zoom

Day ArchiveSHBA nis një program për të mbledhur prova të krimeve të luftës në UKrainë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një program të ri për të kapur dhe analizuar provat e krimeve të luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë.

Observatori i Konfliktit synon të dokumentojë, verifikojë dhe shpërndajë prova me burim të hapur të veprimeve të forcave ruse gjatë pushtimit të Ukrainës.

Sipas programit, Departamenti i Shtetit i SHBA do të mbledhë imazhe satelitore dhe informacione të shpërndara nëpërmjet mediave sociale si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të mbajtur Rusinë përgjegjëse për çdo krim lufte.

Një platformë online do të ndajë publikisht informacionin e mbledhur për të ndihmuar në hedhjen poshtë të çdo përpjekjeje për dezinformim nga qeveria ruse, tha Departamenti i Shtetit./BBC

Rriten të sëmurët me zemër dhe trajtimet me radioterapi

Në 2021 periudhë në të cilën kulmoi pandemia nga covid-19 në spitalet publike numri i pacientëve të shtruar u rrit 17% më shumë se 2020. Nga 220,325 pacientë të shtruar në spitale në 2020, vitin e kaluar u shtruan 257,829 pacientë sipas treguesve të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Në 2021 ka pasur shitim të rasteve të trajtuara me sëmundje kardiologjie 25% më shumë se 2020. Nga 6,197 pacientë të trajtuar në 2020 7,756 pacientë të trajtuar nga paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në 2021 numri i tyre arriti në 7,756 pacientë. Shtim ka pasur edhe për pacientët e trajtuar me radioterapi. Në 2021 numri i tyre u rrit 20% më shumë në raport me 2020.

Mjekët parashikojnë se do të këtë edhe këtë vit shtim të rritjeve të rasteve të sëmundjeve kardiake, sëmundjeve tumorale, sëmundjeve metabolike e të tjera edhe për 2022 pas epidemisë së Covid-19. Mjeku i urgjencës Ilir Allkja tha për “Monitor” se shtimi i patologjive do të ndikohet nga dëmet e covid-19, mungesës së mjekëve specialistë në rrethe dhe faktorë të jashtëm si ndotja ambientale dhe kequshqyerja.

“Së pari dëmet nga infeksioni i koronavirusit janë të njohura e të panjohura. Në shumicën e individëve që kalojnë infeksionin viral, shfaqen çrregullime në koagulimin e gjakut, endotelin e enëve të qarkullimit të gjakut, metabolizmin e yndyrave, sheqernave etj, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në shëndetin e zemrës dhe të enëve të gjakut. Kjo sjell pasojë rritjen në numër të pacientëve kardiakë e jo vetëm.

Së dyti në Shqipëri ka mangësi themelore mjekësh e sidomos mjekësh specialistë. Sot ka plot qytete pa kardiologë, pa onkologë, pa endokrinologë, si dhe fshatra të tërë pa mjekë e infermier. Suksesi i kurimit të çdo sëmundjeje qëndron tek ndjekja e rregullt tek mjeku specialist dhe ai i familjes, tek ekzaminimet frekunente laboratorike etj. Si mund ta ndjekë sëmundjen e tij një pacient që jeton 50, 100 apo 200 km larg kryeqytetit apo një qyteti që ka specialist.

Nëse shtojmë edhe kufizimet dhe pamundësitë për ekzaminime laboratorike për shkak të dhënies me koncesion të laboratorëve, ndjekja adekuate e shëndetit të zemrës kthehet në mision tejet të vështirë.

Arsye të tjera mund të numërojmë shumë, të tilla si ndotja ambientale, ushqyerja e keqe, zbatimi i alternativës më të lirë në barnat që jepen nga shteti me rimbursim, (barna që janë tej të dyshimta) stresi, pasiguria etj”, veçon ai.

Në 2021 është shënuar rënie 3% e pacientëve të trajtuar nga spitalet psikiatrike dhe 20% rënie të rasteve të trajtuara nga urgjencat.

Pandemia po vret akoma, direkt dhe indirekt

INSTAT bëri të ditur se në janar-mars 2022, në vend u shënuan gjithsej 7,938 vdekje. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia kulmoi dhe u regjistrua niveli më i lartë rekord i vdekjeve në historinë e Shqipërisë, numri është 22.3% më i ulët.

Por, në raport me mesataren 2016-2019 të janar-mars, kur vendi ishte në periudhë normale, fatalitetet janë rritur me 25.3%, në një tregues që pandemia vijon të vrasë, por edhe të pasojave që ka lënë te popullata që e ka kaluar Covid-19, duke përshpejtuar rastet fatale.

Mjeku pneumolog Petrit Malaj thotë se në tremujorin e parë 2022 ka pasur valë të Covid në vend, që është një fakt që ka shkaktuar rritje të vdekjeve shtesë. Ndërkohë ai pohon se Covid-19 ka shtuar barrën e sëmundjeve në vend, duke përshpejtuar humbjet e jetëve te personat që e kanë kaluar më herët atë.

Në total, që nga prilli i vitit 2020, kur filloi pandemia, në vend janë shënuar 16.2 mijë vdekje shtesë, në raport me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor.

Ish-futbollisti i Anglisë zbulon klubin që po insiston për të afruar Armando Brojën

Armando Broja ka impresionuar në futbollin britanik me paraqitjet e tij.

Sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer në sezonin e tij të parë në Premier League, duke zgjuar interesin e shumë klubeve angleze, pavarësisht se ëndrra e tij e madhe është rikthimi në “Stamford Bridge”.

Një nga skaudrat që po insiston për të blerë kartonin e tij është West Ham.

Zgjedhjen e “çekiçëve” e përkrah edhe ish-futbollisti i njohur, Jamie Redknapp.

Tashmë në rolin e analistit të “Sky Sports” si dhe gazetarit sportiv të “Daily Mail”, Redknapp është shprehur se Broja e ka vërtetuar se është një sulmues i denjë për kampionatin anglez.

“Kam informacion që West Ham dëshiron ta blejë Brojën dhe mendoj se ai me siguri që e ka vërtetuar veten si një qendërsulmues në Premier League”, tha Jamie Redknapp. /zoom.al/

Keni shpesh dhimbje koke pasi keni ngrënë ushqim? Ja arsyeja

Dhimbjet e kokës mund të shfaqen edhe si reagim ndaj toksinave në ushqim.

Ndonjëherë simptomat e sëmundjeve të rënda janë krejtësisht të padëmshme dhe më shpesh ne nuk u kushtojmë vëmendje të mjaftueshme atyre.

Një shembull i tillë është dhimbja e kokës pas ngrënies, transmeton Telegrafi.

Kjo lloj dhimbjeje koke mund të tregojë diabetin, alergjitë dhe reagimet ndaj substancave toksike.

Kur diabeti dhe problemet e tjera në punën e pankreasit janë në sfond të kësaj simptome, atëherë ka një çrregullim në sekretimin e insulinës gjatë vakteve, shfaqen hiperglikemia ose hipoglikemia.

”Kjo çon në energji ‘urie’ të trurit, të cilën ai sinjalizon me dhimbje koke”, shpjegojnë endokrinologët.

Sipas mjekëve të klinikës “Mayo”, shkak i dhimbjes mund të jetë edhe përbërja e ushqimit. Dhimbja e kokës mund të shfaqet për shkak të reaksioneve alergjike ndaj disa ushqimeve.

“Gjithashtu, truri mund të reagojë me dhimbje ndaj shtimit të substancave toksike në gjak, të cilat sot gjenden në sasi gjithnjë e më shumë në rritje në ushqim”, thonë mjekët.

Përveç kësaj simptome, ka edhe shenja të tjera në dukje të padëmshme që mund të tregojnë diabetin, si dobësia në duar dhe këmbë, etja ekstreme e të tjera.

Diabeti konsiderohet si një nga sëmundjet endokrine më të zakonshme të jetës moderne. Me përparimin e sëmundjes, në organet e pacientit krijohen ndryshime të pakthyeshme dhe më së shpeshti preken sistemi vaskular dhe nervor, veshkat, si dhe retina. Me kalimin e kohës, diabeti mund të dëmtojë zemrën, enët e gjakut, veshkat, sytë dhe nervat.

Strakosha do t’i thotë lamtumirë Lazios, mësoni destinacionin e portierit të kombëtares

Thomas Strakosha do t’i thotë lamtumirë Lazios në verë për të shijuar futbollin britanik. Pas promovimit në Premier League, drejtuesit e Fulham, kanë nisur nga puna për të përforcuar skuadrën për sezonin e ri.

Në fokus është portieri i kombëtares shqiptare Tomas Strakosha, i cili ndonëse ka qenë titullar te Lazio për pjesën më të madhe të karrierës, dëshiron të ndryshoj ambient, pasi ka refuzuar rinovimin.

Corriere dello Sport shkraun se Fulham ka hyrë në bisedime me 27-vjeçarin, por në garë është futur edhe Southampton.

Por sot La Repubblica njofton se Strakosha është gati të bëjë kalimin në Premier League dhe është ‘i gatshëm’ të pranojë ofertën nga Fulham.

Trajneri Marco Silva është i vendosur për të forcuar ekipin aty ku ka më tepër nevojë për të mbajtur Fulham në Premier League dhe një lojtar si Strakosha do të ishte një fillim i mrekullueshëm për rekrutimin e tyre në merkaton e verës.

Strakosha ka regjistruar shtatë ndeshje pa pësuar gol në 21 paraqitje në Serie A deri më tani dhe ai gjithashtu krenohet me rekordin e tij prej 50% të ndeshjeve duke e mbajtur portën të pastër këtë sezon të Europa League.

Ai është numri një i Lazios për pjesën më të madhe të kohës së tij me bardheklatërit, ndërsa ka grumbulluar 206 ndeshje në të gjitha garat, duke e mbajtur portë të paprekura në 52 sifda.

Përvoja e tij në ligën më të mirë të Italisë do ta ndihmojë atë të bëjë lëvizjen dhe të përshtatet me Premier League dhe ky lloj nënshkrimi është ai që sigurisht do t’i bëjë tifozët e Fulham të shpresojnë për të ruajtur një vend në nivelin më të lartë të futbollit anglez. /zoom.al/

Pas golit Arbër Zeneli merr një dhuratë sinjifikative nga klubi i Reims

Sulmuesi kosovar Arbër Zeneli është rikthyer në formën e tij më të mirë.

Pas dëmtimit që e la për një kohë të gjatë jashtë fushës, futbollisti i talentuar ka gjetur përsëri minutat në këmbët e tij e bashkë me to, golat dhe asistet.

Klubi i Reims-it është i bindur në aftësitë e anësorit të Kosovës, dhe ka vendosur të zgjasin bashkëpunimin me të.

Ekipi francez ka bërë me dije se palët kanë rënë dakort për të rinovuar kontratën deri në vitin 2025.

Zeneli ka firmosur kontratën e re me Reims-in, klub në të cilin është transferuar që në vitin 2018.

Në prani të tij, ishte edhe agjeni Adrian Aliaj, i cili menaxhon edhe disa futbollist shqiptar. /zoom.al/

Robert Aliaj përplaset me Ardit Çunin: Mos më fol mua si skuth

Artisti, Robert Aliaj është përplasur me këngëtarin Ardit Çuni nëdebatin për paraqitjen e Shqipërisë nëfestivalin e “Eurovision 2022” ku vendi ynë u përfaqësua nga Ronela Hajati me këngën “sekret”.

Në emisionin “Open” në News24, Çuni tha se për fitoret në “Festivalin e Këngës” të gjithë janë kontestuar, duke përmendur edhe Rona Nishliun.

Nga ana tjetër, Robert Aliaj tha se Shqipëria pati një paraqitje jo të denjë në “Eurovisionin” që lamë pas.

Pjesë nga debati:

Ardit Çuni: Edhe për Rona Nishliun ashtu thatë…

Robert Aliaj: Mos flisni si skutha, i lini këto muhabete. Rona Nishliu ishte një diva, se kam sharë asnjëherë. Ka pasur edhe të tjerë. Rona shkëlqeu shumë, mbeti në memorien e shumë vendeve. Në atë finale Rona Nishliu u përmend si imazh. E përmendën edhe spikerat. Më erdhi mirë normal. Nuk është personale situata. Është më shumë tek unë një frustrim që vjen nga një 30-vjeçar tranzicioni. Aty s’bëhet asgjë pa pjesëmarrjen e politikës. Mos të themi që kjo këngë nuk ka qenë e kontestuar kur u shpall fituese. Unë s’do të doja që një festival si Kënga Magjike të merrte këtë.

Ardit Çuni: Të përgëzoj për skandalet që shkakton në televizionet që merr pjesë.

Robert Aliaj: Unë s’të njoh fare.

Ardit Çuni: Të shoh vetëm duke komentuar dhe festival si Kënga Magjike. Të përgëzoj që shan një koncert që ti vetë merr pjesë. Një pjesë e këngëtarëve kanë dalë nga Kënga Magjike.

Robert Aliaj: Të flasim me radhë… Unë nuk dua të merrem me njerëz anonim. Ne nuk kemi kulturë debati.

Ardit Çuni: Nuk e di për çfarë e ka fjalën zoti Aliaj. Ka përgjegjës dhe tituj në këtë delegacion.

Delegacioni drejtohet nga RTSH. Unë jam drejtor i medias në rastin konkret. Drejtorët janë pjesë e kontrollit të gjësë.

VIDEO | Liverpool thyen Southampton e Brojës për të mbajtur gjallë shpresat për titull

Liverpool arriti një fitore emocionuese duke mposhtur me përmbysje 2-1 Southampton dhe mban gjallë shpresat për titullin kampion në Angli.

Sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja, luajti për 82’ minuta, por nuk la gjurmë në këtë ndeshje.

Southampton shokoi të kuqtë e Klopp duke kaluar në epërsi me Redmond në minutën e 13′.


Në disavantazh Liverpool sulmon me të gjitha forcat dhe vendosi ekulibrin pa u mbushur gjysmëore lojë me sulmuesi Minamino (27′).

Ky fraksion u mbyll në barazim 1-1. Për ti dhënë fitoren Liverpool mendoi mbrojtësi Matip, që në minutën e 67′, shënoi për 1-2.

Me këtë fitore Liverpool ngjitet në kuotën e 89 pikëve, 1 larg Man City, dhe në ndeshjen e fundit do të shpresojnë te hapi fals i qytetarëve për t’u shpallur kampion të Anglisë. /zoom.al/

Si ndryshoi qendrimi i Berishës për marrëveshjen mes Ramës dhe Bashës

5 vite më parë kryeministri Edi Rama dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha arritën marrëveshjen që i dha fund krizës politike dhe nxorri pas gati 90 ditësh opozitën nga çadra para kryeministrisë.

Dy liderëve të kohës iu deshën tre orë që, pas bisedës kokë më kokë, të dilnin me një shtrëngim duarsh.

“Kemi një marrëveshje bazuar në paketën Mcallister + të propozuar nga SHBA”, deklaroi Basha pas marrëveshjes.

“Përsa më përket mua më lejoni të jem 100% me kryetarin e opozitës”, deklaroi Rama në komunikimin e shkurtër për mediat pas takimin tre orësh.

Një ditë më pas Partia Socialiste dhe Partia Demokratike zbardhën termat e marrëveshjes, teksa shpërndanë të njëjtin tekst të dakordësuar një ditë më parë mes Ramës dhe Bashës.

Në bazë të kësaj marrëveshje Partia Demokratike pranoi të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit të atij viti, ndërsa Partia Socialiste në këmbim pranoi të shkarkojë gjashtë ministra të kabinetit qeveritar dhe të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi, për ti zëvendësuar ata me emra të propozuar nga opozita.

Gjithashtu Partia Socialiste në kuadër të kësaj marrëveshje pranoi të shkarkojë nga detyrat drejtorët e OSHEE-së, ALUIZNI-it, burgjeve, hipotekave dhe drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, drejtori këto që konsideroheshin nga opozita si më të rëndësishmet dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në procesin elektoral.

Marrëveshja u përshëndet në atë kohë nga gjithë faktori ndërkombëtar, i cili luajti një rol deçiziv në arritjen e saj.

Gjithashtu marrëveshja Rama-Basha u përshëndet në atë kohë edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Megjithëse luante një rol jo aktiv në politik, ai kishte një ndikim mjaft të madh te demokratët dhe nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, të postuar pikërisht më 18 maj, Berisha dha “bekimin” e tij për marrëveshjen, nga e cila fitonte Shqipëria.

“Mendoj se çdo shqiptar duhet te ndjehet vertet i lehtesuar per zgjidhjen me mjete politike te kesaj krize qe kercenonte ne menyren me serioze ekzistencen e pluralizmit politik ne Shqiperi, themelet kushtetuese te shtetit demokratik, paqen sociale dhe stabilitetin e vendit. Keshtu qe pa u ndalur ne nje analize te hollesishme, e them me bindje te plote se me kete marreveshje ka fituar Shqiperia dhe se per te gjithe shqiptaret qe e duan vendin e tyre dhe vlerat e lirise, marreveshja eshte nje ëin-ëin story”, shkruante Berisha në reagimin e tij të asaj kohe.

Madje ai atëherë meritën ia njihte partnerëve ndërkombëtarë, atyre europian dhe amerikan, të cilët sipas tij bën të mundur bindjen e palëve për të arritur konsensusin.

“Me kete rast te dashur miq, le te shprehim mirenjohjen tone me te thelle ndaj miqve tane te respektuar europiane dhe amerikane per ndihmen e tyre tejet te çmuar qe dhane ne arritjen e kesaj marreveshje si dhe ndaj te gjithe atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave qe vendosen sakrificen e tyre ne themel te saj si dhe ndaj te gjithe atyre, qe me angazhimin serioz bene te mundur kete marreveshje te nje rendesie historike per Shqiperine!”, shkruante Berisha në reagimin e tij.

Këtë qëndrim Berisha nuk do e ndryshonte as pas një viti, teksa shprehej i sigurtë se marrëveshja ishte e duhura dhe se opozita kishte humbur në zgjedhje për fajë të Ramës.

“Basha, jam i bindur se nuk ka bërë asnjë kompromis me Ramën në 17 maj. Nuk ka kompromis dhe nuk kam pse t’i rikthehem më asaj marrëveshje. Rama e shfrytëzoi në mënyrë demonjale, kurse Basha i qëndroi karshi djallit. Civiliteti nuk ka vlerë”, tha Berisha në një nga deklaratat e tij mediatike më 18 tetor të 2018.

Këtë bindje ai e mbrojti deri në 2021, kur vendimi i DASH për ta shpallur person non grata do të bëhej shkak për ndarjen përfundimtare nga Basha.

Thuajse në të gjitha takimet që ai zhvilloi në kuadër të Foltores, ai do ta denonconte këtë marrëveshje si në dëm të interesit demokratëve, ndërsa Bashën do e akuzonte se kishte bërë pakt me Ramën për të krijuar një opozitë false./Zoom.al

Përfituesit e mëdhenj të programit të Rindërtimit

Është ora 12:00 e një dite marsi me diell dhe Evelina Zguro përfiton nga pushimi i drekës për t’i hedhur një sy gropës ku sapo ka nisur të ndërtohet pallati i saj në bashkinë e Vorës – rreth 16 kilometra në perëndim të Tiranës.

Gruaja mban në kokë një kapuç leshi në ngjyrë vishnje dhe ecën me padurim në një rrugë të përbaltur përbri kantierit të rindërtimit. Mes karabinave të betonit nuk duket asnjë tabelë informuese, por Evelina thotë me bindje se e di ku po hidhen themelet e pallatit të saj të ardhshëm.

“Më në fund nisi edhe gropa jonë,” thotë ajo me entuziazëm. “Pa nisur punimet, nuk ishim të sigurtë se vërtet do të na i ndërtonin”.

Evelina Zguro e humbi apartamentin nga lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pret prej dy vitesh e gjysmë që qeveria shqiptare t’ia zëvendësojë atë. Mijëra familje të tjera në zonat e prekura nga tërmeti ndajnë të njëjtin shqetësim.

Pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore në vitin 2019, qeveria shqiptare shmangu ligjin e prokurimit publik dhe aplikoi prokurime të kufizuara përmes marrëveshjeje kuadër për programin e rindërtimit, duke i argumentuar me nevojën për të strehuar në një kohë sa më të shpejtë të prekurit nga tërmeti.

Por në vitin e tretë të rindërtimit, procesi nuk ka garantuar as afatet kohore dhe as kontrata të drejta.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes analizimit të mbi 700 procedurave prokuruese të shpallura nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 10 bashkitë e prekura tregojnë se përfituesit e mëdhenj të procesit të rindërtimit janë kompani të lidhura me zyrtarë të Partisë Socialiste, fitues të mëparshëm të koncesioneve apo licensave apo kompani me financime të dyshimta.

Në krye të listës qëndron kompania “Kevin Construksion” e zotëruar nga Lavdrim Gjici – vëllai i kryebashkiakut socialist të Kukësit, Safet Gjici.

Ekspertët e financave publike në Shqipëri e kritikojnë procedurën e përshpejtuar për tenderat e programit të rindërtimit. Sipas Aranita Brahajt, drejtore ekzekutive e “Open Data Albania”, këto procedura shmangën garën dhe rritën mundësinë për favorizim dhe klientelizëm.

“Ne themi se ka 150 ndërtues të angazhuar, por aty 10-15% janë kompani vërtetë të angazhuara. Nëse i shikon këto kompani, vihet re se janë po ashtu përfituese të licencave, të lejeve të ndërtimit, janë kompani që është vënë në dyshim edhe integriteti i pronarëve të përfolur për afera kriminale,” tha Brahaj.

Administratori i kompanisë “Kevin Construksion”, Lavdrim Gjici, i konsideron të pabaza dyshimet se kompania që ai drejton mund të jetë “përkëdhelur’ me fonde për shkak të influencës politike të vëllait të tij.

“Unë jam njeri i punës, nuk merrem me fjalë,” tha Gjici për BIRN.

“Le të dalë dikush që ofron gjithë këto punime me kaq lekë sa i kam marrë unë përsipër dhe unë jam gati t’i dorëzoj licencën,” shtoi ai.

Tenderat e rindërtimit 

Evelina Zguro viziton pothuajse çdo ditë kantierin e ndërtimit në Vorë, ku sapo është hapur gropa e pallatit të saj. Foto: Esmeralda Keta/ BIRN.

Me një fond të premtuar nga donatorët prej 140 miliardë lekësh [1.15 miliardë euro], programi i rindërtimit u kthye në “vezën e artë” të kompanive të lidhur me ndërtimin, studimin apo projektimin.

Sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, gjatë viteve 2020 dhe 2021 u prokuruan kontrata me fond limit prej gati 80 miliardë lekësh [660 milionë euro] në kuadër të programit të rindërtimit.

Duke u bazuar tek një akt normativ i qeverisë “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e fituesve u bënë përmes marrëveshjeve kuadër – procedura të kufizuara ose mbi kufirin e lartë monetar, që sipas zyrtarëve kanë afate më të shkurtra të pritjes së ofertave.

Nga 127 kontrata të publikuara në vitin 2020, njëqind procedura me fond limit prej 63.4 miliardë lekësh vazhduan procesin drejt finalizimit.

Ndërsa në vitin 2021 u publikuan 145 kontrata, por vetëm 132 prej tyre me fond limit prej 17 miliardë lekësh ishin ende në faza të ndryshme të procesit.

Pavarësisht numrit të madh të kompanive të përfshira, eficensa e kësaj procedure prokuruese ka qenë në kufijtë e zeros.

Sipas një analize të Agjencisë së Prokurimit Publik, gjatë vitit 2021 u finalizuan 117 tendera me procedurë të kufizuar, ku ofertat fituese kanë qenë sa 99.3% e fondit limit. Ndërsa në procedurat e kufizuara mbi kufirin e lartë monetar, shteti ka kursyer zero lekë, pasi ofertat fituese kanë zënë 100% të fondit limit.

APP e interpreton përqindjen “në dukje të ulët” të kursimit të fondit limit me mënyrën e përllogaritjes statistikore.

“Marrëveshjet Kuadër shoqërohen me një numër të madh minikontratash, sipas nevojave të autoriteteve kontraktore, ku gjatë minikonkurseve çmimet mund të ulen edhe më shumë. Gjithashtu, theksojmё se jo detyrimisht e gjithё vlera e Marrëveshjes Kuadër ezaurohet,” thekson APP.

Fondet e rindërtimit janë administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe 10 bashkitë e prekura nga lëkundjet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, ku kryeson Bashkia e Tiranës.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se përgjatë dy viteve i janë miratuar 33.3 miliardë lekë, nga të cilat ka disbursuar 55% të vlerës ose 18 miliardë lekë. Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për të drejtë informimi.

Për ekspertët e financave publike, procedurat e ndjekura me tenderat e rindërtimit bien ndesh me të drejtat dhe liritë ekonomike si dhe nxitën krijimin e konsorciumeve të dyshimta.

Ekspertët shprehin gjithashtu shqetësimin se këto procedura sollën përjashtimin e kompanive të huaja apo të bizneseve të mesme apo të vogla në fushën e ndërtimit, duke favorizuar kontraktorët e mëdhenj të financave publike.

“Ishte procedurë e kufizuar dhe me afate të vendosura në ligj. Një kompani kishte vetëm 10 ditë kohë që të shfaqe interesin. Kjo do të thotë se u skualifikuan të gjithë kompanitë e huaja, të cilat as dokumentin apostil nuk bënin dot për 10 ditë,” tha Brahaj për BIRN.

“U përjashuan ndërtuesit e mesëm dhe të vegjël, që mund ta ndërtonin shumë mirë një shkollë por nuk mund të konkurojnë në një garë ku janë 15 objekte,” shtoi ajo.

Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se procedurat e përshpejtuara nuk e justifikuan qëllimin e tyre dhe se shumica e afateve u shkelën rrugës.

“Nxitimi është i lidhur me interesin, nuk është i lidhur me shërbimin publik, sepse emergjenca nuk zgjat tre vite, aq më tepër që kemi tejkalim të të gjitha afateve,” tha ai për BIRN.

Preçi thekson gjithashtu se në praktikat më të mira, persona me lidhje politike apo me të shkuar kriminale nuk duhet të përfitojnë nga paratë publike. Por ky nuk është sipas tij rasti i programit të rindërtimit.

Fituesit e mëdhenj

 

Programi i rindërtimit në Vorë ka ngecur për shkak të problemeve me shpronësimet. Foto: Esmeralda Keta/ BIRN.

Në procesin e rindërtimit llogaritet të jenë përfshirë mbi dyqind kompani, por kompanitë që fituan vëllime të larta pune numërohen me gishtat e dorës.

Kompania e ndërtimit “Kevin Construksion” u themelua në vitin 2006 nga Safet Gjici dhe i kaloi vëllait të tij në vitin 2014, kur Gjici u emërua fillimisht prefekt dhe më pas kryetar i Bashkisë së Kukësit.

Konsorciumi i udhëhequr nga “Kevin Construksion” dhe me partnerë Company Riviera 2008, Mela dhe Pepa Group, fitoi dy tendera me vlerë 3.7 miliardë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për ndërtimin e 1420 banesave individuale në zonat e prekura nga tërmeti.

Pavarësisht volumit të madh të punës, “Kevin Construksion” krijoi konsorcium me kompani të tjera dhe fitoi tre tendera të tjerë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia e Shijakut – duke e çuar vlerën totale më 4.7 miliardë lekë – ose 14% e të gjitha fondeve në dispozicion të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Kevin Construktion” nuk është kompania e vetme e lidhur me zyrtarë të Partisë Socialiste që fitoi tendera nga programi i rindërtimit.

Edhe kompania “Dajti Park 2007” me aksioner Lulëzim Qefalia – vëllai i deputetit socialist Xhemal Qefalia ka fituar si pjesë e një konsorciumi tre tendera me vlerë 1.3 miliardë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si dhe një tender tjetër prej 545 milionë lekësh nga Bashkia e Tiranës për ndërtime në zonën e Kombinatit.

Në listën e përfituesve të mëdhenj të tenderave të rindërtimit gjenden edhe kompanitë “Ante Group”, “Gjikuria”, “G.P.G Company” apo “Salillari” – tre të fundit kontraktorë gjithashtu të mëdhenj të qeverisë shqiptare.

Konsorciumi i përbërë nga “Ante Group” dhe “Ferro Beton & Construction Co” kanë fituar katër kontrata nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një vlerë prej 2.2 miliardë lekësh.  “Ante Group” udhëheq gjithashtu bashkime operatorësh që fituan 5 kontrata të tjera nga bashkitë me një vlerë totale prej 1.7 miliardë lekësh.

Kompania “Gjikuria” është gjithashtu mes përfituesve të mëdhenj të programit me pesë kontrata me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe dy kontrata të tjera me bashkitë e Tiranës dhe atë të Kurbinit.

Mbajtësja e koncesionit të rrugës Orikum- Llogara ka fituar në total kontrata me vlerë rreth 2.8 miliardë lekësh.

“G.P.G Company” e Paqsor Buzit – një ndër kontraktorët e shpeshtë të punëve publike në Shqipëri fitoi tendera me vlerë rreth 2.3 miliardë lekë nga programi i Rindërtimit si operator i vetëm apo si konsorcium.

Ndërsa kompania “Salillari” – gjithashtu një kontraktor i madh i punëve publike, ka përfituar tendera me vlerë 1.9 miliardë lekë nga programi i rindërtimit.

Në aktin normativ që rregullon procedurat e programit të rindërtimit, qeveria parashikon skualifikimin e çdo operatori të dënuar me vendim të formës së prerë për një sërë veprash penale – përfshirë edhe krimet në fushën e narkotikëve.

Megjithatë, kompania “Alesio- 2014” ia doli të fitojë 3 kontrata si bashkim operatorësh dhe dy kontrata të tjera si operator i vetëm me një fond total prej gati 1.5 miliardë lekë.

“Alesio -2014” është në pronësinë e Anton Gjinajt, i arrestuar në prill 2021 nga policia malazeze në përgjigje të një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet spanjolle për një dënim të pakryer për trafik droge.

Sipas Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi, Anton Gjinaj ka qenë anëtar i një organizate kriminale, e cila në vitin 2006 organizoi dhe koordinoi importimin dhe shitjen e 50 kilogramëve heroinë në territorin e Spanjës, në zonat përreth qyteteve të Murcia dhe Alicante.

Kualifikimi i kompanive si “Alesio-2014” për të fituar nga tenderat e tërmetit e shqetëson Zef Preçin.

“Alessio është kompani që e ka pronarin në burg dhe sipas legjislacionit duhet të ishte jashtë garës,” tha Preçi. “Ti nuk e pengon të bëjë biznes, nuk i mohon lirinë ekonomike, por jo të marrë lekët e taksapaguesve pa u sqaruar situata e tij,” shtoi ai.

Administratori i “Dajti Park 2007”, Lulzim Qefalia mohoi për BIRN që kompania e tij të ishte favorizuar, ndërsa shtoi se përzgjedhja e fituesve ishte bërë në mënyrë elektonike.

“Vëllai im nuk ka pasur asnjë lloj influence. Kemi qenë në konkurrim dhe madje i kemi marrë me humbje,” tha Qefalia.

Administratorja e kompanisë “Alesio-2014” nuk ishte e arritshme për koment, ndërsa kompanitë “Ante Group”, “Gjikuria”, “G.P.G Company” dhe “Salillari” nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi.

Zvarritje e afateve

Në kantierin e rindërtimit në Shijak kanë përfunduar vetëm 15.2% e punimeve. Foto: Esmeralda Keta/ BIRN.

Më 19 mars, kryeministri Edi Rama publikoi një video nga kantieri i rindërtimit në lagjen “Lugina” në Shijak –e pagëzuar prej tij me emrin e ri “Rilindja”.

…me lagjen e Rilindjes me 665 apartamente, e cila përmbyll edhe Programin e Rindërtimit në Shijak, ku për 802 familje është siguruar një strehë e re pas goditjes tragjike nga tërmeti, ju uroj një fundjavë të mbarë,” shkruante kryeministri.

Megjithatë, premtimi i Ramës duket ende një ëndërr e largët.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit tregojnë se punimet kanë ngecur në vendnumëro në Shijak dhe Vorë për shkak të problemeve të hasura me shpronësimet.

Në Shijak janë parashikuar të ndërtohen 21 pallate shtatë katëshe dhe deri në fund të marsit kishin përfunduar punimet në katër prej tyre. Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në Shijak kanë përfunduar 100 apartamente nga 656 gjithsej, ose vetëm 15.2% e totalit.

Ngjashëm edhe në bashkinë e Vorës kanë përfunduar 70 apartamente nga 405 në total, me vetëm 17.3% të punimeve të realizuara.

FSHZH i shpjegon vonesat në Shijak me ndryshimin disa herë të pozicionimit të pallateve brenda zonës që po zhvillohet, për shkak të shpronësimeve të sheshit të ndërtimit. Ndërsa në bashkinë e Vorës, Fondi tha se kontratat nuk janë bërë ende efektive si rezultat i moslirimit të sheshit të ndërtimit, gjithashtu për shkak të shpronësimeve.

Në Valias – pjesë e bashkisë së Kamzës – BIRN verifikoi se disa pallate ende në fazë karabinaje duhej të kishin përfunduar në tetor 2021, por Fondi mohoi që në këtë kantier të rindërtimit të kishte shkelje të afateve.

Në Valias kanë përfunduar 98 apartamente nga 270 në total dhe parashikohet që punimet të përfundojnë në qershor 2022.

Kompania “Kevin Construksion” nisi ndër të parat punimet për ndërtimin e dy pallateve në Shijak, por punimet kanë ngecur prej kohësh. Administratori Lavdrim Gjici fajëson bashkinë për ngecjen e punimeve.

“Shkak i vonesës së punimeve janë problemet me shpronësimet që ka hasur bashkia në këtë zonë. Ne i kemi dërguar disa herë shkresa Fondit Shqiptar të Zhvillimit për zgjidhjes e kësaj situate,” tha Gjici për BIRN.

Por kryetari i Bashkisë së Shijakut, Enton Arbana u shpreh optimist se pallatet bashkë me infrastrukturën do të përfundojnë brenda muajit korrik.

“Aktualisht kanë mbaruar 4 pallate brenda afateve që ne kishim premtuar, por nuk do të futen banorë në to, pasi duam t’i dorëzojmë të gjithë këto pallate së bashku me infrastrukturën dhe të gjithë ndërhyrjen urbane që është parashikuar në këtë zonë,” tha Arbana.

Shkenca Shkodra punon në një minimarket në Shijak dhe vonesa e punimeve e ka dekurajuar.

“Pallati im është i Gjikurisë – nuk ka përfunduar ende si karabina, sa punë ka të futemi brenda,” tha Shkodra për BIRN. “Të shpresojmë që këtë vit të ri së paku të mund të bëjmë gëzuar në shtëpitë tona,” shtoi ajo.

Brahaj nga “Open Data Albania” është gjithashtu skeptike dhe parashikon se programi i rindërtimit mund të zgjasë në rastin më të mirë deri në pesë vite.

“Ne kemi kontrata që janë bërë në vitin 2020 dhe nuk kanë filluar akoma as në vitin 2022. Ne nuk dimë a nuk kanë qenë projektet gati dhe kontratat gabimisht janë prokuruar më herët, a janë spostuar në një moment, që të mos kishte fushatë zgjedhore…,” tha Brahaj.

“Për fat të keq nuk ka afate se kur do të përfundojë,” shtoi Brahaj.

Por koha është e rëndësishme për Evelina Zguron, e cila po shpreson për ditën kur do të ribëhet me shtëpi.

“Unë këtu jam çdo ditë, sa herë kam kohë të lirë. Mezi pres që të futem në shtëpinë time,” përfundoi Zguro./reporter.al