zoom

Day ArchiveDOSJA/ “Ushtari” i Nuredin Dumanit del në vrasjen e Pjerin Xhuvanit

Dy drejtuesit e lartë të policisë së Elbasanit Albert Nushi dhe Nikollaq Palla u lanë në “arrest shtëpie” nga gjykata. 6 efektivë të tjerë u pezulluan nga detyra dhe për ta u dha mansa e “detyrimit të paraqitjes”.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe kallëzim të rremë, për ngjarjen e 21 prillit të vitit 2021 në Elbasan, ku mbeti i vrarë mjeku psikiatër Pjerin Xhuvani, si dhe u plagosën 4 të tjerë, mes tyre dhe një oficere policie.

ABC Neës ka publikuar pjesë nga dosja hetimore ku thuhet se edhe pse të pranishme në vendngjarje, forcat e policisë nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar vrasjen e Pjerin Xhuvanit, i cili u qëllua nga një prej mbështetësve të Partisë Demokratike.

Në dosje theksohet se dy drejtuesit e lartë të policisë Albert Nushi dhe Nikollaq Palla kanë dhënë dëshmi të rreme për ngjarjen.

Në dosje thuhet se në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja nga të cilat 12 i përkasin një pistolete Bereta ndërsa 8 të tjera nga një pistoletë tjetër që policia nuk e ka përcaktuar kujt i përket.
Në dosje del sërish emri i Nuredin Dumanit pasi në vendngjarje, ditën e vrasjes së Xhuvanit, ka qenë edhe “ushtari i tij”, Gentian Sharra i arrestuar si pjesë e operacionit “Plumbi i artë”. Sharra ishte një ndër personat që shkuan në ndihmë të Mehmet Grecës, pasi ishte kapur nga Struktura e Armatosur e PD-së pasi sipas tyre ishte duke blerë vota në favor të PS-së.

Pak ditë më parë, Gentian Sharrës iu sekuestruan 5 milionë euro pasuri, me vila, biznese dhe qindra hektarë tokë. Ai ka qenë i dënuar më parë trafik droge. Gentian Sharra cilësohet edhe si mik i ngushtë me personin më të kërkuar në Shqipëri, Talo Çela.

FOTO/ Sherr për divorcin, këngëtarja 21-vjeçare vritet nga i shoqi biznesmen

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Mexico City, ku këngëtarja 21-vjeçare Yrma Lydya, është qëlluar për vdekje nga bashkëshorti i saj 79-vjeçar, Jesus Hernanez Alcocer.

Ende nuk dihet motivi i krimit apo nëse gruaja kishte nisur procedurat e divorcit. Vrasja ndodhi të enjten në një dhomë private të një restoranti në Mexico City. Alcocer, një avokat dhe biznesmen, dyshohet se ka qëlluar këngëtaren pas një sherri.

Talenti i ri i muzikës meksikane, Lydia së fundmi kishte marrë pjesë në disa prezantime të Grandiosas 12, koncerte mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës që mbledhin këngëtarë të njohur nga Amerika Qendrore dhe Jugore.

Sipas shtypit vendas, 79-vjeçari dyshohet se ka tentuar të arratiset së bashku me truprojën e tij.

I bllokuar nga policia, burri dyshohet se ka tentuar të korruptojë agjentët për t’u arratisur.

Këngëtarja e re mësohet se kishte bërë një ankesë dhjetorin e kaluar duke pretenduar se burri i saj Jesus e kishte rrahur atë dhe e kishte kërcënuar me armë.

Tani Hernandez Alcocer dhe truproja e tij po mbahen në paraburgim në Mexico City ndërsa policia vazhdon të hetojë.

Avokati u deklarua i pafajshëm dhe kërkoi që gjyqtari ti caktojë arrest shtëpie për moshën e tij, gjë që u refuzua nga gjykata.

Shqiptari godet për vdekje një 31-vjeçar turk, policia gjermane vihet ne ndjekje 23-vjeçarit

Një 23-vjeçar shqiptar ka qëlluar për vdekje një 31-vjeçar turk, ndërsa policia është vendosur në kërkim të autorit i cili është identifikuar si Fisnik Hoxha.

Sipas policisë gjermane, ngjarja ka ndodhur në Kiel rreth orës orës 23:15 të mbrëmjes së djeshme. Turku është goditur disa herë (nuk bëhet e ditur nëse ka qenë thikë apo armë) duke marrë plagë të rënda dhe ka ndërruar jetë në spital.

Ndërkaq policia është duke kërkuar në çdo vend për shqiptarin, madje ka bërë të ditur se ka edhe një shpërblim prej 3 mijë eurosh për ata që japin informacion mbi vendndodhjen.

Ndërsa iu ka kërkuar qytetarëve që të mos komunikojnë me të nëse e hasin pasi sipas tyre mund të jetë i armatosur.

Një zëdhënës i departamentit të policisë në Kiel njoftoi se skena e krimit ishte kontrolluar nga disa njësi policore, ndërsa nuk dihet nëse është gjetur ndonjë provë e mundshme.

Për arsye të sekretit hetimor për momentin nuk jepet asnjë informacion i mëtejshëm. Trupi i pajetë i 31-vjeçarit turk i është bërë autopsi të martën ditën e sotme teksa pritet edhe rezultatet.

Sallata ruse shkakton batuta në Samitin e NATO-s që po mbahet në Spanjë

Teksa prisnin ardhjen e Presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe liderëve të tjerë botërorë në lokacionin e sigurisë së lartë të NATO-s, në periferi të Madridit të martën, zyrtarët ndërkombëtarë dhe gazetarët u çuditën teksa panë “sallatën ruse” në krye të menysë së restorantit brenda kompleksit ku zhvillohet takimi.

Përzierja e bizeleve, patateve, karotave dhe majonezës është një element kryesor në menytë e restoranteve spanjolle, por përpara një samiti në të cilin Rusia pritet të etiketohet si një kërcënim sigurie në konceptin e ri strategjik të aleancës, pas pushtimin e Ukrainës, pjata shkaktoi jo pak batuta.

“Sallata ruse në një samit të NATO-s? Jam pak i befasuar nga kjo zgjedhje e pjatës,” tha gazetari Iñaki López për median spanjolle “La Sexta”.

Megjithatë, përmbajtja e lartë e karbohidrateve të kësaj pjate duket se e kapërcen emrin e saj të dyshimtë dhe thuhet se u shit plotësisht brenda disa orësh.

Më shumë mendim diplomatik u aplikua në menynë e shërbyer për ministrat e të mbrojtjes dhe atyre të jashtëm në një banket në Pallatin “Barok Santa Cruz” në Madrid të martën në mbrëmje.

Jose Andres, kuzhinieri spanjoll pjesëmarrës edhe në serialin e Netflix, “Tabela e kuzhinierit”, i cili koordinoi vaktin, shërbeu pjatën klasike, por shtoi “feta domateje” dhe e ripagëzoi atë “sallatë ukrainase” siç ka bërë në restorantet e tij në të gjithë Spanjën.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit/ Ish-drejtuesi i policisë: Nëse do të isha në detyrë do kisha bërë terror

Ismail Elezi, ish-drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, i ftuar në News24, ka diskutuar në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit, para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ai është shprehur se nuk është normale që nga një ngjarje ku ngeli i vdekur një person dhe janë plagosur tre të tjerë, të mos ketë asnjë të shoqëruar.

Elezi shtoi se drejtuesit kanë frikë nga ajo që mund tu ndodhë ndaj nuk janë marrë veprime.

“Mendoj që veprimet e policisë kur ka ndodhur ngjarja, nuk mund të menaxhohen në atë situata. Nëse pranojmë që vijnë 3 makina me 10 vetë dhe ushtrojnë presion ndaj policisë, situata të del me sekonda jashtë kontrollit.

Por dua të theksoj që punonjësit e policisë nuk kanë vepruar si dhe kur duhet.

Qarku i Elbasanit, është një qark shumë dashamirës me policinë e shtetit e për këtë ju siguroj. Është një popull që e do e respekton ligjin dhe uniformën e policisë. Problemi i këtij rasti, mos harrojmë që patëm një ngjarje si ajo e Ditës së Verës ku u konfliktuar kryeministri me civilë.

Shtrohet pyetja e kishte informacion policia që grupe të caktuara qoftë nga PD apo PS do të ushtronin dhunë dhe terror gjatë procesit zgjedhor. A ishin marrë ata në vëzhgim?

Po ju them që me 21 ku ndodhi ngjarja të gjitha shërbimet e policisë kanë qenë të përforcuara, kanë qenë në gatishmëri. Policia në gjykimin tim e ka ditur që ky është në grup shumë i rrezikshëm në mbështetje të X apo Y kandidati, që më vjen keq që nuk kanë vepruar e janë bërë pjesë e lojës politike.

Vritet një njeri plagosen 3 të tjerë e nuk shoqërohet askush. Nëse do të isha në detyrë do kisha bërë terror në Elbasan, derisa si popull të ishte i qetë. Nuk mund të nxirren armët kur atje janë 10 efektivë policie, kush janë këta që sfidojnë shteti? Dihet që kanë mbështetje se njeriu i thjeshtë shkel semafonin e me çfarë përballet.

Mos harro se Nikollaq Palla jeton në Elbasan dhe ka frikë. Kur ke një mbështetje politike të fuqishme ai nuk ka çtë bëjë se e di se çfarë e pret nesër”, tha ai.

Vrasja e Martinit në Maliq, rrëfehet nëna e vajzës që u bë mollë sherri: Tina nuk ka pasur …

Nëna e Tina Pajollarit, vajza e cila dyshohet se ka qenë “molla e sherrit”, ku mbeti i vrare Martin Çeço mohon që e bija të ketë pasur lidhje me Valter Mollajn, një nga 3 autorët e dyshuar të vrasjes së të riut Çeço, ngjarje e ndodhur më 16 Qershor në fshatin Kolanec të Maliqit.

Sipas saj, vajza, Tina nuk ka patur raporte intime me Valter Mollajn, por familja Mollaj i ndihmonte shpesh.

“Po ne kemi me vite këtu ore se e kemi banor. Ai na bie drutë, kemi ngrënë e kemi vajtje ardhje”- ka treguar Miranda Pajollari.

Policia deklaroi menjëherë pas arrestimit të 3 autorëve se shkak i vrasjes së Martinit ka qenë sherri për një vajzë, që kjo vajzë dyshohet të jetë pikërisht Tina Pajollari, me të cilën kishte filluar të fliste i ndjeri në rrjetet sociale.

Policia dhe në media u tha se ishte Valter Mollaj i cili dyshohet se kishte lidhje jashtëmartesore me Tina Pajollarin, një vajzë 18-vjeçare. Të dy jetojnë në fshatin Marjan të Korçës dhe shtëpitë e tyre janë vetëm pak metra larg.

Tina Pajollari punonte në stanin e Valter Mollajt duke nxjerrë bagëtitë.

Gazetari: Prej sa kohësh ishte i lidhur Valteri me vajzën tuaj?

Miranda Pajollari: Valteri është i martuar, kot kanë thënë për vajzën që ka 5 vjet i dashuruar me atë.

Gazetari: Po sa?

Miranda Pajollari: Po ai është i martuar, ka 3 fëmijë.

Gazetari: Sa kohë kishte kontakte me vajzën tuaj?

Miranda Pajollari: Po ne kemi me vite këtu ore se e kemi banor. Ai na bie drutë, kemi ngrënë e kemi vajtje ardhje.

“Ata që u përfshinë në vrasjen e Xhuvanit, zotër të Elbasanit”, Gazetarja: Policia i kishte …

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje nga hetimet për ngjarjen e prillit 2021 në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Ajo thotë se ata që u përfshinë vrasjen e Xhuvanit janë zotër të Elbasanit, ndërsa policia I ka patur duart e lidhura dhe nuk mund të vepronte.

“Policia e Elbasanit është ndër policitë më problematike, sa i përket inkriminimit të saj. Elbasani është qytet problematik, nyje e trafikut të drogërave të forta, një qytet me 13-14 vrasje në harkuan e dy viteve. Besoj se ata policët i kanë pasur duart e lidhura. Çfarë mund të bënte një zv.drejtor, ku njëri rezulton i përfshirë në skandalin e “Babales”. Një zyrtar policie që komunikonte 90% të kohës me një personazh problematik. Ata personazhe janë zotër të Elbasanit, janë bosët e krimit, që sundonin Elbasanin. Nga përplasja e palëve rezulton që mosndërhyrja nga policia, solli jo vetëm vrasjen Pjerin Xhuvanit dhe plagosjen e katër personave të tjerë, por ju lejoi mbështetësve të PS të dominonin në ngjarje”.

Ironike, por e vërtetë/Mundësit rus i sjellin Shqipërisë dy medalje nga Algjeria

Është ironike, por e vërtetë. Dy mundesit rus të natyralizuar shqiptar, Zemilkhan Abakarov dhe Islam Dudaev i kanë sjellë Shqipërisë dy medalje nga lojërat mesdhetare që po mbahen në Algjeri.

Zemilkhan Abakarov u shpall kampion Mesdheu pasi fitoi 11 – 0 me egjiptianin Yehia Hafez në peshën deri 65 kilogramë, stil i lirë.

I suksesshëm ishe edhe Islam Dudaev, i cili mori medalje bronzi. Dudaev fitoi 8 – 0 me algjerianin  Abdelkader Ikkal, duke dominuar plotësisht këtë sfidë.

Turqia heq veton dhe i hap rrugën anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO

Presidenti i Finlandës Niinisto tha të martën se Turqia ka rënë dakord të mbështesë anëtarësimin e përbashkët të Finlandës dhe Suedisë në NATO, në ditën e parë të samitit të aleancës në kryeqytetin spanjoll Madrid.

Niinisto tha se përparimi erdhi pasi të tre vendet nënshkruan një memorandum të përbashkët “për të zgjeruar mbështetjen e tyre të plotë kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së njëri-tjetrit”.

Bisedimet trepalëshe midis Turqisë, Finlandës dhe Suedisë, të mbajtura në Madrid në vigjilje te samitit të NATO-s, zgjatën mbi dy orë.

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto dhe kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, diskutuan aplikimet e vendeve nordike për t’iu bashkuar aleancës, si dhe shqetësimet e Ankarasë në lidhje me këtë çështje.

Muajin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën, vendim që u nxit nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Por Turqia, një anëtare e aleancës, shprehu kundërshtime ndaj aplikimeve të anëtarësimit, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje edhe për mbështetjen e grupeve terroriste.

Stoltenberg vazhdimisht ka thënë se Turqia ka “shqetësime legjitime në lidhje me luftën e saj kundër terrorizmit.”/REL

“Dua të dhuroj 720 mijë euro”/Vlonjati bie pre e mashtrimit, paguan 20 mijë euro (Zbardhen SMS-të)

Një pensionist nga Vlora ka rënë pre e një mashtrimi në internet, madje me pasoja të rënda financiare.

Kamber Dervishaj ka paguar plot 20 mijë euro, pasi persona të ndryshëm e kanë kontaktuar në rrjete sociale me qëllim për t’i dhuruar një shumë prej 720 mijë eurosh.

Personat që qëndronin pas kompjuterit apo pas telefonit hiqeshin si një qytetare franceze, e cila pretendonte se ishte në ditët e fundit të jetës dhe donte të dhuronte këtë shumë prej 720 mijë eurosh.

Nga kjo shumë, një pjesë ishte për kishat, xhaminë dhe, pjesa tjetër për qytetarët. Ajo i ka shkruar vlonjatit se donte t’i dhuronte 370 mijë euro dhe këtu filloi historia e mashtrimit. Por, për të disbursuar këtë shumë, ai ka paguar plot 20 mijë euro, megjithëse nuk e mori kurrë shumën që iu premtua.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” u ankua Kamber Dervishaj, i cili ka treguar të gjithë historinë e mashtrimit. Ai ka në telefonin e tij një mori dokumentesh dhe një mori komunikimesh nëpërmjet Facebook dhe Whatsapp me numra të ndryshëm, të cilat iu hoqën njëherë si donatorja dhe herë të tjera si përfaqësuesit ligjorë të donatores.

Fillimisht, Kamberit i ka shkruar donatorja, e cila i është hequr si e sëmurë rëndë dhe i kishte mbetur edhe pak ditë jetë. Më pas, ajo i ka thënë se disponon pasuri të shumta, pasi kanë pasur biznese në të gjithë botën. Por, këto para’ donte që t’i dhuronte për ata që kishin nevojë. Kemberi thotë se pas këtyre komunikimeve, donatorja e lidhi me një avokat. Dhe, këtu ka filluar historia e mashtrimit.

Avokati i përpiloi një dokument, në formën e një kontrate, ku dhurues ishte Leonarda Josefina Maria Zeegers dhe banuese në Francë, e cila donte t’i dhuronte Kamber Dervishajt shumën prej 720 mijë eurosh. “Zonja Leonarda Josefina Maria Zeegers, për shkak të përkeqësimit të shëndetit të saj javët e fundit, zëvendësohet nga Maitre Thomas Olivier, për t’iu përgjigjur çdo pyetjeje në lidhje me këto fonde. Kostoja totale e këtij dokumenti dhurimi është 360 euro dhe do të përballohet nga përfituesi Kamber Dervishaj” thuhet në dokument.

Më pas, Dervishaj e ka paguar këtë shumë dhe ka pritur pasurinë. Por, më pas i kërkuan 720 euro me qëllim disbursimin e të gjithë shumës.

“Pasi e pagova dhe këtë shumë, kërkesat vijuan që duhet një shumë prej 4000 eurosh si taksë. Madje, duheshin shuma të tjera për lëvrime, taksash në bankë etj” thotë Dervishaj, i cili pohon se, nga pagesa e parë deri te ajo e fundit, ai ka paguar plot 20 mijë euro. “Disa i kam marrë borxh, kam pasur edhe bashkëshorten e sëmurë. Por, si mora kurrë ato para… Kam gjetur se disa persona ishin në Francë, paratë i kam dërguar në emra të ndryshëm. Kam gjetur se vendi i numri të telefonit ka qenë në Nigeri, Afrikë”, thotë Dervishaj.

Pensionisti ka në telefon çdo bisedë me personat që ka folur, ndërsa kërkon edhe ndihmën e organeve ligjzbatuese për të zbuluar këtë rrjet. Sipas tij, mashtrimin e ka kuptuar në momentin që u ka kërkuar një shumë për të kuruar bashkëshorten, shumë e cila nuk i shkoi kurrë. Por, në vend të këtyre, ai ka paguar plot 20 mijë euro, dhe të gjitha i ka me faturat nga pikat e transfertave të parave dhe në banka.

Megjithatë, për ekspertin Tomi Kallanxhi, këto skema janë vetëm mashtrim. “Probabiliteti që ju të fitoni këto shuma është 1 në 7 miliardë. Nuk del dikush në një ditë të bukur dhe ju dhuron 720 mijë euro. Këto mashtrime bëhen kryesisht nga vendet afrikane, ku fare mirë mund të bësh një kartë identiteti false dhe të tërheqësh këto para”, thotë Kallanxhi, ndërsa saktëson se paratë mund të gjurmohen, pasi çdo pikë e transfertave të parave ka kamera.