zoom

Day ArchiveSondazhi, rritet në 41% mbështetja për Presidentin Biden

Mbështetja publike për presidentit amerikan Joe Biden u rrit këtë javë në nivelin më të lartë që nga fillimi i qershorit, pas një serie fitoresh legjislative për Partinë Demokrate, sipas një sondazhi të kryer nga agjencia e lajmeve Reuters dhe kompania Ipsos.

Sondazhi kombëtar dy-ditor gjeti se 41% e amerikanëve mbështesin punën e zotit Biden. Kjo shënon herën e parë që ai gëzon mbështetje mbi 40% që nga fillimi i qershorit.

Vlerësimet e ulëta ndaj zotit Biden prej 36%, në katër sondazhe javore në maj, qershor dhe korrik, ishin gati kokë më kokë me nivelet më të ulëta të mbështetjes që gëzonte paraardhësi i tij, Donald Trump, popullariteti i të cilit arriti në 33% në dhjetor 2017.

Në katër nga pesë javët e fundit, mbështetja publike ndaj zotit Biden u rrit pasi Kongresi i kontrolluar nga demokratët miratoi një sërë ligjesh që synojnë të trajtojnë problemet që lidhen me ndryshimet klimatike, uljen e çmimit të barnave si dhe për të rritur përpjekjet që Shtetet e Bashkuara të bëhen më konkurruese në raport me Kinën në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

Demokratët pritet të humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e 8 nëntorit dhe ekspertët thonë se ata kanë mundësi më të mira për të ruajtur kontrollin e Senatit.

Edhe nëse do të kontrollin vetëm Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët do të ishin në gjendje të pengonin axhendën legjislative të Presidentit Biden apo të nisnin hetime, potencialisht të dëmshme politikisht.

Sondazhi i kësaj jave tregoi se 78% e demokratëve e miratojnë punën e zotit Biden, nga 69% në fillim të korrikut. Vetëm 12% e republikanëve e mbështesin atë, shifër që ka mbetur kryesisht e qëndrueshme javët e fundit.

Vlerësimi i përgjithshëm i mbështetjes publike që gëzon zoti Biden ka qenë nën 50% që nga gushti i vitit të kaluar, ndërsa amerikanët përballen me inflacionin dhe një ekonomi të dëmtuar nga kriza shëndetësore e shkaktuar nga COVID-19.

 

VIDEO/Pasi mësoi se është nën hetim nga SPAK, Meta e nxjerr stresin me valle popullore

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është angazhuar gjatë kësaj jave me të rinjtë e kësaj force politike, në kampin që zhvillohet çdo vit në Jalë, dhe ku ai rikthehet të marrë pjesë pas 5 vitesh në detyrën e Presidentit të Republikës.

Pas shumë deklaratave të forta politike të dhëna nga kampi, por edhe atyre që pasuan sot lajmin se ai ishte nën hetim nga SPAK, Meta ka gjetur mbrëmjen e sotme kohën që të çlirohet nga stresi i politikes dhe t’i bashkohet atmosferës festive të krijuar nga rinia e PL.

Në një video të postuar në Instagram, ai shihet duke iu bashkua valles së tyre nën ritmet e një kënge shqiptare shumë të njohur, të rrymës folk.

“Kjo rini të përfshin në vrullin e saj. E pamundur të mos i ndjekësh në rrugën e tyre ✌️”, shkruan Meta përkrah videos.

Tatimet listojnë 100 më të pasurit në Shqipëri, verifikim nëse paguajnë taksa

Tatimet kanë përfunduar listën me 100 më të pasurit në Shqipëri.

Analiza ka përfunduar disa javë më parë nga Drejtoria e Kontrollit të Specializuar, njësi e cila është ngritur posaçërisht për të mbikëqyrur deklaratat tatimore të inidividëve dhe pagesën e taksave nga të ardhurat që marrin.

Në llogaritjen e njerëzve më të pasur janë marrë në konsideratë paga dhe shpërblimet nga puna, të ardhurat nga dividenti, që janë fitimet që ndajnë kompanitë për aksionerët dhe kursimet bankare, të ardhurat nga pasuritë e patundshme, fitimet në bursa apo burime të tjera.

Në planin e tatimeve është zgjerimi i listës me individët me 200 individet më të pasur deri në fund të këtij viti dhe deri në 300 në fund të vitit që vjen.

Njësia ka grumbulluar të dhëna nga policia, agjencitë e inteligjencës, bankat dhe autoritete dytësore që përdoren për të kryer pagesa.

Fillimisht tatimet do të kontrollojnë 100 më të pasurit nëse kanë bërë të plotë pagesën e detyrimeve tatimore.

Njësia antinformalitet nisi punën në shkurt të vitit të shkuar, ndërsa Taks Forca e krijuar me urdhër të kryeministrit nisi kontrollet për deklarimin e të ardhurave të individëve në maj të këtij viti.

Kontrollet tashmë janë përqendruar në deklarimin e saktë të pagave në sektorin e ndërtimit, tregtisë, kompanive të sigurimit dhe medias.

SPAK nisi hetimet për Metën, Berisha: Edi Rama je i pashpresë!

Kreu i PD Sali Berisha ka reaguar me kritik ndaj kryeministrit Edi Rama. Në një status në Facebook, Berisha shkruan se kryeministri Rama është i pashpresë. Referuar edhe hetimeve të nisura nga SPAK ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kreu i PD thotë se dënon me forcë këto akte të cilat i cilëson si akte të shëmtuara të regjimit të Ramës.

“Këto javët e fundit, i tmerruar nga fati i afërt që e pret për vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve, gjykimi dhe ndëshkimi popullor për vjedhjet e mëdha me aferat e djegësve, portit të Durrësit, Butrinit me prokurimet sekrete, PPP, bordet e çmimeve stratosferike dhe aferat e tjera që mbajnë firmën e tij, Edi Rama ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe i ka shndërruar në aneks të zyrës së tij. Me qëllimin e vetëm fabrikimin, falsifikimin, manipulimin e paskrupullt të pseudo-fakteve, pseudo-dokumenteve për kundërshtarët politikë, në rastin konkret kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.”

Më tej Berisha paralajmëron se regjimi i kryeministrit Rama do të ketë fundin që meriton.

Statusi:

Edi Rama, je i pashpresë!

Këto javët e fundit, i tmerruar nga fati i afërt që e pret për vjedhjet e mëdha që u ka bërë shqiptarëve, gjykimi dhe ndëshkimi popullor për vjedhjet e mëdha me aferat e djegësve, portit të Durrësit, Butrinit me prokurimet sekrete, PPP, bordet e çmimeve stratosferike dhe aferat e tjera që mbajnë firmën e tij, Edi Rama ka shkrirë në një të vetëm Shërbimin Informativ, Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit, SPAK-un e partisë dhe i ka shndërruar në aneks të zyrës së tij.

Me qëllimin e vetëm fabrikimin, falsifikimin, manipulimin e paskrupullt të pseudo-fakteve, pseudo-dokumenteve për kundërshtarët politikë, në rastin konkret kundër kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Duke dënuar me forcën më të madhe këto akte të shëmtuara të regjimit mafioz të Edi Ramës, të bazuar në dhunimin e votës së qytetarëve, vjedhjen e papermbajtur te pasurive dhe fondeve publike, drogën  dhe krimin, i them vasalit të Aleksander Vuçiç-it se je i pashpresë dhe se, nuk ka manipulim, shpifje apo falsifikim as dhe ligj i votuar nga mazhoranca kallpe që do të shpëtojë ty nga ndëshkimi i rëndë popullor.

Ti dhe shteti yt mafioz njëpartiak do të keni fundin e merituar! sb

A është gjumi i tepërt shenjë depresioni?

Njerëzit depresivë zakonisht ankohen për pagjumësi. Por tek disa njerëz që vuajnë nga depresioni, problemi është gjumi i tepërt.

Sipas një studimi, vetëm 15% e njerëzve nën depresion kanë një tendencë për të fjetur më tepër.

Kjo është arsyeja që shumë herë depresioni mund të jetë i paidentifikuar tek këta persona.

Të flesh shumë herë pas here ose pas festave është gjë e mirë mirë. Por të flesh më tepër se koha e nevojshme çdo ditë kërkon vëmendje.

A e dini se disa njerëz flenë 20 orë në ditë? Mund t’a besoni një gjë të tillë? Më e keqja është se kjo gjë shpesh ngatërrohet me dembelizmin dhe lodhjen e tepërt, kur në fakt është shenjë e një depresioni atipik.

Arsyet pse dikush në depresion mund të flejë shumë

1.Ndjehen të sigurtë

Depresioni mund t’ju shqetësojë vërtet. Ekziston një frikë e vazhdueshme për shumë gjëra së bashku. Këto mendime janë aq të zhurmshme, sa do të dëshironit të ndalonin menjëherë. Ju bëheni të pambrojtur dhe gjithçka duket kaq dërrmuese.

Gjumi është koha e vetme, kur ndiheni të sigurt. Kur flini, mund të vendosni gjithçka në pritje. Ju qëllimisht dëshironi të shkoni në një gjendje mendore të pavetëdijshme për ta shmangur depresionin.

2.Dilema e mungesës së dëshirës për të jetuar apo vdekur

Njerëzit depresivë shpesh e humbasin interesin për jetën e tyre. Ata nuk arrijnë të gjejnë ndonjë kuptim apo qëllim për jetën e tyre.

Ka raste kur duan të vdesin, por nuk e gjejnë guximin për suicid. Ndonjëherë ata duan të jetojnë, por nuk mund të gjejnë arsye për të jetuar.

Shumë persona përballen me këtë dilemë dhe gjejnë rehati në gjumë. “Lufta” e vazhdueshme midis dëshirës për të vdekur dhe për të jetuari i lodh ata. Gjumi është si një largim nga ky realitet për këta persona.

3.Ndalon nga ripërjetimi i traumës

Kur jemi në depresion, ne nuk dëshirojmë të kujtojmë ose rijetojmë ato gjëra që na kanë çuar në atë gjendje të rënduar psikologjike.

Ne duam t’i harrojmë ato dhe të përpiqemi të ecim përpara. Por disi ato vazhdojnë të kalojnë në mendjen tonë.

Gjumi është një mënyrë përmes së cilës ato kujtime dhe trauma mund të ndalen. Njerëzit në depresion mund ta përdorin gjumin për të shmangur ripërjetimin e traumës.

4.Lodhja

Depresioni tenton të nxjerrë jashtë të gjithë energjinë. Të lodh fizikisht, mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht.

Personat që vuajnë nga depresioni, ndiejnë lodhje të vazhdueshme trupore dhe mendore.

Depresioni “e mashtron” trurin tuaj për të besuar se jeni të lodhur dhe keni nevojë për pushim.

5.Jeta duket si një makth

Kur jeta është një makth, më besoni ëndrrat janë thjesht argëtim. Jeta e një personi me depresion është e ngatërruar me shumë emocione dhe ndjenja. Zgjimi në mëngjes duket si një detyrë. Shtrati bëhet zona e rehatisë dhe mendimi për ta lënë atë është i tmerrshëm.

Kur filloni të keni frikë nga jeta juaj, gjumi është një mënyrë shpëtimi nga kjo frikë e vazhdueshme.

6.Pushim nga vuajtjet

Një person në depresion mund të vuajë shumë. Dhe dëshira për t’i dhënë fund vuajtjes është e zakonshme në të gjitha llojet e problemeve mendore dhe fizike. Gjumi tenton të sigurojë lehtësim të përkohshëm dhe u jep personave një pushim nga vuajtjet.

Unë gjithmonë shkoj të fle sa herë që ndihem i mërzitur. Dhe sinqerisht nuk e dija pse e beja këtë gjë. Por tani e di, e bëj për të siguruar një pushim nga dhimbja ime.

7.Dëshironi të mos mendoni ose të mos ndjeni gjë

Depresioni ka kontroll të plotë mbi mendimet dhe ndjenjat tuaja. Këto mendime dhe ndjenja vazhdojnë t’ju shqetësojnë gjatë gjithë ditës. Gjithçka që dëshironi është që ato mendime të ndalojnë.

Ju nuk dëshironi të mendoni apo ndjeni asgjë dhe gjumi jua siguron këtë gjë. Kur fillon depresioni, gjumi mund të jetë një strategji e shëndetshme përballimi. Por çdo gjë e tepërt është e keqe, duke fjetur shumë nuk e lehtësoni dhimbjen tuaj.

Këto arsye ju shtyjnë drejt shmangies së ashpërsisë së gjendjes suaj. Mund të provoni të konsultoheni me një mjek. Nëse ky është një hap shumë i madh për ju, provoni të flisni me një mik ose një të besuar.

Si ta thyeni ciklin vicioz të gjumit të tepërt për të shmangur ndjenjën e depresionit?

Të konsultoheni nga një terapist do të jetë gjithmonë sugjerimi im i parë. Por e di që është më e lehtë që një gjë e tillë të thuhet sesa të bëhet.

Pra, më poshtë do të mund të lexoni disa ndryshime të vogla që mund të bëni për të shmangur gjumin e tepërt.

1.Vendosni një alarm paralajmërues.

Vendosni 2 ose 3 (sado që dëshironi) alarme paralajmëruese përpara kohës aktuale të zgjimit. Mund të jetë në intervale të barabarta prej 30, 15, 10 minutash. Kjo ju ndihmon të përgatiteni për t’u zgjuar. Unë e përdor shumë këtë truk.

2.Ndizni sa më shumë drita në shtëpi.

Dritat janë diçka që sinjalizon menjëherë trurin tuaj të zgjohet. Mund t’i hapni perdet para se të flini, në mënyrë që sapo të lindë dielli, dhoma juaj të ndriçohet.

Ju madje mund t’i kërkoni familjarëve ose miqve tuaj që të ndezin dritat e dhomës tuaj 10-15 minuta para kohës së zgjimit.

3.Qëndroni konsistent

Konsistenca është çelësi. Ju duhet të bëheni të qëndrueshëm duke mos e tepruar, edhe gjatë fundjavave. E di që kjo nuk është ajo që dëshironi të bëni. Por mos lejoni që trupi juaj të ndiejë rehati duke fjetur shumë. Pra, ndiqni orarin tuaj të gjumit në mënyrë rigoroze pa ditë devijimi nga regjimi i përhershëm.

 

Bebe Rexha fotografohet me të dashurin rrugëve të Kalifornisë

Këngëtarja Bebe Rexha dhe producenti Keyan Safyari tashmë e kanë bërë publike lidhjen e tyre dhe nuk hezitojnë të dalin bashkë para paparacëve.

Së fundmi, ata janë fotografuar në Santa Monica, Kaliforni.

Pasi shijuan një drekë në restorant, Bebe dhe Keyan u panë duke u përqafuar dhe dukeshin shumë të dashuruar.

Keyan është pronar i Moving Images Entertainment, një kompani globale e shërbimeve të prodhimit të filmit e televizionit me qendër jashtë Los Anxhelosit.

“Dy rusët dhe ukrainasi  agjentë”/ BIRN: Dritëhijet e akuzave për spiunazh

Në kafazin e tejdukshëm të një salle gjyqi në Gjykatën e Elbasanit, 23-vjeçari rus Mikhail Zorin dhe 24 vjeçari ukrainas, Fedir Alpatov u shfaqën njëri pas tjetrit me pranga në duar mesditën e së mërkurës, të ndarë nga një punonjës policie.

Svetlana Timoveefa, blogerja 33-vjeçare ruse e njohur gjithashtu si Lana Sator u ul një rresht më pas, e rrethuar nga katër policë.

Tre të rinjtë u akuzuan për spiunazh dhe goditje për shkak të detyrës nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, por dyshimet dhe provat mbetën të panjohura, pasi Ajazi i konsideroi ato si “sekret”.

“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision, të rekrutuar nga shërbimet e intelegjencës ruse me detyra të përcaktuara,” thuhet në kërkesën për masë sigurie të Prokurorisë së Elbasanit.

Çështja u trajtua me sensitivitet edhe nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila pak minuta pas nisjes së seancës i mbylli dyert për mediat. Në fund të seancës, gjyqtarja pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën e “arrestit me burg” – vendim i cili u kundërshtua nga avokatët.

Sajmir Visha, avokat i zgjedhur nga ukrainasi Alpatov deklaroi se klienti i tij nuk ka të bëjë “në mënyrë kategorike me shërbimet ruse”.

Demir Çiftja dhe Aldi Kaçi, dy avokatë të caktuar kryesisht për Mikhail Zorin dhe Svetlana Timofeeva i kundërshtuan gjithashtu pretendimet e Prokurorisë, por mbajtën qëndrime të ndryshme për masën e arrestit.

Kaçi kërkoi lirimin e menjëhershëm të Timofeevës, ndërsa Çiftja e konsideroi të ligjshëm arrestimin e Zorin për shkak të përplasjes me ushtarët, por shtoi se “klienti i tij ishte trembur dhe reagoi për vetëmbrojtje”.

Timofeeva, Zorin dhe ukrainasi Alpatov njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtrake të “Luftës së Ftohtë”.

Përfshirja e tyre në incidentin e ndodhur në afërsi të ish-uzinës mekanike të armëve në Gramsh ngjalli reagime të menjëhershme dhe fitoi vëmendje ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë.

“Nuk është spiune”

Svetlana Timoveefa, e njohur gjithashtu si Lana Sator, ka një status të veçantë mes Urbex.

“Ajo bën fotografi të mrekullueshme,” thotë Maria Passer, një blogere ruse që punon aktualisht në Bangladesh dhe shoqe udhëtimesh me Timofeevën.

“Ajo është një fotografe e apasionuar me vendet e braktisura dhe të rrënuara, nuk është një spiune,” shtoi ajo në një bisedë telefonike me BIRN.

Passer tha se kishte udhëtuar në 10 shtete të ndryshme së bashku me Timofeevën, pa llogaritur një sërë destinacionesh të tjera në Rusi. Në vitin 2018, dy vajzat kishin vizituar për herë të parë edhe Shqipërinë – përmes një udhëtimi nga veriu në jug si “backpackers”.

Passer tregon se ato udhëtuan me “auto-stop” dhe fjetën në familje që ofrojnë një krevat të lirë për turistë me buxhet të ulët. Megjithatë, ajo kujton si kulminacion të udhëtimit vizitat në bazën e aviacionit në Gjadër të Lezhës dhe tunelet e nëndetëseve në Pashaliman.

“Nuk patëm asnjë problem,” kujton Passer, duke qeshur me nervozitet nga frika se mos rrëfimi i saj për hyrjen në bazat ushtarake mund ta rëndojë më tej situatën e Timofeevës. Por ajo shton se bazat nuk ishin të ruajtura.

“Në Gjadër dikush po kulloste bagëti, ndërsa në tunelin e nëndetëseve [në Pashaliman] hymë përmes një vrime në një derë të blinduar, që ishte krijuar më herët,” shton ajo, ndërsa nis më vonë një foto të derës së blinduar.

Timofeeva u rikthye sërish në Shqipëri në vitin 2019. Ajo fotografoi uzinën e armëve në Poliçan dhe një sërë zonash të tjera, të cilat i publikoi në Instagram – pa shkaktuar asnjë problem.

Edhe Yuri Zorin, babai i 23 vjeçarit Mikhail Zorin i tha BIRN se i biri ishte i apasionuar pas “qytetërimit të harruar dhe të ndaluar” dhe vizita e tij në Shqipëri nuk kishte asnjë “qëllim sekret”.

“Unë nuk i di të gjitha rrethanat e asaj që ka ndodhur, informacionin e kam marrë vetëm nga media. Por unë jam avokat me profesion dhe jam i bindur që gjithçka ka ndodhur në uzinën e armëve në qytetin e Gramshit, është një keqkuptim monstruoz dhe që në asnjë mënyrë nuk mund të kualifikohet si spiunazh,” tha ai përmes një letre të dërguar në aplikacionin Whatsapp.

Yuri Zorin tha se i biri ishte diplomuar në një universitet shumë të mirë të Teknologjisë Kimike në Moskë, por ishte zhvendosur prej një viti në Pragë, ku kishte mësuar gjuhën dhe kishte fituar të drejtën për të bërë një Master.

Ai shtoi se pavarësisht studimeve, të birit i pëlqente “turizmi i paorganizuar” – çka ishte dhe plani i tij për këtë verë.

“Si rregull ai kishte me vete biçikletën, një çantë shpine dhe një tendë. Ai planifikonte të vizitonte Greqinë, Kroacinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë,” tha Yuri Zorin, ndërsa shtoi se i biri ishte takuar me Timoveefën dhe Alpatov më 17 gusht.

Vetë ai kishte komunikuar me të birin deri pasditen e 20 gushtit.

“Mesazhin e fundit nga Mikhail e kemi marrë më 20 gusht rreth orës 2 pasdite. Na dërgoi një foto, tha që po binte shi dhe që ai dhe miqtë e tij ishin në makinë. Pas kësaj komunikimet u ndërprenë,” shkroi Yuri Zorin.

Kirill Permyakov, një tjetër pjesëtar i Urbex që jeton në Berlin, i tha BIRN se i njihte të tre të arrestuarit dhe se nuk e besonte akuzën e ngritur ndaj tyre. Ai shtoi gjithashtu se Zorin dhe Alpatov kishin vizituar Gjermaninë përpara se të mbërrinin në Shqipëri – por planet e tyre të eksplorimit nuk ishin materializuar.

“Më kërkuan t’i takoja kur ishin këtu. Kishim në plan të vizitonim vende të braktisura në Gjermaninë Lindore, por unë nuk isha i lirë në atë kohë,” tha Permyakov.  I riu thotë se ndjehet keq që miqtë e tij ishin ndaluar dhe mendon se ata kanë bërë budallallëk që kanë kundërshtuar rojet duke përdorur spray – por lënda sipas tij ishte shumë e zakonshme për eksploruesit urbanë.

“Unë shpresoj në një hetim të ndershëm,” tha ai, ndërsa shtoi se kishte ndjekur udhëtimin e tyre në Shqipëri përmes fotove të postuara në rrjetet sociale.

Pikëpyetjet e hetimit

Sipas kërkesës për masë sigurie të Prokurorisë së Elbasanit, akuza e spiunazhit apo dyshimet se tre blogerët ishin rekrutuar nga shërbimet ruse bazohen në seancat e pyetjeve të tre të ndaluarve.

Por në një intervistë me BIRN të martën, prokurori Kreshnik Ajazi tha se i kishte klasifikuar ato si “sekret”, duke u bazuar në nenin 279 të Kodit të Procedurës Penale që i jep të drejtën prokurorisë që të mos i ndajë me të akuzuarit provat që i konsideron të rëndësishme për vijimin e hetimeve.

“Prokurori ka urdhëruar ruajtjen e sekretit të akteve të hetimeve paraprake që i përkasin deklarimeve të këtyre shtetasve të huaj,” thuhet në kërkesën për masë sigurimi.

Ajazi i tha BIRN se këto akte konsideroheshin aq sekrete sa për momentin “nuk do t’ia vinte në dispozicion as gjykatës”.

Megjithatë, tre avokatët e caktuar nga gjykata për të ndjekur procedurën e marrjes në pyetje të të arrestuarve mohuan për BIRN që të kishin dëgjuar dëshmi inkriminuese nga ana e tyre.

Avokati Demir Çiftja këmbënguli në një intervistë me BIRN se Mikhail Zorin nuk kishte pranuar asnjë akuzë në prani të tij. Ai relativizoi edhe përplasjen e të riut rus me ushtarët e uzinës mekanike të Gramshit, ndërsa e konsideroi sulmin jo të një rëndësie të tillë që të justifikonte masën e “arrestit me burg”.

“Ka përdorur një spraj që mund të gjendet kudo nëpër supermarket,” tha avokati, duke ironizuar pretendimet se bëhej fjalë për lëndë “neuro paralizuese”.

Çiftja tha gjithashtu se Zorin nuk kishte dukjen e një spiuni, por atë të një turisti “me çantë në shpinë dhe me këpucët me baltë”.

Aldi Kaçi, i cili përfaqësoi Svetlana Timofeeva gjatë marrjes në pyetje dhe në masën e sigurisë, pohon të njëjtën gjë.

“Ajo ishte shumë e qetë. I ka mohuar akuzat,” tha Kaçi. Avokati që ishte i pranishëm në dëshminë e ukrainasit Fedir Alpatov, po ashtu pohon mohimin e akuzave.

Avokatët e caktuar kryesisht i thanë BIRN se kishin pasur vetëm një moment të shkurtër “vetëm për vetëm” me të akuzuarit. Gjatë këtij momenti, Zorin kishte kërkuar të kontaktonte familjen, Timofeeva kishte kërkuar të dinte se kur do të dilte në gjykatë, ndërsa ukrainasi Alpatov kishte kërkuar të vihej në kontakt me ambasadën ukrainase në Tiranë.

E pyetur nga BIRN nëse kishte pasur kontakt me Alpatov, ambasada ukrainase në Tiranë tha se ishte në pritje të lejes nga organet kompetente.

“Ambasada po heton të gjitha rrethanat e rastit dhe do të mbrojë shtetasin e saj në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar,” tha ambasada ukrainase përmes një zëdhënëseje.

Ndërsa ambasada ruse në Tiranë njoftoi se kishte bërë një notë për Ministrinë e Jashtme, duke pretenduar se nuk ishte informuar për ndalimin e shtetasve të saj dhe incidentin.

Avokati i ri i Alpatov i zgjedhur nga familja e tij, Sajmir Visha, kërkoi pavlefshmëri totale të deklarimit të tij të mëhershëm. Visha i tha BIRN në një telefonatë se i mbrojturi prej tij ishte pyetur në rusisht dhe jo në gjuhën amëtare.

“Ai është ukrahinas, ligji kërkon që të pyetet në gjuhën amtare,” tha Visha.

Aventurë në kohën e gabuar!?

Incidenti i 20 gushtit në ish-uzinën e armëve në Gramsh si dhe arrestimi i dy të rinjve rusë dhe një ukrainasi u pasua me akuza të ndërsjellta politike lidhur me sigurinë kombëtare në Shqipëri.

Duke iu referuar vizitave të mëparshme të Timofeevës në bazat ushtarake, përfaqësues të opozitës i mëshuan mungesës së mbrojtjes dhe cenimit të sigurisë kombëtare, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se opozita po e përdorte incidentin për interesat e veta.

Por përtej akuzave me agjentura ruse, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi konfirmoi se uzinat nuk ishin sekrete dhe se ishin tashmë një “atraksion aventurierësh”.

Peleshi tha se këto mjedise ishin të vizitueshme e të fotografueshme, nëse pajiseshe me leje nga autoritetet.

“Siguria kombëtare nuk është cënuar”, shtoi ai.

Në komunitetin Urbex, Shqipëria është një destinacion popullor.

“Shqipëria është e njohur për objektet e Luftës së Ftohtë,” tha Kirill Permyakov nga Berlini.

Edhe Maria Passer e përshkruan vizitën e vitit 2018 në Shqipëri si emocionuese për shkak të historisë së pazakontë, të ngjashme me atë të kohës së Stalinit si dhe mijëra bunkerëve.

Passer thotë se u kishte ndodhur të ndaloheshin nga rojet e sigurisë, të shoqëroheshin në polici dhe të liheshin të lirë, por u kishte ndodhur edhe që rojet të “ktheheshin në guida dhe t’i shoqëronin në godinë”.

Por ndryshe nga herët e tjera, një luftë po ndodh në Ukrainë dhe situata botërore ka ndryshuar.

“Nëse do të kishte ndodhur dy vite më parë, nuk do ishte aksident serioz, por për shkak se po ndodh tani, qeveria shqiptare është duke kërkuar shpjegime dhe qëllime sekrete,” përfundoi ajo.

Putin “përgjak” ditën e pavarësisë, 15 viktima e dhjetëra të plagosur nga sulmi me raketa

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vdekur pas një sulmi në stacionin hekurudhor në rajonin e Dnipropetrovsk, në Ukrainë, nga raketat ruse.

Ndërsa rreth 50 persona të tjerë bëhet me dije se kanë mbetur të plagosur. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti ukrainas Volodymir Zelenksy.

Ndërkohë Rusia nuk ka komentuar mbi sulmin e supozuar, i cili ndodhi në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës dhe në përvjetorin gjashtëmujor të pushtimit rus.

Shkak u bë lopa/Policia del me njoftim zyrtar: Ja si ndodhi plagosja në Kurbin

Të shtëna me armë u raportuan mbrëmjen e sotme në Gjorm të Kurbinit.

Sipas informacioneve të para shtetasi Rasim Tafa mbeti i plagosur pasi u qëllua nga fqinji i tij Met Lika.

Mësohet se dy bashkëfshatarët janë konfliktuar për një sherr banal mes tyre. Shkak i sherrit është bërë lopa e Tafës, e cila kishte hyrë në tokën e autorit.

Kjo gjë si duket ka ndezur debatit me Likën, i cili nuk ka nguruar të marrë armën dhe të qëllojë mbi Rasim Tafën duke e lënë të plagosur.

Njoftimi i policisë:

Kurbin / Plagosi me armë zjarri për motive të dobëta një 53-vjeçar, falë reagimit në kohë të Policisë kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Në fshatin Gjormë, Kurbin, rreth orës 20:15, shtetasi M. L., 41 vjeç, banues po në këtë fshat, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, me bashkëfshatarin e tij, shtetasin R. T. 53 vjeç, e ka plagosur me armë zjarri 53-vjeçarin, i cili është dërguar në spital, për ndihmë mjekësore.

Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta dhe profesionale policore, është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale, autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi M. L.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, ndodhet në vendin e ngjarjes dhe vijon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentinin ligjor të saj.

 

Detaje të reja nga ngjarja në Kurbin, zbulohet emri i autorit të plagosjes

Të tjera detaje janë zbuluar për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në Kurbin, ku një shtetas i identifikuar si Rasim Tafa u plagos me armë zjarri.

Burime pranë bluve të Kurbinit bëjnë të ditur se policia ka arrestuar Met Likën si autor të dyshuar të ngjarjes.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të ccastit mes dy bashkëfshatarëve.

Ndërkohë që i plagosuri, Rasim Tafa është në spital.