zoom

Day ArchiveVIDEO | Liverpool shpërfytyron United dhe merr kreun, tifozët bëjnë një nderim emocionues për CR7

Liverpool mposhti një Manchester United të dëshpëruar 4-0 në Anfield për të shkuar në krye të Premier League.

Manchester City mund të rifitojë vendin e tyre në ndeshjen kundër Brighton të mërkurën mbrëma, por kjo ishte një tjetër kujtesë emocionuese se si skuadra e Jurgen Klopp është e vendosur t’i ndjekë ata në gjuetinë e katër trofeve historik.

Ishte gjithashtu një ilustrim grafik i detyrës gjigante me të cilën do të përballet trajneri i zgjedhur i United, Erik ten Hag, teksa United i rreckosur iu dorëzua pa kushte Liverpool-it, hendeku në cilësi dhe qëndrim mes palëve është i tejskajshëm.

United ishte pa Cristiano Ronaldon pas vdekjes së djalit të tij të porsalindur dhe të dy grupet e tifozëve bënë një nderim emocionues me duartrokitje në minutën e shtatë.

Liverpool kaloi në avantazh në minutën e 5’ me Luis Diaz duke finalizuar pasimin e Salah, përpara se egjiptiani të përfundonte sekuencën e tij pa gola me tetë ndeshje nga pasimi i shkëlqyer i Sadio Mane pas 22 minutash.

Mane i dha fund shpresave të pakta që United kishte për ta bërë këtë një mbrëmje sfiduese për Liverpool-in me Diaz në minutën e 69-të. Për të mbyllur llogari mendoi, Salah, që i dërgoi shifrat në 4-0. /zoom.al/

Kërcënimi rus, mediat franceze: Baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë, aset strategjik

“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendit të vogël në bregdetin e Adriatikut mund të materializohet më shpejt nga sa pritej për shkak të pushtimit rus në Ukrainë”, kështu shkruan media franceze e cila i referohet procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

“Synimet janë të qartë; të bashkohet politikisht dhe të forcohet ushtarakisht Ballkani Perëndimor.”, vijon më tej artikulli.

Por jo vetëm procesi i anëtarësimit, por medias franceze i ka tërhequr vëmendjen baza e ushtarake e NATO-s në Kuçovë, ndërsa shkruan: “75 avionë luftarakë sovjetikë ndryshken buzë pistës në bazën ushtarake në Kuçovë, një ish-bazë komuniste në Shqipëri. Këto objekte janë për të akomoduar një qendër të re operacionale të NATO-s që duket se janë gati të rifitojnë shkëlqimin e tyre. Ristrukturimi i vend ii nisur në vitin 2018 u përshpejtua nga kriza ukrainase e cila favorizon më shumë bashkëpunimin brenda kampit kundër Putin dhe forcimin e mbrojtjes së territoreve në të cilat mund të shtrihet konflikti.

“Ndryshimi në kontekstin e sigurisë globale i ka dhënë tani një shtysë të konsiderueshme përfundimit të projektit”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për AFP, kur është pyetur lidhur më bazën e Kuçovës.

Restaurimi i pistës, modernizimi i kullës së kontrollit, ndërtimi i njësive të reja magazinimi… Kjo punë, e cila duhet të përfundojë në vitin 2023, financohet nga fondet e aleancës transatlantike, e cila tashmë ka akorduar më shumë se 55 milionë dollar në projekt që nga fillimi i tij në 2018.

Duke ofruar mbështetje për forcat e NATO-s tashmë të pranishme, veçanërisht në kampin Bondsteel, në Kosovë, baza ajrore e Kuçovës do të paraqesë një aset strategjik lojtar kryesor në një rajon politikisht të paqëndrueshëm.

VIDEO | Muriqi shënon, Mallorca fiton dhe i largohet zonës së kuqe

Vedat Muriqi është rikthyer protagonist në futbollin iberik duke ndihmuar ekipin e Mallorca, që të arrijë objektivin mbijetesë.

Sulmuesi i Kosovës, ka shënuar në fitoren 2-1 që Mallorca arriti në shtëpi ndaj Deportivo Alaves. Një gol me peshë për 27-vjeçarin, që në shtesë dyfishoi shifrat për Mallorca pas avantazhit të Prats në minutën e 11-të.

Ky ishte goli i katër në 12 ndeshje me fanellën e ekipit spanjoll për Muriqin, që iu bashkua Mallorca në merkaton e janarit nga Lazio.

FOTO/ Ja kush është Edis Reçaj që mbeti i plagosur mbrëmjen e sotme në Shkodër

Dalin në dritë të tjera detaje nga plagosja e sotme në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali në lagjen Perash, ku i plagosuri, i identifikuar si Edis Reçaj 28 vjeç, ka marrë një plumb në këmbë, ndërsa është paraqitur vetë në spitalin e Shkodrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ka qenë një telefonatë për të shtëna me armë zjarri që ngriti në këmbë policinë e Shkodrës, por nga kontrollet në zonë nuk u gjet asnjë provë. Më pas Spitali i Shkodrës ka njoftuar se një person i plagosur me armë zjarri kishte mbërritur në urgjencë.

Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa policia ka rrethuar zonën, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja  e territorit për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.

 

(VIDEO) Kënga që i dha famë Rita Orës tund skenën e “The Voice Australia”

Rita Ora mezi e përmbajti veten pasi një konkurrente në “The Voice Australia” performoi një nga hitet e saj më të mëdha. Ylli shqiptar i muzikës pop dukej e mahnitur teksa konkurrentja Asha Newman, 23 vjeçe, interpretoi një ‘cover’ akustik të këngës “R.I.P.”  hit kënga e Ritës në vitin 2012.

Kënga e kishte çuar artisten me origjinë shqiptare drejt majave të suksesit, duke e renditur të parën në top listën zyrtare të këngëve më të dëgjuara të momentit në Mbretërinë e Bashkuar. “Jam shumë e lidhur emocionalisht me atë këngë, sepse ajo këngë nisi karrierën time”, tha ajo.

Rita më pas komplimentoi performancën e këngës nga Asha, të cilën ajo e kishte riorganizuar për t’iu përshtatur vokalit të saj akustik. “Ishte kaq e pastër. Më pëlqen të këndoj akustik, dhe ju i hoqët të gjitha dhe e tregove vërtet historinë. Zëri juaj dukej perfekt. Ishte kaq i pastër si zë”, tha e mahnitur 31-vjeçarja.

“Kjo këngë ndryshoi jetën time dhe kjo nuk mund të ndryshojë jetën tuaj. Më duhet vetëm të them, ti e ke çarë”, shtoi ajo. Rita Ora edhe vitin e kaluar ishte anëtare e jurisë në spektaklin shumë të shikuar të talenteve në Australi, “The Voice Australia”./L.K

/Zoom.al

 

 

Plagosja në Shkodër, Policia del me njoftim zyrtar: Ja çfarë ka ndodhur

Policia e Shkodrës ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në Shkodër. Blutë e Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në lagjen Perash në rrethana ende të paqarta, teksa i plagosur ka mbetur 28-vjeçari Edis Reçaj.

Shkodër/Informacion paraprak

Më datë 19.04.2022, rreth orës 22:00, në lagjen “Perash”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasi  E. R., 28 vjeç, banues në lagjen “Partizani”,  Shkodër, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit për të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, është rrethuar zona, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja  e territorit për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për fiksimin e çdo prove të mundshme, që do ti shërbejë hetimit për zbardhjen e ngjarjes.

Ngjarja në Shkodër, ja kush është 28-vjeçari që mbeti i plagosur

Mësohet emri i personit që mbeti i plagosur mbrëmjen e sotme në Shkodër.

Ai Edi Reçaj, 28-vjeç. I riu mësohet se ka marrë një plagë plumbi në këmbë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Janë ende të paqarta rrethanat e kësaj ngjarje.

Inter me një këmbë në finale, zikaltërit “shtypin” Milanin

Pritej të kishte emocione dhe ashtu ndodhi. Inter po fiton me Milanin, teksa pjesa e parë e ndeshjes për gjysmëfinalen e Kupës së Italisë u mbyll me rezultatin 2 me 0.

Në minutën e katërt, një aksion i kampionëve të Italisë do përfundonte në mënyrën më të mirë të mundshme. Darmian do jepte një assist për Lautaro Martinez, i cili me një goditje të bukur do mposhtte portierin e Milanit.

“Djalli” do vuante shumë, sidomos nga krahët, pasi Perisiç është tejet i shpejtë. Djemtë e Inzaghit do kishin një mundësi të mrië për të dyfishuar shifrat, por Calhanoglu nuk tregohet i saktë nga goditja e dënimit. Edhe pse cilësohet si një mjeshtër i tyre, turku mund të gjente vetëm murin në mesin e fraksionit.

Në minutën e 27-të, kërcënimi kuqezi mban firmën e Leaos. Sulmuesi portugez provon me të majtën, por gjen vetëm rrjetën e jashtme.

Në minutën e 31-të, mrekullisht do ishte Tonali që do gjindej brenda zonës, por nuk do shfrytëzonte siç duhet këtë shans, pasi tentativa e tij shkon jashtë.

Një ndërhyerje e Theo Hernandez jashtë zonës ndaj një futbollisti rival do rriste tensionin e sfidës. Arbtiri Mariani do i tregonte mbrojtësit kartonin e verdhë, duke bërë kështu që futbollisti gjatë gjithë takimit të ketë kujdes, pasi një tjetër gabim, mund të bëjë që  Milani të mbetej me një lojtar më pak.

Goli i dytë do vinte në minutën e 40-të. Do ishte sërish Lautaro Martinez që do realizonte dhe festa është e tëra zikaltër.

Ndërkohë që ndeshja vazhdon edhe në pjesën e dytë me rezultatin 2 me 0, teksa ka kaluar minuta e 60 e lojës.

Ngjarja në Shkodër, një i plagosur paraqitet në spital

Kanë dalë detaje të reja nga ngjarja e regjistruar mbrëmjen e sotme në Shkodër.

Burime bëjnë të ditur se një person ka mbërritur në spitalin e Shkodrës i plagosur. Të njëjtat burime informojnë se i plagosuri ka marrë plagë në këmbë dhe është në gjendje të stabilizuar.

Ndërkohë nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarje.

LAJM I FUNDIT/ Të shtëna me armë zjarri në Shkodër

Raportohen të shtëna me armë në Perash të Shkodrës.

Burime nga Shkodra bëjnë të ditur se në orët e mrëmjes janë dëgjuar disa të shtëna me armë, por nuk ka ende të dhëna lidhur me ngjarjen.

Mësohet se menjëherë pas raportimit policia është nisur drejt vendngjarjes.