zoom

Day ArchiveSi iu pergjigj Obama pyetjes së Trump: Cili ishte gabimi yt më i madh?

Presidenti i atëhershëm Donald Trump thuhet se pyeti ish presidentin e SHBA, Barack Obama në 2017 se cili ishte gabimi i tij më i madh teksa udhëtonin nga Shtëpia e Bardhë në Capitol, sipas një libri të ri.

“Peril” nga Bob Woodward dhe Robert Costa, ofron një depërtim politik rreth muajve përpara dhe pas zgjedhjeve të 2020, duke përfshirë pandeminë Covid, trazirat e 6 janarit dhe zgjedhjet presidenciale të 2020.

Teksa libri përfshin dhe inagurimin e presidentit Biden, libri raporton se eksperienca e Trump atë ditë – kur ai nisi udhëtimin e tij në Mar-a-Lago përpara ceremonisë, ishte me më shumë zhvillime se inagurimi i tij në 2017.

Woodward dhe Costa raportojnë se Trump dhe Obama udhëtuan nga Shtëpia e Bardhë në Capitol së bashku me senatorin Roy Blunt, i cili ishte përgjegjës për planifikimin e ceremonisë së inagurimit.

“Cili ishte gabimi yt më i madh?” pyeti presidenti i sapo zgjedhur paraardhësin e tij.

Thuhet se Obama qëndroi në heshtje dhe më pas iu kthye Trump-it.

“Nuk mund të mendoj për asgjë,” raportohet të jetë përgjigjia e tij.

Trump më pas ndryshoi temën e diskutimit dhe pyeti, “Kjo është makina që përdor gjithmonë?”

Libri ka dalë në faqe të para, në pjesë të raportimit të saj se si gjenerali Mark Milley ishte në komunikim me Kinën që t’i siguronte ata rreth frikës së ndonjë sulmi, gjatë kaosit të trazirave të 6 janarit në Capitol. /Fox – Përgatiti: Alesia Doçi

Bob Woodward Extends His Trump Chronicles With the Chaotic Transfer of Power - The New York Times

Nis restaurimi i katedrales së Notre Dame

Puna për stabilizimin e katedrales së Notre Dame në Paris ka perfunduar sot, duke lejuar nisjen e fazës së restaurimit artistik, dy vjet pas zjarrit shkatërrimtar që rrëzoi majën e saj simbolike.

Pak pas zjarrit të prillit 2019, presidenti francez Emmanuel Macron, tha se katedralja e shekullit të 12-të do të rindërtohet, duke premtuar rihapjen e saj për besimtarët në 2024.

Faza finale e punimeve të sigurisë përfshinte përforcimin e kupolave të prekura nga zjarri me harqe të drunjta, teksa zyrtarët ndërtues thonë se mund të kapin datën e hapjes së kërkuar nga Macron.

Katedralja do të restaurohet në dizajnin e saj të mëparshëm, duke përfshirë dhe majën e saj 100 metra të lartë, të krijuar nga arkitekti Eugèn Viollet-le-Duc në mesin e viteve 1800.

Zjarri në Notre Dame shokoi Francën dhe audiencat botërore, teksa parizienët u mblodhën të shtangur para katedrales që shënon qendrën e Parisit.

 

 

 

Masa të rrepta sigurie në prag të tubimit para Kapitolit

Qindra policë do të jenë sot në gatishmëri rreth Kapitolit për të garantuar sigurinë gjatë një tubimi të mbështetësve të atyre qindra njerëzve që hynë me forcë në ndërtesën e Kongresit më 6 janar, në një përpjekje për të mos lejuar çertifikimin e rezultatit që shpallte fitues në zgjedhjet presidenciale demokratin Joe Biden.

Rreth e përqark ndërtesës është vendosur i njëjti gardh mbrojtës sikurse ai që u ngrit pas sulmit në Kapitol rreth 9 muaj më parë. 100 trupa të Gardës Kombëtare janë në gatishmëri dhe në një përpjekje për të parandaluar dhunën, zyrtarët e sigurisë po kryejnë kontrolle shtesë ndaj atyre personave që po mbërrijnë në kryeqytet përmes aeroportit më të afërt.

Organizatorët e tubimit “Drejtësi për 6 janarin” kanë thënë se presin një tubim paqësor, por shefi i policisë së Kapitolit J. Thomas Manger u tha gazetarëve të premten se “ka pasur disa kërcënime për dhunë” të lidhura me ngjarjen, dhe se policia do të punonte për të shmangur përplasjet mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të zotit Trump.

Më shumë se 600 persona janë akuzuar për pjesëmarrje në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar, i cili pasoi një fjalim të ish-Presidentit Trump që përsëriste akuzat e pabazuara në fakte se humbja e tij në zgjedhje ndaj demokratit Joe Biden ishte rezultat i një manipulimi të gjerë. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga një numër i madh gjykatash, zyrtarë shtetërorë që janë marrë me administrimin e zgjedhjeve si dhe anëtarë të administratës së vetë zotit Trump.

Më 6 janar protestuesit arritën të futen me forcë në Kapitol duke vënë në rrezik ligjvënësit dhe nënpresidentin e atëhershëm Mike Pence.

Deri më tani, rreth 50 persona janë vetëdeklaruar fajtorë, të akuzuar për dhunë, nëntë kanë pranuar se kanë kryer vepra penale. Shumica dërrmuese e të pandehurve janë liruar në pritje të gjykimit, por rreth 75 janë ende në paraburgim, sipas dokumenteve të gjykatës.

Në mesin e të akuzuarve për sulmin ndaj Kapitolit janë anëtarë të grupeve të krahut të djathtë si “Proud Boys”, “Oath Keepers” dhe “Three Percenters”.

“Është ironike që tubimi quhet drejtësi për 6 janarin. Mendoj se drejtësi për 6 janarin do të kishte qenë ngritja e akuzave dhe shkarkimi i Donald Trump-it” tha në një intervistë për rrjetin televiziv MSNBC ligjvënësi Adman Kinzinger, një nga 10 republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që votuan pro ngritjes së akuzave ndaj ish-Presidentit për nxitje të dhunës më 6 janar.

Senati i atëhershëm i kontrolluar nga republikanët e liroi ish-Presidentin prej akuzave.

“Është koha që ne të ndalemi si parti apo udhëheqës e të mos pranojmë si diçka normale idetë e ‘Oath Keepers’, që në thelb është një organizatë që dëshiron të përmbysë qeverinë”, tha zoti Kinzinger.

Organizatori i tubimit, Matt Braynard, një nga mbështetësit e pretendimeve të pabazuara në fakte të zotit Trump mbi zgjedhjet, tha se shpresonte që protesta të çonte në lirimin e të akuzuarve për pjesëmarrje në ngjarjet e 6 janarit.

“Ajo që duam të bëjmë është të vëmë në qendër të vëmendjes keqtrajtimin e këtyre individëve e të inkurajojmë ligjvënësit që të kërkojnë që Departamenti i Drejtësisë të bëjë drejtësi lidhur me këta njerëz. Kjo do të thotë që në shumë raste akuzat të hidhen poshtë”, tha zoti Braynard në një intervistë për rrejtin C-SPAN.

Qindra vetë janë arrestuar për pjesëmarrje në sulmin e dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar, një ngjarje nuk ka marrë ende asnjë përgjigje. Deri tani nuk është arritur të identifikohet asnjë i dyshuar si autor i mundshëm për vendosjen më 5 janar të bombave artizanale në selitë kombëtare të partisë demokrate e republikane që ndodhen pranë Kapitolit. /VOA

Kina reagon ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Australisë

Ambasada kineze në Australi hodhi poshtë të premten si “të pabaza” akuzat kundër Kinës të bëra nga ministrat e mbrojtjes dhe ata të jashtëm të Australisë dhe homologët e tyre amerikanë, pas bisedimeve në Uashington.

Në një deklaratë pas konsultimeve ministrore Australi – SHBA, të dyja vendet, shprehën shqetësimin për “pretendimet ujore të Kinës në Detin e Kinës Jugore që nuk kanë bazë ligjore”, dhe deklaruan synimin e tyre për të forcuar lidhjet me “partnerin e tyre kritik” Tajvanin.

Komentet nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara erdhën një ditë pasi ata njoftuan marrëveshjen për furnizimin e Australisë me nëndetëse bërthemore, si pjesë e një partneriteti të sigurisë që përfshin edhe Britaninë, të cilën Kina e denoncoi si intensifikim të një gare rajonale armatimi.

Australia dhe Shtetet e Bashkuara kritikuan gjithashtu imponimin e legjislacionit të sigurisë kombëtare nga Kina në Hong Kong vitin e kaluar, për të cilin ata thanë se kishte dobësuar sistemin e tij zgjedhor, kishte shtypur lirinë e medias dhe minuar formulën e ish – kolonisë britanike si “një vend, dy sisteme”, për të cilën ishte rënë dakord kur Hong Kongu u kthye nën sundimin kinez në 1997.

Ata gjithashtu shprehën “shqetësime të mëdha në lidhje me” fushatën e Kinës për shtypjen e ujgurëve “, një pakicë etnike kryesisht myslimane në rajonin Xinjiang të Kinës perëndimore.

Ambasada kineze i hodhi poshtë akuzat si një taktikë e panevojshme presioni.

“Kundërshtojmë me forcë akuzat e pabazuara dhe komentet e gabuara kundër Kinës për çështje që lidhen me Detin e Kinës Jugore, Xinjiangun, Hong Kongun, Tajvanin dhe çështje të tjera të lidhura me Kinën”, tha një zëdhënës i ambasadës kineze në Kanberra.

Qeveria e Tajvanit mirëpriti shfaqjen e mbështetjes nga Uashingtoni dhe Kanberra.

Duke folur pas takimeve në Uashington, Australia dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak. /VOA

Kishte ndryshuar pamjen/ Zbardhet dëshmia e personit që zbuloi Pecorelli-n

Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me gjetjen e biznesmenit Davide Pecorelli. Mësohet se ka qenë dëshmia e një personi që i kishte ardhur rastësisht në ndihmë Pecorellit, që ka zbuluar se biznesmeni italian është gjallë.

Dëshmitari në fjalë është afruar për të ndihmuar Pecorellin pasi i është djegur motori i varkës, dhe ka njohur biznesmenin, pavarësisht ndryshimeve që ky i fundit kishte bërë në pamjen e tij të jashtme. Siç duket, fotoja e publikuar për muaj me radhë në të gjitha mediat, kishte shërbyer për diçka.

“Kam parë Pecorellin, është gjallë,”– mësohet të ketë thënë ai.

Edhe vetë kryeprokurori, Raffaele Cantone dhe Zëvendësprokurori Giuseppe Petrazzini kanë deklaruar se ata janë nisur për në ishull pasi kishin dëshminë e një personi i cili kishte deklaruar se e kishte parë Pecorellin të gjallë.

Misteri për zhdukjen në Shqipëri të biznesmenit italian Davide Pecorelli mori fund sot. Ai është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana të Italisë, tetë muaj pasi u raportua i zhdukur. Pecorelli ka dhënë deklarimet në polici dhe më pas është lënë i lirë, por nuk dihen ende arsyet se çfarë i ka ndodhur biznesmenit gjatë kësaj kohe.

Franca thërret ambasadorin nga Shtetet e Bashkuara

Aleatja më e vjetër e Amerikës, Franca, thirri ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara të premten në një shfaqje të paprecedent zemërimi që ia kaloi dekadave të mosmarrëveshjeve të mëparshme.

Marrëdhënia e konceptuar në revolucionet e shekullit të 18-të u shfaq në një pikë kthese pasi SHBA, Australia dhe Britania shmangën Francën në krijimin e një skeme të re të sigurisë në rajonin Indo-Paqësor.

Kjo është hera e parë që Franca thërret ambasadorin e saj nga Shtetet e Bashkuara, sipas ministrisë së jashtme franceze. Parisi gjithashtu tërhoqi të dërguarin e tij nga Australia.

Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian tha në një deklaratë me shkrim se vendimi francez, me kërkesë të Presidentit Emmanuel Macron, “justifikohet me seriozitetin e jashtëzakonshëm të njoftimeve” të bëra nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se vendimi i Australisë për të anuluar një blerje të madhe të nëndetëseve konvencionale franceze në favor të atyre bërthamore të ndërtuara me teknologjinë amerikane është një “sjellje e papranueshme ndërmjet aleatëve dhe partnerëve”.

Ambasadori Philippe Etienne shkruajti në Twitter se njoftimet “po ndikojnë drejtpërdrejt në vizionin që kemi për aleancat tona, për partneritetet tona dhe rëndësinë e Indo-Paqësorit për Evropën”.

Administrata e Presidentit Biden ka qenë në kontakt të ngushtë me zyrtarët francezë në lidhje me vendimin për të tërhequr zotin Etienne në Paris, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Emily Horne.

“Ne e kuptojmë pozicionin e tyre dhe do të vazhdojmë të angazhohemi në ditët në vijim për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona, siç kemi bërë në momente të tjera gjatë aleancës sonë të gjatë”, tha ajo në një deklaratë. “Franca është aleati ynë më i vjetër dhe një nga partnerët tanë më të fortë, dhe ne ndajmë një histori të gjatë të vlerave të përbashkëta demokratike dhe një angazhim për të punuar së bashku për të trajtuar sfidat globale”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price theksoi gjithashtu vlerën që SHBA i kushton marrëdhënies me Francën dhe shprehu shpresën se bisedimet mes dy palëve do të vazhdojnë në ditët në vijim, përfshirë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme.

Presidenti Macron, megjithatë, për herë të parë që kur erdhi në detyrë në 2017, nuk do të mbajë një fjalim në takimin vjetor të udhëheqësve botërorë. Në vend të tij, Ministri Le Drian do të mbajë fjalimin për Francën.

Vendimi për të tërhequr ambasadorin përfaqëson një kthesë tronditëse për Francën nën drejtimin e zotit Macron, i cili – pas një marrëdhënieje gjithnjë e më të hidhur me ish-Presidentin Donald Trump – shtrëngoi duart ngrohtësisht me Presidentin Biden në një samit të G-7ës në qershor dhe konfirmoi se “Amerika është rikthyer”.

Presidenti Macron ende nuk ka komentuar mbi këtë çështje. Thirrja e ambasadorit është lëvizja e tij më e guximshme e politikës së jashtme deri më tani gjatë presidencës katërvjeçare, në të cilën ai ka kërkuar të forcojë gjurmët dhe rolin diplomatik të Francës në hartimin e politikave evropiane dhe të mbledhë vendet fqinje të Francës rreth vizionit të tij për një Evropë më pak të varur nga ombrella e ushtrisë amerikane.

Franca ka bërë presion për disa vjet për një strategji evropiane për rritjen e lidhjeve ekonomike, politike dhe mbrojtëse në rajon që shtrihet nga India dhe Kina, në Japoni dhe Zelandën e Re. BE këtë javë zbuloi planin e saj për Indo-Paqësorin.

Më herët të premten, një diplomat francez, i cili foli në mënyrë anonime në përputhje me praktikat e zakonshme të qeverisë, tha se Presidenti Macron mori një letër nga Kryeministri australian Scott Morrison të mërkurën në mëngjes duke njoftuar vendimin për të anuluar marrëveshjen e nëndetëseve.

Zyrtarët francezë në vazhdim vendosën t’i drejtohen administratës amerikane “për të pyetur se çfarë po ndodhte”, tha ai. Ai shtoi se diskutimet me Uashingtonin u zhvilluan vetëm dy deri në tre orë përpara njoftimit publik nga Presidenti Biden.

Jean-Yves Le Drian
Jean-Yves Le Drian

Zoti Le Drian të enjten shprehu “moskuptim total” për këtë veprim dhe kritikoi Australinë dhe SHBA-në.

“Ishte vërtet një goditje në shpinë. Ne ndërtuam një marrëdhënie besimi me Australinë dhe ky besim u tradhtua”, tha ai. “Kjo nuk bëhet mes aleatësh”.

Ai gjithashtu krahasoi lëvizjen e Presidentit Biden me ato të ish-Presidentit Trump nën doktrinën e tij “Amerika e Para”.

Parisi kishte ngritur çështjen e strategjisë për rajonin Indo-Paqësor gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Paris më 25 qershor, duke shprehur rëndësinë e programit të tij të nëndetëseve me Australinë, tha diplomati francez.

“Ne thamë se ishte për ne një komponent shumë i rëndësishëm dhe kritik në strategjinë tonë për Indo-Paqësorin”, tha ai. Sekretari Blinken u takua me Presidentin Macron gjatë vizitës.

Diplomati francez tha se Australia kurrë nuk ia bëri të ditur Francës vullnetin e saj për të kaluar tek nëndetëset me energji bërthamore, përfshirë gjatë një takimi Macron – Morrison në Paris më 15 qershor.

Një tërheqje e ambasadorëve është shumë e pazakontë midis vendeve aleate.

Në vitin 2019, Parisi tërhoqi të dërguarin e tij në Italinë fqinje pasi udhëheqësit e vendit bënë komente publike kritike për qeverinë franceze. Vitin e kaluar, Franca tërhoqi ambasadorin e saj në Turqi pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Macron kishte nevojë për kurim të shëndetit mendor. /VOA

Krimi në Divjakë/ Dalin detaje të reja, trupat e pajetë u gjetën nga …

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi në familje që u shënua këtë pasdite në Divjakë.

Çifti, Herkuan dhe Fëllënxë Rrasa, nuk ka pasur probleme me njëri-tjetrin dhe se konflikti mes tyre, dyshohet se ka qenë i çastit. Ata kanë qenë prindër të një djali.

Ishte pikërisht ky i fundit që ka dëgjuar të shtënat e armës së gjahut, kur krimi ka ndodhur. Kur ka hyrë në banesë ka konstatuar të vdekur të dy prindërit dhe ka njoftuar policinë.

Vlen të përmendet se Hekuran Rrasa, për motive të dobëta, ka goditur me armë gjahu të shoqen, e më pas, i ka dhënë fund edhe jetës së tij.

Më herët nuk ka pasur nga 45-vjeçarja asnjë denoncim për dhunë në polici dhe nuk ka pasur urdhër mbrojtje për Fëllënxa Rrasën.

Orban akuzon BE se ka bllokuar fondet për Hungarinë pas mosmarrëveshjeve për LGBT

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka akuzuar Komisionin Evropian se ka bllokuar fondet ndaj vendit të tij pas mosmarrëveshjeve mbi politikat ndaj LGBT.

Orban pohoi të premten se BE kishte dështuar në miratimin e planit të Hungarisë për rimëkëmbjen nga coronavirusi për shkak të mosmarrëveshjeve të tyre mbi të drejtat e homoseksualëve.

“Fondet janë hua që Brukseli nuk dëshiron të na japë për shkak të debatit mbi politikën tonë LGBT”, tha ai në një intervistë për mediat shtetërore.

Afati i fundit për Komisionin Evropian për të rishikuar shpenzimet e planifikuara të Hungarisë u zgjat deri në fund të shtatorit.

Blloku ka thënë se refuzimi i planit të rimëkëmbjes nuk lidhet me politikat LGBT, por me luftën e pamjaftueshme të Hungarisë kundër korrupsionit dhe mungesën e pavarësisë së gjyqësorit.

Në qershor, parlamenti hungarez ndaloi shfaqjen e homoseksualitetit ose elemente të ndryshimit të gjinisë në përmbajtjen e materialeve dhe teksteve shkollore, apo në programet televizive për fëmijë.

Orban paraqiti ndryshimin ligjor si një mjet për mbrojtjen e fëmijëve.

Por ligji shkaktoi reagime të ashpra nga Brukseli, teksa Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e cilësoi atë një “turp”.

Burimi: Euronews Albania

SHBA pranon gabimin/ Vramë civilë e fëmijë në Kabul

Kreu i komandës qendrore amerikane, gjenerali Frank McKenzie e pranoi se sulmi me dron i 29 gushtit pranë aeroportit të Kabulit ishte një gabim.

10 vetë humbën jetën në atë goditje, ku SHBA-ja mendonte se ishte duke shënjestruar një terrorist por vrau vetëm një punonjës humanitar e disa persona të tjerë në zonë. “Jam tani i bindur se 10 civilë, përfshirë 7 fëmijë u vranë tragjikisht në atë sulm. Për më tepër, nga vlerësimet e tanishme rezulton se ka pak gjasa që në makinë apo personat që vdiqën të kishin lidhje me ISIS-Kohrasan apo të përbënin një kërcënim direkt për forcat amerikane”, u shpreh ai.

McKenzie shtoi se i ofron ngushëllimet më të thella familjarëve e miqve të viktimave. Gjenerali kërkoi falje teksa shtoi se ai sulm ishte kryer me bindjen se do të parandalonte një kërcënim ndaj forcave amerikane dhe të evakuarve në aeroport, por ishte një gabim. Zyrtarët amerikane ishin përpjekur të tregonin se pati një shpërthim të dytë cka tregonte sipas tyre se Toyota Corolla e Bardhë përmbante eksplozive. Por McKenzie sqaroi se ai shpërthim ishte shkaktuar nga një bombolë e madhe gazi pranë të cilit ndodhej makina kur u godit.

Zemerai Ahmadi, shënjestra kryesore e sulmit kishte punuar 15 vjet për një organizatë jofitimprurëse me seli në Kaliforni. Ai dhe një burrë tjetër ishin parë duke ngarkuar dicka në makinë, që zyrtarët amerikanë besuan se ishin eksplozive dhe se dyshja po planifikonte një sulm me autobombë. Por së fundi u mësua se Ahmadi në fakt, po e mbushte makinën e tij me shishe me ujë për t`ua shpërndarë njerëzve në nevojë.

Greqia vlerëson Turqinë dhe kritikon BE-në për krizën e emigrantëve

Përballë shqetësimeve për një valë të re frefugjatësh, Greqia ka vlerësuar Turqinë si një partner të rëndësishëm, teksa ka shfaqur kritika ndaj BE-së.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis vlerësoi Turqinë si një partner që duhet mbështetur në menaxhimin e çdo sfide të re të emigrimit në Evropë.

Mitsotakis shtoi se Evropa nuk ka arritur të krijojë një politikë të përbashkët dhe kohezive në trajtimin e çështjes së emigrantëve.

Më shumë se një milion refugjatë që ikën nga konflikti në Siri kaluan në Evropë përmes Greqisë dhe Turqisë gjatë viteve 2015-2016.

Ardhjet e emigrantëve në Greqi, qoftë nga toka ose nga deti, në përgjithësi janë ngadalësuar që nga viti 2016, kur BE-ja ra dakord për një marrëveshje me Turqinë për të frenuar flukset në këmbim të mbështetjes financiare.

Kryeministri Mitsotakis zotohet se nuk do të ketë një përsëritje të situatës së asaj kohe. Por pas ngjarjeve të fundit në Afganistan është shtuar frika për një krizë të re refugjatësh.

Komente të tilla kryeministri grek i bëri në kohën kur liderët nga BE u takuan në Athinë për të diskutuar situatën e emigrantëve dhe  ndryshimin e klimës pas një vere të nxehtë shoqëruar me zjarre masive dhe përmbytje./Euronews