zoom

Day ArchivePD e Bashës mbetet me 4 deputetë në Tiranë, Berisha me 6, partitë aleate me 5

Alfred Rushaj dha dorëheqjen sot nga posti i kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke shënuar kështu një tjetër largim nga radhët e mbështetësve të Lulzim Bashës.

Largimi i tij mësohet se ka ardhur si shënjë pakënaqësie ndaj vendimeve të fundit të Lulzim Bashës për të përjashtuar një numër të madh deputetësh nga Partia Demokratike.

E nëse kjo është e vërtetë, atëherë Basha, jo vetëm që ka humbur një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, por ka humbur edhe shumicën e deputetëve në Qarkun e Tiranës.

Nga 15 deputetë që Partia Demokratike mori në zgjedhjet e 25 prillit në Tiranë, tashmë zyrtarisht ka vetëm 4 prej tyre, ndërkohë që 6 të tjerë janë pjesë e grupit të Sali Berishës, ndërsa 5 janë deputetë të partive aleate që garuan në listat e Partisë Demokratike.

Më konkretisht, përveç vetes, në këtë qark Bashës i ka mbetur Jorida Tabaku, Grida Duma dhe Orjola Pampuri.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha ka mbështetjen e deputetëve Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Agron Shehaj dhe Flamur Noka dhe Alfred Rushaj.

Ndërkohë që partitë aleate përfaqësohen në këtë qark me deputetët: Dashamir Shehi, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi.

Në këtë mënyrë, të paktën në Tiranë, Basha ka humbur të drejtën e përfaqësimit të opozitës kryesore. /Zoom.al

Sali Berisha: E mirëpres Ilir Metën në gjirin e opozitës

Ish-kryeministri Sali Berisha nuk e përjashton mundësinë për një bashkëpunim me Ilir Metën për të forcuar opozitën. Në një intervistë për Nova Media, Berisha fton të gjithë forcat politike apo edhe faktorë të rëndësishëm shqiptarë që t’i bashkohen gjirit të opozitës, për të luftuar narko shtetin e Edi Ramës.

Shqiptarët- theksoi Berisha -duhet të çlirohen nga ky regjim armiqësor, ndaj duhet të bashkohen të gjithë.

Ndërkohë i pyetur se përse braktisi frontin në Tiranë për tu zhvendosur në Shkodër, Berisha tregoi hapat e tjerë që do të ndiqen pas protestës së 8 janarit. Sipas tij, tashmë nuk do të ketë mbledhje partiake, por takime me qytetarët dhe më pas tryeza me grupet e interesit.

Pyetje: A mendoni një bashkëpunim me Ilir Metën për të forcuar opozitën, sepse ju keni edhe Ramën edhe Bashën për të luftuar. Pra a do të fotoni në gjirin e opozitës Ilir Metën?

Berisha: Ftoj në gjirin e opozitës të gjitha forcat politike dhe faktorët e rëndësishëm të shoqërisë shqiptare që besojnë se narko shteti përbën dramën më të madhe kombëtare pas diktaturës komuniste.  Jo që nuk e përjashtoj, por mirëpres  bashkëpunimin për të çliruar shqiptarët nga ky regjim armiqësor ndaj interesit kombëtar, nga ky regjim që vetëm 5 vitet e fundit ka përzene 530 mijë shqiptarë nga Shqipëria,

Pyetje: Pse e latë Tiranën si front lufte dhe u zhvendosët në veri të Shqipërisë?

Berisha: Nëse me Kuvendin, Foltoren dhe referendumin u mbyll kapitulli i ringritjes së PD dhe hapet një kapitull i dytë, riorganizimi i saj me të gjithë strukturat e bazës tani kalohet takim me shoqërinë shqiptarë. Pra nga takimet partiake, në takime të fuqishme me qytetarët shqiptarë. Unë shkoj të takohem me qytetarë shqiptarë. Në Shkodër nesër janë të mirëpritur qytetarët e Shkodrës, takimet kësaj natyre do të vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë, në Tiranë dhe kudo. Takimet do të jenë të ndara dhe më pas do të ketë tryeza me grupet e interesit. Ky narko shtet nuk përballohet vetëm me nisma partiake, por nismat më të gjëra janë të domosdoshme për të.

Ndërsa i pyetur a ka presion nga Ambasada Amerikane pas protestës së 8 janarit, Berisha u përgjigj: Siç e keni konstatuar ju deklaratat kundra meje janë bërë periodike. Unë edhe dje, ju përgjigja një interviste të gjatë të Escobar, duke i thënë se nuk goditet Berisha duke mbrojtur Bashën. Shqiptarët janë një komb i vjetër, nuk i pëlqejnë kukullat shqiptarët. Kukullat nuk kanë sukses as në treg, e jo më në jetë. Basha është një kukull e për mua SHBA janë vend i lirisë. A besoj unë që do të rishqyrtohet vendimi? Nuk di të them, po një gjë kam të qartë se ai vend ka një vlerë të madhe për gabimet që bëhen e përpjekjet për t’i korrigjuar ato. A do të ndodhë kjo me Berishën? Nuk e di këtë. Në vitin 1998 pas një debati të brendshëm me veten time unë arrita të marr vendimin më të rëndësishëm të jetës. Arrita të vendos që t’i kundërvihem diktaturës. Unë atë se bëra kurrë për t’u marrë me politikë, por e bëra për dinjitetin tim. Doja të dilja në atë gjendje që ne jetonim. Nuk ka pasur moment më të lumtur se atë mëngjes ku unë mora atë vendim. Unë betejën e kam për dinjitetin. Askush të mos mendojë që jam i lënduar në këtë betejë. Jo. Jam krenar se po bëj një betejë për të vendosur në vend dinjitetin tim”

Basha me të rinjte, Berisha me të vjetrit. Mesazhet që përcollën takimet e sotme

Lezha ishte ndalesa e radhës së turit të takimeve të ish-kryeministrit Sali Berisha me demokratët. Ai mori pjesë në ditëlindjen e 31-të të themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet, ku ai mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.

Pjesë e takimit u bënë shumë demokratë, një pjesë e mirë të cilëve edhe themelues të kësaj dege.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zgjodhi që të shtunën ta kalojë me të rinjtë demokratë, me të cilët zhvilloi një takim në kuadër të procesit të riorganizimit të forumit rinor demokrat.

Në fakt, përtej procesit të zgjedhjeve në FRPD, Basha duket se nëpërmjet këtij takimi kërkoi t’ë përcjellë një mesazh se ai është me të rinjtë, ndërsa kundërshtari i tij politikë kundërshtarit brenda radhëve të demokratëve është me të vjetrit.

Jo më kot, duke iu referuar edhe moshës, por edhe viteve të gjata në politikë të kundërshtarit të tij, Basha ka theksuar shpesh kohët e fundit se Partia Demokratike zgjodhi të ardhmen, ndërsa Berisha është e shkuara.

Madje gjatë takimit të sotëm me të rinjtë ai foli edhe për patoplogjinë që kanë politikanët shqiptarë për të qënë të lidhur pas karriges, ndonëse edhe vet ka 8 vite në krye të PD-së.

Partnerja vret me thikë të dashurin e saj, e kapi duke folur me ish-gruan

Një 48 vjeçar britanik është vrarë nga partnerja e tij teksa ishte duke folur me ish-bashkëshorten. Matt Harper, 48 vjeç, besohet se është goditur për vdekje nga Emmy Pakpahan me origjinë indoneziane në shtëpinë e tyre në Bali. Pas ngjarjes Pakpahan është arrestuar pasi dyshohej si autorja e krimit.

Babai i dy fëmijëve ishte duke folur ish-gruan e tij teksa u godit me thikë nga 40 vjeçarja  Pakpahan. Më pas ajo i tha policisë se Matt vrau veten kur iu tregoi atyre një video të trupit të tij të shtrirë në dysheme vetëm pak çaste pas ngjarjes, shkruan The Evening Standard. 

Ajo pretendonte se i dashuri i saj kishte mbyllur dyert dhe kishte goditur veten.

Allin Efashion, ish-gruaja zotit Harper, i tha gazetës: “Isha me të para se të takohej me Emmy-n. Ai ishte një zotëri i përsosur, një burrë i kujdesshëm dhe i dashur. Ai ishte dashuria e jetës sime. Nuk mund ta besoj se ai ka vdekur. “Ai më dërgoi mesazhe vetëm disa ditë para se të vdiste, duke thënë se e urrente Emmy-n sepse ajo i shkatërroi jetën – dhe i vinte keq që më la.

“Ai ishte babai më i mirë i dy vajzave dhe u miqësua me shumë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe Bali. U preftë në paqe.”

Harper u transferua në Bali nga Gloucester në shkurt të vitit 2020. Ai  punonte me firmën e hoteleve luksoze Karma dhe shpesh shpërndante video dhe foto në mediat sociale të jetës së tij.

Varrosen 2 fëmijët shqiptarë që u vranë nga babai, daja: Nuk i vumë mbiemrin e të atit, s’donte …

Dy vogëlushët me origjinë shqiptare që gjetën vdekje nga dora e babait të tyre Flamur Rexha më 26 dhjetor në Gjermani, janë varrosur në Hamburg më 12 janar.

“Majlind dhe Gentian”, shkruhej mbi pllakat e varrit të dy vogëlushëve, ndërsa mbiemri “Rexha” siç edhe kërkoi nëna e tyre nuk do t’i shoqëronte në “udhëtimin” e tyre të fundit. Madje në ceremoninë mortore nuk ishte i pranishëm asnjë familjar me mbiemrin Rexha (mbiemri i babait të djemve).

Për t’i dhënë “lamtumirën” e fundit Majlindit dhe Gentianit, të pranishëm më 12 janar kanë qenë shokët e klasës, ekipit të futbollit dhe familjarët e ngushtë.

Lajmin për varrimin e ka bërë me dije daja i fëmijëve për mediat kosovare, ndërsa tregoi se të pranishëm kanë qenë rreth 300 veta, duke theksuar se janë respektuar të gjitha masat anti-COVID.

Daja i djemve tregoi se me gjithë dhimbjen e saj e plagët në trup, mori pjesë edhe nëna e tyre, ndërsa shtoi se ishte e shoqëruar nga mjekët e spitalit.

Ngjarja tronditëse ka ndodhur një ditë përpara Krishtlindjes. Flamur Rexha vrau dy fëmijët e tij, plagosi gruan dhe më pas u vetëvra.

VIDEO/Stola e xhama të thyer, degjeneron në dhunë klasikja Tirana-Vllaznia

 

Klasikja e futbollit shqiptar degjeneron në dhunë. Me Tiranës dhe Vllaznisë përfundon në barazim 0-0, me dy skuadrat që ndalën njëra-jetrën, por më shumë se sa për futboll, kjo ndeshje shkruajti një tjetër kapitull dhune në futbollin tonë.

Ndeshja duhej të ishte një test para syve të inspektorëve të UEFA-s për finalen e Conference League, por gjithçka ka dështuar. Në pushimin e ndeshjes, tifozë të Tiranës janë ngjitur në katin e dytë të stadiumit dhe kanë hapur fikëset e zjarrit të vendosura atje.

Ata fillimisht i kanë hapur në tribunën qendrore, e më pas i kanë hapur mbi tifozët e Vllaznisë në tribunën ku ishin vendosur këta të fundit. Përgjigja e mbështetësve kuqeblu ka qenë duke thyer stolat e gjuajtur tifozët e Tiranës me ta, duke detyruar policinë të ndërhynte.

Vllaznia dominon Tiranën dhe i tregon forcën në shtëpi, bardheblutë i gëzohen barazimit

Ka përfunduar në barazim 0-0 përballja e sotme mes Tiranës dhe Vllaznisë. Klasikja e kampionatit shqiptar nuk ka zhgënjyer të dhurojë emocione për tifozët. Shkodranët kanë dominuar udhëheqësit e “Abissnet Superiores” në kryeqytet, por në fund ishte vetëm goli ai që i mungoi.

Pjesa e parë e takimit ka folur e gjitha për kuqeblutë, të cilët jo pak herë kanë rrezikuar portën e Bekajt. Tirana e nis pjesën e dytë të lojës me një gol të Redon Xhixhës, por gjyqtari anësor ngre lart flamurin për të sinjalizuar pozicion jashtë loje. Vllaznia tregon dhembët edhe në pjesën e dytë, duke mos u dorëzuar për asnjë moment, por në fund nuk mundi të shijonte një gol.

Trajneri Shehi në fund mund ti gëzohet një barazimi në këtë sfidë, ku shkodranët i tregojnë forcën dhe i lënë të kuptojet se rruga drejt titullit kampion nuk ka për të qenë aspak e lehtë për Tiranën.

Basha nis spastrimet masive, rregullorja e re zëvendëson rreth 220 anëtarë të Këshillit Kombëtar

Pas propozimeve të Lulzim Bashës për disa ndryshime në drejtimin e Komisioneve Parlamentare dhe Byronë e Kuvendit, Arta Sakja prezantoi rregulloren e Këshillit Kombëtar të PD që u miratua në parim. Në rregulloren e re parashikohet zëvendësimi i rreth 220 anëtarëve të Këshillit Kombëtar të cilët mbështetën Sali Berishën dhe kanë zgjedhur të bojkotojnë mbledhje e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Në pikën 2 të nenit 8 thuhet se “mungesa, pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak, në tre mbledhje radhazi, i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Kombëtar, përbën shkak për zëvendësimin e tij me listën vijuese të anëtarëve të votuar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë.

Konstatimi i mbarimit të mandatit për shkak të mungesave në mbledhje pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak, bëhet me vendim të Kryesisë së Partisë, pas raportimit me shkrim të Sekretarit të Përgjithshëm.”

Me miratimin e këtij neni, duket se duan të pastrojnë Këshillin nga disa anëtarë që i kanë dalë në krah Sali Berishës dhe lëvizjes së tij për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kreut të PD.

Ndërsa me nenin 13 i hapin rrugë zëvendësimit të anëtarëve non grata të Këshillit Kombëtar me spostim liste pa pasur nevojë për mbledhje Kuvendi e votim të ri për vakancat.

Më poshtë është rregullorja e Brendshme ku edhe janë të renditura të gjitha vendimet.

KËSHILLI KOMBËTAR I PARTISË DEMOKRATIKE VENDOSI:
Neni 1
1. Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike drejton veprimtarinë e Partisë në periudhën midis dy Kuvendeve.
2. Ai merr të gjitha vendimet e rëndësishme politike që mund të kërkojnë rrethanat dhe për të gjitha çështjet e rëndësishme që në Statut nuk parashikohen si e drejtë vetëm e Kuvendit të Partisë.

Neni 2
Këshilli Kombëtar mblidhet rregullisht çdo 6 muaj dhe në çdo rast jo më pak se një herë në vit.

Neni 3
1. Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike thirret nga Kryetari i Partisë ose nga Kryesia e Partisë.
2. Mbledhja e Këshillit Kombëtar mund të thirret edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij.
3. Kërkesat për mbledhjen e Këshillit Kombëtar nga 1/4 e anëtarëve të tij duhet t’i dërgohen me shkrim Kryesisë së Partisë. Ato duhet të depozitohen jo më vonë se 3(tre) javë përpara datës së kërkuar për mbledhjen e Këshillit Kombëtar, swbashku me rendin e ditës së propozuar.
4. Në rastin e miratimit të kërkesës, kur ajo është në përputhje me Statutin e Partisë, Kryesia e Partisë thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës.

Neni 4
Mbledhja e Këshillit drejtohet nga Kryetari i Këshillit Kombëtar, që ndihmohet në organizimin dhe drejtimin e mbledhjes nga Kryetari i Partisë dhe Sekretari i Përgjithshëm.

Neni 5
1. Kohën, vendin dhe rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit Kombëtar përcaktohet në përputhje me nenin 44 të Statutit të PDSH.
2. Në raste urgjente, të diktuara nga situata të jashtëzakonshme politike, apo në kushtet e urgjencës që diktohen nga periudha e fushatës elektorale, thirrja e mbledhjes mund të bëhet edhe jashtë afatit të përcaktuar në nenin 44 të Statutit. Kërkuesi në këtë rast, duhet të shpjegojë asyet që diktojnë rastet e urgjencës.
3. Njoftimi i mbledhjes, sëbashku me rendin e ditës, pas caktimit të saj nga Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë, bëhet nga Sekretari i Përgjithshëm, në koordinim me Kryetarin e Këshillit.
4. Thirrja për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Kombëtar u njoftohet anëtareve të tij me shkrim. Në pamundësi, njoftimi iu komunikohet edhe verbalisht dhe mund të publikohet edhe në mediat e Partisë ose faqen zyrtare në internet të PD.
5. Njoftimi duhet të përcaktojë datën, vendin dhe rendin e ditës e mbajtjes së Këshillit. Si datë e njoftimit për efekt respektimi të afateve të thirrjes, konsiderohet data e komunikimit të vendimit për mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Neni 6
1. Para fillimit të diskutimit të rendit të ditës kërkesat dhe propozimet për proceduren e punimeve të mbledhjes së Këshillit Kombëtar mund të paraqiten me gojë ose me shkrim nga: Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm, Kryesia e Partisë, ose çdo anëtar i Këshillit Kombëtar.
2. Rendi i Ditës miratohet në fillim të mbledhjes, pas raportimit nga Sekretaria e Këshillit Kombëtar të kuorumit për fillimin e mbledhjes.
3. Kërkesa dhe propozimi për shtesa apo heqje të pikave të rendit të ditës duhet të bëhet përpara se të fillohet me rendin e ditës.
4. Kërkesat mund të jenë adresuar paraprakisht me shkrim Sekretarisë, por mund të lejohet edhe parashtrimi verbal i tyre.

Neni 7
1. Të drejtën për t’i propozuar vendime Këshillit Kombëtar e kanë Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë.
2. Jo më pak se 15 për qind e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë të drejtën që jo më vonë se 24 orë përpara mbledhjes së tij, të propozojnë kandidatë alternativ për çdo funksion politik që zgjidhet nga ky organ.
3. Kërkesat me objektet të caktuar për Këshillin Kombëtar merren në konsideratë kur janë formuluar nga subjektet e sipërpëmendura dhe trajtojnë probleme që janë në kompetencë të Këshillit Kombëtar sipas përcaktimeve në Statut.
4. Kërkesat duhet të jenë nënshkruar me shkrim dore prej paraqitësve dhe duhet të depozitohen në Kryesinë e Partisë Demokratike. Për secilën nga pikat e rendit të ditës, çdo anëtar që dëshiron të diskutojë, regjistrohet të paktën 4 orë përpara mbledhjes, nëpërmjet një njoftimi me shkrim drejtuar Sekretarit Funksional përgjegjës për organizimin.

Neni 8
1. Mbledhjet janë të vlefshme kur në to marrin pjesë mbi 50% e anëtarëve me të drejtë vote me përjashtim të rasteve, kur në Statut parashikohet një shumicë më e madhe se kjo për marrjen e një vendimi dhe ai është parashikuar në rend dite.
2. Mungesa, pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak, në tre mbledhje radhazi, i anëtarëve të zgjedhur të Këshillit Kombëtar, përbën shkak për zëvendësimin e tij me listën vijuese të anëtarëve të votuar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë.
3. Konstatimi i mbarimit të mandatit për shkak të mungesave në mbledhje pa asnjë shkak të ligjshëm dhe pa njoftim paraprak, bëhet me vendim të Kryesisë së Partisë, pas raportimit me shkrim të Sekretarit të Përgjithshëm.

Neni 9
1. Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë.
2. Vendimet quhen të miratuara nëse votat “pro” përbëjnë mbi 50% të votave të vlefshme të pjesëmarrësve në votim, me përjashtim të rasteve kur në Statut parashikohet ndryshe.
3. Në rastin e masave disiplinore vendimet e Këshillit Kombëtar merren me 2/3 e votave.
4. Kur votat janë të barabarta propozimi i votuar konsiderohet i refuzuar.
5. Abstenimet merren në konsideratë për llogaritjen e kuorumit.
6. Votimi, si rregull, bëhet i hapur duke ngritur dorën ose mandatin, ose me votim të fshehtë në rastet e parashikuara nga Statuti, me përjashtim të rasteve kur vetë Këshilli Kombëtar vendos një formë tjetër votimi ose kur propozohet votim i fshehtë nga të paktën 1/6 e anëtarëve me të drejtë vote. Votimi i fshehtë organizohet dhe drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë.

Neni 10
1. Këshilli Kombëtar si rregull mblidhet në praninë e të ftuarve, anëtarëve të Partisë dhe të mediave.
2. Me kërkesë të Kryetarit të Partisë ose Kryesisë së Partisë, mbledhja për diskutimin e problemeve të veçanta mund të bëhet pa praninë e të ftuarve, anëtarëve të Partisë dhe mediave.

Neni 11
1. Me propozim të Kryetarit të Partisë, Këshilli Kombëtar miraton Sekretariatin e Këshillit, që kontrollohet dhe drejtohet nga Sekretari i Përgjithshëm.
2. Sekretariati kryesohet nga Sekretari funksional përgjegjës për organizimin dhe ka në përberjen e tij edhe 4 anëtarë të miratuar me vendim të veçantë të Këshillit Kombëtar.
3. Sekretariati është përgjegjës për mbajtjen e protokollit të mbledhjes, regjistrimin e anëtarëve pjesëmarrës në mbledhje, për organizimin e operacioneve të votimit, dhe zbardhjen e vendimeve të Këshillit Kombëtar.
4. Procesverbali i mbledhjes së Këshillit Kombëtar nënshkruhet nga Sekretariati i Këshillit dhe konfirmohet nga Sekretari i Përgjithshëm.
5. Vendimet, urdhrat apo udhëzimet e Këshillit Kombëtar, nënshkruhen nga Kryetari i Partisë dhe kundërfimosen nga Kryetari i Këshillit dhe/ose Sekretari i Përgjithshëm.

Neni 12
1. Kryetari i Këshillit Kombëtar paraqet pikat e rendit të ditës dhe si rregull i jep fjalën sipas radhës atyre që e kanë kërkuar dhe janë regjistruar për të marrë fjalën. Kryetarit të Partisë dhe anëtarëve të Kryesisë u jepet fjala edhe pa radhë.
2. Të drejtën për të diskutuar në Këshillin Kombëtar e kanë të gjithë anëtarët e tij. Në raste përjashtimore, mund tu japet fjala edhe të ftuarve.
3. Diskutimi për një çështje nuk mund të zgjasë më shumë se 5 minuta.
4. Kryetari i Këshillit mund të kufizojë numërin e folësve dhe kohëzgjatjen e diskutimeve. Nuk mund t’u hiqet e drejta e fjalës Kryetarit të Partisë, Sekretarit të Përgjithshëm dhe anëtarëve të kryesisë.
5. Në raste të veçanta për çështje parimore, Kryetari i Këshillit mund të lejojë për folësa të vecantë, një kohë për të folur deri në dyfishin e kohës së përcaktuar.
6. Të drejtën për të ndërhyrë jashtë radhe për efekt procedure e kanë të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar. Në këtë rast kohëzgjatja e ndërhyrjes është jo më shumë se 2 minuta.
7. Në qofte se nuk ka me folës në listë ose nuk e kërkon fjalën askush, atëherë deklarohet mbyllja e diskutimeve dhe kalimi në votim.

Neni 13
1. Propozimet për kandidatë të organeve që zgjidhen nga Këshilli Kombëtar mund të behen me shkrim. Propozimet për kandidatë duhet të dorëzohen tek sekretaria e mbledhjes.

2.Pranimi i kërkesave për regjistrimin e kandidatëve për forumet që zgjidhen nga Këshilli bëhet deri 24 orë para fillimit të seancës së zgjedhjeve të këtyre forumeve.

3. Për zgjedhjen e funksionarëve të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 6, të nenit 44 të Statutit, në rastet kur nga votimi nuk arrihet shumica e kërkuar, atehëre kalojnë në balotazh dy kandidaturat me numër më të madh votash. Kur disa kandidatë kanë numër të barabartë votash, ata përfshihen të gjithë në balotazh.

4. Anëtarët e organeve që zgjedh Këshilli Kombëtar, dalin nga renditja në bazë të votave të marra. Në qofte se në pozicionet me të fundit të radhës sipas numërimit të votave dalin dy ose më shumë kandidatë me numër të njëjtë votash, atëherë zgjedhja bëhet sipas shortit të hedhur nga komisioni i zgjedhjeve.
5. Vendet vakante që mund të krijohen plotësohen nga kandidatët vijues të renditur sipas votave të marra dhe shortit në rast votash të njëjta.

Neni 14
1. Sipas rastit, Kryesia e Partisë, Kryetari i Partisë apo Sekretari i Përgjithshëm, janë përgjegjës për ekzekutimin e vendimeve, urdhrave apo udhëzimeve të Këshillit Kombëtar dhe kontrollojnë zbatimin e tyre.
2. Për zbatimin e këtyre vendimeve, i raportohet mbledhjes së Këshillit Kombëtar pasardhëse.

Neni 15
Përveç detyrave dhe përgjegjësive statutore, anëtarët e Këshillit Kombëtar angazhohen në veprimtari politike, organizative dhe tematike.

Neni 16
1. Anëtari i zgjedhur i Këshillit Kombëtar të PDSH, me vendbanim në territorin e Degës, apo që është caktuar nga Kryesia e PDSH për të mbuluar territorin e Degës, është ex officio anëtar i Kryesisë së Degës përkatëse, sipas ndarjes së bërë me vendim të veçantë të Kryesisë së Partisë.
2. Anëtari i Këshillit Kombëtar është përgjegjës drejtpërdrejt për veprimtarinë politike që i caktohet nga Kryesia e Degës, apo për të mbuluar zona të caktuara të territorit që përfshinë Dega.

Neni 17
Anëtari i zgjedhur i Këshillit Kombëtar të PDSH, angazhohet pranë Komisioneve Statutore dhe Departamenteve në mënyrë të vazhdueshme.

Neni 18
1. Komisionet dhe Bordet Statutore ushtrojnë kompetencat e tyre sipas Statutit.
2. Përbërja e Komisioneve dhe Bordeve Statutore është sipas përcaktimeve me vendimet respektive të organeve përgjegjëse sipas Statutit.
3. Rregullat e organizimit dhe funksionimit të tyre përcaktohen me akte të veçanta nënstatutore.

Neni 19
1. Departamentet organizohen sipas ndarjes dhe përbërjes, që miratohet me vendim të veçantë të Këshillit Kombëtar.
2. Ato ushtrojnë këto përgjegjësi:
a) identifikojnë dhe analizojnë problematikat e qytetarëve në fushat që mbulojnë.
b) ndjekin aktivitetin e institucioneve shtetërore për fushat që mbulojnë dhe identifikojnë problematikat apo aktet e paligjshme të tyre.
c) analizojnë dhe propozojnë ndërmarrjen e aksioneve politike mbi problematikat e fushave që mbulojnë apo për aktet korruptive dhe të paligjshme të institucionet shtetërore në ato fusha.
d) paraqesin propozime programore mbi alternativën e Partisë Demokratike në fushën që mbulojnë.
e) marrin kontakt me grupet e interesit në fushat që mbulojnë.
f) bëjnë apo organizojnë takime me profesionistë të fushës apo me qytetarë që paraqesin problematika në fushat që ato mbulojnë.

Neni 20
1. Departamentet mblidhen të paktën një herë në muaj.
2. Mbledhja thirret dhe drejtohet nga Drejtuesi i Departamentit, që caktohet me vendim të veçantë të Këshillit Kombëtar.
3. Në mbledhje ftohet të marrë pjesë në çdo rast edhe Sekretari Funksional përgjegjës për koordinimin elektoral, që dokumenton zhvillimin e mbledhjes dhe angazhimin e secilit prej anëtarëve të Komisionit.
4. Në mbledhjet e Deprtamenteve ftohen dhe marrin pjesë edhe koordinatorët e posaçëm tematik, anëtrët e Komitetit të Orientimit të Politikave, apo profesionistët e angazhuar pranë Aleancës Qytetare për Demokraci.

Neni 21
Drejtuesi i Departamentit është përgjegjës për ndarjen e detyrave, për raportimin e punës së Departamentit dhe për përgatitjen dhe përcjelljen e materialeve të përgatitura nga Departamenti, të paktën një herë në muaj, tek Sekretari i Përgjithshëm dhe për dijeni tek Kryetari i Partisë.

Neni 22
Me porosi të Kryetarit të Partisë, Sekretari i Përgjithshëm përcjell për trajtim tek Departamentet përkatëse, problematika apo çështje të ndryshme për vlerësim, si dhe orienton mënyrën e trajtimit të informacionit të përcjellë nga Drejtuesi i Departamentit.

Neni 23
Në çdo mbledhje të Këshillit Kombëtar, Drejtuesi i Departamentit raporton për punën e realizuar nga Departamenti për secilën nga detyrat e përshkruara në këtë vendimi.

Neni 24
1. Departamentet sipas fushave që mbulojnë bashkëpunojnë me Grupin Parlamentar dhe bashkërendojnë punën midis tyre.
2. Drejtuesi i Departamentit ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e anëtarëve të PD në Komisionet Parlamentare. Edhe Kryetari apo Nënkryetari i Komisionit të Përhershëm Parlamentar që i përket PD ftohet të marrë pjesë në mbledhjet e Departamentit që mbulon fushën e tij të veprimtarisë.

Neni 25
1. Për çështjet që lidhen me aferat korruptive të Qeverisë, gjendjen e kriminalitetit në vend apo kriminalizimin e institucioneve publike, ngrihet dhe funksion Njësia e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit, që drejtohet nga një prej Nënkryetarëve të Partisë dhe ka në përbërje 10 anëtarë, që caktohen me urdhër të Kryetarit.
2. Çdo anëtar i komisionit apo anëtar i organeve stratutore, që vlerëson se disponon informacion mbi çështjet që janë në fokus të punës së Njësisë, duhet të përcjell informacionin tek Nënkryetari i Partisë që është përgjegjës për këtë çështje.
3. Nënkryetari përgjegjës i Partisë ngarkon sips rastit për përpunimin dhe vlerësimin e informacionit, anëtarët e Njësisë apo Departamentin përkatëse të Këshillit, duke vënë në dijeni edhe Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm.

Neni 26
1. Mbledhja e parë e konstituimit të Departamenteve zhvillohet jo më vonë se 15 ditë nga miratimi i këtij vendimi. Ajo caktohet në bashkërendim midis Drejtuesit të Departamentit dhe Sekretarit të Përgjithshëm.
2. Në mbledhjen e parë të konstituimit dhe në çdo rast që ato e vlerësojmë të nevojshme, merr pjesë Kryetari i Këshillit dhe/ose Kryetari i Partisë.

Neni 27
1. Ngarkohet Kryetari i Partisë, Kryesia e Partisë dhe Sekretari i Përgjithshëm për njoftimin dhe ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
2. Në përmbushje të përgjegjësisë së përcaktuar në pikën 8 të këtij vendimi, Sekretari i Përgjithshëm verifikon listën e regjistrimit të pjesëmarrjes në mbledhje, duke filluar nga mbledhja e parë e konstituimit.
3. Përpara paraqitjes së raportit me shkrim për Kryesinë e Partisë, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë verifikon shkaqet që përligjin ndërprerjen e mandatit të anëtarit të Këshillit Kombëtar.

Neni 28
Pjesa e Tretë “Këshilli Kombëtar” i Rregullores së Brendshme të “Organizimit të organeve qendrore të Partisë”, miratuar në vitin 2010 në Këshillin Kombëtar, shfuqizohet.

NIS ERA POST BERISHA/ Të gjitha lëvizjet e bëra nga Basha brenda një jave për pastrimin e partisë

Që prej datës 8 janar, kur Sali Berisha organizoi një protestë të dhunshme para selisë së Partisë Demokratike, me qëllim marrjen e selisë, në këtë forcë politike ka nisur “fshesa”.

Kjo u paralajmërua edhe nga kryetari Lulzim Basha, i cili u shpreh se kjo ditë do të shënonte fundin politik të Sali Berishës dhe ringritjen e PD-së, mbi rrënojat e krijuar nga protesta e dhunshme e ish-liderit demokrat.

Ndryshimet post Berishës, po kalojnë në tre etapa kryesore. E para është përjashtimi i Sali Berishës.

Vetëm 3 ditë pas kësaj proteste, Lulzim Basha mblodhi Kryesinë e PD-së, ku u morën vendimet më të rëndësishme dhe më kryesorja ishte largimi përfundishimit nga kjo forcë politike i Sali Berishës dhe mbështetësve të tij, të cilët morën pjesë në protestën e dhunshme

Aty u vendos që të përjashtohej përfundimisht, Sali Berisha, Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Bujar Nishani, Arben Ristani, Rigels Muçollari, Keltis Kruja dhe Klevis Balliu.

VENDIMET E KRYESISE NË DATËN 10 JANAR

Dënimin me forcë të akteve të dhunës, gjuhës përcarëse dhe retorikës që nxit konfliktin mes demokratëve.

Përjashtimin nga Partia Demokratike, dhe ku është rasti nga të gjitha funksionet drejtuese dhe nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, të anëtarëve që kanë organizuar, nxitur, urdhëruar apo ushtruar dhunë si më poshtë:

Sali Berisha

Flamur Noka

Edmond Spaho

Albana Vokshi

Bujar Nishani

Arben Ristani

Rigels Muçollari

Keltis Kruja

Klevis Balliu

 

NDRYSHIMET E SOTME (15 janar) NE KESHILLIN KOMBETAR

Ndërkohë etapa e dytë është ajo që u vendos sot, ndryshimët brenda PD-së, ku u zyrtarizua dorëheqja e Alfred Rushajt nga kreu i grupit parlamentar dhe zëvendësimi i tij me Enkelejd Alibeajn.

Ndërkohë që nënkryetar i Kuvendit është propozuar Agron Gjekmarkaj, i cili merr postin e mbajtur nga Enkelejd Alibeaj. Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë është propozuar Grida Duma, e cila zëvendëson Albana Vokshin pasi kjo e fundit ka dalë në krah të ish-kryeministrit Berisha.  Ndërsa Flutura Açka do të marrë drejtimin e Komisionit të Arsimit, të cilin e ka mbajtur Agron Gjekmarkaj. Ndërka, Dhurata Çupi është propozuar për të qenë nënkryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila zëvendëson një nga mbështetësit e Berishës, siç është Oerd Bylykbashi. Ndërsa Dashnor Sula është propozuar në Sekretariatin për Statusin e Deputetit të cilën e mbante deri më sot Grida Duma.

MUNDESIA E DYTE PER 19 PERSONALITETE TE PD

Etapa e tretë është mundësi e dytë që i është lënë disa deputetëve, Agron Shehaj, Aldo Bumçit,Belind Këlliçit, Ed Palokës, Çlirim Gjatës, Bledi Himçit, Edith Harxhit, Eno Bozdos, Ervin Minarollit, Genc Deromemajt, Genc Pollos, Gent Strazimirit, Ivi Kasos,Ledina Mandijas, Lorenc Lukës, Luan Baçit, Mimoza Hajadrmamatajt, Oerd Bylykbashit dhe Tritan Shehut.

Mësohet se 19 personalitetet e njohura të PD-së të cilët janë të pezulluar, mund të rikthehen në funksionet e tyre nëse bëjnë distancim publik ose nëse kërkojnë falje për dhunën që u ushtrua më 8 janar.

  1. Agron Shehaj
    2. Aldo Bumci
    3. Belind Këlliçi
    4. Blendi Himçi
    5. Clirim Gjata
    6. Edi Paloka
    7. Edith Harxhi
    8. Eno Bozdo
    9. Ervin Minarolli
    10. Genc Deromemaj
    11. Genc Pollo
    12. Gent Strazimiri
    13. Ivi Kaso
    14. Ledina Mandija
    15. Lorenc Luka
    16. Luan Baçi
    17. Mimoza Hajadrmamataj
    18. Oerd Bylykbashi
    19. Tritan Shehu
Inskenoi vdekjen e tij për t’i shpëtuar burgut, përdhunuesin e ‘tradhton’ COVID-19! Arrestohet

Nicholas Rossi, trupi i të cilit supozohej të ishte futur në krematorium shumë vite më përpara kur mbi të rëndonte akuza e përdhunimit, është kapur së fundmi dhe shkak u bë COVID-19.I riu është kapur në një spital në Skoci ku edhe po merrte trajtimin e nevojshëm pasi ishte infektuar me koronavirus.

Amerikani 34-vjeçar kishte inskenuar vdekjen e tij pasi po kërkohej nga Interpoli në vitin 2008, por tani ai po përballet me ekstradimin pasi e “tradhtoi” virusi.

 

Rossi ka përdorur emra të ndryshëm gjatë gjithë viteve të arratisë si Nicholas Alahverdian, Nicholas Alahverdian Rossi, Nicholas Edward Rossi, Nicholas Alahverdian-Rossi, Nick Alan, Nicholas Brown, Arthur Brown, por në spital u paraqit me Arthur Knight.

Media të ndryshme raportuan në 2020 se Nicholas Alahverdianm, një prej emrave të përdorur nga Rossi kishte vdekur më 29 shkurt 2020 nga kanceri limphoma.

FBI kishte gjithashtu një urdhër për arrestimin e tij me akuzën e mashtrimit të babait të tij, pasi i kishte marrë borxhe bankare deri në $200,000, sipas BBC News.

Akuza për përdhunim në Utah erdhi si pjesë e një rishikimi të rasteve historike të sulmeve seksuale ku provat e ADN-së nuk ishin testuar.