zoom

Day ArchiveFlet e mbijetuara e aksidentit: Ja nga më erdhi mrekullia

Greta Kaperdini është e mbijetuara e vetme e aksidentit tragjik në Qafë-Muzinë, ku humbën jetën 5 nga 6 personat që ndodheshin në furgonin i cili ra në greminë.

Ajo ka folur për gazetaren e Fax News, Ervina Shehaj, ku ka theksuar se nuk mban mend asgjë si ndodhi aksidenti por vetëm kur ka hapur syte ka parë njerëz sipër saj.

E reja thotë se shpëtimi i saj ka qenë një mrekulli e Zotit, ndërkohë ajo kujton se dy ditë më parë ka qenë në Malin e Tomorrit.

“Isha në vend të parë të furgonit po udhetoja për në Sarandë. Rreth meje nga një krah kisha shoferin dhe nga ana tjetër një grua( viktime). Nuk mbaj mend asgjë si ndodhi, kam hapur syte kur ishim rrëzuar ne greminë shoh që kisha njerez sipër meje. Aty bërtita, rreth meje erdhen dy cuna qe po tentonin tëme nxirrnin nga aty. Me nxorrën dhe pashë që po me dhimbte krahu kur me tërhoqën.

Qendrova pak aty, pritëm autombulancën. Çanten e dores ma kishte marr një nga cunat, telefonin nuk mbaj mend e humba. Erdha ne spital, me bënë grafi dhe rezultoi që kam thyer krahun, të cilin e kam ne allci.

Me dhemb pak qafa por jam mirë. Nuk e di ça të them, eshte mrekulli e zotit, para dy ditesh isha ne mal te Tomorrit. Zoti bëri mrekulli tek une.

Faktin si ndodhi aksidenti nuk mbaj mend fare gje, mbaj mend vetem kur hapa syte. Lajmerova te afermit pasi kishin pare lajmet dhe telefoni ju dilte i fikur , i lajmerova ketu ne spital qe jam mire“, tha ajo.

Blendi Gonxhe publikon në FB patentën e vajzës që u aksidentua në Qafë Muzinë: E ka marrë në Itali

Teksa nuk kanë kaluar shumë orë nga aksidenti tragjik që u mori jetën 5 personave në Qafë Muzinë, në aksin Gjirokastër- Sarandë, duket që gjyqi publik dhe ekspertiza e këtij aksidenti po bëhet në rrjetet sociale.

Të përfshirë në këtë skadal është edhe drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe. Ky i fundit ka publikuar ne rrjete sociale një dokument personal te vajzës e cila udhëtonte me një Land Rover dhe dyshohet se i preu rrugën furgonit ku udhëtonin viktimat. Ende pa folur ekspertiza ku dhimbja për të gjitha familjet e të aksidentuarve është ende e madhe sikur të mos mjaftonte kjo në rrjet publikohen edhe të dhënat personale siç është patenta e vajzës 20-vjeçare.

Kundër Gonxhes kanë shpërthyer një lum komentesh ku i kërkojnë llogari dhe i sqarojnë se dokumente të tilla nuk duhen publikuar aq më pak nga një drejtor i strukturave të patentave në vend.

Të vdekurit në aksidentine Qafë Muzinës janë:

Bardhi Prodo, 51 vjeç(Shoferi);

Fiqiri Korçari 77 vjeç;

Drita Korçari, 72 vjeçe,

Tetiana Fediaieva, 48 vjeçe,

Olesandr Fediaieva, 53 vjeç.

Arrestohet mbrojtësi i Man. City-t, akuzohet për përdhunim

Benjamin Mendy arrestohet nga policia britanike. Mbi mbrojtësin francez të Manchester City-t rëndojnë katër akuza për përdhunim dhe një tjetër për sulm seksual, të cilat janë ngritur nga tre vajza të moshës mbi 16 vjeç.

Rastet e denoncuara mësohet të kenë ndodhur mes tetorit të 2020-ës dhe gushtit të 2021-shit, ndërsa autoritetet kanë urdhëruar arrestimin e mbrojtësit 27-vjeçar që u shpall edhe Kampion Bote me Francën në “Rusi 2018”.
Klubi i Manchester City-t ka dalë me një komunikatë zyrtare, ku njofton se ka pezulluar pa afat mbrojtësin, teksa shton se nuk mund të thotë asgjë më tepër, për sa kohë që çështja është nën hetim nga autoritetet.
Gjithashtu mediat britanike bëjnë me dije se nesër pritet që Mendy të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën paraprake, ndërsa avokatët e mbrojtësit po punojnë për të siguruar hetimin në gjendje të lirë të klientit të tyre.
Benjamin Mendy spikati te klubi i Monacos në sezonin 2016-2017 dhe pikërisht në verën e 2017-ës u transferua te Manchester City për një shifër rekord prej rreth 60 milionë eurosh, ndërsa me “citizens” numëron 75 ndeshje zyrtare e dy gola të shënuar.

Sulmi terrorist në Kabul, ISIS merr përgjegjësitë për shpërthimet: Sulmuesi kamikaz plasi jelekun shpërthyes

ISIS ka marrë zyrtarisht përgjegjësitë e shpërthimeve në aeroportin e Kabulit ditën e sotme.

Në një mesazh të postuar në Telegram, ISIS sqaron se një sulmues kamikaz ka plasur jelekun shpërthyes afër turmës për të vrarë dhjetëra njerëz.

Sqarohet se Shteti Islamik e ka identifikuar agresorin dhe e ka ditur që shpërthimi kishte për qëllim të kryhej mes qytetarëve afganë dhe forcave amerikane.

Gjatë gjithë ditës së sotme pati dyshime se ISIS do të kryente një akt terrorist. Fillimisht ishin agjencitë inteligjente perëndimore që dhanë alarmin, më pas ishin zyrtarët amerikanë që bënë përgjegjës filialin afgan të ISIS, Shtetin Islamik të Kharosan.

Aksidenti me 5 viktima në Gjirokastër/ Momenti kur furgoni nxirret nga gremina

Vetëm pak minuta më parë është bërë e mundur nxjerrja nga gremina e mjetit tip furgon, ku humbën jetën pesë persona, mes tyre edhe një çift ukrainas.

Mësohet se nxjerrja e furgonit kërkoi mjete të posaçme për shkak të terrenit të vështirë ku kishte rënë, ndërsa eksperiza teknike pritet të vlerësojë forcën e goditjes që e ka shtyrë furgonin jashtë rrugës.
Furgoni u përplas nga një mjet tip “Land Rover” ku ishin duke udhëtuar 4 vajza. Ato janë transportuar në spital ku janë duke marrë ndihmën mjekësore.

Kosova drejt izolimit nga Covid-19?! Paralajmërohet kthimi i orës policore

Rritja e numrit të rasteve me COVID-19, por edhe rritja e numrit të viktimave ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të shqyrtojë miratimin e masave më strikte anti CVOD.

Në kuadër të masave të reja që pritet të zgjasin nga 1 shtatori deri më 13 shtator është paraparë edhe rikthimi i orës policore.

lajmin e ka bërë të ditur Oda e Hotelierisë dhe Turizmit, e cila sot ka zhvilluar një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, transmeton Telegrafi.

Sipas Odës së Hotelierisë dhe Turizmit, këto janë disa nga masat që do të merren:

• Orari i punës do të reduktohet për një orë nga 22:30 në 21:30;

• Gastronomia do të funksionojë vetëm me hapësirat e jashtme, dhe vetëm 70% të hapësirës;

• Në qendrat tregtare gastronomia nuk do të funksionojë fare;

• Sallat e dasmave, klubet e natës, kinematë dhe të tjera do të vazhdojnë të jenë plotësisht të mbyllura;

• Seminaret dhe konferencat në hapësira të mbyllura mund të mbahen vetëm deri në 30 persona;

• Ora policore do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit.

“Për shkak të numrit të madh të rasteve të të infektuarve me Covid-19 ju lusim t’i respektoni këto dhe masa të tjera që priten të hyjnë në fuqi së shpejti”, thuhet në njoftimin e Odës së Hotelierisë dhe Turizmit.

Qeveria e Kosovës më 12 gushte ka miratuar vendimin për masat e reja kufizuese kundër COVID-19, të cilat kanë hyrë në fuqi më 20 gusht.

Ndryshe, ditëve të fundit në vendin tonë është shënuar rritje alarmante e numri të infektuarve me COVID-19. Ndërrsa sot janë regjistruar edhe 18 viktima nga coronavirusi.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 2.295 raste të reja me koronavirus, bazuar në 12.406 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.

“Bardhi s’e bëri kurrë një gabim në timon”, kryebashkiaku i Gjirokastrës mesazh prekës për aksidentin në Muzinë

Kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka bërë një reagim për aksidentin tragjik që ndodhi në Muzinë, ku humbën jetën 5 persona. Mes të tjerash ai zbulon se shoferi i furgonit, Bardhi Proda, që ndërroi jetë gjithashtu, është një i afërm i tij. Veç ngushëllimit Golemi bën apel për të udhëtuar me kujdes në rrugë. Më poshtë reagimi i tij i plotë.

“Pa fjalë nga çfarë ndodhi sot në Muzinë, ku sa hap e mbyll sytë u këputën 5 jetë në një aksident tragjik. Pesha e dhimbjes është e rëndë për këdo që dëgjon një lajm të kobshëm si ky. Shumë më shumë për mua që humba të afërmin tim, Bardhin, shoferin fatkeq që e bënte atë rrugë për gati 20 vjet e kurrë nuk bëri një gabim në timon. Hetimet do të zbardhin të vërtetën e ngjarjes, që me siguri do të harrohet si shumë të tjera. Por ajo që duhet përsëritur vazhdimisht e vazhdimisht nga të gjithë ne, është një apel i thjeshtë: Mos rrezikoni jetën tuaj kur jeni në timon dhe as të të tjerëve që kalojnë në rrugë. Thirrini mendjes, qoftë me shpejtësinë, parakalimet e gabuara apo deri te përdorimi i celularit. Ngushëllime familjes Proda, familjes Korçari dhe Fediaieva. Shërim të shpejtë edhe për vajzat që morën lëndime!”

5 gjëra që mund të bëni që tani për ta bërë marrëdhënien tuaj më të mirë!

Keni filluar ta merrni njëri-tjetrin për të mirëqenë? Sido që të jetë përgjigjja, s’do ishte keq të fillonit t’i bënit më shpesh gjërat më poshtë:

1. Tregoni vlerësim/mirënjohje

Ndonjëherë mund të thuash “të dua”, dhe kjo gjithmonë vlerësohet. Por, të tregoheni pak më specifikë, ndonjëherë është edhe më me vlerë. Për shembull, nëse partneri juaj spontanisht pastroi një dhomë që ishte bërë rrëmujë, thoni që e keni vënë re dhe e vlerësoni këtë. Jo gjithmonë duhet të jepni një kompliment – thjesht tregoni se keni vënë re diçka specifike që partneri juaj ka bërë ose thënë dhe që do të thotë shumë për ju. Sigurisht, ai ndoshta s’ka bërë asgjë të jashtëzakonshme veç detyrës së tij, por është mirë të ndihemi të vlerësuar edhe për gjëra të vogla.

Disa çifte kanë një “seancë mirënjohjeje” çdo mbrëmje, ku shprehin atë për të cilën janë mirënjohës në jetën e tyre dhe mirënjohës për njëri-tjetrin. Edhe nëse nuk e bëni këtë çdo natë, të keni një orar javor të planifikuar për të shprehur mirënjohjen jo vetëm që mund ta ndihmojë marrëdhënien tuaj, por mund t’ju çlirojë nga streset e përditshmërisë.

2. Jepni përgjigje empatike

Të gjithë duan të ndiejnë se janë të dëgjuar vërtet. Kur përsërisni thelbin e asaj që keni dëgjuar, partneri juaj ndjen se ju po e ndiqni me vëmendje dhe e vlerëson këtë. Përpara se të përgjigjeni, dëgjoni dhe merrni një momet për t’i treguar partnerit se çfarë dëgjuat.

3. Mos harroni ngrohtësinë e një buzëqeshje dhe prekjeje

Një puthje përshëndetëse kur ktheheni nga puna, një përqafim në shtrat gjatë natës dhe një puthje për të thënë mirupafshin –  të gjitha tregojnë se partneri juaj është i rëndësishëm për ju. Ne të gjithë kemi nevojë për prekje që të ndihemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe kjo e forcon marrëdhënien tonë.

4. Gjeni kohë për një #date bashkë

Pavarësisht punës, fëmijëve apo angazhimeve të tjera, duhet të gjeni kohë edhe për ju të dy, vetëm. Lini data dhe momente të caktuara vetëm për veten: Një darkë romantike në shtëpi, një udhëtim i shkurtër. Mos harroni që para se të jeni nënë, baba, biznesmen i shkëlqyer, të jeni edhe dy partnerë pasionant dhe të dashuruar.

5. Programoni një ngjarje argëtuese të paktën një herë në dy javë

Gjeni një aktivitet me të cilin ju të dy kënaqeni dhe merrni pjesë në të së bashku. Secili prej jush mund të shkruajë një listë të asaj që ju pëlqen të bëni jashtë shtëpisë. Pastaj krahasoni listat tuaja. Mund të ketë disa aktivitete që mbivendosen ose janë të ngjashme.

Mbani mend se të bësh qejf, nuk ka pse t’ju kushtojë para. Me njeriun e duhur, edhe një shëtitje e thjesht mund të jetë relaksuese./Psychology Today – Përgatiti Alesia Doçi

7 truke për të jetuar më gjatë: Nga pirja e alkoolit te rrjetet sociale dhe optimizmi

Të jesh optimist të zgjat jetën. Por jo vetëm kaq; të kesh shumë miq, të lexosh, të hash shëndetshëm dhe të buzëqeshësh gjithashtu të lejon të jetosh më gjatë dhe më i lumtur.

Kjo konfirmohet nga një sërë kërkimesh të kryera në të gjithë botën për të gjetur se cilat janë eliksirët e jetës së gjatë që duhen vendosur çdo ditë për të siguruar shëndetin pavarësisht ADN -së.

Hulumtimi nga Universiteti i Harvardit i botuar në American Journal of Epidemiology, për shembull, ka treguar se njerëzit që e shohin gotën gjysmë plot jetojnë më gjatë se ata për të cilët gjithçka është gjithmonë e zezë.

Studimi u krye në një kampion prej  70,000 grash, të gjitha infermiere, midis moshës 58 dhe 83 vjeç për një periudhë tetë vjeçare. Ato që kishin treguar një qëndrim pozitiv ndaj jetës dhe së ardhmes kishin më pak gjasa të vdisnin sesa ato që shprehnin një gjendje negative. Dhe kjo pavarësisht nga mënyra e jetesës e kryer deri në atë moment ose analiza e trashëgimisë së disa patologjive.

Duke analizuar rezultatet sipas sëmundjeve, doli se gratë më optimiste kishin një rrezik 16% më të ulët të vdekjes nga kanceri, 38% të vdekjes nga sëmundjet e zemrës, 39% të vdekjes nga goditja në tru, 38% e vdekjes për sëmundjet e frymëmarrjes dhe 52% për infeksion.

“Ndërsa përpjekjet e shumicës së mjekëve dhe shëndetit publik sot përqendrohen në zvogëlimin e faktorëve të rrezikut të sëmundjes, provat tregojnë se forcimi i” elasticitetit psikologjik “gjithashtu mund të bëjë një ndryshim,” tha Eric Kim, autor i studimit.

Ky është studimi i fundit në një seri kërkimesh që synojnë gjetjen e eliksirit të jetës.

Sekreti për të jetuar më gjatë? Buzëqeshni sa më shumë

Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Harvardit, gratë që shikojnë të ardhmen me pozitivitet jetojnë më gjatë.

Hulumtimet kanë gjetur se sjelljet e shëndetshme të kryera nga individët vetëm pjesërisht shpjegojnë lidhjen midis optimizmit dhe zvogëlimit të rrezikut të vdekshmërisë.

Një mundësi tjetër është që të qenit pozitiv ndikon drejtpërdrejt në sistemet tona biologjike.

Hani shëndetshëm

Ushqimi dhe shëndeti shkojnë krah për krah.

Sot ne e dimë me siguri, falë studimeve të shumta shkencore të publikuara mbi këtë temë, se ekziston një lidhje e saktë mes dietës dhe shfaqjes së sëmundjeve kronike si obeziteti, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

Risia është ajo që sheh aftësinë e disa ushqimeve për të zgjatur jetën.

“Në disa studime ne kemi identifikuar molekula, të tilla si rapamicina, të afta të modulojnë shprehjen e disa gjeneve të përfshira në procesin e plakjes. Në modelet e kafshëve të përdorura në mënyrë eksperimentale, u pa se këto molekula ishin në gjendje të zgjasnin jetëgjatësinë mesatare”, shpjegon Pier Giuseppe Pelicci, kreu i grupit kërkimor mbi mekanizmat molekularë të përfshirë në kancer dhe plakje në kampusin IFOM-IEO në Milano.

Qëllimi tani është të klasifikojmë të gjitha ato ushqime që posedojnë këto karakteristika.

Ndërkohë, ndjekja e një diete të ekuilibruar dhe me pak kalori, e pasur me fruta, perime dhe drithëra, ndihmon në zvogëlimin e rrezikut të kancerit.

Aktiviteti fizik

Një studim i koordinuar nga Shkolla Mjekësore në Sidnei dhe i botuar në British Journal of Sport Medicine argumenton se tenisi është sporti që ju lejon të jetoni më gjatë, duke përgjysmuar rrezikun e vdekjes së parakohshme, e ndjekur nga noti, gjimnastika dhe çiklizmi.

Studiuesit analizuan njëmbëdhjetë studime të ndryshme të kryera midis 1994 dhe 2008 në Angli dhe Skoci, duke përfshirë mbi 80,000 njerëz me një moshë mesatare 52 vjeç, të cilët kishin përshkruar zakonet e tyre sportive, duke u përqëndruar në aktivitetet më të njohura.

Çdo subjekt i përfshirë u ndoq më pas për nëntë vjet, gjatë së cilës pati rreth 10 mijë vdekje.

Në përgjithësi, në krahasim me pjesën e subjekteve që nuk bënin sport, rreziku i vdekjes ishte më i ulët se 47% për ata që luanin sporte me raketa, 28% për notarët, 27% për ata që praktikojnë aktivitete aerobike në palestër, përfshirë kërcimin dhe 15% mes çiklistëve.

Leximi i librave ju ​​bën të jetoni më gjatë

Sipas një studimi të kryer nga Universiteti Yale dhe i botuar në Social Science and Medicine, njerëzit që lexojnë kanë një jetëgjatësi më të gjatë se ata që mund të lexojnë gazeta dhe revista, por jo romane.

Konkretisht, u zbulua se ata që lexojnë libra për më shumë se tre orë e gjysmë në javë kanë një probabilitet 23% më të ulët të vdekjes, që është e barabartë me një “zgjatje” të jetës prej rreth dy vitesh.

Pini alkool, por të moderuar

Sipas studiuesve të Universitetit të Teksasit, pirja e moderuar e alkoolit mund t’ju ​​ndihmojë të jetoni më gjatë.

Studiuesit i gjurmuan subjektet për rreth njëzet vjet, duke i ndarë ato në tre kategori: ata që pinë shumë, ata që pinë në mënyrë të moderuar dhe abstenues.

Ata që nuk pinin fare alkool kishin përqindjen më të lartë të vdekshmërisë, dhe jo pak: 69%, të pasuar nga alkoolistët e rëndë me 60%, ndërsa vetëm 40% e alkoolistëve të moderuar vdiqën në periudhën në shqyrtim.

Të kesh shumë miq, madje edhe në mediat sociale

Studiuesit në Universitetin e San Diego kanë treguar se ata që kultivojnë marrëdhënie shoqërore, madje edhe ato virtuale, jetojnë më gjatë.

Studimi u krye në një mostër prej 12 milionë kalifornianësh dhe tregon sesi ata që janë aktivë në mediat sociale dhe kanë, për të njëjtën moshë, shumë kontakte, kanë 12% më pak mundësi të vdesin brenda vitit në krahasim me ata që nuk kanë profili social.

Për ta zbuluar, studiuesit krahasuan të dhënat e përdoruesve në zotërim të tyre me regjistrat e vdekjeve.

Jeta e gjatë në secilin prej nesh

Studiuesit në Universitetin Yale kanë zbuluar mekanizmin e veprimit të hormonit të jetëgjatësisë, i aftë të zgjasë jetën me 40%.

Rezultati deri më tani ka qenë i dukshëm nga studimet në minj, por kjo molekulë është e pranishme në të gjithë gjitarët, përfshirë njerëzit.

Është një proteinë që vepron duke kundërshtuar dobësimin e mbrojtjes imune për shkak të moshës së përparuar.

Studiuesit spekulojnë se rritja e niveleve të hormoneve të jetëgjatësisë në të moshuarit dhe pacientët me kancer që i nënshtrohen transplantit të palcës së eshtrave mund të jetë një strategji e re për të rritur mbrojtjen e tyre të komprometuar imune.

Do të shtoni peshë e do jeni të lodhur! 4 ushqimet që nuk duhet t’i konsumoni në mëngjes

Mëngjesi konsiderohet si vakti më i rëndësishëm sepse trupi mund të furnizohet me ushqyesit më të nevojshëm për një energji të vazhdueshme gjatë ditës.

Gjithçka që ju hani në mëngjes ka mundësinë ose t’ju bëjë më të shëndetshëm ose të nxisë sëmundjet dhe t’ju bëjë të shtoni në peshë.

Po ja cilat janë ushqimet që nuk duhet të konsumoni në mëngjes:

Ëmbëlsira

Sipas të dhënave, përveç se ofrojnë shumë kalori, ëmbëlsirat e mbushin trupin me sheqer. Një petull e ëmbël ka 20-50 gramë sheqer, që e detyron trupin të sekretojë më shumë insulinë. Luhatjet e sheqerit në gjak bëhen më ekstreme dhe nxisin urinë edhe nëse keni ngrënë mëngjes. Ju do të keni dëshirë për më shumë karbohidrate. Mjafton një ëmbëlsirë në mëngjes që të futeni në një rreth vicioz të ushqyerjes së keqe.

Simitet Me Salçice

Salçicet me bukë përmbajnë sasi të mëdha të kripës gjë që rrit frikshëm tensionin e gjakut. Nëse vuani nga hipertensioni, ky ushqim mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e ishemisë. Përveç kësaj, salçicet konsiderohen një ushqim i përpunuar që rrit rrezikun e disa llojeve të tumoreve.

Ushqimet e Brumit

Byrekët e produkte të tjera të brumit nuk duhen ngrënë në mëngjes. Kaloritë, yndyrnat e ngopura dhe karbohidratet e përpunuara rrisin rrezikun e diabetit të tipit 2 dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Nëse nuk hiqni dorë prej tyre, përpiquni t’i konsumoni më rrallë.

Drithërat Shumëngjyrëshe

Fëmijët i adhurojnë drithërat, veçanërisht ato shumëngjyrëshe. Megjithatë, prindërit duhet të dinë që drithërat nuk janë një zgjedhje e zgjuar për shëndetin e fëmijës. Së pari, ato janë të mbushura me sheqer dhe kalori boshe. Së dyti, ushqimet me ngjyrues i bëjnë fëmijët hiperaktivë. Në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, ngjyruesit artificialë janë të ndaluara të përdoren në prodhimin e ushqimeve. Përse të mos i ndaloni edhe ju nga tryeza e mëngjesit.