zoom

Day ArchiveEMRI/ Plagosja me thikë në një lokal të Sarandës, kush është i plagosuri? I riu niset në spital

Një 29 vjeçar është plagosur me thikë mbrëmjen e sotme në një lokal në Sarandë.

Mësohet se Dino Majko, 29 vjeç, është plagosur nga E.A dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Policia po punon për kapjen e autorit.

“Në datën 09.04.2022, në lagjen nr.1, Sarandë, shtetasi E. A., ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin D. M., 29 vjeç, banues në Sarandë , i cili ndodhet në spitalin e Sarandës, nën kujdesin e mjekëve . Shërbimet e Policisë po krehin zonën për të bëre të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon per sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia./zoom.al/

Unaza e diamantit ngre dyshimet për një fejesë të mundshme

Jennifer Lopez së fundmi ka krijuar aludime pasi ajo është parë me një unazë të madhe diamanti në dorën e majtë.

Këngëtarja 52-vjeçare u pa duke blerë mobilje me vajzën e saj, Emme, në Los Angeles, teksa kishte zgjedhur një fustan shumëngjyrësh elegant dhe syze dielli të mëdha. Sipas Elle, Lopez kur vuri re se një paparac po e kapte, u duk se e ktheu unazën dhe e fshehu diamantin në pëllëmbën e saj.

Lopez nuk u është përgjigjur spekulimeve se është fejuar sërish me partnerin e saj Ben Affleck, por çifti është serioz. Ata blenë së bashku një rezidencë Bel Air prej 50 milionë dollarësh./L.K

/Zoom.al

E rëndë në Sarandë, plagoset me thikë në mes të lokalit të natës i riu

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Sarandë. Burime bëjnë të ditur se është goditur disa herë me thikë një i ri.

Aktualisht i riu është transportuar me urgjencë në spital, nga ku mësohet se gjendja e tij shëndetësore është tejet e rëndë.

Ndërkohë në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policie. Mësohet sakaq, se sherri dhe më pas plagosja ka ndodhur në një lokal nate në shëtitoren e qytetit, në një kohë, ku në ambientet e saj kishte shumë klientë të pranishëm./Zoom.al/

Do të jetë kundër Amir Khan? Marku konfirmon ndeshjen e radhës: Do të zhvillohet në Tiranë

Boksieri shqiptar, Florian Marku ka konfirmuar se meçin e radhës do ta zhvillojë në Tiranë.

Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Florian Marku tregoi se janë në bisedime për të zhvilluar një ndeshje në Tiranë dhe së shpejti do të tregojë për datën.

Përveç kësaj, boksieri falënderoi shqiptarët për mbështetjen që i kanë shfaqur në meçin e tij të fundit.“Jam shumë i lumtur. Faleminderit të gjithë shqiptarëve për përkrahjen. Në Newcastle u duk sikur isha në Shqipëri.

Ndeshja e radhës jemi në diskutim që të zhvillohet në Tiranë. Së shpejti do ju tregoj datën”, tha ai me anë të postimin. Floriani javën e kaluar arriti të mposhtë anglezin Chris Jenkins me noakut dhe kështu e mbrojti titullin kampion për pesha të lehta.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Marku kërkoi që të ndeshej me Amir Khan, një emër shumë i njohur në arenën e boksit britanik dhe botëror./Zoom.al

Ronela Hajati shkëlqen në “Israel Calling 2022”

Këngëtarja shqiptare, Ronela Hajati, siç tashmë dihet do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision 2022”. Ajo ditë më parë mori vëmendje të madhe në Spanjë në “Barcelona Eurovision Party”, ndërkohë që menjëherë pas kësaj udhëtoi për në Izrael.

Artistja e njohur gjithashtu ishte pjesëmarrëse në “Israel Calling 2022” me të tjerë yje që do të konkurrojnë në Eurovision Song Contest.

32-vjeçarja ka mahnitur me paraqitjen në kostumin blu të ndezur. “Oh Zoti im. Është Israel Calling sonte. Shikoni Shqipërinë”, ka shkruar ajo në një video të hedhur në Instagram, përpara se të performonte.

Duhet theksuar që Hajati do të jetë e para që do të këndojë në gjysmëfinalen e parë të festivalit që pritet të mbahet në Torino./L.K

/Zoom.al

E BUJSHME! “Serbët donin të më vrisnin që të fajësonin shqiptarët”, Dick Marty merret në mbrojtje

Një hetim ekskluziv nga “Mise au Point”  zbulon se, që nga dhjetori 2020, Dick Marty është vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Ish-prokurori, deputet në Dhomën e Kantoneve nga (FDP/Ticino) dhe raportues për Këshillin e Evropës, ishte kërcënuar me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve inteligjente serbe, shkruajnë mediat zvicerane.

Sipas Dick Marty-t, “kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e “botës së krimit”. “Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”.

Një burim konfidencial e ka informoi Myrtyn për elementët e mëposhtëm, sipas një dokumenti nga Ministria e Punëve të Brendshme: “Dick Marty duhet të vritet me urdhër të shërbimeve sekrete serbe, transmeton albinfo.ch. Vrasja e Dik Martit thuhet se iu besua burrave serbë që kanë kryer prej kohësh misione të tilla për shërbimin sekret serb dhe të cilët ishin trajnuar prej tyre si ‘profesionistë absolut’ që do ta zotëronin atentatin ‘pa lënë gjurmë’. Për sulmin e planifikuar, një serb thuhet se ka kontrabanduar armë në Zvicër diku në dhjetor 2020. Për të përfituar nga vëmendja e shtypit lidhur me aktakuzën e Hashim Thaçit, vrasja duhet të paraqitet si t’i atribuohet qeverisë kosovare/shqiptare (ish-UÇK), për ta diskredituar atë ndërkombëtarisht”.

Diskreditimi i Kosovës
“Në vendin e tij, Hashim Thaçi shihet si hero i luftës së pavarësisë kundër Serbisë. Lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), asokohe President i Kosovës, dha dorëheqjen nga posti i tij në nëntor 2020 pasi u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga një gjykatë speciale (KSC) në Hagë. Ai aktualisht është i burgosur në pritje të gjykimit”, shkruan mediumi zviceran.

Gjithçka filloi gjashtëmbëdhjetë muaj më parë, raporton Mise au Point, i cili ishte në gjendje të fliste me Dick Marty në shtëpinë e tij në Ticino, transmeton albinfo.ch. “Më 18 dhjetor 2020, mora një telefonatë nga policia që më njoftonte se kërcënohesha me vdekje dhe më thoshte se duhej të vendosesha menjëherë në mbrojtje të lartë policore”. FedPol konsideronte se ai është në rrezik të shkallës 5, që është maksimumi dhe për shkak të rrezikshmërisë së shkallës së tillë i ofron të ndryshojë identitetin dhe adresën.

“Shkalla 5 për mua ishte krejtësisht e përjashtuar”, dëshmon Dick Marty. Kështu, ne kemi mbetur deri më sot në shkallën shumë të lartë: shkalla 4. Nuk ka ndodhur kurrë në Zvicër që dikush të qëndrojë kaq gjatë në një shkallë të tillë rreziku”.

I vendosur nën mbrojtjen e shkallës 4, Dick Marty dhe gruaja e tij mirëpritën policinë “të armatosur deri në dhëmbë” në shtëpinë e tyre për katër muaj e gjysmë. Duke ditur se ai është nën vëzhgim, Ticino i kufizon kontaktet dhe komunikimet e tij në maksimum, përcjell albinfo.ch. “Në fund të vitit 2020 më dërgoi një mesazh të koduar duke më kërkuar që të mos e kontaktoja më”, konfirmon Franco Cavalli, ish-këshilltar kombëtar socialist, i cili është edhe miku i tij.

“Është tronditëse të mendosh se një gjë e tillë mund të ndodhë në Zvicër”.

Sot policia me uniformë nuk është më në detyrë. Por masat mbrojtëse janë ende po aq të rëndësishme. Shtëpia është plot me kamera dhe e pajisur me alarme dhe me një dhomë të sigurt, ku Dick Marty duhet të strehohet në rast sulmi. Aty pranë ndodhet policia me rroba civile.

Gjatë udhëtimeve të tij të rralla, Dik Marti mban veshur jelek antiplumb, makina e tij është e blinduar dhe e shoqëruar nga automjete policie me rroba civile.

Komisioni i Rithemelimit: Kongres anti-SPAK, kriminale se si Edi Rama i bëri sot presion drejtësisë

Pas deklaratave të Edi Ramës ku kritikoi në Kongres SPAK-un se përse nuk ka nisur deri më tani një hetim ndaj Sali Berishës, i shpallur ‘Non Grata’ nga Shtetet e bashkuara të Amerikë, ka ardhur reagimi i Komisionit të Rithemelimit.

Përmes një deklarate, Belind Këlliçi e ka quajtur Kongresin e PS-së si një kongres anti-SPAK.

Këlliçi tha se është kriminale sesi Edi Rama i bëri sot presion drejtësisë.

“Sot Ramën do e kishin zili dhe liderët më autoritarë dhe diktatorët më famëkeq, edhe Kim Jongun do e kishte zili për shfaqjen e shëmtuar që na dhuroi. Është kriminale presioni që Rama u ushtroi ndaj organeve të drejtësisë. Kongresi anti-spak sepse frika që e ka kapur nga afera e inceneratorëve e detyroi t’i bënte presion të hapur duke treguar që e trajton sikur të ishte seksion i partisë së tij. Sot u fol për urrejtjen ndaj opozitës, tregoi që është i shqetësuar që opozita  e kapur është një ëndërr që nuk ekziston më. Sot para Ramës ndodhet një opozitë reale. Sot qytetarët shqiptarë panë sesi rilindja vdiq ku Edi Rama u la porosi deputetëve që termin rilindje mos ta përdorin më pasi ai është eksperiment i dështuar. Rama u tregoi shqiptarëve që oferta e vetme që ia ka për vendin është hashashi, asnjë plan ekonomik, asnjë fjalë për të rinjtë e vendit, asnjë fjalë për çmimin e karburantit, çmimet e larta. I tregoi që drejtësia duhet të dënojë këdo që ai kap prej veshi dhe e çon përpara drejtësie”, tha Këlliçi.

Votëbesohet Sekretariati i Partisë Socialiste, ja rezultatet për sekretarët

Anëtarët e Asamblesë së Partisë Socialiste votëbesuan këtë të shtunë dhe anëtarët e Sekretariatit të kësaj partie. Në total votuan 284 anëtarë Asambleje nga 342 anëtarë. Nga votimi rezultoi se të gjithë anëtarët aktualë rimorën besimin e anëtarëve të Asamblesë për të vijuar detyrën e tyre.

Blendi Klosi do të vijojë detyrën si Sekretar Organizativ, ndërsa Blerina Gjylameti si Sekretare për Koordinimin. Ndërkaq, Eridian Salianji mori besimin për të vijuar detyrën si Sekretar për Çështjet Zgjedhore dhe Ligjore e po ashtu Etjen Xhafaj si Sekretar Dixhital, Anila Denaj si Sekretare e Burimeve Njerëzore; Etilda Gjonaj Sekretare e Gruas, Romina Kuko- Sekretare e Marrëdhënieve me Jashtë.

Laert Duraj është votëbesuar për të vijuar detyrën si Sekretar për Diasporën. Në Kongresin e sotëm u propozuan shtimi i 3 sekretariateve të rinj të drejtuar nga Blerina Gjylameti, Eridian Salianji dhe Lart Duraj të cilët morën po ashtu votbesimin si më poshtë:

Blendi Klosi 280 vota
Eridian Salianji 262 vota
Etjen Xhafaj 259 vota
Blerina Gjylameti 258 vota
Laert Duraj 256 vota
Etilda Gjonaj 255 vota
Anila Denaj 251 vota
Romina Kuko 248 vota.

/Zoom.al

Del video e vrasjes në “Don Bosko”

Këto janë të vetmet pamjet filmike që kanë fiksuar momentin e vrasjes së 35-vjeçarit, Erion Çela pasditen e 4 Janarit në zonën e Don Boskos në kryeqytet.

Në këtë video ekskluzive të Tv Klan shihet makina tip Benz e atentatorëve pasi lëshon breshërinë e plumbave në distancë nga bar-kafeja ku ndodhej viktima dhe 4 të plagosurit, mes të cilëve daja i tij Edmond Crroj dhe i vëllai Blerim Çela.

Breshëria e plumbave zgjat vetëm pak sekonda dhe rolin e qitësit e luan një prej autorëve i pozicionuar në sediljen e parë të automjetit.

Më pas autorët, që dyshohet se ishin 3, kthejnë makinën përpara bar kafenesë ku ndodhej viktima dhe marrin drejtim për nga Spitali i Traumës nga erdhën, për të vijuar më pas në zonën e Laprakës.

Makina tip Benz, që duket në video rezultoi me targa të vjedhura në Vorë 2 muaj para ngjarjes. Ajo konsiderohet element kyç në identifikimin e autorëve, por dyshimi se automjeti është çmontuar pas ekzekutimit ka vështirësuar akoma më shumë punën e hetuesve për të zbardhur vrasjen.

Policia disponon edhe disa pamje të tjera filmike të makinës që shihet se lëviz në drejtim të zonës së Fushë – Krujës. Por as nëpërmjet tyre nuk ka qenë i mundur identifikimi i autorëve, për shkak se mjeti ishte me xhama të zinj dhe vrasësit kanë qenë të maskuar.

Pavarësisht dyshimeve të grupit të hetimit se motiv i vrasjes ishte prishja pazareve të drogës me objektiv të atentatit dajën e viktimës, Edmond Crroj, për shkak të problemeve me drejtësinë jashtë vendit nuk përjashtohet mundësia që shënjestër të kenë qenë dhe vetë Erion Çela me të vëllain. Kjo pasi policia disponon informacione se ishin përfshirë në trafik narkotikësh në Itali. Tv Klan

Covid-19: Asnjë humbje jete dhe 55 raste të reja në 24 orët e fundit

Për të dymbëdhjetën ditë radhazi në vendin tonë nuk është shënuar asnjë viktimë nga koronavirusi. Si rezultat i 1.088 testimeve, në 24 orët e fundit janë regjistruar 55 qytetarë të infektuar me COVID-19. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se infeksionet e reja janë identifikuar në këto bashki.

22 në Tiranë, 9 në Fier, 3 në Patos, nga 2 qytetarë në Korçë, Konispol, Sarandë, Vlorë, Mallakastër, nga 1 qytetar në Shkodër, Kukës, Vorë, Roskovec, Finiq, Gjirokastër, Tepelenë, Maliq, Elbasan, Gramsh, Lushnje.

Aktualisht në të gjithë vendin janë 382 pacientë aktivë me COVID-19. Në spitalin COVID-3 po marrin trajtim 11 pacientë, nga të cilët 2 janë në gjendje më të rënduar. Në 24 orë janë shëruar 45 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 270,317 që nga fillimi i epidemisë.

Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe shëndetin e të tjerëve.

Statistika (09 Prill 2022)

Raste të reja ditore           55

Të shëruar në 24 orë       45

Të shtruar në spitale        11

Humbje jete në 24 orë      0

Testime ditore                   1088

 

Testime totale               1,786,279

Raste pozitive                   274,191

Raste të shëruara              270,317

Raste Aktive                            382

Humbje jete                           3,492

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë             219

Fier                  44

Vlorë               39

Elbasan           21

Korçë              17

Berat                13

Durrës              9

Shkodër             8

Gjirokastër       6

Kukës               3

Lezhë                 3