zoom

Day ArchiveArrin në Rinas avioni i dytë me afganë, ja sa persona solli

Mbrëmjen e sotme, pak para mesnatës mbërriti në aeroportin e Rinasit në Tiranë grupi i dytë me 95 afganë, të cilët u arratisën nga atdheu nga frika e hakmarrjes së talebanëve.

Avioni me afganët, mes tyre gra dhe fëmijë u ul në pistë rreth orës 23:10 ndërsa pak pas mesnate pritet që të vijë edhe grupi i tretë. Pasagjerët u pritën nga Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e ShBA YuRi Kim.

Behet me dije se do të ketë edhe një fluturim tjetër dhe avioni pritet të mbërrijë gjatë orës 1 të mëngjesit, me rreth 60 afganë. Këto 2 grupe do të strehohen paraprakisht në ambientet e konvikteve te Qytetit Studenti, ndërsa grupi i parë me 121 afganë u strehua në hotele në Durrës.

Përplasen dy anije, 19 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur në Bangladesh

Të paktën 19 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë zhdukur pasi një varkë plot pasagjerë u përplas me një anije mallrash që transportonte rërë në Bangladesh .

“Deri më tani ne kemi nxjerrë 19 trupa, ” tha Anisour Rahman, shefi i policisë në rrethin Brahmanbaria. Mes viktimave janë nëntë gra dhe dy fëmijë. “Operacioni i shpëtimit për të zhdukurit vazhdon, ” shtoi ai.

Policia nuk e di numrin e saktë të të zhdukurve . Pasagjerët e shpëtuar thanë se barka mbante më shumë se 50 persona dhe disa prej tyre arritën të notonin dhe të dilnin në breg.

Qindra njerëz vdesin çdo vit në përplasjet e trageteve në Bangladesh, një vend me një rrjet të gjerë transporti lumor, por rregullat e sigurisë nuk ndiqen gjithmonë. Në maj, të paktën 26 persona u mbytën kur një skaf u përplas me një anije mallrash dhe u mbyt në lumin Padma.

Theu dorën në aksidentin e tmerrshëm të Qafë-Muzinës, 25 vjeçarja e mbijetuar dërgohet drejt spitalit të Traumës

Vajza që i shpëtoi dje aksidentit tragjik në Qafën e Muzinës është transportuar ditën e sotme nga spitali i Gjirokastrës në Tiranë te “Trauma”.

Drejtori i spitalit të Gjirokastrës Sokol Feruni konfirmoi se 25-vjeçarja Greta Deberdini ndodhet në gjendje të mirë, por në spitalin e Traumës në Tiranë u transportua për një ndërhyrje kirurgjikale të specializuar në pjesën e krahut ku u lëndua nga përmbysja e autobusit, që përfundoi në greminë pasi doli nga rruga, 25-vjeçarja është e vetmja nga pasagjerët që ishte në autobus dhe që i mbijetoi aksidentit tragjik.

Mjetet u përplasën rreth orës 15.30 të së enjtes, furgoni me pasagjerë që drejtohej nga bardhi Proda ishte nisur nga Tirana për në Sarandë me 5 pasagjerë. Dy çifte bashkëshortësh një nga Tirana dhe tjetri nga Ukraina dhe vajza që i mbijetoi aksidentit.

Një ditë pas aksidentit policia e Gjirokastrës arrestoi drejtuesen e mjetit “Land Rover”, 22-vjeçaren Rexhina Çelhaka nga Tirana, pasi nga ekspertiza paraprake rezultoi se i preu rrugën furgonit.

Zbulohet kur do të jetë ndeshja e parë e Cristiano Ronaldos për Manchester United pas 12 vitesh

Pas 12 vitesh, Cristiano Ronaldo do të kthehet tek Manchester United. Ndeshja e parë që pritet të bëjë debutimin është më 11 shtator në përballjen me Newcastle United.

Ylli portugez u largua nga Juventusi të premten para se të fluturonte për në Lisbonë, ku “Djajtë e Kuq” konfirmuan kthimin e tij në klub.

Ronaldo kishte njoftuar se do të largohej nga Italia dhe Zonja e Vjetër para skadimit të kontratës së tij, dhe deri momentet e fundit besohej se destinacioni i tij ishte diku mes PSG në Francë ose kampionëve të Anglisë, Manchester City.

Pesë herë fituesi i Topit të Artë pritej të transferohej të Manchester City deri mëngjesin e sotëm, por në mesditë negociatat mes dy palëve ishin prishur, shkruan The Guardian.

Ende nuk dihen prapaskenat e transferimit të tij te skuadra ku Ronaldo mori famën e tij me trajnerin Alex Ferguson, por përfaqësuesi i tij, Jorge Mendes, ishte sot në negociata intensive në Manchester prej mëngjesit, dhe refuzimi i City duket se ka qenë hallka e fundit e kalimit të tij emocional te Djajtë e Kuq.

Ronaldo kishte më pak se 12 muaj të mbetura në kontratë me skuadrën e Juventus ku paguhej rreth 30 milionë euro (megjithë taksa) në sezon.

Forcat talebane pozicionohen në aeroportin e Kabulit

Forcat talebane janë pozicionuar në aeroportin e Kabulit dhe janë gati të marrin kontrollin e plotë këtë fundjavë, sapo forcat amerikane të largohen, thanë të premten dy zyrtarë të lartë talebanë.

Një komandant i lartë tha se forcat talebane kishin marrë pjesën më të madhe të aeroportit, “përveçse një pjese të vogël ku amerikanët janë akoma”.

Një zyrtar i dytë tha se forcat ishin gati për të marrë kontrollin e plotë, duke shtuar: “është vetëm çështje e një kohe të shkurtër”.

“Sapo amerikanët të largohen, ata thjesht duhet të na japin sinjalin dhe ne pastaj do të marrim përsipër kontrollin,” tha ai. “Kjo mund të bëhet qysh në fundjavë.”

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se talebanët nuk kanë nën kontroll ndonjë zonë ushtarake të aeroportit./VOA

Vendet e BE-së përshpejtojnë ritmin e vaksinimeve

Pasi u përballën me kritika të ashpra për fillimin e ngadaltë të programeve të vaksinimit kundër koronavirusit, shumë vende të Bashkimit Evropian kanë pasur një rritje të ritmit të vaksinimeve javët e fundit, madje më të lartë se në Shtetet e Bashkuara dhe Britani. Rregullat e rrepta lidhur me të ashtuquajturat pasaporta për koronavirusin, kanë bindur shumë vetë të vaksinohen.

Disa fëmijë në Gjermani marrin një çertifikatë dhe karamele, pasi bëjnë vaksinat kundër koronavirusit.

Gjermania është një nga disa vendet evropiane që ka filluar vaksinimin e fëmijëve. Shumë prej tyre do të fillojnë të bëjnë dozat përforcuese për më të moshuarit në javët e ardhshme.

“Ritmet e përshpejtimit kanë qenë shumë të suksesshme – por duhet të vazhdojmë përpjekjet”, thotë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Bashkimi Evropian bleu vaksina për të gjitha vendet anëtare. Në fillim, ky bllok u përball me kritika për vonesat në miratim dhe shpërndarje. Tani vendet i vlerësojnë përpjekjet e tij. Spanja dhe Portugalia tani janë mes pesë vendeve të para në botë për nga përqindja e popullsisë të vaksinuar plotësisht.

“Suksesi i vendit, suksesi i të gjithëve ne, ka të bëjë së pari me strategjinë e blerjes të Bashkimit Evropian”, thotë ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Carolina Darias.

Rritja e normave të vaksinimit po nxitet gjithashtu nga rregulla të rrepta brenda vendeve. Mbi 12 shtete të BE-së kanë miratuar një formë të pasaportës dixhitale për COVID-19-e cila tregon nëse dikush është i vaksinuar, ka marrë një test negativ kohët e fundit, ose e ka kaluar sëmundjen. Ata që nuk kanë leje kalimi nuk mundtë hyjnë në bare, restorante dhe shumë vende publike.

“Sigurisht, gjithmonë do të ketë një grup të caktuar në shoqëri që është kundër vaksinimit. Por ata që janë pak më të pavendosur, mund të binden që të vaksinohen nëse përballen me pasoja”, thotë Fabian Zuleeg, Shefi Ekzekutiv i Qendrës për Politikat Evropiane.

Franca ka ndër rregullat më të rrepta të lejes për lëvizje për COVID-19 në Evropë. Seine-Saint-Denis, në veri të Parisit, është rajoni më i varfër i Francës – dhe përjetoi numrin më të lartë të vdekjeve nga COVID-19 në vend në fillim të vitit. Por rajoni tani është ndjeshëm mbi mesataren kombëtare për marrjen e vaksinave. Një kryebashkiak lokal thotë se arsyeja është pasaporta për COVID-19.

“Kur u shpallën masat nga presidenti, pamë një rritje të madhe të vaksinimeve”, thotë Jean-Baptiste Borsali.

Edhe në Itali, rregullat e rrepta që kërkojnë një të ashtuquajtur Leje të Gjelbër për COVID-in për të hyrë në bare dhe restorante kanë sjellë një rritje të vaksinimeve.

“Mendoj se është e drejtë të mbrosh ata që janë vaksinuar në mënyrë që të mos përfundojnë të izoluar përsëri”, thotë Melissa Rando, banore e Romës.

Jo të gjithë janë dakord. Mijëra vetë dolën në rrugët e Rigës, Letoni, këtë muaj duke protestuar kundër rregullave të lejeve të kalimit për COVID-19. Protesta të ngjashme ka pasur në Francë, Spanjë dhe Itali.

Ndërkohë, kritikët thonë se Evropa po mbetet pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në numrin e dozave të vaksinave të koronavirusit të dhuruara për vendet më të varfra – dhe ka dhënë vetëm një pjesë të 200 milionë dozave të premtuara deri në fund të vitit 2021.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që fillimisht vaksinat t’u shpërndahen vendeve më pak të zhvilluara përpara se vendet më të pasura t’i japin popullatës së tyre një dozë të tretë përforcuese./VOA

“Isha 50 hapa nga shpërthimi”/ Dëshmitari përshkruan masakrën e sulmit kamikaz në aeroportin e Kabulit

Afganët që shmangën ngushtë sulmin terrorist jashtë aeroportit të Kabulit të enjten kanë përshkruar skena të tmerrshme dhe grumbuj trupash të viktimave në vendin e shpërthimit.

Muhamedi, i cili tha se ndihmoi forcat amerikane dhe punoi me NATO -n në Afganistan, ishte në aeroport me familjen e tij, duke u përpjekur të fliste me trupat amerikane dhe të gjente një fluturim jashtë vendit.
“Unë me familjen time isha duke qëndruar vetëm 50 hapa larg shpërthimit që ndodhi dje. Unë nuk mund t’jua përshkruaj situatën. Ishte si një skenë nga një film, por që e shihja në realitet”, tha ai për CNN.
Më tej Muhamedi shtoi: “Kishte lumë gjaku. Nëse doje të hidhje disa hapa duhet të kontrolloje se ku të hidhje këmbët për të mos shkelur trupa të vdekur.
I mbulova sytë vajzave të mia që ajo të mos e shihte situatën, sepse ishte një situatë shumë e keqe. Pas kësaj, unë nxora familjen time jashtë dhe eca në rrugën tonë për të shkuar në shtëpi.”
Sulmet kishin në shënjestër turmat që përpiqeshin të largoheshin nga Afganistani pas marrjes nën kontroll të talebanëve.
Bombardimi, i pretenduar nga grupi terrorist ISIS-K, vrau më shumë se 170 persona, 13 prej tyre trupa amerikane.
Muhamedi tha se atij i janë dërguar mesazhe kërcënuese të shumta nga talebanët, duke e paralajmëruar se do të vritej nëse nuk punonte me ta.
Por pavarësisht mizorisë, ai tha se do të kthehej në aeroportin e Kabulit me familjen e tij të Premten, siç ka bërë gjatë gjithë javës.
“Unë përpiqem të shkoj në portat e aeroportit në mënyrë që të flas me (trupat e huaja) dhe të tregoj ID -në dhe letrat e mia për të thënë se kam punuar me ta, por përpjekjet nuk kanë qenë të suksesshme.”

Roli i mbipeshës tek sëmundjet që shkaktojnë plakjen e trurit

Depozitat e mëdha dhjamore në zonën e belit janë të rrezikshme për shëndetin, madje mund të rrisin rrezikun e shfaqjes së sklerozës tek njerëzit në moshë madhore. Ky është konkluzioni i një studimi të botuar në prill të këtij viti. Studimi u krye në Korenë e Jugut dhe në të morrën pjesë 473,000 njerëz mbi moshën 65 vjeçare.

Në harkun kohor të mbi 6 viteve, 13 përqind e pjesëmarrësve në studim u diagnostikuan me demencë. Prevalenca e kësaj sëmundjeje ishte më e madhe në mesin e meshkujve që kishin një indeks të shëndetshëm të masës trupore por një bel më të gjërë se një 90 centimetra.

Çfarë Është Demenca?
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, demenca është një term që përshkruan një grup simptomash: si humbja graduale e kujtesës, rënia e aftësisë për të menduar dhe arsyetuar, si dhe problemet me komunikimin. Rreziku i demencës përfshin:

• Moshën,
• Trashëgiminë genetike,
• Përdorimin e tepruar të alkoolit,
• Hipertensioni
• Duhanpirja
• Kolesteroli i lartë.
• Ngushtimin e enëve të gjakut

Sipas ISHP-së demenca konsiderohet ndër sëmundjet më të keqinterpretuara ditët e sotme për arsyen se disa mendojnë që ajo vjen me moshën dhe për pasojë nuk ka trajtim ose ngatërrohet me sëmundjen Alzheimer.

Roli i Mbipeshës Tek Ky Grupim Sëmundjesh
Studiuesit e lartpërmendur arritën në konkluzionin se përmasat e belit tek njerëzit në moshë madhore dhe në moshën e tretë janë shumëherë më të rëndësishme se indeksi i masës trupore. Kjo për arsyen sepse në moshën e tretë, njerëzit humbasin masën muskulare dhe kanë më shumë depozita dhjamore jo domosdoshmërisht duke shtuar në peshë. Grumbullimet dhjamore në zonën e belit janë të rrezikshme jo vetëm për sëmundjet që prekin trurin por edhe sëmundjet e zemrës dhe diabetin.

Sikur të mos mjaftonte kjo, studiuesit paralajmërojnë se njerëzit që janë të shëndoshë në pjesën e barkut kanë një volum më të vogël të trurit. Depozitat e dhjamit në këtë zonë, sipas ekspertëve, zbehin performancën e trurit, ulin vëmendjen por edhe aftësinë për të perceptuar ndryshime dhe ngjashmëri mes objekteve të ndryshme./AgroWeb

A duhet ngrënë mish pule çdo ditë? Njihuni me përfitimet dhe problemet në organizëm

Mishi i pulës është një produkt që nuk mungon kurrë në tryezat shqiptare. Ai është jo vetëm një burim i pasur vitaminash, mineralesh, fibre e proteine por është edhe i shijshëm, një kombinim fitues për ata që kujdesen për peshën.

Falë këtyre vlerave, është tepër e lehtë që njeriu të nxitet drejt konsumit edhe të përditshëm të këtij mishi, gjë që shoqërohet me disa përfitime por edhe probleme serioze, të cilat do t’i gjeni të listuara në këtë artikull.

Mund Të Humbisni Në Peshë
Mishi i pulës përmban proteinë e cila kërkon më shumë kohë për tu tretur. Kësisoj një vakt i përditshëm me mish pule do ju mbajë të ngopur, më pak të fryrë dhe më të shëndetshëm. Sa më gjatë të qëndroni të ngopur, aq më të lehtë do ta keni t’i qëndroni ushqimeve të pashëndetshme e kësisoj të humbisni nga pesha.

Mund Të Shtoni Në Peshë
Tingëllon kontradiktore saktë? E gjithë kleçka qëndron tek proteina, sepse konsumi i përditshëm i saj e bën trupin të krijojë depozita proteine dhe yndyrnash dhe rrjedhimisht kilogramët shtohen me tepri. Studimet tregojnë se njerëzit që konsumojnë mbi 20% proteinë në ditë, janë 10% më të predispozuar të shtojnë në peshë se njerëzit që konsumojnë më pak se 15 përqind proteinë në ditë. Mos harroni që edhe proteina ka kalori.

Më Shumë Muskuj
Proteina është një nga shtyllat kryesore të mbajtjes në formë të muskujve. Mishi i pulës përmban leucinë, një amino acid që luan një rol të rëndësishëm në sintetizimin e proteinës. Sasia ideale ditore e proteinës për njerëzit që duan të forcojnë muskujt është çdo 1.6 gramë proteinë për çdo kilogramë të masës trupore.

Më Shumë Yndyrna Dhe Kripë
Duhet të dini që sasia e yndyrnave tek shpendët që i nënshtrohen modifikimit gjenetik për të nxitur prodhimin në masë, është dhjetëfishuar që nga shekulli i shkuar. Në një sasi prej 150 gramë mish pule të paketuar do të merrni 17 gramë yndyrna të plota, 5 gramë prej të cilave janë të ngopura. Nga ana tjetër, nëse ju konsumoni rregullisht mish pule të gatuar në restorante apo në pikat e ushqimit të shpejtë, atëherë përveç yndyrnave të shtuara do të merrni edhe më shumë kripë seç duhet. Këtu do të mësoni se çfarë i bën kripa e tepërt organizmit dhe trurit.

Mund Të Sëmureni Nga Zemra
Ky rast është më specifik sepse i referohet mishit të pulës të përpunuar që si në rastin e mishit të kuq, bëhet problematik për shëndetin dhe sidomos zemrën. Pra, nëse ju konsumoni sufllaqe me mish pule të përpunuar, do të përballeni me një rrezik të shtuar, 3-7%, të bllokimit të enëve të gjakut, ishemisë apo atakut në zemër.

Mund Të Keni Probleme Me Jashtëqitjen
Konsumi i tepruar i proteinës dhe prishja e një regjimi të balancuar me fruta, perime, drithëra e yndyrna të shëndetshme mund të rrisë gjasat e problemeve me jashtëqitjen, veçanërisht konstipacionin. Nëse dëshironi të shmangni një gjë të tillë, ekspertët ju këshillojnë që mishin e pulës ta shoqëroni me sallata, karrota, oriz kaf dhe garnitura të tjera të pasura me fibër, e cila pastron zorrët dhe lehtëson jashtëqitjen./AgroWeb

4 lëngjet që ndihmojnë trupin të balancojë hormonet

Ndryshimet hormonale, në shumicën e rasteve, janë një problem që supozohet të jetë vetëm i grave. Por organizmi i njeriut, qoftë burrë apo grua, ndikohet njësoj nga hormonet. Këto të fundit ndikojnë tek humori, paraqitja e jashtme, nivelet e energjisë, madje edhe tretja.

Njeriu mund të ndihmojë shëndetin e vet duke u kujdesur për të parandaluar ndryshimet hormonale. Përkujdesja nis që nga qëndrimi larg situatave stresuese, aktiviteti fizik dhe mbi të gjitha, ushqyerja e shëndetshme. Ju japin recetat e katër lëngjeve të cilat falë vlerave që kanë ndihmojnë organizmin tuaj të luftojë çrregullimin hormonal në çdo moshë.

Plot Shije Në Dimër
Përbërësit

20g spinaq
2 lugë gjelle me arra
1 dardhë
1 lugë çaji me xhenxhefil të grirë
1 portokalle të qëruar dhe të prerë në feta
50g akull

Lëngu i Verës
Përbërësit

150g ananas
Gjysmë limoni i qëruar dhe i prerë
1 grusht me gjethe nenexhiku
1 grusht me kale ose spinaq
1 lugë gjelle me fara chia
75 ml ujë
50g akull

Lëngu i Ëmbël me Çokollatë
30g shqeme
1 lugë gjelle me kakao
2 hurma arabe pa bërthamë
Gjysmë banane
150 ml qumësht bajamesh
150g akull

I Mbushur me Fruta Pylli Për Freski
Përbërësit

1 lugë çaji me kakao
1 banane
60g luleshtrydhe, boronica, mjedra
100 ml qumësht bajamesh apo arre kokosi
50 g akull
Më poshtë do të gjeni simptomat më të zakonshme të çrregullimeve hormonale dhe dëmit në shëndet.

Shtimi në peshë
Çrregullimet hormonale shkaktojnë shtim në peshë, pavarësisht përpjekjeve tuaja për t’u ushqyer shëndetshëm dhe për të kryer aktivitet të rregullt fizik.

Rënie të flokëve
Rënia e flokëve është një nga simptomat më të zakonta të çrregulllimeve hormonale dhe nuk duhet injoruar.

Djersitja e tepërt
Nëse djersisni më tepër seç duhet, atëherë me siguri jeni të prekur nga çrregullimet hormonale dhe duhet të vizitoheni tek një mjek. Ndryshimet në përmasat e gjirit tek femrat. Niveli i pakët i estrogjenit, pakëson dendësinë e indeve të gjirit. Nivelet e rritura të estrogjenit mund të shkaktojnë gjendra ose ciste në gjoks.

Lodhje dhe plogështi
Kur hormonet nuk janë në nivelet e duhura, atëherë do të prekeni nga lodhja dhe plogështia kronike e pazakontë. Në këto raste duhet të konsultoheni me një mjek për të kontrolluar nivelet e progesteronit në gjak.

Fytyrë me akne
Kujdesi i mangët për lëkurën, ushqyerja e keqe dhe çrregullimet hormonale janë tre prej shkaktarëve të akneve në fytyrë. Nëse trajtimet kundër akneve nuk kanë rezultat, atëherë me siguri bëhet fjalë për çrregullim hormonal./AgroWeb