zoom

Day ArchiveKush është demokratja me jetën luksoze që i zë vendin Ori Nebijat nëse ajo tërhiqet?

Moderatorja Ori Nebiaj, reagoi për herë të parë mbrëmjen e sotme rreth zërave se ajo nuk do ta pranojë përgjegjësinë për t’ju bashkuar parlamentit shqiptar pas dorëheqjes së znj. Grida Duma, duke thënë se zhvillimet e fundit erdhën papritur dhe se ajo do të merrte kohën e duhur për të shqyrtuar opsionet e saj, që përfshinjë kontratën e lidhur tashmë mes saj dhe televizionit ku ajo punon si moderatore në një emision të stilit reality show.

Nebiaj shtoi gjithashtu se gjatë zgjedhjeve të fundit të vitit 2021, ajo e drejtoi fushatën e saj përpara qytetarëve shqiptarë me përgjegjësi të plotë gjë që i mundësoi asaj të fitonte 5,606 vota ta cilat i siguruan vendin e dytë në listën e Tiranës pas ish-deputetes Grida Duma.

Nëse rezulton që Nebiaj të tërhiqet nga pjesëmarrja në Parlament, kush do ta zëvendësonte atë?

E treta në listë për nga numri i votave preferenciale gjatë zgjedhjeve të fundit ishte pikërisht Ledaina Fratari e 34-ta në listën e demokratëve e cila arriti të merrte një total prej 1,999 votash.

Fratari njihet për jetën luksoze të cilën ajo e reflektoi edhe në fushatën e saj por mbi të gjitha në postimet e saj në rrjete sociale.

Lediana është vajza e biznesmenit të njohur shqiptar Hajredin Fratari, i cili është i angazhuar në fushën e ndërtimit. Ajo ka kontribuuar në Partinë Demokratike si anëtare e Këshillit Kombëtar.

Në media, ajo është përfolur vazhdimisht për fotot në rrjete sociale, që përfshijnë udhëtimet, veshjet e shtrenjta, eksperiencat luksoze madje edhe fotot provokative. Në një status të saj në Facebook, thuhet se ajo është arsimuar jashtë vendit, në Itali dhe Britaninë e Madhe, ku është diplomuar në Queen Mary University of London, para kryerjes së masterit në London School of Economics.

VIDEO/ I paparë Safet Gjici! Futet në studion e RTSH Kukësit dhe përzë drejtorin e televizionit

Safet Gjici ka goditur sërish. Ashtu siç e kemi parë shpesh herë në aktivitetet e tij publike, ai është bërë sërish protagonist i një veprimi që ka tërhequr vëmendjen e medias.

Teksa shoqëronte Presidentin e Republikës, Bajram Begaj gjatë një vizite në ambientet e RTSH Kukësit, Gjici ka marrë në dorë situateën dhe si një zot ka përzënë nga studioja drejtorin e këtij institucioni.

Siç edhe shihet në video, Gjici ia bën me dorë drejtorit të televizionit që të largohet, ç’ka e vë jo pak në siklet këtë të fundit.

Bushati – Erla Mëhillit: Po nuk të bërtiti njeri nuk ndalon ti

Ish-deputeti Ervin Bushati e ç’tensionoi situatën në “Now me Erla Mëhillin” ndërkohë që anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi po fliste për Portin e Durrësit.

Bumçi insistoi se çështja e portit duhet diskutuar pasi lidhej me temën e emisionit, pra gjuha agresive në Kuvend. Sipas tij Rama e përdor atë gjuhë pikërisht për të shmangur vëmendjen nga kjo aferë.

Erla Mëhilli vendosi t’i largohej kësaj teme duke qenë se duheshin ekspertë për të folur më shumë rreth çështjes, gjë që sipas Bumçit nuk qëndronte.

Në këto kushte, Ervin Bushati kujtoi episodin kur analisti Andi Bushati ngriti tonet ndaj moderatores.

“Po nuk të bërtiti njeri nuk ndalon ti,” – iu drejtua Bushati Mëhillit, duke shkaktuar të qeshura në studio.

Mes lotësh, Namik Dokle flet për humbjen e vëllait nga Covid dhe jetën jashtë politikës

Ish-deputeti socialist Namik Dokle është rikthyer tashmë sërish si shkrimtar me një libër të frymëzuar nga pandemia e Covid. I ftuar në Euroneës, ai tregoi mes lotësh betejën me këtë sëmundje dhe si ajo i mori jetën vëllait të tij.

“Gjithashtu ka humbur jetën nga Covid-i edhe im vëlla. Unë vetë me bashkëshorten e kemi kaluar jo lehtë Covidin dhe ndërkohë elementi tjetër është që një nga vajzat e mia që është mjeke në Itali dhe ajo gjatë gjithë periudhës së Covid-it ka qenë e angazhuar në një spital Covid-i dhe ka qenë në vijën e parë”, u shpreh Dokle.

Ai foli për politikën sot ku theksoi se e ndjek atë si një qytetar i thjeshtë. Për të përkufizuar situatën politike, Dokle përdori titullin e romanit të tij të parë duke e cilësuar atë si të mjegullt.

Dokle shtoi se mban kontakte me disa nga kolegët socialistë por përpiqet të qëndrojë larg zhvillimeve politike. “Kam kontakte me kolegët socialistë. Me zotin Rama është i ngarkuar nuk kam kontakte të shpeshta. Por me shumë kolegë të mi kam. Po të isha në parlament do studioja ligjet, ndryshimet e amendamenteve.

Tani nuk dëgjoj fjalimet e parlamentit. Sot lexoj Gabriel Garcia Marquez, Juan Rulfon, Ismail Kadarenë, poezitë e Dritëro Agollit, lexoj Murakamën e të tjera me radhë, e nuk merrem të dëgjoj se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri. Sot ndjek vetëm një edicion lajmesh në ditë sa për të ditur çfarë ndodh në vendin tim”, tha ai.

Ai theksoi se kur është shkëputur nga politika një nga ministrat e ka pyetur se çfarë sugjeron duke zbuluar edhe këshillën që i ka dhënë.

“Në fillimet e para kur sapo isha shkëputur më pyeti një nga ministrat çfarë sugjeron. Si të duket puna e qeverisë. Meqë ishte ministër që kishte të bënte me ekonominë unë sugjeroj të mos shkelni ligjin e rëndësishëm ekonomik për prioritetin e investimeve prodhuese në raport me ato jo prodhuese. Sepse vetëm investimet prodhuese zhvillojnë ekonominë, shtojnë vendet e punës, zhvillojnë prosperitetin e vendit”, u shpreh Dokle.

 

“Nuk ishte e thjeshtë t’i tregoja për babanë”/ Rrëfimi i Fjodora Fjorës për djalin e birësuar

Moderatorja Fjodora Fjora në një intervistë të veçantë për emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel rrëfeu disa detaje nga jeta private.

Para nëntë vitesh ajo vendosi të birësonte Alteon, ndërsa tha se nuk ishte vendim aspak i lehtë.

“Nuk ka qenë e thjeshtë, m’u desh të kaloja 1001 dilema dyshime, diskutime me veten dhe me familjarët, ka pasur edhe të tjerë që më kanë gjykuar, kanë menduar që është një vendim i nxituar. Më thoshin që pse, ti mund të lindësh vetë një fëmijë. Dilemat përgjatë muajve që vijonin procedurat e birësimit ishin si një lloj shtatzënie mendore. Të bëhesh prind është si të rrëshqasësh mbi ujë pa u zhytur, ka momentet herë poshtë dhe herë lart, është një lloj përgjegjësie që nuk e shpreh me fjalë,  Të gjitha vajzat që e dinë se si është të jesh mama, e dinë që asnjë fazë nuk është njëlloj, nuk e dimë në botë se çfarë ka ndryshuar se je në dispozicion të një qenie tjetër”, tha Fjodora.

Moderatorja tregoi se është shumë e hapur me djalin, në lidhje me ndërtimin e familjes së tyre.

“Ne kemi një formulë në shtëpinë tonë që asnjë familje nuk është e çuditshme për mënyrën se si vjen, prandaj duhet t’i pranojmë njerëzit dhe familjet se si vijnë se nuk është në dorën tonë zgjedhja. Unë me Alteon kam qenë shumë e hapur për mënyrën se si ai ka ardhur në jetën time se si është ndërtuar familja jonë dhe për mënyrën se ne mund të jemi një familje që dikush mund t’i bashkohet familjes sonë dhe mund të ketë një figurë tjetër prindërimi. Për momentin jemi shumë mirë siç jemi”, tha ajo.

Kurti niset drejt Parisit, nesër takon Vuçiçin me ndërmjetësimin e Macron

Kryeministri Albin Kurti niset nesër për në Paris ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Ai është ftuar të marrë pjesë në këtë Forum nga presidenti francez, Emanuel Macron dhe gjatë qendrimit në Paris pritet të takohet edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale ai bën të ditur se shkon në këtë takim me dy propozime për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Serbinë, njëri është ai i propozuar në takimin e verës në Bruksel dhe i dyti plani franko-gjerman.

Statusi i Kurtit

Të dashur qytetarë,

Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria.

Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë.

 

Ju falemnderit për mbështetjen e mirupafshim. Ju dëshiroj natë të mirë e ditë të mbara.

 

“Viktima” e radhës është Atletico, Vedat Muriqi i pandalshëm, i shënon edhe madrilenëve

Vedat Muriqi nuk e ka ndërmend të ndalet.

Sulmuesi kosovar vijon të shënojë rregullisht në La Liga dhe këtë herë viktima e radhës është Atletico Madrid.

Lojtari dardan shfrytëzoi më së miri një assist të Costas, për të dërguar topin pas shpinës së Oblak. Për Muriqin ky është goli i tetë i tij në kampionatin spanjoll, në 12 ndeshje kampionati.

Mallorca bleu përfundimisht në verë kartonin e tij dhe fusha po tregon se kjo ka qenë një lëvizje e zgjuar e klubit nga Palma de Mallorca.

“Më vranë mamanë dhe askush nuk u ndëshkua”/ Aktorja e njohur rrëfen pse u largua nga Shqipëria

Ervina Kotolloshi, e njohur për rolin e “Ponjës” në Portokalli, u largua nga Shqipëria në kulmin e karrierës së saj dhe jeton prej vitesh në Paris.

Atje kreu masterin dhe doktoraturën, ndërsa aktualisht jep mësim në një universitet në kryeqytetin francez.

Ervina ka qëndruar larg intervistave dhe vëmendjes publike për kaq shumë kohë por sot ajo dha një intervistë, ku tregoi arsyen e largimit nga Shqipëria.

Aktorja e humorit tregoi se vendimi për t’u larguar erdhi kur humbi mamanë e saj pas një aksidenti tragjik që pësoi.“Ishte një vendim që më është dashur kohë ta marr. E kam lënë për një ngjarje shumë personale në 2006. Nuk kam folur asnjëherë për këtë. Humba mamin në një aksident rrugor dhe personi që e aksidentoi nuk kishte patentë dhe kishte pirë alkool. Mamaja ka vuajtur dy muaj në spital para se të ndërronte jetë.

Në atë moment, kam kuptuar se ka pasur shumë institucione që në rastin tim, nuk kanë funksionuar siç duhet. Në radhë të parë ka qenë personi në fjalë që i ka dhënë makinës pa patentë dhe që nxitonte të kapte pjesën e dytë te ndeshjes sepse ishte Kampionati Botëror. E dyta, nuk ka funksionuar mjekësia.

A duhej shpëtuar mamaja pas këtij aksidenti? Në Kodin Rrugor thuhet se nuk duhet ta lëvizësh kur është pa ndjenja. A duhej operuar disa herë? Nuk e di. Por ajo që më ka lënduar më shumë është gjykatësi. Kur e pyeta pse u dënua kaq pak, mu përgjigj se ‘mamaja juaj s’ka vdekur nga aksidenti’.

Ishte e tmerrshme sepse mami kishte shëndet të plotë deri në ditën e aksidentit”, tha ajo. Më tej, Ervina theksoi se personi që shkaktoi aksidentin nuk ka bërë burg dhe se i vinte keq që s’e ka mediatizuar ngjarjen pasi siç tha ajo, ishte një ngjarje për të reaguar fort pasi institucionet nuk funksionuan.

DOKUMENTI/ Ndërtimi i Portit të Durrësit, qeveria i fal taksat kompanisë. Marrëveshja, sekrete

Qeveria i kërkoi Parlamentit sot të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen me kompanitë “Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company”, sh.a., dhe “Nshmi Development L.L.C”, për ndërtimin e portit Portit të Durrësit.

Dokumenti i paraqitur në Kuvend përbëhet vetëm nga tre faqe dhe ka plot gjashtë nene për një aferë që sipas opozitë e ka vlerën 2.1 miliardë euro.

Në nenin dy të projektligjit që deputetët do ta votojnë në seancën parlamentare të 24 nëntorit parashikohet fakti që shoqëria që do të ndërtojë hotelet dhe pallatet në portin e Durrësit do të përjashtohet nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin që ajo duhet të japë për strehimin social.

“Shoqëria e përbashkët për realizimin e projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” përjashtohet nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social, sipas legjislacionit në fuqi për sistemin e taksave vendore dhe legjislacionit në fuqi për strehimin social. Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji”, thuhet në projektligj.

Dokumenti që i është paraqitur sot deputetëve, përpara se të nisin diskutimin nëpër komisione e më pas në seancë parlamentare, parashikon që së bashku me të janë edhe shtojcat e marrëveshjes, por që deri në këto momente nuk janë bërë publike.

Pas portit qëndron Muhamed Alabbar, president i EMAAR Group, i cili vjen në Shqipëri me kompaninë offshore Eagle Hills Real Estate Development.

Kryeministri Rama e ka përmendur atë shpesh si përfaqësues i EMAAR, por kjo kompani gjigande nuk ka lidhje me projektin, sic e ka konfirmuar për Zoom.al edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Mbi projektin janë hedhur dyshime të shumta në media, të cilat nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet.

Dyshimet kanë të bëjnë me faktin se kompania nuk ka dhënë asnjë garanci se do ta ndërtojë Portin e Jahteve pasi të ndërtojë dhe shesë pallatet.

Po kështu, shqetësimet janë të mëdha, pasi Muhamet Alabbar ka lënë ende pa përfunduar projektin gjigant të Beogradit, “Belgrade Waterfront”, ndonëse kishte premtuar se ai do të ishte investimi më i madh në Ballkan, një projekt disa herë më ambicioz sesa porti i Durrësit.

Ka dyshime gjithashtu se toka shtetërore në Durrës i është falur kompanisë offshore në vend që t’i jepej me përqindje dhe shteti të fitonte më shumë.

Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se fshihet vetë pas portit dhe se projekti do të shërbejë për pastrimin e parave.

Italianët kërkojnë ujin e Syrit të Kaltër, gati studimi për tubacionin drejt Pulias

Italia duket se nuk heq dorë nga ideja e vjetër për ndërtimin e një ujësjellësi nga Shqipëria drejt Pulias, pasi jugu i saj po përballet gjithnjë e më shumë me thatësirën.

Ideja që dikur iu propozua ish-kryeministrit Fatos Nano për të çuar me tubacione në jug të Italisë burimin e “Syrit të Kaltër” të Delvinës, tashmë është konkretizuar me një studim.

Sipas presidentit të Pulias Michele Emiliano, si dhe krerëve të Komfindustrisë Bari-Bat, do të duheshin 1 miliardë euro dhe 4 vite punë për ndërtimin 85 kilometrave tubacione nënujore nga Gjirokastra deri në brigjet e Pulias.

“Shqipëria është një vend i pasur me burime ujore, ne kemi dhe fatin që kemi marrëdhënie shumë të mira me ta. Jo vetëm që do të zgjidhnim problemin e furnizimit me ujë, por edhe vetë Shqipëria do të përfitonte diçka, pasi do të hapeshin rreth 8 mijë vende pune direkte dhe indirekte”, u shpreh Emiliano, i cili i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama me këtë propozim, raporton Corriere.it.

“Ne kemi një mundësi të madhe për të trajtuar krizën e ujit në mënyrë parandaluese. Ne mund t’i japim jetë një projekti të madh dhe ambicioz: të ndërtojmë një infrastrukturë mbresëlënëse ujore në detin Adriatik midis Pulias dhe Shqipërisë”, është shprehur Sergio Fontana, kreu i shoqatës së Konfindustrisë Pulieze.