zoom

Day ArchiveNjë i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Kosovë, ja çfarë thotë policia

Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur me armë zjarri në fshatin Volljakë të Klinës.

Rastin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai ka thënë se personat e plagosur janë dërguar menjëherë në e Spitalin e Pejës, por nga plagët e marra, njëri ka vdekur.

“Policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatuar se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e mjekësisë familjare në Klinë, pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës”.

“Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, deklaroi Gashi.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 20:43 minuta. Pas incidentit, policia ndodhet në vendin e ngjarjes, dhe po merret me detajet e rastit.

 

Bie WhatsApp, aplikacioni i mesazheve ndalon së funksionuari

Gjiganti i mesazheve WhatsApp duket se ka pasur probleme në funksionimin e aplikacionit mbrëmjen e kësaj të enjteje.

Rreth 15,000 përdorues raportuan se WhatsApp nuk po punonte për ta.

Disa përdorues raportuan se aplikacioni ishte i fikur dhe disa raportuan probleme me lidhjen dhe dërgimin e mesazheve nga serverët e tyre.

Përdoruesit raportuan probleme me aplikacionin e rrjeteve sociale Twitter dhe DownDetector gjithashtu.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi problemin.

Ndërkohë që deri në këto momente, WhatsApp nuk i është përgjigjur raporteve për ndërprerjen.

Ish-zv/ministrja i nxjerr të palarat Grida Dumës: Kërkoje derë më derë të futeshe në PS

Deputetja demokrate, Grida Duma mbajti një fjalim të gjatë sot në Kuvendin e Shqipërisë ku ndër të tjera tha se kryeministri Edi Rama kur ishte i ri donte të futej në Partinë Demokratike. Kjo deklaratë e saj ka ngjallur reagimin ish-zëvendësministres së Financave gjatë qeverisjes së socialistëve, Irena Beqiraj, e cila në një postim në rrjetet sociale thotë se edhe grida duma kur ka qenë e re ka dashur të anëtarësohet në Partinë Socialiste. Duke ironizuar deklaratën e Dumës, Beqiraj i jep një këshillë “miqësore” duke i sugjeruar që ti marri gjerat me rradhë dhe të mos bëjë replikë pa u përgatitur më parë.

Reagimi i Irena Beqirajt

Ah moj Gride !

Tek lexoja repliken tende plot fjale pasioni e fjale miqsh, mu kujtua si per dreq nje miku Im.  Ti e ke takuar kur ishe e re , sepse doje te aderoje  ne PS .

Ah moj zemer ! Kur ti e bukur e mencur, a thua zoti ishte pushim diten qe te krioji , kerkoje dere me dere te ishe ne parti , mendo sa te veshtire e ka pasur ky sharlatan burre te gjej nje parti edhe per me teper te behet edhe lideri I saj.

Nejse! Tjeter here te rekomandoj te mos i pergatisesh fjalimet para pasqyres. Sipas studimeve  sistemi konjuktiv i njeriut  e ka te veshtire te bej dy pune njeheresh .

Merri me rradhe, po nuk doli koha per te pergatitur replike, pune e madhe! Mjafton tualeti!

????????????????????????

 

Profil/Kush është Abazoviç, shqiptari që bëri histori në Malin e Zi?

Dritan Abazoviç u votua sot nga Kuvendi i Malit të Zi si kryeministër i qeverisë së pakicës. Ndonëse nga emri është qeveri pakice, ai arriti që të gjejë mbështetjen e 45 deputetëve në një parlament me 81 të zgjedhur. Pra arriti të sigurojë mbështetje edhe më të madhe sesa arriti të sigurojë paraardhësi i tij në këtë post, Zdravko Krivokapić.

Po kush është Abazoviç?

Përpara se të niste vrapin drejt majës së shtetit, 36-vjeçari Abazoviç ishte aktivist qytetar e bashkëpunëtor i gjatë i organizatave joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut. Ai angazhohej në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat e ish-Jugosllavisë pas luftërave.

Më pas ai kishte shkuar në vendin e multikulturalizmit. Kishte banuar për pak kohë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa merrte pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Uashington D.C.

Në vitin 2010, ai e kishte botuar librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Nga po ai vit, Abazoviq kishte punuar si mësues në shkollën e mesme në Ulqin, duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë.

Abazoviç, i cili flet gjuhën shqipe, serbo-kroate dhe angleze, ishte një nga themeluesit e partisë politike social-liberale “Mali i Zi Pozitiv” në vitin 2012. Në zgjedhjet parlamentare malazeze të vitit 2012, ai ishte bërë deputeti më i ri në Parlament.

Në vitin 2014, pas një ndarjeje në parti, Abazoviq u largua nga aty, duke shërbyer si deputet i pavarur përpara se t’i bashkohej Lëvizjes URA, të sapothemeluar në 2015, të cilën e udhëhoqi me një sukses të jashtëzakonshëm në vitet pasuese.

Në zgjedhjet parlamentare të 2020 forca që ai drejtonte do të ikshte përcaktuese për t’i dhënë fund pushtetit 30-vjeçar të Milo Gjykanoviç, i cili herë si kryeministër e herë si president kishte dominuar politikën malazeze.

“Ne e dinim se do ta ndryshonim lojën. Kemi pritur ndryshimin e qeverisë për 30 vjet. Shumë njerëz nuk e kanë besuar, por tani është realitet. E thamë se do ta shkruanim historinë dhe e shkruam. Mafia nuk do të sundojë më ne Malin e Zi”, deklaroi Abazoviq pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ku fituan 4 mandate, të cilat ishin vendimtare për formimin e qeverisë së re.

Pas zgjedhjeve të 2020 ai do të bëhej pjesë e koalicionit të ri qeverisës, të kryesuar nga Zdravko Krivokapiç dhe ku vet Abazoviç do të mbante postin e numrit dy të qeverisë.

Por për shkak të orientimeve të ndryshme politike, bashkëjetesa në koalicionin qeveritar u bë e vështirë dhe kur kishte kaluar gati një vit nga krijimi i saj, do të nisnin përplasjet e hapura publike mes tij dhe kryeministrit Krivokapiç, një politikan pro-serb.

Mosmarrëveshjet shkuan deri në atë nivel sa  në fillim të këtij viti ai inicioi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë ku bënte pjesë edhe vet dhe duke propozuar në vend të saj krijimin e një qeverie pakice.

Me mbështetjen edhe të votave të partisë së presidentit Milo Gjykanoviç, mocioni i Abazoviç pati sukses në Kuvend. Qeveria e Krivokapiç ishte rrëzuar rreth 1 vit nga formimi i saj.

Pas këtij hapi Abazoviç kishte nevojë për mbështetjen e Gjykanoviç, partinë e të cilit vetëm pak muaj më parë e kishte rrëzuar nga piushteti pas 30 vitesh.

Mbështetje që erdhi me mandatimin e tij si kryeministër, por edhe me garantimin e votave të nevojshme në parlament për të mbështetur krijimin e qeverisë së pakicës. Pas shumë hezitimesh, këtë të enjte Abazoviç arriti të bëjë bashkë të gjithë faktorët pro tij dhe të votohet si kryeministër i ri i Malit të Zi. Ai është i pari shqiptar që mban një post të tillë në Mal të Zi dhe kryeministri i tretë shqiptar në rajon, krahas Edi Ramës dhe Albin Kurtit.

 

Goditet trafiku i drogës drejt Greqisë, arrestohet një 56-vjeçar në Kapshticë

Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë arrestuan një 56-vjeçar i cili tentoi të trafikojë drejt Greqisë një sasi droge.

56-vjeçari udhëtonte me një makinë dhe gjatë kontrollit në pikën kufitare të Kapshticës u konstatua se po transportonte një sasi lënde narkotike e llojit kanabis.

Në përpjekje për tiu shmangur kontrollit ai mësohet se ka tentuar edhe të korruptojë punonjësit e pikës kufitare duke u ofruar para.

Njoftimi

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut dhe shkëmbimit të informaciomeve me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip “Mitsubishi” me drejtues shtetasin Gj. Z., 56 vjeç, banues në Shkodër.

Si rezultat i kontrollit të ushtruar në mjet, në bagazhin e tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pako me peshë 2 kilogram lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shtetasi Gj. Z., ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë duke iu ofruar 600 euro, me qëllim shmangien e kontrollit.

Veprimet e mëtejshme procedurale dhe hetimore, u kryen nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

 

Varhelyi takon vetëm Tabakun nga PD. Për çfarë iu ankua kryetarja e Këshillit të Integrimit

Kryetarja e Këshillit të Integrimit, Jorida Tabaku u takua të enjten me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Në qendër të diskutimit ishte progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimit Europian. Tabaku shprehu shqetësimin se qeveria është e papërgatitur për nisjen e negociatave, pasi ende mungojnë strukturat.

Ajo tha se komisioni që ajo drejton ka thërritur në dëgjesë të gjitha strukturat e përfshira në këtë proces, pasi ka një mungesë raportimi periodik nga ato.

Gjatë takimit Tabaku u shpreh se edhe pse një nga kushtet për tu përmbushur, korrupsioni mbetet një problematikë, tashmë e përhapur në çdo hallkë të shtetit. Ajo përmendi raportin e fundit të Departamentit të Shtetit si një tregues i mungesës së luftës kundër korrupsionit.

Në përfundim të takimit, Tabaku u shpreh se opozita është në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë dhe pse ne nuk i kemi përmbushur kushtet dhe se PD kërkon zhvillimin sa më parë të Konferëncës së Parë Ndërqeveritare.

“Më thonë mos hajde në shkollë”/Valbona Selimllari flet për raportin me fëmijët e saj

Valbona Selimllari ka sjellë në jetë tre fëmijë, dy djemtë Kejn dhe Deni, si dhe një vajzë që e ka pagëzuar me emrin Vivien. Ish-missi ka qenë gjithnjë e rezervuar për jetën e saj private dhe një këtë e ka nënvizuar edhe vetë në intervista të ndryshme ku rrallë herë ka folur në lidhje me fëmijët e saj.

Ajo ishte e ftuar së fundmi në një intervistë, ku foli edhe për fëmijët e saj. Valbona Selimllari u pyet nëse fëmijët e saj bëhen ndonjëherë xhelozë për të, dhe ish-missi tregoi se në fakt tre fëmijët e saj kanë komplekse dhe jo xhelozi, madje zbuloi se i kërkojnë që mos shkojë as në shkollën e tyre.

“Më thonë mos hajde në shkollë, do të thonë je çuni i Bonës. Shpesh herë kanë pasur siklet të thonë që jemi fëmijët e Valbonës. Nuk është xhelozi, se di kompleksin e tyre se kam kuptuar kurrë.”– tha ajo në emisionin “Ndryshe.”

Selimllari foli gjithashtu në lidhje për eksperiencën e saj të gjatë në televizion, ku rrëfeu provën e saj të parë së bashku me të motrën, para se të merrte pjesë në “Miss Shqipëria.”

“Unë televizionin e kam dashur që fëmijë, unë vërtet kam qenë sportiste, por para se të fillonte Miss Albania unë kam shkuar në televizionin shqiptar së bashku me motrën time të madhe dhe kemi bërë një provë për një emision për fëmijë, kam qenë 17 vjeç, tregoi ajo.

Teksa po fliste për projektet e saj në televizion, Valbona veçoi disa programe ku ka ndihmuar familjet në nevojë. Aty ajo tregoi se është hasur shpesh me situata të pazakonta duke rrëfyer edhe një rast konkret që i kishte ndodhur personalisht.

“Shkojmë në breg të lumit tek një nga ato familjet që po ndihmonim, edhe takova atë djalin. Dy fëmijë ia kishin marrë ata të “Shtëpisë së Fëmijës”, sepse ai i përdorte, kishte gjashtë fëmijë. I përdorte për të lypur, ia kishin marrë. Unë shkoj atje dhe ai filloi të më ankohej, bënte sikur qante, donte të ma hidhte mua. Janë të paparë. Në një moment i thashë unë, “pse ti morën fëmijët, ku i çoje fëmijët ti.?” “Ne s’kemi bukë të hamë, nga halli i nxjerrim”, më tha dhe vjen ajo goca e sociales: “Dje ke marrë 1 milionë lekë”, dhe thotë ai vogli dhe më tha: “O Bona i prishi ky në bixhoz.” E di si më erdhi ti vija duart në fyt dhe i thashë, “ti s’je për baba.” – rrëfeu ajo.

“Audi” përplas motorin në Tiranë, vdes 74-vjeçari

Një aksident i ndodhur pak minuta më parë pranë bulevardit Zogu i Parë në Tiranë i ka marrë jetën një 74-vjeçari.

Raportohet se një motor është përplasur nga makinë “Audi”, duke lënë të vdekur të moshuarin.

Drejtuesi i mjetit është larguar menjëherë nga vendngjarja, ndërkohë ka ndërruar jetë në spital.

 

Njoftimi i policisë:

Më datë 28.04.2022, rreth orës 20:10, te Stacioni i Trenit, një mjet tip “Audi” me drejtues ende të paidentifikuar, ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin L. K., 73 vjeç, i cili si pasojë e aksidentit është dëmtuar dhe ka ndërruar jetë në spital.

Drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e drejtuesit të mjetit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Çfarë po ndodh? Escobar dhe Donfried mbërrijnë në Shqipëri, takohen me Oliver Varhelyi

Ashtu sic ishte lajmëruar i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ka mbërritur sot në Tiranë bashkë me ndihmëssekretaren amerikane për çështjet europiane dhe euroaziatike Karen Donfried.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka ndarë foto nga momenti i takimit të tyre me Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ajo thekson se ata kanë diskutuar për prioritetin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedoninë së Veriut në Bashkimin Europian.

“Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar mbërritën sot në Shqipëri dhe u takuan me Komisionerin Europian për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ata ranë dakord se pushtimi i pajustifikuar i Ukrainës nga Rusia e ka bërë integrimin edhe më urgjent.

Ata diskutuan mbi prioritetin e përbashkët të integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe Ndihmës Sekretarja Donfried rikonfirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe tha se SHBA mbetet e angazhuar për të punuar me partnerët shqiptarë dhe të BE-së për të siguruar reformën në drejtësi në Shqipëri dhe rrugën e suksesshme drejt Bashkimit Europian”, njofton ambasada.

Zbulohet përbërja e qeverisë së re malazeze, ja sa ministra janë shqiptarë

Dritan Abazoviç ka marrë sot drejtimin e qeverisë së re të Malit të Zi, dy ministra të së cilës janë shqiptarë.

Qeveria e pakicës përbëhet nga Lëvizja Qytetare URA e Abazoviçit, Partia Popullore Socialiste pro-serbe, Partia Socialdemokrate dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve.

Kabineti i ka 18 ministri, katër zëvendëskryeministra dhe dy ministra pa portofol.

Abazoviçi ka mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi.

Ai, po ashtu, ka mbështetjen parlamentare të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit malazez, Millo Gjukanoviç, por pa pjesëmarrjen e saj.

Katër pozitat e zëvendëskryeministrave u janë ndarë partive që përbëjnë Qeverinë e re.

URA e Abazoviçit udhëheq pesë ministri, përfshirë edhe atë të Punëve të Brendshme, me në krye Filip Axhiçin.

Ministria e Çështjeve Evropiane udhëhiqet nga Jovana Maroviç, e cila është zgjedhur edhe zëvendëskryeministre nga radhët e URA-s.

Partia Popullore Socialiste, përveç postit të zëvendëskryeministrit, i cili mbulohet nga kreu i partisë, Vlladimir Jokoviç, udhëheq gjashtë ministri. Jokoviq do të jetë edhe ministër i Bujqësisë. Partia e tij ka marrë edhe udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave, të Arsimit, të Shëndetësisë dhe të Sportit.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rashko Konjeviç, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Nga kjo parti, Ministrinë e Punëve të Jashtme e udhëheq Ranko Krivokapiç, ish-kryetar i Parlamentit të Malit të Zi.

Kryetari i Partisë Boshnjake, Ervin Ibrahimoviç, është zgjedhur zëvendëskryeministër dhe ministër i Investimeve Kapitale. Kjo parti udhëheq edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me në krye Admir Adroviçin.

Përfaqësuesit e shqiptarëve, ndërkaq, kanë marrë dy poste ministrore.
Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave është zgjedhur kreu i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, ndërsa ministër i Administratës Publike është Marash Dukaj nga Alternativa Shqiptare.

Iniciativa Qytetare Kroate – subjekt jashtëparlamentar – ka marrë postin e ministrit pa portofol, i cili udhëhiqet nga Adrijan Vuksanoviç.

Personalitete jopartiake në kabinetin e Avbazoviqit janë Bilana Shqepanoviq në Ministrinë e Shkencës dhe Masha Vllaoviç në Ministrinë e Kulturës dhe Medias.

Zgjedhjes së Qeverisë së re të pakicës i ka paraprirë zgjedhja e kryetares së Kuvendit, Danijella Gjuroviq, nga Partia Popullore Socialiste.

Qeveria e re është zgjedhur gati tre muaj pasi Kuvendi i këtij vendi ka votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç, më 4 shkurt.

Tre ditë më vonë, më 7 shkurt, është shkarkuar edhe kryetari i Kuvendit, Alleksa Beçiq, udhëheqës i Demokratëve.

Qeveria e Krivokapiqit është formuar në dhjetor të vitit 2020 nga një koalicion mes Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare URA.

Kjo Qeveri ka pasur një shumicë të ngushtë në Kuvend – prej 41 deputetësh – por ka kthyer DPS-në e Gjukanoviçit në opozitë pas tri dekadash.

Dallimet në qëndrime midis partnerëve të koalicionit kanë nisur të shpërfaqen shumë shpejt pas formimit të tij dhe palët shpesh nuk kanë qenë të njëzëshme në vendime.