zoom

Day ArchiveBariu hasi rastësisht trupin e Rruzhsi Hoxhës: Vinte erë e keqe

Një bari ka arritur të ndjejë erën e rëndë të trupit të biznesmenit Rruzhdi Hoxha i cili u vra dhe u gropos në Malin e Dajtit nga Fredi Rrushi, mik i viktimës.

Një bari ka arritur të ndjejë aromën e rëndë të trupit të groposur në mal, por ai deklaron se nuk i kishte shkuar mendja kurrë se është një trup njeriu.

 

Ai ka treguar në një intervistë për gazetarin Spartak Koka se ka parë korbat që qarkullonin pranë vendit ku u gjet trupi por mendonte se ishte ndonjë kafshë e ngordhur.

“Erdha një ditë këtu, mora rrugën dhe shkova te lapidari atje. Vinte erë e keqe. Pak fare ngjohej era. Pashë dhe korbat që lëviznin. Thashë ka ngordh naj gjo. Gjallë mbotë s’më shkoi mendja se ka njeri“, thotë bariu.

Kërcet arma në mes të qytetit shqiptar! 1 i vrarë dhe 1 i plagosur

Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur, si shkak i gjuajtjes me armë zjarri në Gjilan. Rastin e ka bërë të ditur Nënkolonel Remzi Azemi. Ai ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 21:00, në lagjen Arbëria.

“Ka qenë një incident, dyshohet se është përdorur arma e zjarrit, dhe si pasojë një person ka ndërruar jetë, ndërsa një person tjetër është plagosur”, tha Azemi.

Tutje policia ka thënë se ende nuk dihen rrethanat e incidentit.

“Momentalisht rasti është duke u hetuar”, deklaroi Azemi.

Ndërkaq, personi i plagosur është dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Jozyrtarisht mësohet se gjendja e tij është e rëndë.

Tronditet Turqia, tërmeti i fuqishëm alarmon qytetarët

Turqia mbrëmjen e kësaj të hëne është tronditur nga një tërmet i fortë me magniturtë 5.1 ballë i shkallës rihter.

Mediat vendase bëjnë me dije se tërmeti ka goditur provincën qendrore Konya të Turqisë.

 

Mësohet se tërmeti është ndjerë në Meram të provincës Konya në orën 20:43 me orën lokale. Sipas të dhënave lëkundjet kishte një thellësi prej 6.82 kilometrash nën sipërfaqe.

Ndërkohë, deri më tani nuk janë dhënë detaje për viktima apo dëme materiale.

Pamjet/ Si u nxorr nga humnera trupi i biznesmenit të vrarë

Gazetari Spartak Koka ka publikuar në emisionin Opinion në Tv Klan pamjet e nxjerrjes së trupit të vrarë të biznesmenit të inerteve Ruzhdi Hoxha, i cili ishte ekzekutuar me armë dhe groposur më pas në fshatin Qafë Mollë pas Malit të Dajtit në kryeqytet.

 

Në këto pamje duken punonjësit e policisë të cilët me vështirësi arrijnë të nxjerrin trupin e pajetë të Ruzhdi Hoxhës, për shkak të terrenit të vështirë malor.

Gazetari Spartak Koka bisedoi gjithashtu edhe me një bari, i cili thotë se disa ditë më parë bagëtitë e tij kishin ndjerë një erë të keqe pranë vendit ku u gjet trupi i vrarë.

E vranë dhe e groposën, si shiti taksisti telefonin e Rruzhdi Hoxhës

Eshte zbuluar mbrëmjen e sotme si një taksist gjeti telefonin e hedhur të biznesmenit Rruzhdi Hoxha dhe e shiti te një servis për 10 mijë lekë të vjetëra.

Telefoni ka qenë me ekran të thyer, ndërkohë që pronari i servisit e ka testuar duke bërë telefonata, duke qenë se numri ka qenë aktiv.

 

Kjo ka sjellë dhe përgjimin e policisë që ka shkuar te servisi dhe ka vijuar me hetimet e mëtejshme për gjetjen e trupit të Hoxhës.

“Telefoni është hedhur në zonën e Alliaasit. Ai është gjetur nga një taksist dhe është shitur nga taksisti. Ka kushtuar vetëm 10 mijë lekë të vjetëra. Pronari i servisit meqënëse ka qenë funksionale ka bërë disa prova. Policia e ka parë që është ndesur diku dhe kanë shkuar te servisi. Kanë bërë lidhjen dhe kanë gjetur personin. I gjithë itinerari është bërë në varësi të itinerarit të Fredi Rrushit,” tha gazetari.

Shqipëria në tituj! Vrasje, dhunime dhe shantazhe brenda pak ditëve

Brenda një harku kohor prej një jave, ndodhi tronditëse janë regjistruar kaq shumë në vend, sa padyshim do të mbanin gjallë për javë e javë të tëra redaksi ndërkombëtare. Por këtu duket se ngjarjet shokuese janë kaq të shpeshta sa nuk mund të kenë kurrsesi “luksin” e të trajtuarit gjatë. Kështu nën rrjedhën e furishme të lajmeve, histori të tilla iu nënshtruan efektit kohë, ndaj dashur pa dashur s’mund të fliteshin gjatë. Duhej vrapuar te “bomba” e radhës.

Gazetarëve të kronikave u desh të kalonin nga një vrasje në tjetrën, nga një incest atëror në një ngacmim seksual brenda një institucioni shkollor. Edicionet informative përcollën një atentat të bujshëm, teksa në emisione televizive u diskutua një rast flagrant i kërcënimit dhe dhunimit të një vajze. Begati gazetareske, por horror social. E gjitha, në 7 ditë!

Mëngjesin e 1 nëntorit, diku rreth orës 07:23, ish-efektivi i policisë, Xhelal Reci do të ekzekutohej me armë zjarri në qytetin e Laçit. Një vrasje e shoqëruar me dritëhijet e saj. Thuajse një vit më parë, më 14 gusht të vitit 2020, djali i tij, Besniku do të binte pre e një atentati. 2 persona që udhëtonin me motor dhe të maskuar me skafandra do të hapnin zjarr drejt makinës së tij, i cili ndodhej në të së bashku me familjen. Fatmirësisht nga atentati, asokohe nuk pati viktima.

Kamza do të shënonte nga ana tjetër një ngjarje tmerruese. Në dritë doli historia rrëqethëse e një vogëlusheje 6-vjeçare, e cila ishte keqtrajtuar fizikisht nga i ati. 27-vjeçari abuzoi madje seksualisht me të bijën, duke i shkaktuar përpos shokut emocional edhe plagë të rënda në trup, e veçanërisht në organin gjenital. Historia u shoqërua me pikëpyetje të shumta; nga roli i mamasë në këtë mes dhe deri në faktin nëse duhej ushqyer publiku ose jo me detaje të imtësishme.

Duket se ngjarja u trajtua gabimisht si një skandal i shoqërisë shqiptare, teksa mund të cilësohej si një rast i mbyllur incesti, fenomen ky po aq i vjetër sa njerëzimi. Abuzimi i minorenes nuk u shpëtoi as ngjyresave dhe debateve politike. Marrë shkas nga çfarë ndodhi, Albana Vokshi kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit, Evis Kushi.

Një 19-vjeçar nga Cërriku u arrestua dhe po mbahet në burg për shkak se akuzohet për akt seksual me një 11-vjeçare nga Toshkëzi i Lushnjës. Përpos gjithë kësaj, ajo çka tërhoqi vëmendjen dhe nxehu situatën ishte deklarata e avokatës së tij mbojtëse, Eva Gjeta.

Sipas avokates, ai kishte një javë njohje në rrjetet sociale dhe kishte rënë në dashuri me të miturën, madje kishte qëllime serioze ndaj saj.

Teksa një ish-efektiv u vra, një tjetër i policisë rrugore denoncoi kërcënimin që i ishte bërë familjes së tij. Ilir Pica deklaroi se ngjarja e rëndë i ndodhi pranë banesës, në afërsi të Kthesës së Kamzës, Tiranë.


Sapo opinioni publik po përpiqej të vetëshërohej pas goditjes së marrë nga rasti i Kamzës, një histori përdhunimi shpërtheu në Gjirokastër. Një 16-vjeçare përdhunohej nga i afërmi i saj. Për katër vite rresht, Kabul Hunda abuzoi seksualisht me vajzën e nipit të tij. Një krim që nxori në pah përpos të tjerave, indiferencën shoqërore. Në media u raportua se komuniteti ishte në dijeni të marrëdhënies mes tyre, por askush nuk foli më herët.


Sikur të mos mjaftonte e gjitha kjo, aksidentet rrugore nuk munguan dhe si për të përforcuar ndjesinë e pasigurisë, në Vlorë u tentua rrëmbimi i një 29-vjeçari. Rrëmbim që për fat të mirë shkoi keq. Policia shpalli në kërkim dy të rinj.

Ankthi do të kaplonte publikun, sapo të vihej në dijeni se një biznesmen kish’ humbur gjurmë. Prej ditësh, familjarët e Ruzhdi Hoxhës nuk dinin asgjë rreth tij. Po atë ditë, qytetarët mundën të lexonin historinë e një polici në Elbasan, që shantazhonte një qytetar. Sokol Fana i bënte presion dikujt, i cili “kishte probleme me drejtësinë italiane”, që t’i jepte oficerit 7 mijë euro, në mënyrë që ky të mos e arrestonte.

Mbrëmjen e 5 nëntorit ishte radha e qytetit të Elbasanit për të shënuar krimin e radhës. Një sherr që përfundoi me vdekjen e një të riu dhe plagosjen e vëllait të tij; një vrasje që zbuloi shumë më shumë: akuzë për përdhunimin e një 14-vjeçareje dhe mbajtjen e saj nën efektin e substancave narkotike. Të joshur për intervista ekskluzive nga ana e mediave të ndryshme, deklarata të ethshme erdhën prej familjarëve të të dyja palëve.

Gjyshja e autorit të vrasjes së Florenc Kovacit: I lumshin duart

Nëna e vëllezërve Kovaci: Do e djeg me benzinë vajzën

Tituj që refektojnë mendësinë tonë, fjalë të marra në momente dhimbjeje, me deklarata që rrëfejnë edhe më shumë qasjen tonë të dhunshme. Vetë vajza bëri me dije se familja e saj i ishte drejtuar madje edhe policisë, por një zgjidhje duket se nuk u gjet.

Kjo nuk qe e gjitha:

Një notere u kërcënua haptazi. Range Rover-i i saj shpërtheu si pa të keq në një zonë të Tiranës.

Një drejtor shkolle në Pogradec doli zbuluar, pas mesazheve ngacmuese që u dërgoi për dy javë rresht dy nxënëseve 14-vjeçare.

Biznesmeni i lartpërmendur, Ruzhdi Hoxha u gjet i pajetë pranë Malit me Gropa.


Teksa po raportonte mbi vrasjen në fjalë, gazetarja Anila Hoxha dhe operatori Endrit Aga u përballën me dhunën policore.

Figura policore u rivendos nën vëmendje pas një rasti flagrant në Durrës, ku tre të rinj nuk iu bindën urdhrit të policisë dhe në arratisje e sipër, plagosën në këmbë një efektive.

Kaq e rënduar paraqitet situata kolektive emocionale, sa dhe një emision “rozë” do të na shpinte sërish në një problematikë të errët. Një përballje live në reality show-n “Për’puthen” do të reflektonte dhunën psikologjike dhe jo vetëm ndaj gruas në vendin tonë. Denisa Skodi/ @Zoom.al

Rama plotëson kërkesën e Greqisë për vetëdeklarimin e etnisë?

Kryeministri Edi Rama dha një intervistë për numrin e fundjavës për gazetën greke “Ta Nea”, ku ndër të tjera foli edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë. Por ai preferoi t’a anashkalojë pyetjen e gazetares lidhur me kushtin që ka vendosur qeveria greke për të “respektuar të drejtën e vetëdeklarimit” të minoritetit grek gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë.

Pyetjes se sa progres është bërë në drejtim të plotësimit të këtij kushti që ka vendosur Greqia për procesin e anëtarësimit në BE, Rama iu përgjigj shkurt: “Kemi diskutuar me miqtë tanë grekë për këtë çështje”.

Por ai nuk preferoi të jap më shumë detaje rreth asaj se çfarë ka biseduar me palën greke dhe cila është zgjidhja që i ka dhënë qeveria shqiptare këtij shqetësimi. 

Në fakt përgjigja për këtë çështje gjendet pikërisht tek ligji “Për Censusin” i miratuar nga Kuvendi në 2020, vetëm një vit pasi kryeministri grek Qiriako Mitcotaqis do ta përcaktonte vetdeklarimin e etnisë si një nga dy kushtet e Greqisë për hapjen e negociatave të integrimit. 

Ne Nenin 4 të këtij ligji përcaktohet se pyetësori i censusit që do të nisë të realizohet vitin e ardhshsëm përmban edhe pyetje për identitetin etnik, gjuhën dhe fenë, përgjigjet e të cilave bazohen pikërisht në të drejtën e “vetidentifikimit” të individit. 

Ky përcaktim është përfshirë edhe në pyetësorin e përgatitur nga INSTAT dhe që do të plotësohet nga qytetarët vitin e ardhshëm, kur edhe do të nisë të zbatohet censusi i popullsisë, përfshi edhe ata në zonat ku ka një prani më të madhe të popullsive jo shqiptare. Kështu në modulin e pyetjeve individuale përfshihen edhe pyetjet për identitetin etnik, ku shtetasi mund të vetdeklaroi siç e mendon ai se cilit grup etnik i përket, gjuhën që flet apo edhe besimin fetar që praktikon. 

Në këtë modul sqarohet se togfjalëshi “Identiteti etnik: I referohet një kuptimi të përbashkët të origjinës historike dhe territoriale (rajonale, kombëtare) të një grupi etnik ose komuniteti si dhe karakteristikave të veçanta kulturore si: gjuha dhe/ose feja dhe/ose zakone specifike dhe mënyra e jetës”

Censusi i fundit që është realizuar në vendin tonë është ai i vitit 2011, gjatë të cilit, sa i përket përkatësisë etnike rezultoi se 82.6 për qind e popullsisë ishte deklaruar shqiptare, 0.87 për qind ishte deklaruar greke, 0.20 për qind maqedonase dhe 0.10 për qind malazeze. Ndërkohë që afro 13 për qind e të anketuarve nuk preferoi të deklarojë përkatësinë etnike. 

Por pavarësisht këtyre rezultateve dhe pavarësisht faktit se edhe atëherë qytetarët kishin mundësi të deklaronin të lirë përkatësinë e tyre etniko-kulturore, organizatat që mbrojnë të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë, por edhe Athina zyrtare, nuk u pajtuan asnjëherë me këtë realitet, duke pretenduar se popullsia etnike greke në vendin tonë është më e madhe. 

Me siguri qe edhe kësaj here pretendimet nuk do të mungojnë, pavarësisht lëshimit që ka bërë qeveria shqiptare për të plotësuar këtë kërkesë të qeverisë greke, sa i përket sanksionimit të së drejtës së vetidentifikimit të etnisë në pyetësor.

Denoncoi trafikantët, ish-prostituta shqiptare i jep fund jetës

46-vjeçarja shqiptare, Adelina Sejdini, i ka dhënë fund jetës. Mediat italiane bëjnë me dije se Sejdini është hedhur nga ura.

Për mediat në Itali, ajo është bërë e njohur disa vite më parë kur guxoi të denonconte një rrjet prostitucioni, në të cilin ajo bënte pjesë. Ajo ishte detyruar që të punonte si prostitutë, por arriti që të denonconte një prej grupeve më të mëdha.

Si një ndër shkaqet që çuan 46-vjeçaren drejt aktit të rëndë ka qenë dhe mos marrja e shtetësisë italiane. Ajo kishte kërkuar me ngulm që të vijonte të qëndronte në Itali, pasi siç është shprehur në Shqipëri i rrezikohej jeta.

Nëse kthehem në Shqipëri jam grua e vdekur, kam frikë se mos më vrasin ata që kisha arrestuar”, ka thënë ajo pak ditë më parë në një media italiane.

Në bazë të denoncimeve të shqiptares u arrestuan 40 persona dhe 80 të tjerë u akuzuan, të gjithë i përkisnin mafies shqiptare që kontrollonte shfrytëzimin e prostitucionit në të gjithë Italinë.

Artan Lame: Prisni se do shihni të njëjtën gjëmë në veri

Kadastra e Vlorës është shndërruar në një institucion në të cilin drejtorët e saj nuk qëndrojnë dot për shumë kohë në detyrë.

Mbi 10 drejtorë janë shkarkuar, dorëhequr, kërcënuar, apo edhe arrestuar kohët e fundit. Kreu i Kadastrës, Artan Lama zbuloi në emisionin “Politiko” arsyet e këtyre largimeve që sipas tij kanë të bëjnë me presionin e 30 viteve që bien mbi këto drejtorë.

 

Sipas Lames, me rrugët e reja që po bëhen, e njëjta situatë do të ndodhe dhe në veri të vendit nëse nuk merren masat.

“Në Vlorë ka shpërthyer qelbi i gjithë 30 viteve”, tha Lame, ndërsa paralajmëroi se të njëjtën krizë mund të kemi në vitet e ardhshme edhe në veri. Shqipëria besohej se kishte vlerë vetëm në bregdet. Por tashmë, me rruget e reja, edhe në veri toka ka vlerë. Ka shumë ndërtime në veri që po bëhen, por për fat te keq ka një problem me planet rregulluese. Ajo që po ndodh në Theth është identike me atë që po ndodh në Dhërmi.Që do të thotë në jug hyri infrastuktura më herët. E kam thënë se nëse bëhen rrugë pa plane rregulluese. Kjo mund të ndodhë edhe në veri. Kemi një numër të madh kërkesash për legalizime dhe regjistrime tokash në veri. Në veri do të ndodhë e njëjtja gjëmë nëse nuk ndërhyhet. Velipoja dhe Durrësi, u zhvilluan si u zhvilluan. Me copa të vogla toke, por Golemi për shembull është i rikuperueshëm. Pjesa e tjetër e jugut, duke i shkuar më vonë infrastruktura, u vazhdua që më 7501 që të kafshohej. I gjithë ky mal vazhdoi të rritej, ku gjithsesi kishte letrën e vet në xhep. Ku prona mori vlerë, nisën edhe problemet. Aty ka shpërthyer qelbi i gjithë 30 viteve.
Drejtorët vinë dhe ikin, pasi kemi të bëjmë me presionin e 30 viteve. Prandaj ikin ata drejtorët. Ka presion mbi ta”, tha Lame.

Putin në takim me kreun e CIA-s, ja çfarë u diskutua në Moskë

Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi konfliktet rajonale dhe një krizë në marrëdhëniet mes dy vendeve me kreun e CIA-s së, i cili bëri një vizitë në Moskë javën e kaluar, tha Kremlini të hënën.

Shefi i CIA-s, William Burns, ishte në Rusi për dy ditë takime me zyrtarë të lartë me kërkesë të presidentit Joe Biden, tha ambasada amerikane.

CNN raportoi javën e kaluar se Burns ishte dërguar në Moskë për të paralajmëruar Kremlinin mbi pohimet për grumbullim të trupave ruse pranë kufirit të Ukrainës. CNN tha se pas takimeve të tij në Rusi, Burns foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në telefon.

Zëdhënësi i Kremlinit tha të hënën se Putin dhe Burns diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, “konfliktet rajonale” dhe një krizë në marrëdhëniet diplomatike. Ai nuk dha hollësi të tjera.

Zoti Burns, i cili ishte ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi në vitet 2005-2008, vizitoi Moskën gjatë një krize të rëndë në lidhjet midis Moskës dhe Uashingtonit.

Biden ka rritur presionin ndaj zotit Putin që kur filloi mandatin si President i Shteteve të Bashkuara në janar. Në maj, Rusia i përcaktoi zyrtarisht Shtetet e Bashkuara si një “shtet jomiqësor”.

Pentagoni tha javën e kaluar se po monitoronte nga afër situatën në Ukrainë mes raporteve për një grumbullim të ri të trupave ruse në kufirin e vendit.

Publikisht, Ukraina ka mohuar raportet për një grumbullim të ri trupash ruse.

Ushtria ukrainase është përfshirë në një konflikt të ashpër me separatistët pro-rusë, i cili shpërtheu pasi Moska aneksoi Krimenë në vitin 2014.

Pas një rritjeje të dhunës në fillim të këtij viti, Rusia në pranverë grumbulloi rreth 100,000 trupa në kufirin e saj me Ukrainën, duke shkaktuar frikë për një përshkallëzim të madh. Nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kievit, Moska më vonë i tërhoqi trupat e saj. /VOA/