zoom

Day ArchiveJohnny Depp dekorohet nga Presidenti serb

Vuçiç i dorëzon “Medaljen e artë serbe të meritës” për kontributin e aktorit

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, i dha yllit të Hollywood-it, Johnny Depp medaljen e artë të vendit të tij “për merita të jashtëzakonshme në aktivitete publike e kulturore, sidomos në fushën e kinematografisë dhe promovimit të Serbisë në botë”. Vuçiç dekoroi aktorin amerikan në Beograd, në Ditën e Republikës. 

Gjatë fjalimit  aktori famshëm i Hollywood-it falënderoi Presidentin Vuçiç, regjisorin Emir Kusturica – me të cilin bashkëpunoi për filmin “Arizona Dream” të vitit 1993 – si dhe njerëzit me të cilët ka punuar në Serbi. Ai u zotua gjithashtu se do të ketë një “rifillim” në Serbi.

Në Tetor 2021, Depp vizitoi Serbinë dhe u takua me Vuçiç  gjatë promovimit të serialit të animuar “Puffins”, në të cilin ai shpreh një personazh kryesor.  Seriali i animuar 3-D me 168 episode u krijua nga “Iervolino Studios” dhe u prodhua nga “Archangel Digital Studios” me bazë në Beograd, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Kushtetuesja nuk e shkarkoi, reagon Presidenca: Zero surprizë

Pasi Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm vendimin e Kuvendit për të shkarkuar Ilir Metën, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidencës. Zëdhënësi Tedi Blushi shprehet se nuk ka pasur asnjë surprizë për Presidencën.

Sipas tij, kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar.

“ZERO SURPRIZË për Presidencën!  Kjo çështje as nuk duhej të kishte filluar! ” shkruan Blushi.

Gjykata Kushtetuese publikon vendimin: Presidenti Meta nuk shkarkohet

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Kuvendit  të Shqipërisë për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta.

Njoftimi:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 01.02.2022, 03.02.2022 dhe 07.02.2022 vendimin nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
Ajo ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me parashikimet e neneve 90 dhe 131, pika 1, shkronja “dh” të Kushtetutës dhe brenda kufijve të shqyrtimit të saj hyjnë si verifikimi i procedurave të ndjekura nga Kuvendi, ashtu edhe përcaktimi i shkeljes së rëndë, si dhe provueshmëria e fakteve përkatëse.
Kuvendi ka legjitimitet për të qenë palë në këtë proces. Legjislatura X e Kuvendit, bazuar në parimin e vazhdimësisë institucionale, ka legjitimitet për të përfaqësuar Legjislaturën IX të tij.
Po ashtu, Legjislatura IX e Kuvendit, ka pasur legjitimitet substancial, në vlerësim të momentit të konstituimit të Kuvendit, zëvendësimit të deputetëve, numrit të përgjithshëm të deputetëve, mungesës së vendimeve të organeve kompetente për të deklaruar parregullsinë apo pavlefshmërinë e zëvendësimit të mandateve dhe mundësisë së kësaj Legjislature për të arritur kuorumet e nevojshme, si dhe tërësisë së ligjeve dhe vendimeve të miratuara.
Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.
Në lidhje me shkaqet për të cilat Kuvendi ka vendosur shkarkimin e Presidentit, Gjykata Kushtetuese, pasi përcaktoi elementet objektive të “shkeljes së rëndë të Kushtetutës” të parashikuar në nenin 90, pika 2, të Kushtetutës, si dhe vlerësoi kërkesën e nenit 90, pika 3, të Kushtetutës për të vërtetuar fajësinë e Presidentit, arriti në përfundimin se:

1. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 86, pika 1, dhe nenit 89 të Kushtetutës, nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.

2. Nuk ka shkelje të rëndë të nenit 88, pika 3, të Kushtetutës, pasi:
 – Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
 – Faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
 – Faktet e paraqitura si shkelje që lidhen me pavarësinë e organeve publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
 – Faktet e paraqitura si shkelje të rendit dhe sigurisë publike nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

3. Faktet e paraqitura si shkelje të nenit 94 të Kushtetutës nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës. 

Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 90, pika 2 dhe 131, pika 1, shkronja “dh”, të Kushtetutës, si dhe nenin 63, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar,

VENDOSI:

– Shfuqizimin e vendimit nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Diamanti blu thyen rekord, mund të arrijë shifrën 48 milionë dollarë në ankand

Një nga diamantet blu më të vlefshme që është paraqitur ndonjëherë në një ankand mund të shitet për më shumë se 48 milionë dollarë, sipas Sotheby’s.

I quajtur “The De Beers Cullinan Blue”, është diamanti blu më i madh në botë prej 15,10 karatësh.

Duke e përshkruar diamantin si “jashtëzakonisht të rrallë”, Sotheby’s shtoi se vetëm pesë gurë të çmuar mbi 10 karat janë shfaqur në ankand.

Asnjë nuk ka qenë ndonjëherë mbi 15 karat, “duke e bërë pamjen e kësaj perle të përsosur një ngjarje historike në vetvete.”

Diamanti i rrallë u gjet në minierën Cullinan në Afrikën e Jugut, në vitin 2021 dhe ka arritur renditjen më të lartë, sipas standardeve me të cilat gjykohen diamantet me ngjyra.

Guri i çmuar ka pamje të jashtëzakonshme dhe është i tipit IIb, që do të thotë se përmban bor dhe për këtë arsye ka një nuancë gri, sipas faqes së internetit të GIA . Më pak se 0.5% e diamanteve janë pjesë e një kategorie të tillë, thuhet në deklaratën për shtyp.

“Diamantet blu të çdo lloji janë të rrallë në treg, por ky është më i rralli nga të rrallët; asgjë e kalibrit të ngjashëm nuk është shfaqur në ankand vitet e fundit”,  tha në deklaratën për shtyp Patti Wong, kryetare e Sotheby’s Asia.

“Qindra milionë vite në prodhim, ky diamant i jashtëzakonshëm blu është padyshim një nga krijimet më të mira të natyrës. Tani i sjellë në jetë nga dora e një prej prerësve më të aftë në botë, është kryevepra e fundit, aq e rrallë dhe e dëshiruar si veprat më të mëdha të artit.”

Diamantet blu janë të lakmuar për shkak të rrallësisë dhe ngjyrës së tyre mahnitëse.

Miniera Cullinan ka prodhuar një sërë gurësh të çmuar, duke përfshirë diamantin Cullinan 3,106 karatësh të zbuluar në vitin 1905, i cili është diamanti më i madh i regjistruar ndonjëherë, sipas Muzeut të Diamanteve të Cape Town në Afrikën e Jugut.

“Hëna Blu e Josephine ” është një diamant blu 12.03 karatësh që u shit për 48.4 milionë dollarë në vitin 2015. Ajo ende mban rekordin e ankandit për çmimin për karat të çdo diamanti apo guri të çmuar.

Zbulime të tjera të kohëve të fundit përfshijnë “The Sakura”, një diamant vjollcë-rozë 15,81 karatësh që u shit për 29,3 milionë dollarë në Christie’s në maj të vitit të kaluar.

“The De Beers Cullinan Blue” është planifikuar të dalë në ankand në Sotheby’s Hong Kong Luxury Week në fund të prillit.

Çfarë dihet për krizën Ukrainë-Rusi

Shqetësimet e Perëndimit se Rusia mund të ndërmarrë një sulm ndaj Ukrainës janë zbutur nga dita në ditë, por nuk janë zhdukur. Përpjekjet diplomatike për të shmangur luftën morën një nxitje të re këtë javë pasi Presidenti Vladimir Putin tha se Rusia ishte e gatshme të diskutonte për çështjet e sigurisë me NATO-n dhe se po tërhiqte disa nga trupat e saj të grumbulluara pranë kufijve të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e kanë mirëpritur shprehjen e vullnetit për hapa diplomatike, por thonë se nuk kanë parë prova konkrete për një ulje të përshkallëzimit ushtarak rus.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s u takuan të mërkurën në Bruksel ndërsa Perëndimi përpiqet të frenojë një ndërhyrje të mundshme, gjë që Rusia këmbëngul se nuk ka plane ta ndërmarrë.

ÇFARË PO NDODH ME TRUPAT RUSE?

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se 150,000 trupa ruse janë grumbulluar pranë kufijve veriorë, jugorë dhe lindorë të Ukrainës, dhe zyrtarët perëndimorë thonë se një sulm rus mund të ndodhë në çdo moment.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se disa njësi që po merrnin pjesë në stërvitje ushtarake do të fillojnë të kthehen në bazat e tyre, një deklaratë që u përshëndet si “një sinjal pozitiv” nga kancelari gjerman Olaf Scholz. Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi pamjet e një treni me automjete të blinduara që largoheshin nga Krimea, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca ushtarake nuk kishte parë “ndonjë ulje përshkallëzimi në terren. Përkundrazi, duket se Rusia vazhdon përqendrimin ushtarak.”

“Rusia vazhdon të ketë forca masive ushtarake në gatishmëri për të sulmuar,” tha ai.

ÇFARË THOTË RUSIA?

Kremlini hedh poshtë pretendimet se po planifikon një ndërhyrje. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov tha se “histeria perëndimore na shqetëson thellësisht” dhe akuzoi Perëndimin se po përpiqet të diktojë se si duhet të sillet Rusia në territorin e saj.

Ambasadori i Moskës në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov, i tha gazetës gjermane Welt se “nuk do të ketë sulm këtë të mërkurë. Nuk do të ketë përshkallëzim as javën e ardhshme, ose javën pas saj dhe as në muajin e ardhshëm.”

Zyrtarët perëndimorë thonë se edhe nëse nuk ndërmerret një sulm së shpejti, Rusia mund t’i mbajë trupat të grumbulluara pranë Ukrainës për javë të tëra, duke e kthyer përqëndrimin ushtarak në një krizë të zgjatur që tashmë e ka dëmtuar ekonominë e Ukrainës.

Forcat ruse vazhduan lojërat e tyre masive të luftës të mërkurën në Bjellorusi, në veri të Ukrainës, me avionë luftarakë në misione stërvitore dhe ushtarë që bënin stërvitje me armë.

Perëndimi druhet se këto stërvitje mund të përdoren për të mbuluar gjurmët para një sulmi të mundshëm ndaj Ukrainës, por ministri i Jashtëm bjellorus Vladimir Makei tha se të gjitha trupat dhe armët ruse do të largohen nga vendi pasi të përfundojnë manovrat të dielën.

ÇFARË PO BËN NATO-ja?

Ministrat e mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s u takuan në Bruksel në përpjekje për të përforcuar strategjinë e parandalimit, ndërkohë që vazhdon përpjekjet diplomatike me Rusinë.

Sekretari Stoltenberg tha se NATO-ja do t’i përcjellë një mesazh shumë të qartë Rusisë se “ne jemi gati të ulemi dhe të diskutojmë me ta, por në të njëjtën kohë, jemi të përgatitur për më të keqen”.

Ai tha se veprimet e Rusisë kishin provokuar “një krizë në sigurinë evropiane” dhe treguan se Moska ishte e gatshme të minonte shtyllat e stabilitetit të kontinentit duke kërcënuar fqinjin e saj.

“Me keqardhje them se kjo është normalja e re në Evropë”, tha ai.

Sekretari Stoltenberg tha se NATO-ja kishte diskutuar për ngritjen e grupeve të reja ushtarake në Evropën qendrore, lindore dhe juglindore, duke përfshirë një të udhëhequr nga Franca në Rumani, por nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.

NATO-ja ka përjashtuar dërgimin e trupave në Ukrainë për të luftuar kundër Rusisë, e cila nuk është anëtare e aleancës perëndimore. Por qindra trupa amerikane, britanike dhe të tjera të NATO-s janë dërguar për të forcuar mbrojtjen e vendeve anëtare në Evropën Lindore, duke përfshirë Poloninë dhe shtetet baltike që kanë frikë se mund të jenë gjithashtu objektiva të Rusisë.

Moska akuzon NATO-n se po afrohet gjithnjë e më shumë në kufijtë e saj. Një kërkesë kryesore ruse është që Ukraina të largojë ambicien e saj për t’u anëtarësuar në NATO. Aleanca thotë se Ukraina duhet të ketë lirinë për të bërë zgjedhjet e veta.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të diskutojnë zhvillimet e fundit lidhur me krizën të enjten përpara fillimit të një samiti BE-Afrikë. BE-ja, SHBA-ja dhe Britania kanë kërcënuar sanksione të rënda ndaj Rusisë nëse ajo sulmon Ukrainën.

PËR ÇFARË TJETËR ËSHTË I SHQETËSUAR PERËNDIMI?

Diplomatët perëndimorë e kanë quajtur krizën, sfidën më të madhe për rendin ndërkombëtar që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Konflikti gjithashtu ka përqendruar vëmendjen e shumë qeverive evropiane në sigurinë e furnizimeve të tyre të ardhshme me energji.

Qeveritë perëndimore akuzojnë Rusinë për shkurtimin e furnizimeve të saj me gaz natyror në Evropë për të shfrytëzuar kërkesat e sigurisë së Rusisë, duke kontribuar në çmime shumë më të larta të energjisë.

Në periudhën afat-shkurtër, Evropa po kërkon gaz shtesë nga vende të tjera, përfshirë Japoninë. Kriza mund të përshpejtojë gjithashtu kalimin tek energjia e rinovueshme miqësore për klimën, që tashmë është duke u zhvilluar.

I dërguari amerikan për klimën, John Kerry, do të nënvizojë lidhjen midis përpjekjeve për klimën dhe sigurisë globale në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, ku ai është planifikuar të flasë të premten. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken gjithashtu pritet të marrë pjesë në konferencë.

SULMET KIBERNETIKE

Sistemet kompjuterike vazhdojnë të kenë probleme pas një sulmi kibernetik të martën ndaj faqeve të internetit të ushtrisë ukrainase, ministrisë së mbrojtjes dhe bankave të mëdha ukrainase.

Zyrtarët ukrainas thonë se po hetojnë origjinën e sulmit ndërkohë që Rusia ka mohuar përfshirjen.

Ndërkohë, autoritetet amerikane paralajmëruan se hakerët e mbështetur nga shteti rus po zhvillojnë prej kohësh një fushatë të gjatë për të futur në dorë materiale të klasifikuara nga kontraktorët privatë që punojnë për Pentagonin.

Paralajmërimi i lëshuar nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, Byroja Federale e Hetimeve dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare thotë se hakerët, duke përdorur “taktika të thjeshta por efikase”, kanë vënë në shënjestër kontraktorët e Pentagonit të paktën që nga janari i vitit 2020 dhe ka gjasa që sulmet kibernetike të vazhdojnë.

Autoritetet amerikane thanë se hakerët kishin mundur të siguronin të dhëna jo-sekrete të natyrës së rëndësisë së lartë, si dhe teknologji që përdor CDC dhe që nuk lejohet të eksportohet. Autoritetet nuk bënë të ditur se cilat kompani kontraktore janë penetruar nga hakerët.

ATMOSFERA NË UKRAINË

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e shpalli të mërkurën “ditë të unitetit kombëtar”. Ai i bëri thirrje popullit që të shfaqin flamurin kombëtar me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë dhe të këndojnë hymnin kombëtar përballë këcënimeve hibride. Në shenjë të ditës së unitetit kombëtar, turma e mbledhur në një arenë sportive në Kiev mbajti një flamur ukrainas 200 metra të gjatë.

“Rusia nuk do të na lërë në paqe, ndaj ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm”, tha shkencëtari 52 vjeçar Yuri Maistrenko. “Nuk ndodhi sot, por mund fillojë nesër ose pas një muaji”.

ÇFARË PO NDODH NË RUSI?

Presidenti Putin, i cili ka zhvilluar takime të tensionuara me presidentin francez Emmanuel Macron dhe Kancelarin Scholz të Gjermanisë ditët e fundit, dukej i buzëqeshur të mërkurën në Moskë gjatë takimit me presidentin autoritar të Brazilit, Jair Bolsonaro.

Ndërkohë, ligjvënësit rusë i kanë kërkuar Presidentit Putin që të njohë si shtete të pavarura zonat e kontrolluara nga rebelët në Ukrainën lindore. Rusia i ka mbështetur rebelët në një konflikt që u ka marrë jetën më shumë se 14,000 njerëze që nga viti 2014. Presidenti rus la të kuptohej se ai nuk ishte i prirur të mbështeste mocionin, i cili do t’i jepte fund një marrëveshje paqeje të vitit 2015.

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, tha se nëse Presidenti Putin do ta miratonte kërkesën, veprimi do të ishte “një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar” dhe do të sillte “një përgjigje të shpejtë dhe të fortë” nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

NDIKIMET NË FUSHA TË TJERA

Kriza po shkakton dallgë politike dhe ekonomike në transportin ajror dhe detar. Kompania ajrore “Ukraine International Airlines” tha se ka dërguar disa nga avionët e saj të pasagjerëve në Spanjë për t’i ruajtur.

Firma ukrainase e fluturimeve tha se e mori vendimin nën presionin e kompanive të sigurimit “për shkak të situatës së politikës së jashtme”.

Aeroporti në Castellón të Spanjës lindore tha se pesë aeroplanë kishin mbërritur dhe pritej edhe një tjetër. Kompania ajrore ukrainase vazhdon fluturimet vajtjeardhje me një flotë të reduktuar.

Në Gjermani, sindikata që përfaqëson pilotët bëri thirrje që avionët të shmangin fluturimet mbi “rajonet e tensionuara” në Ukrainën lindore.

Në vitin 2014, 298 pasagjerë në bordin e një avioni të kompanisë “Malaysia Airlines”, që fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur, u vranë kur aeroplani i tipit Boeing 777 u rrëzua nga një raketë mbi Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelët.

Po ashtu, peshkatarët norvegjezë shprehën indinjatë lidhur me një stërvitje tre-ditore detare ruse në Arktik që filloi të mërkurën. Anijet e peshkimit janë paralajmëruar të qëndrojnë larg një vije të gjatë prej 1,000 kilometrash nga veriu i Norvegjisë. Sturla Roald me Shoqatën e pronarëve të anijeve të peshkimit e quajti situatën “krejtësisht të paqëndrueshme”./VOA

5 qytetet me hotelet më ekologjike në botë

Nëse je nisur për një udhëtim dhe po kërkon një ambient miqësor me mjedisin, këtu është një listë e pesë qyteteve me numrin më të madh të hoteleve ekologjike në botë, sipas faqes së krahasimit të energjisë Uswitch.

Vankuver, Kanada

Gjetja e akomodimit të qëndrueshëm nuk është aspak e vështirë në Vankuver, ku 44 për qind e hoteleve janë miqësore me mjedisin.

Qyteti kanadez është votuar si më i gjelbëri në botë vitin e kaluar. Vankuveri është vlerësuar për përpjekjet e tij për të reduktuar gjurmën e karbonit dhe për rritjen e riciklimit të tij nga 40 për qind në mbi 60 për qind në vetëm një dekadë.

Model për riciklimin janë edhe hotelet e tij, ndër të cilët spikat Fairmont Waterfront me pesë yje.

Hoteli, i cili ka pamje nga porti i Vankuverit dhe është i njohur për përpjekjet e tij për të qenë i butë ndaj mjedisit, është shtëpia e 250,000 bletëve, ofron menu organike për darkuesit e tij dhe opsione pa përdorim.

Stokholm, Suedi

Në rast se nuk mund të udhëtoni në anën tjetër të botës, do të jeni të lumtur të zbuloni se qyteti i dytë me hotelet më ekologjike në botë është pikërisht këtu në Evropë.

Stokholmi konsiderohet një nga qytetet më të gjelbra në Evropë dhe mbi 40 për qind e 216 hoteleve të tij janë miqësorë me mjedisin.

Ndër këto vlen të përmendet hoteli ‘Elite Eden Park’, një nga akomodimet e para që iu dha titulli “Lidership në Energji dhe Dizajn Mjedisor i certifikuar” në kryeqytetin e Suedisë.

Kohët e fundit, hoteli ka futur pikat e karikimit për automjetet elektrike në parkingun e tij, në përpjekje për të inkurajuar mysafirët të adoptojnë mënyra më të gjelbra transporti.

Toronto, Kanada

25% e hoteleve në Toronto janë renditur si miqësore me mjedisin. ‘Hoteli 1’ i qytetit me zero mbeturina është veçanërisht interesant për ata që përpiqen të reduktojnë gjurmën e tyre të karbonit. Ushqimi i tyre gjithashtu merret tërësisht nga fermerët vendas brenda një rrezeje 100 km nga ndërtesa.

Nëse kjo nuk ju bëri mjaftueshëm përshtypje, hoteli është gjithashtu një shembull i arkitekturës së qëndrueshme: si pjesa e brendshme ashtu edhe pjesa e jashtme e ndërtesës janë prej druri të ripërdorur nga hambarët e çmontuar.

Calgary, Kanada

Mbi 23 për qind e hoteleve në Calgary janë të qëndrueshme, me akomodime që punojnë shumë për të siguruar operacione efikase riciklimi, produkte lokale dhe praktika të kursimit të energjisë.

Për të minimizuar konsumin e energjisë, hoteli ‘Le Germain’ në qytet së fundmi ka kaluar në ngrohjen dhe ftohjen gjeotermale për të mbajtur dhomat e tij në temperaturën perfekte duke u mbajtur larg karburanteve fosile.

Edmonton, Kanada

Një tjetër qytet kanadez rrëmben vendin e katërt, me Edmonton që numëron mbi 22 për qind të hoteleve të tij si miqësore me mjedisin. Qyteti konsiderohet gjithashtu gjerësisht si qyteti më i qëndrueshëm i vendit në përgjithësi.

Skadenca e shpejtë e AstraZeneca, problem për vendet e varfra

Afati i shkurtër i ruajtjes së vaksinës AstraZeneca po e bën gjithnjë e më të vështirë shpërndarjen e vaksinës në vendet e varfra.

Fillimisht, vendet më të varfra mbetën prapa në sigurimin e furnizimeve me vaksina, pasi vendet më të pasura përdorën fuqinë e tyre financiare për të marrë dozat e para të disponueshme.

Ndërsa prodhimi i vaksinave u rrit dhe shtetet më të pasura filluan të dhurojnë doza të tepërta, disa vende, veçanërisht Afrika po punon për administrimin e dërgesave të mëdha.

Nevoja për të refuzuar vaksinat me jetëgjatësi të shkurtër, së bashku me pabarazinë fillestare, hezitimin dhe barrierat e tjera, ka kontribuar në një shkallë shumë më të ulët të vaksinimit në Afrikë ku vetëm rreth 10% e njerëzve janë imunizuar, krahasuar me më shumë se 70% në vendet më të pasura.

Nigeria hodhi rreth 1 milion vaksina AstraZeneca në nëntor. Sipas të dhënave dhe zyrtarëve të COVAX, problemi me vaksinat me jetëgjatësi të shkurtër lidhet konkretisht me kompaninë AstraZeneca.

Belgjika bëhet vendi më i fundit që lejon javën me 4 ditë punë

Pas javësh të tëra diskutime, Belgjika u bë vendi më i fundit që lejon javën me 4 ditë punë.

Qeveria belge deklaroi se punonjësit e këtij shteti tashmë mund t’u kërkojnë pronarëve të punojnë 4 ditë në javë pa humbur asnjë qindarkë nga paga e tyre.

Ligji i ri belg lejon punonjësit të punojnë ditë më të gjata gjatë javës, që i lejon ata të kenë një fundjavë 3-ditore.

Pronarët kanë mundësi ta refuzojnë këtë kërkesë vetëm nëse kanë një arsyeje mjaft të mirë për ta bërë këtë.

Që duhet ta shoqërojnë me një letër formale adresuar shtetit belg.

Belgjika e ka konsideruar këtë ide që prej tetorit, në fillim si pasojë e pandemisë e më pas për të parë nëse kjo iniciativë do të sillte rezultate pozitive.

Sipas ligjit të ri, punonjësit mund të punojnë një maksimum prej 9.5-10 orësh në ditë.

Belgjika nuk është shteti i parë që e provon javën me 4 ditë.

Prestigjozja Forbes ka bërë një listë të vendeve të cilat kanë vënë në punë këtë model të ri vitet e fundit.

Islanda e testoi idenë e javës së punës me 36 orë me sukses nga viti 2015-2019 dhe tashmë me shumë se 85% e punonjëse po zgjedhin këtë opsion.

Skocia është një tjetër shtet që ka eksperimentuar me javën 4-ditore. Punonjësit atje do të përfitojnë nga një ulje e orëve të punës me 20% pa humbur asgjë nga rroga e tyre.

Spanja ka deklaruar se do të nisë të testojë javën me 4 ditë apo me 32 orë për 3 vitet në vazhdim. Ky program pilot do të jetë i ngjashëm me atë të shtetit skocez.

Japonia po ndjek hapat e Spanjës në këtë drejtim. Ky shtet po e konsideron këtë opsion duke marr parasysh që japonezët kanë një reputacion të të punuarit për orë të gjata dhe shpesh herë pa marrë as pushime vjetore – gjë që i bën ata të ngjashëm me punonjësit amerikanë. Në fakt, Japonia është shteti që ka një nga normat më të larta të vdekjes si pasojë e orëve të gjata të punës. Japonezët kanë edhe një term për këtë fenomen duke e quajtur atë karōshi.

Kompania Microsoft Japan e ka testuar modelin me 4 ditë në vitin 2019, duke deklaruar rezultate pozitive ku më shumë se 40% e punonjësve thanë se ishin më të lumtur dhe më produktivë.

Emiratet e Bashkuara ishin shteti i parë në vitin 2022 i cili adoptojë javën me 4 ditë e gjysëm punë. Të gjithë instituticionet publike në këtë shtet do të nisin të punojnë 4 ditë në javë, me fundjava që e nisin të premten në mesditë dhe përfundojnë deri të dielën. Orari i punës në këtë shtet nis në 7:30 në mëngjes deri në 3:30 pasdite të hënë-të enjte dhe 7:30-12:00 ditën e premte.

Tërheqja trupave ruse nga Kremlini nuk është bindëse, sipas NATO-s

Ministrat e vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën të mërkurën në Bruksel në një kohë kur aleanca ushtarake akuzon Rusinë se po dërgon më shumë trupa përreth Ukrainës, pavarësisht se Moska ka deklaruar se po tërheq forcat e saj dhe se është e hapur për diplomaci.

Në fjalën e tij në përfundim të punimeve, sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg deklaroi se tërheqja e pretenduar nga Kremlini nuk është bindëse dhe se nuk sheh një çtensionim të situatës.

“Nuk kemi parë ndonjë shenjë të çtensionimit në terren. As tërheqje të trupave dhe pajisjeve ushtarake. Kjo mund të ndryshojë, por megjithatë ajo që shohim sot është se Rusia ka një forcë pushtuese masive gati për sulm, me kapacitete të shtuara nga Bjellorusia”, tha Jens Stoltenberg.

Stoltenberg akuzoi Moskën se synon që përmes forcës të kontestojë parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane dhe kjo sipas tij është një “normalitet i ri” me të cilin Evropa duhet të jetojë.

Ndërkohë, komandantëve të NATO-s u është urdhëruar të gjejnë mënyra se si të vendosin grupe të reja ushtarake në lindje të Evropës.

Bëhet fjalë për grupe që janë në gatishmëri ushtarake, të përbëra nga forcat e vendeve të ndryshme anëtare, që punojnë së bashku.

Për NATO-n, kjo është përgjigja më e mirë ndaj pushtimit të Krimesë nga Rusia dhe angazhimit më të madh ushtarak të saj që prej kohës së Luftës së Ftohtë.

“E kam shumë xhan”, Jonida Maliqi mbështet Donaldin: Ai është …

 

Edhe dy ditë na ndajnë nga finalja e madhe e “Big Brothe VIP” dhe të gjithë banorët kanë mbështetësit e tyre.

Jonida Maliqi ka treguar se të gjithë finalistët i ka miq, përveç Beniadës. Madje, ajo dikur ka qenë e lidhur edhe me vëllain e Donaldit, Romeon.

E ftuar në ‘Ftesë në pesë’, këngëtarja pranoi se Donaldin e ka shumë xhan dhe nuk ka luajtur.

“Donaldin e kam shumë xhan. Ai është i njëjti si jashtë edhe brenda shtëpisë dhe nuk ka luajtur asnjë moment”, tha Jonida.

 

Më tej, këngëtarja foli pak edhe për jetën private duke pranuar se dikur mërzitej që flitej për të në media, por tani është mësuar dhe nuk i bën më përshtypje kjo pjesë. “Do mbetem aventuriere për dashurinë”, u shpreh Maliqi.