zoom

Day ArchiveNga frymëmarrja te mushkëritë, çfarë ndodh me organizmin nëse pini cigare

Djegia e cigares lëshon në ajër rreth 6000 substanca të cilat përfshijnë monoksidin e karbonit, katranin, açetonin apo benzenin. Këto kimikate kanë efekt të drejtpërdrejtë në presionin e gjakut, rrahjet e zemrës e jo vetëm.

Sigurisht që mushkëritë janë të parat që na shkojnë në mendje kur bëhet fjalë për dëme. Nëse e keni pyetur veten se çfarë ndodh vërtet kur thithim tymin e cigares, po jua zbulojmë në këtë artikull.

Përthithja e tymit të cigares shkakton ndryshime duke nisur nga rrugët e frymëmarrjes, traketë, e deri tek mushkëritë, që janë edhe ndalesa e fundit. Disa nga këto ndryshime janë të menjëhershme dhe shkaktojnë probleme afatshkurtra.

Të tilla janë e ftohura apo kolla e thatë e cila duket se e shoqëron tymin kudo që përhapet. Këto shqetësime konsiderohen të lehta pasi nëse reduktohet ekspozimi ndaj tymit, trupi arrin të rigjenerohet shumë shpejt.

Nga ana tjetër, disa nga këto ndryshime zgjasin në kohë dhe janë pikërisht këto që shndërrohen në shqetësime shëndetësore.

Siç e përmendëm edhe më sipër, tymi i cigares përmban katran, i cili grumbullohet në mushkëri sa herë që e përthithim. Katrani është faktori kryesor i ‘mushkërive të zeza’ pra dëmtimit të qelizave të shëndetshme. Ky kimikat qarkullon me tymin e lëshuar në ajër dhe kthehet në një rrezik për cilindo që e përthith përmes frymëmarrjes.

Duke qenë se mushkëritë kanë aftësinë pothuaj ‘magjike’ për t’u rigjeneruar, edhe pse nuk është asnjëherë vonë për të lënë cigaren ose të paktën të reduktoni risqet, ju ulni predispozitën e përkeqësimit të mëtejshëm. Këtu mund të përmendim alternativat pa tym të cilat eliminojnë këto kimikate. Pajisjet me ngrohje, të cilat me teknologjinë e tyre të avancuar eliminojnë procesin e djegies, në vend të saj ngrohin fijet e duhanit duke prodhuar avullin aerosol.

Analiza e VOA: Protestat në Iran vazhdojnë, duke u bërë kërcënim për regjimin e Teheranit

Protestat në Iran për vdekjen e një gruaje 22-vjeçare të arrestuar nga policia e moralit të vendit kanë vazhduar për të tretën javë radhaz, edhe pasi autoritetet ndërprenë internetin, aktivizuan forcat speciale kundër trazirave dhe sulmuan ata që po i cilësojnë si armiqtë jashtë vendit.

Një skenar i tillë i masave shtypëse ka funksionuar më parë, por demonstratat spontane për vdekjen e Mahsa Aminit vazhdojnë dhe marrin forma të ndryshme. Në një incident të kohëve të fundit, nxënës të shkollave të mesme iu kundërvunë një personi të linjës së ashpër duke e përzënë nga shkolla, ndërsa politikane dhe aktore të famshme jashtë vendit tani po presin flokët publikisht, për solidaritet me gratë protestuese iraniane që kanë bërë të njëjtën gjë.Kohëzgjatja dhe metamorfoza e protestave përbëjnë një kërcënim të ri për Teheranin, i paparë që nga protestat e Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009 ku mijëra vetë dolën për të protestuar në rrugë.

Protestat në dukje spontane dhe pa një figurë qendrore udhëheqëse, të nxitura kryesisht nga klasa e mesme dhe e lartë, ndajnë disa nga të njëjtat pika të forta dhe të dobëta të protestave mbi dhjetë vjet më parë. Teokracia e Iranit përfundimisht i shtypi ata me kalimin e kohës. Mbetet në pikëpyetje nëse do të bëjë të njëjtën gjë tani.

Të kuptosh plotësisht atë që ndodh në të gjithë Iranin, një vend me mbi 80 milionë banorë që është dy herë e gjysmë më i madh se shteti i Teksasit në SHBA, është e vështirë edhe në kohë të qeta, duke pasur parasysh kufizimet qeveritare.

Tani, është edhe më e vështirë. Autoritetet kanë arrestuar të paktën 35 gazetarë dhe fotografë që nga fillimi i demonstratave më 17 shtator, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Shumica e informacionit merren nga videoklipet që aktivistët arrijnë t’i publikojnë në internet vetëm disa sekonda.

Protestat filluan në pranë varrit të Aminit, një iraniane kurde e arrestuar nga forcat e policisë morale të Iranit. Që nga zgjedhja e presidentit të linjës së ashpër Ebrahim Raisi vitin e kaluar, patrullat e moralit janë bërë më agresive, me video që qarkullojnë të oficerëve që keqtrajtojnë gratë e reja për shkak të rrobave të tyre ose shamitë e njohura si hixhabe.

Qeveria e Iranit këmbëngul se Amini nuk ishte abuzuar, ndërsa televizioni shtetëror ka transmetuar pamjet e rrëzimit të saj në një stacion policor dhe duke marrë trajtim mjekësor. Megjithatë, asnjë video e arrestimit apo transportimit të saj në stacionin e policisë nuk është publikuar edhe pse Teherani filloi të pajisë oficerët e policisë me kamera trupore para pesë vjetësh. Kjo arsye si edhe varrimi me shpejtësi i kërkuar nga zyrtarët e sigurisë, nxiti zemërimin në qytetin e lindjes së Aminit, Saqqez, rreth 460 kilometra në perëndim të Teheranit.

Në atë demonstratë dhe në ato të mëvonshme në të gjithë vendin, gratë protestuese kanë tundur shamitë e tyre dhe kanë thirrur në gjuhën farsi, “Vdekje diktatorit!”, duke iu referuar udhëheqësit suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Kjo është një thirrje e rrezikshme në një vend ku akuzat se je “mofsed-e-filarz” ose “korruptues i tokës”, duke treguar mospajtim politik mund të sjellë dënim me vdekje në Gjykatën Revolucionare të Iranit ku proceset mbahen me dyer të mbyllura.

Deri ku kanë arritur demonstratat dhe shtypja e tyre mbetet e paqartë. Një raport i agjencisë së lajmeve “Associated Press” duke iu referuar raporteve në mediat shtetërore dhe atyre të lidhura me shtetin tregon se ka pasur të paktën 1,900 arrestime që kanë pasur të bëjnë me protestat. Demonstrata janë raportuar në të paktën 50 qytete, qyteza dhe fshatra.

Televizioni shtetëror për herë të fundit sugjeroi se të paktën 41 persona ishin vrarë deri në demonstratat e 24 shtatorit. Kanë kaluar gati dy javë që nga ajo kohë dhe nuk ka pasur asnjë përditësim të të dhënave nga qeveria e Iranit.

Një grup me seli në Oslo, i quajtur “Irani Human Rights”, vlerëson se të paktën 154 persona janë vrarë, ndonëse këtu janë përfshirë edhe 63 njerëz të vrarë gjatë dhunës në qytetin lindor iranian, Zahedan. Autoritetet iraniane kanë thënë se në dhunën në Zahedan janë përfshirë separatistë të paidentifikuar, megjithëse “Irani Human Rights” tha se incidenti filloi si sulm hakmarrës mbi akuzat për përdhunim kundër një oficeri të policisë lokale.

Ndërkohë, Irani ka nisur sulme ndërkufitare ndaj separatistëve kurdë në Irak gjithashtu dhe ka këmbëngulur se demonstratat janë një komplot i huaj, që duket se janë disenjuar për të larguar vëmendjen nga zemërimi i përhapur mbi hixhabin e detyrueshëm në Iranit.

Që nga Revolucioni Islamik i Iranit i vitit 1979 dhe vitet e trazuara që pasuan menjëherë, demonstratat kanë qenë një tipar i përbashkët në të gjithë vendin. Shumë demonstrata bëhen për çështjet lokale dhe jo duke kërkuar ndryshime politike mbarëkombëtare, siç janë demonstratat e fermerëve të mërzitur me reduktimet e furnizimit me ujë, mësuesit që duan paga më të larta ose pensionistët të zemëruar pasi humbën kursimet e tyre në përpjekjet e privatizimit që janë kritikuar gjerësisht.

Protestat e studentëve goditën Teheranin në vitin 1999. Protestat ekonomike përfshin vendin në fund të 2017 dhe në fillim të vititi 2018. Një vit më pas, zemërimi për eliminimin e subvencioneve nga qeveria për benzinën ndezi në mënyrë të ngjashme demonstrata mbarëkombëtare.

Ndryshe nga tre valët e mëparshme, këtë herë linjat e ashpra kontrollojnë çdo levë pushteti në presidencën e Iranit, gjyqësorin dhe parlamentin e tij, që do të thotë se nuk ka asnjë tjetër për ta fajësuar. E njëjta gjë ndodhi në demonstratat e Lëvizjes së Gjelbër të vitit 2009, të shkaktuara nga rizgjedhja e Presidentit të linjës së ashpër Mahmoud Ahmadinejad mes akuzave të përhapura për manipulim votash.

Demonstratat e vitit 2009 u fokusuan gjithashtu në zonat urbane dhe kryesisht patën protestues të klasës së mesme dhe të lartë. Në protestat aktuale kanë marrë pjesë grupe të ngjashme njerëzish dhe dëshmitarët thonë se nuk kanë dëgjuar asnjë nga thirrjet ekonomike nga raundet më të fundit të demonstratave. Të famshëm iranianë dhe yjet e futbollit kanë folur gjithashtu.

Megjithatë, ka ende dallime të qarta mes vitit 2009 dhe sot. Demonstratat e vitit 2009 nxorën miliona njerëz në rrugë. Deri më tani, protestat aktuale nuk e kanë arritur të njejtën gjë.

Demonstratat e vitit 2009 zgjatën gjithashtu për muaj të tërë përpara se të ngadalësoheshin, duke u shuar përfundimisht në vitin 2011, kur autoritetet arrestuan udhëheqësit e tyre në mes të protestave të Pranverës Arabe. Demonstratat aktuale ende nuk kanë arritur kufirin e katër javëve

Momentet vendimtare janë përpara. Irani duket se po përgatitet për të shtunën, fillimi i javës iraniane, kur studentët e universitetit duhet të rifillojnë mësimet duke shkuar fizikisht në universitet. Të dielën e kaluar, forcat e sigurisë qëlluan me gaz lotsjellës dhe me armë për shpërndarjen e studentëve që po demonstronin në Universitetin e Teknologjisë, “Sharif” në Teheran, sipas Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran me seli në Nju Jork. Ai universitet dhe të tjerët vijuan mësimet përmes internetit për pjesën tjetër të javës.

Nëse demonstratat vazhdojnë në klasa dhe rrugë anembanë Iranit, qeveria e vijës së ashpër të Iranit do të duhet të vendosë se çfarë të bëjë më pas. Megjithatë, deri më tani, nuk ka asnjë shenjë se ata do të tërhiqen. /VOA

Këto janë 5 shenjat më të ndjeshme të horoskopit

Të gjithë kemi familjarë, të afërm apo miq që janë shumë të ndjeshëm ndaj çështjeve, njerëzve, informacioneve, përjetimeve apo gjithfarë gjërash. por e dini se mund të ndikojë edhe shenja e horoskopit? Ndaj, për ta kuptuar më mirë, po ju tregojmë 5 shenjat që janë edhe më të ndjeshmit e horoskopit.

Gaforrja

Njësoj si gaforret që kërkojnë bregun, edhe personat e kësaj shenje duan dikë ku të mbështeten. Gaforret lidhen kaq shumë pas njerëzve saqë edhe ndonjë veprim i vogël i të tjerëve mund t’i lëndojë. Ajo çfarë duhet të kuptojnë është se i vetmi njeri që mund të kontrollojë mendjen është vetja e tyre.

Virgjëresha

Duken të ftohtë, por janë një shenjë Toke dhe shumë detajistë. Ata janë shumë vigjilientë dhe kureshtarë për çfarë ndodh rreth tyre. Virgjëresha ka një tendencë për t’i parë gjërat përmes një lupe zmadhuese. Kjo i bën të vërejnë edhe çështjet e vogla si të mëdha, çka lëndon ndjenjat e tyre. zakonisht, jeta e tyre vërtitet rreth një personi të rëndësishëm.

Peshorja

Dikush mund të mos e presë, por Peshoret janë të ndjeshme. Kjo shenjë Ajri që përfaqësohet nga një peshore është paqeruajtëse dhe e drejtë. Ndaj ato janë shumë të harmonizuara me nevojat e njerëzve në vështirësi. Nëse i tregon sadopak shqetësim ose emocione, Peshoret përpiqen të të ngushëllojnë me fjalët e tyre të ëmbla.

Ujori

E papritur, por e vërtetë, Ujori është një shenjë shumë e ndjeshme, por fshihet pas një muri pikërisht për këtë arsye. Për t’i evituar emocionet, ata e zbrazin veten nga stimuluesit që ngacmojnë anën e tyre të butë. Por kjo nuk do të thotë se Ujorët nuk e dinë se ç’ndodh brenda tyre, madje krejt e kundërta.

Peshqit

Shenja më ëndërrimtare e horoskopit ka shumë intuitë dhe ndjesi. Peshqit do ta tejkalojnë veten për t’i bërë të tjerët të ndihen mirë. Janë shenjë naive, të prirur për t’u abuzuar dhe e kanë të vështirë të thonë “jo”. Ndonëse mund ta ndiejnë diçka të keqe prej larg, shpesh ndikohen nga toksiciteti i situatës.

Vjosa Osmani dhe Edi Rama mbajnë distancën edhe në Pragë

Dy liderët shqiptarë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Edi Rama, vazhdojnë ta mbajnë distancën me njëri-tjetrin edhe kur janë tejet afër njëri-tjetrit.

Në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Pragë të Çekisë, Osmani dhe Rama sot kanë zhvilluar dhjetëra takime me homologë e liderë nga anembanë bota, nga të cilat kanë publikuar edhe fotografi.

Mirëpo, një fotografi e një takimi Osmani-Rama nuk është parë nga ambientet ku po mbahet samiti. Së bashku janë parë vetëm në fotografinë e përbashkët të të gjithë liderëve, ku me siguri, nuk kanë mundur ta evitojnë njëri tjetrin.

Të dy liderët kanë publikuar dhjetëra fotografi nga takimet e zhvilluara sot.

Raportet mes Vjosa Osmani dhe Edi Ramës u ashpërsuan edhe më shumë pas deklaratave të fundit akuzuese të presidentes së Kosovës ndaj kryeministrit shqiptar, duke e akuzuar atë se po i shpëton fytyrën Serbisë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Osmani kishte treguar dallimet me Ramën.

“Unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse e Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit”, kishte deklaruar ajo.

Këtyre akuzave, kryeministri shqiptar iu përgjigj me një fushatë mediale në Shqipëri, për të cilën raportoi Gazeta Express.

Për raportet mes Edi Ramës dhe Vjosa Osmanit, po diskutohet edhe në emisionin Pressing të T7, që po shfaqet drejtpërdrejtë edhe në Youtube.

Analistët Valon Syla dhe Ilir Mirena e kanë kritikuar presidenten kosovare për qasjen e saj ndaj kryeministrit shqiptar Rama. Mirena ka thënë se Osmani e ka të pamundur ta tejkalojë përplasjen me Ramën, duke shtuar se kryeminsitri Albin Kurti, përkundër përplasjeve, e takon dhe diskuton me kryeministrin shqiptar.

Me makinë të blinduar për një gjobë 500 mijë euro! Hoxha: Ka paguar dhe nuk e ka blerë dot lirinë

Publikohet një video, e cila tregon momentin kur disa persona, të njohur në botën e krimit po negociojnë për një gjobë prej 500 mijë euro.

Videoja është bërë publike nga gazetari Artan Hoxha, në emisionin Opinion. Bëhet fjalë për Arben Mërkurin i njohur dhe me pseudonimin “Maneci” i cili u vra në Maj 2022, dhe për Astrit Avdylin, i dalë në përgjimet e dosjes 339 për blerje votash në zgjedhje.

Sipas gazetarit Artan Hoxha këta persona po bisedojnë me nënën e një personi të cilit i është vendosur gjobë 500 mijë Euro.

“Kjo është një ngjarje që ka ndodhur më 31 Maj të vitit 2018. Ky mjeti është i blinduar. Këtu në fund është një fuoristradë tjetër ku janë 4 persona të armatosur. Këta ndodhen në një bazë në rrethinat e Shijakut apo Sukthit në atë zonë dhe ky këtu është Maneci apo Arben Mërkuri që u ekzekutua në 18 Maj për të cilin vëllezërit Beqiraj kanë folur dhe ata thonë si ka ndodhur vrasja e këtij.

Ky është i njohur tek dosje 339, ky është Astrit Avdyli, njëri nga vëllezërit Avdylaj. Kjo është para se të bëheshin arrestimet e 339. Këtu pas kësaj derës është një grua e vjetër. Ajo ka një djalë dhe djalit të saj i është vënë një gjobë 500 mijë Euro. Ai ka paguar 240 mijë Euro dhe nuk e ka blerë dot lirinë e vetë. Gjoba nuk i është vënë nga këta persona. Ata kanë hyrë ndërmjetës, kanë ardhur tek nëna e tij sepse ai vetë ka ikur ka ndjerë rrezikun se mund të vritet”, tregoi gazetari Artan Hoxha.

Plagosja në Vlorë, policia jep detajet: Autori i qëlloi me thikë, “Shqiponjat” e prangosin

Policia e Vlorës ka dhënë detaje mbi plagosjen me thikë të ndodhur sot në një Berberhane. Mësohet se Nexhi Hyskaj, tashmë i arrestuar ka plagosur me thikë shtetasit Kevin Nuredini dhe Ervis Sejko, të cilët janë dërguar në spital ndërsa nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.

Ndërkaq ai është prangosur nga forcat “Shqiponja”. Motivet e ngjarjes nuk dihen ende.

Njoftimi i policise:

Ne daten 06.10.2022, rreth ores 20.35 ne afersi te shkolles “24 Maji” ne lagjen “28 Nentori”, ka ndodhur nje ngjarje ku autori shtetasi Nexhi Safet Hyskaj, i datelindjes 22.08.1982 banues ne Vlore ka goditur me thike dhe si pasoje jane plagosur shtetasit Kevin Musa Nuredini, i dt 20.05.1999, banues ne Vlore dhe shtetasit Ervis Ismet Sejko, dt 31.10.1987 banues ne Vlore. Te demtuarit jane derguar per mjekim ne spitalin Vlore.

Parlamenti Evropian bën thirrje për rritje masive të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Anëtarët e Parlamentit Evropian miratuan një rezolutë që i bën thirrje botës të rrisë ndihmën ushtarake për Ukrainën në mes të agresionit ushtarak rus.

Sipas shërbimit për shtyp të Parlamentit Evropian, rezoluta u miratua me 504 vota pro, 26 kundër dhe 36 abstenime.

Duke përshëndetur guximin e popullit ukrainas që mbrojnë vendin e tyre dhe vlerat evropiane, eurodeputetët u kanë bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera që mbështesin Ukrainën që të rrisin masivisht ndihmën e tyre ushtarake, veçanërisht në zonat e kërkuara nga qeveria ukrainase.

Kështu, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, eurodeputetët u kërkojnë shteteve anëtare “ngurruese” që të ofrojnë pjesën e tyre të ndihmës së nevojshme ushtarake, e cila do të ndihmojë në “shkurtimin” e luftës.

Në rezolutë, eurodeputetët thonë se rezultatet e referendumeve të rreme për të aneksuar rajonet Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia janë “të pavlefshme” dhe u bëjnë thirrje vendeve anëtare të miratojnë sanksione shtesë të rënda.

Ata u bënë thirrje vendeve anëtare dhe partnerëve ndërkombëtarë që të përgatisin një përgjigje të shpejtë dhe vendimtare nëse Rusia kryen një sulm bërthamor në Ukrainë.

Eurodeputetët dënojnë gjithashtu mobilizimin ushtarak në Rusi dhe masat që detyrojnë banorët e territoreve të okupuara përkohësisht të Ukrainës të shërbejnë në forcat e armatosura ose ndihmëse të Rusisë, një akt të cilin Konventa e Katërt e Gjenevës e ndalon.

Veç këtyre, eurodeputetët kërkuan krijimin e një gjykate ndërkombëtare ad hoc për krimin e agresionit kundër Ukrainës, “ku Putini dhe të gjithë ata zyrtarë civilë dhe ushtarakë rusë dhe përfaqësuesit e tyre përgjegjës për organizimin, nisjen dhe drejtimin e luftës në Ukrainë do të ndiqen penalisht”.

Së fundi, eurodeputetët u bënë thirrje vendeve anëtare që të trajtojnë mbrojtjen e infrastrukturës kritike evropiane si prioritet.

Shpërthen Ballkani, fiton ndeshjen e çmendur në Turqi në frymëmarrjet e fundit

Ballkani arrin të marrë fitoren e parë në Conference League duke mundur 4-3 ekipin e Sivasspor në Turqi në një ndeshje të çmendur.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Ulvestad në sekondën e 30.

E pabesueshme, por Ballkani gjeti forcë të reagoj dhe madje të kalojë edhe në avantazh.

Thaqi, Potoku dhe Korenica përmbysën gjithçka duke i dërguar shifrat në 1-3.

Yesilyurt ngushtoi shifrat, ndërsa Yatabare barazoi ndeshjen në minutën e 91’.

Kur të gjithë prisnin vërshëllimën e arbitrit, Ermal Krasniqi i dha fitoren dhe vendin e dytë Ballkanit duke elektrizuar tifozët nga Suhareka. /zoom.al/

Sherr me thika në Vlorë, tre të plagosur

Një sherr mes të rinjve është raportuar në Vlorë. Mësohet se tre persona janë të plagosur.

Dy prej të plagosurve janë transportuar në spital.

Ngjarja ka ndodhur në një lokal të qytetit bregdetar. Të plagosur mësohet se kanë mbetur, Mexhit Hyskaj 40 vjeç, Kevin Nuredini 23 vjeç dhe Ervis Sejko 35 vjeç.

OKB: Zaporizhja është central i Ukrainës

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, tha më 6 tetor se kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara e konsideron centralin e Zaporizhjës si ndërtesë ukrainase.

Rusia ka pushtuar centralin që gjendet në jug të Ukrainës në muajin mars, pak kohë pasi nisi pushtimin e këtij shtetit, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar qeverinë e tij që të marrë kontrollin e centralit.

Centrali i Zaporizhjës është ndërtesa më e madhe bërthamore në Evropë dhe pas pushtimit, stafi ukrainas ka operuar me të.

“Kjo çështje ka të bëjë me ligjin ndërkombëtar… ne duam që lufta të ndalojë menjëherë, dhe natyrisht që pozicioni i Agjencisë është se kjo ndërtesë është ndërtesë ukrainase”, tha Grossi për gazetarët në Kiev.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore pritet që pas qëndrimit në Ukrainë, të udhëtojë për në Rusi për t’u takuar me zyrtarët e këtij shteti.

Muajin e kaluar, Rusia ka shpallur aneksimin e katër rajoneve ukrainase: Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja. Në këto rajone, Moska ka mbajtur referendume të rreme, që janë dënuar nga Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar.