të Tiranës, që njihet si “Syri i Tiranës”, procedimi penal është regjistruar në muajin korrik, pas kallëzimit të IKMT-së. Ndërsa për 3 rastet e tjera, nisja e hetimeve përkon me periudhën pas vendimit të qeverisë. Në dy raste pas publikimeve në media dhe në rastin e tretë pas denoncimeve në Komisariatin dixhital.

Zëri i Amerikës kërkoi informacion dhe nga institucionet e tjera. Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit në Tiranë nuk u përgjigj, ndërsa Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit tha se që nga fillimi i vitit të kaluar deri në shtator të këtij viti, ka kallëzuar penalisht vetëm dy raste, për ndërtim pa leje në Prokurorinë e Tiranës.

Kjo e fundit bëri të ditur se ka 960 proçedime penale, për ndërtime të paligjshme prej të cilave 36 ose 3.7 % e totalit, i përkasin atyre për qëllim fitimi. Edhe Policia e Tiranës tha se janë evidentuar mbi 880 vepra penale në këtë fushë, pasuar me 18 të arrestuar, dhe mbi 20 persona në kërkim.

Agjencia për Media dhe Informim shpjegoi gjithashtu, se që prej miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave në fillim të shtatorit të këtij viti, nga IKMT janë konstatuar 25 ndërtime të paligjshme në disa qytete të mëdha të vendit. Janë konfiskuar 8, 6 prej të cilave plotësisht, pasi ishin në kushtet kur sipërfaqja e ndërtuar pa leje tejkalonte 10% të sipërfaqes totale të ndërtimit.

Por përfaqëues të opozitës thonë se gjatë këtyre viteve ligji ka qenë i ashpër për qytetarët e thjeshtë, dhe se në 5 vitet e fundit sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë mbi 3300 qytetarë janë ndëshkuar me burg, për ndërtim pa leje, ndërkohë sipas tij shkelësit e ligjit në ndërtimin e objekteve shumëkatëshe për qëllime fitimi janë favorizuar.

Një prej rasteve që veçon deputeti demokrat Gazmend Bardhi është ai i kullës më të lartë në vend, që po ndërtohet nga shoqëria “Kastrati Construction”, në qendër të Tiranës.

Sipas tij ky rast, me disa kate shtesë përtej lejes fillestare, përfaqëson një favorizim të hapur nga qeveria. Më 13 qershor të këtij viti, Bashkia e Tiranës refuzoi rishikimin e kushteve të lejes dhe ndryshimin e projektit gjatë ndërtimit me argumentin se binte ndesh me një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili përcakton se ndryshimet nuk duhet të tejkalojnë masën 2 përqind të sipërfaqes ndërtimore. Dy javë më pas qeveria miratoi një tjetër vendim ku shmangej kriteri ndalues i 2 përqindëshit.

“ Edhe në këtë rast qeveria, në vend që të zbatonte ligjin ndaj këtij ndërtuesi që kishte shtuar kate pa leje ndërtmi, hoqi kriterin sipas të cilit nuk mund të jepet leje zhvillimi dhe ndërtimi nëse volumi I shtesës është mbi 2% të sipërfaqes ndërtimore”- tha deputeti demokrat Gazmend Bardhi.

E pyetur nga Zëri i Amerikës mbi arsyet e ndryshimit të vendimit të qeverisë, Agjencia për Media dhe Informim nuk u përgjigj.

Zëri i Amerikës po ashtu nuk mori përgjigje as nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe as nga Bashkia e Tiranës, kur i pyeti nëse kanë miratuar leje zhvillimi dhe ndërtimi për shoqërinë “Kastrati Construction”, në lidhje me shtesën e kryer gjatë punimeve në objektin Godinë polifunksionale DTA (Downtown Albania), në Tiranë.

Vetë shoqëria, pas interesimit të Zërit të Amerikës, sqaroi se ka marrë në qershor të vitit të kaluar, një leje të re zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Kjo leje përfshin shtesat në ndërtim, përtej projektit fillestar.

Por ballafaqimi i dokumentave nxjerr në pah faktin se vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit për rishikimin e lejes, më shumë se një vit më parë, bie ndesh me vendimin e qeverisë për rregulloren e zhvillimit të territorit të vitit 2015, të cituar nga vetë Këshilli, që ndalon një akt të tillë kur shtesa tejkalon 2% të volumit të projektit të miratuar.

Po ashtu akti i KKT-së, është në kundërshtim dhe me vetë ligjin për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit. Ky vendim, pengoi dhe Bashkinë e Tiranës të miratonte lejen e ndërtimit të kërkuar nga subjekti në fjalë në prill të këtij viti, për shtesën në punime.

E ndodhur në kushtet e një konflikti ligjor të shkaktuar nga vetë ajo, qeveria ndryshoi vendimin e 2015-ës dhe hoqi kriterin kufizues të 2%, mesa duket, për t’i hapur rrugë Bashkisë së Tiranës për miratimin e lejes së ndërtimit, për ndryshimin e projektit, për shoqërinë në fjalë, në rastin konkret apo dhe për të kompani të tjera nëse ndodhen në të njëjtën situatë.

Por Bashkia e Tiranës, duket se është në pamundësi, përsa kohë, Këshilli Kombëtar i Territorit, i referohet vendimit të vjetër të qeverisë.

Ndërsa thotë se është në pritje të Bashkisë, në lidhje me akuzat e deputetit demokrat, shoqëria “Kastrati Group” u shpreh se “udhëhiqet nga ligjet dhe rregullat, në fuqi, dhe nuk preferon të bëhet pjesë e debateve të politikës”./VOA