zoom

Day ArchiveZgjerimi me Ballkanin Perëndimor mbetet kyç për BE

Presidenca sllovene e BE-së do të kërkojë të martën në mbledhjen e fundit të ministrave të Jashtëm Europianë heqjen e vetos nga Bullgaria për negociatat me Shkupin që mban peng edhe Tiranën.

Në një draft të konkluzioneve të përgatitura nga presidenca sllovene e BE-së për këtë takim, merren parasysh edhe raportet e fundit të progresit, të për Komisionit Evropian këto shtete ku thuhet se kushtet për negociatat janë përmbushur. Në këtë dokument rikonfirmohet përkushtimi ndaj procesit të zgjerimit, si politikë kyçe e Bashkimit Evropian.

Presidenca aktuale sllovene e BE-se nënvizon se sundimi i ligjit do të jetë një element kyç, nga i cili do të varet dinamika e përparimit të vendeve të rajonit në procesin e integrimeve evropiane.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje që të punojnë për bashkëpunim rajonal, sidomos drejt zbatimit të marrëveshjes për tregun e përbashkët rajonal, si dhe të punojnë për pajtim dhe fqinjësi të mirë.

Edhe një herë tërhiqet vërejtja se mohimi i genocidit, relativizmi i krimeve të luftës dhe madhërimi i kriminelëve nuk kanë vend në Evropë dhe se shkojnë kundër vlerave evropiane.

Ndizen dritat e festës në Vatikan

Papa Françesku u bëri thirrje besimtarëve që të mos jetojnë një Krishtlindje të rreme dhe komerciale. Duke pritur një komunitet peruan të Andeve që dhuroi pemën e Krishtlindjes, Papa tha Krishtlindja është pastër ndaj le të mos e ndotim me konsumizëm dhe indiferencë.

“Simbolet e festës, veçanërisht skena e lindjes së Krishtit dhe pema e zbukuruar, na rikthejnë në sigurinë që na mbush zemrat me paqe, gëzim për Mishërimin, te Zoti që bëhet familjar: Ai jeton me ne, i mbush ditët tona me shpresë. Pema festive ne shesh na sjell atë atmosferë tipike të Krishtlindjes, e cila është pjesë e trashëgimisë së komuniteteve tona: një klimë e pasur me butësi dhe intimitet familjar. Le të mos jetojmë një Krishtlindje të rreme, komerciale”.

Skena e lindjes së Krishtit e dhuruar nga Peruja ndërsa bredhi 28 metra i lartë nga Andalo në Trentino-Alto Adige janë vendosur tashmë në sheshin përpara Bazilikës së Shën Pjetrit.

Ceremonia e ndezjes së pemës së Krishtlindjes në sheshin kryesor te Vatikanit mblodhi qindra mijëra besimtarë në shesh dhe turistë nga e gjithë bota. Pema e Krishtlindjes në sheshin qendror të Vatikanit peshon tetë tonë dhe ka në të 600 dekorime prej druri, të punuara me dorë nga artizanët.

Osmani: Askush nuk e ndryshon dot historinë e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të shtunën se mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur ndërsa i cilësoi të kota përpjekjet serbe për të ndryshuar faktet historike.

Presidentja Osmani i bëri këto komente nëpërmjet një reagimi ndaj ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i cili e cilësoi gënjeshtër masakrën e Reçakut, të vitit 1999, kur forcat serbe vranë mbi 45 civilë shqiptarë.

“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit (Slobodan) Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani, në të cilin theksohet se “përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”.

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Masakra shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Autoritetet serbe përfshirë edhe presidenti aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, shpesh e kanë theksuar se masakra e Reçakut është fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, shkroi të shtunën në reagimin e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Të shtunën, ambasada amerikane në Prishtinë, tha se “mizoritë që ndodhën në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë. Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjell dhimbje për të mbijetuarit, nuk nderon viktimat dhe përjetëson ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe përparimin për Ballkanin Perëndimor”.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u bëri thirrje të shtunën serbëve të Kosovës, “që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike dhe nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën”.

Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se “Kosova u ndërtua me shumë vuajtje, dhembje e sakrifica. Pas luftës së përgjakshme, ajo gjeti forcën dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar konsolidoi demokracinë dhe krijoi një ambient ku shqiptarët dhe komunitetet pakicë, të jetojnë bashkë në paqe e harmoni”.

Por, shkroi, ai “fatkeqësisht, investimin shumëvjeçar në Kosovë, kohë pas kohe janë munduar ta cenojnë personazhe të shumtë me gjuhë të urrejtjes, siç është rasti i fundit i ministrit serb Vulin. Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci”.

Të dy ata kishin mohuar masakrën e Reçakut. Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas, nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave./REL

Biden përmbyll Samitin e Demokracisë

Uashingtoni zyrtar përmbylli punimet dyditore te samitit virtual për demokracinë ku në qendër të vëmendjes ishte keqpërdorimi i teknologjisë nga shtetet autokratike dhe u bë thirrje për një samit pasues për të vlerësuar përparimin në mbrojtjen e zgjedhjeve të ndershme, të të drejtave të njeriut dhe luftën kundër korrupsionit. Ne e dimë se jemi përballë sfidës tha Presidenti amerikan Joe Biden në mbyllje të këtij samiti duke iu adresuar online 100 liderëve nga e gjithë bota.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me të gjithë ata që ndajnë vlerat demokratike, për të formësuar rregullat që do të qeverisin progresin tonë në shekullin e 21-të, duke përfshirë çështjet e sigurisë kibernetike dhe teknologjive në zhvillim. Si udhëheqës të qeverive, ne kemi përgjegjësi të dëgjojmë qytetarët tanë, të forcojmë demokracinë dhe të drejtojmë reformat që do t’i bëjnë qeveritë transparente dhe të përgjegjshme kundër autokracisë dhe atyre që duan pushtet përpara të mirës publike”.

Administrata Biden njoftoi iniciativën për një politikë të përbashkët që rregullon eksportin e teknologjive që ndihmojnë shtetet autokratike të kryejnë fushata të dezinformimit kibernetik, të vëzhgojnë qytetarët e tyre dhe të frikësojnë të drejtat e tyre të njeriut, pakicat, informatorët, gazetarinë dhe institucionet e gjyqësorit.

Kjo iniciativë që pret miratimin e kongresit amerikan është pjesë e buxhetit 424 milionë Dollarëve që administrata Biden premtoi për të forcuar zgjedhjet e lira, për të mbrojtur mediat e pavarura dhe pakicat në mbarë botën.

 

SHBA vendos sanksione të tjera për Kinën, Korenë e Veriut dhe Mianmarin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione gjithëpërfshirëse lidhur me të drejtat e njeriut ndaj dhjetëra njerëzve dhe subjekteve të lidhura me Kinën, Mianmarin, Bangladeshin dhe Korenë e Veriut.

Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar iu bashkuan SHBA-së në vendosjen e sanksioneve për shkeljen e të drejtave të njeriut në Mianmar, ndërsa Uashingtoni vendosi gjithashtu sanksionet e para të reja ndaj Koresë së Veriut nën administratën e Presidentit Joe Biden dhe vuri në shënjestër entitetet ushtarake të Mianmarit, në ditën për të Drejtat e Njeriut.

“Veprimet tona sot, veçanërisht ato në partneritet me Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, dërgojnë një mesazh se demokracitë në mbarë botën do të veprojnë kundër atyre që abuzojnë me pushtetin e shtetit për të shkaktuar vuajtje dhe shtypje,” tha zëvendës sekretari i Thesarit Ëally Adeyemo në një deklaratë.

Presidenti Biden mblodhi mbi 100 udhëheqës botërorë në një samit virtual këtë javë dhe bëri thirrje për forcimin e demokracive në mbarë botën, duke e quajtur mbrojtjen e të drejtave dhe lirive përballë autoritarizmit në rritje si “sfidën më përcaktuese” të kësaj epoke . Departamenti amerikan i Thesarit ka ndërmarrë një sërë veprimesh këtë javë ndërsa zhvillohej samiti.

Angela Merkel me një libër autobiografik?

Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel dëshiron të shkruajë një libër autobiografik ku do të shpjegojë vendimet e saj më të rëndësishme politike. 67-vjeçarja, ia dorëzoi kancelarinë pasuesit Olaf Scholz  pas 16 vitesh në pushtet.

Menaxherja prej shumë kohësh e zyrës së Merkelit, Beate Baumann, i tha të përjavshmes gjermane të lajmeve Der Spiegel se Merkel “nuk dëshiron të ritregojë tërë jetën e saj, por momentet më pikante”. Ajo do të shpjegojë vendimet më të vështira gjatë jetës së saj politike.

Sipas Baumann libri është një angazhim tjetër i Merkelit i cili pritet të zgjasë 2-3 vite.

“Kancelarja dhe unë jemi të sigurt se, nëse e bëjmë këtë libër, atëherë do ta bëjmë të vetëm, pa shkrimtarë fantazmë, pa historianë, pa gazetarë”, tha ajo.

Nëse ky libër realizohet, lexuesit  do të kenë mundësinë të gjejnë disa përgjigje në karrierën e gjatë politike të Merkelit  e përbërë nga një sërë ngjarjesh nisur nga recesioni global i vitit 2007, deri te kriza e emigrantëve në Evropë në 2015, dhe aktualisht pandemia e koronavirusit.

Kancelarja e parë grua e Gjermanisë i dha fund jetës politike pasi hoqi dorë nga kandidimi për një mandat të pestë.

Berisha: Bashës i është thyer karrigia. S’mund të bëjë më pazar me PD

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të bëra nga kryetari i PD Lulzim Basha pas mbledhjes së Kryesisë në Selinë Blu.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Berisha shprehet se Komisioni i Rithemelimit që u mandaua në Kuvendin e  sotëm, e konsideron nul dhe qesharake “çdo vendim të deputetet Basha për të thirrur Këshillin Kombëtar.

SALI BERISHA NË FACEBOOK

Koha kur deputeti Basha mund te bente pazar me fatet e Partise Demokratike ka marre fund. Ditet kur Partia sherbente si hipoteke per borxhet e kryetarit kane perfunduar! Ne nje dite historike, 4446 delegate te Kuvendit Kombetar te Partise Demokratike vendosen sot, te rimarrin ne dore fatet e Partise Demokratike duke shkarkuar Lulzim Bashen ne nje spektalel te vertete demokracie te ngjashem me standartet amerikane.

Kuvendi i sotshem riafirmon vlerat euro atlantike te PD duke rikthyer ne piedestal voten e lire ne te parin kuvend ne historine e Shqiperise te thirrur nga anetaresia.

Komisioni i Rithemelimit i mandatuar nga kuvendi konsideron nul dhe qesharake cdo deshire te deputetit Basha per te thirrur Keshillin Kombetar, per te shkakuar drejtuesin e ketij Keshilli apo per te marre masa displinore ndaj perfaqesuesve te mijera demokrateve qe me vote te lire dhe legjitime vendosen sot shkarkimin e tij!

Komisioni u ben thirrje te gjithe anetareve te Keshillit Kombetar si dhe ish anetareve te kryesise te repektojne vullnetin e Kuvendit Kombetar si organi me i larte drejtues i Partise Demokratike. Komisioni fton te gjithe drejtuesit e PD te lexojne dhe respektojne vullnetin e shumices qe shkarkoi kryetarin dhe jo te deputetit Basha qe kerkon te shkarkoje shumicen!

Sot eshte dita per t’u bashkuar dhe jo per te percare e “perjashtuar” partine per karriken e thyer te ish kryetarit!

Këta janë të arrestuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan. Ndërkohë, mediat në vend kanë publikuar foton e dy prej personave që dyshohet të jenë të përfshirë.

Tre të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e shoferit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj në Gllogjan. Dyshohen se motivet e këtij sulmi lidhen me një rast të vetëvrasjes të një vajze nga Gllogjani.

Sipas familjes së vajzës së vetëvrarë arsyeja e kësaj vetëvrasje është shoferi i autobusit, Gani Gjokaj.

Ndërkohë, lajmin e arrestimit të tre personave në Deçan e ka konfirmuar Prokuroria e Shtetit në një konferencë për mediat.

 “Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë kryeprokori Agim Kurtmehaj.

“Nuk mund të japim informata të tjera që do të mund ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne si Prokurori zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet të shtuar për ta ndriçuar këtë rast deri në fund. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të marrim pyetje”, potencoi Kurtmehaj.

Më 26 nëntor në sulmin ndaj një autobusi të linjës Gjakovë-Deçan mbetën të vdekur 3 persona, dy nxënës dhe shoferi. 

Berisha i përgjigjet Bashës: Respektoni vullnetin e shumicës

Kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha pas mbledhjes së Kryesisë. Me një postim në Facebook, Berisha shkruan se Kuvendi i sotshem riafirmon vlerat euro atlantike te PD duke rikthyer ne piedestal voten e lire ne te parin kuvend ne historine e Shqiperise te thirrur nga anetaresia.

Berisha shkruan se Kuvendi  e konsideron nul dhe qesharake cdo deshire te deputetit Basha per te thirrur Keshillin Kombetar, per te shkakuar drejtuesin e ketij Keshilli apo per te marre masa displinore ndaj perfaqesuesve te mijera demokrateve qe me vote te lire dhe legjitime vendosen sot shkarkimin e tij.

Edita Tahiri: Kuvendi madhështor i PD-së tregoi se duhen braktisur pasionet e absurdit

Ish-zv/kryeministrja e Kosovës Edita Tahiri ka reaguar mbi Kuvendin PD të mbajtur ditën e sotme në Shqipëri. Tahiri shkruan se Kuvendi madhështor i PD së Shqipërisë, i udhëhequr nga Sali Berisha, tregoi qartë se duhet braktisur pasionet e absurdit dhe pranuar realitetin!

“Në majat e pushtetit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që të bën të besosh se nuk je duke rënë! Por, sot Kuvendi madhështor i PD së Shqipërisë, i udhëhequr nga Sali Berisha, tregoi qartë se duhet braktisur pasionet e absurdit dhe pranuar realitetin!”- shkruan ajo.