zoom

Day ArchiveMbahet biseda telefonike Macron – Putin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka paralajmëruar se ekziston “një mundësi e qartë” që Rusia mund të pushtojë Ukrainën në muajin Shkurt. Ai i bëri të ditur këtë paralajmërim homologut të tij ukrainas Vlodimir Zelenskiy gjatë një bisede telefonike që zhvilloi të enjten.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se Biden gjatë bisedës ka riafirmuar gadishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve ndërkombëtarë që të përgjigjen me vendosshmëri në rast të një agresioni rus.

Zbulimet e inteligjencës amerikane në Dhjetor vlerësuan se Rusia mund të fillojë një ofensivë ushtarake në Ukrainë “që në fillim të vitit 2022”. Që atëherë, zyrtarët amerikanë kanë qëndruar në këtë linjë.

Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, është mbajtur ditën e sotme biseda telefonike mes Presidentit Francez, Emanuel Macron dhe homologut te tij Rus, Vladimir Putin.

Sipas mediave ndërkombëtare, të dy krerët kanë rënë dakord në gjetjen e një zgjidhjeje Diplomatike nëpërmjet dialogut ku Putin është shprehur se nuk do donte që situata pranë kufirit me Ukrainën të përshkallëzohej.

Kremlini është shprehur se Putin i ka thënë Macron se SHBA dhe NATO nuk i kanë adresuar kërkesat kryesore të sigurisë së Rusisë, por megjithatë Moska është e gatshme të vijojë bisedimet. Putin u shpreh se palët duhet të punonin drejt zbatimit të marrëveshjes së Miniskut.

Me kërkesën e qeverisë amerikane, instanca më e lartë e OKB-së, Këshilli i Sigurimit do të trajtojë situatën e  krizës në Ukrainë në një seancë, e cila pritet të mbahet këtë të hënë. 

Papa Françesku paralajmëron mbi rrezikun e ‘infodemisë’

Papa Françesku u takua me gazetarë katolikë të cilët kanë krijuar një rrjet që synon kontrollin e fakteve, në një përpjekje për të luftuar dezinformimin rreth pandemisë. Papa ka bërë shpesh thirrje për një gazetari të përgjegjshme, në kërkim të së vërtetës, e në respekt të individët, dhe takimi i tij me konsorciumin mediatik katolik, e përcolli më tej këtë mesazh.

Është e pamundur të mos vësh re se këto kohë krahas pandemisë, po përhapet një ‘infodemi’, shtrembërim i realitetit i bazuar tek frika, i cili në shoqërinë tonë globale çon në një shpërthim komentesh mbi lajme të falsifikuara, apo të sajuara“, tha Papa Françesku.

Ai tha se qasja tek informacioni i saktë, bazuar në të dhëna shkencore, është një e drejtë që gëzon çdo njeri, e që duhet të garantohet veçanërisht për ata që kanë më pak mundësi për të kuptuar mes rrëmujës së dezinformatave dhe komenteve të maskuara si fakte, të cilat janë të disponueshme në internet.

Në të njëjtën kohë, Papa Françesku kërkoi një qasje të mëshirshme e misionare ndaj atyre që bien pre e shtrembërimeve të tilla, në mënyrë që ata të ndihmohen të kuptojnë të vërtetën, sikurse tha ai.

Lajmet e rreme duhet të përgënjeshtrohen, por çdo person duhet të respektohen gjithmonë, sepse ai beson shpesh pa vetëdije”, tha ai.

Realiteti është gjithmonë më kompleks se sa mendojmë dhe ne duhet të respektojmë dyshimet, shqetësimet dhe pyetjet që ngrenë njerëzit, pa i nënvleftësuar kurrë”, shtoi Papa.

Disa përfaqësues të kishës katolike, përfshirë disa peshkopë dhe kardinalë konservatorë të Shteteve të Bashkuara, thonë se vaksinat e bazuara në kërkime që përdorin qeliza të marra nga fetuset e abortuara, ishin të pamoralshme dhe kanë refuzuar të vaksinohen.

Por Zyra e Doktrinës në Vatikan, ka thënë se është moralisht e pranueshme për katolikët që të marrin vaksina kundër COVID-19, përfshirë dhe ato të bazuara në kërkime që përdorën qeliza të marra nga fetuset e abortuara. Papa Françesku dhe Benedikti XVI janë imunizuar plotësisht me vaksina të Pfizer-BioNTech-ut.

Papa Françesku ka qenë një nga udhëheqësit fetarë më të zëshëm që ka folur në favor të vaksinave dhe respektimit të masave për të luftuar pandeminë. Ai ka lënë të kuptohet se njerëzit kanë një detyrim moral për të siguruar kujdesin shëndetësor për veten dhe të tjerët. Kohët e fundit Vatikani i kërkoi gjithë anëtarëve të personelit që të vaksinohej ose të paraqisnin prova se e kishin kaluar COVID-19, si kusht për shkuar në punë./VOA

Shkrumbohet magazina me ambalazhe në Vorë

Një magazinë me lëndë drusore dhe ambalazhe e një fabrike me pije alkoolike është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme rreth orës 22:45, në rrugën dytësore Vorë-Tiranë.

Policia njofton se në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit.

Vijon puna nga grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit./ABC

Egzona largohet përfundimisht nga shtëpia e Big Brother
Egzona dhe Tani  mund të quhen realitvisht banorë të rinj pasi kanë nisur rrugëtimin shumë më mbrapa të tjerëve.

Publiku vendosi që kjo eksperiencë të ndërpritet përfundimisht për Egzonën.

Ndërsa Tani vazhdon garën për të prekur pse jo finalen e shumëpërfolur.

Me mërzitje dhe emocion banorët përcollën gazetaren.

Zgjedhjet presidenciale franceze: Kush janë kandidatët kryesorë dhe platformat e tyre

Na ndajnë vetëm disa muaj nga zgjedhjet presidenciale në Francë. Raundi i parë do të mbahet më 10 prill, dhe i dyti, nëse do të jetë i nevojshëm, më 24 prill. Presidenti aktual, Emmanuel Macron, shpreson të jetë i pari që do të rizgjidhet në detyrë qëkur nisi praktika e mandateve5-vjeçare në vitin 2000.

Por të paktën 6 kandidatë me peshë, dhe 9 të tjerë që kanë deklaruar synimin e tyre për të kandiduar, synojnë që ta mposhtin atë. Deklarimi i aspiratës nuk do të thotë se ata do të kandidojnë realisht. Kjo pasi që të përfshihen në listën zyrtare, kandidatët kanë nevojë për mbështetjen e të paktën 500 përfaqësuesve, me jo më shumë se 50 përfaqësues nga një departament.

Për figurat më pak të njohura, por edhe për ata që njihen si ekstremistë, kjo mund të jetë një pengesë e madhe. Ja cilët janë pretendentët kryesorë aktualë, përfshirë presidentin Macron, që zyrtarisht nuk është deklaruar si një kandidat, por është thuajse e sigurt se do ta bëjë këtë në ditët e ardhshme:

La République en Marche (Republika në Marshim): Emmanuel Macron

Kur të shpallë zyrtarisht kandidaturën, presidenti aktual do të thotë se i duhen edhe 5 vjet të tjera për të zbatuar planet e tij për ta transformuar Francën. Macron, 43 vjeç, kryeson në shumicën e sondazheve, dhe shumë francezë mendojnë se deri më tani ai ka punuar relativisht mirë.

Asnjë president nuk është rizgjedhur në detyrë qëkur pas ndryshimeve kushtetuese hyri në fuqi mandati 5-vjeçar në fund të presidencës së Jacques Chirac’s, dhe filozofia e ‘dégagisme’ (dëbimit të politikanëve nga postet që mbajnë) është një forcë e fortë politike në vend, e cila krenohet se ndonjëherë është e paqeverisshme.

Megjithëse Macron nuk e ka shpallur ende kandidaturën e tij, disa nga politikat e tij kryesore politike janë forcimi i BE-së, duke përfshirë punën për ndërtimin e një ushtrie të unionit, krijimin e një organizate botërore për mjedisin, dhe rishikimin e skemës së pensioneve në vend.

Les Républicains (Republikanët): Valérie Pécresse

Pécresse, 54 vjeçe, ishte fituesja surprizë i zgjedhjeve paraprake për Les Républicains, opozita zyrtare ndaj mbështetësve të presidentit Macron në parlament. Ish-ministre e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor nën qeverinë e presidentit Sarkozy, ajo miratoi një projekt-ligj për reformën universitare, edhe pse nxori në protestë më shumë se 1 milionë njerëz.

Më vonë, ajo u promovua në postin e Ministres së Buxhetit, derisa Sarkozy u larguar nga detyra. Që prej asaj kohe është zgjedhur dy herë presidente e këshillit rajonal Ile-de-France, një post që më parë është mbajtur nga të majtët.

Pasi u largua nga Les Républicains për shkak të asaj që ajo e shihte si lëvizjen e saj në të djathtën ekstreme, Pécresse iu ribashkua partisë për të marrë pjesë në zgjedhjet paraprake. Ajo mbështet kontrollet më të rrepta mbi emigracionin, por po e bazon fushatën në përvojën e saj qeveritare, kompetencën dhe aftësinë e provuar për të fituar në zgjedhjet e vështira. Ajo është shumë pro-evropiane dhe pro-euros.

Rassemblement National (Aleanca Kombëtare): Marine Le Pen

Le Pen, 53 vjeçe, përfaqësoi Frontin Kombëtar në zgjedhjet e fundit presidenciale, duke u renditur e dyta në raundin e parë, përpara se të mposhtej në një debat televiziv përballë Emmanuel Macron dhe të humbiste rëndë në raundin e dytë.

Këtë herë, ajo po e bazon fushatën e saj tek motoja“liri për francezët”, dhe ka ndryshuar emrin e partisë së saj në Tubimi Kombëtar, duke u larguar nga disa prej qasjeve të saj më ekstremiste dhe duke dënuar racizmin. Platforma e saj është sërish kundër emigracionit dhe anti-islamike, me një politikë ekonomike shumë proteksioniste, dhe një politikë të jashtme të bazuar në lidhjet e ngushta me Rusinë e Vladimir Putinit.

 

La France Insoumise (Franca Rebele):Jean-Luc Mélenchon

 

Mélenchon, 70 vjeç, është lideri karizmatik i së majtës ekstreme La France Insoumise, një parti trockiste e cila gjatë dekadës së fundit e ka lënë tërësisht në hije Partinë Komuniste tradicionalisht staliniste.

Ai dëshiron ta nxjerrë Francën nga eurozona dhe nga Bashkimi Evropian, të cilin e sheh

si të dominuar nga interesat kapitaliste, dhe është në favor të një ekonomie shumë proteksioniste, bazuar në dhënien e pushtetit tek punëtorët francezë. Mélenchon merr vazhdimisht 10 për qind në sondazhe. Ai shpreson që ta rrisë mbështetjen duke e pozicionuar veten si alternativa e vetme ndaj qendrës së djathtës dhe së djathtës ekstreme.

Reconquête (Ripishtimi): Eric Zemmour

Zemmour, 63 vjeç, është një polemist që kaloi nga puna si gazetar terreni në atë të analistit politik në televizion. Ai është angazhuar në të djathtën ekstreme dhe në disa media të kontrolluara tani nga miliarderi Vincent Bolloré, që besohet gjerësisht se po e financon garën e tij presidenciale.

Politikat e Zemmour përfshijnë masa shumë të rrepta kundër migracionit, ndalimin me ligj që foshnjave t’u vihen emra jo francezë (pavarësisht se për shembull emri i tij Eric është me origjinë skandinave), dhe heqjen e së drejtës për çdo lloj përfitimi për të huajt që nuk kontribuojnë për shtetin.

Ai është i prirur ta rishkruajë historinë e vendit, duke pretenduar se qeveria kolaboracioniste e Vishisë ndihmoi në shpëtimin e hebrenjve francezë, ndërsa mendon se Franca gjendet në pragun e një lufte të dhunshme civile. Partia e tij, Reconquête, u krijua për të luftuar atë që ai e sheh si “zëvendësimin” e francezëve nga të huajt. Pavarësisht nga popullariteti i tij relativ në publikun francez, ashtu si Mélenchon, edhe Zemmour mund ta ketë të vështirë të sigurojë firmat e 500 zyrtarëve të zgjedhur.

Europe Ecologie Les Verts (Evropa Ekologjike e Të Gjelbërve): Yannick Jadot

Një ish-gazetar, ai beson se të jesh i Gjelbër do të thotë domosdoshmërisht të jesh i majtë, ndaj favorizon politikat për të luftuar ndryshimet klimatike. Ai këmbëngul se kjo do të jetë e mundur duke ruajtur rritjen ekonomike. Kjo parti paraqitet më mirë në zgjedhjet evropiane, dhe më pak në zgjedhjet presidenciale. Jadot shpreson ta ndryshojë këtë prirje.

Parti Socialiste (Partia Socialiste): Anne Hidalgo

Kryetarja aktuale e bashkisë së Parisit, është kandidatja e socialistëve pasi fitoi zgjedhjet brenda partisë. Por ajo mund të përballet ende me një sfidë serioze nga brenda partisë,pasi mbështetja ndaj saj në sondazhet e para ka qenë e dobët. Hidalgo, 62 vjeçe, po e bazon fushatën e saj në vlerat tradicionale socialiste të promovimit të barazisë duke taksuar të pasurit, ndërsa është shumë pro-evropiane.

Por kandidatura e saj dëmtohet jo pak nga performanca e saj si kryetare bashkie. Gjatë mandatit të saj, Parisi e ka humbur një pjesë të shkëlqimit të tij, për shkak të problemit të pazgjidhur të menaxhimit të mbetjeve,dhe dështimit të skemës së makinave elektrike.

Sipas disa analistëve, një nga gabimet e saj më të mëdha është fiksimi që ka për kufizimet e shpejtësisë. Në shumicën e rrugëve në Paris, nuk mund të ecet me më shumë se 30 km/h, gjë që krijon shpesh shumë trafik. Gjithsesi, Hidalgo ka mbështetjen e asaj që dikur ishte një makineri partiake e frikshme, dhe po bën përpjekje për të mbledhur mbështetës jashtë Parisit.

Figura të tjera të shquara

Disa nga pretendentët e tjerë potencialisht të fortë janë Jean Lassalle, që dëshiron një rikthim tek vlerat e Francës rurale, punonjësi i fabrikës Philippe Poutou qëformoi një parti të së majtës ekstreme të quajtur Nouveau Parti Anticapitaliste (Partia e Re Anti-kapitaliste), që fitoi disa vende në zgjedhjet me fundit lokale, dhe Arnaud Montebourg, një ish-Ministër i Financave nën presidencën Hollande, dhe që drejton një biznes të prodhimit të mjaltit.

Po ashtu në garë është edhe Christiane Taubira, ish-Ministre e Drejtësisë nën presidentin François Hollande gjatë viteve 2012-2016. Ajo garoi në presidencialet e vitit 2002, dhe është gruaja e parë me ngjyrë që pretendon të marrë postin më të lartë në Francë. Gjithsesi deri me sot ajo nuk e ka shpallur ende zyrtarisht kandidaturën./Bota.al

Kriset miqësia? Debat i ashpër mes Monikës dhe Arjolës

Ishte Monika që i thoshte Arjolës se e ka ndjerë larg ndërsa Arjola përpiqej t’i sqaronte se nuk është kukull që të shkojë herë pas saj e herë pas Ilirit.

Monika: Do e bluaja për së gjalli. Nuk mund të them jashtë se nuk dua të të vë ty në pozitë të vështirë.

Arjola: Pozitë më të vështirë se të thuash Arjola më je larguar.

Monika: Mos më çaj veshët se ta kam thënë vetëm ty, jo në sytë e tjerëve. Nuk dua të penalizoj lojën tënde.

Arjola: Marrëdhënia ime me ty është me ty, e imja me Ilirit është me të. Kaq.

Ndërsa në studio, Arjola sqaroi: “Ka qenë një ditë kur Iliri më pyeti çfarë vendi kam në zemrën tënde dhe i thashë ke vendin numër 1. I thashë Monika nuk është më pak. Në darkë më pyeti Iliri se nëse ka zinxhir, kë do shpëtosh, i thashë Monikën”.

Gati për luftë? Rusët mbledhin shishe gjaku për të plagosurit, alarm në Ukrainë

Sipas raportit, pala ruse po monton edhe pajisje mjekësore për kujdesin e të plagosurve, sipas informacioneve ekskluzive të agjencisë “Reuters”, e cila citon tre zyrtarë amerikanë.

Ushtruesit e detyrës dhe ish-zyrtarët amerikanë thonë se indikacionet specifike – të tilla si furnizimet me gjak – janë vendimtare në përcaktimin nëse Moska do të ishte gati të nisë një pushtim nëse presidenti rus Vladimir Putin vendos ta bëjë këtë.

Zbulimi i bërë nga zyrtarët amerikanë – pa u përmendur emrat – për shishet e gjakut intensifikon shqetësimin se Rusia mund të përgatitet për një pushtim të ri të Ukrainës, pasi ka mbledhur më shumë se 100,000 trupa në kufijtë e dy vendeve.

Presidenti Joe Biden parashikoi se një sulm rus është i mundshëm në shkurt, ndërsa ministri i Jashtëm Anthony Blinken vlerësoi se Rusia mund të nisë një sulm të ri kundër Ukrainës “në një kohë shumë të shkurtër”.

Pentagoni ka vënë në dukje se akumulimi i pajisjeve mjekësore është pjesë e vendosjes së forcave ushtarake ruse në kufi. Megjithatë, zbulimi për shishet e gjakut shton edhe më shumë detaje, të cilat, sipas analistëve, janë krejtësisht tregues i nivelit të gatishmërisë ushtarake të Rusisë.

“Nuk është plotësisht e sigurt se do të ketë një sulm, por askush nuk do të kishte sulmuar pa to (përfshirë rezervat e gjakut)” tha Ben Hodges, një gjeneral-lejtnant amerikan i cili tani është analist në Qendrën për Analizë të Evropës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk pranoi të komentojë raportin e Reuters. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë kujtoi paralajmërimet e përsëritura të Uashingtonit për gatishmërinë ushtarake të forcave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Nga ana e tij, Pentagoni nuk pranoi të komentojë mbi informacionin.

“A ke ujë ti, a ke fëmijë”, nënë Liza e ‘5 Majit’ vë përpara kryetaren e Komisionit të Ligjeve

Gruaja që u bë simbol i përplasjes së banorëve me policinë në rrugën ‘5 maji’ në Tiranë pasi u rrethua nga disa policë ka qenë sot në dëgjesën e zhvilluar në komisionin e ligjeve me kërkesë të PD.

Nënë Liza, siç njihet tashmë mediatikisht, ka kërkuar përballje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, si dhe kontratë të rregullt. Ajo tha se nuk do të lëvizë nga rrënojat e shtëpisë deri sa të vdesë nëse nuk merr kontratën e rregullt.

Teksa kryetarja e Komisionit të Ligjeve i kërkoi të mos bënte politikë, e moshuara u irritua dhe iu kthye se nuk trembet prej saj, pasi i ka fëmijët jashtë.

“Ne duam drejtësi, këtu drejtësia ka mbaruar, shtet s’ka, gjykatë s’ka, se me qenë gjykata do kishim bërë ndryshe, jo me ardh me shkatërru.
Ne nuk kemi qenë duke ruajtur derrat këtu, s’kemi qenë çobanë, kemi qenë familjarë të rregullt, me taksa, me drita, me ujë, me të gjitha, i jemi përgjigj shtetit një më një dhe unë i dua metrat e shtëpisë një më një, asnjë centim më pak, asnjë më shumë. Nuk kam marrë asnjë ndihmë, asnjë përkrahje s’e kam pasur kurrë, veç krahët e fëmijëve të mi dhe sot i kam fëmijët jashtë. Të ulej djali i madh, 52 vjeç tek porta e shtëpisë duke qarë, është turp i Zotit.

Të bëjë një shtet kështu, një kryetar bashkie të mos pranojë të vijë as para popullit, as para nesh këtu është turp i Zotit. Ne as nuk duam të vrasim as të presim, duam një përgjigje të saktë prej shtetit shqiptar. Ose të na marrë të na pushkatojë në breg të lumit dhe nuk ka popull më. Kanë ardhur në orën 4 kanë prerë dritat. Policia e kishte bërë shtet rrethim në 4 qoshe. 1300 policë me 30 vetë. Kanë ardhur e kanë plasur në shtëpinë time, në oborrin tim si me qenë kriminelë. Kam dashur të hyj të marr rrobat e brendshme, jo, me marr ilaçet jo, me marr portofolin jo. Më kanë nxjerrë zvarrë. 4 policë me një plakë është turpi i Zotit për shtetin shqiptar. Në kujtojmë se po hyjmë në Europë, por ne po hyjmë në gropë. Me këtë shtet, me këtë kryetar bashkie ne jemi duke hyrë në gropë. Pse nuk vjen me thanë njëherë ku janë këta njerëz. Kam pasur burrin e sëmurë 15 vjet, nuk ia kam njohur një 5 lekësh. Tash 8 vjet 2 mijë lekë shtim pensioni. me 100 mijë lekë pension, drita, ujë, të tana. Pra, ne kërkojmë kryetarin e bashkisë të vijë të paraqitet këtu. Nuk e vret kush, të vijë t’i japë përgjigje atij populli që i kanë ardhur letrat sot, janë mbledhur duke qarë të tanë nëpër shtëpia të veta. Presin nga të shkojnë. Shtëpitë janë me 400 euro, drita, ujë, ku do shkojmë ne. Kryetari i Bashkisë me qenë burrë vjen në shesh të burrave se jam plakë dhe me më thirr 5 mijë policë pa u dalë para nuk e lë. U dal para dhe nuk trembem. Me u tremb kryetari i bashkisë që ka shtëpi boll.
Jam jashtë, jam pa u larë, pa u ndërruar. A ke ujë ti, a ke fëmijë, nëse keni njerëz, fëmijë shikojeni këtë popull. Unë dua kontratën e rregullt. Unë do rri të vdes në rrënoja dhe nuk dal. Mos t’u vijë keq hiç. Unë jam malësore e nuk trembem as prej teje, as prej kujt. Kur nuk jam trembur nga 1000 policë, prej teje nuk trembem saktë. E kam tensionin 16 me 9 tani se i kam fëmijët jashtë. Unë i kërkoj kryetarit të bashkisë kontratën e rregullt, me vulë, me firmë të kryetarit të bashkisë. Këtu po luan mafia. Se vij para jush nuk e kam menduar”, deklaroi e moshuara.

 

Pensilvani, shembet ura para vizitës se presidentit për të diskutuar mbi infrastrukturën

Shembja ndodhi disa orë përpara se Presidenti Joe Biden të vizitonte qytetin për të bërë thirrje për miratimin e projektligjit të tij prej 1 trilion dollarësh për infrastrukturën, i cili përfshin mirëmbajtjen e urave.

Autoritetet thanë se pati lëndime të lehta nga shembja, por pa viktima. Në zonë u dërguan gjithashtu dronë për t’u siguruar që askush të mos kishte mbetur nën ndonjë seksion të shembur.

Policia njoftoi se shembja e urës ndodhi pak para orës 7 të mëngjesit. Një foto nga vendi i ngjarjes tregonte një autobus udhëtarësh të mbetur në një pjesë të urës së shembur.

Zyrtarët e qytetit thanë se shembja shkaktoi një rrjedhje gazi, por tashmë situata ndodhet nën kontroll.

Shefi i Byrosë së Zjarrfikësve në Pitsburg, Darryl Jones tha se tre ose katër automjete u përfshinë në aksident dhe se 10 persona ishin lënduar lehtë, tre prej të cilëve ishin dërguar në spital. Asnjë person tha ai nuk ndodhet në rrezik për jetën. Autoritetet u thanë drejtuesve të automjeteve që të shmangin zonën.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Biden do të vazhdojë me planet për të shkuar sot në Pitsburg.

Ekipi ynë është në kontakt me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë në terren ndërsa ata vazhdojnë të mbledhin informacione për shkakun e shembjes”, thuhet në deklaratë. “Presidenti u është mirënjohës ekipeve të shpëtimit që nxituan për të ndihmuar drejtuesit e automjeteve që ndodheshin në urë në atë moment”./VOA

Presidenti francez Macron i bën thirrje homologut rus Putin të respektojë sovranitetin e fqinjëve

Të dy udhëheqësit ranë dakord gjithashtu gjatë një bisede telefonike se vendet e tyre do të angazhohen në diskutime diplomatike katërpalëshe, sipas formatit të Normandisë si pjesë e përpjekjeve për të zbutur tensionet, shtoi zyrtari.

Presidenti Putin tha se ai do që të vazhdojë dialogun dhe se është e rëndësishme të punohet për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut,” tha zyrtari francez, duke shtuar se zoti Putin theksoi se nuk donte që situata të përshkallëzohej.

Sipas Kremlinit, gjatë bisedës me zotin Macron, presidenti Putin tha se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja nuk u kishin dhënë përgjigje kërkesave kryesore të Moskës për sigurinë lidhur me krizën në Ukrainë, por se pala ruse ishte e gatshme të vazhdonte bisedimet.

Ky është reagimi i parë i zotit Putin lidhur me përgjigjet e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s ndaj kërkesave ruse./VOA