zoom

Day ArchiveLaçi zyrtarizon trajnerin e ri, kurbinasit zgjedhin malazezin që zhgënjeu në premierë

Laçi nuk humbet kohë dhe zyrtarizon trajnerin e ri. Duket e pabesueshme, por kurbinasit rikthejnë në skuadër Dejan Vukicevic, i cili zhgënjeu në aventurën e parë.

Në sezonin e kaluar malazezi ishte në rolin e “timonierit” të skuadrës, por u shkarkua në fillimin e kampionatit prej rezultateve të dobta.

Megjithatë, këtë herë duket se presidenti Pashk Laska, beson se Vukicevic do të mund të ketë një rrugëtim të suksesshëm dhe të udhëheqë ekipin në kampionat aty ku sezonet e fundit, Laçi është futur me pretendime madhore duke mos menduar thjesht për prezencën në Kupat e Europës.

Vlen të theksohet se 54-vjeçari prej kohës kur u nda me kurbinasit nuk është angazhuar me ndonjë skuadër tjetër dhe kështu rikthehet të vijojë karrierën aty ku e ndërpreu vjet. /zoom.al/

Vllaznia ëndërron titullin, Josa analizon merkaton dhe tregon çfarë mund të arrijnë në Superiore

Vllaznia nuk pati fat në shortin e Conference League. Ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë, u përball me rumunët e Universitatea Craiova, që eliminuan kuqeblutë me rezultatin e përgjithshëm 4-1.

Tani është fokusi te sezoni i ri, që nis më 20 gusht. Tifozët shkodrane presin titullin kampion, që mungon prej vitit 2001. Trajneri Mirel Josa preku disa tema në prononcimin për mediet.

Ecuria e skuadrës – Duhen sqaruar shumë probleme, sepse normalisht gjatë kësaj periudhe, kemi filluar punën dhe ka qenë një punë e ndërthurur, qoftë për pjesëmarrjen tonë në Europë, edhe për vazhdimësinë për sa i përket fillimit të kampionatit, që do thuajse tre javë. Në çdo punë që punon ka probleme. Ne duhet të mësojmë si t’i përmirësojmë këto probleme të cilat do të na dalin: qoftë te skuadra, qoftë në mënyrë loje, qoftë në impenjimin e skuadrës në stërvitje, qoftë në impenjimin e klubit në realizimin e kërkesave tona. Te kjo e fundit s’kemi pasur asnjë problem.

Merkato – Nëse e keni parë që nga fillimi mënyrën se si unë dua ta ndërtojë skuadrën, sepse nuk duhet të bëhet skuadra me shumë ndryshime nga viti në vit. Unë them që kemi bërë mirë deri në këtë periudhë. Seç do të bëjmë këtë 3-javorsh deri në mbyllje e merkatos na mbetet të presim, skuadra ka nevojë për afrime.

Europa – Duhet të mësojmë nga ndeshjet europiane. Skuadra ka nevojë për përmirësime, të cilat do na bëjnë të përmirësojmë mënyrën e punës. Edhe në Shkodër patëm probleme në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishim më të qartë se çfarë kërkonim. Ne duhet të kishim një mbështetje shumë më të madhe, por ishin të markuar shumë mirë lojtarët që janë pika referimi për ne.

Sulmi – Çdo trajner do lojtarin sulmues, por unë kam besim te dy lojtarët që kam këtu. Ka të bëjë ana psikologjike dhe si do e përballojnë lojtarët. Kërkojmë cilësi më të madhe për repartin e sulmit. /zoom.al/ 

 

 

 

 

 

 

 

Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të mërkurën se misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovës, mbetet i gatshëm të ndërhyjë nëse “rrezikohet qëndrueshmëria”.

Ai e ritheksoi këtë qëndrim të aleancës në një postim në rrjetet sociale, pas një bisede që zhvilloi të mërkurën me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, lidhur me tensionet e së dielës në veriun e Kosovës. Një ditë më parë ai bisedoi rreth situatës edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes diplomacisë. Misioni i NATO-s, KFOR-i, mbështetur në mandatin nga Kombet e Bashkuara, qëndron i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet qëndrueshmëria”, shkroi sekretari Stoltenberg.

Bashkimi Evropian ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç që të takohen në Bruksel për të diskutuar në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga blloku, në mënyrë që të shmangen tensionet si ato të fundit në veriun e Kosovës.

Zyrtarët në Bruksel nuk dhanë ndonjë afat se kur mund të ndodhë takimi, ndërsa në Prishtinë dhe në Beograd flasin për pjesën e dytë të muajit gusht.

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Zërin e Amerikës se “kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur i gatshëm për takimin e radhës të përgatitur mirë dhe për çështje dypalëshe. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian dhe nëse do të ketë një takim të radhës, ai pritet të zhvillohet në javën e tretë të këtij muaji”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha mbrëmë se do të shkojë në takim në Bruksel me 18 gusht, por nuk pret asgjë nga këto bisedime me kryeministrin Albin Kurti.

Paralajmërimi i takimit pasoi shpërthimin e tensioneve të dielën në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kur grupe qytetarësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar planet e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia.

Qetësia u rivendos pasi qeveria e Kosovës pranoi kërkesën amerikane për një shtyrje 30 ditëshe të zbatimit të vendimeve.

Pas kësaj zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se “çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane”.

Të mërkurën, njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile dhe mediave nga komuniteti serb në Kosovë u bën thirrje qeverive në Beograd dhe Prishtinë që siç thanë të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm dhe të zëvendësojnë retorikën nxitëse me dialog konstruktiv, ndërsa kërkuan nga vendet e Kuintit që sa më shpejt të krijojnë hapësirë për dialog në nivel politik.

Organizatat i bën thirrje edhe Listës Serbe, subjektit kryesor serb në Kosovë që të marrë përgjegjësi dhe të krijojë një kanal institucional të komunikimit me kryeministrin e Kosovës, përveç komunikimit me Beogradin.

Por, Lista Serbe nëpërmjet një komunikate të publikuar sot akuzoi qeverinë e Kosovës për qëndrime antiserbe dhe që nuk është e interesuar për paqen. Kjo listë tha se qëllim politik i saj është rrëzimi i qeverisë së kryeministrit Kurti.

Vëzhguesit thonë se zgjidhja e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet përmes një procesi të bisedimeve të përshpejtuara, të cilat sipas tyre nuk do të krijonin hapësirë për rritjen e tensioneve.

 

 

 

Rasti i parë i aksidentit ujor në vend/ I mbijetuari i Jalës ende në spital

Agustin Sefa, 31-vjeçari i cili po pushonte në jug të vendit me të fejuarën e tij, i shpëtoi vdekjes pasi u godit nga një skaf buzë bregut të detit dhe që prej datës 16 korrik ai vijon të marrë trajtimin mjekësor në spitalin ushtarak në Tiranë sepse ka dëmtime të rënda.

Këto janë pamjet e trupit të lënduar të 31-vjeçarit në pavijonin e kirurgjisë në spitalin e Traumës.

Ai është fatlum që i ka mbijetuar aksidentit përgjatë pushimeve, por që në një intervistë ekskluzive për Top Channel tregon tmerrin e përjetuar nga dhimbjet e plagëve të rënda.

Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar operacion pas operacioni, por që sërish për shkak të një pakujdesie jo nga ana e tij, organet e brendshme i ka të dëmtuara duke i pamundësuar ecjen. Pranë shtratit i qëndron gjatë gjithë kohës e ëma, e cila përveç vështirësive ekonomike po vuan bashkë me dhimbjet e të birit.

“Unë kam qenë në gjendje kome, nuk mbaj mend asgjë , kam gati 10 ditë në gjendje kome edhe tani kam ardhur në vete. Por kam shumë dhimbje e tani do vijë ajo(mjekja) të më bëjë qetësues”, tha Agustini.

-Po e dashura juaj si është ?

“Ajo është pak më mirë , ka dalë nga spitali. Ndërsa unë kam gati 16 ditë jam dëmtuar në bark dhe në këmbë”, tha ai.

“Unë kam qenë në shtëpi, kur e morëm vesh e përjetuam shumë keq”, tha e ëma e Agustinit.

-A ju ka ardhur dikush nga institucionet?

“Nuk e di fare, unë kam ardhur veç këtu te çuni. Shteti i merr masat vetë , nuk di asnjë lloj gjëje!”, tha gruaja.

Për 10 ditë në gjendje kome, Agustini ia doli të ishte fatlum prej përplasjes nga gomonia pas manovrave të rrezikshme që kreu drejtuesi i mjetit dhe u rikthye në jetë.

Por pavarësisht se ishte ky rasti i parë i aksidenteve ujore gjatë këtij sezoni veror, nuk rezultoi të ishte i fundit. Përsëritja e ngjarjes me fund fatal për 7-vjeçaren, ka shqetësuar të riun i cili më mirë se kushdo e ka parë këtë tmerr me sytë e tij.

“Me thënë të drejtën kur kam parë ngjarjen e asaj gocës e kam hequr direkt, nuk e shihja dot. Më erdhi keq shumë”, u shpreh Agustini./ Top Channel

E rëndë në Gjirokastër/ Përplasen dy makina, 4 të plagosur nisen me urgjencë në spital

Një aksident i rëndë ka ndodhur para pak minutash në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, ku janë përplasur dy makina.

Ngjarja është shënuar në Urën e Kardhiqit, në kthesën që të çon drejt rrugës së re për në Sarandë, ndërsa kanë mbetur të plagosur katër persona, përfshirë edhe drejtuesit e dy mjeteve.

Një makinë “Mercedez-Benz” duket se i ka prerë rrugën një automjeti tjetër, ndërsa fatmirësisht përplasja ka qenë anësore çka evitoi një tragjedi.

Për pasoje janë lënduar drejtuesit e mjeteve respektive, si dhe dy pasagjerë të cilët janë dërguar menjëherë në Spitalin e Gjirokastrës për mjekim të specializuar. Policia Rrugore ndodhet në vendngjarje për të zbardhur shkakun e aksidentit.

“A ka ligje ky shtet?”/ Berisha: Rama dhe vampirët e tij kanë humbur ndjeshmërinë njerëzore

Kreu i PD Sali Berisha, ka mbajtur një qëndrim të ashpër lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në plazhin e Potamit ku u vra tragjikisht 7-vjeçarja.

Gjatë fjalës së tij në një takim të zhvilluar në Vlorë, Berisha tha se ky shtet nuk ka aspak rregulla dhe se sipas tij kryeministri Edi Rama dhe ministrat e tij kanë humbur ndjeshmërinë njerëzore.

“Ndodhin ngjarje ndër më tragjiket. Buzë uji, se 7-vjeçarja nuk mund të shkojë thellë e bluan, skafi i komisarit. Nuk ndodh në botë kjo. Komisari skafin të paregjistruar. E thoshte sot një qytetar shumë bukur: Ky kryeministër na thotë të dënohet ai që e kreu. Jo, ai të dënohet, por të dënohet edhe ai që e merr nga trafikant dhe e bën polic, nga polic e bën skafist, nga skafist e bën vrasës. A është kështu apo jo? Pastaj, për të larë duart, thotë vampirët politikë dhe mediatikë. Bën fjalë për vampirë politikë dhe mediatikë që reagojnë. Si të mos reagojmë kur secili nga ne mund të kishte fëmijën, vajzën, djalin, mbesën në breg. Si mund t’ia bluash fëmijën? Vampirë janë njerëzit pranë tij që ai i mbron, i mbështet. A nuk i mori jetën ambulanca Samuel Ndojit, 10-vjeçar, në Gjirokastër? Si na thanë për të? Na thanë se ajo po transportonte një grua shtatzënë me urgjencë. Një gazetar trim doli aty dhe tha është gënjeshtër. Por merrte dhe çonte pasagjerë me lekë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë na mashtroi, ai mbulonte krimin. Kurse gazetari u bë dëshmitar i të vërtetës. Ardit Gjoklaj, e murosën në plehra, ndërmarrje qeverie. Gazetari e nxori. Kush ishte vampir ai që po e fshihte apo ai që po thoshte të vërtetën? Klodian Rashën e vranë tek dera e shtëpisë. Çfarë na thanë vampirët e Edi Ramës? A nuk na thanë që u gjet revolja në pellg? Doli që s’kishte asnjë lidhje. Media dhe qytetarët reaguan. Por ai habitet, si ka mundësi një reagim i tillë. Këta kanë humbur çdo ndjeshmëri. Kanë humbur ndjeshmëritë njerëzore. Kur Samuelit i merrte jetën Samuelit me 100 km shpejtësi, Olta Xhaçka shprehte pikëllimin nga hotelet në Himarë, edhe pse ajo ishte një krizë nga më të mëdhatë që kishte vendi. Ky ngrihet dhe thotë janë vampirë. Kjo është një goditje e madhe ndaj turizmit, ndaj asaj familje, ndaj vendit. Turizmi këtë vit për fatin më të keq dëshmoi një rënie të madhe me pasoja shumë serioze.”, tha më tej ai.

Sherr në Pogradec, i riu shkon i plagosur në spital, autori shoqërohet në polici

Një sherr ka ndodhur këtë të mërkurë në Pogradec. K. C., 24 vjeç,ka shkuar për mjekim në spital, pasi dyshohet të jetë dëmtuar me mjet prerës, nga shtetasi B. V., 21 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta mes tyre.

Autori i dyshuar i ngjarjes shtetasi B. V., ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit, ndërsa shtetasi K. C., ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Pogradec/Informacion paraprak

Më datë 03.08.2022, rreth orës 19:20, në Spitalin e Korçës, ka shkuar për mjekim shtetasi K. C., 24 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet të jetë dëmtuar me mjet prerës, në lagjen nr. 3, Pogradec, nga shtetasi B. V., 21 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta mes tyre.

Autori i dyshuar i ngjarjes shtetasi B. V., ndodhet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit, ndërsa shtetasi K. C., ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

FOTO/ Donald Veshaj ia thotë hapur Borës? “Të kuptoj më mirë me sy se me fjalë”

Donald Veshaj duket se i ka hyrë seriozisht muzikës. Vetëm pak minuta më parë, ai ka paralajmëruar këngën e tij më të re.

Donaldi ka publikuar në Instagram disa foto të reja ku shfaqet në det, krahas së cilave ka shkruar një varg nga teksti.

“Te kuptoj me mire me sy se me fjale…”, janë fjalët e Donaldit që menjëherë fansat i kanë interpretuar si dedikim për Borën.

Sakaq, të gjithë janë shprehur entuziastë duke thënë se mezi po e presin ta shohin klipin e ri./abcnews.al

 

Jahti përplaset dhe vret bosin e maskave anti-Covid, dyshohet se po bënte garë me Berluskonin

Një jaht luksoz që u aksidentua në plazhet e ishullit të Sardenjës, duke lënë të vdekur milionerin britanik Dean Kronsbein që njihet për prodhimin e maskave anti-covid, dyshohet se në momentin e incidentit ka qenë duke garuar me jahtin e Silvio Berlusconit.

Një ditë e këndshme në ujë në brigjet e Sardenjës u shndërrua në tragjedi të dielën vonë, teksa jahti i Kronsbein u nis drejt vendpushimit milioner të Porto Cervo, ku ai zotëron një vilë.

Milioneri 61-vjeçar u hodh në ujë pasi jahti i tij “Magnum Amore” u përplas në një shkëmb ndërsa kapitetni ndërmori veprime evazive për të shmangur një anije tjetër.

Edhe pse ai u tërhoq ende i vetëdijshëm nga deti, Kronsbein, pësoi një atak fatal në zemër në bordin e një jahti tjetër që e shpëtoi atë.

MailOnline ka arritur të zbulojë se kapiteni i anijes Mario Lallone dhe Luigi Cortese, kapiteni i një varke të quajtur “Sweet Dragon”, në pronësi të ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, dyshohen si përgjegjës për ngjarjen.

Të dy kapitenët përballen me akuza të mundshme për vrasje nga pakujdesia dhe plagosje, dhe kjo vjen ndërsa hetuesit hetojnë mundësinë që jahtet po garonin në një zonë uji jashtë kufijve të tyre.

Hetuesit mendojnë se jahtet po “garonin” me njëri-tjetrin pasi dëshmitarët kanë treguar se dy varkat ishin në një “kurs paralel” në momentin e incidentit.

Ka gjithashtu raporte se të dy jahtet ishin në një pjesë të ujit pranë një ishulli të vogël të quajtur “Il Nibani” që është teknikisht jashtë kufijve për anije të mëdha.

Në bordin e “Amore” ishin bashkëshortja Kronsbein, Sabine dhe vajza Sophia, 27 vjeçe, të cilat u plagosën rëndë dhe u dërguan në spital për trajtim ku janë ende duke u rikuperuar.

Dy çifte të tjera që ishin gjithashtu në bord, një britanik dhe tjetri italian u plagosën lehtë dhe kanë qëndruar në Sardenjë për t’u marrë në pyetje nga autoritetet dhe avokati i Kronsbein, Egidio Caredda.

EMRI/ Zbulohet kush e porositi ekzekutimin e shqiptarit Selavdi Shelaj

Hetuesit italianë kanë arritur të zbulojnë më në fund se kush e porositi ekzekutimin e shqiptarit Selavdi Shelaj më 20 shtator në plazhin “Bora Bora” në Romë.

Sipas mediave italiane porositësi i kësaj vrasjeje ka qenë Giuseppe Molisso.

Ndërkohë Molisso i cili tashmë ndodhet në burg akuzohet edhe për porositjen e vrasjes së dyfishtë të vëllezërve Costantino që ndodhi më 13 korrik 2021 në rrethin Alessandrino.

Sipas hetuesve, vrasja e Shelajt, i njohur si Simone, i atribuohet një aksioni me karakter hakmarrës pas pritës së 14 nëntorit tre vjet më parë ndaj Leandro Bennato, subjekt që besohet se është i afërt me Molisso.

Me kërkesë të prokurorëve të DDA-së, ushtria ka njoftuar një urdhër paraburgimi në burg për Giuseppe Molisso.

Autori është 40 vjeç dhe me origjinë napolitane, ndërsa rezulton tashmë i ndaluar për një çështje tjetër kriminale.

Urdhër arresti është lëshuar edhe për Guido Cianfroça, i dyshuar serioz për gjetjen e armës së vrasjes.

Ngjarja e përgjakshme ka ndodhur pranë një kioske, ndërsa autorët që kryen atentatin u arrestuan më 17 dhjetor të vitit të kaluar.’

Ata janë Enrico Bennato dhe argjentinasi Raul Esteban Calderon. Mbi këtë të fundit tashmë rëndojnë edhe akuzat për vrasjen e ultrasit të Lazios, Fabrizio Piscitello.