zoom

Day Archive“U vetëplagosa nga xhelozia”/ Gruaja mbron partnerin dhunues, banorët e pallatit e nxjerrin zbuluar

Një grua në Tiranë u përpoq ta shpëtonte nga hetimi bashkëshortin e saj, duke u justifikuar se frakturat në fytyrë dhe në trup i kishte shkaktuar vetë.

Por, kundër kësaj dëshmie dolën fqinjët që treguan se dhunues ishte i shoqi.

44-vjecari me inicialet E. SH do të dalë para gjykatës të hënën për akuzën e dhunës në familje dhe nismëtarët e prangosjes së tij janë banorët e pallatit që kërkuan policinë, pasi dëgjuan britma. Përkundër denoncimit të tyre, kur policia mbërriti në banesë dhe gjeti gruan e keqtrajtuar që e dërgoi menjëherë në spital prokuroria tha se ajo tentoi ta shpëtoje partnerin nga prangat duke u vetëfajësuar.

Por, policia përshkruan se ngado në banese kishte sende të thyera dhe gruaja ka shenja në të gjithë trupin. Megjithatë, gruaja tha se mbasi bashkëjetuesit i mbërriti një mesazh i dyshimtë ajo nga xhelozia theu një shishe vere në kokë e mandej u qëllua kudo në supë, kraharor, ballë dhe gjymtyrë.

Pyetjes se si i shkaktoi këto plagë, ajo i përgjigjet “nuk mbaj mend asgjë dhe as që e kam idenë se sa ka qenë ora kur mbërriti policia”. Dhe teksa ajo ka refuzuar të firmose kallëzimin, prokuroria thotë se i ka nisur një seri pyetjesh mjekësisë ligjore për të kuptuar shkencërisht nëse mund të shkaktohen plagë të tilla vetë, edhe pse është e bindur se ajo është dhunuar nga i shoqi, një burrë i proceduar dhe herë tjetër për vepra të tjera.

E ndërsa gratë përherë e më shumë janë ndërgjegjësuar duke mos u pajtuar me dhunën, prokuroria e Tiranës deklaron se po vihet re një fenomen i ri , fqinjët po denoncojnë se çfarë ndodh përtej mureve të tyre.

Komisariati digjital konfirmoi gjithashtu se çdo muaj gati 15 telefonata regjistrohen nga fqinjët që janë të bindur se në banesën ngjitur po ndodh diçka .

Salah është “mbreti”! Liverpool poshtëron “Djajtë e Kuq”, egjiptiani thyen rekordin e Ronaldos

Egjiptiani Mohamed Salah “mbreti” i super sfidës Manchester United-Liverpool, një ndeshje që do të kujtohet me gjenerata.

Djemtë e Jurgen Klopp poshtëruan “Djajtë e kuq” në stadiumin e tyre me rezultatin 5:0, humbja më e madhe e historisë së Manchester United ndaj Reds, dhe në përgjithësi humbja më e madhe në shtëpi nga viti 1955.

Liverpool vendosi diktatin brenda 45 minutave të para, me Keita, Jota dhe dy gola nga një Salah i papërmbajtshëm që bënë që në Old Trafford të pllakos heshtja.

Rekordi i Salah

Në pjesën e dytë, Salah shënoi të tretin, gol që e shndërron egjiptianin në futbollistin e parë pas 18 vitesh që shënon një “hat trick” nga viti 2003, ku një yll i Real Madridit kryente të njëjtën kryevepër.

Emri Cristiano Ronaldo, që për ironi të fatit ishte sot në fushë, duke iu mohuar edhe një gol nga VAR.

Vlen të theksohet se në një të diel të “zezë”, “Djajtë e kuq” i kanë lënë dhe nervat.

Pogba kreu një ndërhyrje tejet të rëndë në pjesën e dytë, duke goditur kundërshtarin me taka. Gjyqtari nuk hezitoi dhe e ndëshkoi francezin me kartonin e kuq.

244 shkelje për shpejtësi/ Arrestohet 33-vjeçari, “fluturoi” me makinë në rrugën Tiranë-Elbasan

Ndonëse numri i aksidenteve mbetet i lartë dhe me pasojë të rënda, shoferët vijojnë të mos u binden rregullave të qarkullimit.

Policia bën me dije se “gjatë 24 orëve të fundit, në rrugët e kryeqytetit dhe në rrugët interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë, Tiranë-Elbasan-Tiranë, nga makina inteligjente dhe radari “Patrol” janë konstatuar 244 shkelje për shpejtësi, nga të cilat 42 ishin me masë plotësuese pezullim të lejes së drejtimit, pasi qarkullonin me shpejtësi nga 40 deri në 80 km/h më shumë se tabela e lejuar, shpejtësi që në kushte dhe të lagështirës në rrugë janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore”.

“Po nga verifikimi i kryer nga operatorët që plotësojnë masat administrative rezultoi se 87 prej drejtuesve të mjeteve, krahas shpejtësisë, kishin përdorur edhe celularin gjatë drejtimit të mjetit, ndërsa 36 të tjerë nuk kishin vendosur rripin e sigurimit“, thotë policia.

Në Ibë, në rrugën interurbane Tiranë-Elbasan, është konstatuar nga radari, një automjet me shpejtësi 135 km/h, në kushte të lagështirës.

“Pas bërjes së testit të alkoolit, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. P., 33 vjeç, banues në Tiranë rezultoi i dehur me masë alkooli 1.81 mg/l dhe u arrestua në flagrancë. Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 31 leje drejtimi, për shpejtësi dhe për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë arrestuar në kushtet e flagrancës 7 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 2 për drejtim mjeti pa leje drejtimi”, thotë policia.

Po gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin sipas policisë janë ndëshkuar me masë adminitratrive 1012 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara, të konstatuara me dronë, shpetësi tej normave të lejuara që janë matur me radarë, nga Rruga e Kombit deri në Sarandë, për përdorim celulari, mosvendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse etj.

“Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Tiranës, vijon kontrollet me makinën inteligjente dhe me radarët e natës, duke evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, pa vendosur rripin e sigurimit, që kryejnë parakalime të gabuara apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit. Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vijojnë kontrollet intensive për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore gjatë fundjavës, duke përdorur makinën inteligjente dhe radarët e natës. Kontrollet me radarë, dronë, kamera e makina të paloguara vijojnë dhe në akset nacionale e qendrat e banuara në të gjithë vendin.

Dalin shifrat/ Sa viktima dhe sa të infektuar u regjistruan në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije bilancin e Covid-19 në vend, brenda 24 orëve të fundit.

Komunikata e Ministrisë:

Janë kryer 2680 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me COVID19, 444 qytetarë, në këto bashki:

213 në Tiranë, 25 në Elbasan, nga 19 qytetarë në Vlorë, Kamëz, Durrës, 17 në Fier, 16 në Lushnje, 15 në Krujë, 10 në Vorë, nga 8 qytetarë në Berat, Shkodër, nga 7 qytetarë në Lezhë, Gjirokastër, nga 6 qytetarë në Devoll, Tropojë, 5 në Mat, nga 4 qytetarë në Kurbin, Mallakastër, nga 3 qytetarë në Peqin, Kuçovë, Sarandë, Has, nga 2 qytetarë në Roskovec, Përmet, Memaliaj, Korçë, Dimal, Gramsh, nga 1 qytetar në Poliçan, Skrapar, Kolonjë, Dropull, Delvinë, Himarë, Patos, Dibër, Shijak, Mirditë, Kukës, Pukë.

Janë 7032 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.

Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 164 pacientë, nga të cilët 20 janë në gjendje më të rënduar.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar betejën me COVID19, 4 qytetarë: një qytetare nga Puka 67 vjeçe, një qytetar nga Patosi 73 vjeç, një qytetare nga Lushnja 79 vjeçe, një qytetar nga Lezha 82 vjeç.

Janë shëruar 315 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 171,790 që nga fillimi i epidemisë.

Statistika (24 Tetor 2021)
Raste të reja ditore 444
Të shëruar në 24 orë 315
Të shtruar në spitale 164
Humbje jete në 24 orë 4
Testime ditore 2680

Testime totale 1,283,321
Raste pozitive 181,696
Raste të shëruara 171,790
Raste Aktive 7032
Humbje jete 2,874

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 3495
Fier 882
Durrës 733
Shkodër 471
Elbasan 303
Gjirokastër 210
Korçë 200
Berat 184
Lezhë 179
Vlorë 163
Kukës 136
Dibër 76

Nga ngacmimi i mbesës te sherri për tokën/ Ekzekutimi i Demir Backës, ja pistat ku po heton policia

Disa persona që mund të kenë lidhje me ngjarjen janë marrë në pyetje në komisariatin e policisë në Fier për të zbuluar autorët dhe motivet e atentatit ndaj biznesmenit Demir Backa.

57- vjeçari u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në makinën e tij, të parkuar në një rrethrrotullim vetëm pak metra larg postbllokut të policisë në Fier.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës pak pas orës 20, kur në zonë kishte ende shumë kalimtarë. Backa mori plagë të rënda dhe humbi jetën në spital.

Policia nuk jep detaje për hetimet apo se kush u mor në pyetje, ndërsa mësohet se një prej pistave është dhe konflikti i biznesmenit Backa me një tjetër person, djali i të cilit ka ngacmuar pak kohë më parë mbesën e viktimës.

Pista tjetër lidhet me vrasjen e motrës së viktimës në vitin 1998, por edhe përfshirja e viktimës në një konflikt për tokën me banorët e zonës në bregdetin e Darzezës.

Makina e krimit, një “Mercedez Benz” me targa kosovare u gjet pak kilometra larg vendit të krimit, në afërsi të Spitalit Memorial në Fier.

Policia po verifikon nëse targat janë false apo të vërteta, dhe në rast se po, kur ka hyre ky automjet në Shqipëri, apo pronësia e tij.

Në makinë u gjetën një arme zjarri kallashnikov dhe një pistolete që dyshohet se janë përdorur në krim.

Në vendngjarje po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë si dhe janë thirrur për të dëshmuar kalimtarët e rastit.

Kukësi ngjitet në krye të renditjes, mposht me rezultat të pastër Vllazninë

Kukësi i ka shkaktuar humbjen e parë Vllaznisë në këtë sezon, teksa e ka mundur 2-0 në takimin e luajtur në stadiumin “Arena Egnatia”.

Nga një gol në secilën pjesë bënë që skuadra e Longos të konfirmohet tashmë si një nga pretendentet serioze këtë sezon për titull kampion. Shqiprim Taipi ishte autor i golit të parë të kësaj sfide. Ai realizoi në minutën e 29 një kryevepër, teksa e dërgoi topin në trekëndëshin e portës nga një distancë e largët.

Vllaznia tentoi të reagonte në vazhdim, por pa mundur të gjente golin e barazimit. Në minutën 83, Ndreca vulosi rezultatin e takimit duke shënuar edhe golin e dytë për Kukësin.

Me këtë fitore, Kukësi ngjitet në krye të klasifikimit, me të njëjtën kuotë pikësh sa edhe Tirana e Teuta.

Probleme me gruan/ Shqiptari i lutet policisë italiane: Më arrestoni, më është bërë jeta ferr

Një shqiptar i dënuar me arrest shtëpie në Itali është paraqitur sërish në komisariat dhe ka kërkuar të arrestohet, me argumentin se nuk duronte nusen në shtëpi.

30-vjeçari që banonte pranë Romës ka thënë se nuk duronte dot bashkëjetesën me gruan.

Pas një konflikti me të, ai ishte larguar nga shtëpia dhe kishte shkuar në komisariat, duke kërkuar që të arrestohej sërish.

“Jeta ime familjare është bërë ferr, nuk mundem më, dua të shkoj në burg”, mësohet të ketë thënë burri.

I riu është arrestuar nga policia, por jo për kërkesën e tij, po për faktin se ka thyer arrestin në shtëpi.

Media serbe: Shqipëria po përpiqet të anëtarësojë Kosovën në UNESCO përmes vajzës së Kadaresë

Besiana Kadare do të jetë sërish ambasadore e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), shkruan mediumi serb, “Kosovo Online“. Ajo ishte shefe e misionit shqiptar në këtë organizatë në vitin 2015, kur Kosova kërkoi të anëtarësohet atje, transmeton Gazeta Express

Besiana Kadare është vajza e shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Ajo ka magjistruar në letërsi moderne dhe krahasuese dhe, mediumi serb shkruan se ajo njihet si person jashtëzakonisht i apasionuar pas Kosovës.

Kadare është aktualisht ambasadore e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe është në atë detyrë që nga viti 2016. Vitin e kaluar, ajo u zgjodh nënkryetare e sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ajo ishte më parë në UNESCO nga viti 2011 deri në vitin 2016. Ajo ka punuar gjithashtu në Ambasadën e Shqipërisë në Francë në vitin 2008, si dhe me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në vitin 2005.

Nuk është e pazakontë që dikush që tashmë ka qenë ambasadore në UNESCO të kthehet në atë pozicion, prandaj mund të supozohet se një lëvizje e tillë e Tiranës është pjesë e përgatitjeve për ofensivën për pranimin e Kosovës në këtë organizate, transmeton Express.

Përkatësisht, gjatë mandatit të saj të parë në UNESCO, Kadare kishte kontakte të mira në Paris, si dhe një ambicie të fortë që Kosova të bëhej pjesë e kësaj organizate të OKB-së. Në fund, Shqipëria më pas paraqiti një kërkesë zyrtare që Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s ta vendoste në rend dite kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Tani që ka kaluar pesë vjet në selinë e OKB-së, nuk ka dyshim se ajo do të kthehet në UNESCO me një gamë më të gjerë lidhjesh dhe energjish të reja, si dhe me një motiv më të fortë për ta përfunduar punën që dështoi herën e fundit, shkruan KO.

Në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s të vitit 2015, Kosova nuk arriti ta siguronte shumicën e kërkuar prej dy të tretave të shteteve që votuan. Nga 142 vende që votuan, 92 e mbështetën anëtarësimin e Kosovës, por 50 ishin kundër propozimit. Por 29 shtete kishin abstenuar, duke bërë kështu që për një shumicë prej dy të tretash që kërkohen për anëtarësim (95 vota), Kosovës t’i mungonin vetëm tri vota.

U torturua dhe u grabit/ Biznesmeni nga Kruja, dëshmitar në procesin “Shullazi”

Biznesmeni i mobilerisë Nazmi Çangu që u torturua dhe u grabit mbrëmjen e kaluar nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2016, ai është thirrur si dëshmitar në procesin gjyqësor ndaj Emiliano Shullazit.

Në procesin gjyqësor ndaj tij, Nazmi Çangu pohoi para gjykatës së Krimeve të Rënda se e njihte Ylvi Beqjan dhe se i kishte dhënë atij një shumë parash borxh.

Burime nga policia e Krujës thanë se borxhi i dhënë ndaj Ylvi Beqias nga biznesmeni i mobilerisë nuk ishte i vetmi pasi Çangu jepte para me fajde. Nisur nga kjo e dhënë policia po kryen të gjitha verifikimet për të përftuar ndonjë të dhënë.

Policia i ka sekuestruar biznesmenit aparatin celular për të parë komunikimet e fundit si edhe ka administruar dëshminë e tij në lidhje me karakteristikat fizike të autorëve apo dyshime të tij.

Bërnabiç bën deklaratën e fortë: Ishte planifikuar vrasja e Vuçiç-it, çdo gjë u mendua në detaje

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç deklaroi se ka pasur një plan për vrasjen e presidentit të këtij shteti, Aleksandar Vuçiç. Siç tha Bërbaniq, vrasja ishte planifikuar të ndodhte gjatë zbulimit të monumentit të Stefan Nemanjës, që u bë më 27 janar të këtij viti në Beograd.

“(Vrasja) Është planifikuar prej kohësh dhe në detaje. Janë formuar struktura paralele në Ministrinë e Brendshme (MPB) dhe janë bërë fushata në mediat e manjatëve, që janë transmetuar edhe në mediat në rajon për dehumanizimin e Vuçiçit, që ta shndërronin atë dhe familjen e tij në një grup kriminal”, tha Bërnabiç më 24 tetor për televizionin Pink.

Bërnabiç tha se këtë rast janë duke u marrë shërbimet kompetente dhe përgjegjësit nuk do të mund t’i ikin drejtësisë pa marrë parasysh “emrin dhe mbiemrin, funksionin dhe përkatësinë partiake”.

Kryeministrja serbe deklaroi se akuzat për përgjimet e Vuçiçit në aferën “Jovanjica” janë “tentativë për grusht-shtet”.

Prokuroria për Krim të Organizuar në janar nisi hetimet për shkak të përgjimeve të paautorizuara të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Siç ka thënë vetë Vuçiçi, dyshohet se ai është përgjuar nga shërbimet vendase.

MPB-ja ka kompetencë mbi këto shërbime. Kjo ministri ishte drejtuar nga Nebojsha Stefanoviç nga viti 2014 deri më 2020, kur ai u emërua ministri i Mbrojtjes. Këtë post ai e mban edhe sot.

Stefanoviç ka deklaruar vazhdimisht se ai kurrë nuk ka marrë pjesë “në ndonjë aktivitet që do ta rrezikonte presidentin Vuçiq apo anëtarët e familjes së tij”.

Edhe ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Diana Hërkaloviç  ishte përmendur se mund të jetë e lidhur me aferën e përgjimit të presidentit. Ajo u arrestua më 15 tetor.

Në media u raportua në janar se Hërkaloviç ishte një prej personave që ishte marrë në pyetje lidhur me aferën e përgjimit të Vuçiçit. Ministria e Brendshme dhe Prokuroria as nuk kanë mohuar e as pohuar këtë pretendim, ndërkaq Hërkaloviç po ashtu nuk është deklaruar publikisht për këtë çështje.

Afera e njohur si “Jovanjica” u bë publike në nëntor të vitit 2019, kur policia gjeti 1.6 ton marijuanë në një fermë të produkteve organike ushqimore, në pronësi të Pregrad Koluvija.

Një nga dy aktakuzat në këtë çështje, që ende është në fazën e gjykimit, përfshiu tetë persona, mes të cilëve pjesëtarë të policisë, Agjencisë së Informacionit të Sigurisë dhe Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake, që akuzohen se kanë mbrojtur pronarin e kësaj prone bujqësore.

I pandehuri në këtë rast, Pregrad Koluvija është në arrest shtëpiak pasi Gjykata e Apelit ia hoqi masën e paraburgimit, që ishte prej vitit 2019 dhe më 1 tetor ai dha një intervistë që e bëri avokati i tij, që njëherësh është anëtar i kryesisë së partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, Vladimir Gjukanoviç.

Ky rast po ashtu ka marrë vëmendje për shkak të pretendimeve të opozitës dhe mediave se zyrtarët e lartë shtetërorë janë të lidhur me aferën e përgjimeve, por këto pretendime janë hedhur poshtë nga autoritetet.