zoom

Day ArchiveRonela Hajati në një rrëfim të sinqertë: Familja nuk më ka përkrahur

Këngëtarja Ronela Hajati, e cila tashmë ka ngjitur shkallë të larta në karrierën e saj, duket se fillimet e saj nuk i ka pasur të thjeshta.

E ftuar në “A live night”, në një rrëfim të sinqertë, Ronela tregoi se familja e saj nuk e ka mbështetur, pasi nuk e mendonin se do ishte profesioni i saj në të ardhmen. Ajo shtoi se përpos faktit që nuk e mbështesnin, ata gëzoheshin kur merrnin fjalë të mira kur ajo performonte nëpër festivale.

“Unë jam vajzë e vetme, nuk kam as vëlla as motër. Të shtëpisë time, relativisht nuk më kanë ndjekur nga pas, derisa e zgjodha si profesion muzikën, nuk kanë qenë dashamirës së kësaj gjëje. Donin që muzika të ishte një kulturë, një plus që unë të dija, përpos profesionit që nuk e mendonin të ishte muzika. Ndaj nuk është se më kanë përkrahur shumë në investim, sepse muzika në fillim do investim derisa të njihesh, këtë nuk e kam pas. Babi më thoshte nëse vlen do ecësh vetë, nuk më ke shumë për këtë gjënë. Por, gëzoheshin që merrnin fjalë të mira, kur dilja në festivale. Unë karrierën e kam ndërtuar nga festivalet se klipet ishin shumë të shtrenjta. Nisa live dhe pagesat ishin shumë të ulta”, tregoi Ronela në “A live night”.

VOA: Shqipëri, pasiguria për vendin e punës nxit emigracionin

Në Shqipëri, mungesa e kontratave, niveli i ulët i pagave si dhe dinamika politike, në nivel vendor dhe qendror, vazhdojnë të shoqërohen me rritjen e shkallës së pasigurisë për vendet e punës duke nxitur edhe emigracionin, kryesisht të të rinjve.

Pasiguria për vendin e punës vazhdon të jetë një shqetësim serioz për shoqërinë shqiptare. Ritmi thuajse i për dyvitshëm i zgjedhjeve vendore dhe politike, mungesa e kontratave të rregullta të punës, zvarritja e proceseve gjyqësore administrative mes punëdhënësve dhe punëmarrësve, pagat e ulëta apo niveli i ulët i mbrojtjes sindikale kanë ndikuar në shkallën e pasigurisë për vendin e punës, duke tkurrur fuqinë punëtore dhe nxitur emigracionin, kryesisht të të rinjve. Pedagogia Elvisa Drishti, autore e studimit mbi pasigurinë në punë, thotë se kjo është një nga shkaqet e pakënaqësisë që shfaqet në shoqërinë shqiptare.

“Shqiptarët prej natyre nuk janë të pakënaqur në mënyrë të brendshme. Nuk jena të ndryshëm nga pjesa tjetër e botës për këtë fakt. Jemi të pakënaqur sepse jemi të pasigurt në punë dhe kjo pasiguri lidhet kryesisht me institucionet. Nuk lidhet vetëm me standartin e jetesës, që mendohet se është një prej shkaqeve. Në momentin që kontrollon për këtë efekt, atëherë dalin efektet e tjera negative, të cilat vijnë prej pasigurisë në punë”.

Rajoni Shkodrës është një nga zonat me nivelin më të lartë të papunësisë në Shqipëri. Gjatë konferencës rajonale mbi tregun e punës, drejtoresha rajonale e punësimit, Rozafa Zmijani, tha se në këtë rajon ushtrojnë veprimtarinë e tyre 2388 subjekte, por pjesa më e madhe prej tyre kanë të punësuar 1-5 punëtorë, një gjë që ndikon edhe në numrin e ulët të të punësuarve.

“Rajoni ka 5470 punëkërkues të papunë. Në sistemin tonë kemi rreth 8 mijë persona të regjistruar, sepse pjesa tjetër ose janë studentë, që janë regjistruar në zyrat tona, por nuk e marrin statusin e punëkërkuesit të papunë, sepse nuk mund të punojnë 8 orë pasi nuk e lejojnë studimet, ose mund të jenë edhe nxënës shkollash, pasi në zyrat e punës regjistrohet çdo person që është mbi 15 vjeç”.
Sipas drejtoreshës rajonale të punësimit, në rajon ka vende të lira pune, por niveli i ulët i pagave dhe kushtet e punës ndikojnë në pasigurinë e punëtorëve.

“Shumica e ofertës vazhdon të jetë në sektorin e fasonerisë, i cili është një sektor ku pagat janë të ulëta dhe niveli që kërkohet është i ulët”.

Pasiguria në punë është më e lartë në sektorin privat, për shkak se në një masë të madhe punësimi i punëtorëve dhe punonjësve të administratës bëhet pa kontratë pune. Por edhe administrata shtetërore, sipas pedagoges Drishti, ndjehet e pasigurtë për vendin e punës për shkak të rotacionit politik, që krijohet nga zgjedhjet.

Kjo situatë ka ndikuar në rritjen e nivelit të emigrimit nga Shqipëria. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm nga viti 2016 deri në fund të vitit 2020 janë larguar nga vendi drejt emigracionit 139 mijë persona, pjesa më e madhe të rinj. Largimet e padrejta të punonjësve nga administrata shtetërore dhe gjyqet e fituara prej tyre, i kanë shkaktuar, vitet e fundit, buxhetit të shtetit një dëm ekonomik që llogaritet në rreth 130 milionë euro, shifër kjo mjaft e lartë për buxhetin e varfër të shtetit shqiptar.

“Ekziston pritshmëria që, nëse jam në punë në shtet nuk kam me kenë i rrezikuar, por në momentet që futet cikli politik i biznesit në lojë, atëherë për çdo 4 vjet, ose sa herë ka zgjedhje, fillon pjesa e pasigurisë në punë për shkak të preferencave politike, të cilat prap futen tek institucionet”.

Sipas të dhënave të Departamentit të Administratës Publike, vetëm gjatë vitit 2019 pati një rritje të lirimeve nga puna në masën 57.7%. Pjesa më e madhe prej tyre, sipas raportit të DAP, janë me motivacionin “ristrukturim i vendit të punës”, tregues ky që dëshmon se edhe në administratën shtetërore niveli i pasigurisë për vendin e punës është i lartë dhe kjo reflektohet në vetë funksonimin e kësaj administrate./VOA

Lewandowski i thotë lamtumirë Bayern Munich

Thashethemet e merkatos se Robert Lewandowski do të largohet në drejtim të Barcelonës tashmë kanë marrë konfirmimin. Ka qenë vetë sulmuesi polak që foli pas ndeshjes së fundit të këtij sezoni.

Lewa përshëndeti tifozët dhe në konferencën për shtyp konfirmoi se kjo mund të jetë edhe ndeshja e tij e fundit me Bayernin.

“Ka shumë mundësi që kjo të jetë edhe ndeshja ime e fundit me Bayernin. Nuk mund ta them këtë gjë me 100% siguri, por me shumë mundësi, kjo ishte ndeshja ime e fundit. Ne po kërkojmë të gjejmë zgjidhjen më të mirë për mua dhe për klubin”, tha Lewandowski pas barazimit 2-2 me Wolfsburg.

Më pas Lewandowski u pyet se çfarë do të ndodhte nëse Bayern refuzon të gjitha ofertat e ardhura. “Sigurisht, kam ende një vit kontratë. Por unë thashë se duhet të gjejmë zgjidhjen më të mirë për të dyja palët. Duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Kështu, sipas lajmeve të shumta të mërkatos, Lewandowski pritet të transferohet në Spanjë, ku e pret Barcelona. Klubet janë duke diskutuar për të gjetur zgjidhjen e duhur dhe marrëveshjen që do t’i linte të gjitha palët e kënaqura. Pas kësaj deklarate, nuk ka shumë vend për aludime.

Rudina Dembacaj rrëfen “sekretin” e jetës

Aktorja Rudina Dembacaj është një ndër personazhet më të komentuara në medien rozë. Ajo njihet për deklaratat “pa dorashka” dhe natyrën e saj energjike.

Së fundmi Dembacaj tha se dikur vishej me rroba të lira dhe ndihej shumë mirë. Madje ajo është shprehur dje në “ABC News” se ndihej më mirë se tani që vishet dhe blen gjithë kohën rroba të markave të shtrenjta.

“Mendoj që stili mund të vijë me gjëra shumë të lira. Mund të vijë me gjëra pambuku, të sajuara vetë. Do ju marrë shembull motrën time, që me lecka të vishet ka aq shumë stil sa ti nuk e kupton fare se ku i ka blerë. Ju betohem se unë kam blerë gjithë jetën rroba të lira, por edhe shumë të lira dhe jam ndjerë gjithmonë mirë, përkundrazi jam ndjerë shumë fashion. Më fashion atëherë se sa sot që kujdesem të kem për statusin marka, apo prit se duhet të jetë cilësore”, u shpreh Rudina Dembacaj.

Zelensky: Votoni Ukrainën, e gjithë bota do të dëgjojë gjuhën tonë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim në finalen e madhe të Eurovision-it. Zelensky i bën thirrje Europës të votojë për Ukrainën.

“Së shpejti në finalen e Eurovisionit , kontinenti dhe e gjithë bota do të dëgjojnë fjalët e gjuhës sonë. Dhe besoj se në fund kjo fjalë do të jetë ‘Fitore’! Evropë voto Orkestrën Kalush “, tha Zelensky.

Grupi folk-rap i Ukrainës Kalush Orchestra është kualifikuar në finalen e madhe të Eurovision dhe është një nga pretendentët kryesore për fitoren.

 

 

Vrioni impresionon në Austri, gol dhe dy asiste në triumfin e Tirol

Xhakomo Vrioni shkëlqen në kampionatin austriak duke shënuar sërish për Tirol në fitoren 4-2 ndaj Hartberg.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare me golat e tij po bën që Tirol të ëndërroj pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.

Në ndeshjen e sotme ndaj Hartberg, Vrioni ishte personazhi kryesor i suksesit 4-2 të ekipit të tij.

Ai shënoi golin e rezultatit të përkohshëm 3-1 me një predhë nga jashtë zonës që portieri nuk e kontrolloi dot.

Ndërkohë, dha asiset për golat e Sabitzer dhe Ranahe, duke u konfirmuar si lideri i kësaj skuadre në repartin e avancuar.

Me këtë rrjetë Vrioni u ngjit në kuotën e 16 golave në këtë kampionat me Tirol. /zoom.al/

Turqia kundër anëtarësimit të Finlandës në NATO

Ministrat e jashtëm të Finlandës dhe Turqisë do të takohen për të diskutuar anëtarësimin e shtetit nordik në NATO.

Turqia ka njoftuar më herët se do të dëshironte të diskutonte pranimin e Finlandës në organizatë përpara se të jepte miratimin. Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavesto, tha lidhur me këtë kundërshti: “Jam i sigurt se do të gjejmë një zgjidhje.”

Fillimisht u raportua se Turqia do të vërë veton ndaj çdo përpjekjeje të Finlandës ose Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Megjithatë, duke folur për Reuters, zëdhënësi i presidentit turk Tajip Erdogan tha se vendi “nuk po e mbyll derën”.

Ai shtoi se Turqia po e trajton çështjen “si një çështje të sigurisë kombëtare” për vendin e tij për shkak të “shumë organizatave terroriste” që janë të pranishme në vendet nordike.

Ruleta ruse i buzëqesh Klopp, Liverpool mposht Chelsea-n dhe fiton FA Cup | VIDEO

Liverpool mbetet në kërkim të një “poker” trofesh, pasi triumfoi në FA Cup pas gjuajtjeve të penalltive 7-6 në Wembley kundër Chelsea.

Koha e rregull u mbyll në barazim 0-0, edhe në shtesë nuk pati gola, por blutë luajntën më mirë.

Skuadra e Jurgen Klopp përsëriti fitoren e tyre në finalen e Carabao Cup në shkurt duke fituar sërish nga penalltitë.

Momenti vendimtar erdhi kur portieri i Liverpool, Alisson shpëtoi goditjen nga 11-m e Mason Mount, duke e lënë Kostas Tsimikas të sigurojë trofeun e dytë të sezonit për Liverpool.

Reds janë ende në garën për titull në Premier League dhe kanë finalen e Champions League kundër Real Madridit.

Liverpool mori më të mirën nga një finale plot ngjarje, me Luis Diaz dhe Andrew Robertson të jashtëzakonshëm që goditën traversën, megjithëse mund të ketë një çmim, pasi Mohamed Salah u lëndua në pjesën e parë dhe Virgil van Dijk u largua pas 90 minutash.

Është një goditje shkatërruese për Chelsea-n dhe trajnerin Thomas Tuchel që të humbasin përsëri në këtë mënyrë, pasi kishin pasur shanse me Marcos Alonso që goditi shtyllën dhe gjithashtu u ndalën nga Alisson. /zoom.al/

Foto/ Kush është 28-vjeçari nga Miloti që iu bë atentat në Lezhë

Zoom.al ka siguruar foton e shënjestrës së atentatit në Lezhë, Blerim Preçi, 28-vjeç nga Miloti.

Mësohet se Blerim Preçi sapo ishte kthyer nga Belgjika dhe e shkuara e tij, është një nga pistat kryesore të hetimit.

Autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku nga një makinë në lëvizje në drejtim të një fuoristrade tip Mercedes Benz ‘ML’. Si pasojë e të shtënave makina ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, gjatë tentativës për t’i shpëtuar plumbave.

Bëhet me dije se autoret janë larguar në drejtim të Laçit me një makinë tip “Audi” ngjyrë gri. Grupi hetimor në vendngjarje po administron çdo provë e të dhënë, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Emrat/ Breshëri automatiku në drejtim të dy personave nga Miloti, reagon policia

Automjeti ku po udhëtonin Blerim Preçi dhe Klisman Preçi është qëlluar me armë zjarri në lëvizje e sipër nga persona që lëviznin me një tjetër automjet, i cili u larguar me shpejtësi pas atentatit.

Në vendin e ngjarjes po kryhen veprimet hetimore, pasi ekspertët kanë vendosur një perimetër sigurie.

Në njoftimin e policisë thuhet se nuk ka persona të lënduar dhe po punohet për kapjen e autorit.

Njoftimi i policisë:

Lezhë / Informacion paraprak

Rreth orës 20:05, në Ishull Lezhë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një mjeti në lëvizje, brenda së cilit udhëtonin shtetasit B.P.dhe K.P.

Për pasojë nuk ka persona të lënduar.

Grupi hetimor në vendngjarje po administron çdo provë e të dhënë, për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve.